Nga Albert Kotini
Memorie.al / Në tetor të vitit 2010, ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rendë, Avni Maliqi (Agolli). Prej disa javësh, unë e vizitoja dhe bisedonim shpesh me ketë pinjoll të fisit të shquar dibran të Agollëve, i cili ishte një arkiv i gjallë i historisë dhe vuajtjeve, jo vetëm të familjes së vet, por krejt zonës heroike të origjinës së tij. Dhe nëse kishte një merak që, Avni Maliqi nuk ngurroi t’a shprehë mëse një herë gjatë bisedave tona, ai nuk ishte (siç mund ta marrë me mend dikush), shqetësimi për të dalë sa më mirë në pah historia e këtij oxhaku të lashtë, por shqetësimi që; Dibra dhe njerëzit e saj, të mos përçahen edhe sot në kohët moderne, ashtu si atëhere nga sllavo-komunizmi, që futi vëllavrasjen në shtëpi e në familje. Afërmendsh, ajo e Agollëve, është një histori që nuk mund të renditet kollaj brenda një shkrimi, por le ta fillojmë nga zanafilla. E cila shënon një ngulim të vjetër, gati katër shekullor në Dibër, ku secili brez, ka mbajtur me nder përgjegjësinë e vet, të luftës kundër otomaneve, serbeve dhe kujtdo fuqie, që ka tentuar të robërojë Dibrën.
I pari i Agollëve, Sheh Murat Beu dhe pastaj i biri i tij Aliu, vendosen në Kërçisht, një vend rrëze malit, i mbrojtur me dalje në pyll, ku nuk te kapte dot pushtuesi. Ishin në gjendje të mirë ekonomike dhe shpejt vunë pasuri që shtrihej në katër fshatra; Kërçisht i Poshtëm, i Eperm, Herbel dhe Dovolan. Kjo kamje dhe ajo pak kulturë turke që kishte Sheh Murati, bënë që epiteti Aga, të vinte natyrshëm nga banoret e zonës, prej nga mbeti mbiemri i fisit Agolli.
Pothuajse të gjithë trashëgimtarët e Ali Agës në vite, janë vrarë në luftë kundër turkut. Kështu, Rushit Agolli (aga) vritet në Dibër të Madhe, në vitet 1840 kundër turqve, po kështu edhe i biri i tij, Jashar Agolli, po në luftë kundër tyre, duke lënë si trashëgimtar të pare, Maliq Agollin (1870-1922), me të cilin zë fill historia e re e Agollëve të Dibrës.
Maliq Agolli, përmendet shumë herë në historinë e Dibrës. Por një rol të veçante, do të kishte ai në Kongresin e Dibrës më 1909, ku diskutohej për alfabetin shqip, që vendosi Kongresi i Manastirit, duke qenë delegat i zonës, për dhjetë fshatra. Me gjithë përpjekjet e xhonturqve, që ky kongres të dilte me vendimin se; shqipja duhej shkruar me gërma arabe, synimi nuk u arrit, sepse delegatët, votuan në shumice pro germave latine.
Nga ana tjetër, ndikimi i Maliq Agollit në zonë, do të rritej edhe për një fakt të natyrës sociale. Gruaja e tij e parë, (nga fisi i Strazimireve), Xhibja, i kishte lindur katër vajza dhe vetë ajo, për të mos u “mbyllur derën” Agollëve, i solli në shtëpi të shoqit, gruan e dytë, nga fisi i Kaloshëve. Me të bijën e Asllan Kaloshit, Hajrijen, Maliq Agolli pati dy vajza, Nazen dhe Nazmien, dhe dy djem, Aliun dhe Ferikun. Këta pasardhës, u lidhen në krushqi me dyert me të njohura të Dibrës: Lleshi, Ndreu, Kaloshi, etj.
Përgjatë këtyre viteve të flakta për çështjen shqiptare, ku zona e Dibrës ishte e një ndjeshmërie të veçantë, Maliq dhe Ali Agolli, qenë në radhët e para të atyre që i dhanë tonin kësaj lufte. Përveç aktivizimit përkrah elbasanlliut Ahmet Dakli, për përhapjen e shkollave shqipe, një rëndësi të dorës së parë, mori përplasja e përgjakshme me serbët, të cilët ua dogjën tre herë shtëpinë e Agollëve.
Fillimisht, teksa Komisioni Ndërkombëtar po përcaktonte kufirin shqiptar më 1913-ën, zyrtarë serbë, u ofruan Agollëve para të majme, për t’ua blerë bagëtitë, në mënyrë që trojet e kullotat, të vërtetoheshin si “serbë”, sepse aty ata kullosnin bagëtitë, e kësisoj kufiri shqiptar, të përcaktohej me lumin Drin, duke lënë jashtë një pjesë të Dibrës.
Ka mbetur në histori, përgjigja e Maliq Agollit, dhënë naçallnikut serb: “Këto para, që ti m’i jep në emër të krajlit, unë nuk i kam bërë asnjë hyzmet atij, që të më shpërblejë”! Por jo vetëm kaq; ai mblodhi forcat territoriale dhe e kundërshtoi me armë projektin e kufirit nëpër Drin, duke bërë që Komisioni Ndërkombëtar, ta vendoste kufirin aty ku është sot, në Bllacë. Vetë përfaqësuesit e Komisionit, kanë ndenjur dy javë te shtëpia e Maliqëve, të cilët me 500 burra nën armë, e mbrojtën kufirin në vijën Bllace-Korab. Kështu, kjo pjese e Dibrës së Vogël, shpëtoi pa u futur nën Serbinë.
Veç kësaj, Maliq Agolli ka qenë në krye të 150 vullnetarëve, në dispozicion të qeverisë së përkohshme të Vlorës, kundër esadistëve; u rreshtua bashkë me patriotët Elez Isufi, Jusuf Xhelili, Dine Maqellara, Ramadan Cami e Mersin Dema, në mars të vitit 1917; mbështeti fuqishëm qeverinë e Durrësit dhe Kongresin e Lushnjes, ndërsa ne shtator 1921, se bashku me krerë te tjerë dibranë, luftoi në emër të qeverisë kombëtare, kundër serbëve në zonën e Lumës dhe Lurës.
E megjithëse përplasja me serbët, ka qenë e vazhdueshme, është kuptimplote fakti, që njihet mirë në Dibër, se familjet ortodokse-maqedone të zonës, janë marrë në mbrojtje nga Agollët, ashtu sikurse njihet historia e Tones, një maqedonase e Kerçishtit, që fshehu fëmijët e Maliqit, duke i shpëtuar nga serbët.
Për këtë lidhje, në Arkivin e Shtetit, është edhe kjo letër e vitit 1943, e Kryepeshkopit të Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare, Kristofori, për Ali Maliqin, të cilit i drejtohet me besim të plotë, që të marrë në mbrojtje gjithë ortodoksët e Dibrës….! Një vit më vonë, në tetor 1922, i tërhequr i qetë në jetën e tij, Maliq Agolli, ndahet nga jeta, duke marrë me vete, respektin dhe nderimin e të gjithëve.
Ali Maliqi (Agolli), veprimtar që në rininë e hershme bashkë me të atin, për shkollat shqipe, do të linte edhe ai gjurmët e veta në historinë e Dibrës dhe në krejt epopenë e qëndresës shqiptare. Përveç kulturës arabe që përfitoi (nga efendi Faik Hoxha, i studiuar në Stamboll), mëson edhe italishten dhe lexon me ëndje çdo libër. Këtë pasion për kulturën, ai e dëshmoi edhe me vepra: Në vitin 1916, u përkujdes për ndërtimin e shkollës me 250 nxënës dhe 6 mësues normalistë, që ai ngriti në Kërçisht. Me 7 prill 1939, Ali Maliqi, ishte në krye të 1000 burrave dibranë në Qafë Shtamë, ndërsa shtatori 1939-ës, do të shënonte privacione për jetën e tij.
Arrestohet për rebelim ndaj okupatorit fashist dhe mbas 9 muajsh hetuesi, internohet me të vëllanë, Ferikun, në ishujt Ventotene, nga ku lirohet vetëm në dhjetor 1942. Nga ky vit, deri në kapitullimin e Italisë, mbeti i survejuar nëpër grykat e maleve të Dibrës, por ai në bashkëveprim me Fiqiri Dinen, pati kurajon që t’i kundërvihej pushtimit italian. Trupat italiane e rrethojnë në mars 1943, bashkë me forcat kryengritëse dibrane në Homesh, ndërsa një muaj më vonë, detyrohet që nën represionin fashist, ta zhvendose familjen në thellësitë e Lurës.
Mirëpo antifashizmi, nuk e bëri detyrimisht Ali Maliqin të afërt me komunizmin. Bëmat e Stalinit kundër popullit të vet dhe gjendjen e vërtetë të Bashkimit Sovjetik, Aliu i dinte shumë mirë. Aq më tepër që menjëherë pas kapitullimit italian, mbi dy mijë forca partizane maqedonase, dynden në Dibër të Madhe, të cilat marrin ultimatumin që të largohen menjëherë. Maliqi në koordinim me forcat e Miftar Kaloshit, Ukë Camit e Xhemë Gostivarit, bën që forcat maqedonase, të tërhiqen pas tre ditë luftimesh. Një jetë e kaluar nën rrezikun direkt sllav, natyrshëm e bënte Ali Maliqin, shumë të ftohtë ndaj komunizmit.
Si antikomunist dhe si rrezik që duhej eliminuar, emri i Ali Maliqit, përmendej edhe në librat e diktatorit Enver Hoxha. Por më herët se kjo periudhë, ai përmendej në dosjet e shërbimit sekret fashist, si antifashist dhe si njeri me reputacion të lartë në Dibër, i cili ishte person i urryer nga jugosllavët. Është e kuptueshme pra, pse kjo figurë do të shihej si “reaksionare” nga drejtuesit partizanë pro-jugosllavë të Dibrës, si Haxhi Lleshi, i cili në dosjet italiane, figuronte si bashkëpunëtor dhe nën pagese nga shërbimet jugosllave.
Nga fundi i vitit 1944, ai kishte mundësinë për t’u larguar jashtë shtetit. Por ky opsion i largimit nga atdheu, nuk ishte për Ali Maliqin. Në janar 1945, u shpall një amnisti e përgjithshme dhe mjaft dashamirës, i sugjeruan që ai të dorëzohej. Por këtu filluan privacionet e vërteta për Ali Maliqin, që e internojnë menjëherë në Korçë, dhe pas një muaji e sjellin në Tiranë.
Me 12 maj 1945, e nxjerrin në gjyq. Ne mbrojtje të tij, protestuan fshatrat e Strugës, Dibrës dhe Gostivarit, që e konsideronin shpëtimtarin e tyre. Por diktatura e sapo instaluar, e dënoi bashkë me 12 shokë të tjerë, me vdekje. Nën presionin e respektit popullor, nga e gjithë Dibra, gjithsesi atij i falin jetën.
Por kjo jetë “e falur”, ishte një torture e vazhdueshme, duke filluar nga burgu-ferr i Burrelit. Për Ali Maliqin, Sigurimi i Shtetit, sajoi turli-lloj kurthesh, gjoja për “arratisjen” e tij nga burgu, etj. Nga ana tjetër, familja u terrorizua nëpër kampe, burgje e internime, për 47 vjet rresht.
Kur po i mbaronte afati i burgut (edhe për 20 dite), Ali Maliqit i organizuan një prapaskenë për ta vrarë, në Repartin 309 të Fabrikës së Çimentos në Elbasan. Më 12 maj 1967, qëllohet pas shpine me levë dhe bie nga një lartësi e madhe. Ngjarja maskohet si aksident, por bashkëvuajtësit e dinin të vërtetën. Sipas bashkëvuajtësit të tij në burg, Tanush Kaso, Sigurimi, përpunoi një gjasme mik dibran të Aliut, për të organizuar me çdo kusht vrasjen “në punë e sipër”. Dhe porosia makabre u krye.
Me anë të rrëfimeve të gjalla të birit të Ali Maliqit, ne mund te krijojmë sot një ide te qarte, mbi përplasjet e forta dhe dilemat ndërmjet nacionalizmit dhe komunizmit, jo vetëm mes grupimeve te ndryshme ne vitet e Luftës, por edhe ne vete shpirtrat e njerëzve.
Dikur, nën historiografinë lineare bardhezi të diktaturës komuniste, mund te dukej e pabesueshme, sesi një armik i fashisteve dhe një i internuar afatgjatë në ishujt famëkëqij Ventotene, të ishte njëherësh dhe kundërshtar i komunistëve. Por siç dihet sot, në vitet e para të Luftës, debatet mes një patrioti atdhetar, që ishte gati të rrëmbente armët për vendin e tij dhe një militanti komunist, ishin biseda apo replika mes njerëzish që respektonin njeri-tjetrin, pse jo mes miqsh e shokësh. Precipitimi dhe degradimi, do të vinin pak më vonë.
“Unë isha veç një 11 vjeçar”, thotë ndër të tjera në rrëfimet e tij Avni Maliqi, “kur më 5 prill 1941, më japin një letër nga Haxhi Lleshi, në mungesë të babait që ishte i internuar në Itali, dhe më dërguan nga Kerçishti në Pocestë. Ishte koha kur zhvilloheshin luftime serbo-italiane dhe në Dibër, ishte Divizioni “Firence”. Porosia e Haxhi Lleshit, ishte t’u thoja disa prej të parëve të Dibrës, që të organizoheshin dhe të godisnin trupat italiane nga prapa. Mirëpo në Maqellarë-Kërçisht e Gollobordë, ishte një divizion i tërë italian dhe goditja me këto forca të pakta partizane e nacionaliste, ishte veçse një aventurë qe u interesonte serbëve.
Aq më shumë që italianet u ndihmuan edhe nga gjermanët dhe për ne do të ishte vetëvrasje. Pas humbjes së serbëve, me vjen mareshalli italian, Xhino Picini, dhe meqenëse ishte ne dijeni te letrës në fjalë të cilën unë e mohova, ai më qëlloi fort me pëllëmbë, edhe pse gjyshja vuri trupin e saj para meje. Kur i shpjegova Haxhi Lleshit këtë ngjarje, më premtoi se do ta vriste mareshallin italian, akt që nuk e bëri. Këtë e bënë nacionalistët”.
Avni Maliqit, nuk i hiqeshin nga mendja kurrë debatet e të atit me Haxhi Lleshin, Dali Ndreun etj., pasi Ali Maliqin e kthyen nga internimi, në fund të vitit 1942. “Jo pak, por mbi dhjetë komuniste të njohur, erdhën në shtëpinë tonë, për të organizuar celulat komuniste në Dibër. Ata u ndanë: Pajo Islami e Sotir Vullkani në Sllove, tek Dali Ndreu; Zoi Themeli, Qazim Prishtina, Haxhi Lleshi, tek Agollët në Kërçisht, ndërsa Ramadan Çitaku, pas dy ditësh, u largua në Martanesh e Tiranë.
Për herë të parë dëgjoja, si fëmijë, një debat të zhvilluar në shtëpinë tonë, se ç’është komunizmi, barazia për të gjithë, etj. Pra një filozofi që sillte tërheqje edhe për mua”. Por Ali Maliqi, një pjesë të internimit, e kishte kryer me Ali Këlcyrën dhe Isuf Luzin, dhe ai e dinte mirë çfarë sillte pas vetes komunizmi. Ndërsa ai ishte ende larg, në shtëpinë e tij me 22 korrik 1942, u krijua çeta e parë e Dibrës, me komandant Haxhi Lleshin, komisar Qazim Prishtinën dhe zv/komisar, Zoi Themelin. Këtij krijimi, i dha dorë edhe braktisja masive e oficerëve shqiptarë, ndaj frontit italo-grek.
Kësisoj në Dibër, u krijuan shumë grupe të armatosura, ku tre kryesorët, ishin; grupi i Miftar Kaloshit, ai i Sllovës me Esat Ndreun dhe i Kërçishtit, me Haxhi Lleshin, së bashku me një forcë mbi 2000 veta. Ndërsa kjo forcë përgatitej në fund të 1942-it, të godiste krejt divizionin italian, në fakt një aventurë, krerët e tyre kontaktohen nga prefekti i Peshkopisë, Veip Runa, me mesazhin; “Pse të vritemi? Ju jap unë armë sa të doni”. Një nga kushtet e dibranëve, ishte dhe lirimi i Ali Maliqit nga internimi, çka u krye.
Ai kishte lidhje, krushqi e miqësi të forta me Lleshët, fisin Ndreu, Strazimirët, etj., por në mes kishte filluar të hynte ideologjia. Kjo pjese debati mes Ali Maliqit dhe Zoi Themelit, është domethënëse: “Ju proletarëve, komunizmi do t’ju ngrejë deri lart, dhe pasi t’ju ketë futur në krime ndaj shqiptarëve, atëherë do të vijë dita, që nuk do t’u hyni më në punë të parëve tuaj dhe do t’i hani kokat njeri-tjetrit. Kjo po ndodh prej 24 vitesh, në Bashkimin Sovjetik”.
E megjithatë, komunistët kishin nevojë për ndikimin e Ali Maliqit e të parëve të tjerë, për të ngritur në këmbë popullin e Dibrës. Një seri luftimesh të përbashkëta me nacionalistët, u zhvilluan kundër italianëve e më pas gjermanëve, të cilat me vonë u retushuan, sikur ishin luftime thjesht partizane. Një histori më vete, është shpëtimi dhe strehimi për tre muaj në shtëpinë e Agollëve, e parashutistit amerikan, Xhejms Hudson.
Edhe kur Brigada e V-të dogji shtëpinë, në korrik 1944, familjaret e morën djaloshin e huaj me vete në Tirane, derisa e dorëzuan tek Abaz Kupi, që e dërgoi në Bari. Ndërkaq, mesazhi i fundit i Ali Maliqit, përballe ftesave të komunistëve, ishte ky: “Në qofte se ju bashkoheni me serbët, unë do te gjej rrugën time”.
Avni Maliqi, nuk ka dashur të flasë shumë për vuajtjet e familjes së tij, pas vitit 1945. Por flet mjaft qartë dosja e arkivit të Ministrisë së Brendshme, ku figuron edhe deklarata e firmosur nga përfaqësuesit e 33 fshatrave dibrane, që kërkojnë t’i falet jeta Ali Maliqit. Dënimi me vdekje anullohet. Por kuptohet, këtë punë e kreu më vonë Sigurimi.
Në vendimin e Gjykatës së Lartë, nr.198, datë 4.10.1956, Kolegji Ushtarak i kësaj gjykate, drejtuar nga major Hilmi Telegrafi, me anëtar nën/kolonel Andon Sheti e nën/kolonel Tomorr Spahiu, me prokuror nën/kolonel Faik Minarolli dhe në prani të avokatit mbrojtës Vasil Laveni, të pandehurit Avni, Agim e, Fatrie Agolli, (fëmijët e Aliut dhe Hilmies), si edhe Nizajet Agolli (e bija e Ferikut dhe e Zeqijes) akuzohen që të katërt, se janë arratisur jashtë shtetit, por u kthyen në pikën kufitare të Bllaces, nga jugosllavët.
Duket se serbet, ua kthyen reston shekullore Agollëve. Gjykata vendosi të dënoje Avniun, me 15 vite burg, Agimin me 10 vjet burgim dhe femrat me 5 vjet internim, në Lushnjë. Një kalvar që do të vazhdonte për dekada të tëra. Memorie.al