Nga Fadil Paçrami
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al / Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
Duke iu rikthyer çështjes së konservatorizmit e liberalizmit, nuk përmbahet e thotë padashur edhe disa të vërteta: “Për Fadil Paçramin, konservatorizmit me kuptimin e vjetër, si me thënë klasik, i shtohet edhe “konservatorizmi i ri”, që ekziston sipas tij në parti. Pra vija e partisë sonë, sipas mendimit të tij, sipas fakteve të thëna e të bëra nga Fadil Paçrami, qenka konservatore dhe duhet të liberalizohet, të modernizohet, të likuidohet dhe të krijohet një parti e re”.
Atë që nuk mund ta thosha unë hapur në atë kohë, e thotë me gojën e tij, tjetër se e hedh poshtë duke ia vënë në gojë një “armiku të partisë”. Shkurt fjala, e ndiente, e shihte dhe qe i vetëdijshëm, si frymëzuesi e arkitekti i saj, se vija e Partisë, ishte konservatore e sektare. E ndiente edhe se ky mendim po piqej e, merrte shtrirje përherë më të gjerë në rrethe të caktuara, sidomos intelektuale, në ato të rinisë edhe në vetë gjirin e Partisë. Pra, edhe ndiente nevojën t’u mbyllte gojën, kërcënonte, bën akuza e lëshonte mallkime, në mënyrë që të vinin mend, se ndryshe do ta pësonin keq, partia do të ishte e pamëshirshme e, do të godiste fort cilindo, siç bëri në atë plenum, fill pas tij, e në vitet që ndoqën.
Tjetër: “Për revizionistët Fadil Paçrami e Todi Lubonja, Partia e Punës e Shqipërisë ishte një parti e burokratizuar, një parti dogmatike, konservatore staliniste. Prandaj objektivi i tyre megaloman, ishte t’i ndërronin asaj kursin. Po si? Duke luftuar me maskën legale për shtrembërimin e vijës. Konceptet e tyre antiparti dhe anti proletare, i çuan ata të zgjidhnin bazën e nisjes së veprimtarisë së tyre në kulturë dhe në artet, sepse menduan me mendjelehtësi prej reaksionari, se atje do të ishte pika e dobët e partisë dhe e favorshme për ta. Ata menduan, po ashtu, se në veprimet e tyre antiparti, do të gjenin mbështetje në rini, të cilën, sipas tyre, do të mundnin ta vinin në kundërshtim me partinë”.
Po nëse atë kohë, këto u thanë për ato qëllime si u fol, pse të mos thuhet e vërteta sot dhe me plot gojën?! Për këtë, edhe po i kujtoj, në mënyrë që ajo ç’ka nuk u bë, të bëhet tani. Ç’pengon? Atëhere nuk u panë gjithaq mbase, shumëkush mendonte po ashtu dhe i mbanin iso, të tjerë nga frika – fundja kush guxonte të bënte ndryshe…?! Po sot, pse?! Akoma?! Deri kur?! E keqja, gangrena ka dalë sheshit. Ecet drejt degjenerimit të plotë – katastrofës. Si vështirë të mos shihet kjo tani. Ose shihet dhe bëhet sikur jo. Çfarë pengon?! Bindjet?! Nuk më duket…zhvillimet e sotme dhe realiteti, të bëjnë t’i rishikosh e rivlerësosh ato. Frika? Po ai s’është më! Bashkëfajësia?! Po kësaj s’i shpëtohet dot. Pse të rëndohet vetja më tej? Mendimi se mund të ecet (më saktë të shtyhet) akoma? Mirëpo iluzionet, s’kanë jetë të gjatë. Çfarë atëherë? Është koha të mendohet. Enver Hoxha, i bëri të gjitha që t’i thoshte ndal kohës…po ajo s’e dëgjoi, bëri të vetën. Thirri kundër saj, foli gjithë mllef, akuzoi, mallkoi… prapë asgjë.
Mori masa shtypëse, i shtriu e i rëndoi atë gjithandej, por s’i dhanë gjë. U kthyen në të kundërtën. Qe dhe mbetet një rrugë pa krye ajo, pa shpëtim. Pra edhe fundi, s’do të jetë veç tragjik, siç duket më së miri tashmë. Ngul këmbë: ishte ky një tensionim plot ankthe, se mund të vinte një ditë së cilës, i qe trembur prej kohësh fundi. S’e kam fjalën për vdekjen, po për kreun e piramidës, që mbante dhe kish bërë gjithçka për të, për fuqinë dhe “lavdin” e aq dëshiruar. Disa herë ishte ndodhur para rrezikut, t’i humbiste në Berat, nga fundi i ‘44-s, më vonë në vitet ’47-‘48, pas vdekjes së Stalinit, deri në ’56-ën, përsëri në ’60-ën. Por të gjitha i kishte kaluar. Të papriturat mund të vinin më shumë nga jashtë.
Dalja nga ‘Traktati i Varshavës’, i dha njëfarë garancie dhe i forcoi pozitat përkohësisht. Rreziku iu rishfaq, në fillimet e viteve ‘70-të, me politikën e ping-pongut të Pekinit, pra edhe reagoi ashtu fort në ’73-në, e më pas. Nga brenda, forcat që mund ta rrezikonin, qenë dobësuar me goditjet njëra pas tjetrës. Sjell në mend: aty nga gjysma e dytë e viteve ’50-të, kur në shumicën e vendeve të Lindjes, patën rënë njëri pas tjetrit drejtuesit kryesorë, u hoq edhe Cervenkovi në Bullgari, një korrespondent i gazetës “Le Mond” të Parisit, me qëndrim në Athinë, kërkoi dhe u lejua të vinte në Tiranë. Atëhere isha kryetari Bashkimit të Gazetarëve dhe shtrova për të një darkë, para se të largohej. E pyeta se; cilat qenë përshtypjet dhe ç’mendonte të shkruante. “Zoti Paçrami, më tha, unë kam ardhur të shoh nëse do të hiqet apo nuk do të hiqet Enver Hoxha”. Dhe si mendoni, e pyeta. “Jo, m’u përgjigj, nga këtu brenda ai s’hiqet, nga jashtë e kanë vështirë”. Dhe ashtu ndodhi. Po njëlloj, edhe në vitet ‘70-të, e fillimet e ’80-të.
Vendi kalonte vështirësi të mëdha dhe ato ishin në rritje. Ndihmat nga jashtë qenë prerë. Prej kohësh qemë mbajtur me to, tani si do të bëhej? Edhe ekipi që e mbështeste nuk qe më ai. Filluan streset, edhe neurozat siç është folur. Tek ata që kishte përreth, ku të mbështetej, kujt t’ia linte trashëgiminë? Mendoi gjatë. Njërit nuk i besonte, tjetri nuk e ngrohte me pavendosmërinë, të tjerë…! Gjithnjë kishte jetuar me mosbesim, e më dyshime, për ata që kishte pranë. Siç e pohon edhe vetë, u vinte prita dhe më në fund, godiste çdo njërin që i ngjallte dyshime ose, që jepte shenja për kundërvënie. Kështu, duke folur në mbyllje të Plenumit të IV-ët, shprehet krejt hapur, deri për mua dhe Todin: “Në çdo veprim të tyre, këta i pritnin pritat e partisë”!
Këto: mosbesimi, dyshimi, gjurmimi dhe ndjekja hap pas hapi, goditi herë pas here, deri në nivelet më të larta, qenë bërë rrugë, metodë e mjet, për të sunduar e zgjatur jetën në krye të partisë e të shtetit. Prapa, nuk kthehej dot. Të ndalej, ishte me po aq rreziqe. Të ecej më tej, dukë shtrënguar edhe më fort frenat, kjo kishte mbetur. Por çdo gjë, ka një fund. Dhe fundi erdhi. Nga perëndia, si i thonë. Por në përshpejtimin e tij, kanë peshën e tyre ngjarjet, zhvillimet, njerëzit. Pra edhe pati atë fund, si duan të thonë: të tmerrshëm. Po tani, çdo të ndodh, do të vazhdohet në atë rrugë apo…?! Shumë ujë ka rrjedhur dhe vendi ndodhet para katastrofës së vërtetë ekonomike, por edhe në fusha të tjera. Masat shtypëse, bënë efekte të kundërta: dhuna arriti kulmin, por edhe pakënaqësia. Atëhere? Rruga është një: Të shikohet me sy kritik e shkuara, edhe nga vetja, si dhe të tregohet guxim e mençuri për të ndërruar drejtim.
3.
Tani diçka me drejtpërdrejt për Ramiz Alinë e Manush Myftiun, lidhur me sa fola më lart. Diç do të mbetej mangët, nëse nuk do të qëndroja pak rreth tyre, meqë veç roleve, në sensin negativ në tërësi, janë ndër njerëzit, më në dijeni, se cilitdo nga drejtuesit e tjerë, se në akuzat kundër meje, për; “tradhti të lartë” e, “komplote”, s’kishte gjë të vërtetë. Me Ramizin, si të njohur prej kohësh, meqë kemi punuar bashkë dikur me rininë, pas vitit ’60-të, ai si sekretar i Komitetit Qendror, unë drejtor në Komitetin Qendror, për edukimin, më vonë edhe si sekretar të Komitetit të Partisë të Tiranës, po në atë fushë, deri në ’73-në. Puna e pat dashur, të takoheshim shpesh e të bisedojmë.
Shumë here, për çështje të caktuara, kemi patur mendime të ndryshme, unë i kam shprehur ato hapur, ai si nga here, jo qartë, por as kështu, as ashtu! Kohëve të fundit, erdhëm duke u distancuar më shumë. Ballë për ballë, nuk kujtohem të më ketë kritikuar ndonjëherë, tjetër janë rastet, kur jam thirrur me porosi dhe në prani të të tjerëve. Por Enver Hoxha, në fjalimet e tij, në mbledhje të Byrosë Politike, e gjetkë, thotë se tek ai, ka folur e më ka raportuar për të keq. “Shoku Ramiz, më ka thënë se për të metat që ke edhe ai të ka folur dhe ti i ke njohur ato”. (Në Byronë Politike – 16 qershor 1965). Kur, për çfarë, me ç’rast më ka folur? Si, e përse, i ka raportuar?!
“Këtu u fol se, nuk kanë shkuar si duhet, agjitacioni e propaganda. Kritika është e drejtë dhe nuk do të lë pa përmendur, përgjegjësinë e madhe të Fadilit (Paçramit), sepse ai ka qenë, përgjegjës direkt për këtë punë, në Komitetin Qëndror. Puna e tij, ka qenë me të meta dhe për këtë disa here, është kritikuar” (Në Plenumin e Komitetit Qendror -13 korrik 1966) Cilat janë këto dobësi dhe kush më ka kritikuar – Ramizi?
“Ty të ka thirrur me dhjetëra herë shoku Ramiz Alia, që mendon jashtëzakonisht drejt, për këtë çështje”. Dhe më poshtë: “Shoku Ramiz, të ka udhëzuar kurdoherë drejt, për shumë probleme…! Shoku Ramiz, të ka “porositur…”! (Në bisedën me Enver Hoxhën- 30 mars 1973). Cilat janë këto dhjetëra herë edhe ato udhëzime e porosira, për të cilat e ka informuar?! Edhe për atë çështjen e konservatorizmit e të liberalizmit dhe cili është rreziku kryesor, duket ka raportuar ashtu si ka dashur. Po kështu edhe për të tjera. Këtej del se, pavendosmëritë e ngathtësitë, edhe dobësitë e tij, i hodhi mbi mua. Se mos ishte kjo e para herë! Në ’47-ën, kur punonte me rininë – Liri Belishova, qe sekretare e parë, ai i dytë – ajo u dënua rëndë, ai doli i pa lagur?!
Kështu edhe në ’60-ën, ajo sekretare e Komitetit Qendror për propagandën, ai drejtor në Komitetit Qendror, po për propagandën, – ajo e pësoi prapë, ai u ngrit dhe i zuri vendin. Më ‘73-në, doli prapë i larë, hodhi gjithë sa mundi tek unë, e Todi Lubonja. Më pas nuk i di, si e qysh, sepse isha në burg. Nuk them që të thoshte, të paktën të vërtetën atëhere – më ’73-në, këtë s’e bënte ai, por pse të më ngarkonte, me ato që nuk ishin?
Edhe Manush Myftiu, po njëlloj. Për sa është bërë në Tiranë, nga ’66-ta, deri në ‘73-në, ka ndodhur që kemi patur edhe mendime të ndryshme, por në qoftë se nuk jepte ndonjë mendim për të qenë, se aq merrte vesh dhe nuk kishte bindje të tijat, kam të drejtë të pyes: kur më ’73-në, shpërtheu ai tufan para e pas 15 marsit, pse bëri të paditurin, për do gjë, tha edhe se unë, kisha bërë veç me kokën time? Mund të them se; nuk ka qenë asnjëherë i hapur me mua. Do të kujtoj disa raste:
Kur në redaksinë e “Zërit të Popullit”, u ngritën çështje krejt të kurdisura ndaj Todi Lubonjës (në atë kohë që kryeredaktori), u shtir i sëmurë e, më dërgoi mua, në organizatën-bazë. Pse e bëri këtë, që të bija edhe unë në atë kurth dhe më pas, të akuzohesha “për mbrojtje e bashkëveprim me Todin”, siç edhe ndodhi më vonë, meqë i duhej dikujt, për material.
– Kur në organizatën – bazë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, do të diskutohej për largimin e disa kuadrove, lidhur me disa parregullsi që kishin ndodhur, e grindje, më dërgoi prapë mua, sepse gjoja ishte i zënë me një punë tjetër. Qëllimi? Atë e di ai. Veç në hetuesi, më kanë pyetur shumë: “Ç’kisha unë, pse sillesha me aq urrejtje ndaj Sigurimit të Shtetit”.
– Kur dolën çështje, për ndryshimin e disa kuadrove në Radiotelevizion, me pretendimin se; nuk do të qe mirë të shkonte ai, meqë atje punonte e shoqja, më dërgoi prapë, i bindur se unë, do të merrja anë nga Todi Lubonja (në atë kohë drejtor i atij institucioni) dhe që më vonë, u përdor në akuzat që m’u bënë tok me të tjerat. Dikush, pra, ishte i interesuar, për të grumbulluar fakte dhe ai kontribuoi për këtë.
Përse flasin të gjitha këto e të tjera, që nuk po i zë në gojë? Konkluzionet dalin vetë. E vërteta është se; qoftë Ramiz Alia, qoftë Manush Myftiu, jo vetëm më ngarkuan me sa mundën, nuk thanë të vërtetat që dinin, për sa u ngritën dhe u akuzova, e morën pjesë në atë lojë të kurdisur para, gjatë e, pas vitit ’73-së, por hodhën edhe sa e sa të paqena, mjaft që të përforconin pozitat e tyre, madje të fitonin edhe të tjera në hierarkinë partiake.
E, pra, unë nuk bëra asgjë në dëm të tyre, as gjatë hetuesisë, kur mund edhe të kisha sajuar, po të kisha dashur, qoftë edhe thjesht, për të lehtësuar veten. Por nuk e bëra këtë, nuk mund ta bëja. Mendova të flas, për gjithë sa radhita më lart, nuk mund t’i mbaj akoma, është koha të shkarkohem prej tyre. Dhe po e mbyll me, si e fillova këtë letër: “Mbase do të më quhet marrëzi. Në qoftë se për të thënë të vërteta, u dashka të jesh i marrë, atëhere – rroftë marrëzia”!
Burrel, nga 1987, më 1990
NE KËRKIM TE TE VËRTETAVE TE PATHËNA…!
(Shënime nga kujtime e ato të dëgjuara – të hedhura pas burgut).
Janë radhitur këtu, copëza nga kujtime të mia, të para me një sy tjetër sot – më afër së vërtetës; si dhe nga sa hynin e fliteshin qelive të burgut, nga persona të pranishëm e në dijeni të ngjarjeve, për të cilat do të flas – gjithmonë në kërkim të të vërtetave, të pathëna. Shtoi: në të dy rastet, do qëndroj te disa prej tyre, ato që quajta më kryesore.
Vitet 1947-’48-të
E vërteta është se në ato vite, ka patur te ne një rrymë të ndjeshme, kundër ndërhyrjes e rrezikut jugosllav, që kërcënonin pavarësinë e vendit; kundër asaj politike të nënshtrimit e kapitulluese, që ndiqej ndaj Beogradit. Një ndër ata isha edhe unë. Më poshtë do të sjell disa nga rastet, ku jam ndodhur i pranishëm, më është dashur t’i kundërvihem ndonjë herë edhe hapur, jam kritikuar e më është hequr vërejtja, janë marrë edhe masa dënimi. Do të përpiqem, të jem sa më konciz.
– Në maj të ’45-ës, u mbajt Kongresi i II-të i Rinisë Antifashiste të Shqipërisë. Delegacioni i rinisë jugosllave, që kishte ardhur me këtë rast, provokoi hapur me parullën; “Bashkim-vëllazërim”, e ndërhyrje të tjera. Meqë më takoi të ndeshem me ta kaq herë, më akuzuan për qëndrim anti-jugosllav dhe puna arriti deri atje, sa u bë një mbledhje tek Enver Hoxha, ku merrnim pjesë disa nga ne të rinisë, me Nako Spiron në krye, ishin të pranishëm edhe Koci Xoxe, ambasadori jugosllav V. Stoiniç dhe kryetarja e delegacionit të rinisë jugosllave, njëfarë B. Peroviç, në të cilin u kritikova rëndë, për kundërvënie ndaj miqësisë shqiptaro–jugosllave. Në atë mbledhje, nuk u shkua më tej, me kaq sikur u mbyll, por nuk u harrua.
-Po atë vit, kur u ktheva nga Kongresi i Rinisë Ballkanike, që u mbajt në Beograd, ku kryesoja delegacionin e rinisë sonë, prej andej kishte ardhur një akuzë tjetër, se me qëndrimet e mia anti-jugosllave, kisha vënë në rrezik punimet e tij dhe prapë më qortuan. Rrethi sa vinte po shtrëngohej; nga nivelet rinore, kaloi në ato partiake. Pesha e tyre ndihej tani, përherë e më shumë.
-Në ‘46-ën, erdhi në Tiranë ministri i Jashtëm i Jugosllavisë, njëfarë Simiç. Në atë kohë, isha kryetari Komisionit të Agjitpropit, pranë Komitetit Qendror të partisë. Meqë në mungesën time, ngase ndodhesha jashtë Tiranës, me urdhër të s’di kujt, qe mbushur kryeqyteti, me portrete të Titos e flamuj jugosllavë, ç’ka e quajta të padrejtë, vajta e protestova tek Enver Hoxha. Shtanga kur më tha: “Duhet ta kuptosh, se nuk bëjmë dot çap pa Jugosllavinë, pra kështu do të ecet”. Aty m’u shtuan edhe më pikëpyetjet.
– Nga qershori i ’46-ës, fillova të marr pjesë në mbledhjet e Byrosë Politike, të Komitetit Qendror, si kandidat i saj – kështu u pat thënë atëhere, paçka se më vonë, në librin e tij “Titistët”, Enver Hoxha, thotë ndryshe: “Pas zgjerimit që i bëmë Byrosë, në verën e 1946-ës, nuk u pranuan si anëtarë, madje as si kandidatë, por si tre shokë, pranë Byrosë. Këta ishin; Liri Belishova, Mehmet Shehu e Fadil Paçrami”. Pra, edhe ndodhi që i jetova për së afërmi, disa nga ngjarjet e kohës në nivelet më të larta. Enver Hoxha, thotë se anëtarë të Byrosë, ishin edhe Tuk Jakova, Hysni Kapo dhe Gogo Nushi, por unë s’mbaj mend që këta të kenë qenë të pranishëm, në mbledhjet që bëheshin. Po ashtu edhe Mehmet Shehu, veç rasteve kur është diskutuar për çështje të ushtrisë, si shef i Shtabit të Përgjithshëm, që ishte.
Nuk diskutoj nëse ishin, ose jo të tillë, por kështu ndodhte. Mbledhjet bëheshin pa ndonjë rregullsi, s’kishte kohë e data të caktuara, veç kur lajmëroheshim, shpesh natën, as rend dite, nuk shpërndaheshin as materiale, për sa do të diskutohej, edhe proces-verbale, nuk mbaheshin, veç shënimeve në ndonjë rast. Ato bëheshin në shtëpinë e Enver Hoxhës, rreth një tryeze katërkëndëshe dhe qëndrohej në këtë mënyrë: në krye Enver Hoxha, nga e djathta e tij, në brinjën për së gjati, Koci Xoxe, Nako Spiro, Kristo Themelko dhe unë, kurse në krahun tjetër, majtas- Bedri Spahiu, Pandi Kristo e Liri Belishova. Në dy vendet e mbetur bosh,= nga fundi, zinin vend, sipas rastit, ata që vinin të ftuar e, për të raportuar. Që bëheshin edhe mbledhje më të ngushta, veçmas, duke mos thirrur disa nga ne të tjerët, kjo pat dalë më vonë.
Për çështjet lidhur me marrëdhëniet me partinë e qeverinë jugosllave, nuk është diskutuar ndonjëherë shtruar në Byro në atë kohë, duket ato bisedoheshin në mes Enver Hoxhës e Koci Xoxes, veç dy tri rasteve, që nuk u mënjanuan dot.
-Nga pranvera e ‘47-ës, Beogradi i shtoi më tej presionet për ta kthyer Shqipërinë, në një republikë të shtatë të Jugosllavisë. U fol për hartimin e një plani ekonomik dyvjeçar dhe u punua për këtë, por shpejt doli, se nën maskën e koordinimit të planeve, Beogradi, synonte ta integronte Shqipërinë, në Federatën e Jugosllavisë. Çështja shpërtheu nga Nako Spiro, në një mbledhje të Byrosë që u bë në Pallatin e Brigadave dhe atje plasi sherri në mes të Nako Spiros dhe Koci Xoxes me të thirrura, përplasje grushtesh mbi tavolinë dhe fjalësh të rënda.
Ndër idiotësitë e pretendimeve dhe të këmbënguljes së jugosllavëve e të Koci Xoxes, ishte edhe ndërtimi i një hekurudhe, që të lidhte Shqipërinë me Jugosllavinë dhe kjo të kalonte përmes maleve, gjatë luginës së Drinit, çka s’ishte veç një aventure, për t’i hyrë një pune pa krye, dhe kundërshtimi i saj nga Nako Spiro, sillej si një provë e qëndrimeve anti-jugosllave! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016