Nga Skifter Këlliçi
Pjesa e shtatë
Prolog
Memorie.al / Është e katërta herë që po shkruaj për Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, (22-25 dhjetor 1972), aq sa ç’kam shkruar para disa kohësh për Konferencën e Tiranës, (16-20 prill, 1956). Edhe këtë radhë për të njëjtën arsye: për mungesën e saktësie historike të disa ngjarjeve që lidhen me këtë festival, të cilat Ramiz Alia, ish-sekretar i parë i parë i PPSh-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës, i përshkruan në librin e tij të fundit “Jeta ime” (2010), ndonëse në të ka pohime objektive, të sinqerta, sidomos kur ai dëshmon për gabimet e rënda që sollën në dështimin e sistemit komunist në Shqipëri, të drejtuar nga Enver Hoxha, ku edhe kërkon falje. Por në përshkrimin e figurës së tij, Ramiz Alia është shpesh herë kontradiktor, sidomos në kapitullin; “Lufta kundër liberalizmit”, ku ndalet te Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (22-25 dhjetor 1972).
Dënime të tjera…!
Por, të kthehemi përsëri te Todi Lubonja. Më 11 prill vitit 1973, ai u transferua nga RTSh-ja dhe u emërua drejtor i Ndërmarrjes së Ujërave në Lezhë. Para se të largohej përfundimisht, kur po dilte një ditë nga zyra, u ndodha përballë tij. Më pa dhe m’u duk sikur më tha: “Mos më tako, se nuk është rasti…”! Dhe unë ashtu veprova. Por jo me Mihal Luarasin, i cili, kur punonim bashkë në RTSh, më kishte kërkuar ndonjë sugjerim për folësit dhe folëset, që provonte për emisionet televizive, kishim diskutuar edhe për çështje artistike dhe sportive.
Pati një periudhë që ai u sëmur. I vajta në shtëpi, diku pranë “Bllokut” të udhëheqësve, ku gjeta që dergjej në shtrat, të rrethuar nga aktorë, regjisorë, ish-studentë të tij. Ishte takimi im i fundit me të. Nga fillimi i prillit, ai u dënua forcërisht, që të edukohej, duke punuar në një kantier ndërtimi në Ballsh. E shoqja e tij, aktorja e njohur Edi, paraqitëse e Festivalit të 11-të, përfundoi nga Teatri Popullor, punëtore në një rrobaqepësi.
Bujar Kapexhiu, edhe ai paraqitës i këtij festivali, pësoi të njëjtin fat – punëtor në Fabrikën e Tullave. Gaspër Çurçia, dirigjenti i orkestrës së vogël frymore, u flak nga orkestra e RTSh-së, diku në një kënd të humbur. Këngëtarja re, Justina Aliaj, regjisore në RTSh-së, që kishte kënduar shumë bukur këngën “Para ekranit të televizorit”, e kritikuar për manierizma, u transferua në Shkodër. Dhe kur më pas, u kthye në Tiranë e martuar, me urdhër të Komitetit të Partisë së Tiranës, nuk u lejua të punonte askund, veçse punëtore në N.I.SH. Mjete Mësimore.
Po pati dhe më keq: Sherif Merdani, që këndoi dy këngë në festival, u arrestua dhe u dënua si këngëtar “me ndikime të muzikës dekadente perëndimore”, që i kishte shfaqur edhe në Festivalin e 11-të. Në ditët e para të qershorit të atij viti, i dërguar nga Komiteti Qendror të Partisë, erdhi në RTSh, Pipi Mitrojorgji, figurë e njohur në fushë e kulturës, publicist dhe kritik letrar, i cili bëri një takim me disa nga redaktorët me përvojë, ndër të cilët isha edhe unë. Na foli gjatë.
Ajo që më bëri shumë përshtypje, ishte se ai theksoi se Shqipëria tashmë ishte “i vetmi vend në botë që ndërtonte socializmin”, shprehje të cilën do të bënte më pas publike vetë Enver Hoxha, pasi të dilnin në shesh mosmarrëveshjet me Kinën, që do të kishin si pasojë, izolimin e plotë të vendit tonë nga bota. Të them të drejtën, më erdhi për të qeshur, nga një përcaktim kaq absurd, të cilën, me siguri, nuk e miratonte as Pipi Mitrojorgji.
Por pastaj, sa mezi përmbajta një klithmë, kur, po nga goja e tij dëgjova këto fjalë: “Të punoni me kujdes e vigjilencë, që të zhdukni sa më shpejt, gjurmët e punës armiqësore të Todi Lubonjës në RTSh”! Në ato çaste, m’u duk se atij iu drodhën buzët, kur po shqiptonte këto fjalë, sepse edhe ai, që e kishte mik dhe koleg Todin, nuk mund të besonte kurrsesi, në vërtetësinë e tyre. Todi Lubonja armik i Partisë…?!
As që mund të vihet në dyshim, se i tërë skenari për të dënuar Todi Lubonjën dhe pastaj edhe Fadil Paçramin, ishte projektuar dhe shkruar nga Enver Hoxha dhe askush tjetër. Madje, ai as që kishte marrë mendim, prej asnjërit nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, duke filluar nga Hysni Kapo e Mehmet Shehu, pale nga anëtarët e tjerë të Byrosë Politike!
Që nga dita e përfundimit të Festivalit, nuk dëgjuam hapur, ose mbyllur, ndonjë opinion të tyre për Festivalin. E, pra, Mehmet Shehu, kur i hipte diçka në kokë, nuk përtonte të bënte vërejtje të menjëhershme, për ato që nuk i pëlqente në RTSh. Mjafton të përmendim vetëm një fakt: Petrit Leka, paraqitësi i kohës pas “Revistës televizive”, mbeti disa javë jashtë ekranit, vetëm se kryeministrit, iu tek një ditë të thoshte, se ai i ngjante shumë Bernakës, paraqitësit të kohës në RAI.
Po si nuk i bëri përshtypje të keqe atij ky goxha festival, që vazhdoi të transmetohej për katër net rresht, në ekranin e RTSh-së?! Po, ashtu, si nuk i bëri e njëjta përshtypje as Manush Myftiut, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Tiranës, se ç’po ndodhte para dhe gjatë zhvillimit të festivalit e, këto përshtypje, t’ia përcillte së paku Nefos, së shoqes?! Për opinionin e Ramiz Alisë, sekretar i Komitetit Qendror, për problemet ideologjike, lidhur me këtë problem, siç dihet, kam shkruar më lart.
Atëherë, shtrohet pyetja. Po këta të dy, a nuk kishin përgjegjësi për këtë festival, që “Zëri i Popullit” dhe “Drita”, nga mesi i marsit ’73, siç është vënë në dukje, e cilësuan; “kopje të shëmtuar të artit borgjezo-revizionist”?
Kuptohet se, përderisa Todi Lubonja, shpallej armik përpara Plenumit të IV-ët, që do të mbahej në fund të qershorit, armiq duhej të shpalleshin edhe Ramiz Alia, Manush Myftiu e, doemos, edhe e shoqja e tij, Nefoja, që ishte, drejtoreshë e Radio Tiranës, organizuesja e drejtpërdrejtë e Festivalit të 11-të dhe, mbi të gjitha, siç kam thënë, grua shumë afërt në marrëdhënie me punonjësit. Dhe mirë që nuk arriti puna deri në këtë pikë…!
Mirëpo, po të godiste Ramiz Alinë, Enver Hoxha, godiste vetveten. Nuk kishte ndodhur, pas viti 1960, kur diktatori shpalli Liri Belishovën, anëtare të Byrosë Politike, “agjente të revizionizmit sovjetik”, që ai të dënonte ndonjë anëtar të Byrosë, i cili punonte në Komitetin Qendror, e të ishte, madje, edhe shefi i ideologjisë. Si pasojë, Enver Hoxha e veçoi Ramizin dhe Manushin, nga mëkatet e Festivalit të 11-të dhe ato ua ngarkoi Todi Lubonjës e Fadil Paçramit, që ishin vartësit e tyre të drejtpërdrejtë, përkatësisht në Komitetin Qendror dhe në Komitetin e Partisë së Tiranës.
Atëherë, ku është… partishmëria e Enver Hoxhës?!
Këtë “partishmëri” të Enver Hoxhës, e shpjegon më së miri Marash Hajati, në librin e tij, “Dera e prapme e shtypit”, kur lidhur me Ramiz Alinë, shkruan kështu: “Së pari, ishte tepër e vështirë në logjikën e gjërave, që Ramiz Alia, drejtuesi kryesor në fushën ideologjike, që përfshinte gjithë veprimtarinë e shkencës, arsimit, kulturës, artit, etj., të ishte jashtë qendrës së atij ‘tërmeti’ që po afrohej…! Jo vetëm kaq, por ne të shtypit, jemi dëshmitarë të këmbënguljes së tij, që Todi Lubonja, të vihej në atë kohë në krye të RTSh-së.
Të gjitha këto na bënë të dyshonim, jo pa indiferentizëm, se pas marsit, prillit e majit, mund të kishte shkallëzime të reja në luftën kundër shfaqjeve të huaja, ku në to, mund të përfshihej edhe Ramiz Alia. Por ajo që hamendja jonë e kishte të vështirë të konceptonte, strategjinë e së ardhmes, e zgjidhi vetë Enver Hoxha, duke nxjerrë në plan të parë Ramiz Alinë…! Enver Hoxha me qëllim, mori mbi vete gjithçka, që të mos cënohej Ramiz Alia”! (faqe 80).
Kjo do të thoshte hapur se, kur ia donte interesi, ai i shkelte parimet, mënjanonte ata që nuk duhej të shpalleshin armiq, i falte dhe, madje, i ngrinte edhe më lart, siç bëri më vonë përsëri me Ramiz Alinë. Fakti është se, sikur Ramiz Alia, të kishte urdhëruar që të paktën veshjet e këngëtareve të ndërroheshin, të hiqeshin bizhuteritë, që të mënjanoheshin… shfaqjet e huaja, Enver Hoxha, nuk do të mund të kapej pas tyre dhe të niste sulmin pastaj edhe ndaj kulturës dhe artit, siç veproi.
Shprehem kështu, sepse edhe Festivali i 2-të i Këngës në Radio, më 1962, të cilin e kam drejtuar së bashku me folësen e njohur, Vera Zheji, (atëherë Qendra Eksperimentale e TV-së, nuk mund të transmetonte jashtë studios), përsa i përket anës muzikore, qe kopje e Festivalit 11-të. Por, edhe sikur veshjet të ishin moderne, Enver Hoxha, nuk do të reagonte, si në rastin e Festivalit të 11-të, sepse nuk kishte si ta shihte. Sidoqoftë, ai ishte nisur të zbatonte planin e tij djallëzor, ndaj do të gjente ndonjë shkak tjetër, që të dërmonte artin dhe kulturën.
Plenumi i 4-t i Komitetit Qendror dhe krimet e mëpastajme të Enver Hoxhës!
Ai u mbajt, nga 26-28 qershori i vitit 1973. Todi Lubonja, ndërkohë ishte transferuar drejtor i Ndërmarrjes së Ujërave në Lezhë dhe, doemos, vazhdonte të ishte anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së. “Kuptohet se mua dhe Fadil Paçramit, – më thoshte Todi Lubonja, – të tërë në sallë, na rrinin larg. Ishte e kuptueshme. Po na bëhej gjyqi, i cili kishte për prokuror, kryetar… vetëm Enver Hoxhën. Pra, ai ishte vete “vali”, e vetë “kadi”! S’do mend, deklamoi si deshi me ton të vrazhdë. Kishte, pra, edhe gurin edhe arrën në dorë. E prisja, që kështu do të fliste.
Por, kur midis të tjerash, më cilësoi si; “…deviator të djathtë, që ka përkrahur pikëpamje të theksuara liberale dhe oportuniste, shije estetike moderniste”, pastaj që; “… u orvat t’i jepte Radio-Televizionit, një drejtim thjesht informativ e kulturo-njohës, drejtim ky që ishte në kundërshtim me orientimet e Komitetit Qendror, mbi karakterin ideologjik e kulturoro-edukativ të tij”, me gjithë gjendjen e rëndë shpirtërore në të cilën ndodhesha prej javësh, buzëqesha me vete, për këtë lajthitje, të ‘ideologut tonë gjenial’. Unë qenkësh deviator i djathtë, me që paskam pasur synim që të zbatoj, ato që më vinte në dukje për Radiot-Televizionin?!
Si ishte e mundur, që ky teoricien i madh, që po e ‘pasuronte marksizëm-leninizmin me teza të reja’, të nxirrte nga goja marrëzira të tilla?! Tamam si Stalini, që e akuzoi Trockin për djathtizëm, e internoi, e dëboi nga Rusia, e pastaj më 1929, edhe e vrau, kur ai nuk kishte qenë kurrë për ruajtjen pronës private, për pluralizëm partiak, për luftë kundër komunizmit, që janë disa nga pikësynimet e së djathtës.
Kam përqafuar që në vitet ’40-të, me bindje të plotë idetë komuniste dhe kam luftuar për triumfin e tyre, pastaj, në vitet e para të pas çlirimit, kam gjykuar se; dënimet ndaj elementëve të quajtur atëherë reaksionarë, se ishin kundër komunizmit, ishin me vend, por kam kuptuar shpejt, se lufta e klasave ka qenë një metodë vëllavrasëse, plotësisht e gabuar.
Kam qenë në vetvete, kundër despotizmit të Enver Hoxhës, kam krijuar bindjen se ai, në Konferencën e Tiranës më 1956, mbyti prirjet që u shfaqën atje, për demokratizim e jetës së partisë dhe të vendit. Kam besuar për një komunizëm me fytyrë njerëzore, një komunizëm shkencor. Por kurrsesi deviator i djathtë, sepse synova t’i bëj më tërheqëse, programet e RTSh-së, pa cënuar vijën e partisë. Deri këtu arrinte Enver Hoxha…”!
Këto ide Todi Lubonja, i ka shtjelluar dhe më thellë edhe në dy libra të botuar pas viteve ’90-të, “Nën peshën e dhunës” (1993), dhe “Ankthi pa fund i lirisë” (1994). Në të parën, kur flet për ngjarjet e vitit 1956, ai shkruan kështu: “Kongresi XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që denoncoi kultin e Stalinit dhe zbuloi e krimet e periudhës së sundimit të tij, pati reperkusione edhe në Shqipëri. Konferenca e Tiranës, reflektoi në një masë të konsiderueshme ndjenjat e vërteta dhe mendimin e përgjithshëm të komunistëve…! Për fat të keq, te ne nuk u vërtetuan ato shpërthime, që sollën ndryshime pozitive në vendet e tjera socialiste.
Por faktori kryesor duket, ka qenë fakti se në Byronë Politike, nuk pati elementë që të bënin realitet mundësitë që hapi Kongresi XX-të, për një kthesë rrënjësore drejt demokratizimit të jetës së brendshme të partisë, drejt transformimit pozitiv të shoqërisë sonë…”! (faqe 188-67) Mirëpo, ja si shprehet Ramiz Alia, atëherë 31-vjeçar, në diskutimin që ka mbajtur në Konferencën e Tiranës: “Demokracia ka kufi. Është në interesin e Partisë, deri sa nuk preken interesat e partisë. Por, kur interesat e Partisë, e të tjera preken, mendoj se nuk ka të bëjë me demokracinë e brendshme të Partisë”! (AQSH, Fondi 2 i Komitetit të Partisë së Tiranës, dosja A, A/viti 1956).
Kuptohet se, ndonëse shokë të ngushtë, Todi Lubonja kishte ndaj tij kundërti, që nuk ia ka shprehur asnjëherë…! Por, të kthehemi sërishmi te Plenumi i IV-ët. Një i afërm imi, Sh.D., atëherë kandidat i Komitetit Qendror të PPSh-së, që ndodhej në sallën ku zhvillohej Plenumi i IV-ët kujton: “Todi Lubonja në autokritikën e tij, foli shumë pak. Në pamjen e jashtme, dukej i qetë, i përmbajtur, madje gjakftohtë.
Një autokritikë e tillë, natyrisht që nuk i pëlqeu Enver Hoxhës. Që ne do të ngriheshim dhe të dënonim me indinjatë gabimet tij dhe të Fadil Paçramit e të solidarizoheshim me raportin e Enver Hoxhës, kjo as që vihej në dyshim. Por këtë pjesa më e madhe e diskutuesve e bëri pa zemër, më përjashtim të fanatikëve enveristë.
Shihja hera-herës Ramiz Alinë dhe pastaj Todin, që kishte pasur aq shok dhe të cilin jo vetëm nuk mund ta ndihmonte, por edhe ai duhej ta sulmonte. Që nga viti 1946, Enver Hoxha nga sallat e plenumeve, kishte shpallur armik Sejfulla Malëshovën, sepse ai kishte dashur që në vendin tonë, të vendosej një rend i tipit të demokracisë borgjeze, Koçi Xoxen si armik të partisë, Nako Spirun, një vit më vonë, si agjent të klikës titiste, e kishte detyruar të vriste veten dhe më 1955, kishte dënuar Bedri Spahiun dhe Tuk Jakovën, për pikëpamjet e tyre që shkonin ndesh me vijën e partisë, e sa të tjerë më pas”!
“Në fund të Plenumit të IV-ët, – kujtonte SH.D., – Enver Hoxha mbajti një fjalim të shkurtër, ku, midis të tjerash, tha – shtoi për Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin, tashmë të përjashtuar nga partia, se Radio-Beogradi e, radio të tjera Perëndimore, do të flisnin për ta, do t’i ngrinin lart ata, që në fakt, nuk ishin gjë tjetër, veçse plehra”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016