Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e tridhjetë e një
Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Greqi, Yllëri, Ylliri apo Shqipëri?
Në qershor të vitit 1993, ndodhesha me anijen “Vlora” në Sudan, edhe qyteti e kishte emrin; ‘Port Sudan’. Patëm marrë urdhër nga agjencia jonë në Zvicër, për të ngarkuar 8500 ton sorghum, për ta shkarkuar në një port turk, afër Bosforit, në Tekirdag. Sorghumi ngjante me farat e bimës së fshesës dhe përdoret për ushqim shpendësh, por edhe për prodhimin e birrës.
Ditën e parë që erdhi agjenti i anijes sonë, në Port Sudan, solli me vete edhe një promemorie të gjatë nga agjencia zvicerane, ku numëronte të gjitha rreziqet, që mund t’i vinin anijes nga kjo lloj ngarkese; rreziku kryesor ishte se sorghumi, mund të merrte zjarr vetvetiu dhe shumë anije ishin shkrumbuar në mënyrë misterioze, nga kjo lloj ngarkese.
Për mua ishte hera e parë, që ngarkoja këtë lloj malli në anije. Përpara anijes sonë, në port ndodhej një anije tjetër e madhe, që po ngarkonte prej dy ditësh, po atë mall. Agjenti më tha se ajo ishte një anije greke dhe prej disa vitesh ngarkonte gjithmonë sorghum. Vendosa të takoj kapitenin grek, për të mësuar prej tij masat mbrojtëse, për të shmangur zjarrin misterioz, që mund vinte prej sorghumit. Në anijen greke, më priti nostromoja grek, që e quanin Athanasios.
Me një anglishte çuditërisht të pastër për një grek, më tha se në anije, nuk ndodhej as kapiteni, as oficeri I-rë, por ishte i gatshëm të më jepte, të gjitha informacionet që më duheshin; më qerasi në sallonin e pritjes dhe më shpjegoi hollësisht ç’masa duhej të merrja, për të shmangur zjarrin. E falënderova për sqarimet dhe e lëvdova për shqiptimin e anglishtes; për një grek është e pamundur t’i shqiptojë, disa tinguj të anglishtes, sidomos; “th”, “dh”, “ë”, etj. U skuq dhe buzëqeshi si me turp, e kur u ndamë, më tha:
– “Do të ishte kënaqësi për mua kapiten, sikur të takoheshim në qytet”.
U takuam qysh atë mbrëmje në rrugët e Port Sudanit; dikush më preku në sup, u ktheva dhe pashë Thanasin, që më foli në një shqipe të pastër:
– “Mirëmbrëma Maksi, si më je”?
– “Thanasi?! Mirëmbrëma Thanas! Nga je? Shqiptar ti?! Pse s’më fole shqip, kur u takuam në anije sot në mëngjes”?!
– “Nuk të fola në gjuhën tënë, se kisha frikë të flas në alvanos, ka frikë edhe kapiteni të flasë…! Të presin bukën në Greqi, po fole shqip. Ù jam arvanit nga Korinthi, kapiteni është nga Elefsina, ai më mori në punë këtu dhe më do shumë, i bëj punën, po jemi dhe një gjak, arvanit si ù isht’ dhe ai…! Ça të thom ù…?! Më shumë nga gjisma, flasën gjuhën tënë në Gërqi, po kanë frikë të shprehen e të thonë; ‘ù jam arvanit’, se mbeten pa punë, pa bukë dhe fëmila duan të hanë vëlla…”!
E pabesueshme! Në një shtet europian, njeriu ka frikë të deklarojë përkatësinë kombëtare, sepse i duhet të përballet me pasoja, me persekutime mesjetare! Kam qenë në Greqi, në Elefsina, me anijen “Durrësi” në vitin 1976. Më kujtohet njëherë në autobusin e linjës për në Athinë, ishim 5-6 detarë, që po bisedonim me njëri tjetrin, kur befas na u afruan disa të rinj duke buzëqeshur:
– “Edhe na flasëm këtë gluhë si ju, na jemi arvanit, një gjak jemi…”!
Edhe brenda në Athinë, në ato kohë, ishte e pamundur të flisje shqip dhe të mos ndieje shikimet dhe buzëqeshjet dashamirëse të kalimtarëve. Por atëherë Greqia, nuk bënte pjesë në Komunitetin Europian. Kurse në Kalabri dhe në Siçili, ku ka komunitet arbëresh, tabelat janë dygjuhëshe: italisht-shqip, ka shkolla, madje dhe universitet në gjuhën shqipe. Kur do të vijë dita që edhe arvanitët, të kenë këto të drejta elementare njerëzore në një shtet modern, europian si Greqia e sotme?! Po politikanët tanë, përse nuk ndihen?!
Mbas ndonjë viti më ndodhi pak a shumë e njëjta gjë. Këtë herë në portin Evia, në Greqi. Mbërritëm me anijen “Vlora” aty, me një ngarkesë pambuku, nga porti Cotonou i Afrikës Perëndimore. I pari nga autoritetet e portit, që erdhi në anije, ishte doganieri. Ishte rreth të dyzetave, sykaltër dhe me flokë si të kuqërremtë; mund të ishte skocez, irlandez, shqiptar, vetëm grek jo! U prezantua në anglisht:
– “Më quajnë Jorgo, jam i doganës së portit. Sipas rregullave tona, nëse keni sjellë mjete elektronike, si: radio, TV, magnetofon, kompjuteri, jeni të detyruar t’i mbyllni në një lokal të anijes të gjitha, unë do vulos dhe dyllos derën e lokalit dhe do ta hap atë derë, para se të largoheni nga ky port”. Lajmërova ekuipazhin për urdhrin e doganës. Një prej detarëve, një farë A., u afrua te doganieri dhe filloi me një greqishte copë-copë, t’i shpjegonte:
– “Ego ime vorioepirotis, patera im dropulit, mana mu nga Lusnja, signomi, ma le mua magnetofonin në kabinë, jo dyllos ke ky lokali”.
Doganieri e pa, dhe me përbuzje i foli:
– “Jo! Ti jo! Do vij të kontrolloj dhe kabinën tënde tani! Dhe mos fol greqisht, se nuk di ta flasësh”!
Detari A. u largua i përcjellë nga të tallurat e shokëve të tij dhe unë në shqip, e ftova për një qerasje në kabinën time doganierin Jorgo. Buzëqeshi dhe pohoi me kokë. Në kabinë i thashë shqip: “Ti je çam, apo arvanit, o Jorgo”?!
– “Nuk kuptoj, çfarë po më thua”?! – ma ktheu në anglisht.
Nuk e ngacmova më tej, por sa herë e hasja te hyrja e portit e përshëndesja shqip…! Jorgua sa më shikonte, zhdukej…! Ditën e fundit të qëndrimit në atë port, po më priste të kthehesha nga qyteti. Më ftoi në zyrë. Më foli shqip, mjaft i emocionuar:
– “Kam një dhoro për tija, dhe më zgjati një shishe uzo…! Të më falësh, por nuk të flisja dot në arvanit para të tjerëve, e pe atë naftin (detarin) tënd që më bëjën si grek?! Po ta marrën vesh, që jam dhe flas arvanit, më heqën na puna, andaj kam frikë. Po arvanit jemi, më shumë na gjisma këtu, në gjithë Gërqinë, po kujt ja mban ta thotë, nuk na mbron njeri…?!
Eh, duhet të kalojë kohë, të pasurohet Alvania, të mos kenë frikë për bukën e golës, që të mos i puthin bithën grekut për dhulja, më fal, për një punë…! Adha në shtëpi, të gjithë në gjuhë tënë flasëm, kështu të thom, ja mirupafshim, të më veç mirë e, të më jesh mirë, o Maksi”!
Kujtimet më të bukura, i kam nga Gumenica. Kam qenë disa herë në atë qytet të mrekullueshëm shqiptar, si kapiten me një anije çisternë, më ka bërë përshtypje shqipja e bukur që flitej aty dhe flisnin të gjithë dhe pa frikë…! Ndoshta… sepse atje nuk ka grekë, sepse kurrë ata, grekët, nuk kanë qenë atje.
Jemen – Port Aden
Në prill të vitit 1995, isha në Port-Aden, me anijen “Vlora”. Ato ditë fillonte muaji i Ramazanit. Porosita anëtarët e ekuipazhit të ishin të kujdesshëm dhe të respektonin traditat e vendit, atë muaj që do qëndronim aty, sepse vendasit ishin shumë të ndjeshëm për çështjet fetare. Te tavolina e punës, krahas fotove të dy bijve të mi, Gentit dhe Marinit, mbaja kuranin, një botim shqip, me origjinalin arabisht përballë.
Drejtori i agjencisë që i shërbente anijes sonë, quhej Ali. Shumë fetar Aliu; sa herë që vinte në kabinën time, përkulej dhe puthte librin e shenjtë. E kisha lexuar disa herë për të qenë i përgatitur në bisedat fetare, që Aliu i kishte shumë për zemër. Megjithatë, nuk e besonte Aliu që isha mysliman. Kur nxora pasaportën dhe pa emrat myslimanë të prindërve të mi, u bind.
– “Po emri Maksim, përse”?! – pyeti Aliu. U mundova t’i sqaroja që emri Maksud, apo Mesud, në gjuhën tonë, shqiptohet Maks, Maksim. U bind, apo u hoq sikur u bind, pak rëndësi pati. Aliu ishte gjithmonë shumë i sjellshëm dhe korrekt. Shkoi, madje, deri në Sana’a, në kryeqytet, për të shpëtuar “Vlorën” nga arresti dhe bllokimi, për një kohë të pacaktuar në Jemen. Kur e falënderova, m’u përgjigj: “E bëra nga respekti për ju kapiten, nuk isha i detyruar”!
Më tregoi që në Jemen kishte plot shqiptarë dhe shumica ishin biondë me sy të kaltër; “si djali yt i vogël, kapiten” dhe bënin pjesë të gjithë në parinë e Jemenit. Shpesh shkoja në agjenci për çështje pune. Te paradhoma më priste gjithmonë, fytyrë-zbuluar, Aisha, mbesa dhe sekretarja e Aliut. Aisha ishte një bukuroshe 25 vjeçare. “Aliu të do si vëlla, prandaj edhe unë rri fytyrë zbuluar para teje”, me shpjegoi vajza.
Kur isha i ftuar për drekë bashkë me oficerin e I-rë, Albert Koço, në shtëpinë e një vendasi, nuk pamë asnjë grua me sy. Pjatat na i servirte një djalë i vogël, rreth 14- 15 vjeç. Zonjën e shtëpisë, që gatoi drekën për ne, nuk e pamë as krye- mbuluar, as krye-zbuluar. Prandaj dhe fjalët dhe veprimet e Aishes më bënë përshtypje; kuptova kështu besimin dhe respektin e Aliut.
Shkova një ditë në agjenci, për të porositur ujë dhe karburant për anijen. Aisha më ftoi në zyrën e saj: “Zoti Ali është i zënë. Ka në zyrë një kapiten rus. Nga anija e rusit ka rrjedhur pak karburant në det, 10 mijë dollarë gjobë, do t’i veje Aliu rusit”!
Nga dera e qelqtë e zyrës së Aliut, dukej fytyra e kapitenit rus, që me duar e me këmbë, përpiqej t’i mbushte mendjen Aliut për të anulluar ose për ta ulur gjobën. Mendova sikur të isha vetë në vend të rusit…thashë të provoj të ndërhyj. “Mos hyrë”, tha Aisha. “Zotit Ali, i vjen inat të hysh në zyrën e tij kështu”. I rashë derës. E hapa dhe futa pak kryet brenda.
– “Zoti Ali, ju lutem më falni, por e kam me ngut”.
– “Ok, me prit aty, po vij. Hë, si është puna kapiten”?! – më pyeti në korridor.
– “Porosinë për ujë dhe karburant, e lashë te zonjusha Aisha. Kërkova të flas me ju, për punën e kapitenit rus. Duhet ta falësh, zoti Ali”.
– “Do ta falja po të ishte vëlla mysliman, si ty dhe si unë. Por është kristian. 10 mijë, i ka pak”.
– “Zoti Ali, nuk e mbaj mend numrin e faqes nga Kurani i shenjtë, por mbaj mend fjalët e përshëndetjes së profetit tonë Muhamet a.s. për fitoren e kristianëve të Bizantit, kundër një populli të pafe. Po citoj: jam i kënaqur për fitoren e tyre, sepse edhe ata, si ne, besojnë vetëm në një Zot”.
– “Prit pak”,… – Aliu mbylli sytë dhe po shfletonte librin e shenjtë me mend, kur e gjeti paragrafin në fjalë, hapi sytë dhe ma recitoi në arabisht.
– “Ke të drejtë, do ta fal. Por do t’i them që e ka prej teje faljen”.
Falënderova Aliun dhe zbrita shkallët. Në fund të tyre më arriti me vrap kapiten Juri, më përqafoi dhe më tha se e kisha shpëtuar nga një hall i madh, se gjobën do të qe i detyruar ta paguante nga xhepi, se këtë që kisha bërë unë, nuk e bën kush tjetër…! Në fund tha: “Sonte, në orën 19.00, je i ftuar nderi në anijen time, kapiten”.
Në orën 19.00, shkova në anijen ruse. Nuk ia mbaj mend emrin anijes, mbaj mend vetëm që ishte një anije 15 mijë tonshe, me port regjistrimi, San Petërburg.
Fillova të ngjisja shkallët. Dëgjova tre zile të gjata dhe në krye të shkallëve, më priti vetë kapiten Juri. Gjithë të tjerët në qëndrim “gatitu”. Më prezantoi oficerin I-rë dhe krye mekanikun e anijes, pastaj shkuam në zyrën e tij. Pati lexuar enciklopedinë ruse dhe kujtonte që ne shqiptarët, jemi popull sllav. Kërkoi falje për injorancën e tij, pas sqarimit tim.
Nuk dinte asgjë për Shqipërinë, veç çka shkruante ajo enciklopedi. Folëm dhe treguam për jetën e njëri tjetrit. Më tha se pat qenë komandant i Akademisë së Flotës Detare në Petërburg. Folëm për detin, për letërsinë, muzikën. Mbas ndonjë ore ra dera dhe u fut një vajzë rreth 25 vjeçe, me pantallona të shkurtra zharse, ngjitur pas trupit dhe një bluzë, puthitur mbas gjinjve të plotë:
– “Kapiten Juri, darka është gati”!
– “Faleminderit, Ljuba. Shkojmë në sallën time të pritjes, kapiten Maksim”.
Salla e pritjes ishte një pjesë e apartamentit të kapitenit dhe ishte mjaft e madhe. Mbasi sistemoi pjatat, gotat dhe shishet e fundit, Ljuba foli, duke u drejtuar nga Juri:
– “Kapiten”?
– “Faleminderit, Ljuba. Je e lirë, shko”.
– “Kjo është kamariere e oficerëve, kapiten Juri”? – pyeta unë.
– “Jo, Ljuba është sekretare dhe kamerierja ime personale, por (dhe tundi gishtin tregues të dorës së djathtë), unë nuk jam nga ata kapitenë, që flenë me kamarieret e veta”!
– “Më pëlqen kjo që thoni, kapiten Juri. Jemi njësoj. Edhe unë, ashtu si ju, nuk fle me kamerieren time…! Me vete mendova: “Hajt se po e shef nesër Zenelin, kamarierin tim, o të keqen…”!
Hëngrëm dhe pimë vodka stoliçnaja, duke dëgjuar muzikë ruse dhe shqiptare, deri nga ora 4 e mëngjesit. U përshëndeta me Jurin dhe e ftova për darkë, në anijen time. Lajmërova kuzhinierin, Haxhi Kuqin, se kishim për darkë kapiten Jurin. Kamarieri im, Zeneli, ishte entuziast, kishte qejf të shkëmbente dy fjalë rusisht, me Jurin.
Ftova dhe oficerin I-rë, Albert Koço, të ishte me mua në darkë. Juri erdhi në orën e caktuar. E prita me të gjitha nderet, por nuk ndenji askush gatitu, si rusët. E qerasa me whisky. Juri e ktheu gotën me eks. U habit kur Berti, vuri një kasetë me këngë ruse, iu bë shumë qejfi. Mbas ndonjë ore, kuzhinieri ynë, pasi i ra derës, futi pak kokën:
– “Kapidon, gati i kam të gjitha, kur të dush…”!
– “Lajmëro Zenelin, Haxhi, e di ai ç’duhet të bëjë”!
Zeneli ishte kamarier i pritjes në anije dhe ishte në shërbim të kapitenit.
Ra dera: “Hyrë”!
Ishte Zeneli me pjatancat në duar: në njërën ishte një peshk ndonjë metër i gjatë, me limon në gojë.
– “Tash po i bi dhe të tjerat, kapidon”, – tha Zeneli dhe doli duke lënë në një tryezë pranë, pjata dhe gota. – “Ky është kamarieri im, kapiten Juri”. Jurit i doli nga hundët whisky…! “Shto?! What”?!
– “Ky, është kamerierja jote?! Ajo me të cilën ti nuk fle?! ahaha, ma punove kapiten Maksim. E bukur kjo. E di si më tha mbrëmë kapiteni yt, Albert? Edhe unë më tha… hahaha. nuk… oh bog moj!… nuk fle me kamerieren time…”!
– “Po deshët ju, besoj se kapiteni im, është dakord t’i ndërroni kamerierët, kapiten Juri”, – i tha Berti, duke qeshur. U kënaq kapiten Juri atë natë, kërceu edhe kazaçokun e famshëm. Është e bukur miqësia mes detarëve. Bashkon kombet. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016