Nga Sejfi Vllamasi
Pjesa e katërt
Memorie.al / Nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, mbërrijnë delegatët e popullit dhe një shumicë patriotësh, prej brenda e jashtë Shqipërisë dhe, më 28 nëntor të vitit 1912, në mes të një entuziazmi të madh, pas 450 vjet robërie, u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë. U formua një qeveri nën kryesinë e Ismail Qemalit, në të cilën merrte pjesë edhe Preng Bibdod Pasha, si nën kryeministër dhe Esat pashë Toptani si ministër i Brendshëm. Kur Ismail Qemali mbërrin në Vlorë, Seit Qemali, Murat Tërbaçi, Alem Mehmeti dhe shumë patriotë të tjerë, si rezervistë, luftonin kundër ushtrisë greke në Llogara. Këta, me t’u informuar mbi qëllimin e ardhjes në Vlorë të Plakut, e ngritën flamurin kombëtar në ballë të luftës, para se të ngrehej në Vlorë.
Ethem bej Starova, ka qenë kundër fuqive vullnetare. Rebelët pasi hynë në Pogradec, shkuan deri te Ura e Maliqit. Këtu u ndalën pasi këtë pikë e konsideronin si kufirin që ndante Shqipërinë me Greqinë. Përpara sukseseve të njëpasnjëshme të kryengritësve, Vidi dhe anëtarët e tij u alarmuan dhe, për të siguruar forca vullnetare, për të shtypur kryengritjen, trokitën çdo derë, duke filluar nga dyert e mëdha, në të cilat Vidi ka qenë i bazuar. Pas dështimit të sulmit të kryengritësve kundër Durrësit, më 15 qershor, qeveria, e cila disponon me fonde të mjaftueshme, filloi grumbullimin e forcave vullnetare.
Kështu mbërrijnë në Durrës 1.200 vullnetarë mirditas nën kryesinë e Marka Gjonit. Preng Pasha, në krye të një fuqie të përbërë prej shkodranësh e malësorësh, zuri Ishmin. Zogu me një fuqi matjanësh, mbërrin në afërsitë e Krujës. Azis pashë Vrioni, me vullnetarët e Beratit, ashtu edhe vullnetarët e Vlorës e të Mallakastrës, shkonin mbi Lushnjë, për të çliruar Durrësin nga rrethimi i Ehli-Kijamit. Bajram Curri, malësorët e Kosovës i dërgonte me det, nga Shëngjini në Durrës.
Si për vullnetarët e Mirditës, ashtu edhe për forcat e tjera civile, autoritetet ushtarake deshën që këto forca, për lehtësi veprimi, të ndaheshin në detashmente, duke shoqëruar secilën prej tyre, me nga 10 xhandarë. Por Marka Gjoni nuk e pranoi këtë dhe pa marrë asnjë masë sigurie, e sulmoi Rrashbullin. Kryengritësit, që kishin zbritur në rrëzë të Rrashbullit dhe të fshehur në Shkozet, i pritën mirditasit me një zjarr të rreptë, duke i shpartalluar ata me humbje të mëdha. Edhe vetë kam qenë dëshmitar i kësaj lufte, në fillim e deri në mbarim. Nga ana tjetër, Preng Pasha okupoi Ishmin, por, kur pararojat e forcave të tij, ishin duke ecur drejt Shijakut, ai nga frika e rrethimit prej fuqisë rebele që vinte nga Fusha e Krujës, u tërhoq me shpejtësi deri në Lesh.
Zogu, që ishte duke pritur në Krujë zhvillimin e sulmeve të Marka Gjonit dhe të Preng Pashës, pas disfatës së tyre u tërhoq në Mat. Nga ana tjetër, rebelët, pasi shpartalluan fuqitë e Azis pashë Vrionit, më 11 qershor okupuan Lushnjën dhe u shtrinë gjer në lumin e Devollit.
Fuqitë vullnetare të Mallakastrës e të Vlorës, të komanduara nga major Besim Koka, duke pasur në krah të djathtë, Hysni Toskën e në krah të majtë Bektash Cakranin, në Manastirin e Ardenicës bëheshin gati për t’u futur në Lushnjë. Kryetari i rebelëve, Arif Karbunara, që ishte një patriot i frymëzuar me ndenja nacionaliste nga sheh Ibrahim Karbunara, ra në kompromis me fuqitë qeveritare të qendrës, duke u thënë se ai do të zmbrapsej, për t’u lënë atyre rrugë të lire, për të hyrë në Lushnjë.
Besim Koka ishte edhe komandanti i përgjithshëm i forcave vullnetare. Ky, me gjithë lehtësirat që i bëri Sheh Karbunara që të hynte pa luftë në Karbunarë, e bombardoi Lushnjën dhe i la të lirë vullnetarët, të plaçkitnin popullin; me një fjalë, bëri çmos për ta sabotuar luftën, që me siguri do të fitohej. Rebelët dhe populli, të egërsuar nga bombardimi, e sulmuan fuqinë qeveritare dhe e detyruan të tërhiqet me dëme të mëdha, duke mbetur i plagosur edhe Seit Qemali. Fuqitë qeveritare në tërheqje e sipër, u qëlluan nëpër gardhet e shtëpive, prej bujqve myzeqarë të shtypur, të cilët me këtë rast, treguan spontanisht urrejtjen dhe zemërimin e tyre, kundër çifligarëve dhe fuqive të tyre.
Bektash Cakrani qëndroi në vend dhe nuk përparoi, ndërsa Hysni Toska luftoi trimërisht, duke lënë mjaft të vrarë, midis të cilëve, Riza dhe Godo Hekalin, që të dy nipërit e Rrapo Hekalit. Kryengritësit më 12 korrik 1914, e pushtuan Beratin dhe Fierin, që bombardohej prej Bektash Cakranit.
Në Berat u ekzekutuan prej rebelëve, tre patriotë: kapiten Baki Gjebrea, Hajredin Fratari dhe Ismail Klosi. Berati më 13 gusht u pushtua prapë, prej emigrantëve të Korçës e të Gjirokastrës. Në këtë luftë, ka marrë pjesë edhe Çerçis Topulli, por më 19 gusht, qyteti u ripushtua prej rebelëve, të cilët zunë Vjosën dhe bënë përgatitje për të hyrë në Vlorë.
Kryengritja “Vorio-Epirote”
Për organizimin e xhandarmërisë shqiptare, ishte caktuar nga Konferenca e Londrës dhe kishte ardhur në Shqipëri një mision ushtarak holandez, nën kryesinë e gjeneral Dewerit, me nënkryetar kolonel Thomson. Në përbërje të misionit, kishte dhe oficerë të tjerë të gradave të ndryshme. Këta oficerë, në bashkëpunim me oficerët shqiptarë, organizuan xhandarmërinë për viset e lira dhe njëkohësisht, në parashikim të çlirimit të viseve që ende mbaheshin nga grekët e serbët, pregatitën nga një batalion, për çdo prefekturë.
Për Korçën e Gjirokastrën, batalionet komandoheshin përkatësisht nga major Mustafa Aranitasi dhe major Ismail Haki Tatzati. Kur qeveria greke vendosi, e shtrënguar nga Fuqitë e Mëdha që kishin caktuar kufijtë e Shqipërisë, të tërheqë fuqitë e saj të okupacionit nga Korça dhe Gjirokastra, qeveria shqiptare, nisi batalionet e saj të xhandarmërisë, bashkë me prefektët e kryetarët e zyrave të paracaktuara, për të marrë në dorëzim të rregullt ato prefektura. Dorëzimi i rregullt, u bë për Korçën, Ersekën, Tepelenën, një pjesë të Dangëllisë, Këlcyrën dhe një pjesë të Kurveleshit.
Nga mesi i marsit, qeveria shqiptare dërgoi 300 xhandarë nën komandën e Mustafa Spatharës, me dy oficerë holandezë, që marshuan nga Opari për Voskopojë e Korçë. Ushtria greke e dorëzoi Korçën dhe u nis për në Bilisht e kufi. Por grekët në Korçë, filluan të vënë në zbatim planin e kryengritjes që kishin përgatitur më parë, dhe, më 2 prill 1914, në Korçë plasi kryengritja, e organizuar nga agjenti grek, Jakovi, Dhespot i Korçës, dhe nga këshilli i Mitropolisë. Ky plan u vu në zbatim nga vullnetarët grekomanë të qytetit e të fushës, nën komandën e kapedan Sulos, si edhe prej ushtarëve grekë, të fshehur në Korçë, të cilët zunë pozitat më me rëndësi të qytetit.
Përnjëherësh u dha kushtrimi ndër fshatra, në të cilat patriotët filluan të grumbulloheshin e të organizoheshin. Forcat e Kajo Kapedanit, u vendosën nën vreshtat e Korçës, ku shpartalluan fuqitë e Jorgji Bushos, ish-deputeti i Serfixhës në parlamentin otoman, të cilat po marshonin për në qytet. Nga ana tjetër, fshatarët e Mborjës, në Grykën e Mborjes, shkatërruan fuqinë e doktor Harisjadhit (korçar), të përbërë prej 400 vetash. Kështu qyteti u çlirua dhe Dhespoti me Këshillin e Mitropolisë, u transferuan në Elbasan.
Nacionalistët ekstremistë të Korçës, të egërsuar nga tradhtia e grekomanëve të Korçës, deshën të digjnin qytetin, por ndërhyrja dhe gjakftohtësia e Abdyl Ypit e shpëtoi qytetin nga rreziku i zjarrit. Fuqitë kombëtare shkelën Devollin, Arrzën, Nikolicën e Dardhën. Major Ismail Haki Tatzati, e bëri Hoçishtin qendër veprimi. Bilishti mbeti në duar të grekëve. Në Korçë u stabilizua administrata me prefekt Pandeli Vangjelin, me ndihmës prefekt Abdyl Ypin, me kryetar gjyqi, avokat Kasnecin (himariot), me shef të policisë, Themistokli Gërmenjin dhe me komisar policie, Hysen Nikolicën.
Kur vazhdonte ky dorëzim i rregullt, por qëllimisht i ngadalshëm nga grekë, doli në skenë autonomia vorio-epirote. Komanda greke pezullon dorëzimin e vendeve të tjerë, me pretekst se, pasi populli i atyre vendeve shpalli autonominë, ajo nuk kishte mundësi që t’i impononte atij bashkimin dhe nënshtrimin ndaj Qeverisë shqiptare, prandaj ajo (ushtria greke), tërhiqet në kufijtë e caktuar nga Konferenca e Londrës dhe lë Qeverinë shqiptare, të rregullojë vetë punët me qeverinë e autonomisë vorio-epirote.
Kjo gjendje shkaktoi që Shqipëria të përdorë armët, jo vetëm për të liruar pjesën tjetër të tokës së saj, por edhe për të mbrojtur ato që i kishte marrë në dorëzim të rregullt nga ushtria greke, duke derdhur gjakun e bijve të saj. Xhandarmëria shqiptare, pasi mori në dorëzim Ersekën, në bazë të marrëveshjes me komandën greke të dorëzimit suksesiv të vendeve që po okuponte, u nis për të marrë në dorëzim edhe Leskovikun.
Por, kur ajo arriti në afërsitë e Leskovikut, u prit befas me zjarr nga fuqitë e qeverisë vorio-epirote, të cilat, sipas vendimit të qeverisë së tyre, nuk i bindeshin vendimit të Konferencës së Londrës, për bashkimin me Shqipërinë të prefekturave të Korçës dhe të Gjirokastrës. Kjo qeveri kërkonte bashkimin me Greqinë ose, të paktën një autonomi të atillë që ishte barazi me bashkimin me Greqinë, duke mbështetur kërkesat e saj, veç të tjerave, me pretendimin se gjoja shumica e popullsisë së dy prefekturave (Korçë e Gjirokastër), përbëhet nga të krishterë, pra sipas thënies greke; “pan orthodhoksos kristianos, ine elinos”, nga grekët.
Kjo formë qeverie ishte ngrehur nga Qeveria greke, vënë në veprim prej saj e paguar po nga e njëjta, e përkrahur politikisht dhe ushtarakisht po prej saj. Vetë kryetari i qeverisë, ishte ish-prefekti i Greqisë, me kombësi shqiptare nga Qestorati, ministri i Brendshëm, ishte majori i xhandarmërisë greke, me kombësi shqiptare, nga Nivicë-Bubari.
Xhandarmëria shqiptare që do të merrte në dorëzim Leskovikun, përbëhej prej një kompanie (afro 120 veta). Gjindur para një situate të papritur dhe duke pasur përballë fuqi shumë më të mëdha dhe më me shumë mjete, ajo pas një përpjekjeje të ashpër, duke lënë rreth 20 të vrarë, ndër të cilët Qani bej Starjen dhe disa të tjerë të plagosur, u detyrua të tërhiqet bashkë me fuqitë vullnetare, që i kishin ardhur në ndihmë qysh në krismat e para të pushkëve, për në vijën Gërmenj-Radom, me qëllim që të pengonte përparimin e fuqive vorio-epirote dhe të merrte udhëzime të reja, mbi gjendjen e krijuar.
Fuqitë e autonomisë përbëheshin prej repartesh jorollohite (kompani të shenjta), të cilët ishin rekrutuar nga të krishterët vendës, të inkuadruara, të stërvitura të armatosura dhe të pajisura nga qeveria dhe oficerë të ushtrisë së rregullt greke, qysh më parë. Andarët (komitat) ishin trupa të quajtura vullnetare, të përbëra nga çeta kryengritëse të Epirit, Maqedonisë e Kretës, që kishin luftuar në kohën e Turqisë dhe tani mbaheshin të rezervuar, për çdo lloj aventure. Veç këtyre, ndër repartet andarte, bënin pjesë edhe reparte të ushtrisë së rregullt greke, që ajo i kishte lënë qëllimisht në vend dhe që formalisht i kishte deklaruar, si dezertorë. Edhe këta, si të tjerët, ishin të pajisur e armatosur gjer në dhëmbë.
E njëjta gjë ndodhi edhe me xhandarmërinë e Gjirokastrës, e cila, e nisur nga Tepelena për të marrë në dorëzim atë qytet, u ndesh në afërsitë e Hanit të Subashit, si edhe me forcat e xhandarmërisë të destinuara për Përmetin, të ndaluara përtej Këlcyrës, nga fuqi të njëllojta vorio-epirote. Edhe këtu xhandarmëria shqiptare u detyrua të tërhiqet dhe e riforcuar me vullnetarë, të mbrohet afërsisht në vijën Hani Vjosë –Hormovë e Shtepëz. Kështu filloi ndeshja e parë e armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe trupave të autonomisë verio-epirote, me pasoja shumë të hidhura për popullin shqiptar, i cili gjatë periudhës së luftimeve të mëpastajshme, tregoi një vetëmohim, trimëri e guxim, në rrethana shumë të vështira për bashkimin e truallit të tij të gjymtuar dhe për vëllazërimin e elementëve fetarë, që e përbënin.
Në prill të vitit 1914, xhandarmëria shqiptare ish riforcuar me reparte vullnetare, të përbëra nga disa vende të Shqipërisë e, sidomos nga popullsia vendase, të entuziazmuara por të çrregullta, të padisiplinuara e veçanërisht, të pa pajisura, ngaqë u mungonin municionet dhe ushqimi. Por mungesa më e madhe, ish ajo e komandës drejtuese dhe bashkërenduese. Me gjithë këto mungesa, u vendos të ndërmerret një ofensivë e përgjithshme. Qëllimi i kësaj ofensive, ishte likuidimi i autonomisë verio-epirote dhe çlirimi i vendeve që ende ishin nën pushtetin e saj.
Objektivi kryesor ishte Gjirokastra, qendër e Qeverisë vorio-epirote, pasi mendohej se me marrjen e saj, çdo rezistencë e hapët dhe bashkë me të edhe ekzistenca e autonomisë vetë, do të merrte fund.
Kështu ofensiva filloi në shumë drejtime. Kryesorja ishte ajo Tepelenë – Gjirokastër, e ndihmuar nga ofensiva Labovë – Libohovë. Të tjerat ishin Kuç – Himarë, Qafa e Skërficës – Delvinë, Këlcyrë – Përmet – Frashër – Leskovik dhe Gërmënj – Leskovik. Nga të gjitha këto, vetëm ajo e Manastirit të Cepos – Gjirokastër dhe ajo e Qafës së Skërficës – Delvinë, gati ia mbërrinë qëllimit. Pararojat e të parës arritën në lumin Virua dhe të së dytës, në lagjen ‘Rusant’ të Delvinës. Kolonat e tjera patën disa suksese të vogla dhe shumë shpejt, u detyruan të ndalojnë përparimin.
Nga këto suksese fillestare të armëve shqiptare, që shkaktuan shpartallimin e forcave të autonomisë, qeveria autonome përgatitej e bëhej gati të ikte; një pjesë e popullsisë grekofone, filloi të emigrojë për në Janinë, në Korfu e gjetkë. Qeveria greke, ishte edhe ajo e preokupuar nga sukseset e shqiptarëve, që vinin në rrezik gjithë planin e saj të shkëputjes së Epirit nga Shqipëria.
Për atë arsye, vendosi të dërgojë me shpejtësi të madhe në ndihmë të Qeverisë autonome, trupat e rregullta të Divizionit të Janinës, duke i deklaruar ato si të arratisura. Këto trupa, mbërritën me shpejtësi në ballë të fronteve dhe pas disa përpjekjeve, mundën të zbythnin trupat shqiptare, që siç është thënë, konsistonin në pak xhandarë dhe shumica bashibozukë të cilat, ristabilizuan frontin në vijat e mëparshme të nisjes.
Për pak kohë lufta sikur u pre, ngaqë Qeveria shqiptare hyri në bisedime me ata të autonomisë në Korfu, për të gjetur një zgjidhje paqësore të çështjes së Epirit. Ndër këto kohë, grekët përgatiteshin, në rast dështimi të tratativave të Korfuzit, ose në rastin oportun, të merrnin ofensivën për të ri-okupuar gjithë pjesën tjetër të Epirit, që ishte në dorën e shqiptarëve, e të arrinin vijën; Llogara – Salari – Qafa e Kiçokut – Ostrovcë e Maliq.
Rasti i pritur nga grekërit, nuk vonoi. Në Shqipërinë e Mesme, plasi kryengritja esadiste kundër Vidit dhe Qeverisë kombëtare. Kjo u përhap pak nga pak, aq sa fuqitë rebele, arritën të okuponin Beratin, Elbasanin, Pogradecin e, tjerë dhe të kërcënonin Vlorën, të cilën e okupuan pas pak ditësh.
Fuqitë kombëtare që ishin në ballë të luftës kundër grekëve, u ndodhën të pabaza; jo vetëm që nuk kishin ndihmë nga prapa, por ishin në rrezik të sulmoheshin edhe nga rebelët, të cilët përkrahnin rivendikimet greke, duke i quajtur nacionalistë si të pafe dhe shkaktarë të shkëputjes së Shqipërisë nga Baba Dovleti, për ribashkimin me të cilin ata luftonin.
Në këto rrethana, grekët ndërmorën ofensivën në të gjithë ballin. Fuqitë shqiptare, duke u ndodhur përpara presionit grek dhe duke u kërcënuar mbrapa nga rebelët e, në disa vende duke u goditur prej tyre, u shpartalluan dhe morën udhën për shpëtimin e tyre dhe të familjeve që iknin, “kush mund të iki më shumë”. Largoheshin për në krahinat e Vlorës, Mallakastrës, Beratit, në panik të madh.
Grekërit përparonin vazhdimisht, të penguar vende-vende nga shqiptarët, që kërkonin të përfitonin kohë për largimin e familjeve të tyre, që iknin vetëm me ç’kishin veshur e mbathur në trup. Përparimi i grekëve bëhej në mënyrën më të egër që kish parë bota, para invazioneve barbare. Ata përparonin, duke pasur në njërën dorë urën e zjarrit dhe në tjetrën, thikën e mprehur. Dogjën gjithçka që ishte e shqiptarëve myslimanë, vranë gjithë ata që nuk patën mundësi të largoheshin me kohë, pa dallim seksi e moshe. Njëkohësisht, me vrasjet dhe djegiet e myslimanëve, u përfshinë edhe të krishterët e Frashërit dhe të atyre fshatrave që kishin bërë çështje të përbashkët, me vëllezërit e tyre myslimanë. Gjithë kasollet e katundet që ndodheshin me parë të çliruara, u bënë shkrumb e hi, me ç’kishin brenda, bagëti e sende të tjera, që u gjetën u grabitën.
Janë për t’u shënuar masakrat e Panaritit. Fshatarët myslimanë të Panaritit, për të shpëtuar, ikën nga fshati dhe kaluan nëpër Backë, brenda në Skrapar. Bashkë me një nga agallarët e Panaritit, që u largua me dhentë e tij, qe edhe Stefan Panariti me bagëtinë e tij. Më vonë kthehet Stefani dhe grekët e bindën këtë, që t’i shkruante agait, që të kthehej edhe ai, pasi grekët siguronin lirinë dhe jetën e tyre. Agai beson dhe kthehet. Edhe nga populli kthehen ata, që e njihnin veten jo të kompromentuar. Por një natë i marrin burrat dhe i vrasin ndër afërsitë e Grabockës dhe të Melckës, ashtu i masakrojnë edhe gratë e fëmijët. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm