Nga Duro Mustafai
Pjesa e dytë
Memorie.al / Me Jonuz Mersinin, u takuam në vitin 2004 kur ai ishte plot 82 vjeç, ndërsa tregon shumë më pak. Me kapele republike dhe i veshur shik, ai të kujtonte zyrtarin e dikurshëm model. I kursyer në fjalë, por me kujtesë të mirë, Mersini, rrëfente historitë interesante të jetës së tij. Ish-komisari i çetës partizane “Sali Murati” të Vranishtit të rrethit të Vlorës, ai mori pjesë në shumë aksione të rëndësishme. Më pas me krijimin e Brigadës së V-të Sulmuese, Jonuz Mersini, një nga kuadrot e saj, u përfshi në të gjitha luftimet që ndërmori kjo njësi, si brenda territorit të Shqipërisë, ashtu dhe në Kosovë e Jugosllavinë e asaj kohe, deri në Bosnje-Hercegovinë. Bëmat e tij nuk i ndali as plumbi edhe pse ai e mori dy herë në beteja me pushtuesit. Një karrierë e gjatë në strukturat e shërbimit të fshehtë shqiptar, (Drejtor i Drejtorisë së Zbulimi Politik, i kamufluar pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme si diplomat, që vepronte jashtë Shqipërisë), fillimisht në Tropojë e, më pas në New York e vende të tjera. Njeriu që shërbeu për më shumë se 40 vjet në struktura të rëndësishme të Sigurimit të Shtetit e të diplomacisë, si zbulues i kamufluar, rrëfen ekskluzivisht për ne, ngjarje nga më të pabesueshmet, të cilat ai i sjell, sikur të kenë ndodhur sot.
Zoti Mersini, si zbulues, a e keni ndjerë ndonjëherë veten të rrezikuar?
Jeta e zbuluesit jashtë shtetit është gjithmonë në rrezik, sepse të gjitha veprimet, bëhen nën gjurmimin e Sigurimit të Shtetit; vepron dhe nuk ke asnjë mbrojtje, veç pasaportës diplomatike. Kur një zbulues jashtë shtetit kontakton me një agjent, ai për gjithë kohën, deri sa agjenti të japë provat e nevojshme, ndodhet nën kërcënimin e provokatorit.
Fjala është sidomos, për agjentë që punojnë jo mbi baza vullnetare e patriotike, por mbi baza interesi monetar, pra për para. Unë e kam ndjerë shumë herë veten të rrezikuar. Çdo kontakt me një agjent, është gjithmonë me rreziqe. Por, më ngushtë e kam ndjerë veten në vitin 1966, kur shkova me mision në Gdansk të Polonisë, për të marrë ilegalisht, me çdo kusht, një farë Kazimierzh Mijal, i cili e quante veten sekretar të parë të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Polonisë.
Nxjerrja e tij ilegalisht nga Polonia, do të bëhej duke e futur në një vend të fshehtë, të sajuar posaçërisht për të në anijen “Skënderbeu”, e cila ishte një anije e Flotës sonë Tregtare dhe shkonte shpesh në Portin e Gdanskut, për tërheqje mallrash që importonim nga Polonia, në bazë të marrëveshjes bilaterale për shkëmbime tregtare midis dy vendeve. Unë shoqërohesha nga Kleanth Andoni (nga Vunoi), me të cilin punonim së bashku. Me vete kishim edhe armatimin e nevojshëm, automatikë e granata.
Në Komitetin Qendror të PPSh-së, na porositën që nëse diktoheshim nga polakët kur ta merrnim atë në anije apo kur të ishin në ujërat e Balltikut, duhej të luftonim me polakët dhe të mos e dorëzonim. Qëndruam në Poloni 15 ditë. Ishte dimër. Bëmë disa prova se si, mund ta fusnim në anije në grumbullin e marinarëve, duke i dhënë rojës çdo herë nga një shishe konjak “Skënderbeu”. Në fund na njoftuan nga Tirana se ai, kishte mbërritur në Shqipëri me një pasaportë të falsifikuar, e përgatitur nga ambasada jonë atje.
Ju keni qenë ambasador i Shqipërisë në disa vende të largëta. Sa do t´i shërbenin këto lidhje vendit tonë?
Për mëse tre vjet, nga viti 1979 deri në vitin 1982, kam qenë ambasador i Shqipërisë në Kinë, Nepal, Birmani, Bangladesh, Tailandë, Ceilon (Srilanka) e Pakistan, me qëndrim si rezident në Pekin. Duke përjashtuar Kinën, me të cilën kemi pasur marrëdhënie të rregullta, me vendet e tjera kishim vendosur me kohë formalisht marrëdhënie diplomatike. Qëllimi ynë ishte të bënim të njohur në ato vende politikën e vendit tonë.
Në përgjithësi, ato ishin vende myslimane dhe, sado pak, ishin dakord me politikën tonë, për aq sa e njihnin. Në disa nga këto vende, u tregua interes edhe për shkëmbime tregtare, sidomos për pambuk e prodhime bujqësore. Në disa nga këto vende kishte dhe shoqata të miqësisë me Shqipërinë. Atje ku ekzistonin këto shoqata dhe ku ato ishin aktive, kishte një farë njohurie për vendin tonë, megjithëse jo të plota. Atje ku nuk kishte shoqata, populli nuk dinte asgjë për vendin tonë, përveç faktit që ishte “vend vëlla mysliman në Evropë”.
Cilat janë kujtimet tuaja mbresëlënëse në jetën si diplomat e zbulues?
Në jetën time si diplomat, jam ndeshur shpesh me të papritura dhe befasi, herë të këndshme e, herë të hidhura. Kur isha në Argjentinë, papritur u sëmura rëndë. Shqiptarët me të cilët u takova, m´u ndodhën pranë si vëllezër. Më shtruan në një klinikë private ku, ishte kirurg një shqiptar nga Kalabria. Tek e dëgjoja që fliste shqip, mendoja se isha me fat që kisha rënë në dorë të tij. Ishte specialist i mirë dhe duart i kishte të arta. Më operoi urgjentisht nga apendesiti.
Edhe pse kish vite që kish emigruar në Argjentinë, gjuhën e nënës e fliste mirë, madje, shqipen ua mësonte edhe fëmijëve që kishin lindur në Argjentinë. Një fakt i tillë, kur je larg mëmëdheut, të emocionon e të bën të besosh që shqiptarët, sidomos kur janë larg Shqipërisë, bëjnë shumë për njëri-tjetrin. Doemos, që ata ma lehtësuan edhe detyrën që kisha. Po atje takova edhe një tjetër shqiptar, për ca më tepër, nga vendlindja ime, Vlora. Sadik Bleta quhej.
Kush ishte ai dhe ç’përfaqësonte në atë takim me ju?
Para shumë vitesh, së bashku me të shoqen, Sarbatenë, ishte shpërngulur nga Vermiku i Vlorës dhe kishte përfunduar në Argjentinë. Ata, burrë e grua, qenë edhe nga anëtarët më aktivë të kolonisë shqiptare “Skënderbej”. Sarbateja ishte një grua e veçantë. Në shtëpinë e saj ajo donte që të flitej vetëm në gjuhën shqipe.
Kur ndonjë nga fëmijët e saj, për lehtësi përdorte ndonjë fjalë në gjuhën spanjolle, ajo rrëmbente mashanin dhe duke e tundur atë në ajër, si shkop, u drejtohej fëmijëve: “Flisni shqip, u çaftë derri u çaftë! Flisni shqip se, e shikoni mashanin? Ua theva kërcinjtë”! Është interesante sesi, i theksonte me forcë fjalët ”mashan” dhe “kërcinj”, që t´i shqiptonte qartë fjalët e gjuhës shqipe.
Ju keni qenë i pranishëm në Oborre Mbretërore të shteteve të ndryshme në Azinë Juglindore, por keni parë dhe vende që dallonin shumë nga Shqipëria, si nga natyra, ashtu dhe nga njerëzit. A ruani mbresa e kujtime të veçanta?
Kur isha ambasador në Republikën Popullore të Kinës, siç e kam thënë, qeveria shqiptare më kishte akredituar edhe në disa shtete të tjera të Azisë Juglindore. Kam shkuar shpesh në këto vende, fillimisht për të paraqitur letër kredencialet, por edhe për punë të ndryshme, në kohë të ndryshme. Nepali, Pakistani, Birmania, Ceiloni, Bangladeshi etj., kanë qenë përvojë e re pune, që më kanë lënë mbresa të pashlyeshme.
Kudo ka, e mund të bësh miq. Po përmend një rast: Nepali është një vend me gjelbërim e bukuri mahnitëse, por njerëzit ishin të varfër. Megjithatë, u kish shkuar ndërmend se ka një vend si Shqipëria e, për këtë, kishin krijuar Shoqatën e Miqësisë Shqiptaro-Nepaleze. Vendi me bukuri të rralla, shtrirë në këmbët e Himalajeve, ishte i pamposhtur, por banorët ishin shumë të dashur, njerëzorë e të mirë. Merreshin, veçanërisht me artizanat dhe me përpunimin e bakrit e të bronxit.
Tregtonin stolisje e dhurata me këto punime. Një dhuratë të tillë, një pjatë të bukur metali, e ruaj ende edhe sot. Atë ma dhuroi që ta kisha kujtim, Shoqata e Miqësisë Shqiptaro-Nepaleze. Njerëzit ishin kureshtarë të na dëgjonin, por më kureshtar u bëra unë, kur pashë sjelljen e tyre ndaj lopës. Ata e çmonin dhe e vlerësonin atë si një qenie hyjnore, nuk e thernin as, nuk e milnin. Një ditë, duke ecur në rrugët e Katmandusë, vura re se ishte bllokuar qarkullimi i automjeteve.
Nepalezi që më shoqëronte më tha se diku, në mes të rrugës kryesore, kishte ndaluar për të pushuar një lopë. E pyeta se përse nuk e përzinin nga rruga. “A, jo, jo! Lopa është e shenjtë. Qetësinë e saj nuk mund ta prishë askush, as polici. Ajo do të ngrihet dhe do të lëvizë kur t´i thotë mendja; edhe sikur kjo të zgjasë disa orë”, tha shoqëruesi vendas. Nepalezi me buzëqeshjen e tij e me fjalët që më tha, më çuditi, por siç themi ne “fshat e zanat”. Befasitë s´kishin të mbaruar.
Në mbarim të ceremonisë së paraqitjes së letrave kredenciale, Mbreti i Nepalit, Birendra, më tha se, duhet të nxirrja shaminë nga xhepi. Edhe pse i habitur dhe me droje, bëra ashtu siç më tha ai. Pra, nxora shaminë nga xhepi. “Hape përgjysmë dhe mbaje në pëllëmbë të dorës”, më porositi Mbreti, i çelur në fytyrë. Mbi shaminë time, Mbreti lëshoi nga një shishe disa pika të një lëngu të veçantë. Shamia, kështu ishte parfumuar duke lëshuar një aromë të këndshme. Pas kësaj, unë duhet ta fusja atë në xhep. Vetëm pas këtij veprimi, ceremonia në pallatin mbretëror quhej e përfunduar.
Por, përshtypje të veçantë më ka bërë Bangladeshi me Dakën, “kryeqytetin e laraskave”. Laraskat, në tufa të mëdha fluturonin afër e kërr-kërrja e tyre, s’të linte ta bëje gjumin të qetë. Pastaj, ato provat me togë gardistësh e orkestër frymore, përpara se të paraqiteshe te Mbreti për, ceremoninë e kredencialeve, ishte një stërmundim e bezdi e madhe.
Gjithçka e përgatitur sipas një skenari me vendin ku duhet të qëndroja unë si ambasador, në mes të rojës së nderit të Gardës, shoqëruar nga dy oficerë dhe shefi i Protokollit. Kështu, ndër tingujt e bandës, do të përshkonim disa herë rrugën që të çonte deri te Pallati Mbretëror, gjersa të çmohej se prova paraprake, kishte sukses. Në këtë kohë, këto vende konsideroheshin si vende të botës së tretë e, për ata dhe liderët e tyre, flitej shumë.
Keni zhvilluar biseda politike të këtij karakteri me drejtuesit e këtyre vendeve?
Po ju tregoj një ndodhi. Kur isha në Ceilon, ndryshe nga vendet e tjera, për në Pallatin Presidencial, më shoqëroi ministri i Jashtëm. Edhe ai ishte i pranishëm në bisedë. Pas fjalëve përshëndetëse, çuditërisht vetë Presidenti, më bëri një pyetje që unë nuk e prisja: ”Si mendoni ju shqiptarët, a do të qëndrojë në këmbë Federata Jugosllave, pas vdekjes së Titos?”. Mendimi ynë zyrtar dihej. Ai ishte shpallur, jo vetëm nëpërmjet kanaleve diplomatike, por edhe përmes propagandës që bëhej edhe në vendet e Botës së Tretë.
Kështu që pyetja e Presidentit të atij vendi, m´u duk thjesht një kërshëri e tij. Kështu nisa të flas në bazë të orientimeve tona zyrtare, duke thënë shkurt sesi ishte krijuar Federata Jugosllave, duke lënë të kuptohej se ishte drejt shpërbërjes. Por, vura re se Presidenti dukej i vëmendshëm; ministri i Jashtëm më pak, ndoshta sepse ai ishte mirinformuar për qëndrimin tonë.
“Ju thoni se Federata Jugosllave do të shpërbëhet”?, pyeti përsëri Presidenti i Ceilonit. I thashë se kjo federatë, pas vdekjes së Titos, s´e kishte të gjatë dhe se nuk mund të ekzistonte e, nisa t´i shpjegoja arsyet se përse mendoja në këtë mënyrë. I thashë se, në radhë të parë, në këtë federate, bënin pjesë popuj që jo vetëm nuk kishin qenë historikisht miq me njëri-tjetrin, por përkundrazi, këta popuj kishin qenë armiq të betuar dhe kjo armiqësi ishte e dukshme.
I tregova se, kështu kishte ndodhur midis serbëve e kroatëve, serbëve e shqiptarëve, serbëve e boshnjakëve e të tjerë. Presidentit, edhe pse nuk i erdhi mirë për parashikimin tim, përsëri nuk kundërshtoi. Më pas mësova se, Presidenti i Siri Lankës, kishte qenë një nga iniciatorët e krijimit të termit “Botë e Tretë”, dhe këtë e kishte bërë së bashku me Titon, Nehrunë, Sukarnon dhe Naserin. Pra, ai nuk kishte se si ta pranonte shkatërrimin e ngrehinës jugosllave, edhe pse e ndjente fundin e saj, një fund që ndodhi realisht disa vite më pas.
Cili është mendimi juaj për rolin e diplomatit në ditët tona?
Dua të theksoj se detyra e diplomatit është të ngrejë lart emrin, dinjitetin e përgjithësisht, imazhin e vendit të tij. Sot, për hir të së vërtetës, diplomati nuk është ai që kërkohet të jetë në kushtet e reja që u krijuan në kuadrin e demokracisë brenda familjes evropiane.
Diplomati duhet të punojë për zhvillimin e marrëdhënieve të gjithanshme të vendit të tij me vendin ku është akredituar si i tillë, si dhe të zbulojë me kohë veprime të qëllimshme armiqësore kundër sovranitetit të vendit të tij e, veçanërisht të qarqeve, të cilët tradicionalisht kanë pasur dhe mund të kenë pretendime territoriale apo politike ndaj vendit tonë.
Më duket se duhet bërë më shumë në këtë drejtim dhe diplomacia duhet të jetë më aktive në mbrojtje të interesave kombëtare dhe sidomos, të të drejtave të qytetarëve shqiptarë emigrantë, të cilëve e them me bindje që në shumë raste u mohohen të drejtat, në shtetet ku ata kanë emigruar, sidomos në vendet fqinje. Memorie.al