Nga Uvil Zajmi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Arratisja e Mustafa Korçës, nuk ka qenë një arratisje si të tjerat. Sigurisht, e bujshme si të gjitha në atë periudhë, për sfidën, guximin, mënyrën, mbi të gjitha për alarmin, goditjen që i jepte kjo ngjarje shtetit prepotent, agresiv, izolues dhe diktatorial. Por, ajo e Muç Korçës ishte ndryshe: Një djalë i ri 21- vjeçar, artist, piktor, skulptor, arratiset duke braktisur pikën kufitare, piramidën, ku e kishin caktuar të kryente shërbimin ushtarak, madje bashkë me “Kallashin” që i’a kishin dhënë për të mbrojtur kufirin nga “armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm”! Lajmi befasues u përhap me shpejtësi: “Është arratisur… ka ikur Muç Korça. Ka lënë edhe një letër”. Sot, pas afro gjysmë shekulli, Mustafa Korça (Muçi), i rikthehet asaj ngjarje, çastit kur mori vendimin, letra që la pas, kalimi i kufirit, duke u gdhirë 21 dhjetori i vitit 1978. “U arratisa se më mohuan të drejtën e studimit”, shprehet ai. Mustafai rrëfen qëndrimin në Jugosllavi, Itali, Belgjikë, jeta në Suedi, pastaj në SHBA-ës. Dëshira për të takuar lojtarët e “Partizani”-t në Malmo, ku ai u ndesh edhe me djalin e Enver Hoxhës e Mehmet Shehut dhe shoqëruesin e tyre, Gani Kodrën, me valltarët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Hamburg dhe në Goteborg, etj. Muçi ruan ende letrat, kartolinat, dokumente, foto të rralla të kohës. Nuk ka ndryshuar, është ai Muç Korça i qetë, me një gjykim e arsyetim të matur. “Para ca kohësh isha në Resnje të Maqedonisë, qyteti ku qëndrova pas arratisjes. Nuk kisha qenë asnjëherë më parë”, tregon ai në këtë intervistë.
Z. Mustafa, ku shkuat pas Jugosllavisë?
Bashkë me dy shqiptarët dolëm në Itali. Në autostradë na morri një italian dhe na orientoi për në Trieste, në kuesturë. Ata na dërguan në Patriciano, 10 km. jashtë qytetit. Na vendosën në një kamp, ku na dhanë dokumente që ishim emigrantë politikë. Na pyesnin si u arratisëm nga një vend komunist dhe për këtë ata të merrnin në mbrojtje. Na pyesnin: “Ku do të shkosh, çfarë feje ke”? Jam ateist, i’u përgjigja unë oficerit i cili e ngatërronte fjalën ateist me komunist. “Mustafa, ti je mysliman”, më thoshte ai me habi.
Si ju trajtuan aty dhe sa kohë qëndruat?
Aty na trajtuan mirë. Dilja me autobus, shëtisja i qetë, por më duhet të prisja nga 6 muaj deri në një vit, të merrja azilin politik. Pas nja dy muaj qëndrimi aty, takohem me një kosovar, me mbiemër Vokshi nga Gjakova, i cili fliste mirë anglisht dhe e njihte mirë zonën. Pasi folëm gjerë e gjatë më të, krijova besim dhe vendosa ta lë Italinë dhe me tren u nisëm të dy bashkë për në Bruksel. Nuk ishte e vështirë, pasi kontrollet ishin formale.
Sa kohë qëndruat në Bruksel?
Në Bruksel ishte një lagje shqiptare, “Skarbec”, quhej dhe një kafe me kosovarë, që pasi u informuan për ne, na nisën një “Mercedez” taksi, që na mori e na çoi te familja Islamaj. Ishin familje shumë të nderuar, zogistë të vjetër, njerëz humanë me shpirt të madh, që kujdeseshin dhe ndihmonin emigrantët shqiptarë. Aty në familjen e tyre, kam qëndruar rreth një javë. Më pas ata më shoqëruan te zyrat e emigracionit, më regjistruan, dhe më dhanë një apartament për të fjetur. Familja Islamaj më ka lutur të mos ikja nga Belgjika, “rri këtu” më thoshin. (Me vëllain e madh të tyre, Liman Islamaj, jam takuar në vitin 1992 apo ’93-in në Tiranë, me të tjerët jo).
Ku u vendosët pas Belgjikës?
Ana psikologjike po më rëndonte, po endesha rrugëve, pse ika, pyesja veten?! Në Jugosllavi, në Resnja kisha dëgjuar se vendet skandinave janë të pasura, jetohet mirë, pasi ata me të cilët bisedoja, kishin njerëzit e tyre në ato shtete dhe i njihnin mirë. Danimarka, Suedia, më ishin fiksuar. Kur isha ende në Bruksel, në atë kohë që qëndrova aty (thuajse një muaj), rastësisht njihem me Halil Shalën, një kosovar nga Peja, i cili më ndihmoi të largohem. Ai më siguroi një pasaportë jugosllave, me një emër tjetër, e cila ishte e një personi që më ngjante mua. Me makinën e tij (Halilit), ikëm nga Belgjika në Holandë, nga aty në Danimarkë e në Suedi, në Halmstad. Ishte fillimi i dimrit, bënte ftohtë dhe binte dëborë e madhe. Menjëherë shkuam në polici, ku u prezantova si shqiptar, por ata nuk e dinin se ku ndodhej Shqipëria. Kur më pyetën për emrin, i kam thënë: “Muçi, Mustafa Korça”. Brenda muajit ata më siguruan strehim. Aty u shkollova dhe pas 5 vitesh mora nënshtetësinë. Kam jetuar e punuar edhe në Stokholm e Goteborg.
Në fillim të bisedës sonë, më treguat pak për një episod me ekipin e futbollit “Partizani”, që kishte ardhur në Malmo. Si e kujtoni atë ngjarje, a arritët t’i takonit?
Në vitin vitin 1981, në Malmo të Suedisë, erdhi ekipi i futbollit “Partizani” nga Shqipëria. Shkova në stadium me dëshirën për të takuar lojtarët, pasi disa i njihja personalisht. E dija se për ta nuk ishte e lehtë, s’ishte e vështirë ta kuptoja atë gjë. Pashë Panajot Panon, ishte i shumë i rezervuar. Para lojës, kur skuadrat po bënin nxehje, i bëra me shenjë Muç Fagut, që të njoftonte Sul Starovën, i cili pa asnjë problem, erdhi e më dha dorën. Në përfundim të ndeshjes, shkova te autobusi, ku vetëm Sul Starova erdhi sërish e më takoi, pasi me të ishim miqësi që nga Tirana. Futbollistët që ishin në autobus, hapnin e mbyllnin perdet e me salutonin fshehurazi që mos t’i shihnin drejtuesit, apo më saktë njeriu i Sigurimit të Shtetit që i shoqëronte. U kishin dhënë urdhër të më evitonin mua. Por unë as nuk ua mora për keq, aq më shumë kur pashë se pas tyre nga stadiumi, po dilte dhe po vinte drejt autobuzit, djali i Enver Hoxhës, Iliri.
Me kë tjetër ishte aty djali i Enver Hoxhës?
Djali i Enver Hoxhës ishte me gruan e tij, (Teuta), dhe Skënder Shehun, djalin e kryeministrit Mehmet Shehut. Shoqërues me ta ishte Gani Kodra, (oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, që merrej me shoqërimin e personaliteteve të larta të udhëheqjes), mik i familjes dhe i babait tim.
U takuat apo u përshëndetët me ta, me që njiheshit me Gani Kodrën?
Në ato çaste e ndjeja që po më ruanin, duke menduar se mund të reagoja, por unë as nuk e kisha në kokë një gjë të tillë. Kur po futeshin në një auto-veturë “Volvo”, Ganiu, që më njihte mirë se isha shok edhe me djalin e tij, (Gencin, ish-basketbollist me “Dinamon”), m’u afrua e më tha: “Nuk ke turp që ke ardhur këtu”.
Si u përgjigjët ju?
Unë nuk fola fare, vetëm i nënqesha pak me ironi dhe ata u larguan.
Keni pasur raste të tjera kur jeni takuar me shqiptarë që vinin aty nga Shqipëria, pra me sportistë, artistë etj.?
Pas një muaji, në Goteborg u hap Panairi i Librit. Shkova se doja të takoja shqiptarë, pasi kisha mall për të shkëmbyer edhe dy fjalë me ta. (Kush e ka provuar atë situatë që kam kaluar unë si i arratisur, më kupton mjaft mirë). Duke parë Panairin, një punonjës Sigurimi i ambasadës shqiptare, që kishte qenë edhe në stadium kur erdhi “Partizani”, sa më pa, më njohu dhe i tregon për mua me gisht një kosovari, me të cilin po shoqërohej. Sapo u afrua, ai i drejtohet një miku tim, edhe ai kosovar: “Pse shoqërohesh me një reaksionar si ky”. Dhe me ton, më drejtohet mua: “S’ke turp, ke ardhur edhe në Panair”?!
Si reaguat ju?
Unë i thashë: ndërsa ti, bashkë me djalin e Enver Hoxhës, shëtisni shtetet e Perëndimit me bileta dhe avionë falas nga shteti, ishit ju që na detyruat të merrnim malet…! Ata s’folën me dhe u larguan. Pas këtyre, kam pasur edhe raste të tjera kur jam takuar edhe me artistë të Ansamblit të Shtetit nga Tirana.
Ku dhe si i keni takuar ata?
Në Hamburg në vitin 1981, i kam takuar. Pasi e mësova se do vinte ansambli aty për shfaqje, nga Suedia shkova në një nga koncert që zhvillohej në një park lojërash me dorë. Pjesën më të madhe të tyre e njihja, pasi unë kisha punuar ca kohë në Opera si skenograf. Kujtoj që takova Panajot Kanaçin, Besim Zekthin, Gëzim Ketën, ndërsa disa të tjerë m’u shmangën. Isha me një vajzë, Madalena quhej, dhe ata më filmonin. Kur mbaroi shfaqja, hipën në autobus dhe i mbyllën perdet, i kishin këshilluar të vepronin ashtu. I ndoqa deri te hoteli ku ishin akomoduar, por u futën me shpejtësi dhe s’munda të takoja njeri tjetër.
Kur dhe si mundët të shkonit në Amerikë?
Më 1985-ën shkova dy herë nga Suedia në SHBA-ës dhe në herën e tretë, vendosa të qëndroja në New York. Aty kam punuar në një kompani dekori dhe në “Metropolitan Muzeum”. Shihja vetëm punën time dhe nuk përzihesha me njeri, pasi nuk kisha dhe shumë miqësi me njeri. Nuk kisha dokumente qëndrimi dhe shkoja e vija në Suedi. Kam mbajtur qëndrim të mirë dhe prezantohesha si shqiptar, kudo ku kam qenë.
A komunikonit dot me familjen në atë kohë që ishit në ato shtete?
Për shumë kohë nuk kam komunikuar dot dhe nuk kam pasur asnjë mundësi për ndonjë informacion se çfarë kishte ndodhur me to. Vetëm pas katër vitesh, mora përgjigjen e një letre timen, që pas një viti u’a kishin dorëzuar. Dërgoja edhe kartolina me vizatime profilin tim, (siç po i shihni) dhe i kam ruajtur të gjitha, dokumente, fotografitë e kohës, ato para dhe gjatë arratisjes.
Kur u kthyet për herë të parë në Shqipëri?
Për herë të parë në Shqipëri u ktheva në vitin 1992. Kisha 14 vite pa i parë njerëzit e mi, nuk e imagjinoni dot takimin me familje dhe mallin që më kishte zhuritur..!
A krijuat familje andej ku keni jetuar?
Jo nuk jam i martuar, ndonëse raste kam pasur, si p.sh., një të tillë në New York, për të cilën jam penduar. Nuk kam abuzuar, kam jetuar mirë, flas disa gjuhë dhe në Stokholm, (pas kthimit nga SHBA-ës), më 1993-in, kam punuar në zyrën e emigracionit. Kosovarët më kanë dashur, më kanë ndihmuar dhe kjo është një e vërtetë e madhe.
Sot pas kaq vitesh, si e gjykoni arratisjen tuaj, jeni penduar?
Janë vite jete të lëna pas. Edhe jam penduar, por kam ikur me dëshirën time dhe kthimi ishte me pasoja. Ata të ambasadës në Stokholm më dërgonin fjalë, kthehu në Shqipëri, nuk do të kesh pasoja. Por unë i kisha vënë një kusht, nëse më garantonin se do merrja një dënim minimal, të cilin ata ma refuzonin. Nuk i besoja dhe kështu nuk erdha. Sa herë pyes veten me gjykimin e sotëm, a do të arratisesha? E kam të vështirë t’i përgjigjem, sigurisht “jo”, por edhe “po”, me një diktaturë të tillë të panevojshme, primitive, siç ishte ajo e Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016