Nga Nazmi Berisha (Dyzi)
Pjesa e nëntë
Memorie.al /publikon historinë e panjohur të Nazmi Berishës me origjinë nga fshati Llap i Komunës së Podujevës në Kosovë, i cili i joshura nga propaganda e regjimit komunist dhe nga programet që jepte Radio-Tirana për “begatinë socialiste” si dhe për t’i shpëtuar metodave rankoviçiane të regjimit titist, në vitin 1960, ai vendosi që të arratisej dhe erdhi në Shqipëri, duke kaluar me not lumin Buna në të ftohtin e madh të atij dimri të egër. Dëshmitë e rralla të Nazmi Berishës, se si u prit ai në atdheun amë, ku ushtarët dhe oficerët e kufirit e rrethit të Shkodrës, pasi e lidhën me tel, e dërguan në Degën e Brendëshme, ku për 24 orë nuk i dhanë as bukë për të ngrënë, e më pas e nisën për në qytezën e Shijakut ku ishte “Qëndra e Filtrimit” të emigrantëve kosovarë. E gjithë aventura e djaloshit 20 vjeçar nga Kosova që Sigurimi i Shtetit e akuzonte se: ishte agjent i UDB-së, që e kishte dërguar me mision sekret, Çedo Topalloviç, kryetari i UDB-së për Kosovën, për t’u takuar me Kundëradmiralin e Flotës Luftarake, Teme Sejko dhe torturat ç’njerzore që i’u bënë atij në Degët e Punëve të Brendëshme të Lushnjes, Krujës, Tiranës etj., ku atë e mbanin të izoluar dhe i kërkonin që të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, duke i nxjerrë si dëshmitarë, bashkëpatriotë të tij nga Kosova, dhe refuzimi i tij, që bëri që ai të kalonte plot 20 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Prej vitesh Nazmi Berisha jeton në Suedi dhe shkrimet që publikohen nga Memorie.al, janë përzgjedhur nga libri i tij, ’20 vjet në burgjet e Enver Hoxhës’ botuar nga Shtëpia Botuese “UEGEN”, Berat, 1995.
Terror
Në Burgun e Ri të Tiranës, hera e tretë
Auto-burgu ecte ngadalë, i zhurmshëm dhe gjithnjë të ngjallte pikëpyetje dyshimi. Unë e Hyseni hamendësuam me të drejtë se ata kishin vendosur që të na likuidonin diku padukshëm në rrugë. Por nuk ndodhi asgjë. Ishte më tepër një vetë terror. Megjithatë, në Lushnje, d.m.th., morri auto-burgu dhe dy të dënuar ordinerë, kishin dhunuar një femër dhe ata e dinin mirë ku shkonin, drejt Burgut të Ri në Tiranë. Veç mendimeve tona që troshiteshin vazhdimisht gjatë gjithë rrugës, asgjë tjetër për t’u shënuar.
Në Burgun e Ri të Tiranës, (unë për herë të tretë aty), do të qëndronim tri ditë. Kontroll i zakonshëm. Dhoma – kapanon me 100 të burgosur politikë. Ishte vërtet diçka kalimtare, sigurisht për të kaluar në një burg tjetër. U takova me Qamil Hajdinin, poetin dhe më pas u njoha me Muharrem Shalën. Ky ishte simbol i terrorit. Nëse doje të mësoje se si mbillej, rritej dhe korrej terrori, mjafton të njiheshe me këtë njeri, tashmë i plakur, i dëshpëruar, më i lodhur, por kurrë shpresëhumbur.
Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Muharremi dhe i vëllai, Kadriu, lindur në Pejë dhe ardhur në Shqipëri, kishin qenë bazë e rëndësishme, të njohur edhe nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu, si patriot e partizanë. Muharremi punonte si rrobaqepës privat në Tiranë, kurse Kadriu nën punës i vogël. Në vitet ’50-të, Partia vendos të likuidojë bazat e CIA-s në Shqipëri. Sigurimi i Shtetit, për këtë qëllim punonte me fantazi të sëmurë. Dikur m’i ka shpjeguar të gjitha, Halim Xhelo (Koçiu) dhe nuk i shkoj huq Sigurimit, sepse nxori malit “Grupin e Rezistencës” dhe këta shkonin nëpër shtëpitë që ishin kundër diktaturës enveriste dhe i ftonin njerëzit që të bashkoheshin me ta, duke u premtuar se shpejti do të vinte ndihma nga Perëndimi. Dikush bashkohej, dikush nuk i kallëzonte dhe kështu mbetën shumë në sitën e “Grupit të Rezistencës”.
Muharremi dhe Kadriu, qenë arrestuar sikur kishin qenë pjesëtar të grupit, ndonëse kurrë nuk kishin dëgjuar për të. I dënuan të dy dhe do të vuanin në burgun me famë të Gjirokastrës. Kanë qenë në atë burg edhe 40 kosovarë, midis tyre edhe Ajvaz Bajrami, nga Dimoshi i Llapit, i cili vet i dytë, kishte shpëtuar gjallë. Të tjerëve as varri nuk u dihej se ku janë. Tmerret e atij burgu nuk kanë të treguar. Në një nga ditët e Perëndisë, me shpirtin në majë të hundës, ngrihet në dritaren me hekura, Kadri Shala dhe lëshon vikamën:
“O njerëz, unë jam Kadri Shala me vëllanë, Muharremin. Jam i burgosur në Kalanë e Gjirokastrës suaj. Tregojuni njerëzve për këtë”. Kishte pasur sukses kjo thirrje. Njerëzit dëgjuan. Dolën prej tyre që i njihnin. Kështu erdhën vizitë familja. Më pas të dy i dërgojnë në Burgun e Vlorës. Familja sigurisht vuante për bukën e gojës dhe e shitën gjithçka. Një ditë befas u vjen komandanti i burgut, si për të zgjidhur dilema të mëdha.
“Zgjidhni, njëri prej jush do të lirohet. Kam urdhër dhe po u’a komunikoj”. Që të dy me një gojë, j’u përgjigjën se: qenkëshin të dënuar dhe do ta vuanin të dy dënimin e kotë. Asnjeri prej të dyve nuk qe fajtor. “Atëhere ti Muharrem, puno si rrobaqepës në burg”, i’u bë propozimi nga drejtori. Përse? Për t’a turpëruar: asi? Muharremi tmerrohet kur mendon se ishte një provokim. Në burg njëlloj ishin të tërë. Ashtu, në prani të të burgosurve, Muharremi e qëlloi me shpullë komandantin. Ndërkohë për çudi, komandanti doli burrë i pjekur.
“Dëgjo, Muharrem Shala, unë për këtë poshtërim që më bëre, kam mundësi të të vras në vend dhe të mos të digjem fare, madje edhe të shpërblehem. Mirëpo të njoh mirë, e di që i keni dhënë shumë Luftës, e di që jeni patriot e trima, prandaj në djall të vej sedra ime. Të qoftë falë kjo që më bëre”.
Muharremi i zënë ngushtë nga e papritura, pranoi që të punojë si rrobaqepës. Ishte vërtetë, një ngjarje që lipset për t’u shënuar, dy burra me karakter.
Dhe ja tek e gjej sërish Muharremin në Burgun e Tiranës më 1980-ën. Përsëri 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Kadriu i shkretë, nuk kishte shkuar gjatë, pati vdekur. Sidoqoftë, e kishte lënë një fjalë. Më vjen keq që po vdes pa i parë të vdekur Enverin dhe Mehmetin. Kjo ishte thirrja e shpirtit e kushedi se sa të burgosurve. Para se ta arrestonin më 1979-ën, Muharremi punonte si rrobaqepës në Tiranë. Priste si ne, për t’u dërguar në një burg tjetër.
Përse luftoi ai njeri, ajo familje, përse?
Me siguri jo për t’u bërë viktimë e terrorit të egër komunist. Sidoqoftë, ai plak trim, kishte shpresë. Shpresë që të afërmit në Kosovë, ta dinin ku ishte, shpresë për një jetë tjetër, shpresë për liri. Pas tri ditëve, udhëtonim me të njëjtin auto-burg drejt Burrelit. Këtë gjë mund ta kuptoje dhe me intuit, ndonëse aq të vrarë nga terrori i egër i një dekike, i një tregimi, i një jete, nga terrori i ajrit, i fjalës, gjithsesi me shpresën e gjatë se rregëtinte në gjoks.
Ditët e fundit
Në Burgun e Burrelit, hera e tretë dhe e fundit
E ku ta dija unë se ato qenë vërtetë ditët e fundit? Nuk kisha besim e Sigurimi i Shtetit do të rrinte duarbosh, sado që po nisnin të frynin fjolla ere të Perëndimit. Ne ishim të izoluar nga jeta dhe nuk mund ta shihnim dot katastrofën ku po kridhej ekonomia shqiptare. Pas asaj fitoreje në Ballsh, sado që si e Pirros, nuk më rrihte mëndje veçse në kurthet e mundshme. Por sidoqoftë, i jepja krahë vetes se nuk isha vetëm, isha me Hysen Bukoshin, e ai kishte dhënë prova trimërie dhe besnikërie.
Shpesh mendoja se në burgjet shqiptare ata që vuanin dyfish dënimin, ishim ne kosovarët, të pafaj, të dëshpëruar, të deziluzionuar, të kapur befas në çarkun më sfidues në botë: atdhedashurisë.
Kaluam pa zarar kontrollin, pyetjet, gjetëm të njohurit e vjetër (Jovica Cervenko, Hashim Toplica, Selim Xhakaj, dhe Idriz Zeqiri), pyetëm për më të rinjtë, nuhatëm kushtet, ndryshimet dhe aty doemos vihej re politika e lartë e shtetit. Njeriu kudo qoftë, instinktivisht, ashtu e kupton politikën e shtetit, gjendjen e tij, sëmundjet, vorbullat, erërat dhe qoftë në një grusht dhe është në gjendje t’ia bëj autopsinë.
Më ndërmend, Fezliu i Çaberit të Mitrovicës nga Kosova, i dënuar 10 vjet në burgun e dytë, ikur ilegalisht në vitet ’60-të. Kryevepra e tij pati qenë në burgun e Ballshit, ishte një revolt që s’kapërdihej lehtë: u vuri shtypa mikrofonave që përcillnin zërin e lexuesit të veprave të Enver Hoxhës. A s’ishte ai që e futi në burg pa pikën e fajit dhe tani tërë hipokrizi i’a ç’ponte veshët me ato broçkullat e shkruara? A mund të ja përcillja dot amanetin që më la për në Kosovë për t’ia lajmëruar të vetët? Askush s’mund të mendonte ato ditë se ç’mund të ndodhte të nesërmen kur e papritura ishte mbret i ditës.
Shpresoja të takohesha një ditë me shkrimtarin Kapllan Resuli. E dija që ishte në Burrel, por asaj kohe disiplina qe e forcuar ashpër duke kufizuar edhe më “lirinë” e të burgosurve, çdo dhomë dilte e kufizuar veç e veç, dhoma e madhe ishte kufizuar dhe qe shndërruar në kuzhinë, komunikimi ndërdhomor qe vështirësuar së tepërmi. Idriz Zeqirin e kishin vënë në lidhje me Kapllan Resulin, përmes berberit, i cili e kishte “shkelur” prej të hollave që i vinin Kapllanit nga i vëllai në Perëndim. Prej Idizit morra vesh se Kapllanit i kërcënohet jeta në birucë dhe nga torturat që i bëheshin. Përmes berberit, Kapllani më dërgoi disa foto të vëllezërve të tij dhe të fëmijëve të tyre. Më porosit, që porsa të kthehesha, t’i kryeja ato që duheshin, pra detyrat e mia.
Posa të kthehesha! Po më bëhej mani, sëmundje. Nuk thonë kot që njeriu bie shpesh në prehrin e marrëzisë, bash ditët e fundit. Në një dhomë tjetër ishte Sytki Hoxha. Porosia e tij ishte që eshtrat t’ia kthejnë në Kosovë. Të paktën të qe i lirë si i vdekur. Ishte pikëlluar pa masë, por njeri shumë i fortë moralisht. Nga ana tjetër ishte Tefik Dednica prej Leshkoshiqit, rrethi i Prishtinës. Kishte ardhur në Shqipëri më 1957-ën dhe qe dërguar në Çermë, mandej në Lushnje aty dhe qe punësuar. Mirëpo një kushëri i tij me të cilin së bashku qenë arratisur në Shqipëri, kishte ikur nga Fieri në Jugosllavi.
M’u për këtë shkak, e burgosën Tefikun dhe e akuzojnë se paskësh dashur të arratisej së bashku me kushëririn. Plus paskej vjedhur dhe dhunuar. Akuzë sigurisht e rreme. 21 vjet burg. Tortura të pamëshirshme. A do të shkoja dot, sikur të lirohesha, në familjen e tij, t’u tregoja gjithçka? Nuk e di. Do të dëgjoja dhe këtë histori ditëve të mia të fundit në burgjet e Enver Hoxhës. Një shok më shumë. Një vuajtje më tepër, një dhimbje e padurueshme.
Në Çermë për herë të tretët dhe të fundit
Lirimin tim e përcolli një polic me automatik rus e me pistoletë. Burrel – Durrës – Lushnje. Hymë së bashku në Degën e Lushnjes. Polici i dha oficerit një zarf të mbyllur dhe i tha disa fjalë. Mu duk sikur zarfi ishte qefini im. Dhe unë po lëvizja brenda tij. Në majë të gjuhës më erdhi sarkazma, por tani ne qemë mësuar t’i groposnim idetë dhe gjërat e bukura.
Afër mbrëmjes më çuan me nja kamion në Çermë, po në atë dhomë ku kisha qenë pesë vite më parë. Pra unë s’mund t’i gëzohesha lirimit prej burgut, sepse ky ishte internimi im i ri. Sipas porosisë, të nesërmen në mëngjes unë u paraqita në Degën e Brendshme të Lushnjes. Oficeri që më priste, ishte Zalo Mejdani nga Lushnja. Sipas rregullit, m’u dha 200 lekë të rinj dhe më porositi që të nesërmen të filloja punë.
-“Jo dua të shkoj në ambasadën jugosllave në Tiranë. Do të kërkoj kthimin tim në Jugosllavi, qytetar i së cilës jam”.
Në të vërtetë më kishte ardhur një njoftim se nga pala jugosllave s’do të kisha pengesa. I’a tregova letrën e familjes, oficerit. Zalo Mejdani s’mund të vetëvepronte. U fut në disa zyra dhe më tha që të kthehesha kur të doja.
Pas disa ditësh shkova në ambasadën jugosllave ku dhe më dhanë vizën me afat dhjetë ditësh. U gëzova pa masë, por kjo nuk zgjati shumë. Brenga e re m’u vërtit si skifter. Ku do të shkoja, lumë e përrua. Çdo të ndodhte me mua në Jugosllavi! E dija se im atë e kishte bërë 1 vit burg për shkakun tim.
Sipas rregullit, shkova në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të legalizuar vizën, por ata ma morën dhe s’ma kthyen më. Pra një tjetër brengë. O Zot! Ç’bëhet kështu me njerin e thjeshtë. “E dimë ne kur të lëshojmë”. Kjo ishte një përgjigje plot kërcënim. Kështu morra rrugën e Çermës. As në qiell e as në tokë! I prita 10 ditët e qametit, por asgjë. I preva shpresat e fatit tim të zi. Përpiqesha të gjeja forca brenda vetes që të bëja diçka, të mos rrija kot, të mos isha preh e ndonjë procesi të ri, i cili me siguri më rrinte krejt padukshëm.
Jeta ime, natyrshëm dhe viza ime, ecte mbi teh të thikës. Gjithçka ishte në duar policësh dhe përcillej nëpërmjet buzëqeshjes së tyre të trashë dhe pak cinike. Fati im qorr. Po shpresa, shpresa po më vdiste vallë?
Aty nga fundi i shtatorit më lajmëruan se duhet të paraqitesha në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë për të marrë vizën. Më qenkej aprovuar kthimi në Jugosllavi. Pas ankthit, nuk ka më as thërrime gëzimi. Kështu ndërkohë fillonte një tjetër ankth: a do ta miratonin jugosllavët lejen dhjetë ditore të Ministrisë? Po. Ata nuk më penguan. Njeriu fatkeq, si një mizë shtypet, pa pikë mëshire, si një mizë trajtohet edhe kur shkon në zyra. O Perëndi. Thirrje klasike e mjerimit të zisë, e dhimbjes: thirrje e një shprese të gjallë. Mu kthye në çast hareja. Dhe njerëzit i shija jo ashtu siç qenë, por ashtu si i doja unë. E për mua kjo hare, ndonëse e paguar shtrenjtë e si askush tjetër, ishte diçka njerëzore, që ma ngrohu disi shpirtin e torturuar, të dëshpëruar dhe e aq keq të plagosur.
U ktheva në Çermë ku më thanë se do të lejohesha për të ikur ditën e fundit. O Zot. Ç’ndodh kështu? Të gjitha orët e zeza për mua, qenkan tërbuar. I mbledh plaçkat dhe vendosëm në hotel të Lushnjës për të qenë afër Degës së Brendshme. Si e si donin të më kalonte afati. Por tanimë qesh mësuar me pabesitë e Sigurimit të Shtetit. Vizën ma kishin marrë ata të Degës dhe ndonëse mund të ikja në këmbë, përsëri duhet të veproja me maturi. Burgjet e Shqipërisë më kishin falur 20 vjet moshë më të madhe dhe në pjekuri.
Më 8 tetor 1980, më gjetën një makinë ta rastit, e cila udhëtonte për në Kukës. Më blenë disa rroba dhe më nisën. Ma prenë kostumin e ri. Më dhanë vizën dhe së bashku me shoferin, i cili me siguri ishte njeri i tyre, shkuam në Kukës në orën 12 të natës. Shoferi më tha se i duhej të më dorëzonte në Degën e Kukësit. Ashtu u bë. Dega me çoi në hotel. Të nesërmen u paraqita në Degë, gjithnjë sipas porosisë. U desh që të pres një njeri i cili do të më merrte e të më çonte në kufi. Çdo dekikë më dukje muaj. Një pritje e padurueshme. Oficeri civil dhe “Vollga” e tij, nuk u vonua shumë. Më çoi po ashtu pa vonesë në pikën e kufirit. Në post-bllokun shqiptar ndenja deri në orën 11 të ditës. Kontroll i rreptë dhe i imët. Mandej më shoqëroi një oficer deri në afërsi të kufirit. Procedurë e gjallë. Ethe të forta pasigurie dhe një tmerr i ri ma përshkoi kurrizin.
Habie nder midis qenies time dhe hapësirës që përreth meje ngushtohej si darë. Kufiri, një vijë e padukshme, një vullnet i pagjendshëm sigurie. Kufiri i një humbje e përbashkët. Kufiri një ethe e frikshme e vdekshme. Pyetje pafund. Tanimë isha matanë. Kisha kapërcyer golgothën. Dhe shpresa ishte gjallë./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016