Nga Astrit Jegeni
Pjesa e dytë
Memorie.al / Ahmet Jegeni, funksionar i lartë i regjimit Enverist, ka pasur funksione të shumta partie e pushteti, në atë sistem politik, midis të tjerave ka qenë drejtor i portit të Durrësit për shumë vite. Më vonë fillon punë në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme dhe emërohet Sekretar i Organizatës të Partisë i kësaj Ministrie, derisa arrestohet me akuzën për “veprimtari armiqësore” me të ashtë-quajturin grupi i Kiço Ngjelës me shokë, akuzë që nuk e pranon, për pothuajse një vit. Dhuna e ushtruar në hetuesinë komuniste e thyen dhe ai shkruan këtë promemorje, duke pranuar bashkëpunimin me akuzën, që në fillim nuk e pranoi. Në kushte ekstreme fizike e psikologjike vetjake, përshkruan me shkrim veten, bashkëpunëtorët, familjarët e tij sipas dëshirës e mendësisë morale politike komuniste.
Në memorien time në fëmijëri, kam të ngulitur një burrë me shtat mesatar, pak i bëshëm, i veshur mirë me rroba të blera jashtë Shqipërisë, dinjitoz. Në rrugë, dhe kur i binte të takoheshin me babain tim, e përshëndeste me kokë, por gjithmonë me distancën e ftohtësinë e duhur, që rridhte nga fakti që i përkisnin dy shtresave të ndryshme politike e, pozicione shoqërore të kundërta. Ata ishin gati moshatarë, ishin kushërinj, kishin qenë bashkë në çetën partizane të Dibrës së Madhe, me komandant Haxhi Lleshin.
Im atë më ka treguar momente nga dorëzimi i ushtrisë italiane pas kapitullimit të Italisë, dhe ishte Ahmeti, që hipi në një “Caro-armato”, një automobil i forcuar me llamarina të trasha e, shkoi vetë në kazermat italiane të Dibrës së Madhe, për të negociuar me komandën italiane aty. Im atë e luti e i kërkoi që të mos shkonte, se italianët do ta vrisnin, por ai nuk u frikësua. Pas disa orësh, italianët pranuan marrëveshjen me Ahmetin, ata me armët personale e ushqimet ditore, ua liruan kazermat e tyre partizanëve dhe u drejtuan drejt Peshkopisë.
Në muhabetet e pafund të fisit tim, Ahmeti trajtohej me kujdes, falë faktit se ishte një funksionar i lartë komunist, besoj se ishte Jegeni, që kishte postin më të lartë në regjimin komunist, shumica absolute e Jegenëve, ishin antikomunistë. Një tjetër Jegen me bindje komuniste dhe që kishte funksione të larta partie e shtetërore, ishte dhe djali i xhaxhait tim, Eqerem Begut, Besnik Jegeni, por ky kishte funksione në Maqedoni dhe realisht dinim pak, ose aspak, për peshën reale shoqërore të tij.
Gjithsesi Ahmeti shihej me simpati, si njeri që dinte të mbante një qëndrim të arsyeshëm respekti ndaj fisit të tij, që në përgjithësi etiketoheshin “reaksionarë”, nga propaganda e mendësia komuniste. Vetëm në raste vdekje, Ahmeti dukej për vizitën e rastit dhe këto shumë të rralla. Kemi qenë në internim politik, kur na erdhi lajmi që e kanë arrestuar Ahmetin, im atë shprehu keqardhje, por vetëm kaq. S’e zuri në gojë, as për mirë e as për keq.
Ma vonë, kur u kthyem nga internimi, me Pranverën, motrën e Ahmetit, që ishte në Tiranë, kemi bërë biseda të pafund e të gjata për Ahmetin e, marrëdhëniet e tij me familjen, për nanën e tij që jetonte me Pranverën, e jo me djalin, gruan e tij nga fisi i Strazimirëve, Dhurata, motrën, vëllain, që jetonin jashtë Shqipërisë, fisin e afërt, dhe këndvështrim im për Ahmetin, ndryshoi.
Kam në memorie Mitrushin, kunatin e tij, “Hundëleshin”, kështu i thërrisja sepse kishte lesh në hundë, një mashkull simpatik, i kulturuar, mjaft argëtues e shumë modern për kohën, kur na vinte në shtëpi, krijonte një atmosferë të këndshme. Ishte kënaqësi ta dëgjoje atë burrë. Fatkeqësisht, raportet e Ahmetit me gruan, nanën e motrën e tij, ishin, sipas këndvështrimit të Pranverës, të pakëndshme e problematike. Gjithsesi të njohur e të panjohur të ndryshëm që takoja, kur më pyesnin për mbiemrin, pyetja e parë pasuese, ishte; ç’lidhje ke me Ahmetin?
Ata të gjithë flisnin mirë për të. Kur më ra në dorë kjo promemoria dhe e lexova, u shtanga, nuk më pëlqeu e u zhgënjeva nga personaliteti i Ahmetit, i përçudnuar. Ylli Selenica, një mik i mirë i imi, që ka qenë i burgosur politik, më pati thënë, kur qe gjallë, të mos i gjykoj njerëzit nga të dhënat e hetuesisë komuniste, sepse ka qenë një organ drejtësie shumë e dhunshme dhe pak njerëz mund ta përballonin, ishin të detyruar të pranonin çdo gjë që ju imponohej, mjafton që torturat të ndalonin. Gjithsesi kam hezituar shumë, ta bëja publike promemorien.
Moralisht figurën e Ahmetit, nuk e pëlqeja. Sebep për të ndërruar mendje, u bë një person që e njihte Ahmetin. Në një debat me mua fliste me superlativa për figurën e Ahmet Jegenit, duke e çuar në kufijtë e himnizimit. I nervozuar dhe i lodhur nga mungesa e sensit të realitetit për figurat njerëzore që kanë njerëzit në subkoishencën e tyre, vendosa ta botoj këtë promemorie. Kjo që po botoj, është një pjesë e vogël e kësaj promemorie e, ndoshta ma e “fismja” nga e gjithë promemoria, që për mua është tejet e pahijshme, gati në kufijtë e turpit.
Promemoria e Ahmet Jegenit, e bërë në hetuesinë Enveriste, në formën e dorëshkrimit, përbëhet nga 184 faqe, është shkruar në kushtet e diktatit të dhunshëm fizik e psikologjik në hetuesi. Është shkruar në letër A-4, të cilësisë së dobët, prodhim vendor, i shkruar me laps të zi, në të dyja krahët e letrës, shumica e dorëshkrimit është me laps rreth 80%, pjesa tjetër me stilolaps blu dhe të kuq, një shkrim dore relativisht i imët, por qartësisht i lexueshëm dhe pa gabime ortografike.
Gjatë hetuesisë një pjesë e këtij materiali, rreth 10-15%, është daktilografuar nga nëpunësit e Hetuesisë dhe i është dhënë për ta lexuar Ahmet Jegenit, i cili në disa vende, ka ndërhyrë me shkrimin e tij, për ta qartësuar fjalinë dhe për ma tepër me vetë-dëshirën, për ta rënduar më shumë veten e tij para ligjit. Tregues i dorëzimit psikologjik e fizik, ndaj dhunës që i është bërë gjatë hetuesisë. Gjatë daktilografimit të tij, disa fjalë janë përshtatur nga gegnishtja e Dibrës së Madhe. në gjuhën letrare, por pa ndryshuar kuptimin e fjalisë. Disa shprehje dhe fjalë nuk janë transkriptuar saktë, por nuk e kanë deformuar logjikën e fjalisë. Duhet theksuar se për shumë kohë, rreth një vit, Ahmet Jegeni nuk pranonte asnjë nga akuzat e hetuesve, por mbas shumë muajsh dhunë fizike e psikologjike, Ahmeti dorëzohet e, pranon akuzën.
“Për veprimtari armiqësore” dhe fillon të shkruaj kujtimet e tija vetë-denoncuese, të cilat unë besoj se janë shkruar jo se ndjehej i penduar për veprimtarinë e tij politike e shtetërore, por i dorëzuar totalisht nga presioni i madh fizik e psikologjikisht, ka shpresuar se do dalë gjallë nga ferri i hetuesisë komuniste. Mund të vepronte ndryshe, por nuk ka vepruar. Realisht shumica e të burgosurve politikë nga regjimi komunist, nuk e kanë përballuar dhunën fizike e psikologjike dhe janë dorëzuar e kanë firmosur çfarë ka dashur hetuesia komuniste.
Dorëshkrimi i shkruar me dorë, mban datën 4.10.1976 dhe është i firmosur nga ai, ndërsa material i transkriptuar me makinë shkrimi, ka të njëjtën datë, por nuk është i firmosur. Duhet të vemë në dukje se, ka mospërputhshmëri në kohë midis datës së arrestimit dhe datës kur Ahmeti filloi të shkruajë këto dorëshkrime. Ahmet Jegeni vdiq në hetuesi. Sipas dokumentacionit mjekësor, vdekja ju krijua nga një atak në zemër. Jam i prirur të besoj, se vdekja i ka ardhur nga kushtet e papërballueshme jetësore të hetuesisë dhe dhuna fizike e psikike. Çështja e tij, nuk kaloi në gjyq. Ligjërisht Ahmet Jegeni, cilësohet i padënuar.
Ne po i japim për t’u lexuar, siç janë shkruar në origjinalin e daktilografuar, duke e ballafaquar në çdo rresht apo, emra të përveçëm me origjinalin me shkrim dore. Promemoria për mua, është interesante, se përveç karakterit të përgjithshëm historik që informohemi, në këtë promemorie interesante, është informacioni që marrim nga raportet tregtare shumë të mira, të Shqipërisë me Jugosllavinë. Jugosllavia në këtë kohë, ishte partnerja e dytë mbas Kinës, në volumin tregtar të Shqipërisë, duhet theksuar se kriza politike e ekonomike Shqiptaro-Kineze, kishte filluar të jepte efektet e saj në ekonominë e vendit, ironike është fakti, që kemi një raport të zhdrejtë me propagandën armiqësore Enveriste për Titizmin dhe marrëdhëniet shumë të mira tregtare, me Jugosllavinë.
Dorëshkrimi i të pandehurit Ahmet Jegeni
Unë jam bërë anëtar partie në dhjetor 1942, kur ma komunikuan këtë unë u ndjeva i habitur, mbasi e dija veten të tillë me kohë, kur na mblidhte Nazmi Rushiti në Dibër. Kjo tregon se unë nuk e kam njohur anën organizative dhe në fakt në celulën tonë, bëhej punë shumë e cekët edukative sepse, Zoi Themeli (sekretar celule), ishte shumë pak i përgatitur nga kjo anë.
Qazim Prishtina (komisari çetës), më i përgatitur, merrej vetëm me informacioni politik; prandaj ne nuk i kishim të qartë këto çështje, vetëm kur vinte ndonjë nga qendra (kjo rrallë), bëheshin biseda, për të sqaruar çështjet e Partisë e njoftime të tjera të këtij karakteri, prandaj ne nuk kishim ngritjen e nevojshme, që të shihnim problemet si duhet. Edhe ma vonë me ardhjen e shokëve të tjerë dhe kur u formua batalioni, mua me duket se kjo anë ka çaluar.
Në vitin 1944 (gusht), u çlirua Peshkopia, dhe në shtator Dibra. Unë kam shkuar nga fundi vitit 1944, për të parë familjen, po kështu në 1945. Në këtë kohë, kam takuar atje Nexhat Agollin, i cili më tha që të kaloja të punoja në Maqedoni, këtë propozim ma ka bërë edhe ca muaj ma vonë në Tiranë, po kështu më tha dhe në Dibër, Aqif Lleshi, si dhe të tjerë dibranë, por unë siç thashë, kisha vendosur të jetoja në Shqipëri.
Në atë kohë doli urdhri që në Dibër, të mos vendosej flamuri shqiptar, por maqedonas, po kështu tabelat e dyqaneve maqedonisht, të them të drejtën unë ndjeva rrëqethje dhe nuk më erdhi mirë kjo dhe kur më ankoheshin dibranët, unë u thoshja rrini urtë, se njëlloj asht.
Unë mendoja se Jugosllavia, sado e dëmtuar nga lufta, ishte shtet i madh, partia ishte me eksperiencë dhe si shtet më i vjetër se ne, me ca industri, etj., do ta marri veten shpejt dhe se atje do të vendoset një mirëqenie ekonomike më shpejt se tek ne, pse ishim shtet që kishte qenë i lënë pas dore nga regjimet dhe se ishim dëmtuar, pra na duhej kohë!!
Në 1945 (dhjetor), u bënë zgjedhjet për deputetë dhe unë dhe Sul Baholli, ishim kandidatë në të njëjtën zonë elektorale. Fitoi Sula, por atëhere u përhapën fjalë se ai fitoi, mbasi kishte organizuar me anë miqsh të tijë, një propagandë kundra meje, duke thënë popullit se Ahmeti, ua ka marrë djemtë ushtarë. (në komandat e vendit), të kësaj natyre, me që unë ca kohë më parë isha komisar i rrethit Zerqan dhe sekretar i Pushtetit, rrethit Zerqan.
Për këtë çështje, më ka folur edhe Kiço Ngjela, kur më kanë thirrur në shkurt 1946, në Komitetin Qendror, me rastin e transferimit tim nga Peshkopia, për në Tiranë. Kiço Ngjela edhe herë të tjera, më ka fol kundra Sulës. Një herë tha: “Sula vlen për të hapur kanale, nuk din gjë tjetër”!
Fakti i mësipërm si dhe ajo, që në tetor 1943, Sulën dhe Zeqi Agollin i çarmatosi në Dibër Xhem Gostivari, dhe se ndaj tij nuk u morën masa, krijoj tek mua një përshtypje, se Sula njihet nga shokët kurse unë jo, po ta kisha bërë unë këtë, kushedi se çdo të ngjiste. Ky ka qenë një mendim i shtrembër dhe tregon mungesën e pjekurisë time, paqartësin dhe lidhet edhe me botëkuptimin e “miqësisë” kuptim ky që lidhet me prejardhjen time shoqërore, pra kuptimin mikroborgjez të çështjes.
Caktimi tim, në 1946, në Ministrinë Ekonomisë, nuk e prita me qejf, problemet ekonomike nuk më pëlqenin dhe kisha shfaqur dëshirën të shkoja për studime. Kjo nuk u pranua dhe unë me vështirësi u ambientova me punën e caktuar. Më vonë në Janar të vitit 1947, u caktova drejtor i Shoqërisë Shqiptaro-Jugosllave, import-eksport, për këtë me thirri Nako Spiro dhe me foli se duhet të bashkëpunoja me Jugosllavët, ata i kemi miq.
Unë mendova se me këtë rast, do të përfitoja mjaft në profesionin tregtar, me që i konsideroja jugosllavët më të zotët se unë, në fakt ata ishin të tillë. Zv. Drejtori Hreljonaviç, ishte ekonomist dhe njeri me eksperiencë, Ljubibrotiçi (kryetar dege), ekspert për artikujt blegtoralë, Detiçeku (shef finance), po kështu, dhe unë ndjeva inferioritetin tim, kështu që ata kanë përfituar për të bërë që punët të shkonin mbarë për Jugosllavinë, eksportet nga Shqipëria shkonin mirë, kurse importet, vononin të vinin.
Unë këtë nuk e shihja me syrin e vërtetë, nuk u thellova të gjeja dhe arsyet, por e lidhja me faktin se Jugosllavia, është dëmtuar në industri prandaj kanë vështirësi për të përballuar nevojat e tyre dhe tonat dhe nuk shihja aty sabotimin Jugosllav, që ta linin ekonomin tonë në mëshirën e tyre, u kam besuar fjalëve që thonin ata për vështirësi dhe nuk shihja që edhe ne ishim të dëmtuar, por angazhimet po i mbanim.
Pra unë i isha nënshtruar ndikimit të influencës jugosllave, që punonin në shoqërinë dhe të përfaqësuesit tregtar jugosllav, Harliek, të cilët me lajka, fjalë të mira, kanë bërë që unë të humbas vigjilencën dhe nuk kam bërë çështje këto probleme. Që këtu fillon puna e jeme e nënshtrimit, ndaj ndikimit jugosllav. Më kujtohet se njëherë në vitin 1947, erdhi në Tiranë Kiro Grigorov (me dukej se merrej me financat) dhe në një darkë që dha përfaqësia tregtare jugosllave, ai foli për kujdesin që tregon personalisht Tito për Shqipërinë, për ekonominë e saj.
Unë thashë se jem dakord, mbasi e shohim me syrin tonë me që punoj në shoqërinë Shqiptaro-Jugosllave. Në fakt puna qe, se nuk realizoheshin kontratat nga ana jugosllave, pra unë u tregova jo i pjekur, thashë fjalë vetëm për t’ja bërë qejfin. Nako Spiro me ka qortue për këtë qëndrim, mbasi ai ishte ankuar për mosrealizimin e detyrave nga ana jugosllave.
Ja pra, një qëndrim i pafalshëm për mua, që lidhej me besimin që jugosllavët, duan të na ndihmojnë seriozisht, ndërsa faktet treguan të kundërtën. E drejta është se unë kam patur edhe fërkim me Zv. Drejtorin, Hreljonoviç, mbasi ai përpiqej që të më mënjanonte dhe unë nuk e shihja mirë këtë, dhe këtë ja kam thënë si Nako Spiros, ashtu dhe Vasil Katit, i cili ishte kryetari i palës Shqiptare, të Këshillit Administrativ të Shoqërisë.
Që të dy më thanë se unë jam Drejtor, por nuk duhet acaruar puna, sidomos Vasil Kati, që mbante lidhje të afërta me Horliçek, unë (përfaqësues tregtar), me thosh se ne nuk dimë sa duhet, të arrijmë afër jugosllavëve e të mësojmë dhe nuk ka të keqe, fundi një qëllim kemi. Këtë ma vonë (1967-‘68), me ka thënë Kiço Ngjela, se duke pastruar kasafortën e tij, ka gjetur një dokument, me të cilin jugosllavët kërkonin heqjen time nga shoqëria Shqiptaro-Jugosllave, si element jo i dëshiruar.
Ai tha se, këtë ja ka dërguar Komitetit Qendror dhe është me rëndësi, mbasi ka patur ca pengesa në këtë drejtim, për sjelljen tënde në Tiranë. Unë e pyeta pse ay tha gjëra të kaluara, ai tha se tani do bëjmë propozim, për në Dhomën e Tregtisë. Vasil Kati më vonë më ka thënë, se kur kishte qenë në Jugosllavi, kishte pyetur ku punojnë ish-atasheu tregtar, Horliçek dhe Zv/ Drejtori, i kishin thënë, i pari në Hollandë, ndërsa i dyti në SHBA-ës, biles, nuk kishte dashur të kthehen më në Jugosllavi.
Vasil Kati, pra me ka mbajtur vazhdimisht në korrent, për çështjet Jugosllave. Ai edhe më vonë, më ka afruar tek jugosllavët, si në vitin 1972, kur zhvilloheshin bisedimet për protokollin e 1973-it, duke më kërkuar lista mallrash të pa siguruara, në takimet me Dhomën e Tregtisë të Kosovës, duke më dërguar në Maj 1973, në Jugosllavi, për komisionin miks, në një kohë që ky sektor, nuk varej nga mua, por nga Drejtoria e parë, për të mos përmendur rastet nga 1974-1975, kur ky sektor varej nga mua.
Vasil Kati më ka thënë se, është takuar në fund të 1974-ës, me një tregtar kosovar (Bora), i cili banon në Turqi, por që tregtonte me Jugosllavinë, duke thënë se është gati të marri përsipër punë të mëdhaja, si direkt nga Jugosllavia, ashtu edhe me anën e Turqisë. Vasil Kati ka qenë mjaft i përzemërt, me të gjithë Jugosllavët.
Në vitin 1974, kur ishte këtu delegacioni tregtar jugosllav me Zv/Ministrin Glishig, na nisi neve për në Fier për vizitë dhe tha se ai nuk do të vinte, kur në mbrëmje erdhi dhe iku të nesërmen në mëngjes. Vasili i tha Zv/Ministrit jugosllav, se erdhi kastile për të, mbasi ka respekt dhe dëshiron që ai të kënaqet. Duke qenë në drekën zyrtare, mbas firmosjes së protokollit, Vasili tha që; nesër për drekë, të gjithë specialistët jugosllavë, janë të ftuar nga Ndërmarrja Tregtisë së Jashtme Shqiptare, mbasi po ndihmojnë në zhvillimin e tregtisë.
Po kështu Vasil Kati më ka thënë, se Gogo Kozman dhe Festim Sinën, e kanë pyetur nëse unë mbaj kontakt me vëllanë tim, në jugosllavi. Të gjitha këto raste etj., tregojnë se Vasil Kati me ka afruar mua, ai është interesuar në Komitetin e Partisë Durrës, se me cilët persona shoqërohem unë, ka ndërhyrë në Komitetin Ekzekutiv Durrës, që të mos më largojnë nga sektori i tregtisë (kishte një variant), ka pranuar që të caktohesha Drejtor i Përgjithshëm i porteve dhe se aty është punë më e pastër dhe ka kontakte me të huaj (vaporet, përfaqësitë tregtare, etj.)
Të gjithë këto qëndrime të Vasil Katit, kanë influencuar tek mua që unë ta respektoj atë dhe përsa i përket marrëdhënieve me jugosllavët, që unë t’i shoh ato pozitivisht, duke shtuar mallrat eksport-import, hyrjet e daljet e specialistëve e tjerë. Unë mendoj se në këtë drejtim, Vasil Kati ka patur edhe mendimin e Kiço Ngjelës, mbasi ky i fundit, kur në maj 1973, do të shkoja në Jugosllavi, me tha që nëse do ta takoja vëllanë që kisha etje. Unë në atë kohë, nuk dija se sa thellë ishte futur im vëlla në veprimtarinë e poshtër armiqësore, ndaj vendit tonë (këtë e mësova këtu në burg, gjatë hetuesisë) prandaj dhe nuk e zgjata bisedën dhe i thashë: Jo, unë shkoj për punë zyrtare dhe jo personale! Memorie.al
Marrë nga radiandradi.com
Vijon numrin e ardhshëm