Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Është 60-vjetori i asaj ndeshjeje të veçantë që, për shumë motive, mbetet, historike. Ishte e para pas luftës me një skuadër të futbollit italian. Ishte një “Partizan” i riformuar nga trajneri Refik Resmja, në kërkim të një skuadre të ndryshuar pas ngjarjes së ’67-ës; për rezultatin sensancional 1-0 në “Qemal Stafa”; për golin e humbur nga Pano; për golin e të riut Shaqiri; për historinë e bluzave të bardha, si asnjëherë më parë që luajti “Partizani”; për një stadium të mbushur; për sirenat e alarmit që habitën italianët në hotel “Dajti”; mosaktivizimi i Kombi-t në Tiranë, pas një polemike me gazetarët italianë gjatë stërvitjes në “Qemal Stafa” dhe festa me argëtim dhe pije pa fund e “Partizanit” në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë.
Pastaj, ndeshja e kthimit, 3-1, dhe goli i Bajkos: Polemikat dhe kërkesa për të luajtur kohët shtesë 2×15 minuta nga futbollistë e drejtues të “Partizanit”. Ndërkohë, futbolli në Shqipëri, kalon një situatë jonormale. Pas ndeshjes “17 Nëntori”-“Kilmarnok” (Skoci) për Kupën e Kampioneve (1964- ’65), ka një ndalesë disavjeçare: sezoni ’65-’66, vetëm pak ditë para takimit “17 Nëntori”-“Valarenga” (Norvegji), arrestohet mbrojtësi i shquar Skënder Halili dhe, pas një urdhri nga organet shtetërore përkatëse, Klubi i Tiranës “tërhiqet” nga aktiviteti; në atë vijues ’66-’67, me përjashtimin e “Partizani”-“17 Nëntori”, nuk ka pjesëmarrje në Kupat e Europës, vetëm Kombëtarja luan, duke veçuar barazimin e famshëm 0-0 me Gjermaninë Perëndimore, për eliminatoret e “Europianit 1968”.
Ndërkohë, sezoni që duhet të fillonte në vjeshtën e ’67-ës, nuk nis, pasi Federata Shqiptare e Futbollit, ka ndryshuar formulë dhe të gjitha kampionatet do të zhvillohen gjatë ’68-ës. Sërish nuk ka pjesëmarrje në Kupën e Kampioneve, pasi Shqipëria nuk ka ende ekip kampion, pasi “17 Nëntori” do të shpallet fitues në dhjetorin e vitit 1968, me të drejtë të luajë pas një viti, në shtatorin e 1969-ës, me “Standardin” e Liezhit të Belgjikës. Vetëm “Partizani”, duke fituar Kupën e Shqipërisë, në pranverën e vitit 1968, në finalen e dyfishtë ndaj “Vllaznisë” së Shkodrës, nga shorti i hedhur në fillim të korrikut në Gjenevë, do të luante për herë të parë, në Kupën e Kupave ndaj italianëve të Futboll-Club “Torino”-s.
Tanket në Pragë, futbolli europian në kaos!
Situata politike në Europën Lindore, ishte tejet e tensionuar, kur tanket sovjetike pushtuan Pragën. Shumë klube protestuan, duke refuzuar të luajnë dhe krijuan kështu një konfuzion total në futbollin europian, midis vendeve Perëndimore dhe atyre Lindore, që përfshinë edhe UEFA-n. Kjo e fundit, ende pa filluar, “piloton” tjetër short dhe klubet që braktisin turneun janë; nga “Dinamo” e Moskës, “Spartak” i Sofjes, “Gornik” Zabrze, “Union” Berlin dhe “Gyori ETO”.
Por jo “Partizani”, që jo vetëm nuk e bojkoton, madje edhe duke i zhvilluar ndeshjet, kur i përkiste një vendi dhe një populli që pas daljes nga ‘Traktati i Varshavës’, ishte mobilizuar për luftë e mbrojtje. Ishte koha kur sapo ishin shembur kultet fetare, lufta e klasave ishte në kulm, “Revolucioni Kulturor Kinez”, ishte prezent, dhe në këtë atmosferë janë luajtur sfidat e dyfishta, “Partizan”-“Torino”, e para me 17 shtator në Tiranë dhe ajo e kthimit, më 2 tetor të ’68-ës, në Torino. Pastaj, shkrimi informues i Loro Boriçit, në gazetën “Sporti Popullor” pas kthimit nga Italia.
Ku janë sot personazhet e atyre përballjeve historike?
Ndryshe nga si është trajtuar ai takim, për të kujtuar në këtë jubilar gjysmëshekullor, po tentoj të rikthej ato përballje, duke iu referuar disa nga futbollistëve, që i kanë përjetuar nga afër 180 minutat legjendare. Nga gazeta “Sporti Popullor” e asaj kohe, bëhet e ditur se delegacioni sportiv shqiptar për ndeshjen “Torino”-“Partizani”, kryesohet nga M. Terihati dhe Y. Ymeri.
Trajnerë janë: Refik Resmja, Loro Boriçi e Miço Ndini, Dr. Ismail Feta, masazhator Ali Kastrati dhe lojtarë: Mikel Janku, Tomor Jozja, Mihal Gjika, Spiro Gjika, Lin Shllaku, Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Neptun Bajko, Panajot Pano, Jorgji Shule, Torez Çiraku, Sh. Çoba, Sotir Seferi, B. Kenaj, Teodor Vaso, P. Shaqiri dhe Agim Janku.
Shumë prej tyre, sot janë mbi 70-vjeçarë, në pension, duke nisur nga dy golashënuesit, Shaqiri (në Kanada), Bajko, Bizi, Janku, Jashari, Mihal Gjika, Teodor Vaso, që jetojnë në Shqipëri, ndërsa Spiro Gjika në Greqi, Ramazan Rragami shkon e vjen në Amerikë e, Torez Çiraku në Itali.
Të tjerët, nga Refik Resmja, Loro Boriçi, Panajot Pano, Lin Shllaku, etj., fatkeqësisht janë ndarë nga jeta. Po ata italianë? Aldo Agroppi, portieri Lido Vieri, titullarët e “Torinos” në ato vite, kanë kënaqësinë të flasin ekskluzivisht për ne, ndërsa i mirënjohuri Emiliano Mondoniko, autori i golit të tretë dhe i famshmi Edmondo Fabri, ish-trajneri i Italisë në Botërorin e Londrës, edhe i “Torinos”, ndaj “Partizanit”, nuk jetojnë.
Nga fanellat e bardha, te goli i humbuar nga Pano!
Pak ditë para takimit, me kërkesë të klubit italian, që skuadra e tyre të luante me fanellat tradicionale në Tiranë, një e kuqe e errët, drejtuesit e “Partizanit”, u angazhuan për gjetjen e një fanelle të dytë. Me shpejtësi në Korçë, u porositën një uniformë me ngjyra të bardha, që ishin mundësia e vetme për t’i realizuar në trikotazhin e njohur korçar. Si stemë u aplikua një model, i ngjashëm me atë të paketës së cigareve “Partizani”. Në dy takime, “Partizani” ka luajtur me atë fanellë. Pastaj goli i humbur nga Panajot Pano, një moment që regjistron një ndër situatat më delikate, të paharruara për vetë futbollistin legjendar, karrierën e tij, historinë e atyre përballjeve.
Mes loja e pjesës së parë: Një pasim i gjatë nga mesfusha dhe pas një dalje të gabuar e portierit Lido Vieri, të cilit topi i kalon lart, mbi duart e tij, në një distancë rreth 10-11 metra, ballore me portën jugore (nga ora), të boshatisur, Pano ka mundësinë të realizojë një gol historik. Por, pasi e ka lënë të përplaset në tokë, e ka goditur fort, i sigurt që ai do të përfundojë në rrjetë, por topi ka devijuar lart me traversë. Shoqëruar me një oshëtim të gjatë; “uhhhhhhh”, e dëgjuar në “Qemal Stafa”, ndërsa italianët të habitur kanë heshtur, duke rifilluar menjëherë lojën. Terreni rrëshqitës, nga shiu që vazhdonte të binte, një plis i vogël, që mund të ketë devijuar paksa topin, mundtë të kenë ndikuar në atë goditje, që rezultoi fatale.
Luke Shaqiri nga Kanadaja: “Goli ndaj Torinos, ishte më i rëndësishëm në karrierën time”!
Me Pëllumb (Luke), Shaqirin, i cili është autori i golit të vetëm të realizuar në Tiranë, në fitoren e parë historike ndaj një skuadre italiane. Nga viti 1995, bashkë me gruan e djalin, është transferuar në Kanada. Shumë aktiv edhe sot, drejton një Akademi futbolli në London Citty, qytet midis Torontos dhe Detroit. Ka lidhje bashkëpunimi me ‘Lacion’ e Tares. “U ndodha në vendin dhe momentin e duhur” – shprehet ai, që për dhjetë vite, mbajti fanellën e “Partizanit” (1966-‘76), pastaj trajner, gjithmonë pranë futbollit. Sot, gjysh, entuziast, biseda me të, ishte tejet argëtuese, aq më shumë, rikthimi te ato ndeshje.
Zoti Shaqiri, cila ishte atmosfera në prag të atij takimi?
Tre muaj stërvitje, për një ndeshje, me trajnerët Resmja, Boriçi, Ndini e Krajën. Kujtoj se disa ditë para saj, isha në spital, nga grykët. Petrit Dumja, pyeti për mua; “Ku është ai që mban topin? I treguan, “shkoni e merreni” – tha. Erdhën Torez Çiraku me Mihal Gjikën, më nxorën nga spitali.
Si e kujtoni aksionin e golit?
Ka qenë fillimi i pjesës së dytë. Ishte një aksion i gjatë, dhe para zonës, rreth 16 metra, Bajko, tenton të godasë portën, topi devijohet nga mbrojtja, shkon te Pano, ai ma shtyn mua. Kam qenë diagonal, pa menduar, godita me të majtën, nga porta në drejtim të qytetit, nga krahu i tribunës, topi ngjitur me shtyllën, nga e djathta tokazi, e Vierit, që nuk reagoi. Kur mbaroi loja, në dhomat e zhveshjes, pati një entuziasmë të madh, erdhën tifzoë, drejtues, dhe në darkë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, u organizua një mbrëmje, ku për herë të parë, trajneri Resmja dhe gjeneral Petrit Dumja, na lejuan të pinim sa të donim.
Nga Shkodra për në Titograd…?!
Në Shkodër, në mungesë të hotelit, atë natë kemi fjetur në një repart apo divizon, ku na shtruan krevatë, çarçafë të rinj. Por, nuk fjetëm, pasi ishte kohë dasmash, dhe duke shëtitur, na ftonin të futeshim brenda, kështu deri pas mesnate.
Pastaj për në Torino?
Ka qenë një udhëtim i gjatë, Titograd, Dubrovnik, Romë. Aty kemi fjetur një natë, në një hotel afër stacionit që kishte siguruar ambasada dhe të nesërmen herët, jemi nisur me tren, rreth 11 apo, 12 orë udhëtim, kemi mbërritur në Torino.
Si u orientoi Resmja para takimit?
Ndonëse kisha qenë me “Partizanin” në Bullgari e Turqi, ndryshe ishte të shkoje e të luaje në Itali. Refiku më orientoi që, aq sa sulmoja, edhe të kthehesha mbrapa, pasi ata kishin lojtarë të mirë, si; Agropi, Ferrini, Kombin, Mondoniko, etj., e ma tha se duhet të luaja edhe si mbrojtës, “ke energji”, me thoshte.
Dhe më pas?
Në ndeshje 10, 15 minutat e para, ata bënë presing, realizuan dy gola. Kujtoj një gjuajtje timen, afër shtyllës, sikur na liroi, morëm zemër. Pastaj një moment kur pas një harkimi të Gjikës, në një pozicion të mirë, përballë e afër portës, tentoj të godas topin me kokë, vjen një mbrojtës më shtyn me bërryl, duke humbur ekuilibrin dhe rastin.
Bajko, thotë se në fund lojë, keni humbur golin e kualifikimit?
Pasi Bajko shënoi, në minutat e mbetura, unë kam humbur një rast ideal. Shmanga një mbrojtës, edhe portierin Vieri, por topi më doli jashtë kontrollit, në vijën fundore. Nuk ishim mësuar me vesën që kishte rënë gjatë mbrëmjes, që e bënte rrëshqitës terrenin. Duhet të kisha gjuajtur në portë, pa e shmangur portierin.
Më folët për një shqiptar, që ju kërkonte?
Goli i shënuar në Tiranë, kishin tërhequr vëmendjen, isha i ri, as 19 vjeç. “O Luke Shaqiri zbrit poshtë, dil pak jashtë”, bërtiste një person. “Zbrit se duan të takojnë, të bëjnë një kontratë të mirë”. Me dy vëllezërit Janku, Mikelin dhe Agimin, dilnim shëtitje dhe Torezi që më frenonte; “bëj kujdes, mos merr revista”, më thoshte.
Dhe gazeta që u zhduk pa lënë gjurmë….
I vetmi kujtim nga ajo ndeshje, ka qenë “La Gazzetta dello Sport”, që Bajko e bleu të nesërmen. Vite me vonë, ma dha mua, nuk e di kujt mund t’ja kem dhënë, ose ku e kam lënë gjatë largimit për në Kanda, fakti është që nuk e gjej më.
Me Bajkon, gjysëm shekulli nga sfida e paharruar, Goli në Torino, që ndezi polemikat!
Me Neptun Bajkon më afron një miqësi shumë e vjetër, kur ai ishte në kohën e dashurisë pasionante me Tanën, gruan e tij. Sa herë që takohemi, kujtojmë pak nga të gjitha, sigurisht më kryesorja, karriera, kur shpërtheu: Ka qenë një talent, ndër sulmuesit e krahut, më spektakolarë që ka parë futbolli kombëtar. Pastaj Torinon, përballja me një skuadër të kampionatin italian, me emra të mëdhenj, si ato të Xhani Riverës, Xhixhi Rivës, Macolës, Domenginit (i ngjashëm me Bajkon për nga mënyra e lojës, e karakteristika të përbashkëta të një “alle”, driblim e shpejtësi.
Z.Bajko, ju kujtohet goli në Torino?
Po, e kujtoj shumë mirë, sikur të jetë luajtur dje ajo ndeshje. Topi u nis nga mbrojtja, unë kalova në mesfushë, ndërsa Çiraku u spastua në anësore, dhe pas një kombinimi me Mihal Gjikën, harkon në zonë. Vieri, në pamundësi ta presë, e grushton. Topi u përplas në traversë, kthehet në fushë. Duke parë hezitimin e mbrojtjes italiane, kam vrapuar me shpejtësi dhe nga një distancë 6-7 metra kërceva dhe me godita me kokë e, topi në trekëndëshin e majtë të Vierit, i cilia nuk tentoi as të lëvizte. Por, më shikonte mua që vrapoja, duke bërtitur; “Goool”, nga gëzimi. Ka qenë minuta e 83-të.
Kthehemi te stërvitja një ditë para ndeshjes, thuhet se keni pasur shumë probleme?!
Stërvitja njohëse me stadiumin, u zhvillua të martën, në të njëjtën orë me ndeshjen. Pra, parashikohej ‘90-të minuta. Gazetarë, fotoreporterë, etj., kishin rrethuar fushën dhe na ndiqnin. Ishte një moment kur Refiku, kishte vendosur disa topa të vija e 16-metrave dhe i godiste me saktësi. Italianët të habitur, pyetën: “Kush është ky lojtar, që nuk luajti në Tiranë”? U habitën kur u informuan, se është trajneri. Në çastin kur Refiku na bëri thirrje që ta mbyllnim, ne iu lutëm të qëndronim edhe dhjetë minuta, mendoni një mbrëmje e freskët, një ambient i jashtëzakonshëm. Ndërkohë, edhe dritat u ulën, por nisur nga dëshira jonë, italianët i rihapën dhe ne vazhduam të ndarë në dy skuadra, edhe 30 minuta të tjera. Për disa nga ne, ishte hera e parë që luanim me drita.
Kush ishte lojtari më i vlerësuar atje nga ekipi juaj?
Kujtoj një moment, kur një top i gjatë dhënë nga Bizi, pas shpine të mbrojtjes, Panajoti, pas një sprinti, e ndaloi thuajse në vijën fundore topin, dhe me një lëvizje shmangu në mënyrë spektakolare ndërhyrjen me të dyja këmbët e Pujës. Pastaj u nxitua në pasim se edhe mund të ecte drejt portës. Në kohën që Pano po zëvendësohej, i gjithë stadiumi duartrokiti. Ne u habitëm, por të nesërmen një gazetë shkruante: “’Partizani’ ishte një skuadër e mirë, me një përgatitje të jashtëzakonshme dhe kishte një lojtar të madh, që ishte Pano”. Por, aty kanë luajtur mirë edhe Bizi, si dhe dy Gjikët, Mihal e Spiro.
Më treguat për një familje…?!
Gjatë qëndrimit në hotel, një natë para takimit, vjen një familje prej 4-5 vetash, shqiptarë të arratisur, nga Shkodra dhe kërkuan leje të takonin ekipin. Shoqëruesi ynë, duke parë që nga sytë e tyre po dilnin lot, pranoi. Dhe kur zbritëm, u lëshuan drejt nesh, me një mall të madh. “Kush janë shkodranë”, pyesnin, duke përqafuar Sabahin, Zan Rragamin e Lin Shllakun.
Edhe një here, cila është historia pas golit?
Kur mbaroi loja, publiku nuk lëvizte, ndërsa ne qëndronim pranë vijës anësore, me pretendimin, se duhet të zhvilloheshin edhe dy pjesë loje me nga 15 minuta. Sapo ishte futur rregulli i golit të dyfishët, në transfertë. Tifozët e “Juventusit” në stadium, na mbështesnin, madje kur bëmë golin, u dëgjua një shpërthim, kujtuam se ishin shqiptarë por, jo, ishin ato. Nga qendra e zërit, vinte njoftimi për largimin e tyre, dukë i fikur disa herë dritat.
Nuk dinim si të vepronim, hezitonin edhe arbritrat, ishin në dilemë, pati kontestime, debate midis stolave, atij italian dhe tonin të “Partizanit”, nga Terihati e Foto Sofroni, konsulli ynë në Itali, në një kohë që Fabri, trajneri i Torinos, i bënte me shenjë lojtarëve të tij, të futeshin brenda, se ndeshja kishte përfunduar. Erdhi edhe i deleguari i UEFA-s, dhe ndërsa u futëm në tunel, pati një tjetër acarim, midis drejtuesve të klubeve.
Me Sabah Bizin, më i miri në “Qemal Stafa”: “Ishte befasi thirrja dhe aktivizimi im”!
Sabah Bizin, e gjetëm në Velipojë. Biseda me të ishte shumë emocionuese. Ai njeri, më rikthen tek futbollisti model, në fushë e, jashtë saj. Ka qenë më i miri në ndeshjen e Tiranës, por në mënyrë modeste, nuk e pranonte. Një lojtar i madh i mesfushës ka qenë dhe i tillë ka mbetur, një ndër talentet unikalë, ndonëse vitet e fundit pati humbur shikimin, atë që e dallonte nga të tjerët, por asgjë nuk e pengonte të tregonte me pasion, atë ndeshje “Partizan”-“Torino”, të ‘68-tës.
Zoti Sabah, grumbullimi me “Partizanin”, e prisnit?
Jo, nuk e prisja, kur më kanë thirrur si përforcim, bashkë me Rragamin e Vason, që ishin larguar nga Klubi, jam habitur. Ishim të grumbulluar në Korçë, në konviktin e Shkollës Bujqësore. Pas një ndeshje kontrolli në Pogradec, që e ndiqte edhe Petrit Dumja, (Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë), i cili pas saj më thotë që; “Luajte shumë mirë dhe të pëlqen ‘Partizani’, do të qëndrosh me ne”. Ata kishin organizuar një ceremoni të vogël, sollën një tortë, dhe më njoftuan se do të më mbanin të kryeja shërbimin ushtarak, në Repartin 4930. “Ke bërë tre, të kanë mbetur edhe 21 muaj”, – më thanë.
Kthehemi te ‘Torino’ në “Qemal Stafa”, jeni në formacion?
Ishte një befasi aktivizimi im. Kam luajtur më mesfushë, kam vrapuar pa pushim gjatë ‘90-të minutave, duke pasuar majtas e djathtas, për Jasharin, Bajkon, Shaqirin. Italianët kishin një mbrojtje të mirë, një portier shtat larët, një mbrojtës të hollë e të gjatë, Puja, quhej. Sigurisht neve na mungonte eksperienca.
Çfarë kujtoni tjetër nga ai takim?
Golin e humbur nga Pano dhe kur në pushim në dhomat e zhveshjes erdhën disa ushtarakë të cilët diskutuan me Refik Resmen, të bënte ndryshime në formacion.
Po në Torino?
Pasi kemi shënuar gol, me Bajkon, ende pa përfunduar loja, i thonim arbitrit, se do luajmë kohët shtesë. Ai i habitur, nuk e kuptonte, për çfarë bëhej fjalë. Të pa informuar mirë, bënim gabim llogaritë, duke menduar se goli në Torino, bashkë me atë të Tiranës, pra 3-3, loja duhet të shtyhej. Gabimi ynë, se nuk e dinim si funksiononte, pasi sapo ishte vendosur rregulli i golit në fushë kundërshtare, që quhej dy!
Keni ndonjë kujtim tjetër?
Janë shumë vite, por kujtoj se na dhanë si dietë, nga një dollar e gjysëm, dhe në tre ditë, bëheshin 4 dollarë, pra asnjë paketë cigare nuk bleje. Doja t’i merrja vëllezërve nga një palë çorape, por nuk munda…?!
Me futbollistin italian të Torinos, Aldo Agropi, biseda surprizë pas gjysëm shekulli!
Aldo Agropi, ish mesfushori dhe “flamuri” i Futboll-Club ‘Torinos’, më pas trajneri dhe komentator sportiv, në fushë nuk toleronte askënd, ndërsa jashtë saj, është i njohur për atë që “gjuha nuk i mban”, pra, pa patur frikë, të thotë mendimin e tij. Ka pak që ka botuar librin e fundit të tij, “Non so parlare sotto voce”. Për të realizuar një bisedë me të, nr. e telefonit të e tij, na e dha Ze Maria, ish-trajneri i Tiranës. Ndonëse me probleme shëndetësore, Agroppi na ofroi këtë bashkëbisedim:
Zoti Aldo, keni luajtur kundër “Partizanit”, ‘50-të vite më parë, si i kujtoni ato dy ndeshje.
Po i kujtoj por, në Tiranë nuk kam qenë, pra vetëm në ndeshjen në Torino!
Si e kujtoni takimin me “Partizanin”?
Kemi luajtur në turin e parë për Kupën e Kupave. Unë nuk kam ardhur në Tiranë, pasi isha pak i dëmtuar. Nuk kishim asgjë të detajuar, hera e parë që luanim ndaj një skuadre shqiptare, e mendonim për skuadër tipike të Lindjes, të fortë fizikisht.
Çfarë Torino, ishte në ato vite?
Ndonëse e mbyllëm të shtatët në kampionat, fituam Kupën e Italisë. Skuadra kishte disa lojtarë cilësorë, që luanin edhe me kombëtaren, apo shpallur kampione e Europës, si; Vieri, Ferrini, Puja, por edhe franko-argjentinasin, Komben, një goleador i njohur i asaj kohe.
Ju befasoi rezultati ndeshjes së parë?
Sigurisht, nuk e prisja, pasi ndeshja e dytë, mund të kishte probleme, sigurisht. Por, shënuam shpejt dy gola dhe pastaj Mondiniko, të tretin.
“Partizani”, realizoi një gol në fund lojë?
Kujtoj se e kemi administruar me kujdes fundin, se edhe një gol tjetër i “Partizanit” na eliminonte.
Pasi kaluat “Partizanin”, me kë luajtët?
Në turin e tretë, jemi eliminuar nga “Sllovan”, që fitoi kupën.
A keni pasur rast tjetër të luani kundër shqiptarëve?
Jo, me “Partizanin” ishte e para dhe e fundit për mua, si lojtar dhe si trajner.
Zoti Agroppi, ju faleminderit.
Janë 50-vite, shumë gjëra janë harruar. Të më falni. Ju falenderoj unë që e kujtoni atë takim.
Gëzim Nushi; “Gazetari Xhani de Felice, na tha se u alarmuan, kur ranë sirenat e alarmit”!
Gazetari i njohur sportiv italian, Xhani de Felice, shoqëronte skuadrën e Torinos në Tiranë, në vitin 1968. I ardhur pas 25 vitesh me kombëtaren U 21, po në “Qemal Stafa”, në takimin e U23, Shqipëri-Itali, 0-1, Gëzim Nushi, që e shoqëronte, kujton një detaj, treguar prej tij: “Të sistemuar në Hotel ‘Dajti’, po qëndronim në dhoma, në holl, kur u dëgjuan sirenat e alarmit, ikën dritat. Pa kuptuar asgjë, të çorientuar, zbritëm poshtë, dhe dolëm në bulervard, i cili ishte krejtësisht i boshatisur. Qetësi absolute, errësirë e plotë, asnjë lëvizje, vetëm pas një pauze të gjatë, erdhën dritat. Na informuan se për çfarë bëhej fjalë. Ishin prova për mbrojtjen, sistemimin e popullsisë, në rastin një sulmi ‘armik’”. Ndërsa lidhur me mos aktivizimin e Nestor Kombin, ai kujton: “Ndërsa po stërvitej, një ditë para ndeshjes në stadiumin ku do zhvillohej takimi, u krijua një situatë e tensionuar midis stafit, gazetarëve italianë në tribunë, dhe ai reagoi nga fusha. ‘E shikoni këtë publik që ndodhet në tribunë, (bëhej fjalë për ata që po ndiqnin stërvitjen), e njohin e flasin italishten dhe e kuptojnë për çfarë po diskutoni”. Pastaj dikush njoftoi Klubin, për atë konflikt të tij, me gazetarët italianë dhe u dha urdhër, që ai të mos luante të nesërmen. Aty ishin edhe lojtarët e ‘Partzanit’ që ndiqnin stërvitjen, nga shkallët e stadiumit”, – kujton Gëzim Nushi. Memorie.al
Skedat e dy takimeve
Stadiumi “Qemal Stafa”, ora 15.30. 17.000 spektatorë
18.09.1968 “PARTIZANI” – TORINO 1-0 (0-0)
“Partizani”: Mikel Janku, Mihal Gjika, Spiro Gjika, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Lin Shllaku, Neptun Bajko, Pëllumb Shaqiri, Sabah Bizi, Panajot Pano, Robert Jashari (45′ Torez Çiraku). Torino: Vieri, Poletti, Fossati, Puia, Cereser, Bolchi, Carelli (30′ Mondonico), Ferrini, Baisi, Moschino, Facchin (56′ Corni).
Arbitër: Guguloviç (Jugosllavi).
Goli: Shaqiri 46′.
Stadiumi: “Komunal”, Torino, ora 21.00; 40.000 spektatorë
02.10.68 TORINO – “PARTIZANI” 3-1 (2-0)
Torino: Vieri, Trebbi, Fossati, Puia, Cereser, Bolchi (10′ Carelli), Mondonico (70′ Corni), Agroppi, Combin, Moschino, Facchin.
“Partizani”: Mile Janku, Mihal Gjika, Spiro Gjika S., Teodor Vaso, Shule, Lin Shllaku, Neptun Bajko, Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Panajot Pano (76′ Torez Çiraku), Pëllumb Shaqiri.
Arbitër: Krnavec (Çekoslovaki).
Golat: Carelli 22′, Facchin 28′, Mondonico 58′, Bajko 85′.