Nga Dr. Gjon Boriçi
Pjesa e tretë
Memorie.al / Debati i madh që është zhvilluar përgjatë dy shekujve të fundit pas lindjes së teorisë marksiste dhe Krishtërimit, padyshim që do të linte gjurmët e veta në përplasje të ashpër politike, ndër vendet ku ideali komunist i frymëzuar nga mësimet e Marksit, do të persekutonte shoqëritë e vendeve me sistem një partiak komunist. Në Evropën e shekullit të XIX – të, pas përfundimit të Kongresit të Vjenës dhe të vendosjes së sistemit të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare që i dha fund luftërave të Revolucionit Francez, në kontinentin e vjetër filluan të lulëzonin një larmi idesh radikale, republikane dhe socialiste. Vitet 1830-1840, ishin vite të frymëzimeve politike dhe ambicioze, duke patur si shembull Frederikun e Madh, idetë jakobine, mendimet e Kantit dhe Fihtes dhe inovacionin e epokës së re. Mendimi politik i Marksit u formësua pikërisht në këtë epokë. Trashëgimia racionale ishte veçanërisht e rëndësishme, për të ndarë identitetin nga ajo çka u bë e njohur në vitet 1830-1840, me emrin ‘socializëm’.
Për shkrimtarët katolikë çështja nuk ishte kaq e thjeshtë për t’i nxjerrë jashtë. Edhe pse ishin mbështetur nga Roma (Propaganda Fide) dhe mbas shekullit XVII-të nga Austria, vepra letrare që ata krijonin ishte një gjë që i shërbente çështjes shqiptare. Që këtej e tutje fraza “letrarët katolikë” do të zëvendësohej me frazën “shkolla e klerikëve katolikë të Shkodrës”, armike zyrtare e letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri.
Tek kjo konferencë, figura qendrore e Klerit Katolik në letërsi që duhej goditur dhe anatemuar, ishte ajo e Gjergj Fishtës. Nga Komiteti Qendror i PKSH-së, jepen udhëzime se kushdo që do të referonte për Fishtën, edhe pse para vitit 1924 i njihej ndonjë meritë, ajo nuk duhej shtruar në referatin që do mbahej në konferencë. Formulimi që duhej të merrej për bazë për sa i përket veprës së Fishtës, ishte si më poshtë:
“Pavarësisht nga çka mund të ketë merituar Fishta, gjë që do të shihet nga kritika e ardhshme, ai vuri kapacitetin dhe talentin e tij në shërbim të lodrave imperialiste në vendin tonë. Ai, luftën e popullit shqiptar që duhej të drejtohej kundër Turqisë, kryesisht e devijon kundër fqinjëve; shovinizmi i tij tek ‘Lahuta e Malësisë’, ka arritur në kanibalizëm, duke falsifikuar edhe ndjenjat e popullit tonë”.
Shkolla e Klerit Katolik në Shkodër, ishte e padiskutueshme në ndikimin kulturor të vendit edhe nëpërmjet dy revistave “Hylli i Dritës” dhe “Leka”. Por, vepra që do të anatemohej e ndalohej deri në fund të jetës së regjimit komunist në Shqipëri, ishte padyshim “Lahuta e Malësisë”. Regjimi komunist e quajti një vepër shoviniste që drejtohej kundër fqinjëve të Shqipërisë. Sipas nomenklaturës komuniste, “Lahuta”, nuk qëndroi vetëm në shovinizëm, por e çoi shovinizmin në një urrejtje të vërtetë raciale, karakteristike të fashizmit dhe të imperializmit.
Sipas komunistëve shqiptarë, shkolla katolike e Shkodrës kishte bërë edhe një dëm tjetër shumë të madh në pengimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, duke bërë të mundur triumfin e gegërishtes apo të shkodranishtes. Me këtë akt, fillon nga komunistët shqiptarë, edhe përçarja krahinore ndërmjet shqiptarëve.
Përpjekjet e Sigurimit të shtetit për të përpunuar klerin katolik
Sigurimi i Shtetit si organi që kishte goditur më shumë dhe më fort Klerin Katolik shqiptar, bënte të gjitha përpjekjet për ta shkatërruar “armikun nr. 1 të popullit”. Nëse nuk ia dilte mbanë, atëherë të bënte të gjitha përpjekjet që ta përpunonte dhe ta kishte tërësisht vegël në duart e veta. Përveç viteve të para të vështira të gjysmës së dytë të viteve ’40-të, në vitin 1950, nën një trysni shumë të madhe klerikët katolikë shqiptarë, ata që ishin ende gjallë, bënë një veprim të paprecedent.
Më 5 tetor 1950, sipas njoftimit të Zenel Islamit nga Komiteti i Partisë i rrethit të Pukës, tre klerikë katolikë, Dom Engjëll Kovaçi, Padër Leonard Shajaku dhe Dom Jak Gazulli, i kishin dërguar një letër Kryetarit të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork (New York), kundër agresionit anglo-amerikan në Kore. Letra e tre klerikëve katolikë të Pukës, u shoqërua nga tre letra të tjera, kësaj radhe nga Shkodra, të Klerit Katolik në atë qytet, siç njofton Tonin Jakova më 25 nëntor 1950.
Por në dallim nga klerikët e Pukës, katër klerikë katolikë; At David Pepa, At Konrad Gjolaj, Dom Nikoll Bushati dhe Dom Pjetër Tusha, nuk e kishin firmosur letrën për Këshillin e Sigurimit ndaj luftës në Kore. Veçanërisht ndaj Dom Pjetër Tushës, për shkak të refuzimit të tij, rekomandohej që të demaskohej në shtyp. Ndërkaq pjesa tjetër e Klerit Katolik shkodran, duke filluar me Ipeshkvin Bernardin Shllaku, i ndjekur nga firmat e 22 klerikëve të tjerë, e kishin firmosur peticionin.
Interesant është fakti, se letra/peticioni, ishte i njëllojtë si ajo e tetorit që e kishin firmosur klerikët e Pukës. Nuk kishte asnjë fije dyshimi, se kjo letër ishte përgatitur ose në Komitetin e Partisë ose, në zyrat e Degës së Punëve të Brendshme. E njëjta letër po kësaj radhe pa datë, ishte nënshkruar edhe nga klerikët katolikë të Tiranës, Dom Mark Dushi, Dom Zef Bici etj. Edhe Abacia Katolike e Mirditës, kishte vepruar po njëlloj, po ashtu edhe ajo e Zadrimës, Lezhës dhe e Durrësit.
Në një raport të vitit 1951, theksohej se “puna e aktivistëve të partisë, krahasuar me punën e Klerit Katolik, ishte shumë e dobët dhe se kuadrot e partisë nuk kishin arsimimin përkatës, për t’iu kundërvënë doktrinës së katolicizmit”. Vetë Enver Hoxha në këtë raport kaq pesimist, ka lënë shënimet e tij. Me shkrim dore në fletën 7 të këtij raporti, ka shkruar: “Kjo s’është mirë”.
Sigurimi i shtetit nuk mund të kishte sukses me klerin katolik pa e implikuar atë për çdo akt “tradhtie” që ndodhte në kampin e socializmit. Kështu, pa prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, Klerit Katolik i atribuohet “tradhtia” e të qënurit në shërbim të titistëve jugosllavë. Sigurimi me anë presionesh, ia kishte dalë mbanë të rekrutonte edhe katolikë në çetat ilegale të Pal Bib Mirakës, Kol Çunit dhe Zef Pjetër Marashit.
Një ish klerik katolik, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, merr përsipër “fajin” se ishte agjent i Zbulimit italian, duke pohuar gjithçka në gjyqin kundër tij. Nga hulumtimi i qindra faqeve të dokumenteve për Klerin Katolik, të bie në sy fakti se çdo prift katolik që është ekzekutuar apo burgosur dhe që nuk ka pranuar “fajet”, i vishen atribute agjenturore, “fantastiko-shkencore”.
Vetë zëvendësministri i Punëve të Brendshme “i famshmi” Mihallaq Ziçishti, me një urdhër tepër sekret, të datës 17.XI.1958, urdhëron planin e masave për vazhdimin e marrjes së masave aktive kundër Klerit Katolik. Ai prift që nuk pranonte të bashkëpunonte me organet e Sigurimit të Shtetit, fillimisht internohej.
Udhëzimet tij janë një fakt i rëndësishëm, se ku e kishte përqendruar punën Sigurimi Shtetit për të rekrutuar agjentë në radhët e kryesisë së Kishës Katolike të Shqipërisë. Xhakojtë ishin një element i mirë për t’u pranuar si agjentë nga Sigurimi, madje u premtohej edhe karrierë në sferën kishtare, nëse pranonin.
Nga statistikat që kam hulumtuar nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezulton se deri në fundin e vitit 1958, në rrethin e Shkodrës gjendeshin të lirë 42 klerikë katolikë, nga të cilët 9 ishin në përpunim 2-A, 1 në përpunim B.P., 17 në kontroll operativ 2-B dhe 15 ishin kontingjent i Sigurimit.
Po ashtu, edhe përsa i përket murgeshave katolike, numri i të cilave ishte 39, 17 ishin në kontroll operativ 2-B. Nga 132 anëtare të këshillave të kishës, prej të cilave vetëm 2 ishin në 2-A dhe 9 në kontroll operativ 2-B. Në radhët e këtij kontingjenti, vepronin 3 agjente, 22 informatorë dhe 2 strehuese që punonin për Sigurimin e Shtetit.
Me mbylljen e kishave shumë priftërinj katolik ri-arrestohen, ndërsa objektet e kultit i kthyen në terrene sportive për çlodhje e argëtim për masat punonjëse. Edhe pse pësoi goditjen e “mbrame” për çudinë e Sigurimit të Shtetit, fjala e Imzot Ernest Çobës, ishte tronditëse: “Nuk heqim dorë nga feja, deri në vdekje”.
Në vitin 1973 në Shkodër, arrestohet kleriku Mikel Gjergj Gjoni, i cili dënohet me vdekje. Ekzekutimi i tij u bë në vitin 1974. Në periudhën 1974-1975, arrestohen klerikët Ndrek Krroqi dhe Martin Tushi, me akuzën se ndiqeshin si agjentë të mundshëm në shërbim të zbulimeve të huaja. Edhe pse në gjyq sipas raportit të vetë Sigurimit nuk iu provua asgjë, u dënuan me nga 10 vjet heqje lirie, për “agjitacion e propaganda”!
Në vitin 1976, arrestohet ish-Ipeshkvi Ernest Çoba, me ish kolegët tij; Zef Hardhija, Kolec Toni, Lec Balto Sahatçia, Ndoc Ndoja e Gaspër Jubani. Arrestimi i tyre u bë sepse “dihej” që ishin armiq të betuar të atdheut dhe popullit dhe kishin bashkëpunuar me reaksionin e brendshëm dhe të jashtëm, në dëm të interesa të lirisë së popullit dhe atdheut.
Interesant është fakti se në çdo akuzë përsëritej se; Kleri Katolik gjatë të gjithë periudhave historike të vendit kishte qenë në shërbim të zbulimeve të huaja imperialiste dhe Vatikanit. Tek arrestimet e klerikëve të bie në sy fabrikimi i akuzave ku klasifikoheshin si bashkëpunëtorë edhe të “tradhtarëve” të partisë, duke filluar nga Tuk Jakova e deri tek Beqir Balluku e komplotistët e tjerë në ushtri, ekonomi, art e kulturë etj.
Në vitin 1978 në rrethin e Shkodrës, ishin në gjendje të lirë 33 klerikë, nga të cilët 29 me arsim të lartë teologjik, ndërsa 5 të tjerë, kishin kryer shkollën françeskane. Nga radhët e tyre, 7 klerikë ishin në përpunim 2-A nga ana e Sigurimit të Shtetit, prej të cilëve 4 ndiqeshin si agjentë të zbulimeve të huaja dhe 3 për veprimtari kundër revolucionare, në formën e agjitacionit dhe propagandës. 21 ishin në kontroll operativ dhe 3 prej tyre ishin kontingjent i Sigurimit.
Po ashtu Sigurimi kishte evidentuar 224 persona të tjerë që kishin lidhje me klerikët katolikë, prej të cilëve 7 i kishte në përpunime 2-A, 37 në kontroll operativ 2-B dhe 111 kontingjent i Sigurimit. Përveç shifrave të lartpërmendura, nga këto kontingjente 21 klerikë ishin arrestuar dhe vuanin dënimet në kampe e burgje.
Në radhët e përpunimeve të Klerit Katolik, Sigurimi Shtetit kishte 6 agjentë dhe 12 informatorë, prej të cilëve 3 ishin me arsim të lartë teologjik, pa përmendur sipas raportit ata bashkëpunëtorë që ishin për llogari të drejtimeve të tjera, por që jepnin të dhëna edhe për përpunimet e kontingjentet e këtij drejtimi.
Përfundime
Beteja e gjatë e sistemit komunist në Shqipëri, kundër Klerit Katolik dhe katolikëve shqiptarë në përgjithësi, përfundoi kur më 11 nëntor 1990, në qytetin e Shkodrës Dom Simon Jubani celebroi meshën e parë pas 23 vjetësh në Shqipëri. Informacionet që vinin nga Shkodra mbi hapjen si kërpudhat pas shiut të kulteve fetare, ishin fakti më domethënës për dështimin e regjimit komunist në luftën ndaj fesë në Shqipëri e, Klerit Katolik në veçanti.
Ishte një betejë e gjatë 45 vjeçare, që nisi në vitin 1945, për të përfunduar në vitin 1990. Vetë Enver Hoxha në fjalimin e tij para “zgjedhjeve” të vitit 1982, kishte deklaruar se besimi fetar dhe praktikimi i tij, lihej në gjykimin e secilit person. Në gjysmën e dytë të viteve ’80-të, presioni nga shtetet Perëndimore ndaj qeverisë komuniste të Shqipërisë, ishte në rritje dhe vizitat e lejuara të disa klerikëve shqiptarë që ishin arratisur nga vendi, po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta.
Vizita kulmore e një kleriku shqiptar ishte ajo e Nënë Terezës në gusht të vitit 1989. Nënë Terezën e takoi gjatë vizitës së saj edhe vetë e veja e Enver Hoxhës, Nexhmija. Në çdo raport që kam hulumtuar nga dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, lidhur me veprimtarinë “armiqësore” kundër atdheut dhe popullit të Klerit Katolik, thuajse në çdo fund të raporteve, përsëritej shprehja: “nuk kanë hequr dorë nga lufta kundër pushtetit popullor dhe diktaturës së proletariatit”.
Ishte qesharake injoranca masive e komunistëve shqiptarë! Me gjithë këto sulme fizike, psikologjike e propagandistike, përsëri ata nuk kuptonin një gjë shumë të thjeshtë. Katolicizmi është e vetmja Fe-Shtet në botë. Katolicizmi jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, nuk është thjesht një simbol, as një flamur, as një monedhë, as një person; është një sistem që jeton prej 20 shekujsh me një emblemë, Kryqin e Krishtit dhe me një autoritet në tokë të kësaj embleme, Papën e Romës.
Komunistët shqiptarë kishin marrë “flamurin” e anti fesë dhe anti katolicizmit në veçanti, pa kuptuar se po bënin thjesht një krim më shumë ndaj popullit dhe shoqërisë shqiptare. Si përfundim, është shumë kuptimplotë debati i At Zef Pllumit me vëllain e Ramiz Alisë, në javën e fundit të lirisë së besimit fetar, në vitin 1967, kur ky i fundit përpiqet t’i “shpjegojë” mos ekzistencën e Zotit:
“At Zef Pllumi: Tash po nisem nga ajo teza jote materialiste, që thotë se truri përfton idetë, duke qenë truri materie – idetë nuk mund të dalin jashtë materies, apo formave të mundshme të saj reale’. Duke u bazuar mbi këtë teori materialiste, që ti e mbron me kaq fanatizëm, unë të pyes; Zoti, që thu ti, se u krijue nga truri i njeriut, a mund të jetë një krijesë e pabazuar në realitet? A mund të krijojë mendja e njeriut nji gja që nuk ekziston? Këto po ti pves, duke u bazue në tezat e filozofisë sate”.
Vëllai i Ramiz Alisë: I poshtër! I poshtër! Unë kam dëgjuar se Kleri Katolik është shumë i poshtër, por që t’arrijë deri këtu, që të provojë ekzistencën e Zotit përmes doktrinës materialiste, këtë s’e kisha dëgjuar as menduar kurrë!.. Paskeni qenë me të vërtetë të poshtër”. / Memorie.al













