Nga Islam Spahiu
Në çetele të kujtimit
Memorie.al / Shpesh herë njeriu falënderon fatin, kur has në ndonjë kënaqësi, e kështu do ta quaja fatlum rastin, kur më ra në dorë libri i kujtimeve të Gaqo Pecit, e i jam mirënjohës gjithashtu fqinjit tim të nderuar. z. Zisa Cikulit, doktor dhe poet, ish-ministër i Shëndetësisë, i cili pati mirësinë delikate, për të ma dhuruar. Mjaftoi emri i autorit që të më lëndojë kujtimet e dhimbshme: Ndodhesha në ‘Kaushin’ e burgut 313, të Tiranës, në vitin 1977, kur u njoha me të. Bashkë qëndruam vetëm një ditë, sepse, si e thotë vetë ai në këto kujtime, të nesërmen do të shtrohej në spitalin e burgut. Çalonte në një këmbë dhe skërmitej sa herë e lëvizte atë; ish rrjedhoja e hetuesisë…! Sidoqoftë, edhe pse për një kohë të shkurtër, ne komunikuam aq sa ato çaste nuk i harrova më.
“Koha – ka thënë Balzaku – nuk matet me numrin e orëve, por me ngjarjet që e mbushin atë”. E, a është e mundur ta harroj birin e patriotit në zë, Sotir Pecit, si dhe ata që e shoqëronin: piktorin Vangjush Tushi, (vëllanë e Kostës…shokut tim të klasës në Liceun Artistik) si dhe Kiço Venetikun, profesorin e fizikës dhe muzikantin, që kish organizuar fanfarën e qytetit të Korcës? Tek i shihja bashkë, më dukeshin si një “trinitet”, çuditërisht simbolik, sikur të ishte sajuar qëllimisht.
Ata përfaqësonin (dashur pa dashur) fushat kryesore të kulturës sonë kombëtare: një poet, një fizikant dhe muzikant njëherësh, dhe një piktor. Këto figura të rralla i kish kapur kosa e “Diktaturës së proletariatit” e, i kishin prurë aty, “në mes njerëzisë se humbur” (Dante). Pasi u ndamë, nuk u pamë më; nuk desh fati çudibërës. Veç shumë kohë më vonë, mora vesh që Gaqoja kish vdekur në vitin 2001 (19 vjet pas lirimit), ndërsa dy të tjerët, nuk kishin dalë gjallë që andej. E sa më shumë kalon koha, aq më i dhimbshëm më bëhet kujtim.
Dhembja
Ndieja si anë e brendshme e njeriu, me shfaqjen e jashtme të saj (shprehjen), kanë një lidhje të zhdrejtë: e kjo për dy arsye. E para: Nuk mund të shprehet një dhembje, kur ajo është në veprim. Është njëlloj sikur “ti biesh lyrës në rërë, ku fryn murrlani”, ka thënë A. De Myse, sepse, thotë ai; “ajo do të thyhej si një kallam i mjerë” (idem). Me këtë kuptohet që, vetëm kur të kalojë shtrëngata, kur të shpërndahet tymi i pështjellimit të ndjenjave, kur të bjerë paqja e qetësia, vetëm atëherë syri sheh dhe veshi dëgjon qartë, se ç’ka ndodhur në shpirt.
E dyta: Zakonisht dëgjuesit nuk janë të prirur të dëgjojnë rrëfime të trishtuara: kurse humorin e presin me kënaqësi. E. para ua shton vuajtjet nga të cilat asnjë nuk është i privuar, kurse e dyta ua lehtëson ato, Pikërisht për këtë flet një aforizëm i Niçes: “Ndarja e gëzimeve, jo e hidhërimeve, e krijon miqësinë”.
Dihet përgjithësisht që për të krijuar lypset, përveç një mundi të madh, edhe më dhunti e veçantë. Pastaj, “nuk është e thënë të shkruash mbi burgun, vetëm sepse ke qenë në burg”, ka thënë me të drejtë një shkrimtar i yni. Duke pasur parasysh sa thamë, vjen fjala natyrisht edhe për vlerësimin që duhet t’i bëjmë librit, që kemi këtu për objekt.
Për mendimin tim, Gaqo Peci e ka kaluar me sukses të plotë provën: Ai duhet çmuar sidomos për stilin origjinal, ku nuk duket asnjë përpjekje për të përdorur mjete artificiale, figura të fryra stilistike, me qëllim për të bërë efekt. Aspak. Ai guxon të përdorë thjeshtësinë, natyrshmërinë e shprehjes, duke fituar kështu fuqinë epike të artit antik.
Ai këtë u dëshmon kulturën e pathosin poetic, që janë të pazëvendësueshëm në fushën e krijimit letrar. Bashkëvuajtësit ndoshta nuk do të kenë nevojë për art, që ta kuptojnë dhembjen e tij, por lexuesi i zakonshëm, duke u rrëmbyer nga magjia e asaj thjeshtësie që është madhështore sa vetë natyra, do të ngrihet në atë lartësi, sa ta ndjejë e ta kuptojë atë. E kjo nuk është e paktë.
Mesazhi i martirit
Këtë vit, qysh kur se u botua libri “Në panxhat e Sigurimit”, të Gaqo Pecit, nuk di nëse dikush e mori nismën fisnike; me nxjerrë në pah këtë ngjarje kulturore të një rëndësie të veçantë. Pa dyshim, janë shkruar mjaft libra pas shembjes së diktaturës; këto të fushave të ndryshme, por në ato letërsisë historiko-artistike më pak, e sidomos ajo që do të përbënte lapidarin, të themi, të kalvarit pesëdhjetëvjeçar të kombit tonë. Ky fakt, bëhet akoma më i trishtueshëm, kur dëgjon ndonjë “politikan” të ditëve tona, të shprehet si pa të keq: “Nuk do të merremi me të kaluarën”!
Atëherë vetiu vijnë pyetjet: “A mund të kesh të tashme, pa të kaluar? Ose; “A mund të ketë të ardhme, pa të tashme? Sigurisht përgjigjen e ka dhënë përvoja historike e, mjerë ai që nuk nxjerr mësime prej saj! Duke menduar kështu, sesi m’u kujtua shënimi që ka vënë Viktor Hygo, në ballinën e romanit të tij të famshëm “Të mjerët”:
“Gjersa në botë të ketë injorancë dhe mjerim, libra si ky, nuk mund të mos jenë të dobishëm”. – Pastaj sikur më dolën parasysh ato që kam lexuar kohë më parë, e që nuk më harrohen. Janë shkrime mbi vuajtjet e burgut. Njihen si kryevepra të këtij lloji, p.sh.; “Burgjet e mia”, të Silvio Pelikos, “Kujtime nga shtëpia e të vdekurve”, të Dostojevskit, “Arqipelagu Gulak”, i Solzhenjicinit.
Do t’u shtoja këtyre; “Reportazh me litar në grykë”, të Julius Fuçikut, i cili, nuk di përse, më ka lënë një mbresë, të pashlyer. Do të thoja që këto pena të mëdha e kanë skalitur këtë aspekt të jetës së shkuar në kujtesën e njerëzimit, madje me forcë arti, në mënyrë që të mos harrohet kurrë. E është nganjëherë më vështirë të harrosh sesa të kujtosh.
Po të thellohemi më tej, arrijmë në përfundimin, se ajo që nuk mund të harrohet, është pikërisht ajo që nuk duhet falur. “Ka gjëra që nuk falen”, ka thënë njëherë Albert Kamy. Këtë mesazh, na lë edhe bashkëvuajtësi ynë me kujtimet e tij të dhimbshme, si kushtim: – “atyre që kanë dashur lirinë dhe atdheun më shumë se sytë e ballit”.
Analogjia
Në këndvështrimin që kam marrë, librin “Në Panxhat e Sigurimit”, e shoh në analogjinë burg-ferr e, duke e krahasuar me, Ferrin dantesk, mendoj se është më lehtë të kuptohet filozofia e subjektit. Autori padashur bëhet “Virgjill” ynë; ai sikur na kap për dore dhe na çon përmes “qytetit të dhembjes”, aty ku ka përjetuar vetë “errësirën e përjetshme, akullin e nxehtësinë e qelive të burgut. Me një stil të thjeshtë, pa retorikë, as figura stilistike, thuajse të bisedës, ai të rrëmben e të fut në atë botë epike, edhe pse nuk e ka artin sublim të klasikut të madh italian.
Analogjia që po përdorim ne këtu, sigurisht nuk është identitet, është më shumë një shëmbëlltyrë; ka në vetvete ndryshimin e gjërave e, mbase kjo e bën më të fuqishme këtë dukuri. Ndërsa në portën e Ferrit dantesk, ish shkruar: “Drejtësia e nxiti krijuesin tim të lartë”, në portën e burgut njerëzor, pa qenë shkruar, lexohet: “Padrejtësia e udhëhoqi dhespotin e ulët”. Siç shihet, analogja këtu qëndron vetëm te tortura, te vuajtja, ndërsa subjekti me objektin, janë të kundërt. Në Ferrin dantesk, vepron drejtësia hyjnore, ndërsa në atë tokësorin, padrejtësia njerëzore.
Objekti i ndëshkimit që jep Providenca, është mëkatari, ndërsa ai i sistemit diktatorial, është i pafajshmi; e në botën e të gjallëve, e keqja është më e madhe. “Ç’gjë është për mua, më fantastike sesa realiteti”? (Dostojevski). Në Bibël, kapitulli 10, verseti 31, thuhet; “Është e frikshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë”…! Pa i hyrë zbërthimit të kësaj fraze enigmatike, mund të themi që; pikërisht ishte ky fati i autorit të këtyre kujtimeve, ashtu si mijëra e mijëra të tjerëve të pafajshëm. E; “Ta kuptojë, nuk mundet, kush s’e ka provuar!” (Dante Aligeri).
Në lugjet e ferrit
Rëndësia e këtyre kujtimeve, qëndron së pari në faktin se ato pasqyrojnë një realitet absurd, që i kushtoi aq shumë njerëzimit. Ato i përkasin periudhës së terrorit të kuq gati 50 vjeçar, kur fanatikët e një kulti të ri, të paparë ndonjëherë tjetër, të një kulti ateist, të “idhujve pa krena”, kërkonin vazhdimisht viktima, si priftëreshat meksikane, që i përsërisnin Montezumës thirrjen: “Perënditë kanë etje”! Kështu idhujt pa krena, e shuanin etjen; “me gjakun” e “luftës së klasave”. Kjo dukuri, si paradoksale që ish, nuk shkonte duke u zhdukur, por përkundrazi. Sipas inkuizitorit të madh, “shkon duke u ashpërsuar, gjithnjë më tepër”! (Stalin).
Ndërkaq, cerberët e Plutonit këtu te ne, e kryenin këtë detyrë me fanatizmin më të madh, aq sa e çuditi vetë mësuesin. “Ai që rron me anë të luftës ndaj një armiku, ka interes që atë ta ketë gjithmonë në jetë”! (Niçe) Kështu, nga kjo domosdoshmëri ekzistence, kur eliminohej një pale, kërkohej tjetra. Kur nuk ishte, sajohej. Në këtë mënyrë lufta fillonte brenda klanit, (lufta brenda llojit është nga më të tmerrshme). A nuk e kemi përjetuar vallë edhe ne këtë tragjikomedi?
Një analogji tjetër me historinë e lashtë: Kur punët e një komuniteti, nuk shkonin mbarë, kjo do të thoshte që perënditë janë të pakënaqur: madje, të zemëruar. Atëherë lindte nevoja që ata të zbuteshin. Për këtë lypsej flijimi. Ky rit kryhej pa marrë parasysh, as logjikën më të thjeshtë. I flijuari mund të ishte kushdo, që nga kasollja më e mjerë, gjer te pallati më i ndritur. Flija caktohej nga disa priftërinj, sipas shenjave të yjeve.
Në këtë gjendje populli i verbuar, shpërthente në “hosana-të” festive. Atëherë, le t’i vemi pas autorit dhe të hedhim një sy në “Qytetin e Dhembjes” së tij: Në pak rreshta, ai paraqet jetën e tij të thjeshtë në vendlindje; (Korçë). Jetonte në kushte mesatare ekonomike, ndonëse gëzonte dinjitetin e një arsimtari të shquar, me aktivitet në fushën e gjuhësisë. Kish marrë pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972.
Por ja prologu ogurzi: Ndodhej vetëm në shtëpi e, ndërsa po gatuante makarona, dëgjonte, muzikën e preferuar nga Rai Due. Ndërkaq trokasin në derë. E lajmërojnë që të paraqitet në Komitetin Ekzekutiv, për ta nisur me shërbim si përkthyes të frëngjishtes, për të huajt që do të vinin në Kongresin e 7-të të PPSH-së.
Ai, shkon në Tiranë, por kthehet i prangosur. Kjo tashmë ishte hyrja në “errësirën e amshuar” ku do të përballej me ata që “e kanë humbur të mirën e mendjes” (Dante), me kuçedrën e urrejtjes së “luftës së klasës”, me lehjet e cerberëve, me arrogancën, poshtërsinë e gënjeshtrën, me çdo mbrapshti. Këtej e tutje çdo hap që hidhet, zbret gjithnjë më shumë në mbretërinë e Plutonit. Banesa e tij tashmë është biruca, ndërsa “partneri”, do të ishte hetuesi, vegla e torturës.
Asnjë iluzion për të drejtat njerëzore. “Leni çdo shpresë ju që hyni këtu”, është lexuar. Fjalori është i thjeshtë, grotesk: duke filluar me; “armik i popullit” e, duke vijuar me; “bajgë”, “qelbësirë”, “edepsëz” etj. E shpesh, në vend të fjalës, një shuplakë e papritur fytyrës, një grusht në stomak a, ndonjë shqelm aty ku mbetesh i gjymtuar.
Kështu kalojnë orë, ditë, javë, muaj e ndoshta vite. Nuk ka asnjë siguri. Faji apo “mëkati” ish, vetëm se “je i pakënaqur”, ose “ke llapur”, etj .., etj ..,si këto. Epo, “o me mua, o kundër meje! Rrugë të mesme s’ka”! “Unë ose ti” – dilema e tmerrshme e asaj çmendurie, ku njeriu është i detyruar të jetë viktimë, ose xhelat. Procesi fillon në Pogradec e, mbaron në Korçë, duke kaluar nëpër “bolgia”-t e bodrumeve të Sigurimit.
Bëhen ballafaqime me dy të tjerë të rrasur aty, me akuza po aq absurde. Ndonjëri kish shpikur diçka, për të shpëtuar lëkurën. “Budallallëk! Se mos është lëkurë ajo që fithet me lëkurën e tjetrit”: ka thënë Julius Fuçik. Emrat…..(hetuesi) dhe Bajram…. (nënkryetar i Degës Brendshme) e përshkojnë si një frushkull i përgjakur, këtë rrëfim të dhimbshëm. Këta janë demonët, që zbaviten me viktimën, e cila më në fund, do të binte në thonjtë e dëshpërimit; ja edhe tentativa për vetëvrasje.
Nuk e lënë: ajo u përket vetëm atyre në rast nevoje. E gjejnë në çastin e fundit dhe lëshojnë alarmin. Po të vdiste, do të humbitnin një materie, më anë te së cilës jetonin. Dihet që Krishtit, përveç torturave fizike, i bënë edhe ato morale. Janë shumë kuptimplote tundimet apo joshjet. Autori ynë, që në këtë rast është edhe personazh, natyrisht i shkon mendja te t’afërmit, bashkëshortja, bija, motra: a janë gjallë?
Ku, e si do të jenë? Kë të pyeste? Kish provokatorë, që i sillnin aty. “Ferri është të tjerët”, ka shkruar Sartri. Të jetosh nën mbikëqyrjen e të tjerëve, kushdo qofshin, të mirë apo të ligj, është e padurueshme. Sidoqoftë, rasti, rasti çudibërës, del aty. Merr vesh nga njëri, që motra ishte gjallë…!
Një çast i çuditshëm lumturie: “Është gjallë”! Kalvari vazhdon. Ja titujt e kapitujve, si pasthirrma dhimbjesh: “Përsëri Rifati”, (ballafaqim me një agjent të kamufluar). “Vrasja e hetuesit”, një lajm i bujshëm që do ta shtonte tensionin.
Pastaj: “Kristina”. “Ballafaqim me Kiçon”, “Torba e Ushqimeve”, “Shenjat e gishtave”, “Guguçeja”, “Trokitja në mur”. “Goditje në kokë”, “Spiuni midis nesh”, “Fol… fol… fol…”, “Dhimbje e egër”, “Kur je ulok”; “Rrugë e gjatë mundimesh”.
E kështu, “Në sallën e gjyqit”: “Ballafaqimet me Kristinën, piktorin”, duke vazhduar me; “Unë dhe letërsia e realizmit socialist”. Më tej një varg dëshmish: “Shoku Emin”, “Shoku Hamza”, “Nxënësja ime”, “Shoku K.K.”, “Shoku…”, e disa të tjerë me iniciale e, më në fund pretenca, dënimi, kaushi, duke përfunduar në spitalin-burg të Tiranës, më 1977-ën.
Dhe ja në vend të epilogut: “Më ndje o Zot, që po vazhdoj të ec në rrugën e mëkatit, duke të kujtuar se, as Ti nuk fale, as Adamin, as Evën, as brezat që zbresin prej tyre e, që trashëgojnë mëkatin, fillestar, ashtu sikur nuk fale Kainin, kur ngriti dorën dhe skuqi token, me gjakun e të vëllait.
Prandaj as unë nuk fal dot dhe nuk dua që t’i falin. Tërë mëkatet e botës, le të bien mbi supet e mi, por veç të vihet në vend nderi i një kombi të tërë dhe i njeriut, veç të pastrohet njëherë e mirë Shqipëria nga krisjet, ferrat, hithrat e gjarpinjtë”.
Asnjë fjalë më shumë sesa mesazhi i këtij martiri, i këtij poeti, i këtij filozofi humanist. Ne nuk na mbetet tjetër, veç të çojmë në vend amanetin e tij: Mos të harrojmë kurrë! Ndryshe jemi të humbur! Memorie.al