Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet raporti i Sekretarit të Parë të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxhës, i mbajtur në Plenumin e IV-të më 17 tetor të vitit 1945, në kuadrin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit ’45 për deputetë në Kuvendin Popullor. E gjithë fjala e Enver Hoxhës në atë mbledhje ku ai u ndal dhe bëri një rezyme të hollësishme që nga periudha e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke vënë në “ballancë” raportet e Partisë Komuniste të Shqipërisë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të udhëhequr prej saj me aleatët anglo-amerikanë dhe Bashkimin Sovjetik, luftën e këtyre aleatëve me Gjermaninë naziste, marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me shtetet e Ballkanit dhe më gjerë, si: Jugosllavia, Greqia, Bullgaria, Rumani, Polonia, Hungaria etj., arratisjen nga Shqipëria të eksponentëve të lartë nacionalistë të Ballit dhe Legalitetit e strehimin e tyre nga ana e anglo-amerikanëve, rezistencën e armatosur të “krerëve të reaksionit” në Veriun e Shqipërisë, si: Muharrem Bajraktari, Fiqri Dine, Gjon Marka Gjoni, etj., arrestimet dhe dënimet e tyre nga gjykatat, ndihmat e Bashkimit Sovjetik ndaj Shqipërisë në disa tonelata grurë dhe pranimi i kontigjentit të parë të studentëve shqiptarë në shkollat, universitetet dhe akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik, etj.
“Ndjekjet nga ana e forcave tona s’ju lënë asnjë mundësi krerëve bajraktarë si: Muharrem Bajraktarit, Fiqri Dines, Gjon Markut etj., të organizohen dhe të armatosen. Është e vërtetë se ata i kanë shpëtuar forcave tona dhe kjo duhet të na preokupojë fort, por është fakt që ata po lëvizin me zor të madh. Këta elementë, natyrisht, na shkaktojnë kokëçarje, pse në mjaft krahina të Veriut, puna jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë e dobët. Disa herë atje parullat e tyre zënë vend dhe ka akoma njerëz që vazhdojnë të qëndrojnë në pritje të evenimenteve. Këta do t’i lidhë fort me këtë pushtet, vetëm një punë intensive politike nga ana jonë dhe interesimi drejtpërdrejt i pushtetit në zgjidhjen e problemeve të tyre në mënyrë konkrete. Forca e reaksionit s’qëndron vetëm në bandat e armatosura; atë do ta shohim të manifestohet edhe në elementë të tjerë dhe në forma të ndryshme, të cilët, të përkrahur nga reaksioni i jashtëm, po pregatitin rezistencën kundër pushtetit tonë demokratik. Ky proces i grumbullimit të reaksionit s’është një zhvillim i thjeshtë. Për ne, që drejtojmë politikën e Frontit dhe të pushtetit, do të jetë një gabim i madh po t’i bëjmë hesapet kaluar dhe po të idealizojmë gjendjen tonë të brendshme dhe të pushtetit tone”.
Kështu u shpreh në mes të tjerash në fjalën e tij Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha, në mbledhjen e Plenumit të IV-të të mbajtur më 17 tetor të vitit 1945, në kuadrin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 2 dhjetorit ’45. Për më shumë rreth kësaj, do njihemi në këtë shkrim, të cilin Memorie.al e publikon për herë të parë dhe të plotë.
Fjala e Enver Hoxhës e mbajtur në Plenumin e IV-të të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare, më 17 tetor 1945
Shokë,
Përpara kësaj mbledhjeje të gjerë të Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë na shtrohen shumë probleme e sidomos ato më me rëndësi, siç janë problemi i Partisë me të gjithë sektorët e punës së saj: pushtet, ushtri, Front etj., si dhe çështja e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese. Siç u shënua dhe në rendin e ditës, ne do të diskutojmë dhe do të vendosim edhe për thirrjen e Konferencës së dytë të Partisë. Këtu nuk do të shtrojmë ndonjë vijë të re politike ose organizative, por nga diskutimet e shokëve të Byrosë dhe të gjithë shokëve të tjerë, do të përpiqemi të shohim qartë situatën në të cilën ndodhemi dhe po punojmë, do të kemi një ide ekzakte të forcës së Partisë sonë në gjithë zhvillimin e saj gjatë luftës. Që këtej pastaj do të përcaktohet metoda e re e punës për zgjidhjen e drejtë të çështjeve që na vihen përpara në këtë situatë që ndryshon nga ajo e fazës së luftës. Është bërë zakon që në çdo mbledhje e sidomos në mbledhjet e forumeve të larta të Partisë, të vihet në ballë të rendit të ditës: “Situata politike e jashtme dhe e brendshme”.
Kjo është një praktikë e mirë në rast se kuptohet si duhet dhe nuk degjeneron në një numërim faktesh kronologjike të thjeshta; por, në rast se ne do të jemi në gjendje, që nga këto fakte kronologjike që përcaktojnë gjendjen ndërkombëtare dhe atë të brendshme, të nxjerrim konkluzione të drejta politike, ne do të dimë ta orientojmë si duhet punën tonë, qëndrimet tona politike dhe do të lehtësojmë zgjidhjen e problemeve të koklavitura. Ai anëtar partie që nuk sheh qartë zhvillimin e ngjarjeve dhe nuk bën deduksionet e duhura, ai nuk do të jetë kurrë në gjendje të zbatojë si duhet vijën e Partisë. Si na paraqitet pra situata ndërkombëtare dhe ajo e brendshme në këtë fazë të re të pasluftës? Do të gabohemi shumë në rast se mendojmë si ai njeriu i thjeshtë që bëri luftën dhe tani kujton se çdo gjë është në rregull. Punët s’janë aq të thjeshta as tani në kohën e paqes, ashtu sikundër s’kanë qenë as në kohën e luftës. Luftuam ashpër për t’a fituar luftën mbi fashizmin, por duhet luftuar dhe duhet punuar me këmbëngulje për t’a mbrojtur dhe për ta konsoliduar paqen. U hodhëm në një luftë të madhe për të mposhtur fashizmin, armikun më të egër të demokracisë, por luftuam dhe për një jetë më të lumtur, për një demokraci më të shëndoshë dhe më përparimtare nga ajo që ekzistonte para luftës në Evropën Perëndimore.
Popujt rrokën armët, jo vetëm për të fituar liritë e grabitura nga fashistët, po edhe për të hedhur poshtë zgjedhën e imperialistëve dhe të klikave reaksionare, të mbuluara nën maskën e demokracisë. Për këtë shkak lufta nuk ishte aq e thjeshtë sepse në kampin aleat antifashist, kishte shtete që hodhën gjithë forcat e tyre në luftë për mbrojtjen e lirisë dhe të demokracisë së vërtetë të tyre dhe të popujve të tjerë të robëruar, por kishte edhe shtete që e kuptonin dhe e bënin ndryshe luftën kundër fashizmit. Në bllokun antifashist, Bashkimi Sovjetik ishte flamurtari i luftës së çlirimit; ai mbajti në supet e tij peshën më të madhe të luftës, ai ishte shtylla vertebrale e aleancës antifashiste, ai ishte frymëzuesi, inkurajuesi, dhe mbrojtësi i popujve të robëruar, ai ishte faktori i madh i mposhtjes së Gjermanisë naziste. Anglia dhe Amerika u hodhën në luftë kundër fashizmit pasi u kërcënua ekzistenca e tyre nga Gjermania, por lufta e tyre nuk mori kurrë karakterin e një lufte totale, përkundrazi përpjekjet e tyre për shpejtimin e mbarimit të luftës, s’qenë aq të mëdha; ata i ruanin forcat e tyre për të mbrojtur dhe për të konsoliduar pozitat e tyre imperialiste dhe jo për t’i hedhur në balancën e luftës; ata u përpoqën të ngadalësonin luftën që bënin popujt e robëruar, ata u munduan të forconin pozitat e reaksionit në Evropë për ta pasur si mbështetje në fazën e tanishme të paqes.
Zhvillimi i ngjarjeve gjatë luftës i vuri në dukje të gjitha këto fakte që tregova më lart, por me gjithë këto kontradikta dhe pikëpamje të ndryshme për luftën antifashiste, që ekzistonin në mes Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të Perëndimit, Gjermania naziste dhe klikat imperialiste angleze dhe amerikane, s’mundën dot ta çanin aleancën e madhe të bllokut antifashist, për arsyen e vetme sepse Bashkimi Sovjetik, me politikën e tij të drejtë, dhe me luftën e tij heroike, i mposhti të gjitha manovrat e fashizmit dhe të reaksionit. Për komunistët, pra, qëndrimi dhe puna e tyre ishte e qartë, pse i qartë ishte qëndrimi i Bashkimit Sovjetik. Komunistët në gjithë vendet e robëruara duhej të ngrinin popujt e tyre në kryengritjen e përgjithshme dhe të luftonin pa mëshirë fashizmin dhe hyzmeqarët e tyre. Me luftën e tyre të hapët kundër okupatorit dhe përpjekjeve të tij për të përçarë bllokun ata duhej të mbronin dhe të forconin aleancën e Bashkimit Sovjetik me Anglinë dhe Amerikën. Njëkohësisht ata duhej të forconin pozitat e demokracisë, të forconin pozitat e popullit dhe të merrnin frenat e komandës dhe të qeverimit. Të gjitha këto kontradikta dhe pikëpamje të ndryshme, që ekzistonin në bllokun antifashist: koncepte të ndryshme mbi demokracinë, përpjekje për të përsëritur të shkuarën, për të forcuar pozitat e reaksionit dhe për të grabitur fuqinë nga duart e popullit, u bënë më të qarta, me thyerjen e Gjermanisë dhe po thellohen dita-ditës e më shumë gjatë periudhës që po kalojmë.
Prandaj tani, në këtë fazë pregatitore të paqes, puna s’është aq e lehtë dhe e thjeshtë. Paqen duhet ta mbrojmë me çdo kusht, ky është interesi i Bashkimit Sovjetik, ky duhet të jetë interesi ynë. Prandaj ashtu si u orientuam kurdoherë nga Bashkimi Sovjetik gjatë gjithë periudhës së luftës dhe fituam, prapë atje duhet t’i kemi sytë, të shohim mirë qëndrimin e tij ndërkombëtar, të ecim në rrugën e tij leniniste-staliniane, të mbrojmë përpjekjet dhe interesat e tij, pse vetëm ashtu do të mbrojmë interesat e vendit tonë. Ç’po ngjet, pra, në Evropën e pasluftës, cilat janë pozitat dhe pikëpamjet e anglo-amerikanëve dhe të Bashkimit Sovjetik në fushën ndërkombëtare dhe si paraqiten pozitat e paqes? Në prakun e thyerjes së Gjermanisë ne vumë re një fenomen që nuk duhej të na çudiste: ndërsa në frontin e Lindjes dhe në portat e Berlinit po luftohej me ashpërsinë më të madhe, fronti i Perëndimit ishte shthurur krejt, rezistenca gjermane ishte e parëndësishme dhe ushtritë anglo-amerikane po rendnin mbi Gjermaninë. Në të gjithë frontet e tjerë, ku luftonte Ushtria e Kuqe, ose ushtritë e rezistencës, fashistët luftonin me ashpërsi. Këtu, pra, duhet të jemi të qartë. Anglo-amerikanët përpiqen të shpëtojnë ç’të mundin e sa më tepër nga mbeturinat e fashizmit; ata përpiqen të forcojnë pozitat e reaksionit, ta rigrumbullojnë dhe ta riorganizojnë për ta bërë një barrierë kundër vendosjes dhe triumfit të demokracisë së vërtetë.
“Exodel i madh” i kriminelëve fashistë të luftës dhe i kuislingëve, gjen strehë dhe përkrahje në gjirin e ushtrisë anglo-amerikane dhe në zonat e okupuara prej tyre. Përveç kësaj, anglezët drejtpërdrejt dhe amerikanët tërthorazi, atje ku reaksioni i ka pozitat të forta, duke shkelur çdo parim demokratik, me brutalitetin më të madh, ndërhyjnë ushtarakisht për të mposhtur lëvizjet përparimtare, për të sjellë në fuqi reaksionin dhe për të forcuar pozitat e këtij dhe të fashizmit. Kjo gjë ngjet në Greqi. Në prakun, pra, të thyerjes së Gjermanisë dhe të dorëzimit të saj pa kushte, shohim ofensivën e parë të hapët të reaksionit për të konsoliduar pozitat me çdo kusht, aq sa mund ta lejojë ky moment tranzitor dhe deri atje ku gjen rezistencën e fuqishme të Bashkimit Sovjetik, të lëvizjeve të rezistencës dhe të lëvizjeve progresive të të gjithë popujve të robëruar përgjithësisht. Pra, nën hijen e aleancës antifashiste dhe të fitores së përbashkët, reaksioni ndërkombëtar me në krye Anglinë dhe Amerikën, po zhvillojnë një luftë “surnoise” dhe provokuese kundër Bashkimit Sovjetik dhe gjithë demokracive popullore, të dala nga kjo luftë çlirimtare.
Nga ana tjetër Bashkimi Sovjetik në krye dhe gjithë vendet e tjera ku është vendosur demokracia popullore si dhe tërë pjesa përparimtare e botës, duke pasur si parim kryesor ruajtjen e forcimin e paqes, si dhe forcimin në baza të shëndosha të aleancës së lidhur në këtë luftë, luftojnë për triumfin e demokracisë në Evropë, për zhdukjen e fashizmit dhe të mbeturinave të tij, për pregatitjen e një paqeje të drejtë dhe të vazhdueshme. Natyrisht s’ishte punë e lehtë që Anglia dhe Amerika të ndërmerrnin, që në fillim të periudhës së pasluftës, një fushatë të hapët kundër Bashkimit Sovjetik, por kjo fushatë shpifjesh dhe denigrimi dalëngadalë po merr formë dhe po bëhet më e mprehtë. Me gjithë pikëpamjet e ndryshme që ekzistonin në mes anglo-amerikanëve dhe Sovjetëve, prapë Konferenca e Jaltës dhe ajo e Berlinit, përfunduan me sukses; por Konferenca e fundit e Londrës mbaroi pa asnjë rezultat. Atje anglo-amerikanët, përveç vështirësive të panumërta që nxirrnin, kërkonin haptazi të diktonin vullnetin e tyre për traktatet e ndryshme të paqes, duke shkelur vendimet e marrura në Berlin nga tre të mëdhenjtë. Kjo ishte faza e parë e një mosmarrëveshjeje të hapët, jo vetëm për çështje procedure, por esencialisht parimi.
Shtypi reaksionar i përbotshëm, e zhveshi pallën kundër Bashkimit Sovjetik dhe fashistët me maskë, me shtypin e tyre, arritën deri në kërcënime e në provokacione të tipit të tyre të zakonshëm, Anglo-amerikanët dhe reaksioni i përbotshëm përpigen të futin në kthetrat e tyre të gjithë ata popuj që gjatë luftës mundën, me luftën e tyre, të marrin në dorë pushtetin. Përpjekjet e reaksionit në këtë drejtim zënë vendin e parë. Në shumë vende të Evropës, lufta e ashpër e popujve kundër okupatorit dhe veglave të tija jo vetëm që i dha një grusht të fortë klikave reaksionare vendase, por komprometoi rëndë pozitat e Anglisë dhe të Amerikës. Në këtë luftë u ngjallën dhe u forcuan simpatia dhe miqësia për Bashkimin Sovjetik. Kundër kësaj gjendjeje reaksioni ndërkombëtar po lufton ashpërsisht. Të gjitha shtetet deri dje të okupuara të Evropës e sidomos ata të Evropës Lindore dhe Juglindore në politikën e tyre të jashtme janë prirur drejt Bashkimit Sovjetik, i cili i mbron dhe i përkrah për të forcuar demokracinë. Në Poloni dhe në Jugosllavi reaksioni u përpoq të rimëkëmbë dhe të sjellë në fuqi klikat e vjetra reaksionare, por s’mundi.
Konferenca e Jaltës e zgjidhi çështjen e qeverive të këtyre dy vendeve. Por kjo s’do të thotë se reaksioni i hodhi armët. Ofensiva e reaksionit kundër Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Shqipërisë është jashtëzakonisht e gjerë dhe sidomos tani me rastin e fushatave elektorale, të cilat do të jenë vendimtare. Reaksioni ndërkombëtar po mëkëmb dhe po forcon pozitat e tronditura ose të dëmtuara rëndë të reaksionit të çdo vendi. Organizimi i reaksionit në vende të ndryshme të Evropës po konkretizohet dhe po merr formë. Kundër kësaj rritjeje dhe kundër këtij forcimi po luftojnë Bashkimi Sovjetik dhe gjithë popujt dhe qeveritë e tjera përparimtare. Por në këtë luftë të ashpër për triumfin e demokracisë, kujdesi i Bashkimit Sovjetik dhe i qeverive të tjera përparimtare për ruajtjen e paqes është një çështje kryesore. Në këto pozita qëndrojmë dhe ne kundrejt anglo-amerikanëve. Ata nuk e shohin aspak me sy të mirë qeverinë dhe demokracinë tonë popullore dhe e luftojnë. Ata deri tani as që kanë ndër mend të na njohin dhe njohja, sipas mendimit tonë, nuk do të jetë aq e lehtë dhe e shpejtë. Çdo kërkesë e jonë e drejtë, në lëmin ndërkombëtar, ka mbetur pa përgjegje ose i është dhënë një përgjegje negative. Ata e akuzojnë qeverinë tonë, njëlloj sikundër kanë akuzuar atë të Jugosllavisë, të Polonisë, etj.
Po, natyrisht, lufta ka variantet e saja, sipas rëndësisë që i vënë çdo vendi dhe pozitave që ka ky vend. Deri tani nga ana e shtypit reaksionar nuk është shpallur kundër nesh një luftë e hapët sikundër ndaj vendeve të tjera, por kjo s’do të thotë se nuk do të ndodhë. Me rastin e zgjedhjeve ofensiva kundër nesh do të zhvillohet në të gjithë gamën. Puna qëndron që ne të dimë të manevrojmë për t’i dhënë më pak armë reaksionit të jashtëm dhe të brendshëm për të na luftuar. Këtu është çështja e një politike elastike, pa rënë në oportunizëm, një politikë që të forcojë pozitat tona të brendshme dhe të jashtme. Qëndrimet tona të drejta dhe taktika jonë do të përcaktohen nga diskutimet që do të bëjmë këtu, pasi të shohim konkretisht gjendjen dhe pasi të analizojmë punën që kemi bërë. Forcimi i pozitave tona ndërkombëtare varet nga konsolidimi i pozitave tona të brendshme, të cilat janë të kondicionuara nga puna jonë intensive dhe e drejtë, varet nga zbatimi drejt i vijës së Partisë sonë. Në një situatë të tillë ndërkombëtare, pa thënë se pozitat e paqes janë të komprometuara, prapëseprapë këto janë shumë të vështira për t’i mbrojtur. Ne duhet të vëmë gjithë forcat për të mbrojtur e për të forcuar pozitat e demokracisë së vërtetë popullore dhe të ruhemi nga provokacionet që s’kanë munguar dhe s’do të gojnë, si nga ana e Greqisë ashtu dhe nga ana e anglo- -amerikanëve.
Bashkimi Sovjetik tregon një interesim të veçantë për ne. Përveç mbështetjes së madhe morale që na jep në fushën ndërkombëtare, ai po na jep ndihmë materiale dhe kulturale. Portat e Bashkimit Sovjetik janë të hapëta për ne; oficerë nga tanët janë pranuar në shkollat ushtarake; kontingjenti i parë i studentëve universitarë po niset. Duke parë shtërngesat tona në lëmin ekonomik, qeveria sovjetike pranoi kërkesat tona dhe na shiti 20.000 ton grurë, që ka filluar të vijë; për këtë kemi lidhur edhe një marrëveshje tregëtare. Me Jugosllavinë dhe me shtetet e tjera të Ballkanit, si Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë e Çekosllovakinë, jemi në marrëdhënje miqësore. Propozime për njohjen e qeverisë sonë janë bërë nga ana e qeverisë bullgare, rumune e poloneze. E tillë është situata e jashtme në vija të përgjithshme dhe pozitat tona ndërkombëtare, sikundërqë thashë më lart, do të forcohen edhe më shumë, kur ne të forcojmë pozitat tona të brendshme. Si na paraqitet situata brenda dhe ku qëndron forca jonë? Me çlirimin e Shqipërisë e këtej, situata jonë e brendshme është forcuar mjaft. Si kudo gjetkë, edhe në vendin tonë, reaksioni u armatos prej fashizmit dhe tok me të na luftoi me armë. Reaksioni i brendshëm, megjithëse lidhjet i kishte të dobëta me reaksionin ndërkombëtar e sidomos me ate anglez dhe amerikan, prapë ai pati ndihmën e tyre direkte dhe indirekte.
Megjithatë reaksioni i brendshëm hëngri një grusht të rëndë ushtarakisht dhe politikisht. Krerët e tij ose dolën jashtë kufirit ose u kapën prej nesh dhe u gjykuan. Gjykimet e atyre shokëve, që kujtonin ose pretendonin se ne e shfarosëm nga rrënjët reaksionin, ishin gjykime të pathelluara. Edhe pas çlirimit të Shqipërisë na u desh të bënim një operacion në Veri për të shuar rezistencën e armatosur dhe agresive të krerëve reaksionarë dhe bajraktarë të mbetur brenda. Reaksioni ynë nuk mund të themi se i kishte rrënjët mbi ujë, me gjithë grushtin që hëngri, shpejt a vonë dhe në kondita më të favorshme për të, ai do të lëvizte dhe do të organizohej. Në fazën e parë pas çlirimit, reaksioni i kishte thonjtë të prerë, ai ishte topitur. Përpara forcës sonë dhe veprimeve tona të rrufeshme, mbeturinat e reaksionit qëndronin në formë latente. Aktiviteti i tij përmblidhej në lëshime parullash kundër qeverisë dhe pushtetit, kundër ushtrisë. Qëndrimi i aleatëve anglo-amerikanë ndaj qeverisë sonë dhe intervencioni në Greqi, ja shtuan kurajon. Tani ai filloi të shtonte aktivitetin dhe u përpoq të godiste institucionet tona më të forta dhe më të rrezikshme për të. Organizimi i dezertimeve në ushtri ishte tentativa e tij e hapët. Por mund të themi se deri tani të gjitha tentativat e mbeturinave të reaksionit për t’u armatosur dhe për t’u organizuar në njësite pak a shumë të gjera e për aksione të hapëta, kanë dështuar.
Ndjekjet nga ana e forcave tona s’ju lënë asnjë mundësi krerëve bajraktarë si: Muharrem Bajraktarit, Fiqri Dines, Gjon Markut etj., të organizohen dhe të armatosen. Është e vertëtë se ata i kanë shpëtuar forcave tona dhe kjo duhet të na preokupojë fort, por është fakt që ata po lëvizin me zor të madh. Këta elementë, natyrisht, na shkaktojnë kokëçarje, pse në mjaft krahina të Veriut, puna jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë e dobët. Disa herë atje parullat e tyre zënë vend dhe ka akoma njerëz që vazhdojnë të qëndrojnë në pritje të evenimenteve. Këta do t’i lidhë fort me këtë pushtet, vetëm një punë intensive politike nga ana jonë dhe interesimi drejtpërdrejt i pushtetit në zgjidhjen e problemeve të tyre në mënyrë konkrete. Forca e reaksionit s’qëndron vetëm në bandat e armatosura; atë do ta shohim të manifestohet edhe në elementë të tjerë dhe në forma të ndryshme, të cilët, të përkrahur nga reaksioni i jashtëm, po pregatitin rezistencën kundër pushtetit tonë demokratik. Ky proces i grumbullimit të reaksionit s’është një zhvillim i thjeshtë. Për ne, që drejtojmë politikën e Frontit dhe të pushtetit, do të jetë një gabim i madh po t’i bëjmë hesapet kaluar dhe po të idealizojmë gjendjen tonë të brendshme dhe të pushtetit tonë. Të shohim realisht gjendjen, të mbajmë kontakt të ngushtë me masat pse përndryshe do të kemi deziluzione të mëdha, reaksioni do të fitojë terren.
Situata ndërkombëtare dhe qëndrimi jo i favorshëm që mbajnë aleatët anglo-amerikanë kundrejt qeverisë dhe pushtetit tonë, po favorizojnë grumbullimin e elementëve reaksionarë si elementët e pakënaqur, klerin katolik, intelektualët e pasqaruar dhe që kanë qenë ose në pozitat e armikut ose indiferentë, shtresat e tregëtarëve të mëdhenj, që janë goditur nga tatimet e fitimeve të jashtzakonshme, spekulatorët e përhershëm, shtresat e bejlerëve dhe të agallarëve që janë prekur nga ligji i reformës agrare. Në rast se ne s’punojmë drejt dhe nuk zbatojmë si duhet vijën e Frontit rreth këtyre me siguri mund të grumbullohen të gjithë ata elementë indiferentë të papërzier në politikë dhe që nuk arrijnë të kuptojnë si duhet manovrën e reaksionit dhe përpjekjet tona në këtë situatë të vështirë. Kjo kategori njerëzish influencohet shpejt nga çdo parullë e reaksionit dhe qëndron me ne vetëm kur ta mbajmë në kontakt të përhershëm. Të gjitha këto shtresa, që përmenda më lart, ne duhet t’i shikojmë me vëmendje, t’i shikojmë jo në mënyrë administrative, por të punojmë me to. S’është aq lehtë të punosh me klerin katolik. Kleri ka influencë në Shkodër e në rrethet e saj dhe kjo nuk mund të zhduket vetëm me masa administrative. Kleri katolik është një ent i organizuar mirë, me tradita dhe me lidhje të ngushta me reaksionin e jashtëm e me Vatikanin. Prandaj organizimit të tij, duhet t’i kundërvëmë organizimin tonë më të shëndoshë, politikës së tij, vijën tonë politike të drejtë dhe ta detyrojmë të luftojë në terrenin tonë dhe jo në terrenin e tij dhe me parullat që do ai./Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016