Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e tetëmbëdhjetë
Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Ferit Lopa
Mbiemrin e kishte ndryshe, por i mbeti “Lopa” si mbiemër…! “U bë sebep një lopë, që i vura gjyzllyqe dielli, me qelqe jeshile, dora jonë, pse?! Jo që ta zbukuroja, dora jonë, jooo, po ajo e uruar lope, s’ma hante kashtën dhe unë tak gjyzllyqet jeshile, t’i dukej si bar i njomë…! Budallaqe lopë evlat, ja si punë e njeriut, merr vesh ti…”!
E pata njohur Feritin në Spaç, qysh në fillim, por në birucën ndëshkimore, jam 24 orë me të. Historitë e tij i dinë të gjithë, por t’i dëgjosh nga goja e Feritit, është më interesante. Duhet të jetë mbi 50 vjeç, rreth 1.75 m. i lartë, buçko, me një pamje groteske, gjithmonë i qeshur, sikur sapo ka dëgjuar ndonjë barcoletë. Në xhaketat e uniformës së burgut, ka të qepura kopsa ushtarake me yll.
Kur e pyes përse, më përgjigjet duke fërkuar yllin e kopsës me gishtin tregues: – “Aaa, dora jonë, nuk e ditke pse i mbaj?! I mbaj, dora jonë, që të mos harroj se ky yll i vockël, na futi zjarrin neve, i mbaj që të më kenë me sy të mirë policët…! Haha…! Aq dinë ata. U thotë Feriti atyre: Pse të mos e mbaj?! Nuk ju pëlqen ylli yve?! Feriti ngorth për këtë yll! Kanë frikë ata, o dora jonë. Kanë frikë, dhjesin në brekë, mos i shpjenë në kooperativë dhe qeshin: ‘Kush merret me Feritin’, thonë”.
Në qoftë se të humbet diçka, e gjen vetëm te Feriti, që ta kthen kundrejt një shpërblimi, 5, 10, ose 20 cigare, varet çfarë të ka humbur. Nuk vjedh Feriti, ama, po e humbe një çast vëmendjen, apo, harrove diçka diku, Feriti është aty. Edhe kur u bë revolta e Spaçit, ndërsa të gjithë merreshin me peticione, mbledhje, sipas grupeve dhe bindjeve politike, Feriti shkonte në të gjitha mbledhjet…! “Unë propozoj, t’i biem dyqanit, dje është furnizuar, kanë sjellë edhe hallvë Stambolli”!
Kur i përgjigjeshin që; “Ne nuk jemi hajdutë”! Feriti hazër xhevap: “Mirë, dora jonë, hajdutë nuku ini, por çfardo qofshi, njeriu do të hajë! Ç’kini bre, e hap Feriti dyqanin, ju mos u trazoni”. Kur i thanë se; nëse grabitet dyqani, do ta varnin në mes të kampit, Feriti u bind. Filloi të bënte roje te dyqani, që të mos e grabisnin të tjerët. Nuk linte njeri të afrohej: “Largohuni, s’kini punë këtu. Aaaa, e vjeth Hamiti, ta hajë Feriti? Jo… dora jonë, jo…”!
E kisha dëgjuar edhe historinë e dënimit të tij nga të tjerët. Këndellet nga kënaqësia, kur i them të më tregojë historinë…!
– “Nuk e ditke ti, dora jonë?! Po ka njeri në Shqipëri, që s’e di historinë e Feritit…?! Aaa, dashke ta dëgjosh pe gojës seme?! Ta them unë, se s’kemi ç’bëjmë tjatër këtu. Që thua ti, dora jonë, isha ndihmës traktorist në SMT, andej nga Myzeqeja…! Ehe, s’ke bredhur vetëm ti, është i gjezdisur edhe Feriti. Merrnin bukën me vete traktoristët, po kur vinte vakti i drekës, kërko torbat e bukës, hiç…! Aaaa, një ditë, dy…! ‘Si është kjo punë?! Feriti është gjithë ditën me neve. S’ka si t’i vjedhë e t’i hajë…’! Në mos njeri, tjetri do ta kishte parë’!
…Ke parë ti, dora jonë, më ish hapur nami që ahere, se vjeth Feriti. Opo, më mirë syri, se nami! Vendosën këta, të ngrenë grupin e hetimit, për operacionin; ‘Kush është ai dobiç, që na ha bukën’?! Roje këta. Me radhë. Rrinin fshehur te ferrat dhe ruanin torbat e bukës. E kapën hajdutin. Ishte një qen i kooperativës. E po tani…?! ‘Çdo bëjmë me qenin’?! Ta rrahim?! Ta lidhim?! T’ia shpjemë të zotit…?! Njëqind mendje, dora jonë. Them unë: Pse mos ngremë një trup gjykues, me prokuror, gjykatës, ndihmës gjykatës, sekretar, avukat, si e do sëra e punës, kur ndoth një gjë si kjo’?!
Ma pëlqyenë mejtimin ata, që thua ti. Caktuan prekurorin e gjithë të tjerët. Unë u bëra, avukat mbrojtës. E mora qenin mënjanë, lidhur te një pemë. Dridhej nga frika, gjyna. Prekurori tha ta varim në litar, se është përsëritës, në krim. Unë si avukat, thashë: Po sikur t’ia japim një herë dorën, ta falim këtë herë, të marrim parasysh moshën e mitur. Është rritur jetim, kush do ta edukonte të shkretin?! E ka prishur shoqëri e keqe të gjorin, ka parë miletin që vjeth, në kooperativë dhe tha: pa ta provoj dhe unë njëherë!
Copë u bëra, për ‘Murro Myzeqarin’. Këtë emër i vumë qenit, dora jonë. Sado që në fjalën e fundit, në mbrojtje të ‘Murro Myzeqarit’, u luta me aman e derman: More po ta shpjemë në internim, apo s’ka vende internimi, plot Myzeqeja, ta shpjemë në riedukim…?! Jo se jo ata: ‘Në litar’…! ‘Po sikur…’?! ‘Jo’! ‘Me vdekje’!
Kështu e varën ‘Murron’ e ngratë. I varën dhe tabellën në qafë: ‘Murro Myzeqari’ ka kryer krimin e përvetsimit të pronës private, të traktoristëve që punojnë të ndërtojnë socializmën, neni aq e kaq, dënohet me varje në litar, ‘Murro Myzeqari’ nga Divjaka, vjeç 2’. Poshtë, shkruan emrat: kryetari i trupit gjykus e të tjerët. Vunë dhe emrin tim, demek avukati de… 25 vjet më dhanë mua, më shumë nga prekurori dhe kryetari, që e varën. E drejtë është kjo, dora jonë?! Unë thashë t’i falim jetën ‘Murros’, ata më thane; ke tallur bythën, me ligjet tona, me gjukatat tona, me socia-lizmën…! Pse, si thua ti, dora jonë, ligjet që kanë bërë këta, janë për të tallur bythën?! Ta them unë, dora jonë, për të fshirë bythën janë, hë…”!
Policët e Spaçit
Dimri, është mjaft i ashpër, këtu në Spaç. Era e akullt të fshikullon fytyrën, njësoj si britmat histerike të policit Nikoll Pula. Disa muaj më parë, më transferuan në zonën e I-rë dhe rruga për të shkuar deri në galeri, është edhe më e gjatë se deri te zona IV-ët. Por gjithsesi, është më e shkurtër se rruga deri në zonën II-të, ku punova pak muaj. Polici shoqërues i brigadës në zonën II-të, quhet Mark T., prej Rrësheni.
Bërtet shumë Mark T., por britmat dhe kërcënimet e tij, nuk trembin njeri. Zjarrmëtari Ndrec, tregon që Mark T., ka një grua shumë të bukur, që është valltare e grupit folklorik të Rrëshenit dhe punon si bufiste, në barin e qytetit. Marku, kohën e lire, e kalon i veshur civil, në barin ku shërben e shoqja. Një ditë, kur hyn Marku në bar, sheh një tip, që ia kishte ngulur sytë së shoqes. Ulet në tryezën e atij tipit: “Nga të kemi, or ti”?!
“Nga Tirona, kom ardh me shërbim sot”, i përgjigjet ai tipi. “Fort po ia ngulke syt, asaj bufistes, or ti”?! i tha Marku qetësisht. “Qeka shumë e mirë dreqi! Ehhh, lum ai që ia hyp asaj”, thotë tiranasi. Marku, pa e prishur qejfin fare i thotë: “Qe ku më ke mu. Un ia hypi, sa herë më don qejfi! Po ti kris bithën, e dil përjasht me të mira, se ajo asht gruja ime, o pallavesh“! Qejfi i Markut, është të mbajë fjalime para brigadës, përpara fillimit të punës.
Thotë gjithnjë po ato fjalë: “Ndigjoni ktu të dënum! Ndigjoni dhe mbushniu me mend! Kush nuk më kap ciklin, asht kriminel dhe për kriminelat, Marka T. veç nji dënim ka! Unë ju pushshshkatoj të dënum! Hajt krisni bithën, e futniu në galeri e, na qisni faqebardhë”! Nëse ndokush qesh, Marku ia fillon: “Kush krrriminel asht, aj që po qeshet? Pushshkatimi të pret, krrriminel”!
Por vetëm fjalë ka Marku, nuk ka ndëshkuar njeri ndonjëherë. Vetëm njëherë, e pashë vërtet të inatosur, Mark T…! Një i dënuar, i ri në moshë, kishte goditur një të dënuar tjetër, më të moshuar, pa patur të drejtë. “Ndigjo i dënum! Në se e përsërit ma, për qill e për dhé, po të betohet Marka T., do bohesh pishman që ke le! Hik, e mos më dil ma parasysh! Nuk ke turp, si nuk t’u dhimbs, mor rrugaç! Tjetrit i ka dalë shpyrti më galeri, e ti, i bjen në shpulla! Turp”!
…Polici Nikoll Pula, është i ri në Spaç. Mendjemadh dhe shpirtkeq. Është parë shpesh, në shoqërinë e operativit të Sigurimit të Spaçit. Ka disa ditë që shoqëron brigadën ku punoj unë, këtu në zonën e I-rë. Që në ditën e parë, e ndjej se nuk do t’i kem punët mirë me të. Kur jemi të rreshtuar, për të vajtur në punë si zakonisht, pasi nxjerr një bllok nga xhepi, afrohet te të dënuarit, që mbajnë mustaqe: “Maks Rakipi je ti? Jo a, mir…! Aaa, ti qeke Maks Rakipi, pra”!
– “Rakipaj, zoti shef”.
– “Hajt se tash p’e shef”! – zgërdhihet polici Nikoll.
– “Ulni jakat e kapotave, që të gjith. Mos kena llafe, kur të hypim nalt. Mos thoni që nuk ju dula borxhit”!
Sado ftohtë që bën, që të gjithë ulim jakat e palltove të rrjepura ushtarake, të uniformës ngjyrë kafe të burgut. Bie një dëborë e imët, që ngrin në çast, sapo prek tokën e akullt. Era e veriut që fryn, na e përplas pa mëshirë, në fytyrat e mardhura. Mbërrijmë në sheshin para galerisë. Përsëri në rresht. Mezi presim të hyjmë në galeri, ku nuk ndjehet të ftohtët, por jemi të detyruar të rrimë gatitu, para një polici, që i është mbushur mendja, të bëjë pak gallatë.
Vjen edhe një polic tjetër, me flokë kaçurrela, Mark Gj. Edhe ky është i ri në Spaç. Nga shprehja e fytyrave të tyre idiote, pritet të ketë ndonjë sherr. Por si?! Ne rrimë gatitu dhe të heshtur. Dy policët na hetojnë një nga një, duke na parë në sy. Kanë një ngërdheshje të shpifur. Nxjerrin nga rreshti, një të burgosur shtatshkurtër dhe të imët. Është Gëzim M., nga fshatrat e Tiranës, një djalë i urtë, që nuk i ndihet zëri kurrë.
– “Pse e mbajte ngrejt jakën e kapotës taj?! Me mu don m’u tallë, bitha jote?! Hajt se pe shef tani! Hik e prit para zyrës, vrap! Edhe ti Rakipaj! Nuk të pëlqejnë urdhnat e mia, ty?! Pse e majte jakën ngrejt”?!
– “Nuk është e vërtetë. Jakën e kam patur gjithmonë të ulur, si gjithë të tjerët, zoti polic”! – u përgjigja me zë të qetë.
– “Mylle! Mylle po t’tham! Ik edhe ti, prit atje ke qetri”!
Dal nga rreshti. Kam kohë t’i pëshpëris Andreas, që sendet e mia, t’ia çojë Zydiut dhe shkova ku më thanë.
Ka kohë që policët, nuk i rrahin më të burgosurit në Spaç. Para revoltës ndodhnin shpesh rrahje të tilla, por edhe të burgosurit, hakmerreshin duke i rrahur policët, kur i gjenin vetëm në galeri. Shumë prej policëve, i patën provuar grushtat e të burgosurve, të cilët kujdeseshin, të mos u linin shenja në fytyrë.
Policët nuk raportonin, sepse rrezikonin karrierën; në rast se vërtetohej se një polic, ishte rrahur nga të burgosurit, e çmobilizonin dhe e priste puna, në kooperativën bujqësore. Kështu, kur hanin dru, e qepnin gojën dhe mezi prisnin rastin, të merrnin hak. Por, pas revoltës së 23 majit 1973, rrahjet u ndaluan, me urdhër nga lart.
Sot ç’po ndodh?! Duhet të jetë ndonjë porosi, e Operativit Kosta Prifti, që mesa duket i ka porositur, të më japin një “mësim” të mirë. Brigada, hyn në galeri. Dy policët, afrohen te zyra e tyre, para së cilës, pres unë dhe Gëzimi. Gëzimin e marrin brenda. Mua, më lidhin duart prapa, me pranga, te prangat më varin një rrotë vagoni dhe më thonë, të rri jashtë.
Nga dritarja e zyrës, duken dy policët që i ulërijnë Gëzimit të shkretë. Dëgjohen shpullat e para dhe britmat e Gëzimit, që nga dhimbja, bërtet në dialektin e tij: “Oj mome! Oj…! oj…mos, mjaft…! Oj momeee…! Oj momeee… çër bona, mër jahu…?! Pse po më rrifni, kotnasikoti! Ububuja, oj momeee”!
Policët tallen me dialektin e tiranasit të gjorë. Ajo britma e tij; “oj momeee”, duket që i zbavit më tepër. Afrohem pak, aq sa mund të shoh nga dritarja. Dalloj që Gëzimit, ia kanë hequr prangat dhe po e rrahin zgjidhur, me bishtat e kazmave, a të lopatave. Largohem nga dritarja. Rrota e vagonit, po m’i këput kyçet e duarve. Brenda vazhdon dajaku. “Sa kanë që po e rrahin?! Një çerek ore…?! Dy orë, një muaj, 10 vjet?! Pse nuk merr një bisht kazme o Gëzim, i ke fare afër, dreqi e mori…!? Ishalla m’i heqin prangat, kur të më futin edhe mua brenda, për të më rrahur! O unë, o ata! Pse, bëhen edhe 12 vjet burg, duke duruar këta policë-shtazë?! Po arrita të vras ndonjërin prej tyre, mbase më pushkatojnë dhe shpëtoj! Ose të dy! Do t’i vras qentë, vetëm të guxojnë, të më rrahin zgjidhur”!
…Përmendem nga zëri i brigadierit të dënuar, Irfanit, që e pata brigadier muajin e kaluar, në zonën e II-të. Është djalë xhaxhai me Zydi Moravën, por Zydi, nuk i flet, meqë Irfani ka pranuar, të jetë brigadier.
– “Maksi, si është puna? Ç’ne ti lidhur”?!
– “Është Nikoll Pula. E dëgjon, ç’po i bëjnë atij qyqit, brenda?! Po e rrahin zgjidhur. Ja dhe pak, vjen radha ime. M’i bëj të fala Zydit, po nuk u pamë më”.
– “Ika t’i them policit, Mark T. Ai të njeh ty. Aman, mundohu të fitosh kohë dhe mos bëj ndonjë budallallëk, se dhe ti, kokën e Zydit ke! Shyqyr që kalova unë, se kam për t’u çuar kokat e barominave minatorëve të mi…! Ika…”! Dhe ia shkeli vrapit.
Gëzim M. e nxjerrin jashtë të larë në gjak. “Lahu, mut! Qe ku ke ujtin e fuçisë. Edhe marrsh, në galeri! Nuk bane normën, t’njof për burrë, pasha zoten”!
Polici Mark Gj., vjen pas meje, më heq rrotën e vagonit nga prangat, pastaj më heq edhe prangat. “Prit këtu! Kur të thrrasim ne”! Duart, nuk i ndjej fare. Më janë bërë gjak, nga pesha e rëndë e rrotës së vagonit dhe nga të ftohtët. Policët po shplodhen pranë zjarrit, duke tymosur cigaret dhe gajasen duke imituar Gëzimin: “Oj mome,oj momeee!…ahahah…të shkërdhefsha momën, mut muti, ahahahh”!
– “Ajde mren ti, musteqe! Ajde ngrofu pak, se ke mërdhif boll, t’u prit përjasht…! Ahahahaha… e Nikoll, a fillojm me kte”?
“Lamtumirë të dashurit e mi, nënë, baba, motra, Dashi, im vëlla dhe ti, gjyshe e shtrenjtë”, mendoj për herë të fundit, ndërsa hyj në dhomën e torturave.
Hyra në atë që quhet; Zyra e Policit Shoqërues, të brigadës. Një barakë prej dërrasash, dy dritare dhe një derë e ngushtë, që e shtyj dhe futem brenda. Është një dhomë, me dysheme prej dheu të ngjeshur. Ka dy dritare: një pranë derës dhe tjetra, pas shpinës së policëve, njeri prej të cilëve, është ulur mbi tryezë, kurse tjetri, Nikolla, ulur në karrige. Mbi tryezë, një telefon dhe asgjë tjetër. Nga e majta ime, mbështetur pranë murit prej dërrase, janë nja 10 bishta kazmash. Nga e djathta, ngjitur pas murit, një dollap druri, pa derë.
Brenda dollapit, më kap syri, nja 3-4 baromina, rreth një metër të gjata. Një fuçi metalike, e përshtatur për sobë, skuq nga nxehtësia. Policët, duken të djersitur. Më hetojnë gjatë me sy. Edhe unë i shoh drejt në sy. Luftë nervash. Përpiqem të dukem i qetë. Do të kap barominën, përdoret lehtë dhe… një goditje në kokë, mbaron punë. Të parin, do të godas Nikollën. Shoh që nuk e kanë, atë entuziazmin e parë. Buzëqeshjet e kënaqura, iu ikin nga fytyrat prej idiotësh. Nikolla, si më i mençur, fillon të pyesë:
– “Nga je, i dënum”?
– “Nga Durrësi”.
– “Sa vjet je dënu”?
– “Më dënuan me vdekje, por ma lanë 25. Kam bërë vetëm 3 vjet, kam edhe 22 vjet”.
– “Për ça krimesh, të kanë dënu”?
– “Nuk është puna jote të dish, për çka jam dënuar unë”.
– “Ashtu, eee?! Do ta marrim vesh edhe atë punë…! Po na thuj njiherë, pse shet pordh? Aa? Pse nuk i zbaton urdhnat që merr?!
Mat me bisht të syrit, largësinë prej barominës. Mjafton të bëj një hap djathtas dhe mund t’a rrëmbej lehtësisht. I përgjigjem, duke e parë drejt në sy:
– “Ti e di mirë, që jakën e kapotës, e kam pas të ulur, sepse gjatë gjithë rrugës për në galeri, ke qenë një hap mbas meje. Bjeri drejt, ku e ke hallin”!?
– “Shife more Marka Gjergji, si rren! A nuk e don edhe ky nji dajak, si ai qetri”? – dhe çohet në këmbë. Unë bëj një hap drejt barominës. Mjafton të zgjat dorën; kam kohë t’ia hap trutë, para se të zbresë tjetri, nga tryeza ku është ulur. Bie telefoni. E kap polici me kaçurrela: “N’koll, asht Marka T., don me folë me ty”!
– “Përshnetje Marka T.! Si asht puna? Ee? Si thee?! Ehe… po… jo mor burrë, çka je tu thanë…?! Jooo, për zotën, jo…! E mora vesht pra, s’ke nevojë me bërtit…! Qe tash, fill… po s’besove, ajde vet ktu. Hajt tujtjeta Marka T.”! …ti, mushu vrap e, shko në galeri! E provo, mos e kap ciklin, se e shef…! Ajt, zhduku”!
Vdekja ishte fare pranë në Spaç. Mjaft të zgjasje pak dorën…! Ndonjëherë, engjëlli mbrojtës, merrte forma nga më të ndryshmet. Sot, pat marrë pamjen e brigadierit të dënuar, Irfan Morava. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016