Pjesa e dytë
Memorie.al / Më 9 mars kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Atë Anton Lulit, martir e dёshmitar i Krishtit, jezuit shqiptar, (Lohe – Koplik, 17 korrik 1910 – Romë, 9 mars 1998). Dëshmitar i kalvarit të shqiptarëve gjatë regjimit komunist, më 7 nëntor 1996, në Vatikan, me rastin e kremtimet të 50-vjetorit të meshtarisë së Papa Gjon Palit II-të, jezuiti, Atë Anton Luli, e bëri të qante Gjon Karol Vojtilën, duke treguar historinë e martirizimit të klerit e të popullit shqiptar nën diktaturën komuniste, dhe historinë e vuajtjeve të tij personale për Fè e Atdhè. Aq e jashtëzakonshme ishte jeta e jezuitit shqiptar, Atë Anton Lulit, sa sivëllezërit e tij jezuitë nëpër botë, e dinin të martirizuar, (vdekur) duke mos pasur prej vitesh asnjë lajm për atë, që ishte varrosur për së gjalli ndër burgjet e kampet e përqendrimi të regjimit komunist në Shqipëri. Prandaj, kur munden ta takonin përsëri, gati–gati si të dalë nga varri, i kushtuan librin “Già dato per martire” (përkthyer shqip me titullin “Atë Lulin ne e dinim martir”) – botuar më 1996 nga Civiltà Cattolica. E ai jo vetëm që doli i gjallë nga varri ku e kishin mbyllur komunistët, por arriti të kremtonte edhe ringjalljen e Kishës – duke parë vetë fuqinё e Dorës sё Zotit. Pikërisht dëshmitë rrënqethëse të këtyre viteve u solli me vete sivëllezërve jezuitë Atë Luli, kur më në fund doli i gjallë nga varri e nisi të tregojë, që breznitë e sotme e të ardhme që të mos harrojnë atë që ndodhi, ta ruajnë lirinë si gjënë më të shtrenjtë, nëse nuk duan të rijetojnë tragjedinë e atyre që, edhe në varr, i kanë mbi eshtra shenjat e martirizimit.
Mes skllevërve në punën e detyrueshme… drejt vdekjes së përshpejtuar
Para disa kohe kam lexuar edhe librin e meshtarit italian Pader Giacomo Gardini-t (në Shkodër është thirr me emrin Pader Jaku) “Dhjetë vjet burg në Shqipni”. Ky misionar italian, përshkruan tmerrin, që kishte përjetuar e vijonte të ndodhte në kampet e punës së detyrueshme në kampet e internimit dhe burgje. Edhe ngjarjet që vëllai i tij në Krishtin, At Anton Luli S.J. rrëfen përputhen me tregimet origjinale të At Jakut, që pas dënimit dhe me insistimit e Qeverisë italiane riatdhesohet në Italy.
Të gjitha ngjarjet, që përshkruan Pader Luli, kanë ndodhur në nëntorin e vitit 1948. Pas gjyqit ai dërgohet në Beden, në fushë të Kavajës, ku ishin disa këneta për t’u tharë. Që nga mëngjesi deri në darkë punonin skllevërit e burgosur shqiptarë, për të siguruar 750 gram bukë dhe supë me disa kokrra orizi.
Martiri i gjallë Pader Luli, i mbijetuari i skëterit komunist, tregon: “Një herë, sa për të treguar një episod, po shkonim për të hapur kanale të thella. Ishte stom kanali prej 7-8 metrash. Unë isha në buzë të tij dhe nga dobësia u rrokullisa e rashë në fund të fundit. Brigadieri, që ishte një mysliman shkodran, njoftoi rojën: “Ai mund të punojë, por shtiret se nuk mundet, dhe nuk punon”. Vjen roja e më thotë: “Pse nuk punon”?
Priftërinjtë atëherë urreheshin dhe luftoheshin. Roja i thotë brigadierit: “Bjere këtu një hu, ngule në majë të stomit të kanalit, merre këtë këtu, bëje të shtrihet mbi stom me krye teposhtë e lidha këmbët për hu”. I gjithë gjaku më ra në krye, por isha kaq i lodhur e i sfilitur sa që ndjeva një farë lehtësimi, sepse munda të pushoj paksa…! Për shtatë vjet nuk kam mundur të bëj dush asnjëherë. Kur ecnim në rresht i numëronim morrat në supet e shokëve, pa folur për pleshtat e për çimkat, që na torturonin ditë e natë…”!
Mes diellit përvëlues pa asnjë hije përreth punonin të burgosur dhe Padër Luli deri në sa vinte mbrëmja. Asnjë gotë ujë e freskët nuk u ofrohej. Edhe atë pak ujë të ngrohët që ia sillnin për të pirë në vapën përvëluese ishte i ndryrë plot krimba qe notonin në fund të tasit.
Një ditë Padër Luli u nis për të shkuar në banjo, për të kryer nevojat personale. Iu afrua gropës dhe këmba i rrëshqiti e buka që mbante në duar i ra në gropë të gjirizit. Ai e mori bukën e ndryrë shkoj tek burimi dhe e lau. U nis na kapanoni dhe pa menduar shumë filloi ta hante në shtrat.
“Pas një jave, i’a tregova, kujton ai, ia tregova ngjarjen At Jak Gardinit, një jezuit friulan, që ishte i burgosur me mua në të njëjtin kamp. “A ke ndjerë shqetësime? Më tha. “Jo aspak! U përgjigja. E At Gardini shtoi: “Është një dorë e fortë që i mbron të burgosurit”!
Kur të burgosurit shkonin në punë, të gjithë duhet të vraponin dhe kush qëndronte i fundit rrihej me shkop të gardianit të burgut. Padër Luli, tregon një histori shumë të dhimbshme dhe kriminale që xhelatët komunist bënë ndaj një të burgosurit duke e varrosur të gjallë.
“Ashtu është, por pastaj e nxorën. Roja deshti ta torturonte jezuitin, At Mark Harapin, një shkrimtar i përmendur shqiptar e profesor i merituar i Shkodrës, që nuk mund të qëndronte më nga lodhja dhe pleqëria. Për këtë arsye i detyroi meshtarët e tjerë të hapnin një gropë në kënetë e ta mbulonin me baltë deri në fyt.
Priftërinjtë formonin një brigadë të posaçme nja pesëmbëdhjetë vetash. Punonin gjithmonë bashkë e i përdornin në punimet më të vështira. Salvimi kundër priftërinjve qe i tmerrshëm: donin të na shkatërronin, të na zhdukshin”.
I vetmi kujtim dhe respekt, që At Luli kishte në Beden të Kavajës, ishte një shpend ose lejleku i kampit. Një episod i lezetshëm, por edhe shumë domethënës. Lejleku i donte të burgosur dhe ata e donin atë. Shpendi i shoqëronte nga mëngjesi deri në darkë kudo që ata ishin. “E pritnim me gëzim dhe ndienim një kënaqësi të madhe, duke menduar se së paku zogjtë e ajrit kishin simpati për ne”.
Ndërsa kampi i shfarosjes së Burrelit, ishte bërë një ferr i vërtetë për të gjithë të burgosurit. Mbas 6 vjet pune në kampin e Bedenit, At Lulin e dërgojnë në burgun famëkeq të Burrelit, ku çdo ditë vdisnin të burgosur politik, për shkak të vuajtjeve dhe torturave. Komunistët për hir të nostalgjisë, që kishin për nazizmin, i hapen dyer Mant’hauzen-it ose Aushvic-in shqiptar.
“Mua më dërguan aty, vetëm për të zëvendësuar një tjetër, të cilit ia kursyen një dënim të tillë – nga dallaveret e hatërllëqet personale. Duke qenë se Tirana kërkonte 17 të burgosur për Burrel, unë qeshë i 17-ti”, rrëfen At Luli.
Mbas 7 vjetëve burg…!
Më 20 tetor të vitit 1954, At Luli lirohet nga burgu i Burrelit. Ai niset me ata pak plaçka të rreckosura në Shkodër tek Ipeshkëvi dhe i kërkoi të ushtronte shërbimin fetar, mbasi mendonte se tashmë ishte i lirë.
Por Ipeshkëvi nuk mund të vepronte me liri të plotë. Atij i duhej të merrte leje për meshtarët, që kishin dalë nga burgu në instancat e larta të qeverisë komuniste. Pas këtij formaliteti përgjigja ishte pozitive dhe kështu nga eprori ai caktohet në Shënkoll afër Lezhës. Aty ai qëndroi 15 vjet e gjashtë muaj (1954 – 1979). Meshtarit i duhej të ruhej se kurdoherë kishte provokime, njerëz të sigurimit, që e shoqëronin kudo ku shkonte dhe kryente shërbesat fetare pranë besimtarëve.
Në famullinë e Shënkollit, ai qëndroi prej vitit 1955-1966, kur Kisha ku shërbente u mbyll e u kthye në “sallë kulture”. Ishte kisha e parë që u mbyll në të gjithë Shqipërinë e menjëherë u kthye në stallë kulture. Ndërsa për të gjithë kishat e tjera, data e mbylljes ishte 19 marsi 1967, e Diela e Larit. Po në këtë vit Shqipëria u shpall zyrtarisht “shteti i parë realisht ateist në botë”.
Kleri u shpërnda…! Filloi puna e rëndë me mëditje. Të gjithë klerikët kërkonin punë për të mbijetuar. Sigurisht që ata nuk kërkonin punë në zyre apo në administratë, por punëtor krahu në bujqësi, ndërtim, hapje kanalesh. At Anton Luli, pas shumë vitesh rikthehet në vendlindjen e vet në Lohe mbi Koplik të Sipërm në Malësinë e Madhe tek i vëllau i vet, ku qëndroi 10 muaj dhe punoi në bujqësi.
Gjithnjë ishte nën mbikëqyrje të Sigurimit, që kishte shpërndarë afijet e veta edhe në kooperativë. Pritej nga frati një gabim i vogël për t’i rivënë sërish prangat. Edhe familja e vëllai e ndjente persekutimin në të gjitha format, që e ushtronte regjimi komunist. Farefisi i tij gjithnjë është përkujdesur për At Anton Lulin, duke i bërë vizita gjatë kohës që vuante dënimin me burg, në kampet e përqendrimit. Për të mos rënduar edhe më shumë vëllain, ai largohet nga malësia dhe niset për Shkodër, ku kërkon punë.
Për 12 vjet punoj si punëtorë krahu në bujqësi, gjithmonë me kazëm e lopatë midis baltës e moçalit. “Më kujtohet se një herë, në ditët e para, ndërsa po mblidhja misër, u zhyta në baltë me gjithë çizme e nuk mund të dilja, mbasi nuk e njihja vendin. Po humbja përherë e më tepër. Thirra shokët e punës dhe erdhën e më nxorën. Puna ishte e rëndë, por më përkrahnin brigadierët, të cilët, më respektonin, si meshtar. Por nuk mund të bënin shumë, pasi gjithmonë i kishin frikë spiunët”.
Burgimi i dytë (1979 – 1989)
At Anton Luli S.J., po priste marrjen e të ashtuquajturit pension, për 11 vjet punë skllavi mes diellit e shiut, breshëritë e borës, acarit dhe streseve të përndjekjeve, në Ndërmarrjen Bujqësore Shtetërore. Midis fushës ndër orizore, erdhi makina ushtarake dhe i afrohet punëtorit dhe një nga policët i thotë “Hyr në makinë…! Në emër të popullit je i arrestuar”! Ishte data 30 prill 1979, kur ai dërgohet në burgun e Sigurimit në Shkodër, ku e kontrolluan fije për pe.
At Luli, kallëzon: “Mora vesh se në burgun e Sigurimit në Shkodër gjendej prej katër vjetësh Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba. I gjithë qyteti kujtonte se kishte vdekur. Njeri që rrinte në qeli me mua më tha: “Imzot Çoba është këtu e po ta dëftoj unë”. Mund të shihej nga një plasë e vogël e derës. Por ma përshkroi në mënyrë kaq tronditëse sa që unë nuk desha ta shihja. Ishte shndërruar, zvogëluar, zverdhur, gungaç, nuk njihej më.
Kaloi katër vjet në burgun e tmerrshëm të Sigurimit e kush e di sa ka vuajtur! Pastaj e dërguan në spitalin e Tiranës, në një repart të caktuar për të burgosur, dhe aty vdiq më 1980…”! Padër Luli ishte në pritje të procesit. Hetuesit i bënin të njëjtat pyetje, por edhe ai jepte të njëjtat përgjigje mohuese për gjithçka. Pas 9 muaj në burgun e Sigurimit në Shkodër erdhi radha e procesit.
Atij i dolën dëshmitarë 10 vetë. Të gjithë ishin të rinj, që kishin punuar për disa kohë në ndërmarrjen shtetërore bujqësore. Ata përdoren një tekst të njëjtë të gjithë: “Ka bërë propagandë kundër qeverisë! Ka bërë sabotim ekonomik! Ka shkelur bukën e popullit! Ka dëmtuar shumë qeverinë”! Prokurori në Gjyqin e Shkodrës më 6 nëntor 1979, kërkoi në pretencë pushkatim për At Anton Lulin S.J.. Mbas dy ditësh, dënimi iu kthye me 25 vjet burg, që ishte i barabartë me burgim të përjetshëm.
Asokohe meshtari ishte 70 vjeç. Sërish punë të detyrueshme skllavi, në kampin e Ballshit (Fier). Aty qëndroi për 4 vjet, ku vuanin dënimin edhe 15 meshtarë të tjerë. Kampi kishte 1.600 të burgosur politikë. Një kapanon kishte deri në 200 vetë, që flinin mbi dërrasa në dyshek kashte. Kishte spiunë, që e bënin këtë për të pasur lehtësira në burg dhe ai që paditej ridënohej edhe 10 vjet të tjera.
Rruzaren për shumë vjet e ka thënë me gishta, mbasi nuk kishte mundësi të bënte as kryq. Ai transferohet në kampin e Shënkollit, në vendin ku përpara kishte qenë famullitar. Aty qëndroi për 4 muaj, ku mori dhe ftohje (pneomuni) në të dyja anët. Një doktor zemërmirë e ndihmoi.
Nga veriu në jug.
Filloi transferimi në Sarandë, në katundin e emëruar nga komunistët, si Përparimi, por që emri i tij i vërtetë ishte Shën Bazili. Aty qëndroi 2 vjet. Vitet kalojnë…!
Mesha e parë në popull pas lirimit, më 15 prill 1989
Në liri, në mënyrë që të mos e shohin hafijet e Sigurimit, Padër Luli, sikurse edhe meshtarë të tjerë, janë munduar të bëjnë ndonjë pagëzim shpejt e shpejt dhe fshehurazi. Ai u rikthye të jetojë afër vëllait të vet në Bushat. Bënte pagëzim fëmijësh dhe thoshte meshë në dhomë pa e marrë vesh të tjerët. Kjo gjë vijoi deri sa rikthehet liria e besimit në Shqipëri.
E dita erdhi. Mbas 24 vjetëve, më 4 nëntor 1990, Dom Simon Jubani në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër tha meshën e parë, në prani të një numri të madh besimtarësh katolikë e myslimanë. Padër Anton Luli S.J. e thotë meshën e parë në popull më 25 nëntor 1990. Që nga ajo ditë ai thotë meshë në Kishën e Bushatit, që komunizmi e kishte kthyer në sallë kinemaje.
Gradualisht jezuiti martir, po i rikthehet shërbimit meshtarak. Ai rikthehet në famullinë e Shënkollit, e cila, së bashku me pronat ose tokat përreth ishte zaptuar nga të ardhur nga zonat malore me miratim të qeverisë komuniste asokohe. Ata nuk donin ta lironin pronat e Kishës, që ua kishe dhuruar regjimi komunist. Padër Luli, kujton: “Për këtë arsye nuk donin të lironin kishën, sepse thonin: Atëherë na shkon huq çdo gjë, që kemi bërë për kulturën dhe luftën kundër fesë”.
Kështu ata kanë qëndruar deri në fund, duke u kërcënuar. “Do ta mbysim priftin, në qoftë se vjen…! Pastaj do të shkojmë ditën ose natën e do ta rrëzojmë kambanën”! Këto mbrapshti mund t’i bënin me të vërtetë, mbasi atëherë tregohej pak kujdes për rendin publik…”! Tashmë At Anton Luli S.J., mbas shumë viteve burgu, mundimeve, vuajtjeve, salvimeve dhe keqtrajtimeve të panumërta, rikthehet në Shoqërinë Jezus në Tiranë i emëruar nga Provinciali i tij në Itali, At Pjetër Maione S.J. /Memorie.al
(Marrë nga Vatican News)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016