Nga Astrit Jegeni
Pjesa e tretë
Memorie.al / Ahmet Jegeni, funksionar i lartë i regjimit Enverist, ka pasur funksione të shumta partie e pushteti, në atë sistem politik, midis të tjerave ka qenë drejtor i portit të Durrësit për shumë vite. Më vonë fillon punë në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme dhe emërohet Sekretar i Organizatës të Partisë i kësaj Ministrie, derisa arrestohet me akuzën për “veprimtari armiqësore” me të ashtë-quajturin grupi i Kiço Ngjelës me shokë, akuzë që nuk e pranon, për pothuajse një vit. Dhuna e ushtruar në hetuesinë komuniste e thyen dhe ai shkruan këtë promemorje, duke pranuar bashkëpunimin me akuzën, që në fillim nuk e pranoi. Në kushte ekstreme fizike e psikologjike vetjake, përshkruan me shkrim veten, bashkëpunëtorët, familjarët e tij sipas dëshirës e mendësisë morale politike komuniste.
Në memorien time në fëmijëri, kam të ngulitur një burrë me shtat mesatar, pak i bëshëm, i veshur mirë me rroba të blera jashtë Shqipërisë, dinjitoz. Në rrugë, dhe kur i binte të takoheshin me babain tim, e përshëndeste me kokë, por gjithmonë me distancën e ftohtësinë e duhur, që rridhte nga fakti që i përkisnin dy shtresave të ndryshme politike e, pozicione shoqërore të kundërta. Ata ishin gati moshatarë, ishin kushërinj, kishin qenë bashkë në çetën partizane të Dibrës së Madhe, me komandant Haxhi Lleshin.
Im atë më ka treguar momente nga dorëzimi i ushtrisë italiane pas kapitullimit të Italisë, dhe ishte Ahmeti, që hipi në një “Caro-armato”, një automobil i forcuar me llamarina të trasha e, shkoi vetë në kazermat italiane të Dibrës së Madhe, për të negociuar me komandën italiane aty. Im atë e luti e i kërkoi që të mos shkonte, se italianët do ta vrisnin, por ai nuk u frikësua. Pas disa orësh, italianët pranuan marrëveshjen me Ahmetin, ata me armët personale e ushqimet ditore, ua liruan kazermat e tyre partizanëve dhe u drejtuan drejt Peshkopisë.
Në muhabetet e pafund të fisit tim, Ahmeti trajtohej me kujdes, falë faktit se ishte një funksionar i lartë komunist, besoj se ishte Jegeni, që kishte postin më të lartë në regjimin komunist, shumica absolute e Jegenëve, ishin antikomunistë. Një tjetër Jegen me bindje komuniste dhe që kishte funksione të larta partie e shtetërore, ishte dhe djali i xhaxhait tim, Eqerem Begut, Besnik Jegeni, por ky kishte funksione në Maqedoni dhe realisht dinim pak, ose aspak, për peshën reale shoqërore të tij.
Gjithsesi Ahmeti shihej me simpati, si njeri që dinte të mbante një qëndrim të arsyeshëm respekti ndaj fisit të tij, që në përgjithësi etiketoheshin “reaksionarë”, nga propaganda e mendësia komuniste. Vetëm në raste vdekje, Ahmeti dukej për vizitën e rastit dhe këto shumë të rralla. Kemi qenë në internim politik, kur na erdhi lajmi që e kanë arrestuar Ahmetin, im atë shprehu keqardhje, por vetëm kaq. S’e zuri në gojë, as për mirë e as për keq.
Ma vonë, kur u kthyem nga internimi, me Pranverën, motrën e Ahmetit, që ishte në Tiranë, kemi bërë biseda të pafund e të gjata për Ahmetin e, marrëdhëniet e tij me familjen, për nanën e tij që jetonte me Pranverën, e jo me djalin, gruan e tij nga fisi i Strazimirëve, Dhurata, motrën, vëllain, që jetonin jashtë Shqipërisë, fisin e afërt, dhe këndvështrim im për Ahmetin, ndryshoi.
Kam në memorie Mitrushin, kunatin e tij, “Hundëleshin”, kështu i thërrisja sepse kishte lesh në hundë, një mashkull simpatik, i kulturuar, mjaft argëtues e shumë modern për kohën, kur na vinte në shtëpi, krijonte një atmosferë të këndshme. Ishte kënaqësi ta dëgjoje atë burrë. Fatkeqësisht, raportet e Ahmetit me gruan, nanën e motrën e tij, ishin, sipas këndvështrimit të Pranverës, të pakëndshme e problematike. Gjithsesi të njohur e të panjohur të ndryshëm që takoja, kur më pyesnin për mbiemrin, pyetja e parë pasuese, ishte; ç’lidhje ke me Ahmetin?
Ata të gjithë flisnin mirë për të. Kur më ra në dorë kjo promemoria dhe e lexova, u shtanga, nuk më pëlqeu e u zhgënjeva nga personaliteti i Ahmetit, i përçudnuar. Ylli Selenica, një mik i mirë i imi, që ka qenë i burgosur politik, më pati thënë, kur qe gjallë, të mos i gjykoj njerëzit nga të dhënat e hetuesisë komuniste, sepse ka qenë një organ drejtësie shumë e dhunshme dhe pak njerëz mund ta përballonin, ishin të detyruar të pranonin çdo gjë që ju imponohej, mjafton që torturat të ndalonin. Gjithsesi kam hezituar shumë, ta bëja publike promemorien.
Moralisht figurën e Ahmetit, nuk e pëlqeja. Sebep për të ndërruar mendje, u bë një person që e njihte Ahmetin. Në një debat me mua fliste me superlativa për figurën e Ahmet Jegenit, duke e çuar në kufijtë e himnizimit. I nervozuar dhe i lodhur nga mungesa e sensit të realitetit për figurat njerëzore që kanë njerëzit në subkoishencën e tyre, vendosa ta botoj këtë promemorie. Kjo që po botoj, është një pjesë e vogël e kësaj promemorie e, ndoshta ma e “fismja” nga e gjithë promemoria, që për mua është tejet e pahijshme, gati në kufijtë e turpit.
Promemoria e Ahmet Jegenit, e bërë në hetuesinë Enveriste, në formën e dorëshkrimit, përbëhet nga 184 faqe, është shkruar në kushtet e diktatit të dhunshëm fizik e psikologjik në hetuesi. Është shkruar në letër A-4, të cilësisë së dobët, prodhim vendor, i shkruar me laps të zi, në të dyja krahët e letrës, shumica e dorëshkrimit është me laps rreth 80%, pjesa tjetër me stilolaps blu dhe të kuq, një shkrim dore relativisht i imët, por qartësisht i lexueshëm dhe pa gabime ortografike.
Gjatë hetuesisë një pjesë e këtij materiali, rreth 10-15%, është daktilografuar nga nëpunësit e Hetuesisë dhe i është dhënë për ta lexuar Ahmet Jegenit, i cili në disa vende, ka ndërhyrë me shkrimin e tij, për ta qartësuar fjalinë dhe për ma tepër me vetë-dëshirën, për ta rënduar më shumë veten e tij para ligjit. Tregues i dorëzimit psikologjik e fizik, ndaj dhunës që i është bërë gjatë hetuesisë. Gjatë daktilografimit të tij, disa fjalë janë përshtatur nga gegnishtja e Dibrës së Madhe. në gjuhën letrare, por pa ndryshuar kuptimin e fjalisë. Disa shprehje dhe fjalë nuk janë transkriptuar saktë, por nuk e kanë deformuar logjikën e fjalisë. Duhet theksuar se për shumë kohë, rreth një vit, Ahmet Jegeni nuk pranonte asnjë nga akuzat e hetuesve, por mbas shumë muajsh dhunë fizike e psikologjike, Ahmeti dorëzohet e, pranon akuzën.
“Për veprimtari armiqësore” dhe fillon të shkruaj kujtimet e tija vetë-denoncuese, të cilat unë besoj se janë shkruar jo se ndjehej i penduar për veprimtarinë e tij politike e shtetërore, por i dorëzuar totalisht nga presioni i madh fizik e psikologjikisht, ka shpresuar se do dalë gjallë nga ferri i hetuesisë komuniste. Mund të vepronte ndryshe, por nuk ka vepruar. Realisht shumica e të burgosurve politikë nga regjimi komunist, nuk e kanë përballuar dhunën fizike e psikologjike dhe janë dorëzuar e kanë firmosur çfarë ka dashur hetuesia komuniste.
Dorëshkrimi i shkruar me dorë, mban datën 4.10.1976 dhe është i firmosur nga ai, ndërsa material i transkriptuar me makinë shkrimi, ka të njëjtën datë, por nuk është i firmosur. Duhet të vemë në dukje se, ka mospërputhshmëri në kohë midis datës së arrestimit dhe datës kur Ahmeti filloi të shkruajë këto dorëshkrime. Ahmet Jegeni vdiq në hetuesi. Sipas dokumentacionit mjekësor, vdekja ju krijua nga një atak në zemër. Jam i prirur të besoj, se vdekja i ka ardhur nga kushtet e papërballueshme jetësore të hetuesisë dhe dhuna fizike e psikike. Çështja e tij, nuk kaloi në gjyq. Ligjërisht Ahmet Jegeni, cilësohet i padënuar.
Ne po i japim për t’u lexuar, siç janë shkruar në origjinalin e daktilografuar, duke e ballafaquar në çdo rresht apo, emra të përveçëm me origjinalin me shkrim dore. Promemoria për mua, është interesante, se përveç karakterit të përgjithshëm historik që informohemi, në këtë promemorie interesante, është informacioni që marrim nga raportet tregtare shumë të mira, të Shqipërisë me Jugosllavinë. Jugosllavia në këtë kohë, ishte partnerja e dytë mbas Kinës, në volumin tregtar të Shqipërisë, duhet theksuar se kriza politike e ekonomike Shqiptaro-Kineze, kishte filluar të jepte efektet e saj në ekonominë e vendit, ironike është fakti, që kemi një raport të zhdrejtë me propagandën armiqësore Enveriste për Titizmin dhe marrëdhëniet shumë të mira tregtare, me Jugosllavinë.
Dorëshkrimi i të pandehurit Ahmet Jegeni
Duket që Kiço Ngjela e ka ditur çështjen e vëllait, prandaj e ka bërë dhe atë provokim, ndoshta po të ishte zgjatur biseda, do ta kishte nxjerrë se çfarë desh të thoshte dhe ku desh të arrinte, do kishte qenë mirë, të ishte zgjatur biseda. Po kështu bisedat e Kiço Ngjelës me delegacionin jugosllav dhe shprehjet e tija për rritjen e tregtisë, për ngritjen e rangut të delegacionit, gjithashtu më kanë nxitur që të shtohet tregtia me Jugosllavinë.
Po kështu drejtorët e Ndërmarrjes së Tregtisë të Jashtme, duke filluar nga fundi i vitit 1972, kanë qenë më të predispozuar për tregtinë me Jugosllavinë, ardhjet e specialistëve jugosllav këtu dhe vajtjet e tonëve atje, drekat e darkat që shtroheshin i afruan mjaft ata, me kujtohet rasti i drekës me specialistët jugosllavë, të dhënë nga ndërmarrja Tregtisë së Jashtme, sipas dëshirës së Vasil Katit, në 1974, ku Andrea Manço ishte ulur afër Sokol Nimanit, ndërsa Sami Muhameti, përball këtij të fundi dhe ngriheshin dolli midis tyre, duke i nxitur edhe të tjerët, sikur të ishte një festë familjare dhe jo një drekë zyrtare me të huaj.
Reshat Sinemati arriti të shkonte për dreka e darka, deri me shoferët jugosllavë, aq i miqësuar ishte me jugosllavët. Atëhere kjo atmosferë ka ndikuar tek mua, që të rritet tregtia me Jugosllavinë.
Në vitin 1973, sidomos 1974, ardhjet e vajtjet e kosovarëve, dibranëve, ekipeve dhe grupeve artistike, delegacionet e universitetit e tjerë, gjithashtu kanë influencuar tek mua, që të jem me dorë lëshuar në pranimin e specialistëve jugosllavë. Unë kam kujtuar se në këtë periudhë, sikur ka patur një zbutje të marrëdhënieve shtetërore, sigurisht konjukturale, prandaj nuk kam hezituar për rritjen e marrëdhënieve tregtare.
Një faktor tjetër ndikues me rëndësi, për qëndrimin tim liberal ndaj marrëdhënieve tregtare me Jugosllavinë, ka qenë edhe qëndrimi personelit të ambasadës jugosllave ndaj meje. Ay ka qenë me respekt, i ngrohtë. Kështu ambasadori, të cilin e kam takuar në disa pritje, si tek ai dhe në ato të të tjerëve, vazhdimisht më ka ardhur dhe më ka përshëndetur, është interesuar si shkojnë punët, çfarë pengesa nxjerrin firmat jugosllave, mbasi ai ka porosi direkt nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ai i Tregtisë Jashtme Jugosllave (bile edhe këta me porosi më lartë), që të informoj Beogradin, për pengesat edhe më të vogla që mund të pengonin zhvillimin e tregtisë, midis dy vendeve.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Këshilltari i ambasadës, Koncatina, si dhe këshilltari ekonomik, Teafil Radoeshki. Ky i fundit, kur u takuam herën e parë në vitin 1974, më tha se më kishte parë në disa pritje të huaja dhe i isha dukur si fytyrë e njohur, ishte interesuar dhe i kishin thënë se isha nga Dibra.
Një herë tjetër më tha; edhe unë nga Dibra jam, më tha, më tregonte se si i ati, kishte qenë shajak-punues në Dibër dhe në Maqellarë, ai vetë kishte shkuar mirë dhe kishte shoqëri me dibranët (shqiptarët) dhe më përmendi emrat e Xhafër Kodrës, Azmi Muçës, Jashar Hamës, Lutfi Rusit, Met Kërliut, të gjithë këta të njohur prej meje dhe për të cilët fola në fillim, se kam punuar me ta në vitin 1941 në Dibër, i kam takuar në shtator 1943, po në Dibër (kur u çlirue) si dhe në 1945, gjithashtu në Dibër.
Sigurisht duke përmendur këta emra, ky desh të më tregonte mua se edhe ne të dy duhet të bisedojmë e të zgjidhim problemet, ndoshta ai ka patur ndonjë qëllim, duke i përmendur ata, mbasi pjesa dërmuese e tyre, kanë qenë me Titon, por asnjëherë nuk e ka bërë këtë, por sigurisht e sidoqoftë e ka bërë për “presion moral ndaj meje”. Në fakt, unë i kam zgjidhur problemet tregtare që ai me ka ngritur, gjithashtu edhe ai është përpjekur që t’i zgjidhi.
Më ka thënë ai se për problemet tregtare me Shqipërinë, interesohet vetë udhëheqja jugosllave dhe më përmendi faktin se firmat jugosllave, kanë vuajtur për mjete financiare dhe nuk ishin në gjendje të likuidonin detyrimet ndaj Shqipërisë (ose të çelnin kredi), u dha urdhër i prerë që kjo gjendje të zgjidhet dhe në fakt, u zgjidhën në vija të përgjithshme.
Kur u arrestua tek ne një shofer dibran, për çështje kontrabande, ka kërkuar tek mua që të ndërhynim ne të Tregtisë Jashtme e, të lirohej (më tha se është edhe dibran), unë i thashë se çdo shtet duhet respektuar dhe ne nuk mund të bëjmë gjë. Unë kam qenë dakord me ata të ambasadës edhe ata kur të kenë probleme të na drejtohen se do t’i zgjidhim.
Po kështu, unë kam rënë nën ndikimit e delegacionit jugosllav, kur në vitin 1974, mbyllëm protokollin e vitit 1975. I kam pranuar kërkesat e tyre për krom dhe artikuj të tjerë, po kështu edhe rritja e limitit të kredisë bankare operative brenda vitit, nga 800 mijë, në 2 milion dollar, është ndikim i tyre. Mbi qëndrimin tim ndaj Jugosllavisë, ka ndikuar edhe vajtja e jeme atje. Unë kam qenë disa herë në 1947, qershor 1948, në shtator 1949, prill 1950, si dhe në maj 1973, po kështu kam qëndruar nga një natë transit për Tiranë, 3 herë.
Më ka bërë përshtypje diferenca e madhe nga viti 1950, lëvizje e theksuar njerëzish dhe veturash, tregu plot, por çmimet herë pas here në rritje, jetë mondanë që nuk ndryshonte aq nga ajo e Perëndimit, kisha dëgjuar nga vizitorë të ardhur në Shqipëri, që flisnin për njerëz që unë i njihja në Dibër, që kishin makina dhe shkonin për pushime edhe në vende të huaja.
Kur vinin këta vizitorë, binin mjaft plaçka për të afërmit e tyre. Gjitha këto gjithashtu ma kanë lënë përshtypje dhe kanë influencuar në mendimin tim, se ne mund të gjejmë mjaft mallra në Jugosllavi, mbasi ajo është e zhvilluar (e kisha të qartë se kjo bëhej si rezultat i politikës që ndiqej, duke i shtrirë dorën kujtdo) por efekti psikologjik krijohet kështu, që ai ndikon dhe vepron, pra edhe kjo ka influencuar mbi mua.
Të gjitha këto kanë bërë që çështjen e tregtisë me Jugosllavinë, unë ta shoh jo ashtu siç porosit Partia, d.m.th., të shihet në radhë të parë politikisht, kam parë vetëm nga ana ekonomike, sigurisht të mallrave dhe në këtë mënyrë unë kam dëmtuar politikën e Partisë dhe si rrjedhim, indirekt kam ndihmuar që të arrihet qëllimi jugosllav.
D.m.th., që Jugosllavia dalëngadalë, të zërë vendin e dytë në tregtinë me Shqipërinë (pas Kinës), që t’i jepet mundësi propagandës titiste, që si për efekte të brendshme (sidomos për shqiptarët): ashtu edhe ndërkombëtare, se Shqipëria ja ka nevojën Jugosllavisë, bile i jep edhe kredi të përkohshme, mbasi siç dihet saldot bankare në fund të çdo viti, kanë qenë pasive për ne dhe aktive për Jugosllavinë.
Ky është një qëndrim i dëmshëm, mbase qëllimi titist final, është nënshtrimi i vendit tonë, ai ishte edhe në vitin 1948. Prandaj ky qëndrim i jem nënshtrimi ndaj jugosllavëve, është një faj mjaft i rëndë, unë dhe tani e kuptoj se sa dëm i kam sjellur Partisë dhe shtetit, jam thellësisht i penduar për të dhe çdo dënim që do të merret ndaj meje, është krejtësisht i justifikueshëm.
Bëri mirë Partia që e zbuloi këtë veprimtari, mbasi po të lihej kështu, ku do të arrihej: Sigurisht marrëveshja e re 5 vjeçare, do të shpinte edhe më tej rritjen e tregtisë dhe pra ekonomia e jonë, do të varej në një pjesë të mirë nga titizmi, me të gjitha konsekuencat për këtë, se sigurisht është e qartë se përveç meje, përgjegjës për këtë janë edhe Kiço Ngjela, Vasil Kati, Janko Nishku, drejtorët e Ndërmarrjeve Tregtisë së Jashtme, ambasada e jonë në Beograd.
Kiço Ngjela ka thënë në hetuesi, se për rritjen e tregtisë me Jugosllavinë, i është nënshtruar presionit të aparatit, me në krye Ahmet Jegenin. Ky është një deponim sa i rremë, aq dhe tendencioz, me qëllim që të pakësohet përgjegjësia e tij. Asnjëherë Kiço Ngjela, nuk ka bërë vërejtje për listat me Jugosllavinë (unë flas gjatë kohës që unë kisha përgjegjësinë e Jugosllavisë), bile ai me dorë të tij, ka shtuar mallra, si; sheqer, vaj, për të cilët qeveria kishte akorduar valutë të lirë), kamionë, pjesë këmbimi, etj.
Për të mos përmendur këtu rastet e herëpashershme, që për mallra urgjente, urdhëronte vetë drejtorët e ndërmarrjeve (se kjo ishte praktik pune e tij, duke e spostuar aparatin e Ministrisë), që t’i blinin në Jugosllavi, bile Vasil Kati urdhëronte, të nisej edhe makina, t’i merrte ato. Kiço Ngjela, u fliste jugosllavëve për rritjen e tregtisë dhe për ngritjen e rangut të marrëveshjes.
Në Ministri, Vasil Kati i ka thënë Zv/Ministrit të Tregtisë Jashtme Jugosllave, Glishiç, në 1974, se si paraqitet prodhimi i misrit në Jugosllavi. Ay u përgjigj; sivjet është i mirë, por akoma s’kemi për eksport.
Më vonë mësova që Kiço Ngjela e Vasili, kishin biseduar që neve Kina, nuk na jep tërë sasinë e bereqetit të kërkuar, t’ua kërkoni Jugosllavëve, pra kjo ishte një përgatitje. Sigurisht kjo nuk më takon mua të bëjë konkluzionet e kësaj çështje, por mendoja të ishte në rregull “koka” në Ministri (Kiço Ngjela), edhe nëse do të kishte patur tentative, ose veprime armiqësore nga të tjerët, ky me vijën e Partisë, do t’u kishte treguar vendin secilit.
Në hetuesi kam mësuar se tani, saldoja me Jugosllavinë është aktive për ne, unë gëzohem për këtë, sepse u thyhet hunda titistëve, kjo tregon gjithashtu se kur zbatohet vija e Partisë, s’ka gjë që nuk bëhet dhe ekonomia e jonë po forcohet dita ditës dhe jo ashtu siç thuhej më parë, se po të ulen importet për bilancin, pra edhe nga Jugosllavija (për të ulur saldon), do vuaj prodhimi, etj.
Prandaj ndershmërisht duhet pranuar se në këtë drejtim, kemi sabotuar me ndërgjegje vijën e Partisë, dëmtuar vendi dhe duhet të japim llogari. Siç kam thënë më parë, unë kam një vëlla në Jugosllavi, (Petrit Jegeni), i cili është rreth 9-10 vjeç më i vogël nga mua.
Gjatë Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Dibër, ka qenë i organizuar si pionier dhe gjatë luftës në qytetin e Dibrës (fund tetor – 17 nëntor 1943), organizata e pionierit ka dhënë një kontribut të vlefshëm, në ndihmë të partizanëve. Pasi hyri gjermani në Dibër, (17 Nëntor 1943), e deri në çlirimin e saj (1 Shtator 1944) familja e jeme ka jetuar në një fshat (Dabashisht), mbasi kishte frikë nga reprezaljet gjermane, me që unë dhe motra e ime ishim në radhët partizane…! Memorie.al
Marrë nga radiandradi.com