Nga Asije Hoxha
Memorie.al / Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, para Plenumit të IV-të të KQ-së, më 1973, u organizua një takim i posaçëm vetëm për dramaturgjinë. Ishte i pranishëm edhe Ramiz Alia. Në fokus të kritikave më të ashpra u vu Fadil Paçrami, që u cilësua si drama-fabrikues, që i kundërvihej vijës së partisë në fushën e letërsisë dhe artit. Në takim, disa krijues mbajtën një qëndrim kritik ndaj vetes duke mohuar krijimtarinë e tyre. Kanë qenë të rrallë ata që guxuan të mbrojnë veten. Një ndër ata që guxuan të mbrojnë veten duke thënë të vërtetën, ishte regjisori Kujtim Spahivogli.
Mexhit Prençi, i pranishëm në këtë takim, kujton: “Duke mos ndjerë rrezikun, Kujtimi foli pa ngurrim, pa diplomaci. Kur të gjithë kritikonin Fadil Paçramin, ai nisi kritikën ndaj të tjerëve, nga pozitat e atdhetarit dhe të komunistit. Nga salla menjëherë e ndërpret Ramiz Alia: ‘Kujtim, lëri këto, flit për vete dhe për marrëdhëniet me armikun e partisë dhe të popullit Fadil Paçrami’. Pas një pauze, Kujtimi nisi të thotë: ‘Unë me shokun Fadil, kam pasur marrëdhënie si regjisor-dramaturg, bile e kam nxitur të shkruante, se ishte i talentuar. E kisha për nder që e kisha shok! Gjithkush do ta kishte për nder ta kishte shok! Ai kishte qenë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, ministër i Kulturës, kryetar i Kuvendit Popullor…’!
‘O Kujtim!’; e ndërpret sërish Alia. ‘Ç’janë këto, more? Fol për veten tënde’! Si e kupton ti situatën, si e ndjen ti luftën që bën partia ndaj ndikimeve dhe shfaqjeve të huaja? Ke bërë ti gabime, krahas anëve të mira që ke pasur? Për këtë fol!’’. Por, Kujtimi vazhdoi të flasë, për disa drama të Paçramit që i kishte vënë në skenë, që sipas tij, sillnin risi në raportet e së vjetrës me të renë. Nuk e mendonte që vetëm për këtë diskutim, do të dërgohej punëtor krahu në Fier. Diskutantët filluan të kritikonin.
Njëri kritikoi ashpër dramën ‘Studentja e vitit të fundit’ të Ibrahim Uruçit, sepse personazhi kryesor, Afërdita, e braktis të dashurin dhe mjaftohet vetëm me një fjalë ‘Nuk e dua’. ‘Ky nuk është argument, nuk është qëndrimi ynë. Ky është qëndrim liberal për ‘dashurinë e lirë’, që shkatërron familjen tonë socialiste, shprehet një diskutant i revoltuar’. Në diskutime përmendeshin edhe emrat e dramaturgut Minush Jero, regjisorit Mihal Luarasi dhe skenografit Ali Oseku, si modele liberale dhe moderniste, për nxirjen e realitetit socialist, në dramën ‘Njollat e murrme’, e cila u rikujtua dhe u vu në shënjestër të kritikëve.
Drama “Njollat e murrme”, në Festivalin Kombëtar të Teatrove, në vitin 1969, fitoi Flamurin e Festivalit. Në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë u organizua një mbrëmje festive për dhënien e flamurit. Sipas shënimeve të Prençit, pjesëmarrës në këtë shfaqje, ishin dhe anëtarët e Byrosë politike – Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia. Mehmet Shehu ndërmjet të tjerave tha: “Kjo dramë dhe ky spektakël, pasqyron me ngjyra të ndezura realitetin tonë socialist, në zhvillim dhe rrugë të drejtë. Mesazhet e kësaj drame, janë thikë për armikun dhe frymëzim për ne”. Për suksesin e kësaj drame u informua edhe Enver Hoxha, i cili kërkoi ta shihte.
Mbasi mbaroi shfaqja, udhëheqësi duartrokiti ftohtë dhe u largua pa u ngjitur në skenë, siç bënte zakonisht në shfaqje të tjera. Në Byronë Politike, pas një mbledhje urgjente, udhëheqësi foli edhe për dramën: “Drama nxin dhe shtrembëron realitetin. Personazhet nuk janë njerëzit tanë të edukuar dhe kalitur nga partia. Njollat që kanë ata nuk janë të murrme, por të zeza…! Nuk i kemi ne doktorët të tillë, i cili nuk tundet nga shtrati, për të shpëtuar një jetë njeriu. Autori dhe regjisori, kanë gabuar. Kanë paraqitur shtrembër realitetin”. Në këtë mbledhje, i pari u ngrit Mehmet Shehu, dhe bëri autokritikë, duke mohuar veten dhe ngritur lart, mendimet e udhëheqësit.
Pas autokritikës në kupolën e lartë, filluan analiza dhe autokritika në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, në Lidhjen e Shkrimtarëve dha Artistëve. Autori i dramës, Minush Jero, mbajti një qëndrim të rreptë ndaj veprës së tij. Ndërmjet të tjerave tha: “Unë jam një nxënës i mësuesit tim të madh. Temën e hartimit nuk e bëra mirë. Mësuesi më vuri notën katër”. Ndërsa, Luarasi e nis ligjëratën e tij me një fjalë të urtë popullore që thotë: “Pas beteje dalin shumë trima. Do ta them haptas. Askush nuk ka bërë vërejtje të tilla për dramën dhe spektaklin (kishte kaluar shtatë hallka censurimi). Ajo është pëlqyer nga të gjithë, ju që jeni këtu në këtë sallë dhe jashtë saj. Është pëlqyer edhe nga udhëheqës të tjerë të partisë dhe të shtetit…”!
Mbas takimeve dhe diskutimeve të krijimtarisë letrare artistike, u mblodh Plenumi i IV-të i Komitetit Qendror të Partisë. Plenumi u mbajt më 26 qershor 1973. Nëse Plenumi i XV-të më 1965, goditi ashpër dhe dhunoi lirinë krijuese të shkrimtarëve dhe artistëve, Plenumi i IV-të i vitit 1973, ishte ndëshkuesi dhe vrasësi i lirisë krijuese të autorëve dhe i veprave që kishin kaluar vijat e bardha.
Në Plenum, në fjalën e tij, Enver Hoxha foli edhe për dramën dhe teatrin. Ndërmjet të tjerash ai tha: “Në zhvillimin e letërsisë dhe të artit të realizmit socialist, gjatë tërë regjimit komunist, partia dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha mbante ndezur luftën kundër çdo shfaqje liberale dhe ndikimeve të huaja në mendimin estetik, në letërsi dhe arte. Në qershor 1973, u mblodh Plenumi IV-të i Komitetit Qendror të Partisë”.
Citojmë disa fragmente nga fjala e udhëheqësit kryesor në Plenumin e IV-të, për të kuptuar terrorin e parapërgatitur ndaj shkrimtarëve dhe artistëve, që kishin pasqyruar në krijimtarinë e tyre, “elemente dekadente dhe moderniste nga kultura borgjezo-revizioniste”:
“Të gjithë këto (elemente dekadente…), pavarësisht nga ç’pozitë e goditin marksizëm-leninizmin e socializmin, pavarësisht me ç’parrulla e argumente dalin kundër tyre, bashkohen në synimin kryesor, në qëllimin për të treguar se kapitalizmi i ka kapërcyer kontradiktat e tija; se shoqëria borgjeze është përmirësuar; se tanimë kapitalizmi e socializmi po konvergojnë drejt një shoqërie të njëjtë; se s’ka më vend për luftë klasore; s’ka më vend për përmbysje revolucionare; s’ka më vend për ideale komuniste…! Çdo ditë dalin shkolla dhe shkollëza të reja, që u përngjasin sekteve e herezive të panumërta fetare.
Megjithëkëtë, ata kanë një bazë të përbashkët filozofike që është idealizmi me të gjitha stërhollimet e pafund të tij… Temat dhe heronjtë kryesorë të artit dekadent modernist janë vrasësit, prostitutat, imoraliteti, patologjia sociale…! Ne kemi vlerësuar dhe vlerësojmë vetëm artin revolucionar, përparimtar e demokratik të huaj, qoftë ky i së kaluarës ose i shekullit tonë…! Ne do ta shfrytëzojmë atë në të ardhmen në mënyrë kritike, sepse kjo është e nevojshme për zhvillimin kulturor të masave, për edukimin ideoestetik të tyre si dhe për formimin e atyre shijeve që i rezistojnë ndikimit degjenerues dhe vulgar, borgjezo-revizionist…!
Në disa sektorë, si në ato të artit, të kulturës dhe të arsimit, organizatat bazë të partisë, nuk kanë qenë kurdoherë në rolin udhëheqës, në krye të punës. Ato nuk janë marrë me problemet themelore të përmbajtjes së veprimtarive të këtyre institucioneve, nuk kanë ushtruar ndikimin dhe rolin e tyre, për kuptimin dhe zbatimin e drejtë të vijës së partisë…! Kanë dëmtuar në këtë drejtim konceptet e gabuara, sipas të cilave problemet e artit dhe të kulturës janë çështje që u përkasin kryesisht specialistëve dhe se organizatat bazë të partisë nuk kanë pse të përzihen në këto punë….! Organizata bazë në çdo rast mban përgjegjësi të plotë në zbatimin e vijës së partisë…! Për vijën e partisë, specialist duhet të jetë çdo komunist”.
Me këtë plenum, udhëheqësi kryesor i PPSh-së, Enver Hoxha, foli qartë dhe me urdhër: “Në radhë të parë vija e partisë vepra s’ka rëndësi”. Plenumi ritheksoi dhe sqaroi parimet themelore të metodës së realizmit socialist; nënvizoi rrezikun e madh që paraqitin të ashtuquajturat “kultura universale”, që në fakt janë arma ideologjike të superfuqive dhe kanë si qëllim zhdukjen e kulturave dhe të letërsisë kombëtare të popujve të vegjël; domosdoshmërinë e mbrojtjes dhe mbajtjes pastër të realizmit socialist; mbrojtjes të karakterit kombëtar dhe popullor të letërsisë dhe arteve; vlerësimit të traditave kombëtare dhe sidomos të traditës letraro-artistike të realizmit socialist etj.
“Dhe, të mendosh, – shprehet Mexhit Prençi, – Enveri rrallë shkonte të shihte spektakle teatrore. Nga ato që ka parë, më shumë i ka ndaluar se i ka miratuar. Me shpatën e luftës së klasave vriste e priste si të donte, kë të donte dhe kur të donte”. Mexhit Prençi, vetëposhtërimin e krijuesve, të cilët para Plenumit të IV të Komitetit Qendror të PPSh-së, i dërguan një letër udhëheqësit, e vlerëson një realitet të dhimbshëm:
“Artistët e skenës katër ditë para fjalës së diktatorit në Plenum, i shkruanin: ‘Si ushtarë të partisë në frontin e skenës, do të mprehim gjithmonë vigjilencën ideologjike- revolucionare, për të ruajtur të pastër dhe të paprekur freskinë e artit tonë socialist. Të pajisur me idetë e partisë dhe mendimet tuaja shoku Enver, ne u shprehëm të vendosur t’u themi ndal, ndikimeve të huaja borgjezo-revizioniste…” (Botuar edhe në gazetën “Drita”, më 22 qershor 1973).
Me gjithë autokritikën e dramaturgëve, regjisorëve, skenografëve, drejtuesve të institucioneve të teatrit, të cilët me anë të kësaj letre humbën lirinë e mendimit krijues dhe njëkohësisht vetveten, Enver Hoxha, u tregua i pamëshirshëm ndaj tyre. Në gjininë e dramaturgjisë, filloi dënimi i artistëve me motivacionin “armiq” të partisë dhe të pushtetit. Me këtë akuzë u dënuan dhe u burgosën; dramaturgë, regjisorë, skenografë, drejtues të artit, redaktorë etj. Para tyre ishte burgosur funksionari i lartë i partisë dhe dramaturgu i realizmit socialist, Fadil Paçrami, dhe anëtari i KQ të PPSh-së, Todi Lubonja, “për qëndrime liberale dhe shfaqje të huaja borgjezo-revizioniste”. Dënimet ishin sa qesharake, aq të pamotivuara.
Mexhit Prençi, rrëfen një episod nga gjyqi i regjisorit Mihal Luarasi, ku studenti i tij, L.Z., del si dëshmitar para trupit gjykues: “Ishim në Korçë në një veprimtari teatrore. Një ditë në lokalin e Shtëpisë së Oficerëve po pinim birra ‘Korça’, me të pandehurin Mihal Luarasi. Gjatë bisedës, ai më thotë se në drejtimin e teatrove, nuk duhet të jenë komunistët, por specialistët e teatrit. Ai ishte kundër politikës së partisë të udhëhiqte në teatër. Kryetari i Gjykatës, Irakli Bozo, i drejtohet Luarasit: ‘I pandehur, ç’ke për të thënë?’ Luarasi përgjigjet: ‘Këto që thotë ky (nuk i përmend as emrin), unë i kam pohuar në hetuesi, por me këtë njeri, unë nuk kam biseduar kurrë për këto gjëra, sepse nuk denjoja të bisedoja me të’. Salla shpërtheu në të qeshura, si aprovim të kësaj gjuhe satirike”!
Në harkun kohor 1945-1955, censura në dramaturgji ishte më e butë, jo agresive. Tematika e dramave përshkohej nga fryma revolucionare dhe patriotike. Në këtë periudhë, teatri ishte në nivelin e amatorizmit. Në vitet 1955-1960, po hidheshin hapat e parë të teatrit profesionist. Teatrot profesioniste, krijuan një realitet të ri artistik mbi baza profesionale, ndërsa në fillim të viteve 1960, dramaturgët dhe regjisorët e rinj, që të afirmoheshin në fushën e teatrit, rritën profesionalizmin nëpërmjet spektakleve të tyre, duke futur një klimë liberale në përdorimin e mjeteve moderne regjisoriale dhe të mendimeve e mesazheve të reja.
Partia, e informuar për frymën liberale, që po përhapej në rrafshet e krijimtarisë pas Plenumit të IV-të për letërsinë dhe artet, mori masa drastike staliniste, duke dënuar në fushën e letërsisë dhe të arteve të gjithë ata që kishin shkelur vijat e bardha të Partisë. Në librin “Drama dhe spektakli i ndaluar”, janë emrat e të dënuarve pas dy Plenumeve 1965 dhe 1973. Të ndarë sipas profilit lexojmë:
Dramaturgë të burgosur:
Ethem Haxhiademi, Kin Dushi, Ibrahim Uruçi, Fadil Paçrami, Minush Jero.
Dramaturgë të dënuar në punë të ndryshme:
Xhemal Broja – nga Shtëpia Qendrore e Krijimtarisë Popullore, në internim në Lushnje.
Naum Prifti – nga revista “Ylli “, në Divjakë të Lushnjes.
Fatos Arapi – nga pedagog në universitet, mësues në Vlorë.
Qamil Buxheli – nga kryeredaktor i revistës Ylli”, në Sukth të Durrësit.
Kolë Jakova – nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, në Bregun e Matës dhe në malësi të Lezhës e të Mirditës.
Teodor Laço – nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve, në teatrin “Bylis” të Fierit.
Ruzhdi Pulaha – nga Radio Tirana, mësues në Pogradec.
Petro Marko – në Himarë, në profesion të lirë.
Regjisorë e skenografë të burgosur:
Mihal Luarasi – nga regjisor, në burgun e Spaçit
Ali Oseku – nga piktor skenograf, në burgun e Spaçit
Regjisorë të dënuar dhe të persekutuar:
Kujtim Spahivogli – nga regjisor në Teatrin Popullor, punëtor në Fier.
Pëllumb Kulla – nga dramaturg, punëtor në Vlorë.
Lec Shllaku – nga regjisor në Shkodër, regjisor në Elbasan.
Leka Bungo – nga regjisor në Tiranë, elektricist në Fier.
Bujar Kapexhiu – nga regjisor, punëtor në Gurore të Dajtit dhe në Valias të Tiranës.
Studiues, kritikë, redaktorë të dënuar:
Bardhyl Kosova – nga drejtor i Teatrit Kombëtar, mësues në Berat,
Kudret Velça – nga kritik e pedagog në Akademinë e Arteve, mësues në Dukat të Vlorës.
Mexhit Prençi – nga redaktor e kritik në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, në Kashar të Tiranës.
Miho Gjini – nga kritik dhe inspektor i teatrit, në prodhim, pastaj në burg.
Drama dhe komedi të ndaluara:
40 drama u ndaluan dhe u hoqën nga qarkullimi, si:
Dramat e Gjergj Fishtës – “Juda Makabe”, “Gomari i Babatasit”…!
Dramat e Et-hem Haxhiademit – “Pirrua”, “Akili”, “Aleksandri”…!
Dramat e Naum Priftit – “Plumba dhe shkronja”, “Rrethimi i bardhë”…!
Drama e Dritëro Agollit – “Mosha e Bardhë”…!
Drama e Skënder Luarasit – ”Stuhi në prill”, etj
Spektakle të pezulluara:
U pezulluan 12 shfaqje, si:
Drama “I pazëvendësueshmi”, me regjisor Piro Mani.
Drama “Miku i Namikut”, me regjisor Serafin Fanku.
Drama “Ishin të gjithë bijtë e mi”, me regjisor Misto Zoto, etj.
Kësaj liste, po t’i shtohen edhe poetët, piktorët, shkrimtarët, është shumë e gjatë. Po përmendim vetëm disa, që janë shprehje e frikës që i kishte kapur udhëheqësit e asaj kohe, se letërsia dhe arti po u dilte nga duart. Kështu poeti Xhevahir Spahiu, nga gazetar, u dërgua në prodhim në Valias; Agim Gjakova, nga ATSh-ja, në mësues, Teodor Laço, në Fier, Koço Kosta në fshat, Sadik Bejko, nga RTSh-ja, minator në Memaliaj, Faslli Haliti, në Myzeqe, Frederik Rreshpja në burg, Pano Taçi në burg, Bajram Hysenaj në burg, Jorgo Bllaci në burg, Visar Zhiti burg, Bedri Myftari në burg, etj.
Vala e dënimeve përfshiu të gjitha organet e shtypit letrar dhe Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. U larguan nga puna të gjithë gazetarët e gazetës “Drita”, redaktorët nga revista “Nëntori” etj. Po cili ishte “mëkati” i tyre? Drama kishte kaluar për t’u miratuar për botim ose për në skenë, në disa hallka kontrolli e censurimi. Hallkat për t’u miratuar për botim, fillonin me leximin dhe miratimin ose jo të dramës, nga redaktori përgjegjës, nga recensentët, nga redaksia e institucioneve botuese, nga drejtori, nga shtypshkronja.
Edhe për dramat e pabotuara, por që viheshin në skenë, kalonin në disa hallka. Hallka e fundit, ishte sekretari i dytë i Byrosë së Komitetit të Partisë të rrethit, që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën. Kujtim Spahivogli, vetëm se doli në mbrojtje të krijimtarisë dramatike të Fadil Paçramit, u dërgua në punë krahu, për të edukuar klasa punëtore në një ndërmarrje të Fierit. Ku gaboi regjisori Kujtim Spahivogli, që vuri në skenë drama të miratuar nga të gjitha hallkat e censurimit?
“Kujtoj Kujtimin (e kam pasur në një lagje), një djalë simpatik dhe energjik, që kishte mbaruar studimet e larta për teatër shkëlqyeshëm në Moskë, në vitin 1956. Emërohet aktor në Teatrin Popullor. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Popullor, ishte Xherxhinski, në dramën ‘Orët e Kremlinit’ dhe më pas ‘Majlinda’, ‘Në anën tjetër’, ‘Dragoi i Dragobisë’, ‘Hamleti’ etj. Por, më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: ‘I Çuditshmi’, ‘Gratë gazmore të Uindsorit’, ‘Në tufan’, ‘Shtëpia në bulevard’, ‘Drita’, ‘Karnavalet e Korçës’, ‘Qielli i kuq’ etj.
Spahivogli, ishte edhe drejtues i Teatrit të të Rinjve, i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve që vuri në skenë me atë trupë qe edhe komedia e njohur e Majakovskit, ‘Banja’. Po ashtu, vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami dhe kur ky u godit rëndë nga Plenumi i IV-të i Partisë, bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtim Spahivogli…! Në vitin 1973, e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në Ndërmarrjen e Bonifikimit në Fier. Vdiq në vitin 1987, në moshën 55-vjeçare, i sëmurë e i harruar, edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar. Pas vdekjes, në vitet 1990 iu dha titulli “Artist i Popullit”. Memorie.al
Marre nga telegraf.al