– Dosja hetimore e vitit 1947, me raportimet e Sigurimit të Shtetit, për gjithë lëvizjet e ish ministrit të Zogut, nga dita e mbërritjes së tij në Tiranë, me 1 tetor 1945 e, deri në arrestimin e tij, në maj 1947! –
Memorie.al / Mirash Ivanaj, ish ministri i Arsimit e, më pas këshilltar i lartë i Mbretit Zog, pas shumë vitesh në arrati, kthehet në atdhe me 1 tetor 1945. Pushtetin e kishin marrë komunistët dhe ai, si njeri i afërt i Mbretit, nuk mund të rehabilitohej lehtë. Përkundrazi ai ishte vënë në vëzhgimin e njerëzve të Sigurimit, që në orët e para sapo vuri këmbë në Tiranë. Raporti i parë që rezulton në materialet e ish-Sigurimit të Shtetit, i përket pikërisht ditës së parë të mbërritjes së tij në Tiranë. Madje shënohet edhe ora. Mirash Ivanaj, kishte mbërritur në Tiranë, i ardhur nga Jugosllavia, pikërisht në orën 12 në mesditë. Të gjithë lëvizjet e tij, takimet e hapura dhe ato të fshehta, ishin regjistruar ditë pas dite, nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit.
Raportet e shumta grupuar sipas tematikës ose njerëve të përfshirë ishin analizuar në zyrat e Hetuesisë, menjëherë pas arrestimit të tij. Këto raporte (disa prej të cilave përsëriten), ruhen në dosjen hetimore të Mirash Ivanajt. Një pjesë prej tyre i sjellim më poshtë, duke krijuar tablonë reale të përgjimit të këtij intelektuali të njohur, në periudhën para arrestimit të tij
Dokumentet sekrete të Sigurimit të Shtetit, mbi ndjekjen e survejimin e ish-ministrit të Arsimit të Monarkisë së Zogut, Mirash Ivanaj
1 Tetor 1945
Drejtorisë Mbrojtjes Popullit
K ë t u
Sot ora 12, arriti në Tiranë prej Jugosllavije, ish Ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, i cili zuri vend në Hotel “Kontinental”. Në hotel e vizituan Gjergj Kokoshi dhe Nikolla Ivanaj, djali i xhajës së Mirashit, shkrimtar me banim në Tiranë.
Ora 6, Mirash Ivanaj i shoqëruar prej Gjergj Kokoshit dhe prej Nikolla Ivanajt, shkuan në Komitetin e N/Prefekturës, për të takuar Ali Bakiun. Dihet se Ali Bakiu, ka nji admirim të math për Ivananë dhe nji miqësi të madhe.
Pasi nuk e gjetën atje, u drejtuan për në qendrën e Prefekturës, ku Ali Bakiu merte pjesë në nji mbledhje, prej ku e nxuar dhe u takuan në portën e hyrjes së godinës. Atje u fjalosnë më këmbë mjaft minuta dhe nji shok i joni, na thotë se kish dëgjuar fjalët; “Për Statutin Themeltar”. Është në vëzhgim, tepër konspirativ.
SEKSIONI MBROJTJES POPULLIT
SHEF’I SEKSIONIT
(Stefo Grabocka)
(firma)
RAPORT MBI VËZHGIMET QË I JANË BËRË MIRASH IVANAJT
Mirash Ivanaj, është parë të shkojë në “Kontinental”, megjithëse ka tre ditë, që është larguar së këtejmi. Ky, provizorisht ka hyrë në një shtëpi, deri sa të lirohet shtëpia e tijë, ku ka vënë ustallarë, për ta riparuar e bojatisur. Miqtë që rrinë fort me të, janë Ali Bakiu e Sali Tagani, nga Tirana. Shtëpija që rin, është e Sali Taganit, në “Rrugën e Dibrës”. Me datën 8 km. ka qenë ne Saliu, këtej ishte thirrur për drekë, tek Rauf Fico, ku ka ndenjur deri në orën 2, pas dreke.
Prej këtej shkoi prapë në shtëpinë e Sali Taganit. Prej shtëpisë së Rauf Ficos, nuk u pa të delte njeri tjetër, veçse u pa që ta shoqëronte deri në shtëpi, një djalë po i asaj shtëpie, gjatë kësaj dite, nuk ka dalë prej këtu. Me 9 km., doli nga shtëpia në orën 9 dhe u drejtua për në Pazar, rrugës u takua me Mustafa Demnerin, bisedoi me të 15 minuta dhe u ndanë.
Kur zbriti në Pazar, shkoi nga Tirana e Re, deri në shtëpinë e të vëllait të vetë, por as aty nuk ndenji, erdhi në Pazar, hëngri bukë dhe shkoi drejt në shtëpi të Saliut. Gjat rrugës, për të salutuar, saluton shumë, bën lëvizje në shumë rrugë, por nuk ndalohet në ndonjë vend.
Më 10 km., mbasi doli nga shtëpia në orën 10.45, u drejtua për te Noteri Publik, më rrugën Ish-Mbretnore, ku bisedoi me të quajturin Jonuz Tafaj, për 15 minuta, prej këtu shkoi në Bankën e Shtetit, aty nuk bëri as gjë, veçse shikoj rreth e përqark Bankës dhe doli hëngri bukë dhe u drejtua për nga shtëpia; në Pazar, u takua me Selman Stërmasin, me të cilin u shoqërua deri në shtëpi, nga ku nuk doli më.
V.F. L.P.
Tiranë, më 4.10.1945
RAPORT MBI LËVIZJET E MIRASH IVANAJT
Me datën 3 km., në orën 9.30, Mirash Ivanaj doli nga Hoteli dhe u drejtua për në rrugën “28 Nëndori”, në atë kohë (në rrugë) i erdhi një letër nga Kryeministria, prurë nga një shërbëtor. Mbasi e këndoi, vazhdoi rrugën, tue parë vitrinat e dyqaneve.
Tue kalue rrugën “28 Nëndori”, vazhdoi rrugën e Dibrës dhe doli në Bulevard. Në orën 10 po në Bulevard, u takua me të birin e Afiz Ali Korçës, i cili ka qenë në burg dhe tashti është liruar.
Në orën 10.10, hyri te Ministri Arsimit dhe doli nga Ministria në orën 10.30. Prej këtu, kaloi prapë në rrugën “28 Nëntori” dhe u fut te Ali Kaçeli, bisedoi pak me Alinë dhe shkoi pranë Sahatit, ne Filip Ujka (mekanik). Bisedoi aty 30 minuta. Prej këtu shkoi në Hotel, nga ku nuk doli më; me gjithë se është pritur deri vonë.
ËSHTË NË SURVEJIM.
SHEF I SEKSIONIT TË II-të
(Dhosi Progri)
(firma)
Vdekje Fashizmit Liri Popullit
Tiranë më 7.X.945
Rreth lëvizjeve të Mirash Ivanajt
Më datën 4 të km., është parë tue shëtitur në “Rr. e Dibrës”, bashkë me Sali Taganin, n’ora 10 e 30 para dite, Saliu është Tiranas dhe më parë ka qen si arkëtar në Bashkinë e këtushme. Mbasi u ndan, Mirashi u drejtua për në bujtinën që rri.
Po më datën e sipërme, Mirashi është takuar në Bulevard të madh, me Muhamet Hoxhën, ish drejtor i Shkollës Teknike të këtushme, ky nuk ka pas qëndrim të mirë, ndaj Lëvizjes tonë. Mbasi shëtiti pakë me Mirashin, u ndan dhe Mirashi më vonë shkon përsëri në hotelin ku qëndron.
Muhameti, mbasi u nda prej Mirashit, takohet me Gjergj Kokoshin dhe mbasi biseduan tue shëtitur, u ndan me drejtime të ndryshme. Në hotel ku banon Mirashi (“Kontinental”) shikohet që të ven shumë burra dhe gra që takohen me të, populli flet mirë për të.
Shefi Seksionit të II-të
(Dhosi Progri)
(firma)
V.F.L.P.
Tiranë më 8.10.945
R A P O R T
MBI LËVIZJET E MIRASH IVANAJT
Me datën 4 km., në orën 8.15, shkoi në “Kontinental”, i quajturi Ramazan Kaçeli, i cili u takua me Mirashin, mbasi ndenjën pak, duallën të dy së bashku, tue bisedue në disa shëtitje pazarit, në orën 8.5, u ulën në Kafe “Savoja”, ku ndenjën 10 minuta, prej këtu u drejtuan në dyqanin e Kaçelit, këtu Mirashi nuk qëndroi, por shkoi drejt në Bibliotekë, kurse Ramazan Kaçeli, ngeli në dyqan. Prej Biblioteke, doli jashtë në orën 10, ku u takua me Sali Taganin, shëtiti me të deri në orën 11.30.
Mbasi u nda prej tij shkoi drejt në Hotel. Ka dalë në orën 5 mbas dite duke shkuar drejtë në Ministrinë e Kulturës, ku qëndroi gati 20 minuta. Prej Ministrie shkoi drejt në “Bulevardin ish – Musolini”.
Në rrugë takoi me Nikolla Ivananë, u shoqëruan deri ne kisha katolike, aty u kthye prapa dhe shkoi në Hotel, nga ku doli menjëherë, bëri disa shëtitje vetëm, pa u takuar me as njeri dhe shkoi prapë në Hotel (ishte ora 8) dhe nuk doli më.
Me datën 5 km., në orën 7.30 erdhi Ali Bakiu dhe kanë biseduar gjysëm ore dhe iku në orën 8. Pastaj ardhi Muhamet Hoxha, ish- Drejtor i Shkollës Teknike, i cili me Mirashin që atëhere kish një miqësi, me këtë bisedoi më se gjysëm ore. Prej kësaj ore e, deri në 12.15, nuk erdhi njeri.
Në orën 12.15, erdhi Gjergj Kokoshi dhe u takua me të. Ky hyri në dhomë të Mirashit dhe pasi bisedoi 15 minuta, u largua. Ka pasur takime dhe me Sali Taganin të cilit, i shkoi dhe në shtëpi, është shoqëruar me Musa Petrelën, të birin e Shaqir Petrelës.
Me datën 6 km., është takuar në rrugë rastësisht me Gjergj Kokoshin, por u ndanë përnjëherësh. Po në këtë datë, Gjergji është takuar me Llazar Treskën dhe me Prof. Loni Kriston. Po në këtë datë, Mirash Ivanaj ka qenë i thirrur te Sali Tagani, për drekë (në shtëpi), ku kanë ndenjur deri në orën 11.30. U muarr vesh se ishte thirrur dhe Gjergj Kokoshi, por nuk u pa që të hynte e të delte gjë.
Po me këtë datë, Ali Bakiu kërkoi me telefon Mirashin, i cili nuk ishte aty, kështu Ali Bakiu, erdhi ta takonte personalisht, por përsëri nuk e gjeti në dhomë. Shtojmë se këta elementë që takohen me Gjergj Kokoshin, janë parë shumë herë tue ndenjur në zyrën e Ing. Xegës, si Ing. Llazar Treska, Prof. Loni Kristo e, Niko Konda.
JANË NË VËZHGIM.
SHEF I SEKSIONIT TË II-të
(Dhosi Progri)
(firma)
Tiranë, me 19 Nëndor 1945
Nga Seks. M.P. Tiranë
Me datën 7 të km., Mirash Ivanaj ka dalë nga shtëpia e tij në orën 10.30, shkoj në zyrat e Ujësjellësit pas SEM-pit të këtushëm, aty u takua me përgjegjësin, që është një inxhinier rus, qëndrimi i të cilit thuhet se nuk ka qenë i mirë. Inxhinieri në fjalë, ndodhet prej kohe në Shqipëri, i ikur nga Rusija, që në kohën e Revolucionit.
Mirashi si iku prej këtej, para Bankës së Shtetit, u takua me nji grua të panjohur, e cila i dha nji letër që ky e këndojë. Prej këtej, shkojë në shtëpinë e Sali Taganit, ku qëndrojë për një orë, prej këtu shkojë në dyqanin e Hem Kellezit, Nr. “28 Nënduer”, ku ndenji gjysëm ore, e shkoj në shtëpinë e vet.
Nga Seks. II-të
10.X.45: Nuk dimë deri ku asht e sinqertë një informatë, si mbas së cilës, rrethet që e pritën të parët Mirash Ivananë, këtu në Tiranë, tash së fundi kanë filluar ta sulmojnë, duke thënë se aji nuk interesohet, nuk do ta prishi me Qeverinë, se ka shpresë që të marrë prapë shtëpinë, që i kishin konfiskuar italianët në Tiranë të Re.
Nga ana tjetër, thanë se pas Ivanajt, presin të vinë dhe Qemal Butka, Dalip Zavalani, Avdyl Zalo Geçoja, e ahere të shohim për formimin e ndonjë grupi, për zgjedhjet. Për këta që presin, thonë se janë Antifashistë të njohur dhe se Pushteti i jonë, nuk ka se ç’të thotë. Reaksioni ka shpresë se edhe prej radhëve tona, do të ketë mjaft që do të dalin hapur në favor të tyre. Po të besojmë fjalët që u nxuarr, nga një bisedim me dentistin Hasan Jero, duhet të marrim parasysh, se reaksioni zgjedhjet i pret me ‘avititet’, që do të thotë, me shumë etje e padurim.
Një gjë është e vërtet: Duken lëvizje të qarta dhe të shpeshta, të reaksionarëve të njohur dhe parullat e tyre, i lidhin me gjendjen e sotme, me mos njohjen e qeverisë, dhe me politikën që duhet të bëjë vendi, për t’u bërë qejfin englezëve.
900 – Nga survejimi që i ashtë bërë prej datës 12-16/II/1947, janë konstatuar këto lëvizje: Gjatë ditës, nuk ka bërë lëvizje ose takime me elementë të dyshimtë. Ky, si del nga shtëpia, shkon drejtë në shkollë, dhe si del këndej, ban nji shëtitje në Pazar dhe përsëri kthehet në shtëpi.
Prej shumë kohe që ka qenë në survejim, nuk ashtë parë të takohet me ndonjë njeri jashtë, dhe as që saluton ato që njeh, për pa qenë salutue prej tyre, më parë.
Me datë 16/II/1947, dolli prej shtëpie dhe shkoj drejtë në shtëpinë e Sali Taganit, “R”,rruga Vll. Huta Nr. 119, në këtë shtëpi shkonte dhe disa kohë më parë, mbasi ka nji miqësi të vjetër me këtë. Këtu ka ndenjur deri në ora 12.30 dhe së bashku me Salin, dollën prej shtëpisë, ku mbasi banë disa shëtitje deri në Pazar, u nda nga Saliu, dhe u drejtua për nga shtëpia.
Nga sa kemi konstatuar, gjatë gjithë kohës që e kemi në survejim, ky ruhet shumë nga takimet me elementët e dyshimtë jashtë, kurse në shtëpi, nga informatat që kemi pasur herë pas here, janë bërë lëvizje, por këto shumë konspirative dhe me sa kuptojmë, të përgatitura. Survejimi mbas tashti, do të bëhet vetëm përsa i përket shtëpisë, mbasi në lëvizje jashtë, nuk po del gjë, gjatë gjithë kohës që ka qenë në survejim. Memorie.al
Marrë nga Observatori i Kujtesës.al