Nga Afrim Imaj
Pjesa e tretë
Rrëfimi i oficerit A.C. që ka shërbyer për 30 vjet pranë Gardës së Republikës, si pjesë e grupit të shoqërimit dhe sigurisë fizike të Enver Hoxhës
Memorie.al / “Për gati tridhjetë vjet, kam parë se si Enver Hoxha relaksohej mbi fotografitë e viktimave të tij. Ai qëndronte përreth 6 orë në ditë mbi fotografitë e trupave të pushkatuar të Koçi Xoxes, Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos. Por mbi fotografitë e Mehmet Shehut dhe ato të Xhevdet Mustafës, si dhe të tjerëve që u vranë në atë ngjarje, ai është relaksuar mbi tri ditë”. Kjo është dëshmia rrëqethëse e oficerit, që ka qëndruar përreth 20 vjet pranë Enver Hoxhës. Sipas ish-ushtarakut të lartë, Enveri ishte jashtëzakonisht i apasionuar pas fotografive të trupave të vrarë me plumba. Kjo dashuri për herë të parë i ishte shfaqur që në vitin 1945. Pasi një prej njerëzve të tij të afërt shpallej armik i partisë dhe gjykata vendoste që ai të pushkatohej, fillonte një tjetër procedurë. Sapo prokurori i kishte dhënë të dënuarit “Colpo di gracia”, atëherë një fotograf profesionist, duhej të bënte mbi 30 foto të trupit të gjakosur, në 30 pozicione të ndryshme dhe fotografitë, duhet të laheshin e stampoheshin brenda gjashtë orëve.
Minutë pas minute, pushkatimi i Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut nga 14 gardistë
Makina, pasi ishte futur në një rrugicë mes një vreshti me rrush të pa vjele akoma, i cili i përkiste Fermës “Gjergj Dimitrov”, kishte ndaluar pranë një lëndine të vogël. Në krye të lëndinës, ndodhej një gardh dhe rreth 300 metra më tej, një shtëpi, e cila nuk kishte dritë fare…! I pari zbriti oficeri M.D., pastaj zbritën të gjithë ata që ndodheshin në karrocerinë e makinës…!
Në gropë i futën të prangosur me njeri-tjetrin…!
Oficeri M.D., urdhëroi gardistët që të zbrisnin, përveç katër kapterëve, që mbanin për krahu shtetasit e dënuar me pushkatim, Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu. Toga e ushtarëve u nda në dy pjesë. Ata u vunë në dy njëshkolona, me nga shtatë veta secila. Toga e ushtarëve, me armët automatike në krahë, u nis drejt kreut të lëndinës, ku ishte një gardh me shtylla betoni dhe tela me gjemba, me nga një shigjetë në majë, një shpikje origjinale e Mehmet Shehut, që kur të sulmonin armiqtë, “të nguleshin” mbi to. Gardhi ishte mbuluar pjesërisht, nga ferrat.
Ngjitur me gardhin, ishte hapur një gropë, 2.5 metra e gjatë dhe rreth një metër e gjerë. Nga sasia e freskët e dheut që ishte nxjerrë në anë të saj, dukej se gropa nuk i kalonte të 80 centimetrat. Sapo mbërriti makina, katër civilët që kishin hapur gropën, shkundën lopatat dhe u larguan duke u zhytur në errësirë, në anën e kundërt të saj. Dy kolonat e ushtarëve, ndaluan rreth 11 metra përpara gropës që ishte hapur në rrëzë të gardhit. Komandanti i tyre dha komandën: “Pranë këmbës armë”! Pastaj dha komandën, që toga të merrte pozicion për qitje. Rreshti i parë, mori pozicionin për qitje në gjunjë, ndërsa rreshti i dytë, për qitje në pozicionin në këmbë.
Pasi rreshti i parë, kishte mbështetur gjurin e djathtë në tokë, dha urdhër: “Armë mbush”! Ushtarët mbushën armët dhe i vunë ato në siguresë, në pritje të komandës vijuese. Katër kapterët, zbritën nga makina Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun dhe i afruan te gropa. Në anën e majtë të togës së pushkatimit, u vendos një makinë e tipit “Xhip”-s, nga i cili zbritën shtatë veta, të gjithë civilë. Makina tip “Xhip”, lëshoi dritat e shkurtra drejt gropës. Dy njerëzit me kapuçonë të zinj, u vendosën te buza e gropës, ballë për ballë me togën e pushkatimit.
Shtatë civilët, ishin në krah të togës së pushkatimit dhe i morën firmën komandantit të togës mbi proces-verbalin e pushkatimit. Kaloi rreth një minutë heshtje, derisa një prej civilëve, me një pistoletë të varur në një këllëf krahë-qafë, dha urdhër që t’u hiqeshin kapuçonët e zinj, dy të arrestuarve. Dy kapterët u hoqën kapuçonët e zinj. Nga rreshti i ushtarëve, u dëgjua një britmë e mbytur. Njeri nga ushtarët, ishte habitur kur pa përballë Kadri Hazbiun.
Detajet e pushkatimit te Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, në datën 10 shtator 1983
Ora 23:15. Dy nga shtatë civilët, plotësonin formularët që mbahen sipas ligjit, kur pushkatohet një njeri, ndërkohë që një prej tyre, me një kasetofon në dorë, u afrua pranë të dënuarve me pushkatim. Civili me pistoletë të varur krahë-qafë, u tha me një ton të prerë: “Të dënuar. Cila është dëshira juaj e fundit”? Kaluan më shumë se gjashtëdhjetë sekonda dhe askush nuk po fliste. Asgjë nuk pipëtinte. Dy të dënuarit, qëndronin të ngrirë para togës së pushkatimit.
Sipas ligjit, duhet të priten 90 sekonda, që i dënuari të thotë dëshirën e fundit. Por heshtjen e theu Kadri Hazbiu. Ai tha me një zë të mbytur: “Në djall vafshi të gjithë”. Zëri i tij ishte shumë vështirë të dëgjohej në distancë të largët. Ai tingëllonte i trashë, ashtu siç del zëri i një njeriu që i janë shkulur të gjithë dhembët e gojës. Civilit që regjistronte dëshirën e fundit i ngriu kasetofoni në dorë, kur dëgjoi këto pesë fjalë.
Të gjithë prisnin që ai të thoshte; “kërkoj mëshirë”, qe ta regjistronin dhe t’ia çonin në zyrë Komandantit. Deshira e fundit e Kadri Hazbiut, i shtangu të gjithë. Askush nuk orientohej dot. Ligji e kishte që të fliste dhe Feçor Shehu. Civili me pistolete në krah, që ishte prokurori që firmos vdekjen e të dënuarve, i tha me zë me imponues, por që nuk kishte timbrin e zërit të tij të vërtetë: “Dëshira e fundit, i dënuari Feçor Shehu”. “Edhe ju vafshi në djall”. Feçor Shehu e njohu prokurorin që kishte përballë. Ai i kishte propozuar, që ai të transferohej nga Prokuroria e Fierit, në atë të Tiranës. Tani nuk u besonte syve. Një prej atyre që u kishte bërë mire, ndodhej përballë tij, si ekzekutor i një vendimi të gjykatës.
Por 90 sekondat e dëshirës së fundit, ishin plotësuar dhe dy oficerët civilë që mbanin shënime, i thanë diçka në vesh oficerit M.D. Ai dha komandën që ushtarët të hiqnin armët nga siguresa. Pas 30 sekondave dha komandën “Zjarr”! Rreth 100 plumba 7.62 milimetrash, ishin derdhur mbi trupat e Kadri Hazbiut dhe te Feçor Shehut. Një në 10 fishekë, ishin gjurmëlënëse. Më shumë se 10 plumba, kishin depërtuar në trupat e dy të pushkatuarve.
Ata u këputën si gjethe dhe ranë në fillim në gjunjë dhe pastaj në tokë. Toga e ushtareve, vuri armët në siguresë, dhe hipi në makinë. Makina u nis andej nga kishte ardhur. Shatë civilë, ndenjën përballë dy të pushkatuarve. Prokurori që do të firmoste për vdekjen e tyre, në fillim nxori pistoletën e tij “TT”, nga këllëfi dhe me një tërheqje të tytës mbrapa, i futi fishek në gojë.
U afrua në fillim te Feçor Shehu dhe i dha goditjen e fundit në tëmthin e majtë. Pas “Colpo di gracias”, që i kishte dhënë ish-ministrit të Brendshëm, ai urdhëroi që të kthenin brinjas Kadri Hazbiun, i cili kishte rënë përmbys, nga goditja e togës së pushkatimit. I dha dhe atij; “Colpo di gracia”, po në tëmthin e majtë. Pastaj urdhëroi që t’i lidhin të dy kufomat me një palë pranga. Kapteri i lidhi. I shtynë drejt gropës dhe katër varrmihësit, që po prisnin rreth 200 metra më tutje, erdhën dhe mbuluan gropën.
Herët në mëngjes ata mbuluan me plisa me bar, vendin e varrit dhe rreth tij mbollën disa ferra. Civilët kishin plotësuar hartën, kishin firmosur dhe ishin larguar në momentin që ishin mbjellë dhe ferrat. Një prej katër varrmihësve në vitin 1994, u erdhi në ndihmë familjeve të dy të pushkatuarve, duke u treguar, se ku ishin varrosur…!
Përplasjet mes Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut, për arrestimin e gjeneralëve; Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parllaku
“Nata e zezë e 5 nëntorit 1975, është nata kur janë pushkatuar tre ushtarakët më të lartë të Ushtrisë Shqiptare”, – tha një nga kolegët tanë atëhere, me gjysëm zëri. Dhe vërtet “kjo natë e zezë”, ka zgjatur plot 11 muaj. Ajo ka filluar me datën 25 nëntor 1974 dhe ka përfunduar me datën 5 nëntor 1974.
Me datë 24 nëntor 1974, në orën 10:00, në zyrën e Enver Hoxhës hyri Mehmet Shehu. Ai ishte i zverdhur dhe fliste me vete. Për dy orë rresht, ai ka qëndruar në zyrën e Komandantit. Kanë diskutuar shumë gjatë dhe kur ka dalë, i merreshin këmbët dhe dukej sikur ecte si i pirë…! Që prej datës 4 korrik 1974, Byroja Politike, ishte tronditur shumë nga themelet. Pas mbledhjes së Durrësit, ku u zbuluan për herë të parë “Tezat e zeza”, Kongresi i gjashtë i Partisë së Punës së Shqipërisë, i kishte dënuar shumë rëndë ato dhe autorët e këtyre tezave. Ata ishin Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parrllaku.
Por, në të vërtetë, ato asnjëherë nuk ishin “teza të zeza”. Përkundrazi, ato ishin e vërteta e strategjisë së Ushtrisë Shqiptare, në rrethim të plotë. Katër hierarkët më të lartë të ushtrisë, ishin akuzuar në kongresin e gjashtë, se ata kishin krijuar grupin puçist në Ushtri. Drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e kishte marrë Mehmet Shehu. Beqir Balluku ishte izoluar, ndërkohe që Enver Hoxha, ka përdorur manovrën më të rafinuar në jetën e tij, në adresë të Hito Çakos dhe të Petrit Dumes. Ai i ngriti në detyrë, në momentin që kryqëzoi Beqir Ballukun, për të zbuluar në themel veprimtarinë e tyre armiqësore.
Historia është shumë e dhimbshme. Kur Enver Hoxha arrestonte Koçi Xoxen dhe e pushkatonte, duartrokiste Beqir Balluku dhe të tjerët. Kur u kryqëzua Teme Sejko, përsëri ata duartrokisnin. Kur u arrestua Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako, rrufetë më djegëse në adresë të tyre, i lëshoi Mehmet Shehu. Kur Mehmet Shehut i erdhi radha për vete, rrufetë më djegëse i lëshoi Kadri Hazbiu. Kjo lloj strategjie, shumë e rafinuar e Enver Hoxhës, ia bënte shumë të lehtë atij punën. Duket se ai, për të vrarë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ka përdorur pjesën tjetër të bashkëpunëtorëve të tij, më të ngushtë….!
Nata e 25 nëntorit 1974
Ende pa u tharë mirë boja e vendimeve të Kongresit të gjashtë të Partisë së Punës së Shqipërisë, Mehmet Shehut, pas daljes nga zyra e Enver Hoxhës, iu desh që të bisedonte gjatë me datën 24 nëntor 1974, me Kadri Hazbiun, në atë kohë ministër i Brendshëm. Ai i përcolli fije për pe, të gjithë përmbajtjen e bisedës me Enver Hoxhën dhe sidomos, i komunikoi dy urdhrat kategorikë. Urdhri i parë ishte; që të nesërmen, me datë 25 nëntor 1974, të arrestohej Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume dhe Rrahman Parllaku. Kadriu për disa minuta, mbeti i shtangur, pasi kurrë nuk e kishte menduar, që puna të shkonte deri aty. Ai të realizonte arrestimin e njeriut më të afërt të Enver Hoxhës, Beqir Ballukut!!
Ai, edhe pse ishte iniciator i tërë nismave për dënimin e grupit puçist, kishte menduar se ata, do të përjashtoheshin nga partia dhe do të internoheshin. Kur ai mori urdhrin e arrestimit, është menduar gjatë. Mehmet Shehu, i tha prerë: “Ky është një urdhër i komandantit dhe nuk diskutohet. Nesër në orën 10:00, do të raportosh për zbatimin e këtij urdhri. Ke shumë pak kohë, për ta zbatuar. Me sa di unë, Sigurimi i Shtetit, ka më shumë se tre muaj që i survejon dhe i ndjek me shumë kujdes. Ty të mbetet shumë pak gjë, vetëm realizimi i prangosjes së tyre.
Mbasi t’i arrestosh, duhet që t’i mbash në katër qeli të veçanta në Burgun 313. Ata duhet të trajtohen si armiq të popullit dhe të partisë. Ata kanë dashur t’i bëjnë atentat komandantit dhe janë ideatorët dhe organizatorët e puçit ushtarak në ushtri. Do të zgjedhësh elitën e oficerëve të Sigurimit dhe do të marrësh një togë speciale të ushtrisë, për të realizuar pa shumë zhurmë dhe me përpikëri të plotë, arrestimin e Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes dhe të Rrahman Parllakut. Pasi t’i arrestosh, duhet të bësh një raport shumë të hollësishëm dhe me detaje për komandantin. Isha para pak kohësh në zyrën e tij dhe kemi biseduar çdo detaj, me shumë kujdes”.
Kjo ishte përmbajtja e urdhrit të parë të Mehmet Shehut, për ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu. Ish-ministri, mori të gjitha masat që të kryej një arrestim sa më i qetë, pa kundërshtime dhe në fshehtësi të plotë. Një orë pas takimit me Mehmet Shehun, ai mblodhi në zyrën e tij, katër njerëzit më të afërt të tij dhe hartoi planin, duke e koduar “Dora e zezë në ushtri”. Për rreth tre orë, ai diskutoi të gjitha detajet me katër bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Për të mos dalë sekreti, ai u solli bukë në Ministri dhe u tha që të qëndronin në gatishmëri dhe në mesnatë, do të urdhëronin zbatuesit e operacionit të arrestimit të Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes dhe Rrahman Parrllakut.
Mehmet Shehu i kishte raportuar Enver Hoxhës, për detajet e këtij operacioni. Por, sipas rregullit, Kadri Hazbiu përdori dhe kanalin e tij, për t’i raportuar komandantit. Komandanti, pasi mori planin e njëjtë, të raportuar nga dy njerëz të ndryshëm, u mbyll në zyrën e tij. Ai është mbyllur në orën 17:00 dhe ka qëndruar aty, deri vonë në mbrëmje. Ai u ka dhënë dritën jeshile dy vartësve të tij….”!
Fati i dhimbshëm i familjeve të Petrit Dumes dhe Beqir Ballukut, pas pushkatimit të tyre!
Urdhri i dytë i Komandantit, ishte shume tronditës. Ai kishte formuluar shprehjen: “Pas arrestimit të Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, familjet e tyre të internoheshin në mënyrë urgjente”. Ky urdhër, e kishte lënë pa frymë Mehmet Shehun. Ai ia kishte transmetuar urdhrin, ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu. Pasi u raportua për sistemimin në burg të katër puçistëve të ushtrisë, me datën 26 nëntor të vitit 1974, u urdhërua që Fronti Demokratik i Lagjes Nr. 8 të Tiranës, të bënte internimin e pjesëtarëve te familjes Balluku dhe të familjes së Petrit Dumes.
Kuja në shtëpinë e Petrit Dumes
Vila e Petrit Dumes ndodhej në qendër të Bllokut, në cepin verior të shkollës “11 Janari”. Vila ekziston edhe sot. Vila dykatëshe, ishte ndër vilat më të preferuara të Bllokut. Në vilë, ndodheshin gruaja dhe tri vajzat e Petrit Dumes, që me ankth, ndiqnin zhvillimet e kohës për babanë e tyre dhe për shokët e tij, të konsideruar si puçistë nga regjimi komunist, të cilit ata i kishin shërbyer për mjaft kohë. Aktualisht, ngjitur me vilën, është ndërtuar një pallat dhjetëkatëshe.
Në hyrje të vilës, në orën 05:00 të mëngjesit të datës 26 nëntor 1974, ishte parkuar një makinë e tipit “ZIS”, me targë të Lushnjes. Në derë trokitën tre oficerë të Sigurimit, të veshur civilë, një polic me uniformë, një përfaqësues i Frontit Demokratik të lagjes, si dhe një përfaqësues nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës. Në derën e shtëpisë, doli Vera Dume, vajza e Petrit Dumes, e cila tashmë ka vdekur aksidentalisht nga shpërthimi i një autobombe në ish-supermarketin “VEFA” në Tiranë, në vitin 1996. Asaj i thanë që duhet të dilte të takohej me grupin e civilëve (oficereve të Sigurimit) nëna e saj. Familja, që kishte më shume se 24 orë që kishte nisur kujën, për arrestimin e gjeneral Petrit Dumes, tani përjetonte një tjetër dramë.
Sapo doli gruaja e Petrit Dumes te dera e vilës, një prej civilëve i dorëzoi një fletë, që për dy orë, duhet të bëheshin gati, pasi në orën 07:00 të mëngjesit, duhet të udhëtonin me makinën që i priste te dera. Asaj i ra të fiket. Nuk arriti ta lexonte plotësisht letrën që mbante vulën e kryetarit të Internim-Dëbimeve të Tiranës, për familjet e deklasuara dhe të armiqve të popullit. Gruaja e Petrit Dumes, nuk u përmend për gati një orë.
Në këtë kohë, tre civilët kishin filluar të ngarkonin makinat, duke nxjerrë jashtë të gjitha sendet personale dhe rrobat e familjes Dume. Ata u thanë që të merrnin edhe ato pak ushqime që kishin në dollap, mandej të mos merrnin më asgjë tjetër. Tërë orenditë e shtëpisë, t’i linin pa lëvizur. Në më pakë se dy orë, aksioni kishte marrë fund. Mbi makinë, ishin ngarkuar një grusht me tesha dhe sende personale të gruas dhe tri vajzave të Petrit Dumes, ndërkohë që me shoferin në kabinë, hipën dy civilë, të cilët ishin dhe instruktorët e Dëbim-Internimit.
Në orën 07:00 të mëngjesit, makina u nis drejt fshatit Grabian të Lushnjës. Makinën tërë rrugës, e shoqëronte një “Xhip” (fuoristradë e kohës) i Degës së Punëve të Brendshme të Tiranës. Pas tri orësh udhëtimi, familja u sistemua në një shtëpi krejtësisht të pabanueshme, në Grabian të Lushnjes, ku do të jetonte, derisa t’i shpëtonte internimit, vetëm në vitin 1990. Rrufetë më të mëdha, ranë mbi këtë familje, e cila nuk kishte asnjë lloj faji, ndërkohë që në raportet e Komandantit, shkruhej se familja jetonte në një luks të paparë dhe, mbi të gjitha, nga goja e Enver Hoxhës, doli akuza se: “Gruaja e Petrit Dumes, lahej me qumësht, në vend të ujit”.
Pas sistemimit në barakën e Grabianit, menjëherë Mehmet Shehu, nga një anë dhe Kadri Hazbiu nga ana tjetër, bënë raportet që iu dorëzuan Komandantit, për realizimin e operacionit “Çarli”. Iu vu ky emër, për shkak të emrit të kalit të Petrit Dumes. Gjenerali kishte përdorur një kalë personal, që kishte këtë emër. Sapo nga vila u largua familja e Petrit Dumes, menjëherë në shtëpi, u sistemua anëtarja më e re e qeverisë, Tefta Cani, ministre e Arsimit dhe e Kulturës, duke u bërë dhe pjesa më e re e Bllokut”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm