Nga Arben P. Llalla
Pjesa e dymbëdhjetë
– Kolaboracionistët grek, projektuesit dhe udhëheqësit e gjenocidit në Çamëri (1944-1945) E vërteta e bashkëpunimit të çamëve, me gjermanët –
PARATHËNIE
Memorie.al / Periudha që kam nisur për të shkruar librin ka qenë nga viti 2008-2016, duke mbledhur materialet pak e nga pak. E kam patur tepër të vështirë për të gjetur fotografitë origjinale dhe disa gazeta në gjuhën greke, për vitet që bëhet fjalë. Shteti grek me strukturat e saj shtetërore prej rreth 70 vitesh, e ushqejnë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, me libra dhe shkrime të gënjeshtrës rreth asaj që ka ndodhur në të vërtetë nga viti 1936-1945, në lidhje me minoritetin shqiptar në Çamëri-Epiri i Jugut.
Dhuna ndaj minoritetit shqiptar 1913-1945
Në vitet 1972 – 1982 qeveritë greke nxorën ligje që u lejohej çdo shtetasi grek i përzënë, të rikthehej dhe të merrte pasurinë ose kompensim. Nga këto ligje për tu rikthyer u përjashtuan shqiptarët çam edhe sllavo-maqedonasit e Egjeut, pasi ligji përcaktonte se i faluri duhej të kishte kombësinë greke dhe në mërgim të kishte mbajtur qëndrim kombëtar grek.
Përzënia e sllavo-maqedonasve të Egjeut nga Greqia
Pasi Greqia përzuri mijëra shqiptarë nga tokat e tyre, grekët filluan përzënien e sllavo-maqedonasve që banonin në brezin kufitar nga Follorina, Edesa, Selanik dhe Kilkis. Në emër të luftës qytetare (1946-1949) për pushtet midis forcave të djathta (IDEA) që ndihmoheshin pa rezerva nga Britania e Madhe dhe Sh.B.A-të dhe forcave të majta të njohura Ushtria Demokratike Greke(DSE) filluan masakrat në fshatrat ku jetonte minoriteti sllavo-maqedonas.
Si pasojë mijëra sllavo-maqedonas u shpërngulën nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në fillim në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi.
Edhe pse të përçarë nga grindjet e brendshme, ushtarët e DSE-së bënë një qëndresë heroike, por pa rezultat në malet e Vicit e të Gramozit, pak më në jug të kufirit me Shqipërinë. Sot e kësaj dite, Gramozi ka një ngastër pa bimësi në terrenin e tij të pyllëzuar, ku ushtria mbretërore pati përdorur napalm. E para herë që ushtarët amerikanë mundën të vlerësonin efektet e kësaj lënde.
Forcat e djathta të mbretërisë greke, kishin marrë nga aleatët e tyre Anglia dhe Sh.B.A.-ja ndihma ushtarake me vlerë 353.6 milionë dollarë, ku hynin 159.922 armë të vogla dhe 4.130 mortaja e topa…! Ndërsa ushtria e majtë DSE, e izoluar kishte përfituar ndihmë nga Shqipëria dhe vendet e tjera komuniste disa mushka me pushkë dhe dhjetëra topa.
Strategjia e izolimit te forcave te Ushtrisë Demokratike Greke në male ishte e gabuar dhe fatale. Ndërhyrja e aviacionit amerikan për asgjësimin e forcave të qëndresës, ishte vendimtare.
Në përfundim të luftës civile greke 1946-1949, u vranë 41.970 ushtarë të Ushtrisë Demokratike Greke që udhëhiqej nga komunistët, u dorëzuan 24.300, u kapën rob 23.950. Dhe u larguan nga Greqia për në vendet e Evropës, 70 mijë njerëz, pleq, gra dhe fëmijë.
Nga të dhënat e dala në dritë vitet e fundit hidhen dyshime, se sllavo-maqedonasit e Egjeut u tradhtuan nga disa udhëheqës së Ushtrisë Demokratike Greke, të cilët ishin të etnisë greke dhe jo sllavo-maqedonase.
Dyshohet se vetë Kryetari i Qeverisë së Përkohshme gjeneral Marko Vafiadhis, ka ndihmuar ushtrinë e djathtë greke, për të përzënë sllavo-maqedonasit nga Greqia. Kjo mund të shpjegohet edhe me rehabilitimin e tij të shpejtë pasi u rikthye në Greqi dhe u zgjodh deputet i partisë së PASOK-ut.
Lufta qytetare greke 1946-1949, ishte me pasoja tragjike në veçanti për minoritetin sllavo-maqedonas, të cilët pësuan fatin e minoritetit shqiptar në Çamëri, atë të mohimit të rikthimit në trojet e tyre, përfitimin e pasurisë së patundshme.
Ironike është se minoriteti shqiptar u masakrua dhe u përzu në akuzën si bashkëpunëtorë me pushtuesit gjerman. Kurse minoriteti maqedonas u masakrua dhe u përzu me akuzën si bashkëpunëtorë të Ushtrisë Demokratike Greke, që udhëhiqej nga komunistët grekë.
Ngjashmëritë dhe dallimet e tragjedisë së dy minoriteteve
Tragjedia e dy minoriteteve atij shqiptar dhe sllavo-maqedonas të përzënë me dhunë nga shteti grek në vitet 1944-1949, kanë shumë pika të përbashkëta dhe dallime.
Të përbashkëta:
a). U përzunë dhe u masakruan nga e njëjta ushtria shtetërore greke që udhëhiqej nga gjeneral Napoleon Zerva.
b). Në përgjithësi në tokat e tyre u vendosën emigrantët e ardhur nga Azia e Vogël.
c). Pasuria u përvetësua nga shteti grek në mënyrë kolektive.
d). E kanë të ndaluar të vizitojnë trojet e tyre edhe si turistë.
f). Ju hoqën shtetësia greke në mënyrë kolektive.
Dallimet:
a). Minoriteti shqiptar nga Çamëria u përzu nga ushtria greke. Ndërsa minoriteti sllavo-maqedonas nga ushtria greke të ndihmuar edhe nga anglo-amerikanët.
b). Minoriteti shqiptar nuk bëri rezistencë me armë, nuk kishte ushtri. Ndërsa ai sllavo-maqedonas pothuajse kishte 2/3 e Ushtrisë Demokratike Greke (DSE) dhe bëri rezistencë nëpër male rreth tre vite.
c). Minoriteti shqiptar nuk kishte kohë të merrte me vete kur u larguan tapitë dhe dokumentet e tjera që vërtetojnë vlerën e pasurisë. Ndërsa ai sllavo-maqedonas kishte kohë të merrte çdo gjë pasi rezistenca zgjati tre vite.
d). Shqiptarët e përzënë nga Çamëria kur erdhën në Shqipëri nuk u trajtuan mirë nga qeveria e Enver Hoxhës. Ata u përbuzën nga pushteti komunist duke i vendosur nëpër baraka në lagjet e varfra periferike të qyteteve.
Ndërsa sllavo-maqedonasit u përkrahën nga qeveria e Republikës Popullore e Maqedonisë të Federatës së Jugosllavisë. Duke përfituar një rehabilitim të plotë si shtëpi falas, vende pune, kredi të buta, etj.
Letër e hapur kryepeshkopit Anastas, me rastin e festave (Dhjetor 2015)
Një meshë lutje dhe falje për gjenocidin që kryen klerikët grek ndaj popullsisë çame*
Përfaqësuesit e Kishës Autoqefale Orthodokse e Greqisë, kryepeshkopët dhe Mitropolitët të paktën dy herë kanë drejtuar e ka marrë pjesë direkt në masakrat e kryera ndaj popullsisë shqiptare më 1914, në jugun e Shqipërisë dhe 1944-1945 në Çamëri.
Prandaj me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Ujit të Bekuar e ftoj kryepeshkopin e Shqipërisë Anastasios, të mbajë një meshë për falje dhe në kujtim të viktimave shqiptar të masakruar ndër vite nga klerikët e Kishës Autoqefale Ortodokse të Greqisë.
Kërkimi dhe dhënia e faljes, është ndoshta elementi më i bukur që karakterizon historinë e krishtërimit. Jezus Krishti, që është edhe themeluesi i kësaj feje, i mësoi pasuesit e tij që të falnin njeri-tjetrin për çdo faj të bërë, madje thënia e tij e famshme mbi kryq:
“Fali o Atë se nuk dinë se ç’bëjnë”, është edhe dhënia e shembullit të tij personal, që atë që u predikoi të tjerëve, e zbatoi së pari vetë në jetën e tij.
Më vonë, krishtërimi do të binte në gabime të rënda, me kulm mesjetën e errët, ku Kisha do të ekzekutonte në turrën e druve, shkencëtarë dhe dijetarë, vetëm se shpallnin se toka rrotullohej apo, shpirtra të lirë si heretikë, vetëm se guxonin të besonin në një filozofi tjetër kristiane, jo atë zyrtare, siç ishte edhe rasti i reformës luteriane, që u bë edhe themeli i krishtërimit ungjillor, që edhe sot madje nuk shihet me sy të mirë nga feja zyrtare katolike.
Këto fakte historike janë të njohura nga të gjithë, dhe vetëm në fund të shekullit që lamë pas, Kisha Katolike, filloi të kërkonte nga bota të falur, për të gjitha krimet që kishte bërë përgjatë historisë.
Kulmin do ta shënonte Papa Gjon Pali i Dytë, i cili kërkoi falje për gati çdo krim të kryer nga paraardhësit e tij, që nga ato të kryera kundër Hebrenjve, grave, Galileit, myslimanëve të vrarë prej kryqëzatave dhe ndaj çdokujt që ka vuajtur prej dorës së Kishës Romane.
Edhe Papët që pasuan, do të vijonin këtë traditë sa të përulur, aq edhe dinjitoze të kërkimit të faljes dhe njohjes zyrtare të gabimeve të kryera, duke u përpjekur kështu të shëronin plagët e së kaluarës, por edhe ato të së tashmes, ku nuk mungojnë edhe pranimet e abuzimeve seksuale nga klerikët, për të cilat ka kërkuar në mënyrë të përsëritur falje edhe Papa Françesku.
Por këto falje, nuk kanë ardhur gjithmonë dhe vetëm si iniciativë e autoritetit kishtar, i cili shpeshherë është përpjekur t‟i mbulojë skandalet, apo të shmangë publikimin e tyre, me qëllim ruajtjen e imazhit të mirë publik të fesë.
Në shumë raste, kërkimi i faljes ka ardhur si pasojë e presionit të ushtruar nga shoqëria civile, apo vetë viktimave të kësaj dhune apo të pasardhësve të tyre. Sigurisht, në ditët e sotme, edhe drejtësia po tregon se kishat dhe klerikët nuk qëndrojnë më mbi ligjin, si dikur.
Në vazhdën e kësaj trajtese, do të doja që të bëja publike dhe pse jo, të ushtroja një presion pozitiv, si precedentët që përmenda, për njohjen e një krimi të rëndë, i cili është faktuar nga dokumentet historike të kryer nga klerikët e lartë të Kishës Orthodokse të Greqisë, dhe rreth bashkëpunimit te Kryepeshkopëve grek, Mitropolitëve për pjesëmarrjen e tyre direkt në masakrat e 1914 dhe me EDES të Napolon Zervës, në Genocidin e 1944, të kryer mbi popullsinë shqiptare myslimane dhe orthodokse në Çamëri.
Kryepeshkopi i Greqisë, Spiridon Vllahu (1949-1956) mori pjesë në vitin 1914, në masakrat që kreu ushtria greke në jugun e Shqipërisë. Kryepeshkop Spiridon Vllehu është projektuesi i Genocidit grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri 1944-1945. Kryepeshkopi Serafeim (1974-1998), mori pjesë personalisht në Genocidin që kreu Napolon Zerva.
Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, i veshur me rrobat ushtarake të EDES, theri me dhjetëra shqiptar mysliman më 27 qershor 1944 në Paramithi. Në Genocidin që kreu ushtria greke EDES ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri morën pjesë me dhjetëra priftërinj të veshur me rroba ushtarake të EDES.
Për të gjithë historinë e shtjelluar shkencërisht dhe të bazuar në evidenca të pakundërshtueshme, unë kërkoj, bazuar edhe në praktikën kishtare të pendesës, që Kryepeshkopi orthodoks i Shqipërisë, Anastas Janullatos, meqë është i dorëzuar në gradën episkopale prej Kishës Autoqefale të Greqisë, dhe sot është edhe Primat i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, të kërkojë falje publike në emër të kishës nga e cila vjen, për përfshirjen e saj në këto masakra dhe krime monstruoze kundër shqiptarëve të Çamërisë.
Ka ardhur tashmë koha, që edhe Kisha Orthodokse Lindore të kërkojë nëpërmjet përfaqësuesve të saj, falje për krimet e kryera përgjatë historisë, sa herë që u kërkohet prej shoqërisë civile, prej viktimave apo pasardhësve të tyre.
Sërish, Kryepeshkopi Janullatos, duhet të kërkojë falje për faktin se ka refuzuar në mënyrë të përsëritur kërkesat e familjarëve dhe përfaqësuesve të shoqatave çame, për kryerjen e lutjeve të përshpirtjeve apo përkujtimoreve për të vrarët e masakruar prej grekëve, me justifikimin e tmerrshëm dhe përçarës, që çamët na qenkan myslimanë dhe për ta Kisha nuk mund të lutet.
Por z.Janullatos ndoshta nuk e di, që në mesin e çamëve të masakruar kishte dhe orthodoksë shqiptarë si avokati Spiro Çalluka, Thanas Marko, Petro Sharra, Thimi Gogozoti, etj. A mund të refuzojë një hierark orthodoks, lutje për besimtarët orthodoksë, vetëm e vetëm se këta janë çamë dhe janë vrarë prej bashkëkombësve të tij, pa patur asnjë arsye tjetër të vlefshme kishtare?
Ky është sërish një sakrilegj, i dënueshëm prej kanoneve, Hirësi, për të cilin jeni sërish i thirrur për të kërkuar falje dhe për ta korrigjuar gabimin, duke u lutur ndoshta juve vetë për shpirtrat e këtyre ortodoksëve. Nga kërkimet që bëra për traditën kishtare të kërkimit të faljes, shembujt më të shumtë për pendesa të tilla, i shkojnë Kishës së Romës.
Kisha Bizantine apo Orthodokse, ka shumë herë më pak shembuj të tillë të ndjesës, jo se ajo nuk ka bërë faje, pasi krishtërimi lindor nuk mund të ishte më i pafajshëm se ai perëndimori, se ku ka njerëz, ka edhe mëkate, por se Kisha Lindore, nuk është akoma gati, nuk e ka bërë të vetën si metodë shërimi, apo ndoshta nuk e ka nivelin e emancipimit, që të pranojë, njohë dhe të kërkojë falje për krimet ku është përfshirë, sado që ato mund të jenë më të pakta në numër, por që nuk ka ndonjë naiv, që të besojë se nga Romës së Re, njerëzit fajtonin më pak./ Memorie.al