Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzet e shtatë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret me raport-informacionin e hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Janul Sinani, me të dhënat e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Vullneti”, të marra në Bazën “Shkrimtari”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit
Marrë P.op. Janul Sinani
Dhënë agjenti “Vullneti”
Në bazën “Shkrimtari”
Tiranë 22.8.1976
R A P O R T
Ai raporton se në ditën e enjte, shkon për vizitë tek shtëpia e Myrteza Bajraktarit, ku gjen një person të quajtur Henrik, të moshës 35 vjeç i cili, kishte një çantë të mbushur dhe të mbyllur, dhe të dy ja kishin shtruar me raki.
Në bisedë e sipër u mësua, se miku i Myrtezait punonte në një repart ushtarak. Nga ora 22, Henriku, u çua dhe u largua.
Gjatë bisedës me të Myrtezai, i tha atij se; kur kishte qenë për vizitë motra e tij i kishte thënë se, do ta shisnin shtëpinë për 30.000.000 dinarë dhe vreshtin për 7.000.000 dinarë. Pjesën e Myrtezait në formë testament, e çuan me postë në ambasadën tonë në Beograd, me anë të vëllait të tij, Xhemal Bajraktarit, kolonel në pension.
Para se t’i vinin plaçkat Myrtezai, del në park dhe shef një makinë me targa të Ohrit. Ai, pyet shoferin, nëse i kishte sjellë plaçkat e tij dhe kur ai i përgjigjet se po, atëherë ata nisen për në shtëpinë e Myrtezait. Më pas aty erdhën dhe dy-tre vetë nga dogana dhe i thonë që, do të paguajë si taksë shkarkimi, vetëm 20 lekë.
Myrtezai tha se, nuk e njohu shoferin pasi, ai ishte nga Dibra, me mbiemrin Fishta dhe kishte qenë në Tiranë afro 200-300 metra, nga shtëpia e Myrtezait. Ky shofer herët e tjera, paska ngarkuar çimento dhe tulla, ndërsa kësaj here, paska ngarkuar plaçka për mua, u shpreh ai.
Këtë shofer, njerëzit e mi e përcollën deri në kufi. Dhëndëri thotë Myrtezai, punon në gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, ndërsa motra punon, në gazetën “Fatosi dhe Gëzimi”, që del në Shkup. Motrën tjetër nuk e përmendi.
Ndërsa për të vëllain Xhemalin, Myrtezai tha se; jugosllavët i ofruan një post, shef-armate për pakicat, por ai kundërshtoi, duke ju thënë se; s’duhet të ketë armatë për pakicat, por për nacionalitetet, pasi shqiptarët janë, më shumë në numër, në raport me maqedonasit.
Kështu që ai, sajoi raport pas raporti, derisa doli në pension. Xhemali, sipas Myrtezait, ka bërë shumë shkolla, fakultete dhe ka dalë shkëlqyeshëm, por nuk i është dhënë vendi që i takon. Ai, ka bërë dhe fjalorin shqip-turqisht.
Xhemali fatmirësisht thotë ai, nuk është përlyer ndaj shqiptarëve, ndërse ndaj sllavëve, ai të bëjë çfarë të dojë. E rëndësishme është, që si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, nuk gjen njeri, që të thotë fjalë të këqija për të.
Xhemali, është martuar me një kroate dhe ka tre vajza. Njëra punon si pedagoge në Universitetin e Beogradit, tjetra si mësuese në një gjimnaz në Beograd, ndërsa e fundit, është kimiste dhe e martuar me një boshnjak.
Asnjëra, nuk din shqip. Myrtezai i tha atij, se ka qenë shumë e vështirë për të, duke qëndruar tre vjet pa punë, madje në disa momente ka kërkuar armë, që të vrasi veten e fëmijët, pasi ka qenë e pamundur përmbajtja.
Dy veta e kanë thirrur në Drejtorinë e Tiranës dhe i kanë thënë se; nuk mund të punonte në arsim pasi, kishte qenë në burg. Myrtezai u kishte thënë se, për punë fizike nuk ishte i aftë pasi, dorën e kishte gjysëm të paralizuar, që në burgjet e Jugosllavisë.
Për këtë ata shokët e kishin porositur, që do ta bisedonin dhe i kishin thënë që, të shkonte tek kuadri në Komitetin Ekzekutiv.
“Vullneti”
Vlerësimi i të dhënës:
E dhëna ka vlerë operative pasi, tregon për ardhjen e plaçkave të Myrtezait, si dhe për të vëllain Xhemalin.
Detyrë:
Detyra ndodhet në raportin origjinal të B.p.
Masat Operative:
E dhëna do të shtypet dhe një kopje do t’i kalojë Drejtorisë së III-të për të vëllain Xhemal Bajraktarin. Do të verifikohet personi me emrin Henrik, dhe nëse ai punon në repart ushtarak, do të njoftohet Sigurimi i Ushtrisë, së repartit përkatës.
Shënim i Kryetarit të Degës, sh. Zef Loka:
Një kopje e raportit t’i dërgohet Degës së Veçantë për Xhemalin, si dhe për të parë që plaçkat që ju dërguan Myrtezait, janë trashëgimi, apo nëse i dërgon UDB-ja.
Puntori Operativ
Janul Sinani
Dokumenti sekret i hartuar nga Drejtoria e III-të e Sigurimit të Shtetit, me ekstraktin e nxjerrë për Myrteza Bajraktarin, nga ana e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Janul Sinani
Sekret
Tiranë më 17.9.1976
Ekstrakt
Nxjerrë nga shkresa e Drejtorisë së III-të me Nr.1243 datë 9.9.1976, që bën fjalë për Myrteza Barjaktarin.
Nga bisedat dhe kontaktet që ka pasur shoku Jorgaq Mihali, me të vëllain e Myrteza Bajraktarit, rezulton:
- Kur ishte kthyer e motra nga vendi jonë, ndër të tjera kishte thënë se; “Myrtezai është pa punë dhe banon tek e vjehrra. Pra është dhe pa shtëpi. Gjithashtu ai është dhe i sëmurë. Marr shkas, tha Xhemal Bajraktari, që nga trajtimi i deri tanishëm, që i keni bërë, të kërkoj stabilizimin me punë dhe shtëpi të tij. E pyeta motrën, nëse i vëllai është i lëkundur ose jo, për të qëndruar në Shqipëri. Ajo e kishte biseduar me të vëllanë dhe a, i kishte thënë, se: do të qëndrojë në R.P.SH.
- Më pas Xhemali ka shkuar sërish në përfaqësi dhe ka kërkuar, që t’i jepet një dokument nga doganat tona, me qëllim që të kalonte pa doganë dhe pa asnjë kontroll, pjesën e pasurisë që i takonte Myrtezait. Kur shoku Jorgaq i tha se ambasada nuk lëshon një dokument të tillë, por ai duhet t’i shkruante Drejtorisë Qendrore të Doganave në Tiranë, ai u tërhoq.
- Në datën 25 Mars 1975, ambasada jonë në Beograd, merr kërkesën e të afërmve të Myrteza Bajraktarit, që ka legalizuar dokumentin lidhur me trashëgiminë e tij.
Shkresa është firmosur nga Zv/Drejtori i Drejtorisë së III-të, shoku Haki Keta.
Vërtetohet njësia me origjinalin.
Punëtori Operativ
Janul Sinani
Dokumenti sekret me shënimin operativ të Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kiço Petro, lidhur me takimin e bërë prej tij me Myrteza Bajraktarin, për t’i dhënë për përgjigje, për letrën që ai i kishte drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu
Sekret
Ekzemplar i vetëm
Tiranë, 30.8.1976
SHËNIM OPERATIV
Më datën 30.8.1976, unë Kiço Petro dhe oficeri i Drejtimit i Degës së I-rë, Qezap Agolli, takuam Myrteza Bajraktarin, për t’i dhënë përgjigje lidhur me një letër që ai i kishte drejtuar shokut ministër, për t’a ndihmuar për t’u futur në punë.
Nga ana e shokut Qezap, ju tha se: punë në arsim, ose në administratë, nuk ka, sepse tani janë bërë shkurtime, dhe së dyti, në arsim, nuk mund të punoni, për vetë faktin se keni qenë në burg.
Myrtezai i tha se: kam tre vjet pa punë, jam bërë për të bërë harakiri, nuk kam bukë të ha, se burgimi im ka qenë i padrejtë, mbasi jam i pafajshëm dhe personat që kanë denoncuar për mua, e kanë bërë me qëllim, për të na armiqësuar neve me pushtetin, etj.
Në përgjithësi, ishte dhe hiqej si shumë i revoltuar, gjë për të cilën ju tha se: këto fjalë mos na i thuaj neve, dhe në përfundim i thamë, të shkonte edhe njëherë në pushtet për të zgjidhur hallin e tij, mbasi na tha se: unë jam i sëmurë dhe nuk mund të punojë më punë krahu.
Më datën 30.8.1976, Myrteza Bajraktari erdhi dhe kërkoi përsëri takim, ku na tha se: shkova te shefi i Kuadrit i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, i cili i paska thënë se: ne të gjejmë punë në administratë, por të na thonë shokët e Drejtorisë të Punëve të Brendshme dhe me këtë rast, na u lut që të ndërhymë ne për ta vendosur në punë. Tha se kish shkuar në Ministri e ishte takuar me shokun Qezap Agolli, i cili më dërgoi tek juve.
Shënim:
Siç ka rrjedhur ngjarja, mendoj, se rruga më e arsyeshme është, që të ndërhyjmë në Komitetin Ekzekutiv, për ta vendosur në punë, gjë që do t’i heq dyshimet sadopak.
Në këto kushte, nuk mund të shtrohet problem i transferimit të tij, se ai me siguri do të reagojë dhe do të fillojë përsëri të bëjë letra për lart.
P. Op. Kiço Petro
Dokumenti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Shaban Braha, lidhur me takimin që ai kishte pasur me emigrantin kosovar, Estref Kelmendi, në qytetin e Shkodrës dhe bisedat që kishte bërë me të për Myrteza Bajraktarin
Sekret
Ekzemplar Nr. 2
Tiranë, 29.9.1976
Shënim Operativ
Nga një kontakt që pata me kosovarin Estref Kelmendi, arsimtar në rrethin e Shkodrës, rezulton:
Emigranti kosovar Myrteza Bajraktari, me banim në Tiranë, ishte i dënuar me grupin e Kapllan Resulit, para disa muajsh i ka vajtur në shtëpi Estref Kelmendi, me të cilin ka gratë motra, dhe i ka thënë: Unë kam qenë e jam patriot, kam ngelur rrugëve pa punë, ekonomikisht jam keq.
Disa shokë, si Agim Gjakova, Gani Demiri, Selim Kelmendi, (Krujë), etj., më kanë lëshuar nga një deklaratë, se si më njohin, me të cilën do t’i drejtohet shtetit, për të më sistemuar në punë. Për këtë gjë erdha të kërkoj edhe ty një deklaratë, ja lexoi dhe këto dy deklarata, të Gani Demirit dhe të Selim Kelmendit.
Estrefi tregon se i ka lexuar këto dy deklarata, por nga ana e tij i ka lëshuar një deklaratë shumë të shkurtër, ku vërteton, jo patriotizmin e tij, por gjendjen e vështirë ekonomike dhe nevojën e vendosjes të tijë në punë. Njëkohësisht, tregon Estrefi, i kam ndaluar hyrje-daljen në familje për personin e tij dhe të gruas së tij (…………………………).
Vlerësim:
E dhëna është e besueshme. Ka vlerë operative për faktin se prapa deklaratave të lëshuara, për “patriotizmin” e Myrteza Bajraktarit, qëndron Agim Gjakova dhe puna e tij armiqësore, i cili, nga një anë nxirrte pakënaqësi e nxitje të tilla, nga ana tjetër, synon të komprometojë elementin e shëndoshë, kurse vetë fshihet. Në fakt, vetë Agimi nuk ka lëshuar një deklaratë të tillë, sado që kështu i është thënë Estrefit nga ana e Myrtezait.
Punëtori Operativ
Shaban Braha
Dokumenti sekret me raport-informacion e hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Shefqet Metaj, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Ylli”, lidhur me bisedat që ai kishte bërë me Myrteza Bajraktarin
Marrë nga P. Op. Shefqet Metaj
Dhënë B.p. “Ylli”
Më, 14.3.1977
R A P O R T
Burimi njofton se: sot më datën 14.3.1977, rreth orës 10.00, është takuar rastësisht me Myrteza Bajraktarin, me të cilin pasi u përshëndet, shkuan në kafe tek Pallati i Kulturës dhe biseduan. Gjatë bisedave, Myrtezai filloi të ankohej se kishte mbetur pa punë, si ai dhe e shoqja.
“Unë, – tha Myrtezai, – shkronja letër edhe udhëheqësit kryesor dhe të shoqes së tij, midis të tjerave, kërkova dhe pafajësi, për burgun që kisha bërë, ata më dhanë përgjigje negative, dhe se dënimi im, sipas tyre, ishte i drejtë, pasi provohej me tre dëshmitarë, të cilët unë nuk i njihja. Më vonë ju drejtova dhe ministrit të Punëve të Brendshme, por me atë që unë mora takim, më tha; që të punoja në Fermë, se kisha bërë burg”.
Ai i tha se: këto janë gabime të tuat, prandaj nuk ke ç’bën, duhet të ulësh kokën dhe të punosh, ashtu si dhe unë. Unë të kam shok dhe të dua të mirën andaj të flas. Myrtezai tha: Jam mërzitur shumë dhe kam vendosur përfundimisht dhe të kërkoj heqjen e shtetësisë dhe të kërkoj ikjen në Jugosllavi, këtë nuk ja kam thënë asnjeri, përveç teje dhe Ahmet Sadikut.
Ai i tha: Ti më ke thënë se në Jugosllavi, ke qenë në burg shtatë vjet dhe se jugosllavët të kanë torturuar dhe tani dashke të vesh përsëri?! Myrtezai i tha: Njësoj është, edhe këtu në burg kam qenë, të paktën atje kam vëllezërit. Ai i tha: Po çfarë garancie ke ti që, do të kthehesh dhe nuk do të bëjnë gjë? Myrtezai ju përgjigj: Në Jugosllavi janë riatdhesuar rreth 240 mijë emigrant politikë dhe mua s’kanë për të më bërë gjë, aq më tepër, do të më thonë se: ja ku u kthye edhe ky që luftoi për Kosovën dhe Shqipërinë, ata e futën në burg dhe ne tani po e mbajmë, mandej, unë kam edhe vëllaun e madh pensionist, që ka qenë Vice-Admiral në Marinë.
Në vazhdim Myrtezai, hapi fjalë rreth Zef Malës, duke e karakterizuar atë si një patriot që, ka luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por ja tani kjo qeveri nuk e përkrahu Kosovën, tani qeveria Jugosllave i ka bërë për vete jugosllavët, pavarësisht se ky është truk i Titos, i cili vajti për vizitë në çdo fshat të Kosovës dhe tani kosovarët janë egërsuar kundër Shqipërisë. Ai i tha: se e vërteta është që kjo qeveri ka bërë çmos për afrimin e Kosovës, shumë nga ata që kanë mbaruar shkolla te larat këtu dhe kanë dalë kuadro, por populli i Kosovës nuk e bëri atë që duhej!
Myrtezai i tha: Kosovës nuk ju dha ndihmë dhe tani trajtohet keq, ja p.sh., mua më quajtën edhe agjent të serbëve, por unë e kam fajin vet, sepse nuk punova mirë që në fillim, t’u kisha dhënë nja dy personave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, peshqeshe ose pare nën dorë, siç bëri Agim Gjakova dhe ata do të më kishin rregulluar, pasi e hanin peshqeshin. Në fund, Myrtezai i tha atij: Hajde të shkojmë nga shtëpia dhe të tregoj plaçkat që më kanë ardhur nga Jugosllavia.
“Ylli”
Vlerësim raporti:
Raporti ka vlerë operative, tregon për reagimet e Myrtezait, ai tregon i mërzitur dhe kërkon të ikë prej këndej, ka pikëpamje të gabuara politike.
Detyra:
Të qëndrosh afër tij dhe të bisedosh përsëri, i thuaj: ç’bëre për punë dhe a bëre përpjekje të tjera, unë mendoj, që ti, duhet të futesh nëpër punëra të tjera, se dhe me vajt në Jugosllavi, nuk mund të gjesh shtruar.
Masat Operative:
Kam mendimin që të njoftohet Komiteti i Partisë me një relacion, që ky të vendoset në punë sa më parë, pasi largimi i tij nga vendi jonë, i sjell dëme Partisë tonë, në Kosovë, pasi do të propagandojë për trajtim të keq të kosovarëve këtu.
Të ndërhyhet edhe në Komitetin Ekzekutiv për punë.
Punëtori Operativ
Shefqet Metaj
U pa. Zv/Kryetari i Degës, Zenel Alia d.v.
U pa. Zv/ Drejtori i D. Brendshme, Zef Loka d.v. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016