Nga Sokrat Shyti
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Në ngrehinën 3-katëshe të Gjykatës së rrethit, në “Rrugën e Durrësit”, disa ditë me radhë u mbajt gjyqi i bujshëm kundër grupit armiqësor të gazetarëve, (ku përveç Vangjelit dhe Fadilit, nga Radio – Difuzioni, bënin pjesë Trifon Xhagjika i gazetës “Luftëtari”, redaktori Robert Vullkani, i Shtëpisë Botuese “8 Nëntori” dhe tenori Stavri Rafaeli. Si gjithë proceset e tjera gjyqësore të asaj kohe, edhe ky si farsë e stisur, mbështetej mbi “fakte” deri qesharake të sajuara nga Hetuesia, sipas një skenari ogurzi, për t’i dëshmuar mbarë botës kapitaliste dhe revizioniste se: “Pushteti Popullor në Shqipëri hedh valle në gojën e ujkut”! “Asnjë forcë nuk e mposht vigjilencën revolucionare të Diktaturës së Proletariatit”!
“Imperializmi Amerikan dhe Revizionizmi Sovjetik janë destinuar të dështojnë”! Ndërsa “Partia e lavdishme e Punës – me në krye Timonierin sypatrembur, Enver Hoxhën, vazhduesin e denjë të Marksizëm – Leninizmit ngadhënjimtar – korr suksese nga fitorja në fitore”! Në fund u dha vendimi: dy të pandehurit ushtarakë, me pushkatim! Vangjeli dhe Fadili, 25 vjet burg! Roberti – 20 vjet!
Pas përfundimit të gjyqit kundër gazetareve dhe dhënies së dënimit, hija e kërcënimit vërtitej si fantazmë nëpër gjithë hapësirat e studiove dhe redaksive. Asnjë çast nuk më shqitej nga përfytyrimi, portreti i shokut të kthinës, kur ulesha të shkruaja materialet e programuar. Shpesh më ravijëzoheshin kokat e qethura të pandehurve.
Dhe mes tyre shkëlqente si yll, shikimi vezullues i Vangjelit! Më bënte përshtypje me sa kuraje e guxim u përgjigjej pyetjeve tinëzare të gjykatësit, prokurorit, sa lirshëm e haptazi parashtronte këndvështrimet e tij intelektuale, duke i detyruar dy juristët e pushtetshëm, t’ia ndërprisnin egërsisht fjalën! Ndërsa kur shikimi i tij derdhej mbi sallë, e për pak sekonda rrëshqiste mbi fytyrën time, veshur me dhimbsuri, mua më dukej vetja si kërmilli që nxjerr kokën jashtë guaskës, i bindur se nuk do vonojë dita, të jem preh e kurtheve të organeve të Diktaturës së Proletariatit!…
Ashtu siç pritej, trysnia nëntë ballësh e këtij gjyqi farsë, veproi gjatë mbi ndjesitë e mia, më shkaktoi dhimbje të fuqishme koke, sa e bëri të pamundur të punoja normalisht. Mjekët më këshilluan të shtrohem për diagnostikim dhe kurim, në spital. Por dhe pas kurimit nuk u qetësova, dhimbjet vazhduan. Prandaj doli kërkesë e domosdoshme, konsulta me mjekun e shquar shqiptar, profesor Sinanin, që ndodhej këtu fatmirësisht.
Ky pas vizitës, konstatoi dëmtimin e nervit oxipitalis, dhe sugjeroi bllokadë me novokainë e hidrokortizon, në tre pika të kokës, një në ballore e, dy prapa saj, të përsëritura tre herë. Këtë ndërhyrje të vështirë, e bëri me shumë sukses kirurgu i njohur, Dr. Shyti. Meqë ishte e para herë që kryhej në spitalet tona, u mblodhën shumë mjekë, të shihnin e mësonin përvojën e re. (Por barra më rëndë e durimit, me takoi mua, sepse duhet të shtrëngoja fort dhëmbët, të përballoja pa klithma e rënkime dhimbjet e fuqishme, pasi kura do behej pa narkozë lokale, si kusht që të japë efektin maksimal.
Prandaj kirurgu i shquar, para fillimit të ndërhyrjes, më këshilloi të tregohem në lartësinë maksimale të sjelljes së pacientit të kulturuar, që të mos i shkaktojë shqetësime, duke patur parasysh që kjo procedurë, kërkon saktësim të përsosur, lëvizja më e vogël, shmang goditjen në shenjë). Rikthimi në Radio, pas kurimit dhe daljes nga spitali, m’u duk krejt i ndryshëm nga dita e parë, kur hyra në ngrehinën e mistershme, jo vetëm pse tashmë s’kisha asnjë kureshtje rreth natyrës së punës dhe përbërjes së kolektivit, por sepse brenda këtij mjedisi, kalova e përjetova makthe të panumërt, para se gjithash më përfytyrohej silueta elegante e Vangjelit shtat lart, më shungullonin në vesh përshkrimet e tij për aurorat vezulluese, të cilat i krahasonte me bukurinë mahnitëse të engjëllores së tij vogëlushe, dhe shpesh përsëriste se qe i gatshëm të flirtonte nga vetja, deri pikën e fundit të gjakut, që të mos i mungonte asgjë.
Herë pas here pyesja veten: do vijë vallë dita që ta shohë vajzën e tij të shpirtit, qoftë pas njëzet e pesë vjet, kur të dalë nga qelitë e tmerrshme të burgut? Apo kurrë s’ka për ta parë dritën e lirisë, pasi xhelatët e ferrit, përdorin orë e çast tortura çnjerëzore, nuk do lejojnë të mbetet gjallë, edhe i tjetërsuar si kufomë?!…
Kur u riktheva në punë, pas daljes nga spitali, vura re diçka tjetër mjaft shqetësuese: rreth meje qe ngritur një tymnajë e frikshme thashethemesh dhe pothuaj të gjithë më shihnin vëngër! Por sidomos tek smirëzinjtë, shfaqej hapur urrejtja: këta prisnin me padurim të ndodhte kobi i llahtarshëm, të më përpinte sa më shpejt gjëma, pasi nën shtysën e ligësisë së skëterrshme, i bren përbrenda dhe i tmerron suksesi i dikujt, veçanërisht kur shquhet në fushën e tyre! Prandaj, sa herë më shihnin duke ecur nëpër korridor, i pështjellonte një ndjesi e lig keqdashëse, sikur atë çast, i ngërthente sëmundja e tokës. Dhe kur hapnin gojën apo lëviznin buzët, sepse më krijohej përshtypja se po bëhen gati të më kafshojnë tinëzisht, nëse nuk ruhem kur kaloj pranë tyre!
Por edhe tek dashamirësit e mi, u vunë re ndryshime: para së gjithash u stepën, nuk vinin më si parë në kthinën time të dëgjonin krijimet e reja. U harruan leximet kolektive. Nuk dëgjoheshin lutjet e zërave femërorë, të lexoja një tregim apo përrallë, sepse kisha prirje dhe i jepja më tepër vlerë shkrimit! Për të pakësuar pezmin e këtij qëndrimi gati armiqësor, mbyllesha brenda kthinës time, dhe i vërtitja mendimet tërësisht tek romani, merresha me pyetjet: Pse nuk po jepet drita jeshile e botimit?! Çfarë bisedohet në redaksitë e Lidhjes së Shkrimtarëve? Cilët janë kundërshtarët kryesorë? Kujt i peshon më shumë fjala, kryeredaktorit të revistës “Nëntori”, apo kryeredaktorit të gazetës letrare?…
Apo barrierat e vërteta të pakalueshme, janë kundërshtitë e shkrimtarëve elitarë, të mësuar me përkëdheljet e partiakëve dhe pushtetarëve të fuqishëm, që shëtisin përkrahu me ta në bulevard, ndaj kanë siguri absolute në konkurset letrare kombëtare dhe janë të bindur se, çmimet e para e të dyta, u përkasin këtyre, nuk lejojnë të përmendet emër tjetër, sidomos emri i një autor i ri romani, njëzet e një vjeçar?!…
Sa herë më gëlonin në kokë këto mendime, sytë rroknin hije lëvizëse në ballkonin e gjatë: ishin përgjuesit e ngarkuar nga Partia dhe Sigurimi, për të më vëzhguar tinëzisht me çfarë merresha. Dhe prisnin me padurim të largohesha nga kthina, që të turreshin si hienat mbi kufomat, për të rrëmuar nëpër sirtarë, mos gjenin ndonjë copë letër të shkruar, me shpresë se brenda saj, mund të sajohej një proçkë e dyshimtë. Ndërsa kur shikimet e tyre të gjarprit, ndeshnin befas sytë e mi, apo ndjenin lëvizjet e karriges, hijet zhdukeshin në çast.
Meqë kjo gjendje tmerrësisht mbytëse, sa vinte e rëndohej, bëhej gjithnjë më brejtëse, fillova të mendoj seriozisht për ndërrimin e vendit të punës. Por kjo ide m’u duk utopi. Sepse emri im si gazetar krijues, kish filluar të zbehej e vyshkej, tek çdo drejtues institucioni.
Asnjë nuk donte të kishte punonjës në organikën e tij, shokun e afërt të armikut të Partisë, i dënuar me njëzet e pesë vjet burg. Duke arsyetuar kësisoj, arrita në përfundim se, jo vetëm s’duhet shfaqur ky mendim i rrezikshme, (i cili tërthorazi nënkupton “fshehjen dhe mbulimin e gjurmëve të bashkëpunimit me tradhtarin”), përkundrazi, duhet bërë çmos ta tregoj veten, se jam shkëputur tërësisht nga hijet e këqija, që i vunë njollë të pashlyer turpi Radio-difuzionit, Institucionit më të rëndësishëm të Shqipërisë Demokratike Popullore…!
Në mëngjesin e 28 shtatorit të vitit 1964, para orës 8.00, sa kapërceva portën e hekurt dhe nxora nga xhepi leje-hyrjen për t’ia treguar oficerit të rojës, një i panjohur, (patjetër punonjës Sigurimi), më urdhëroi me ton komandues, të mos ngjitem lart në katin e katër, pasi do shkojmë bashkë diku!…
– “Mos ma merrni për mungesë mirësjelljeje, por e kemi kategorikisht të ndaluar, të marrim urdhra nga persona të panjohur! Edhe sikur t’ju njihja personalisht, prapë nuk do t’ju bindesha. Sepse sipas rregullores së brendshme, duhet njoftuar shefja e redaksisë”, – ia ktheva unë, duke e kundruar me dyshim.
– “Ti kujton se unë erdha me kokën time, pa njoftuar dhe marrë leje nga Drejtoria”?… – shtoi ai me ton të sertë.
– “Këtë nuk e shpreha. Thjesht po përmbush një detyrim ndaj rregullores: për çdo largim, duhet bërë njoftim gojor, ose duhet lënë një shënim mbi tryezën e shefes, që të dihet vendndodhja dhe arsyeja e mungesës time në punë”, – sqarova unë.
– “Atëherë, për të mos e thyer rregulloren, po e marr në telefon shefen tënde, nga kabina e oficerit të rojës”, – theksoi ai me bezdisje dhe shkoi atje.
Pas kësaj përgjigjeje, në vetëdijen time, vërshuan mori hamendjesh, njëra më shqetësuese se tjetra, duke u vërtitur rreth të njëjtës pyetje: pse ky i panjohur ka ardhur enkas për mua dhe po këmbëngul të shkojmë bashkë në një drejtim të pacaktuar? Por ndërkaq, nuk përjashtohej as mundësia e një shërbimi të papritur, për të përgatitur një reportazh urgjent, në një repart special të Ministrisë së Brendshme, ndaj dhe erdhi shoqëruesi, sepse rregullorja e objekteve tepër sekrete të rëndësisë së veçantë, nuk pranojnë përdorimin e autorizimit të posaçëm. Për të saktësuar hamendjen time, nuk më mjaftonte guximi ta pyesja të panjohurin, duke patur parasysh që këtij mund t’i lindnin hije dyshimi. Ndaj u nisëm të heshtur, si peshq.
Kur mbërritëm në “Sheshin Skënderbej”, morëm drejtimin e “Rrugës së Dibrës”. E ndjeja që i panjohuri herë pas here, më vështronte tinëzisht me bishtin e syrit. Ndoshta dhe këtij nuk i pëlqente kjo heshtje e bezdisshme ndrydhëse, e mundet ia kishte qejfi të shkëmbenim bashkë dy fjalë, po të mos e pengonte detyra, ngaqë kështu e kanë urdhëruar, për të ruajtur sekretin e shërbimit. E meqë nuk dija si të përgjigjesha, iu riktheva mendimit të parë, duke shpresuar se mos me të vërtetë, duhet bërë një reportazh në një repart special.
“Jo, – e kundërshtova në çast veten. – Si mund t’i besoj këtij mendimi absurd? S’ka mundësi të më zgjedhin mua, gazetarin me hije të dyshimtë, shokun e kthinës së “armikut të Partisë e popullit”, i cili u dënua nga gjykata ushtarake supreme, me njëzet e pesë vjet burg!… Mbetej në fuqi hamendja, e cila nxirrte në pah dyshimin e frikshme: se shoqërimi im me këtë të panjohur, punonjës i Sigurimit të Shtetit, apo i Policisë sekrete, lidhet drejtpërdrejt me mua! Me siguri duan të më marrin në pyetje hetuesit, me synim të nisin një proces të ri gjyqësor kundër meje, me akuzën e përdorur rëndomë; “bashkëpunëtor pasiv me armikun e Partisë dhe shtetit”, Vangjel Lezhon.
Sepse, sipas tyre, unë i kam ditur qëllimet armiqësore, para se gjithash arratisjen e tij, por ua kam fshehur organeve të Diktaturës së Proletariatit! Ky dyshim mori përmasa tronditëse, kur ndaluam para ngrehinës tre kate, tek “Selvia”, e cila shërbente herë si rajon policie, e herë si degë e fshehtë e Hetuesisë sekrete për qytetin e Tiranës. Shoqëruesi im, shkoi tek oficeri i rojës, kapi dorezën e telefonit dhe njoftoi me ton ushtarak: – “Shoku kolonel! E prura gazetarin”.
– “Sille lart”! – e urdhëroi zëri i fuqishëm. Në këtë çast, truri im u godit nga një reaksion zinxhir dyshimesh të llahtarshme, njeri më i frikshëm se tjetri. Fillova të analizoj veten: në përgjithësi duke qenë tip i heshtur, tregohem mjaft i përmbajtur dhe i matur në dhënien e përgjigjeve, kur më kërkohet diçka e tillë. Si i vetmi përjashtim, do të merrej takimi me Vangjelin, kur më ftoi bujarisht në strehën e tij dhe këtu pimë dy gota vere. Pastaj diskutuam gjerësisht disa çështje të mprehta filozofike, që lidheshin me aktualitetin.
Përveç tij, me asnjë tjetër nuk jam ulur në ndonjë klub dhe kam shkëmbyer me dikë mendime politike, ideologjike e sociale. Kështu që i vetmi rrezik mund të mbetej, dëshmia e Vangjelit në hetuesi, nëse ky ka përmendur emrin tim gjatë përgjigjeve. Në këto kushte, këta duan të dëgjojnë nga goja ime, çfarë çështjeje kemi rrahur dhe ç’përfundime nxorëm, për të ballafaquar dy dëshmitë, që të provojnë akuzat e tyre, se unë prej kohësh kam patur dijeni rreth pikëpamjeve mikroborgjeze e revizioniste të “armikut të Partisë”, por nuk ia hapa zemrën Partisë sonë, pasi më shumë më dhimbsej gazetari armik, se sa interesat e larta të popullit tonë, trim e fisnik, i cili hidhet në flake e zjarr, për të mbrojtur me jetën e tij, idealet e Socializmit!
Sipas kësaj akuze kaq të tmerrshme e të frikshme, dilja drejtpërdrejt bashkëpunëtor mendimesh me “armikun e Partisë” , edhe pse mua kurrë nuk më ka shkuar mendja të arratisem, sepse po të doja, mund ta bëja lehtësisht pa rrezikuar jetën, kur isha student, në Moskë: rrija atje dhe nuk kthehesha, si disa të tjerë. Çuditërisht mjedisi i kthinës ku u futëm, më habiti me pamjen e një magazine të boshatisur, sepse këtu mungonin të gjitha orenditë e pajisjet, për ta quajtur vend normal pune: në cep ndodhej një kovë metalike e mbushur me ujë. Diku në mes një tryezë e dalë boje.
Pranë saj një karrige me mbështetëse të pasigurt. Mbi syprinë disa fletë letre. Dhe asgjë tjetër! Meqë s’kisha parë kthinë kaq të trishtuar e të zymtë si kjo, në këtë çast mendova mos ndoshta komisariati i policisë, zhvendoset në një ngrehine tjetër më të përshtatshme, ndaj pajisjet e mëparshme i kanë dërguar atje. Por nëse e pranoja si të njëmendë këtë arsyetim, duhet t’i jepja përgjigje pyetjes: pse duhet të vija këtu, për të parë këtë pamje mjerane?!..
U ndjenë hapa të rënde çizmesh nëpër shkallë. Pas pak u shfaq në derë një burrë shtatlartë, veshur civil, me kostum bezhë, i cili ngërtheu mbi mua një vështrim tmerrësisht të egër, që më shkaktoi një drithërime rrëqethëse!
– “Mund të largohesh, shoku major”! – i tha ky shoqëruesit tim, me ton komandues.
Majori nderoi duke kërcitur takat, bëri prapakthehu dhe u zhduk përtej kornizës së derës. Pas këtyre fjalëve, m’u fiksua menjëherë mendimi se, pas disa pyetjeve, do më lidhen duart me pranga! Ndryshe nuk do ngarkohej një oficer madhor, me gradën kolonel, të merrej me mua! Por zymtësia e kthinës, m’i trazonte mendimet. S’e kuptoja pse më thirrën pikërisht këtu, në këtë mjedis të zbrazur, dhe jo në zyrat hijerënda, ku kapardisen hetuesit kapadainj, e nëpër qoshe gjenden mjetet e torturave?!…
– “Ngjarjet e fundit na treguan se disa nga ju gazetarët, kanë pësuar shkarje mendore. Dhe e di pse? Sepse në vend të kokës, keni vendosur bythën mbi supe”!… – më shtangu koloneli me këtë fyerje tmerrësisht të rëndë. – “Ma kupton gjuhën”?! – klithi ai me çirrmë të egër.
– “Mundohem ta kuptoj. Por ende nuk e di, pse ndodhem këtu…” – ia ktheva unë i tronditur.
– “Meqë nuk e di, po futem drejt në temë: më thuaj, ku e ke vëllanë”? – pyeti ai me vështrim të egërsuar.
– “Për cilin vëlla e keni fjalën?! I madhi ndodhet në Teatrin Popullor. Të dytin, ju duhet ta dini saktësisht, pasi në organet tuaja punon…”- iu përgjigja me zë të drithëruar. Dhe fillova të hamendësoj se; shkaku pse gjendem këtu, patjetër duhet të ketë lidhje me njërin nga dy vëllezërit, më e mundshmja me vëllanë e dytë.
– “Edhe ti spurdhjak, guxon të më drejtosh mua pyetje, more qen bir qeni?!… E di që ta marr shpirtin në këtë çast, me këto duar”?!… – klithi si i ndërkryer koloneli, duke u qasur pranë meje. – “Ja ku po ta them: ai sahanlëpirësi, vëllai yt, të cilit Partia i besoi detyrën e piktorit, në Drejtorinë e Kufirit, çau ferrat, u arratis në Greqi, nga posta e Kapshticës, duke mashtruar njësinë e atjeshme, me ato qyfyret e tij!… Edhe ti je fajtor! Duhet të na kishe vënë në dijeni, pasi patjetër një herë të vetme, i ka pjerdhur goja dhe ta ka shfaqur ty, synimin e arratisjes…”, – shtoi me kërcënim të hapur, njësoj sikur të më thoshte: “Mos pandeh se do ta hedhësh vaun e mashtrimit pa u lagur dhe ne do ta mbajmë dobiçin që na la në prehër ai! maskarai! Vëre vëth në vesh: duke filluar nga ky çast, mllefin tonë, do ta derdhim mbi kurrizin tënd! Ndaj mos u hiq si i bukuri shejtan para meje, gjoja të tronditi ky lajm…”!
Fjalët e fundit nuk i dëgjova, sepse pa e kuptuar, kisha humbur vetëdijen, dhe u këputa si trung peme mbi dysheme!…Më përmendi uji i ftohtë i kovës. Kur hapa sytë, pashë nga poshtë lart kokën e tij të madhe, fare pranë trupit tij, dhe lëvizjet e buzëve të trasha, që qelbnin erë duhan. Me siguri diç llomotiste. Por në veshët e mi, mbërrinin vetëm rrokje të copëtuara, pa lidhje logjike. Kur e pa që s’po lëvizja, se akoma rrija shtrirë syhapur, ngriti kovën me ujë dhe u bë gati të ma vërviste mbi kokë. Prandaj, për të mos e pësuar për herë të dytë më keq, bëra përpjekje të sforcuara ta mblidhja veten dhe u kapa me duar pas njërës këmbë të tryezës e, i dhashë hov trupit përpjete.
“Me mua do tallesh ti, spurdhjak”!… – klithi ai me gurmaz të ngjirur dhe me shpejtësi rrufe, më goditi me grusht drejt në hundë. Unë u shemba përsëri mbi dysheme, i llangosur me gjak.
– “Ja ku e ke kovën me ujë: shpëlaj surratin dhe ulu në karrige. Dhe mos më bëj numra cirku, se të çoj atje ku s’ta pret mendja, që të mos e shohësh më dritën e diellit!… E more vesh”?
– “Këtë e kam të qartë. Por akoma nuk di ç’kërkoni prej meje…”, – munda unë të përgjigjem me një fije zëri.
– “Për këtë mos u merakos fare, të ndihmoj unë, – ma ktheu ai me tallje. – Së pari do më tregosh si sillej ai maskarai në shtëpi: si hardallosej kur dëgjonte ‘Zërin e Amerikës’, në radio. Dhe cilin stacion kishte qejf të dëgjonte më shumë?… Fillo me këto. Pastaj të vijnë ndërmend të tjerat. Veç hap sytë: mos më bej dredha, se do ta përshesh prapë turirin”!.. – më kërcënoi.
– “Shoku kolonel…”!
– “S’ke të drejtë të më drejtohesh me ‘shoku’! – më ndërpreu egërsisht – Nga ky çast, do përdoresh vetëm fjalën ‘zotëri’. I qartë”?
– “Me lejoni t’ju vë në dijeni, zotëri, se vëllai im i mesëm, vjen në shtëpi shume rrallë, vetëm 2-3 herë në muaj”.
– “Vinte, se s’ka për të ardhur më. Por këto përralla, rrëfejua kalamajve dhe jo një koloneli me përvojë të gjatë në fushën e hetimit, që ka zhbiruar agjentët më te rafinuar të imperializmit amerikan e anglez”! – m’u kanos ai me grusht.
– “Pohimet e mia i vërteton fqinja, grua më e moshuar se nëna ime”, – shtova unë, për të mos pësuar një grusht tjetër. – Sepse fqinja pjesën më të madhe të ditës, në kthinën tonë e kalon”.
– “Po natën, që s’ndodhet ajo aty? Të takon ty të më rrëfesh çfarë muhabetesh stiseshin tek ju, kur piktori kapter vinte e ikte si firarët qëmoti…”? – theksoi koloneli me zgërdhije. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016