Nga Skifter Këlliçi
Pjesa e tretë
Memorie.al/ Më 28 nëntor të vitit 1938, me rastin e festës së Pavarësisë, në një ceremoni ku merrnin pjesë autoritete të rëndësishme të vendit, me një fjalim të mbajtur në mikrofonin e Radio Tiranes, Mbreti Zog i Parë, përuroi ngritjen e këtij institucioni, që ndër vite u bë kaq i dashur dhe popullor edhe për shqiptarët jashtë atdheut. Me këtë rast, po botojmë dossierin ’85 vjet të Radio Tiranes’, përgatitur nga gazetari dhe shkrimtari Skifter Këlliçi, i cili ka punuar për 40 vjet në Radio Tirana, (1959-1999), së pari redaktor dhe pastaj komentator sportiv.
Radio – Tirana gjatë ditëve të luftës për çlirimin e kryeqytetit
Radio – Tirana i vazhdoi rregullisht programet e saj deri më 27 tetor të vitit 1944, kur forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare nisën betejën për çlirimin e kryeqytetit. Deri më 17 nëntor të atij viti, godina e Radio – Tiranës u vu nën kontrollin e rreptë të një njësiti të ushtrisë gjermane. Ajo ruante pa ndërprerje për çdo mësymje të mundshme të forcave partizane.
Sipas kujtimeve të Islam Prosekut, një nga punonjësit më të vjetër të fonotekës së Radio-Tiranës, u mësua se gjermanët, në ikje e sipër, kishin vendosur të hidhnin në erë godinën e saj. Atëherë u morën masa që fondi muzikor, në më shumë se 2.500 disqe, që ishte një pasuri e vërtetë, të ruhej me çdo mjet. Për këtë qëllim, ai u përcoll fshehurazi nëpër shtëpitë e qytetarëve tiranas, rreth godinës së Radios.
Gjithashtu inxhinieri italian, Galeaci, çmontoi ato pjesë të mundshme të aparaturave, të cilat u transportuan në shtëpinë e familjes së kompozitorit të ardhshëm, Nikolla Zoraqi, gjithashtu pranë Radios. Për të mënjanuar çdo synim të pushtuesve që të hidhnin në erë godinën e Radios, përsëri sipas kujtimeve të Islam Prosekut, Mihal Ciko, që vazhdonte të ishte shef i sektorit të muzikës, duke qenë se fliste gjermanisht, mori takim me eprorë të komandaturës gjermane.
“Në kushte shumë të vështira, kur ndiente që plumbat i vërshëllenin pranë , – kujtonte e shoqja e tij, Evanthi Zoraqi, (Ciko), – ai, duke përshkuar Bulevardin e madh të Tiranës, kaloi hotel ‘Dajtin’, godinën e sotme të Kryeministrisë dhe arriti në komandaturën gjermane. Gjatë takimit shtroi kërkesën që Radio Tirana, të mos hidhej në erë”.
Nuk dihet me imtësi nëse ishte kjo arsyeja që me të vërtetë Radio-Tirana shpëtoi nga rrënimi, apo dhe trysnia e sulmeve partizane, që nuk u ndaheshin pushtuesve në çdo skaj të kryeqytetit. Por fakti mbetet fakt: Radio-Tirana nuk pësoi fatin e mynxyrshëm që të shkatërrohej. Jo vetëm kaq, por u bë ç’është e mundur që të merrej. Ishte kjo arsyeja që, për të shporrur pushtuesit, u ngarkua kompania II-të e Batalionit III-të, të Brigadës I-rë, me komandant Mane Sevranin.
“Radioja, siç dëshmonte vetë Mane Sevrani, ruhej nga 9 xhandarë dhe 7 ushtarë gjermanë. Dy nga xhandarët, shkonin për të marrë ushqim në restorantin e hotelit “Internacional”. Ata u kapën nga forcat partizane dhe pranuan që t’u bënin thirrje xhandarëve të tjerë, që të dorëzoheshin, se nuk do të pësonin gjë. Dhe kështu ndodhi.
Në të gdhirë të datës 14 nëntor, xhandarët u largun me shpejtësi dhe kur dy gjermanë të tjerë, u nisën të merrnin ushqimin, partizanët që kishin rrethuar ndërtesën e Radio-Tiranës, nga ‘Rruga e Durrësit’ dhe ‘Rruga e Kavajës’, nisën sulmin. U vranë dy gjermanë dhe të të tjerët u zunë robër. Në këtë mënyrë, Radio – Tirana u vu nën zotërimin e forcave partizane”.
Menjëherë, më 17 nëntor 1944, që ishte edhe dita e çlirimit të Tiranës, komandanti i Korparmatës I-rë, gjeneral-major Dali Ndreu, autorizoi teknikun Todo Bojdani dhe inxhinierin italian Antonio Galeaci, të merrnin në dorëzim Radio-Tiranën dhe porositi të krijoheshin të gjitha lehtësitë për mbledhjen e veglave në vende të ndryshme”.(Sipas një dokumenti, që ruhet në shtëpinë e Todo Bojdanit).
Në artikullin me titull “Nga historiku i Radio-Tiranës”, botuar në revistën “Radio-programi”, më 12 prill 1951, shkruhet: “Në godinën e Radio-Tiranës u gjetën vetëm dy transmetues, të cilët okupatori i kishte minuar dhe ishte gati t’i hidhte në erë. Por nuk arriti. Ishin dëmtuar dhe nuk funksiononin disa pjesë të rëndësishme të radio transmetuesit me valë të shkurtra, ndërsa atij me valë të mesme i ishin hequr dhe thyer një sërë llambash. Për 10 ditë u rregulluan dhe më 28 nëntor të vitit 1944, Radio- Tirana filloi rregullisht emisionet e saj edhe për botën e jashtme”.
Transmetimet e para pas çlirimit
Për fat të keq, për këtë periudhë të rëndësishme të Radio-Tiranës, mungojnë dokumente arkivore. Nuk na vjen në ndihmë as shtypi, sepse gazeta e vetme e asaj periudhe “Bashkimi”, që zëvendësoi gazetën “Bashkimi i Kombit”, botuar gjatë periudhës së pushtimit gjerman, doli në qarkullim vetëm ne fund të dhjetorit të vitit 1944. Megjithatë, kjo periudhë ndriçohet nga kujtimet e Dhora Lekës, Xhorxhia Haxhos, Liri Bozos, (Kito), Refik Bezhanit, Findia Veizit, Stefanaq Pollos, etj.
Dhora Leka dhe Refik Bezhani, dëshmojnë se të ardhur nga radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare,u ngarkuan të punonin në Radio- Tirana, menjëherë pas çlirimit të kryeqytetit. Së bashku me muzikantin e njohur Mihal Ciko, inxhinierin e palodhur italian, Antonio Galeaci, teknikët Spiro Qirko, Todo Bojdani, etj., çdo ditë, nga 21 nëntori, bënë provat e para të transmetimit, të cilat dolëm me sukses. Më 27 nëntor gjithçka ishte gati.
Në një material të ruajtur në arkivin e RTSh-së, me titull “Të dhëna nga historiku i Radio Tiranës”, theksohet se; Radioja i hapi emisionet e saj më 28 nëntor 1944, me fjalimin që mbajti Enver Hoxha para hotel “Dajtit”, me rastin e parakalimit të forcave partizane, që kishin çliruar Tiranën, me të cilin i drejtohej banorëve të kryeqytetit, që kishin dyndur në dy anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, dhe tërë popullit shqiptar.
Gjithnjë sipas kujtimeve të sipërpërmendurve, në mëngjesin e datës 28 nëntor ata, së bashku me Fatmir Gjatën, (autor i teksteve të shumë këngëve partizane) dhe Mark Gurakuqin, letrar i ri, të tre partizanë, përgatitën reportazhin e parakalimit të forcave partizane.
“Natyrisht,- kujtonte Dhora Leka,- ne flisnim para mikrofonit ashtu siç dinim, por unë, duke njohur nga afër kuadro të rëndësishëm, që parakalonin, përpiqesha të bëja një përshkrim sa më realist. “Kurse unë, – shtonte Refik Bezhani, – lexoja parrulla për luftën dhe fitoren kundër pushtuesve”.
Siç dëshmonte Llazar Morcka, i ri partizan dhe më pas kompozitor i njohur, me të mbaruar transmetimi i parakalimit të forcave partizane, Radio-Tirana vazhdoi programet e saj, me një koncert me këngë shqiptare, ku, veç tij aktivizuan, Koço Timko, Koço dhe e Nesti Uçi, Hysen Pelingu, etj., që do të bëheshin më pas figura të njohura të artit tonë muzikor.
Emisionet e Radios pasuan me një pasdite përkujtimore kushtuar dëshmorëve, organizuar pikërisht atje ku sot ndodhet përmendorja e Skënderbeut, në sheshin me të njëjtin emër.
Po si vazhdoi më pas programi i ditës së parë të Radio-Tiranës?
Mjerisht, askush nuk mund të dëshmojë sepse drejtori i saj i parë pas çlirimit, Petro Kito, teknikët e njohur Todo Bojdani, Spiro Qirko, Xhafer Zavalani dhe shkrimtarët Fatmir Gjata, Mark Gurakuqi, nuk janë më midis nesh. Ata mund të na jepnin të dhëna interesante dhe për programet e ditëve të tjera të Radio-Tiranës.
Vetëm më 25 dhjetor, kur siç thamë nisi të botohej gazeta “Bashkimi”, njihemi me programet e Radio-Tiranës. Ja programi i saj dite: 19.00 – lajme të jashtme; 19,15 – lajme të brendshme; komente e mesazhe personale; 19.30 – flet Baba Faja Martaneshi; 20.00 – “Ora partizane”; 20.30 – lidhje me teatrin “Kosova”, për të transmetuar koncert vokal-instrumental. Me valë të shkurtra nga ora 20.00-21-30, lajme në frëngjisht, serbo-kroatisht, italisht, greqisht, shqip.
Kështu nisi një periudhë e e re për Radio-Tiranën. Megjithëse bë mjet i fuqishëm, për të propaganduar ideologjinë komuniste, ajo mbeti dhe një mjet, që po futej gjithnjë e më shumë në çdo shtëpi shqiptare.
Arrestimi dhe dënimi i Gjergj Bubanit
Siç kemi vënë në dukje, Gjergj Bubani ishte drejtori i parë i Radio Tiranës, njeri shumë i kulturuar. Ai kishte mbaruar studimet e larta në Athinë për Kimi Industriale, por braktisi laboratorët në këtë fushë, dhe u vendos në Bukuresht, me ftesën e Viktor Eftimiut, shkrimtarit shqiptaro-rumun, për t’iu kushtuar publicistikës.
Ishte zotërues i katër gjuhëve të huaja, (rumanisht, greqisht, frëngjisht dhe italisht), dhe, mbi të gjitha, publicist i njohur, themelues gazetës me titullin kuptimplotë “Shqipëria e Re” dhe autor i shumë shkrimeve, për çështjen kombëtare që edhe sot meritojnë vëmendje. Me këtë përvojë, ai ishte kthyer në atdhe, duke luajtur rol të rëndësishëm në ecurinë dhe ngritjen cilësore të emisioneve të Radio-Tiranës.
Pa pritur, ai, që ishte pezulluar nga puna që me vjeshtë të vitit 1943, pas zëvendësimit të pushtuesve italianë me pushtuesit gjermanë, u arrestua me akuzën e “tradhtarit të atdheut dhe kolaboracionistit me pushtuesit”, e bashkë me të, edhe 59 intelektualë, nga më të shquarit e kohës. Dhe me këtë akuzë u paraqit në ‘Gjyqin Special’ të zhvilluar në mars-prill të vitit 1945, në Kino-Teatrin “Kosova”, në Tiranë.
Mirëpo, gjatë procesit gjyqësor, u vërtetua e kundërta. Për këtë mjafton të përmendim dëshminë e Kaliopi Priftit, ish-teknike e Radio-Tiranës, dhe më pas redaktore, e cila, midis të tjerash, dëshmon kështu në seancën gjyqësore të datës 12 prill 1945:
“Unë di për Bubanin, brenda mureve të Radios.
Më 1941 e kam njohur këtë dhe ky e dinte se aty në Radio, kishte njerëz të Lëvizjes, pothuajse të gjithë, dhe nuk ka marrë asnjë masë. Kjo ka qenë në kohën e fashizmit. Ky ka justifikuar mungesën e nëpunësve, kur nuk ishin në zyrë dhe u jepte rrogat. Kur erdhën gjermanët, tha se duhet të ruhemi se ata e konsiderojnë Radion si çerdhe komuniste”.
Këtë fakt e përforcon edhe dëshmitari tjetër Naum Naumi, i cili, gjithashtu, pohon: “Gjergj Bubanin e njoh si simpatizant të Lëvizjes, qysh më 1943, kur kam dalë nga burgu pas kapitullimit të Italisë fashiste. Di se Gjergj Bubani, ka këshilluar me këtë rast shumë oficerë italianë, të shkonin në mal, si për shembull kapitenin Rampi”. (Ky ishte dirigjent i orkestrës simfonike të Radio Tiranës, shënim im, S.K.; nga gazeta “Bashkimi, 13 prill 1945).
Çuditërisht trupi gjykues, i përbërë nga Koci Xoxe, kryetar dhe Halim Budo, Gaqo Floqi, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Medar Shtylla, Faik Shehu, Gjon Banushi, Bilbil Klosi, anëtarë dhe e prokuror Bedri Spahiu, e dënoi Gjergj Bubanin, me 15 vjet heqje lirie, dënim që u kthye në 6 vjet. Me mbarimin e dënimit, Gjergj Bubani, i sëmurë, vdiq më moshën 56-vjeçare, si pasojë e kushteve të vështira në burg. Jo vetëm kaq, por për rreth 50 vjet, ndihmesa e tij e madhe, si dhe e tërë kolektivit të Radio- Tiranës, nga viti 1938-1944, mbeti në harresë të plotë.
Viktima të tjera të diktaturës, në Radio Tirana
Në Konferencën e Tiranës, të mbajtur në prill të vitit 1956, Vehip Demi, shefi i programacionit dhe anëtar i byrosë së partisë në Radio-Tirana, në emër të organizatës së partisë së këtij institucioni, mbajti një diskutim, ku, ndër të tjera, tha: “Ne duhet të pranojmë haptasi, se te ne ka ndrojtje, frikë për të shprehur mendimet e tyre, për të kritikuar lirisht…!
Ne duam të pyesim ministrin e Tregtisë, shokun Kiço Ngjela dhe ministrin e Financave, shokun Abdyl Këllezi, se nga dalin fondet që duhen për të mbuluar ‘Bllokun’?! Në cilin kapital të buxhetit hyjnë ato?! Ne duhet ta bisedojmë shumë çështjen e Bllokut. Ne nuk mund ta fshehim këtë gjë. Ne, si komunistë, nuk dimë të sqarojmë, sepse vetë nuk e shohim të drejtë ekzistencën e Bllokut”. (Arkivi i Shtetit, Fondi i Komitetit të Partisë së Tiranës, dosja A,A /1.A/2,1956).
Vehip Demi, ashtu si diskutues të tjerë që u shprehën më kaq guxim në këtë konferencë, pas përfundimit të saj, me urdhër të Enver Hoxhës, u burgosën, ose internuan. Pati nga ata që gjetën edhe vdekjen, si Vehip Demi. Kurse anëtarët e tjerë të byrosë, Skënder Tupja, Findia Veizi, Koço Afezolli, Masar Bekteshi, u hoqën nga Radio dhe drejtorit të saj, Petro Kito, iu dha vërejtje e rëndë, ndonëse ai në atë periudhë, ishte me shërbim jashtë Shqipërisë.
Më 1963, për tentativë arratisjeje, u arrestuan dhe u dënuan me 25 vjet burgim, dy gazetarët e talentuar të Radio Tiranës, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, të cilët u ri-dënuam në 1979, me pushkatim, vendim që u ekzekutua më 29 maj të atij viti. Arsyeja ishte se ata, ndonëse e dinin se do të dënoheshin me vdekje, pas 16 vjetësh të kaluar në burgjet e tmerrshme komuniste, u dërguan një letër anëtarëve të Byrosë Politike të PPSH-së, ku theksonin se’ Enver Hoxha po e izolonte Shqipërinë nga bota.
Një vit më pas, përsëri për tentativë arratisjeje, u dënua me 18 vjet burgim edhe gazetari tjetër i Radio-Tiranës, Abdulla Sallaku. Më 1973, pasi u përjashtua në Plenumin e 4-t famëkeq të PPSh-së, nga Komiteti Qendror dhe Partia, u burgos Todi Lubonja, drejtor i përgjithshëm i RTSh-së, i cilësuar nga vetë Enver Hoxha, si; “armik i Partisë dhe i popullit, që kishte kërkuar të shtrembëronte orientimet e partisë, duke u orvatur ta shndërronte RTSh-në në institucion zbavitës”!
Po atë vit, pasi ishte dërguar të punonte punëtor ndërtimi në Ballsh, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie, regjisori i talentuar Mihal Luarasi, udhëheqës artistik i TVSH-së. Akuza- se; “kishte vënë në skenë Festivalin e 11-të të Këngës në RTSh”, shfaqje e cilësuar; “me ndikime borgjezo-revizioniste, në kundërshtim me shijet e masave të popullit dhe kërkesat e Partisë dhe… shokut Enver Hoxha”.
Më 1975, u burgos edhe gazetari i Radios së Jashtme, Gramos Mborja, dhe u hoq nga RTSh-ja folësi i njohur Kiço Fotjadhi. Më 1986, të njëjtin fat pësoi edhe radio-telekronisti i talentuar, Timo Luto. Të dy për motive politike. Vetëm pas disa vjetësh ata u kthyen përsëri në RTSh.
Madje, i pari u hoq përfundimisht nga mikrofoni dhe kamera, edhe pas rrëzimit të sistemit komunist, sepse…kishte qenë folës i veprave të Enver Hoxhës! Asnjë organ shtypi, ose institucion, nuk është goditur kaq shumë nga diktatura komuniste, se sa Radio-Tirana e më pas RTSh-ja!
Radio Tirana pasuron programet
Por të kthehemi përsëri në zhvillimet historike të Radio-Tiranës…! Duke u bazuar në kujtimet e punonjësve të saj të parë, që në dhjetor të vitit 1944 e, më pas, del se Radio-Tirana, ndonëse me vështirësi, nisi të krijonte emisione te reja, që u bënë të pëlqyeshme nga dëgjuesit.
Këto qene emisionet artistike si; “Ora letrare”, “Ora e rinisë”, “Radio posta”, e pastaj “Ora gazmore”, që rinisi më 15 shtator të vitit 1945, me po atë sukses që kishte pasur në vitet ’40-të, kur e drejtonte humoristi dhe muzikanti i talentuar shkodran, Pjetër Gjini, që pas çlirimit u arrestua dhe humbi pa gjurmë.
“Ora gazmore”, transmetohej drejtpërdrejt çdo të diel, në orën 13.00. Kam qenë i vogël asokohe, por nuk harroj se njerëzit shkëputeshin nga sheshet e rrugët e kudo që të ishin, vraponin në shtëpi, për të dëgjuar këtë emision humoristik. Rol të madh në suksesin e tij, kishin aktorët Besim Levonja dhe Behije Çela, që më pas do të bëheshin bashkëshortë, të cilët luanin rolin e Conit dhe Ishes, Prokop Mima, rolin e Remës, e pastaj Mihal Popi, Gjon Karma, Anton Pano, etj. Shoqërimi me muzikë i skeçeve, parodive, kupleteve, etj., bëhej nga muzikantët e rinj, Llazar Morcka, Nesti Uçi, Koço Timko, dhe Hysen Pelingu.
Rinisën më 21 dhjetor 1945 edhe emisionet sportive, të përgatitura si gjithnjë nga Anton Mazreku. Madje më 20 dhjetor të atij viti, ai komentoi drejtpërdrejt me mikrofon nga fusha sportive e “Shallvares” të parën ndeshje futbolli pas çlirimit. Më 26 mars të vitit 1946, një tjetër ngjarje me rëndësi në jetën e Radio-Tiranës. Me pjesën “Nëna”, të shkrimtarit jugosllav Llovriç, nis emisioni “Teatri në mikrofon”, që u bë menjëherë nga emisionet më të ndjekura për dekada me radhë.
Vend të rëndësishëm në emisionet e Radios, zunë lajmet që transmetoheshin disa herë në ditë, si dhe emisionet politike, midis të cilave, “Ju njohim me Bashkimin Sovjetik”, “Ju njohim në Jugosllavinë e Re”, komentet mbi çështje të ditës, si dhe biseda me karakter ideologjik, historik, shoqëror, sidomos për Ushtrinë e Kuqe, Leninin, Stalinin, Titon.
U zgjeruan edhe emisionet muzikore, veçanërisht me muzike popullore. Këngëtarët e parë që debutuan në mikrofonin e Radio Tiranës pas çlirimit qenë përsëri; Tefta Tashko Tashko Koço, Marie Kraja, Jorgjia Truja, Kristaq Antoniu dhe këngëtaret; Merita Sokoli, Viktori Xhaçka, Kel Sata, me grupim shkodran, grupi i sazeve, pa përjashtuar edhe koret partizane, etj.
Si gjithnjë, Mihal Ciko vazhdonte të punonte në drejtimin e sektorit të muzikës. Duhet thënë se të gjitha programet muzikore shqiptare, transmetoheshin ende drejtpërdrejt në mikrofon, sepse magnetofoni, ende nuk kishte hyrë në fjalorin e Radio-Tiranës.
Bënte përjashtim përdorimi i një magnetofoni, plaçkë lufte, mbetur nga ushtria gjermane, i tipit AEG.
Si kujtonte Emil Plumbi, së pari redaktor në Radio dhe pastaj, mbas mbarimit të studimeve, inxhinier po aty, ky magnetofon i serisë së prodhimeve të para të këtij mjeti që do ta revolucionarizonte Radion në botë, bëri shërbime shumë të dobishme për regjistrimet e emisioneve të Radio-Tiranës në atë periudhë.
Sigurisht, me ardhjen e magnetofonave të prodhimit sovjetik më 1950, cilësia, jo vetëm e emisioneve artistike e muzikore, por edhe e tërë emisioneve, u rrit në mënyrë të ndjeshme, sepse tani ato regjistroheshin e pastaj transmetoheshin. Edhe muzika klasike zinte vend të rëndësishëm në programet Radios. Ajo deri më 1949, ishte e e ruajtur në disqe, që nga koha e pushtimit fashist.
Qe fat i madh, siç kujtonte punonjësi i vjetër i fonotekës, Islam Proseku, që një pjesë e mirë e tyre nuk u shkatërrua, sepse pati nga ata që mendonin se, meqë është muzikë “fashiste”, duhej asgjësuar. Dhe ishte fjala këtu, për qindra disqe të cilat ishin ruajtur me kujdes që nga koha e Luftës!
Për të kuptuar “mendësitë” e disa punonjësve të Radio-Tiranës në ato vite, mjafton të përmendnim se, duke vënë në dukje popullaritetin e “Radio Postës”, në një nga numrat e parë të revistës “Radio-përhapja”, që nisi të botohej me 1 shtator 1947, shkruhej kështu për muzikën klasike; “Janë të paktë ata dëgjonjës, që kërkojnë muzikë klasike, me tone melankolike të rënda.
Dhe kjo sigurisht na ato raste, kur gjendja shpirtërorë e dëgjonjësit është e tillë, kur ai nuk e ndjen sa duhet gëzimin e jetës dhe nuk ka në masën e duhur, besimin se do t’i kalojë ajo gjendje jo e gëzueshme që sundon…”! Një interpretim me të vërtetë trashanik, për muzikën klasike…! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm