Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e gjashtë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i ‘Lidhjes Shqiptare në Botë’, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret me raportin e vëzhgimit të hartuar nga shefi i Bazës së Vëzhgimit nr. 10, Andrea Karapanço, lidhur me vëzhgimin e lëvizjeve të vizitorit turk, Rexhep Ay (Lajçi), i koduar nga Sigurimi i Shtetit, me pseudonimin “Gjarpëri”
Sekret
Ekzemplar Nr. 3
Tiranë më 25.8.1985
Raport vëzhgimi për datën 9.8.1985, mbi vëzhgimin e lëvizjeve të vizitorit turk që mban pseudonimin “Gjarpri”.
Në orën 15.10, objekti del nga restoranti në fjalë dhe futet tek hotel “Apollonia”.
Në orën 16.20, objekti del nga hoteli dhe shkon në plazh, këtu e priste Idrizi, gruaja e Myrtezait, dhe e bija me një fëmijë 2 vjeçar, që janë shtrirë duke biseduar.
Në orën 17.30, vjen Myrtezai dhe mbasi takohet me objektin, zhvishet dhe të dy lahen në det. Pas 10, minutash, dalin në breg pranë Idrizit dhe të shoqes së Myrtezait.
Në orën 19.10, objekti çohet dhe ndahet nga Idrizi me Myrtezain, të shoqen, dhe të bijën, që shpërndahen në drejtime të ndryshme, kurse objekti futet në hotel “Apollonia”.
Në orën 19.50, objekti del nga hoteli i shoqëruar me Bedrije Vokshin dhe Halil Qosen dhe pasi kalojnë rrugën turistike, për të dalë në rrugën kryesore, ulen në një stol pranë P.T.T.-së, për të biseduar.
Në orën 20.20, vjen e ulet dhe Idrizi i cili pasi bisedon me ta, largohet në orën 20.25 dhe po kështu edhe Bedrija pasi takon objektin, hipën në autobus.
Në orën 20.35, çohet e ndahet me objektin edhe Halili i cili ikën në drejtim të ndryshëm ndërsa objekti, ngelet vetëm në stol.
Në orën 20.45 vjen dhe ulet në stol Idrizi, ku pas 2 minutash çohen dhe futen në P.T.T., nga ku dalin në vijim dhe ulen përsëri në stol.
Në orën 21.10, vjen dhe takohet përsëri me objektin Idrizi, gruaja e Myrtezait, dhe e bija. Në këtë kohë të katërt çohen dhe pasi kalojnë rrugën kryesore përballë kinemasë verore të plazhit, qëndrojnë duke biseduar dhe duke parë nga larg filmin “Shami kuqja”.
Në orën 21.40, objekti, Idrizi, gruaja e Myrtezait, dhe e bija, kalojnë shinat e trenit dhe futen në shtëpinë ku ka zënë vend Myrtezai.
Në orën 22.40 objekti, u pa që doli i vetëm në rrugën turistike dhe në 22.45 u fut për te hotel “Apollonia”. Në këtë orë survejimi u ndërpre.
Shefi i Bazës 10
Andrea Karapanxho
Dokumenti sekret me raportin e hartuar nga Punëtori Operativ, Eduard Bala, me të dhënat e informatorit të Sigurimit me pseudonimin “Gama”, nga Baza e Vëzhgimit “Obuzi”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit
Marrë nga P. Op. Eduard Bala
Dhënë nga informatori “Gama”
Baza “Obuzi”
Tiranë në 16.9.1985
R A P O R T
Burimi njofton se gjatë muajve Gusht-Shtator 1985, është takuar disa herë me Myrteza Bajraktarin. Gjatë bisedave që ka trajtuar me të ai, ka bërë si familjarë po ashtu dhe të tjera.
Duke folur njëherë për figurën e Stalinit, siç e ka vlerësuar sh. Enver, burimi theksoi se: armiqtë kanë vënë në gojën e Stalinit disa shprehje sikur ai, nuk e njihte kombësinë shqiptare por, e konsideronte atë, sllave.
Burimi vijon duke i’u referuar kujtimeve të Titos sikur, Stalini i paska thënë që aneksoje ti Shqipërinë. Kjo ka ndodhur sepse Tito ka dashur të zvetënojë figurën e Stalinit.
Ata kanë botuar vetëm ato vepra politike e letrare që hidhnin baltë mbi figurën e tij. Gjatë kësaj periudhe Myrtezai, i ka treguar burimit se një të njohurës së tij të quajtur Ishe (sekretare gjykate), i kishte ardhur nga Turqia një vizitor me origjinë nga Peja.
Ishja pushimet verore i kishte kaluar në Turizmin e Durrësit, së bashku me këtë vizitor. Madje Myrtezai i tha se kishin ardhur dhe për drekë në plazh tek ai. Ndonjë hollësi tjetër nuk mori vesh burimi. Burimi ka parë se Myrtezai, ka krijuar shoqëri të madhe me Gani Ratkocerin, me takime të shpeshta.
“Gama”
Vlerësimi i raportit:
Raporti ka vlerë operative se, na njeh me reagimet e Myrteza Bajraktarit. Në lidhje me figurën e Stalinit, Myrtezai reagon mirë. Po kështu, njihemi me takimet dhe lidhjet e tij të ngushta shoqërore.
Sqarimi i të dhënës:
Myrteza Bajraktari ndiqet në 2/A, si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav. Ishja me punë si Sekretare e Gjykatës së Tiranës, ka materiale në ngarkim. Gani Ratkoceri ka qenë në 2/A, si agjent i Zbulimit Jugosllav por, ka marrë pafajësinë dhe dosja e tij është arkivuar.
Detyra dhënë B.p.:
Të takohesh përsëri me Myrteza Bajraktarin dhe në bisedat që do bësh me të, të dëgjosh mendimet që ka ai rreth situatës në vendin tonë. Si reagon ai për fjalimet e sh. Ramiz në Korçë e Shkodër. Ta pyesësh për vizitorin që vjen te Ishja, dhe qëndrimin e tij ndaj vendit tonë.
Masat operative:
Raporti të shtypet dhe t’i kalojë Punëtorit Operativ që e ka në ndjekje, Oltion Frashri. Të nxirret detyra për t’ja dhënë bashkëpunëtorit.
Punëtori Operativ
Eduard Bala
Dokumenti sekret me raportin e hartuar nga Punëtori Operativ, Fuat Zyka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Furnitori”, nga Baza e Vëzhgimit “Skulptori”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit
Marrë P.Op. Fuat Zyka
Dhënë B.p. “Furnitori”
Baza “Skulptori”
Tiranë, më 18.3.1986
R A P O R T
Burimi informon se rreth datës 12 maj, është takuar me Myrteza Bajraktarin në shtëpinë e tij, meqenëse e kishin lënë për të shkuar në shtëpinë e një patrioti, për të mbledhur materiale për jetën e tij.
Gjatë rrugës u bënë biseda për jetën e përditshme dhe e pyeti Myrtezain, se si kishte qenë puna e arrestimit të tij. Myrtezai i tha atij: “Mua më kanë dënuar kot. Unë kam pasur shoqëri me Kapllan Resulin, i cili më kishte shfaqur disa pakënaqësi lidhur me figurën e tij dhe vlerësimin si shkrimtar.
Në këtë kohë, një oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme, me mbiemrin Backa, që merrej me kosovarët, emri i të cilit nuk më kujtohet, më porosit të mos e takoja më Kapllan Resulin, sepse nuk ishte njeri i mirë. Që atëherë, unë u shkëputa nga Kapllani dhe kur më vinte në shtëpi, unë nuk dilja për ta takuar.
Mbas arrestimit të Kapllanit, më arrestuan edhe mua dhe më pyetën se çfarë dija për Kapllan Resulin. Unë u shpjegova ato që më kishte thënë Kapllani, por një oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që tani është në pension, më erdhi në hetuesi dhe më tha: “Plus këtyre gjërave që ke deponuar për Kapllanin, do të thuash edhe disa gjëra që do t’i themi ne”.
Unë i thashë se dëshmitar i rremë nuk dal, kurrë falur mos qofsha. Ato që dija i thashë e jam gati t’iu them kudo, të tjera nuk shtoj. Kështu që më dënuan tre vjet burg dhe kur u lirova më thanë: “Mos e kërko pafajësinë, se ke për të mbetur edhe pa punë dhe pa punë ndenja katër vjet”.
Po tani, i tha burimi, pse nuk e kërkon edhe njëherë pafajësinë? Myrtezai u përgjigj: Tani unë e dy vjet punë kam, e dal në pension. Për të rregulluar jam rregulluar mirë, kështu që ç’ta kërkoj kot, edhe miq nuk kam që të më ndihmojnë.
“Muratori”
Sqarim:
Myrteza Bajraktari dhe Skënder Backa, ndiqen në 2/A. si agjent të mundshëm të Zbulimit Jugosllav.
Vlerësim:
E dhëna është me interes, pasi në të del se objekti, Myrteza Bajraktari, ka fillur t’i hapet B.p. dhe tregon se objekti Skënder Backa, kur ka qenë oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka ekspozuar para tij, objektin Kapllan Resuli, i cili është arrestuar dhe dënuar rreth viteve 1970-1971, si agjent i Zbulimit Jugosllav.
Detyra:
B.p., ju dha detyrë që të takohet me objektin Myrteza Bajraktari dhe më tepër me të, të bëjë biseda të karakterit të përgjithshëm të ndalet tek letërsia dhe tek artet, për të cilat objekti ka pasion. Në bisedat me të, të tregohet i kujdesshëm, ta pyes se kush është oficeri me mbiemrin Backa.
Masat Operative: E dhëna të shtypet në dy kopje, një për Myrtezain, dhe një për Skënderin.
Punëtori Operativ
Fuat Zyka
Shënim i Shefit të Seksionit Nuro Sako:
Nuk përjashtohet mundësia, që Skënder Backa, t’i ketë thënë Myrtezait, të mos flasë fare për aktivitetin armiqësor të tij dhe të shokëve, pasi si Kapllani edhe Myrtezai, ndiqeshin si agjentë të shërbimit të Zbulimit Jugosllav. Kjo e dhënë, ka dyshime për Skënderin, që mund të jetë agjent i Zbulimit Jugosllav.
Të punojmë me kujdes për drejtimin e B.p. tek Myrtezai. T’i përgatitim një vijë sjellje se, ku duhet të përqendrohet në biseda me të.
Shënimi i shokut Agron Tafa:
Dakord, por ta ndjekim me kujdes dhe të ruhemi nga provokacionet. Megjithëse, duhet të arsyetojmë se objekti, nuk mund ta shesë Skënderin, dhe Skënderi nuk mund të manipulonte provat për t’u dënuar Kapllani, kur dihet që të dy, janë agjentë të Jugosllavëve. Megjithatë, B.p. të drejtohet me vijë sjellje e të dëgjohet me T.O./Memorie.al
1.7.1986
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016