Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të kolonel Sami Koka me origjinë nga Delvina, pinjoll i një prej familjeve feudale më të pasura si pronare tokash në të gjithë Shqipërinë, për të cilën kanë shkruar edhe shumë studiues të huaj, si: Hughes, “Voyage a Janina”, Remerand, “Ali de Tepelena”, Leake, “Travels”, Pouqueville, “Historie de la regeneration de la Grece” etj., dhe në arkivat turke, gjenden edhe sot dokumentet ku bëhet e ditur se në fundin e shekullit të kaluar, pjesëtarë të kësaj familje, si: Abdyl Bej Koka e Selim Bej Koka, ishin krerët kryesorë të kryengritjeve në Shqipërinë e Jugut, kundër Turqisë. Shkollimi i Samiut në Janinë dhe më pas në Kolegjin Ushtarak të Vjenës, të cilin e përfundoi në vitin 1916, duke u titulluar ‘Oficer i Perandorisë Austro-Hungareze” dhe u dekorua dy herë me “Kryqin e Bronxtë” të Perandorit Franc Jozef. Karriera ushtarake e Sami Kokës gjatë periudhës së Monarkisë, pasi ai u diplomua në Institutin e Lartë të Luftës në Torino, (i’u akorduan titujt e fisnikërisë “Kavaljer” dhe “Komendator i Savojës”), duke shërbyer si Komandant i Rojës së Kufirit dhe më pas si zv / Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, që e kryesonte gjenerali me origjinë kroate-austriake, Gustav Myrdash. Kujtimet e panjohura të ish-kolonelit të Zogut, që ai i shkroi fshehtas gjatë kohës që vuante dënimin me 30 vjet në Burgun e Burrelit, lidhur me ngjarjet e fillimit të prillit të ’39-ës, kur kur Italia fashiste e Benito Musolinit, kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë dhe Mbreti Zog e thirri atë në shtëpinë e xhaxhait të tij, (Princ Xhelalit), pasi fillimisht e falenderoi, duke e cilësuar si një nga oficerët më besnikë të Mbretërisë, e ngarkoi me një mision shumë të rëndësishëm, nga i cili do vareshin fatet e Shqipërisë…!
Lidhur me këto ngjarje të ndodhura vite më parë në prillin e ’39-ës, me të gjitha prapaskenat dhe anët e panjohura të saj, si dhe historinë e jetës e karrierës ushtarake të kolonel Sami Kokës, do njihemi në këtë shkrim, të cilin e kemi përgatitur në bazë të dëshmive të familjarëve të tij, si dhe kujtimet që ish-ushtaraku i lartë Zogut pati shkruar kur vuante dënimin me 30 vite në Burgun e Burrelit, të cilat nipi i tij, z. Asim Koka, na i vuri në dispozicion për t’i publikuar ekskluzivisht në Memorie.al
Shkollimi i Sami Kokës në Janinë dhe Vjenë
Sami Koka lindi në Delvinë në vitin 1898 në familjen e madhe të fisit të njohur Koka, e cila asokohe ishte një nga familjet më të dëgjuara në jugun e Shqipërisë, që renditej e para në të gjithë vendin si pronare tokash, duke pasur në zotërim 18.000 ha., dhe pas tyre vinin Gjinollët e Prishtinës e Toptanët e Tiranës. Për fuqinë ekonomike të fisit Koka, kanë shkruar edhe shumë studiues të huaj, si: Huges, “Voyage a Janina”, Remerand, “Ali de Tepelena”, Leake, “Travels”. Pouqueville, “Historie de la regeneration de la Grece” etj. Në arkivat turke gjenden dokumentet ku në fundin e shekullit të kaluar, pjesëtarë të kësaj familje, si Abdyl Bej Koka e Selim Bej Koka, ishin krerët kryesorë të kryengritjeve në Shqipërinë e Jugut, kundër Turqisë. Në këtë familje lindi në fundin e shekullit të kaluar dhe Samiu, i cili pasi ndoqi mësimet në shkollën fillore turke të Delvinës, ndoqi mësimet në gjimnazin grek të Janinës. Në vitin 1913, Samiu shkoi për studime në Kolegjin Ushtarak të Vjenës, të cilin e përfundoi në vitin 1916 dhe në moshën 18 – vjeçare, ai titullohet oficer i forcave të kësaj perandorie, ku për disiplinën dhe përgatitjen e lartë nga ana profesionale që tregoi aty, u dekorua dy herë me “Kryqin e Bronxtë” të Perandorit Franc Jozef.
Kryeson operacionet ndëshkuese në Malësinë e Madhe dhe Mirditë
Në vitin 1920, Sami Koka kthehet në Shqipëri, ku së bashku me shokët e tij oficerë që kishin studiuar në shkollat perëndimore, i’u vunë punës për organizimin e Ushtrisë Shqiptare të porsakrijuar. Në vitet e qeverisjes së Suljeman Bej Delvinës (djali i dajës së Samiut), ai kryesoi disa ekspedita çarmatimi, si në Prefekturën e Dibrës dhe operacionin për shtypjen e ‘Kryengritjes së Malësisë së Madhe’, që drejtohej nga bajraktarët vendas dhe disa pjesëtarë të Kleri Katolik që ishin nën ndikimin e qarqeve të caktuara italiane. Në vitin 1924, Samiu merr pjesë në grushtin ushtarak kundër qeverisë së asaj kohe të kryesuar nga Shefqet Vërlaci, duke u rreshtuar në krahun e Kasem Bej Radovickës e Kasem Bej Qafzezit, të cilat sollën në pushtet qeverinë e kryesuar nga Fan Noli. Me rikthimin e Ahmet Zogut në fuqi në fundin e dhjetorit të vitit 1924, Samiu emërohet si adjutant i parë i Presidencës, pasi pjesëmarrja e tij në të ashtuquajturin “Revolucioni i Qershorit” në krah të forcave fanoliste, i’u fal atij nga Zogu, pas amnistisë së dhënë prej tij, duke e konsideruar atë ngjarje si ‘kapitulli i mbyllur’ për Samiun e të gjithë ushtarakët e tjerë që u përfshinë në atë grusht shteti.
Konfliktet e Samiut me Zogun dhe diplomimi në Akademinë e Torinos!
Pas disa kohësh në shërbim të Adjutanturës së Kryetarit të Shtetit, kryeministrit Ahmet Zogu, Samiu kërkoi të largohej nga ai funksion, pasi ai pati disa mosmarrëveshje me Zogun, i cili sipas tij, filloi t’u jepte grada dhe ofiqe disa bajraktarëve, të cilët Samiu i quante “fshatarë injorantë”. Pas largimit nga Adjutantura, Samiu emërohet si Qark – Komandant në disa qarqe të vendit, si në Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë etj. Në vitin 1928, ai u dërgua për studime të mëtejshme ushtarake në Institutin e Lartë të Luftës në Torino, ku ai spikati si një student Exellent dhe aty i’u akorduan titujt e fisnikërisë “Kavaljer” dhe “Komendator i Savojës”. Pas mbarimit të studimeve, ai u kthye në Shqipëri dhe emërohet në Shtatmadhorinë Mbretërore të Monarkisë së Zogut, që kryesohej nga miku i tij i vjetër, duke i’u akorduar edhe grada e kolonelit. Gjatë punës në Shtatmadhorinë Mbretërore të Monarkisë, Samiu pati rastin të punonte për hartimin e programeve modern të kohës të cilat do të bënin fuqizimin e ushtrisë shqiptare, sipas modelit zviceran, gjë për të cilat, ai pati kontradikta me Mbretin Zog, si rezultat i ndërhyrjes dhe intrigave të këshilltarëve italianë, që ngulmonin pranë Zogut, duke thënë se: “në Ushtrinë Shqiptare nuk duhen bërë shpenzime që të fuqizohet shumë, pasi ajo është nën mbrojtjen e Italisë”. Si rezultat, Samiu gjatë kësaj kohe u pas si njeri i dyshimtë dhe në periudhën e “Kryengritjes së Ethem Totos”, (dhe dy vëllezërve të tij), ai u survejua rregullisht, duke u dyshuar si bashkëpunëtor i tij. Por edhe nga këtë probleme, në ato vite, falë aftësive të tij në fushën ushtarake, Samiu shkroi disa libra me karakter ushtarak, si “Perandoria Turke, lindja dhe perëndimi i saj”, “Ngjarjet luftarake në luftën e parë në frontin shqiptar”, “Lufta greko-turke në 1920”, etj. Po kështu gjatë kësaj periudhe kohe, Samiu shkroi dhe shumë artikuj të tjerë në shtypin periodik të Monarkisë së Zogut, ku të gjitha kishin të bënin me ushtrinë dhe mbrojtjen e vendit.
Negociator në Durrës me gjeneral Guzzonin në 7 prill ‘39
Në ditët e para të prillit të vitit 1939, kolonel Sami Koka u caktua nga Mbreti Zog që së bashku me ministrin e Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, të negocionte në Durrës me gjeneral Guzzonin, komandantin e Përgjithshëm të trupave italianë pushtuese që do zbarkonin në Shqipëri. Pas dështimit të bisedimeve me gjeneral Guzzonin, në paraditen e 7 prillit, ai u detyrua që të udhëtonte për në Greqi, së bashku me Mbretin Zog dhe të gjithë Oborrin Mbretëror që do shoqëronin Zogun pas largimit të detyrueshëm të tij nga vendi si rezultat i pushtimit Italian. Vetëm dhjetë ditë pas largimit nga Shqipëria, më datën 17 prill kur Samiu ishte ende në Larisa, (ku pati propozimin nga atasheu ushtarak i Turqisë në Athinë që të jepte mësim në shkollën Ushtarake të Ankarasë), ai vendosi që te kthehej përsëri në Shqipëri, duke refuzuar ftesën e mikut të tij turk. Kështu me të ardhur në Shqipëri, kolonel Sami Koka u arrestua nga forcat italiane, por pas shumë ndërhyrjesh deri pranë Musolinit, që atij t’i falej jeta për atë çka i kishte ndodhur më 7 prill me gjeneral Guzzonin, ai u la i lirë nga italianët. Ndërhyrjet vendimtare pranë Duçes për lirimin e tij, u bënë nga Shefqet Bej Verlaci (kryeministër), gjenerali Aqif Përmeti dhe Fejzi Bej Alizoti, ministër dhe më pas Guvernator i Përgjithshëm i Kosovës, i cili ishte burri i motrës së Samiut. Pas riatdhesimit të tij në Shqipëri, ai ndenji disa kohë në dispozicion të komandës italiane pa marrë emërim, por me të gjitha të drejtat e ushtarakët dhe pagën që kishte pasur para largimit nga vendi. Me fillimin e Luftës italo-greke në vitin 1940, duke parë frymën dhe ndjenjat e tij antifashiste, autoritetet italianë vendosën dhe e dëbuan nga Shqipëria, duke e dërguar (gjysëm i internuar) në ishullin Sassari pranë një regjimenti kalabrez shqiptare në Italinë e Jugut.
Prefekt i Prizrenit, Dibrës dhe Strugës
Në atë periudhë kohe që Sami Koka ndodhej në ishullin Sassari, Fejzi Bej Alizoti, që ishte Komisar i Lartë dhe Guvernator i Përgjithshëm i Kosovës, e thirri në Shqipëri dhe e emëroi kolonel Sami Kokën në detyrën e prefektit të shkallës së parë për Prizrenin, Dibrën e Madhe dhe Strugën. Gjatë asaj periudhe kohe që ushtroi atë funksion në Kosovë dhe Maqedoni, Samiu ndikoi dhe punoi energjikisht për çështjen e Shqipërisë etnike duke ndihmuar më së shumti përhapjen dhe zhvillimin e arsimit shqip në ato krahina. Po kështu, me kontributin e tij gjatë asaj kohe u ngrit busti i Skënderbeut në Dibër dhe po me dijeninë e tij, u bë e mundur arratisja nga burgu i komunistit Emin Duraku dhe pak kohë më vonë ai u hapi dyert të gjithë burgosurve politik, gjë e cila asokohe u kthye në një manifestim të madh për gjithë qytetin. Pas gjithë këtyre veprimeve të Samiut që binin ndesh me ligjet në fuqi të asaj kohe mbi të cilat funksiononte shteti shqiptar nën pushtimin italian, autoritetet përkatëse të administratës italiane, lajmëruan telegrafisht Jakomonin, (Mëkëmbësi i Mbretit Viktor Emanueli i Tretë), i cili i telefonoi personalisht Samiut, duke i kërkuar dorëheqjen, gjë të cilën ai u detyrua ta jepte menjëherë. Pas kësaj, në vitin 1943, Samiu kthehet nga Kosova në Tiranë, por tashmë pa asnjë funksion dhe me një pension të vogël si ish-ushtarak. Pas disa kohësh, kur në Tiranë u krijua Departamenti i Xhandarmërisë, (si bërthama e parë ushtarake e shtetit që do të mbante rregullin e qetësinë në vend), Samiu thirret përsëri dhe emërohet Komandant i atij Departamenti, që u krijua në ato ditë që Italia fashiste po kapitullonte dhe ushtarët e oficerët e saj po largoheshin nga Shqipëria. Pas pak kohësh në atë funksion, Samiu largohet dhe emërohet në po ato detyra ushtarake që kishte pasur në vitin 1939, si Komandant i Përgjithshëm i Rojës së Kufirit dhe Financës, duke qenë njëkohësisht dhe nënkryetar i Shtatmadhorisë Shqiptare të kryesuar nga gjeneral Aqif Përmeti dhe gjeneral Prenk Pervizi, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.
Në ’44-ën, refuzon Komandën e Operacionit gjerman të Dimrit!
Në dimrin e vitit 1944, kolonel Sami Koka emërohet nga gjermanët në detyrën e komandantit të “Operacionit të Dimrit”, detyrë të cilën ai nuk e pranoi, duke paraqitur arsye shëndetësore. Në maj të vitit 1944, kur komanda gjermane në Tiranë kërkoi që të formoheshin tre divizione shqiptare nën armë, me qëllim për t’i dërguar në frontin e luftës, në mbledhjen që u bë me këtë rast, merrnin pjesë edhe disa oficerë madhorë shqiptarë dhe gjermanë, si dhe pjesëtarë të Regjencës së kryesuar nga Mehdi Frashëri, Padër Anton Harapi dhe Lef Nosi. Në atë mbledhje, gjermanët kishin sjellë me vete për t’u mbushur mendjen shqiptarëve dhe baronin Von Kushner nga Austria, ish-kolonel i Ushtrisë Shqiptare në kohën e Mbretërisë së Zogut. Atë mbledhje e hapi gjenerali Von Bessel, duke insistuar në mobilizimin e tri divizioneve me shqiptarë dhe për këtë gjë askush nuk po reagonte…! I vetmi që u ngrit, ishte kolonel Sami Koka, i cili me një gjermanishte të kulluar, i kujtoi gjeneral Beselit, se Hitleri kishte firmosur një dokument, ku Shqipëria konsiderohej si një vend neutral dhe në bazë të saj, nuk mund t’i kërkohej mobilizim i ushtrisë me forca të armatosura. Pas Samiut, foli dhe Von Kirshneri, duke e përkrahur atë, ndërsa asnjë nga ushtarakët e tjerë nuk guxuan të flisnin. Kjo ndërhyrje i kushtoi jetën më pas Von Kirshnerit, pasi pas kthimit në Austri, ai u masakra nga Gestapo gjermane. Ndërkohë, pak ditë para mbarimit të Luftës, në tetot të vitit 1944, kolonel Sami Koka u arrestua nga partizanët teksa qëndronte i fshehur në një shtëpi diku në periferi të Tiranës tek disa nga miqtë e tij. Pas kësaj I shoqëruar me roje të shumta partizane, ai u dërgua fillimisht në Malin e Dajtit, ku me urdhrin e gjeneral-kolonel Enver Hoxhës si Komandant i Përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, disa kazerma të vjetra ushtrie ishin përshtatur për burg dhe aty mbaheshin të izoluar shumë nga personat që u arrestuan deri në fundin e nëntorit të tij viti, të akuzuar si “armiq të popullit, që kishin lyer duart me gjak”. Në fillim të dhjetorit të ’44-ës, të gjithë ata të burgosur që ishin mbajtur në ato kazerma, u zbritën në Tiranë duke i “sistemuar” në Burgun e Vjetër, ku bashkë me ta ishte dhe Sami Koka. Pas një hetuesie që zgjati deri nga fundi i muajit shkurt të vitit 1945, në fillimin e muajit mars, Sami Koka doli para ‘Gjyqit Special’ (që kryesohej nga Kryetari Gjykatës, gjeneral-leitnat, Koçi Xoxe dhe Prokurori, gjenarl-major, Bedri Spahiu, ku u dënua me 30 vjet burg politik, të cilat i vajti të gjitha në Burgun e Burrelit. Pas vuajtjes së dënimit, Sami Koka u vendos në Tiranë ku jetonte bashkëshortja dhe dy fëmijët (Genci dhe Rita), dhe ndërroi jetë në vitin 1972.
Kujtimet e Kolonel Sami Kokës për 7 prillin e ’39-ës
Gjatë periudhës që ish-koloneli Sami Koka vuante dënimin me 30 vjet në Burgun e Burrelit, (ku tentoi dy herë vetëvrasjen) ai mundi që të shkruante fshehurazi kujtimet e tij dhe t’i nxirrte ato nga burgu me anë të familjarëve që i vinin në takim. Një pjesë të atyre kujtimeve, ato që kanë të bëjnë me ngjarjet e prillit të ’39-ës kur Italia fashiste e Benito Musolinit kreu agresionin ushtarak duke pushtuar Shqipërinë dhe Mbreti Zog e thirri atë në shtëpinë e xhaxhait të tij (Princ Xhelalit), për t’i besuar një mision tepër sekret, duke i thënë se: “nga realizimi i tij, do të vareshin fatet e kombit”, po i publikojmë në këtë pjesë të shkrimit, pa asnjë ndryshim.
“Nga mbarimi i shkurtit të vitit 1939, u emërova Komandant i Përgjithshëm i Kufirit, duke lënë detyrën e Shefit të Stërvitjes në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare. Nga mesi i marsit 1939, kthehem në Tiranë. Aty mora vesh për komplotin e Xhiros (Xhovani Xhiro) ku ishin implikuar dhe disa oficer shqiptar në Shkodër, me anë të Konsullit Italian, Mellonit. Po ashtu mora vesh dhe kërkesat që italianët i kishin bërë Mbretit Zog, si dhe bisedimet që ishin bërë në Romë me anë të të dërguarit të posaçëm të tij, gjeneral Zef Serreqit (adjutant i parë i Zogut). Si gjithë populli ashtu dhe unë, dyshoja se mos Mbreti i bënte këto biseda për të justifikuar ‘koncesione’ (lëshime) të tjera që ai mund t’i bënte Italisë. Po ato ditë mora vesh që bisedimet e Romës kishin dështuar dhe italianët vendosën okupimin e Shqipërisë. Megjithatë, thashethemet në Tiranë nuk mungonin. Unë, duke përfituar nga një shkëputje e shkurtër, shkova në shtëpinë e Kryetarit të Parlamentit (Hiqmet Delvinës, kunati im) dhe aty gjeta dhe deputetë të tjerë që po bisedonin për gjendjen e krijuar. Po aty mora vesh se Zogu kishte vendosur të luftonte dhe të mos i jepte Italisë asnjë pëllëmbë tokë pa luftë. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016