Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e njëzetenëntë
“Ndërsa unë isha nën rrënoja, policët i thonin Çelo Arzës: ‘Shoqi komandant, a vazhdojmë m’e kërkue kufomën’?- megjithëse e dinin përgjigjen…”/ Dëshmia e trishtë e ish-të burgosurit të Spaçit
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Rob në “vrimën e Polifemit”!
Mbi krye m’u shembën traversat dhe presioni shkaktoi një turbulencë të hatashme që më rrëmbeu e më plasi mes territ llahtarë. Më gjëmuan veshët sa thua më plasën trutë.
“Dreq, po i dalka zot shpellës qorri ‘Polifemi’”! m’u ndërmend shprehja e Odisesë dhe u zgjata të kapja ndonjë send që t’i rezistoja rrymës. Dora zuri diçka statike që s’e kuptova ç’ishte, gjithsesi shtrëngova gishtat gjer në dhimbje rreth objektit të panjohur, deri sa m’u plas mbi kapelë një peshë e stërmadhe dhe trysnia më ngjeshi pas murit.
“Polifemi po hidhka shkëmbinj”!
Krisën traversat, krisën edhe brinjët e mia, shoqëruar nga një krisje brenda kafkës, sikur truri të qe prej eshtrash dhe po thërrmohej. M’u terr pamja, mendimet u vagëlluan. Teksa dhimbja kaptoi çdo cak, m’u fanitën si në pasqyrë konkave, një vargan figurash pa identitet. Përballë hijeve të vjetra Kaloi pak. Sa? S’jam në gjendje ta kujtoj! Kur panorama nisi të kthjellohej, në mugëtirë u shpalosën do figurina opake, që dora dorës morën trajta humane. Më gërrici nervat një zë metalik, si të dilte nga një lëfyt gjigant:
“Erdhe, hë”? – tabloja u konfondua me terrin.
“Pa shih, pa shih kush qenka”!? – tej e tej terr.
“Ëh, ‘re, a u takuam”? – timbri u bë cinik.
“Zë i njohur!”
Një lugat me barkun kacek m’u krekos para.
“U-ah! Edhe ti prokuror-patriot këtu”?
“Pse habitesh, ‘re? A s’të pata thënë, që do shiheshim së shpejti”? – bëri të çuditurin.
“S’të besova”!
“U-ah! Na u prish gjiza neve, në beson apo s’beson ti! Po tani a u poq qiraxhiu me hanxhiun”? – i gërgëlliu fyti ga-ga-ga.
“S’e mendoja kaq shpejt”!
“Ja që ndodhka, babuç! Ha-ha-ha-ha! I mbushe tetëmbëdhjetat, ëh’?! Nashti ta ndreq lala samarin!
Ngriti feçkën i dehur nga kënaqësia, që po përmbushte profecinë e vjetër apo, i ranë në tru avujt e sadizmit.
“Krra-krra-a-h”! – kakarisi një katana i zi.
“Ç’pati ky arapi”?
“Kënaqësia patriot! Ka lezet oborri i mbretërisë, me të rinj si ti”!
“Krra-krra-a-h”! – u gajas së dyti katanaja dhe prokuror-patrioti, i mbajti iso, krra-krra-a-h.
“Kush qenka ky”?! – hija me pamjen kaba më tromaksi.
“S’e njohe Hadin, ‘re”?
“Mbase do jemi këmbyer dy tri herë kalimthi”! – iu ktheva hijes që kakariste.
“E hëngre patriot, re në çark nashti”! – vazhdoi prokurori.
“Përse e ke kapur me mua”?
“Na shpëtove kaq herë, ‘re”!
Na ndau për pak një perde avulli.
“Shyqyr që theu qafën”!
Bash kur po i gëzova faktit, ai u shfaq pas arapit dhe gajasi:
“Ha-ha-ah, kujtove se ika”?
“Mbase ai është në vendin e tij, po ti patriot ç’kërkon këtu”?
“Jam prokuror unë,’re”!
“E ç’ë pastaj”?
“Ne lipsemi gjithkund, babam”!
“Edhe nën dheu paska nevojë, për prokurorë”? – ia ktheva i çuditur.
“Kur ka mbi-dheu, pse mos të ketë edhe nën dheu”! – qafë demi gufoi e gulçoi.
“O Zot, ma hiq qafe këtë racë ligavecësh! Ptuh, shushunja”! – dhe iu vërtita një këlbazë.
“Lutu dhe mallko sa të plasësh, po ne s’të ndahemi, do të qepemi si menderi pas shollës, në këtë dynja dhe në tjetrën”! – plëndësi i hovi pupthi.
“Ma bini zvarrë atë lapërdharin”! – arapi urdhëroi ca korrozinj me trup njeriu dhe kokë qeni. – “Ama shpejt, se mos na shpëton si herë tjetër”!
Shumë duar njëherësh më hoqën zharg. Ca për krahësh, ca për këmbësh rrekeshin të më rroposnin në Had, por të tjerat ngulmonin të ë mbanin përkëtej.
“Ndihmomë o Azreti Muhamet, shpëtomë o Jezu Krisht”!
“O Perëndi e madhe, ç’dhimbje”! – u ankova.
“Të dhemb, ëh”?
“Aman, vdiqa”!
“Plaç të preftë”! – mallkoi eteri.
Një mors me dhëmbë shkëmbinjsh e kucka trarësh, më shtrëngoi mes nofullave gjigante, më bloi eshtrat mes dy planetëve dhe më degdisi në apokalips.
M’u vunë gjithë djajtë kundër. Në një krah komunistët, në tjetrin Hadi, më burgosën dyfish.
“Ku gjendem, o Zot?
“Në ferr”!
“Ç’lemeri qenka ky ferri, o xhan”!
“Dashke edhe të na ledhatosh, pa le”!?
“Më mbyti angështia…”! – shfreva.
“Aty të daltë shpirti”!
“O Zot, mbromë nga e liga”!
“Gjete kishë të falesh”?!
“Po të lutem me shpirt”! – ndera shikimin drejt zërit.
“Mua!? E di ti cili jam unë”?
“Jo, s’shoh gjë në terr”!
“Aty të ngordhësh”?!
“Zot i madh, mbarova”!
“Kujt po i qahesh”!
“Më dërrmoi kjo peshë”! – u ankova.
“Avash, sapo nisi”!
“Si the”?
“Ankohesh kot, ç’do heqësh ti, o qyq”!
“Ka edhe më”?
“Të kemi taksur kurban”!
“Mua”?
“Ty, se na dole nga binarët”!
“Binarët e kujt”?
“E marksizëm-leninizmit ngadhënjimtar”!
“Shyqyr i shpëtova asaj flame”!
“I shpëtove doktrinës, por jo damllasë”!
“S’u ngopët me burgun”!
“Ka dhe më zi”!
“Më keq se në galerë”?
“Oh-u-a, ka, ore, si s’paska! Do të ngarkojmë globin mbi shpinë”!
“Mua”!?
“Ty, sigurisht”!
“Ha-ha-ha, unë jam kockë e lëkurë, sa me zor mbaj kokën time”! – u shakatova me shpresë t’u ngjallja mëshirë.
“Me sa di unë, globin e mban Atlasi”! – me këtë goxha zbulim, mëtova t’iu kujtoja mitologjinë.
“E mbante dikur”!
“Tani jo”?
“U plak dhe e nxorëm në pension”!
“Dalkan në pension edhe ‘Titanët’”!?
“U lodhën, shekujt ua kërrusën kurrizin”!
“S’e dija që lodheshin ‘Titanët’”!
“Ha-ha-ha, mësoje tani dhe ma gëzofsh globin”! – gjëmoi nën dheu nga e qeshura shungulluese.
“Ju qenkeni mosmirënjohës, rropaten të gjorat perëndi, qysh nga zanafilla dhe ju i zhvlerësoni?! Zot, o Zot”!
“S’ka Zot tjetër, veç nesh”!
“U bëfshi lanetë”! – ajgëtova terrin.
“Ne jemi të vetmit, në qiell e mbi tokë”! – një djall leshralëshuar dhe mjekrën kërleshur, kërceu mes tymnajës. Pak më larg, tre-katër leshragjatë të tjerë mjekër kërleshur, një tullac mjekrosh dhe një rrondokop mustaqemadh e çehrevrarë, lodronin dhe përqeshnin me gjuhë jashtë.
“Po këta palavi”?
“Janë plejada e marksistë-leninistë-dimitrovistëve të shquar…”!
“Po juve…”!?
“Jam MARKSI, këta; ENGESI, LENINI, STALINI dhe DIMITROVI”! – i paraqiti gogoleshi mjekër kërleshur.
“U paskan mbledhur në ferr, të gjithë bastardët e kohës prostitute”?
“Ne s’jemi as bastardë, as bijë kurvash, por pjella të Kronosit, jemi tërit, mësuesit, inspiruesit dhe zbatuesit e revolucionit proletar”! – m’u mbrus arapi leshralëshuar dhe mjekër kërleshur.
“Në djall shkofsh, ti, bashkë me të tjerët”!
Sakaq në sfond ,u shfaq një turmë që zgjatej e përdridhej si trung i nyjëzuar mokrre, ndynte atmosferën me duhmë kërme dhe zbythej e zhytej në terr, si bisht kuçedre.
“Ushtria e dishepujve besnikë”! – m’i paraqiti dhëmbëskërmitësit që kacafyteshin si qentë, mjekër-kërleshuri leshragjatë.
Ndërkaq në krahun e kundërt, gëlonin një mishmash figurash të përçudnuara; kurme pa koka, koka pa kurme, buste pa gjymtyrë, gjymtyrë pa buste, skelete pa lëkurë, lëkurë pa skelete, skalpe pa kafka, kafka pa skalpe, të dërrmuara, të shpuara, të sakatuara, të përçudnuara; vetulla të ngjitura, mustaqe të shqitura, eshtra të thyera, gojë të shqyera me dhëmbë e dhëmballë fringo të reja, falanga gishtash dore dhe këmbe, pra një amalgamë e denjë për kaosin total. U alanisa! Imagjinata s’i çau dot caqet e reales, për të depërtuar në skutat e irealitetit makabër, të përtej botës.
“Po këta mjeranë”? – pyeta pa vetëdije.
“Janë viktimat e idealit tonë”! – leshra gjati mjekër-kërleshur rrahu gjoksin, si majmuni në xhungël.
“Tërë këta fatkeq”?
“Këta janë të parët, zotëri”!
“Pse, ka edhe të tjerë”?!
“Ehu, sa do t’iu shtohen pas”!
“Përse i kanë masakruar kësisoj”?
“Për të jetësuar në praktikë parullën”:
“Njeriu për njeriun, është ujk dhe proletariati s’ka ç’humb, veç prangave”!
“Ia vlen kjo sakrifice”?
“Padyshim, sepse erdhëm për të mbretëruar dhe ikëm të dëshpëruar…”!
“E meritonit, besoj”! – e ndërpreva.
“Ne i gëzohemi tash për tash farës që mbollëm, shijojmë nga përtej bota mynxyrën që bëhet në emrin tonë dhe pas nesh, kiameti”! – leshra lëshuari mjekër kërleshur, e shoqëroi fjalën me flakërima gjarpërore, si të sfidonte zjarrin e xhehenemit.
“Ç’lapangjyrë, o Zot”! – zura sytë me pëllëmbë dhe shkëputa kontaktin me botën e të gjallëve. Mandej humba vetëdijen dhe u zhyta në harresë, në prehrin e jetë- vdekjes.
S’kujtoj dot ç’ngjau e ç’do ndodhte, veç ndjesisë së robit të zënë në shpellën e “Polifemit”. Ky mendim më regëtiu i fundit në tru, kurse të tjerat do t’i mësoja nga shokët, ditë më pas. Kur hiri i Zotit, bëhet njësh me vullnetin e bashkëvuajtësve. S’jam i sigurt të them ç’u bë me kurmin tim, as ç’sakrifica iu desh të përballnin miqtë, për të më nxjerrë nga poshtë masivit të gurëve, rërës abrazive dhe trarëve të kalbur. Për fat, ata trarë të “kalbun”, s’kishin qëlluar aq “të kalbun”, sa talleshim ne, por më bënë “strofkë”, në gjirin e tyre. “Natyrisht falë hirit të Zotit”, siç do shprehej miku im, Hafëz Sabria:
“Fatin ta ka shkruejt me germa arit Perënia e, ta ka ngjit mjidis shpinës, qysh se ke le! S’na mbetet veç m’e respektue e, m’iu bindë vullnetit të Allahut”! do shtronte mbi tabanin e dheut postiqen e qengjit, që s’e ndante nga vetja dhe do niste ritualin ulje-ngritje me fytyrë nga Meka, duke përsëritur: “Allahu ekber! Allahu ekber”!
Dhe “Hiri i Zotit”, i mishëruar në kokë-krisjen e miqve, përcaktoi ardhmërinë e fatit tim. Aksidentin e klasifikuan ndër më të rëndët, por me fund të lumnueshëm, kur të ngjashmit kishin shkaktuar dëme serioze, me pasoja tragjike. Në raste të tilla komanda s’para e vinte ujin në zjarr, madje s’iu hynte fare garameteve të shpëtimit, ngaqë kishin kosto, kërkonin kohë, donin mjete dhe forca pune. Ata e linin kohën të rridhte dhe jetën e mjeranit të shuhej, pastaj mbyllnin meselenë me një proces-verbal formal.
“Hajt përpilo një proces-verbal, po me pika ama”! – udhëzonte Çelo Arëza lakejtë. – “Me pika, ku të shprehet qartë ç’ka ndodhi, pse ndodhi dhe si ndodhi! ‘Kupton ti”? – mbasi merrte përgjigjen: – “Si urdhno, shoqi komandant, e kena ba boll mir’ zanatin”! – iu kthehej edhe njëherë: – “Dëgjo Gjin, Gjet, Gjok, Llesh, Nikoll, Frrok, Mark”! – apo cilitdo të pranishmi.
“Të specifikohet saktë, i kujt është faji! Kupton ti”! – bënte një ecejake dhe theksonte i krekosur: – “Faji, ‘buçko, e more vesh besoj”? – hidhte edhe një: – “Kupton ti”! – jepte porositë e fundit dhe s’largohej pa marrë konfirmimin: – “Si urdhno, shoqi komandant, e kish fajin, sepse desht m’u vra me kast, bash për kët asht fut n’at xhep”!
“Pasha zo… idealin e Partëjs, ka dasht me na diskretitue, or shoq! Ka dasht’ na korit, or tëj! Ka dasht me pengue realizimin e pllanit! Tek e funit ka sinjale, se ka dasht m’u arratis, or mëjk…”!- mbasi rendiste edhe një varg faktorësh denigrues, në adresë të mjeranit, shtonte sa për të larë gojën: – “Shoqi komandant, a vazhdojmë m’e kërkue kufomën”? – megjithëse e kish të qartë përgjigjen; as mish, as peshk: – “Bëni punën tuaj”! – që ndiqej nga pohimi bombë: – “Hajt ma, nji anmik ma pak”! – dhe pastaj ngjatjetonin:
“Ju urojmë sh’net, shoqi komandat”!
“Shëndet paçi e tungjatjeta”!
“Hajt turqeta, burra”! – ndaheshin, komandanti me gjoksin fryrë nga dekoratat, drejt zyrave qendrore të komandës, polici apo policët, drejt vrimës ku dergjej fatkeqi apo fat keqët, me paramendim se përgjegjësia dhe pasojat, rëndonin mbi qyqarin apo qyqarët e shtrydhur nën mal. Ajo procedurë qe ndjekur edhe në rastin tim, ish zhvilluar pak a shumë ajo bisedë, me pothuaj ato fjalë dhe qe dhënë e njëjta direktivë, veçse s’kishin paraparë reagimet dhe përkushtimin e kolegëve, që iu kundërvunë energjikisht urdhrave, të Çelo Arzës.
Dy shokët e grupit, Tomori dhe Osmani, s’i përfillën kërcënimet e Preng Rrapit, po sfiduan rrezikun me kokëfortësi elefanti. Sapo ndjenë gjëmimin, pasuar nga dufi i rrymës që kish mbërritur gjer në frontin ku punonin, rendën të dilnin jashtë. Te vendi i katastrofës, u gjendën para një katrahure tymi, shkëmbinjsh, rëre dhe uji gërryes. Ndonëse pak metër i ndante nga degëzimi i grykës dytësore, që e përbuznim; “gryka e minjve”, s’u kthyen sepse parandien të keqen.
Tashmë zhurmat qenë fashitur, tek-tuk kriste ndonjë kapelë, ndonjë guralec shukej mbi të tjerët dhe heshtja me përmasa llahtari që të kujtonte zymtinë e varrit. U rrekën të ajgëtonin mes tymit, po terri s’ua mundësoi. Thirrën me sa u nxori fyti, po s’morën përgjigje. Normale, si do të merrnin nga nën masivi i trarëve, gurëve dhe rërës piritoze, ku isha në kulmin e betejës me Hadin, me Prokuror-patriotin, me plejadën e marksistë-leninistëve, me…, me vdekjen? Të llahtarisur nga përmasat e katastrofës dhe të tmerruar nga ideja se mund të mbeteshin edhe vetë brenda, dolën nëpërmjet “grykës se minjve”.
Më kërkuan sërish sapo shkelën jashtë, po s’më gjetën gjëkundi. Shpresuan mos më gjenin në gjumë, rrëzë ndonjë varrice trupash, por u gënjyen, edhe në strehën ku u fshiheshim policëve, asnjë gjurmë. Prej vagonit s’dukej shenjë. I pyetën njërin dhe tjetrin, po s’morën përgjigje. Dhe kur askush s’i drejtoi askund, u rikthyen në galeri nga hyrja kryesore. Në pikën e shembur u drithëruan, tym, shkëmbinj, rërë dhe ujë gërryes, asnjë nishan nga unë dhe vagoni.
Sakaq gojë pas goje, ish dhënë alarmi dhe lajmi qe përndarë në tërë zonën:
“’Polifemi’ ka shkrehur malin në vrimën si sy ciklopi dhe një rob ka mbetur nën humbellë”!
“Gjallë apo vdekur”? – pyeste zemër-dridhuri që e dëgjonte.
“Zoti e di”! – përgjigjej kumtuesi dhe ngrinte supet.
Ankthi pllakosi zonës së dytë, minatorët lanë frontet dhe iu bashkuan kolegëve të mi. Tomçja me Osmanin, ngarkonin vagonët me gurë e copa trarësh, të sapo-mbërriturit i rrëmbenin dhe i derdhnin në hyrje të grykës, për të fituar kohë. Në të teposhtën e lugut, gurët tërhoqën një lumë zhuri, që u plasën me tërsëllëm pas daulleve të kazanëve të vithisur në përrua. Rrapëllima e tamburave të hekurta, shkërbyen oshtimat e njëqind çangave prej gëzhoje bronzi dhe tejkaluan zhurmat e çdoherëshme, duke u kthyer në sirenë alarmi. Rrëmuja e pazakontë prishi qetësinë e varrezës spaçiane. Iu prishi gjumin edhe policëve, që iu qepën të përpjetës dhe mbërritën në vrimat e piritit, ku pikasën të dënuarit, që kishin braktisur frontet.
“N’punë, or tëj! Ç’don njitu, i d’num”!? – ua nisën ulërimave si të handakosur. Kur mësuan ç’kishte ngjarë, ulërinë edhe më fort:
“Tëj, tëj, tëj, në front!
“Po vdes një rob”!
“Ciklin, i d’nuem”!
“Do ta lini të vdesë”?
“Ani, se mos asht i pari”!
“Eshtë djalë i ri”!
“Trys bithën, or tëj”!
“Është njeri mbi të gjitha”!
“Pllanin, i d’nuem”!
“Po shuhet një jetë”!
“Një anmik ma pak”!
“Si, si”?
“Or Gjin, Gjet, Gjok, Llesh, Nikoll, Frrok, Pjetër”! – apo kushdo që gjendej atë çast. – “Hekrat bre”!
“Do shpëtojmë shokun”!
Bashkëvuajtësit s’ua varën kërcënimeve por shpejtuan të bënin ç’iu duk më e udhës. Njëra palë vringëlliu hekurat, tjetra shpalosi shpresën! Ndërkohë orët ecnin dhe ankthi shtohej. Sapo mbërritën turni i parë dhe kapën haberin, s’pritën të pajisej me aletet e punës, po iu drejtuan vendit të katastrofës, siç e zuri dekika. Ndokush që mundi të rrëmbente ndonjë copë karbit, mbushi kandilin dhe çau terrin, të tjerët e ndoqën. Për të shmangur rrëmujën organizuan një “Komitet shpëtimi”, me drejtues Esatin, si më racionali dhe shkrimtarin si mjek, ndërsa dy kolegët, të dërrmuar nga dhimbja e të drobitur nga lodhja, s’u ndalën një çast.
Gjithkush u rrek të jepte maksimumin në fragment të limituar kohor. Mbasi kishin zbarkuar disa dhjetëra tonë material dhe kishin larguar qindra trungje ahu, aty afër mesditës, hasën hundën e vagonit dhe pas ndonjë ore, më kishin pikasur mua kruspullosur nën një varricë trarësh e gurësh. Falë hirit të Zotit, kisha ngecur me kokë vaisur mbi gjoks, por edhe tubat e ajrit, kishin qëlluar të rinj, të pa gërryer ende nga acidi sulfurik (miku im Gjet Kadeli, sapo i kish ndërruar). Kapelat e armaturës qenë varur me njërin skaj në tubo dhe tjetrin ngërthyer mbi kazanin e vagonit, që nga presioni ish shtrembëruar, duke formuar kësisoj një tip strehëze.
Lumturisht, çasti fatal më kish zënë bash në atë furrik shpëtimtar, ku më kish ngucur vrundulli. Ashtu, krahë e kofshë, më kishin shtrirë mbi një vig të sajuar me nja dy dhoga, në shtratin e vagonit. Ndonëse dielli digjte si saç, unë s’kisha reaguar as nën rrezet që binin nga zeniti. Dheu më kish mbuluar krejt shtatin, si savan i zi, duke më katandisur kufomë. Se kush qe kujtuar të më hidhte ujë mbi fytyrë, bashkëvuajtësit i tromaksi lëkurën, që i ngjiste meitit. Por s’u pajtuan me faktin, bënë çdo përpjekje të më mbanin në jetë; dikush më dha frymë nga fryma e tij, një tjetër më lidhi gjymtyrët me ri stela dhe një tjetër akoma, më preku pulsin. Dikujt iu bë se ndjeu regëtima dhe klithi: Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016