• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, April 12, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në 1967 kur Enver Hoxha filloi sulmin frontal kundër fesë, bota myslimane reagoi ashpër dhe gazeta ‘Al Arabi’ e Kuvajtit, botoi për Shqipërinë një…”/ Dëshmia e rrallë e studiuesit nga SHBA-ës

“Në 1967 kur Enver Hoxha filloi sulmin frontal kundër fesë, bota myslimane reagoi ashpër dhe gazeta ‘Al Arabi’ e Kuvajtit, botoi për Shqipërinë një…”/ Dëshmia e rrallë e studiuesit nga SHBA-ës
“Sekretari i I-rë i ambasadës sovjetike, shoku Vasil Siminev, bëri takim me mua këtu në Kryeministri dhe pasi më bëri 17 pyetje në lidhje me besimet fetare, unë…”/ Zbulohen dokumentet e rralla të vitit 1955
“Në vitin 1981, Ismail Kadareja, po merrej me një skenar për filmat që do bëheshin për Mehmet Shehun, kurse Dritëro Agolli me Virgjil Kulen…”! / Dëshmia e rrallë në hetuesi, e oficerit të grupit të shoqërimit
Memorie.al
Memorie.al
Fotografi të Gjergj Fishtës mes klerikëve dhe personave të ndryshëm
“Cinizmi i partiakëve dhe pushtetarëve të rrethit të Lushnjes arriti kulmin, kur përjashtuan nga partia një të vdekur, pse ky nuk pranoi me gjallje, që…” / Kujtimet e ish-të internuarit politik, Sokrat Shyti

Nga Prof. Gjon Sinishta*

Pjesa e parë

Memorie.al / Materiali i mëposhtëm është një dokument jo shumë i njohur për lexuesin shqiptar, një skanim i persekutimit të klerit dhe besimit fetar në Shqipëri, shkruar nga Prof. Gjon Sinishta më 1983, një antikomunist shqiptar me origjinë nga Mali i Zi, i burgosur në ish-Jugosllavi në vitet 1950. Në kohën e botimit të materialit ai ishte profesor në Universitetin e San-Franciskos në SHBA-ës. Vetë z. Sinishta kishte studiuar në Seminarin Jezuit të Shkodrës deri më 1946, me dëshirën për t’u bërë prift, prandaj qasja e tij ndaj shkeljes të të drejtave të besimtarëve në Shqipërinë komuniste është unike dhe e një rëndësie të veçantë.

Gjon Sinishta lindi më 8 prill 1929 në Podgoricë të Malit të Zi, atëkohë pjesë e Jugosllavisë dhe ndërroi jetë më 9 maj 1995 në San-Francisko, SHBA-ës. Ai ndoqi seminarin Jezuit të Shkodrës deri në vitin 1946, me shpresën se do të bëhej prift. Pas mbylljes së shkollës dhe represionit komunist ndaj katolikëve në veri të vendit, Gjoni me familjen e tij u shpërngulën sërish në Jugosllavi, ku ai punoi për disa vite në radio, derisa më 1956 u arrestua si antikomunist dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. Pas daljes nga burgu u arratis në Austri, më pas shkoi në Itali dhe më 1965 emigroi në SHBA-ës.

Gjithashtu mund të lexoni

“Punë e madhe që vdiq Enver Hoxha, po të kish vdekur më përpara, do të ish gjallë Mehmet Shehu, i cili do të…”/ Dokumentet e Sigurimit për “komentet e elementit armik” në rrethin e Vlorës, 11 prill ‘85

“Në Gjirin e Rodonit e Ksamil janë dy anije sovjetike, në kufirin me Jugosllavinë janë shtuar trupat ushtarake, postat greke me flamurin në gjysëm shtizë…”/ Raportet e Sigurimit, 11 prill ‘85, ditën që vdiq Enver Hoxha

Sinishta kreu studimet universitare në Miçigan dhe u diplomua në Universitetin “John Carroll” të Klivlandit, Ohajo. Më 1967 ai botoi “Flijim për Shqipninë” (“Sacrifice for Albania 1946–66”) kushtuar persekutimit të klerit nga komunistët. Më vonë themelon “Qendrën Informative Katolike Shqiptare” në Universitetin e Santa-Klarës, në Kaliforni, e cila zhvendoset më 1977, bashkë me të në San-Francisko, në Universitetin e Jezuitëve, ku prej vitit 1980, do të botohet edhe “Buletini Katolik Shqiptar”. Vepra e tij kryesore mbetet “Premtimi i mbajtur”, botuar në anglisht, italisht dhe spanjisht më 1976, në Santa-Klarë, Kaliforni, mbi persekutimin komunist.

Represioni ka qenë një e vërtetë e hidhur prej vitesh në Shqipëri. Qeveria komuniste, e cila është në pushtet për 38 vjetësh, ka një bilanc tronditës kundër të drejtave të njeriut. Që në fillimet e veta në vitin 1944, kjo qeveri ka abuzuar vazhdimisht me të drejtat dhe liritë më elementare të qytetarëve shqiptarë, duke shkelur hapur ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të cilave ka pranuar solemnisht t’u përmbahet.

Ndonëse aktet e paligjshme të qeverisë shqiptare ndaj qytetarëve të saj janë të shumta, këtu do të paraqes vetëm një aspekt që së fundmi ka tërhequr vëmendjen, si heqja e besimeve dhe praktikave fetare. Përpara vitit 1967, qeveria komuniste, e cila teorikisht e mbështeti lirinë fetare me kushtetutë, në fakt ka ndërhyrë pa mëshirë ndaj atyre që e ushtronin të drejtën për të praktikuar dhe shpallur fenë e tyre. Kjo farsë përfundoi në vitin 1967 kur qeveria, duke e nxjerrë të paligjshme praktikën fetare, në fakt “legalizoi” persekutimin fetar.

Për të kuptuar më mirë këtë situatë është e nevojshme të paraqitet një sfond i shkurtër për vendin dhe popullin shqiptar. Shqipëria është një vend i vogël malor në brigjet lindore të detit Adriatik dhe Jon, midis Jugosllavisë dhe Greqisë. Vetëm dyzet milje nga deti Adriatik e ndajnë Shqipërinë nga Italia. Madhësia e saj është rreth 11.100 milje katrorë. Shqiptarët janë pasardhës të fiseve të lashta ilire, që konsiderohen si banorët më të vjetër të Evropës. Ata e quajnë veten në gjuhën e tyre amtare; “bijtë e shqiponjave,” dhe toka e tyre; “vendi i shqiponjave”.

Vetë Shën Pali e ka prezantuar krishterimin në Shqipëri gjatë kohës së udhëtimeve të tij misionare. Dioqezat si Durrachium (Durrës), Aulon (Vlorë), Scodra (Shkodër) dhe Nikopolis (Preveza) janë ndër më të lashtat në botë. Megjithatë, gjatë sundimit të gjatë të Perandorisë Osmane, i cili zgjati nga shekulli i pesëmbëdhjetë, deri në vitin 1912, një numër i madh shqiptarësh, veçanërisht në ultësira, kaluan në fenë islame. Sot Shqipëria është i vetmi vend evropian me një shumicë myslimane prej 68%; pjesa tjetër janë 19% të krishterë ortodoksë dhe 13% katolikë.

Popullsia e përgjithshme e Shqipërisë sot është rreth tre milionë. Megjithatë, jashtë vendit jetojnë më shumë se tre milionë shqiptarë. Rreth dy milionë banojnë në Jugosllavi; ka 200.000 në SHBA dhe Kanada, duke përfshirë italo-shqiptarët e quajtur arbëreshë; në Itali 300.000; dhe pjesa tjetër në Greqi, Turqi, Rumani dhe vende të tjera.

Pasi fitoi pavarësinë nga sundimi osman në vitin 1912, Shqipëria u kthye në fushëbetejë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u pushtua nga Italia dhe Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pasi rifitoi pavarësinë e saj në vitin 1944, Shqipëria përfundoi në duart e sundimtarëve të pamëshirshëm komunistë të kryesuar nga Enver Hoxha, i cili edhe nisi procesin e shkatërrimit të lirisë fetare, proces që nuk është zbutur me kalimin e kohës, por, në fakt, është intensifikuar.

Ky proces i qëllimshëm politik i nxitjes së urrejtjes ndaj fesë konfirmon qartë vendosmërinë e qeverisë shqiptare dhe të Partisë Komuniste për të eliminuar fenë – me theks të veçantë kundër katolicizmit – nga jeta kombëtare, si me forcë ashtu edhe me legjislacion.

Feja si objektiv

Midis Luftërave Botërore, të krishterët dhe myslimanët ishin të lirë të praktikonin fenë e tyre në frymën e besimit të ndërsjellë dhe marrëdhënieve ekumenike. Me ardhjen e komunizmit në fund të vitit 1944, kjo liri dhe marrëdhënie harmonike mes besimtarëve filloi të sulmohej qëllimisht. Qeveria e re, sapo e konsolidoi pushtetin, nisi një program të dyfishtë antifetar.

Së pari, në përpjekjen për të dominuar të gjitha besimet fetare, autoritetet komuniste filluan të reduktojnë të gjithë strukturën fetare në vend për ta cenuar shpirtërisht dhe funksionalisht, duke shfrytëzuar çfarëdo pushteti formal që kishin kishat në mbështetje të synimeve të komunizmit ndërkombëtar. Së dyti, si masë të njëkohshme, regjimi zbatoi agjitacion të vazhdueshëm publik kundër fesë.

Në realizimin e këtij programi të përgjithshëm, regjimi ndoqi tri strategji të veçanta, por të ndërlidhura:

  1. Tolerimi, brenda kufijve, i islamit. Në përgjithësi, me disa përjashtime të klerit të lartë, feja myslimane nuk ishte një pengesë e madhe për regjimin e ri. Duke aplikuar butësi të shtirur, qeveria dëshironte ta përdorte atë si një mjet propagande ndaj botës myslimane.
  2. Megjithëse regjimi e konsideronte ortodoksinë lindore përgjithësisht armike, ai megjithatë u përpoq ta përdorë Kishën Ortodokse për shkak të patriotizmit të vet tradicional, si një instrument për të mobilizuar popullsinë ortodokse të Shqipërisë pas politikave të veta.
  3. Eliminimi i plotë i katolicizmit për shkak të fuqisë së tij të fortë shpirtërore, kulturore dhe organizative. Për shekuj me radhë klerikët dhe ithtarët e kësaj kishe ishin kryesuesit e ripërtëritjes kombëtare, kulturore dhe fetare të shqiptarëve. Shumica dërrmuese e katolikëve nuk ishin dashamirës ndaj regjimit të ri (komunist).

Për të ndjekur këtë program, qeveria dhe aparati brenda Partisë Komuniste dolën me metoda të ndryshme për t’i privuar kishat nga të ardhurat e tyre bazë, për të frenuar ndikimin e tyre dhe për të nxjerrë jashtë ligjit mësimin fetar në publik, duke shpronësuar pronat e manastireve dhe urdhrave fetarë, të gjithë shkollave të ndryshme, duke përfshirë seminaret, bibliotekat etj.

Në të njëjtën kohë, organet e propagandës u angazhuan në një fushatë masive shpifjesh kundër të gjithë udhëheqësve fetarë, veçanërisht më të pa lëkundurve, me qëllim diskreditimin e udhëheqjes së tyre shpirtërore dhe karakterit moral. Ligjet e reja dhe urdhrat e posaçëm që pasuan shpejt e ndaluan zgjedhjen ose emërimin e zyrtarëve të kishës pa miratimin e qeverisë.

Të gjitha letrat baritore, mesazhet, fjalimet dhe memorandumet që do të shtypeshin ose bëheshin publike në çfarëdo forme duhej t’i dërgoheshin Këshillit të Ministrave përpara botimit. Më tej, ligjet e reja kërkonin që arsimimi i të rinjve të bëhej vetëm nga shteti. Po ashtu komuniteteve fetare u ndalohej të vepronin në spitale, jetimore, institucione të mirëqenies, shtypshkronja dhe të kishin pasuri të paluajtshme.

Feja myslimane

Enver Hoxha, kreu i komunistëve shqiptarë, që është dhe vetë mysliman, ka deklaruar vazhdimisht se; “Feja myslimane, pasuesit dhe kleri i saj nuk ishin pengesë serioze. Edhe para pushtimit të vendit, por më shumë më pas, hierarkia e besimit mysliman ishte e dobët, pa përvojën e duhur për të na shkaktuar telashe…! Nga ana tjetër, Partia dhe qeveria nuk mund të fyenin ndjenjat fetare të një një numri të madh myslimanësh të lidhur ngushtë me Partinë dhe pushtetin e popullit…”! (Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë, fq. 622-624).

Kështu, brenda një periudhe të shkurtër, pa konfrontim të drejtpërdrejtë, regjimi arriti ta kontrollojë totalisht këtë fe duke sulmuar veçmas, njëri pas tjetrit, sektet e shumta myslimane në Shqipëri, për të dobësuar sistematikisht të gjithë kompleksin e këtij trupi fetar. Në fillim regjimi favorizoi sektin e fuqishëm të bektashinjve dhe tre nga udhëheqësit e tyre: Baba Faja, Baba Fejzo dhe Sheh Karbunara u zgjodhën “deputetë në Asamblenë Popullore në vjetin 1945. Kur të tre u vranë më vonë, kjo aleancë shkoi drejt një fundi të papritur.

Më pas regjimi përdori taktikat e njohura të burgimit, torturës dhe ekzekutimit të gjithë udhëheqjes së klerit mysliman, që ishin: Baba Zylfo, Baba Qamili, Baba Ali Tomori, Baba Myrteza, Baba Xhemal Koshtani (Sheh i Bilishtit), Mustafa Varoshi (Myftiu i Durrësit), Baba Kamberi dhe Dede Abazi. Të tjerë, si Hafiz Ibrahim Dalliu, Sheh Xhemal Pazari i Tiranës, Hafiz Ali Tari i Shkodrës dhe Hafiz Ibrahim Dibra, Myftiu i Madh i Shqipërisë, u dënuan me burgime të gjata ose, u dërguan në kampet e punës së detyruar për të mos u kthyer më.

Vlen të theksohet se qeveria komuniste e përdori fenë myslimane për një periudhë të konsiderueshme kohore, për të përmbushur një qëllim specifik në lidhje me vendet myslimane, duke u demonstruar atyre “përputhshmërinë harmonike të komunitetit mysliman me komunizmin”. Nën hijen e qëllimeve fetare dhe kulturore, delegacione të shumta myslimane shqiptare ishin mjaft aktive në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut për të propaganduar linjën e Moskës dhe nismat e paqes. Në të njëjtën kohë, delegacionet nga këto shoqëri u ftuan të vizitonin Shqipërinë dhe ta shihnin vetë jetën myslimane “progresive”.

Megjithatë, në vitin 1967 kur Enver Hoxha filloi sulmin frontal kundër të gjitha feve, kjo veprimtari u ndërpre. Bota myslimane reagoi në mënyrë shumë kritike ndaj kësaj mase antikushtetuese dhe antinjerëzore të qeverisë shqiptare ndaj popullit të saj. Al Arabi, një botim kulturor islamik i Kuvajtit me tirazhin më të madh në botën arabe, shprehu qartë në një artikull për Shqipërinë: “Shqipëria nuk ka qenë kurrë një shtet mysliman në kuptimin kushtetues të fjalës dhe dekreti i vitit 1967 (heqja e të gjitha feve) është një proces i natyrshëm i zhvillimit të çështjes fetare në Shqipëri”!

Kisha Ortodokse

Ortodoksët shqiptarë dhe kisha e tyre nuk e kanë pasur gjithmonë të lehtë të deklarojnë besimin dhe identitetin e vet kombëtar. Të shpallur si grekë për shkak të aderimit në ortodoksi të klerikëve dhe politikanëve shovinistë grekë, ata kanë luftuar fuqishëm për t’u identifikuar me kombin shqiptar. Për shkak të karakterit tradicional nacionalist të Kishës Ortodokse, plani i qeverisë ishte, në radhë të parë, që ta përdorte si një instrument për mobilizimin e popullsisë ortodokse pas politikave të veta.

Në të njëjtën kohë u ndërmorën hapa për eliminimin e elementeve brenda Kishës që konsideroheshin; “të pabesueshëm”. Për të pasur sukses me planin, të gjitha kishat dhe manastiret u infiltruan nga agjentë dhe simpatizantë komunistë. Menjëherë pas zbatimit të kësaj, regjimi e vuri nën kontrollin e vet të gjithë Kishën. Seminari i tyre i vetëm u mbyll, ndërsa disa ndërtesa kishash dhe manastire, si ato të Ardenicës, Nartës, Vlorës dhe Voskopojës, u konfiskuan.

Eliminimi i krerëve të Kishës Ortodokse u krye në të njëjtën mënyrë si me klerin mysliman dhe katolik – me vrasje, ekzekutim, burgim dhe torturë. Kështu, gjatë një periudhe më pak se pesëvjeçare, regjimi vrau ose futi në burgje dhe kampe pune shumicën e hierarkisë, e cila përfshinte: Visarion Xhuvani, Kryepeshkop i Elbasanit; Peshkopi Irine i Apolonisë (Pojan); Peshkopi Agathangjel Cance i Beratit; Peshkopi Irine, zëvendës-mitropoliti i Korçës dhe Gjirokastrës; Papas Josif Papmihaili, promotor i Kishës Uniate; dhe shumë priftërinj dhe dhjakë të tjerë të thjeshtë.

Kryepeshkopi shumë i kulturuar Kristofor Kisi, kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare, u hoq dhe u çua në burg, ku vdiq i poshtëruar. Ai u zëvendësua nga qeveria me Pais Vodicën, një prift i zakonshëm i martuar dhe agjitator komunist.

Ashtu si në rastin e fesë myslimane, qeveria përdori edhe Kishën Ortodokse për qëllime të politikës së jashtme. Gjatë tutelës sovjetike të Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë u detyrua të bashkëpunonte ngushtë me Patriarkanën e Moskës dhe Pais Vodica mori pjesë në emër të Kishës Ortodokse Shqiptare në të gjitha konferencat e paqes të organizuara nga Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, pasi Shqipëria u shkëput me Moskën në vitin 1961, lidhjet midis dy kishave u ndërprenë papritur./ Memorie.al

*Universiteti i San-Franciskos (1983)

Marrë nga libri i Universitetit “George Fox”, “Punime të herëpashershme mbi fenë në Evropën Lindore”, vëllimi 3, Nr. 5.

                                                    Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 12 Prill 2026

Next Post

“Gazeta ‘Shqypëja e Shqypënis’ e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga, e kundërshtuen Valiun, pasi...”/ Historia e panjohur e dy patriotëve nga Kosova

Artikuj të ngjashëm

“Punë e madhe që vdiq Enver Hoxha, po të kish vdekur më përpara, do të ish gjallë Mehmet Shehu, i cili do të…”/ Dokumentet e Sigurimit për “komentet e elementit armik” në rrethin e Vlorës, 11 prill ‘85
Dossier

“Punë e madhe që vdiq Enver Hoxha, po të kish vdekur më përpara, do të ish gjallë Mehmet Shehu, i cili do të…”/ Dokumentet e Sigurimit për “komentet e elementit armik” në rrethin e Vlorës, 11 prill ‘85

April 12, 2026
“Në Gjirin e Rodonit e Ksamil janë dy anije sovjetike, në kufirin me Jugosllavinë janë shtuar trupat ushtarake, postat greke me flamurin në gjysëm shtizë…”/ Raportet e Sigurimit, 11 prill ‘85, ditën që vdiq Enver Hoxha
Dossier

“Në Gjirin e Rodonit e Ksamil janë dy anije sovjetike, në kufirin me Jugosllavinë janë shtuar trupat ushtarake, postat greke me flamurin në gjysëm shtizë…”/ Raportet e Sigurimit, 11 prill ‘85, ditën që vdiq Enver Hoxha

April 11, 2026
“Kur pikëpamjet e ideologjisë së federalizmit jugosllav, u bënë kulminante duke e mohuar qenësinë e shqiptarëve, ai u burgos nga UDB-ja, pasi…”/ Historia e panjohur e profesor Sulejman Elezit
Dossier

“Kur pikëpamjet e ideologjisë së federalizmit jugosllav, u bënë kulminante duke e mohuar qenësinë e shqiptarëve, ai u burgos nga UDB-ja, pasi…”/ Historia e panjohur e profesor Sulejman Elezit

April 9, 2026
“Sigurimi akuzonte Rexho Plakun, P. Lolin dhe Sh. Rushitin, se në nëntor 1945, ishin takuar në Pagaj të Konispolit, me nënkolonelin grek, Miltiadh Muzaqitis…”/ Historia e grupeve antikomuniste pas vitit ‘45
Dossier

“Sigurimi akuzonte Rexho Plakun, P. Lolin dhe Sh. Rushitin, se në nëntor 1945, ishin takuar në Pagaj të Konispolit, me nënkolonelin grek, Miltiadh Muzaqitis…”/ Historia e grupeve antikomuniste pas vitit ‘45

April 9, 2026
“Shteti shqiptar harxhoi 2.5 milion Euro në vitin 2002, për ndërtesën e ambasadës shqiptare në Athinë, kur 6.3 km. më larg, në rrugën ‘Vasilisis Sofias’…”/ Historia e pronave shqiptare të grabitura nga Greqia
Dossier

“Shteti shqiptar harxhoi 2.5 milion Euro në vitin 2002, për ndërtesën e ambasadës shqiptare në Athinë, kur 6.3 km. më larg, në rrugën ‘Vasilisis Sofias’…”/ Historia e pronave shqiptare të grabitura nga Greqia

April 9, 2026
“Arshi Pipa, s’kishte dëshirë të fliste për njerëzit që i kishin bërë keq në Shqipëri, por më tha vetëm për profesorin, që kishte marrë pjesë në dënimin e tij, Koço…”/ Dëshmia e rrallë e studiuesit francez
Dossier

“Për rrethin e Social-demokratëve të Korçës që drejtohej nga Dr. Lito, Sigurimi dyshonte se lidhej me Myzafer Pipën në Shkodër, pasi Drita Kosturi…”/ Historia e grupeve antikomuniste pas vitit ‘45

April 11, 2026
Next Post
“Gazeta ‘Shqypëja e Shqypënis’ e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga, e kundërshtuen Valiun, pasi…”/ Historia e panjohur e dy patriotëve nga Kosova

“Gazeta ‘Shqypëja e Shqypënis’ e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga, e kundërshtuen Valiun, pasi...”/ Historia e panjohur e dy patriotëve nga Kosova

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme