Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të panjohur që i përket vitit 1986, ku Komiteti Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme i kryesuar nga Jorgo Melica, informon Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me veprimtarinë e aktivitetin e shqiptarit Agim Ziba, me origjina nga Struga, i cili ishte emigrant në SHBA, ku që nga fillimi i viteve ’80-të e në vijim deri në shembjen e regjimit komunist, për një dekadë me radhë ishte vënë në shërbim të qeverisë komuniste të Tiranës duke bërë propagandën e saj, me shpërndarje librash, revistash dhe video-kasetash të ndryshme me filma artistikë e dokumentarë, koncerte etj,. që i prodhonte enkas Radio-Televizioni Shqiptar, të cilat ai i merrte nga misioni diplomatik shqiptare në OKB, apo dhe vetë kur vinte në Tiranë dhe drejtoria e Radio-Televizionit Shqiptar i rrinte në gatishmëri të plotë duke i plotësuar të gjitha kërkesat që ai kishte. E gjithë historia e panjohur e Agim Zibës, që nga biografia e familjes në fshatin Livadh të Strugës në Maqedoni deri në vitin 1968, dy vëllezërit që jetonin në Prishtinë, jeta personale e tij në emigracion, e deri tek aktiviteti e misioni i tij “patriotik” në SHBA, me njerëzit që e ndihmonin nga mërgata shqiptare dhe grupet e ndryshme të Shoqërisë “Jusf Gërvalla” si dhe frika që ai kishte se mund ta vrisnin jugosllavët apo dhe njerëzit e familjes së së tij dhe të gruas, të cilët e akuzonin se për shkak të asaj pune që ai bënte për regjimin komunist të Tiranës, ata e kishin të vështirë që ktheheshin në Strugë…?!
Letra e Jorgo Melicës për jetën dhe aktivitetin e Agim Zibës, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së në janar të vitit 1986
Shoku Llazar,
Bashkangjitur ju dërgoj Informacionin Nr.15 date 21.01.1986 “Mbi qëndrimin në vendin tonë të mikut nga SHBA, shqiptarit Agim Ziba, të përgatitur nga shoqëruesi i tij I.A.
Jorgo Melica
Tiranë, me 21.1.1986
Komitetit Nr.15 Tiranë, me 21.1.1986
INFORMACION
Mbi qëndrimin në vendin tonë të mikut nga SHBA
Shqiptari Agim Ziba
Bazë rekomandimit të misionit tonë në New York, prej datës 25.12.1985 deri me 14.1.1986 qëndroi në vendin tonë shqiptari nga Struga, Agim Ziba, i cili kishte qenë në vendin tonë dhe në vitin 1984 po i ftuar nga Komiteti i Marrëdhënieve me Botën e Jashtme.
Agimi është larguar nga fshati Livadh i Strugës në vitin 1968 pasi është ndjekur nga shovinistët jugosllav për ngritjen e flamurit shqiptar në shkollë dhe më pas ka shëtitur me ne nëpër qytetin e Strugës. Për arsye të moshës së vogël 15 vjeçare organet e vendit e kanë nxjerrë nga burgu pas dy muajve duke e pas nën kontroll veprimtarinë e tij dhe me kusht që ky herë pas here të paraqitej në organet e policisë së vendit. Në këto kushte detyrohet që të largohet nga vendlindja dhe të emigrojë në Itali dhe prej andej shkon e vendoset me banim në SHBA në vendlindje ka lënë prindërit, vëllezërit, motrat.
Familja e tij është një ndër familjet më patriotike të zonës së Strugës. Babai tij, Niaziu, ka qenë partizan në Brigadën e VII-të Sulmuese dhe ka luftuar së bashku me partizanët tanë për çlirimin e tokave shqiptare në Jugosllavi. Aktualisht është pensionist, por nuk e gëzon të drejtën e pensionit, pasi nuk ja japin organet jugosllave. Para disa kohësh, kur i ati tij po ecte në rrugë, një makinë e Sigurimit të vendit e godet dhe i dëmton të dy këmbët, i cili shtrohet në spital dhe një mjek prej fisit të tij, e kuron dhe del nga spitali. Aktualisht është invalid. Vëllai i madh i Agimit, Resmiu është drejtor i fabrikës së tapeteve në Prishtinë. Ka mbaruar shkollën e lartë për inxhinier dhe është me titull doktor. Ndërsa vëllai tjetër, punon si inxhinier në “Grand Hotel” në Prishtinë.
Agimi me vendosjen në SHBA ka bërë punëra të ndryshme. Fillimisht ka punuar si pastrues në një familje amerikane. Më vonë ka punuar si kuzhinierin në një restorant të New Yorkut dhe kohët e fundit, rreth para 4 vjetësh merret me shitjen e video-kasetave që merr nga misioni, ndër shqiptarët e ndryshëm me banim në Amerikë. Në New York ka mbaruar shkollën e mesme. Aktualisht ndjek një kurs për t’u bërë pilot e drejtuar avionë pasagjerësh (taksi) për 5-6 veta. Në këtë drejtim ka dhënë të gjitha provimet e praktikës dhe ka dalë shumë mirë dhe i ka mbetur vetëm ana teorike, të cilën do ta japë në muajin prill për të fituar të drejtën e drejtimit të avionit. Ka shumë shpresa që në muajin prill të mbarojë këtë punë dhe të dal me sukses.
Agim Ziba ka rreth 4 vjet që merret me riprodhimin e shpërndarjen e filmave e programeve muzikore që ka marrë nga misioni ynë në New York dhe ato që ka marrë nga vendi ynë kur ka qenë në vitin ’84. Deri tani, shpjegon se ka riprodhuar dhe shpërndarë në shqiptarët të ndryshëm me banim në SHBA rreth 9 mijë ose 10 mijë video-kaseta me programe shqiptare. Puna ime, shpjegon Agimi, është një e dhjeta e të gjithë punës që bëhet atje pasi këto video kaseta që ka shpërndarë janë shumëfishuar nga shqiptarët e tjerë me banim aty dhe numri i tyre është shumë më i madh, bile disa prej tyre mund t’i kenë dhe element e arratisur nga vendi ynë. Përveç kësaj pune, Agimi ka mundur të shfaqi në TV Amerikan dhe 6 programe televizive për vendin tonë, por sipas tij për këto e kanë ndihmuar dhe nga shqiptarët e tjerë me banim aty, si vëllezërit Sela, Anton Camaj, Gjeto Sinishta e ndonjë tjetër. Pasi për të dhënë një program në TV Amerikan për 1 orë, duhet të paguash rreth 1.500 $, gjë të cilën Agimi vetë nuk mundet ta përballojë me të ardhurat që ka ose që fiton nga kjo punë.
Agimi shpjegon se: unë që kam arritur të bëj këtë punë për Shqipërinë, vendin tim kam kaluar nëpërmjet vështirësive të shumta të mëdha si nga organet jugosllave ashtu dhe nga njerëzit e familjes sime duke më quajtur ”këlysh të Enver Hoxhës, këlysh të rrugëtimit të Tiranës”, e të tjera epitete të këtij llojit, por unë nuk kam hequr e nuk do të heqë dorë nga kjo punë që kam nisur. Propagandën e videove-kasetave për Shqipërinë, unë e shikoj, si punën më të shpejtë më të madhe e më efikase ndër shqiptarët me banim në Amerikë. Këtë punë unë e bëj duke u nisur nga vetë kërkesat e dëshirat e shqiptarëve me banim aty. Aktualisht shqiptarëve atje nuk është nevoja t’u flasësh me fjalë të mëdha për arritjet dhe zhvillimin që ka arritur Shqipëria, por këtë gjë ta bësh me video-kaseta dhe t’ja u shpërndash atyre bile dhe deri në shtëpi është gjëja më kryesore dhe më e rëndësishme, pasi ata e shikojnë vetë përparimin dhe zhvillimin që ka arritur Shqipëria. Këtë punë e bëj duke marrë video-kasetat dhe shpërndarë shqiptarëve kudo që janë në Amerikë duke ju vajtur vetë në shtëpi. E shikoj që një gjë e tillë nuk po ju pëlqen shumë njerëzve të jugosllavëve apo agjentëve të tyre. Duke parë punën që bëj, mendoj se ndonjë ditë mund të humbas dhe jetën duke vënë njerëz për të më vrarë, por unë do të vazhdoj punën time. Kam pasur presione nga më të ndryshmet për të hequr dorë nga kjo punë që po bëj, por kam vendosur për të vazhduar deri në fund. Këto presione i kam pasur dhe nga njerëzit e gruas atje, duke më thënë se “Ti Agim na le neve pa vajtur në Strugë për të parë njerëzit tanë, pasi merresh me këtë punë”. Në punën e shpërndarjes së video kasetave kam mundur të bashkëpunoj me Rrok Dedvukajn në Detroit, i cili tashmë është duke bërë një punë shumë të mirë me shqiptarët e atjeshëm, pasi unë e kam shumë larg.
Populli Kosovar me banim në Amerikë vuan për filmat, këngët e vallet e muzikën shqiptare dhe të gjithë kulturën e kombit tonë. Megjithëse propaganda jugosllave vazhdon me të gjithë mjetet e saja për të bërë një punë të tillë ndër shqiptarët me banim aty, ajo nuk po zë ndonjë vend të dukshëm, pasi shqiptarët nuk e pëlqejnë. Prandaj nga ana jonë, shpjegon Agimi, duhet bërë akoma më shumë dhe forma nga më të ndryshmet. Aktualisht nuk është koha që të marrim pushkën e të vrasim serbët apo agjentët e tyre, por ata duhen luftuar me mjetet propagandistike si me video-kasetat, me këngë e valle shqiptare ose duke lëshuar në ajër parullën ”Kosova Republikë” pa marrë vesh njeri se nga e kush është lëshuar.
Sipas Agim Zibës, ai ka krijuar marrëdhënie të mira dhe me shtetas amerikanë, tek disa prej të cilëve ka vënë re se ka dëshirë që të shikojnë filmat dhe këngët e vallet shqiptare. Kështu ka krijuar marrëdhënie të mira me një drejtor shkolle, të cilin e merr në telefon dhe ai i rezervon sallën prej 1 mijë e ca vendesh për të shfaqur filmat apo programet që merr nga neve. Kështu që, tashmë, Agimi nuk ka problem vendin apo sallën për të shfaqur filmat tanë.
Gjatë kohës së qëndrimit në vendin tonë, Agim Ziba shprehu mendimin se një punë e tillë me video-kasetat duhet bërë dhe në Turqi, por për ta bërë vetë e shikon si shumë të vështirë dhe se ka shpenzim të mëdha. Jep mendimin dhe kjo gjë duhet bërë nga ana jonë nëpërmjet ambasadës ose duke gjetur ndonjë shqiptar patriot që mund ta bëjë këtë punë, pasi atje për numrin e madh të shqiptarëve do të bëhet një punë shumë e mirë për propagandimin e Shqipërisë e të sukseseve të saj.
Duke folur për punën që Agimi bën dhe për të paraqitur ashtu siç është gjendja në Kosovë, ai tregon:”Agimi së bashku me tre shokë nga Struga biseduan me një vajzë amerikane dhe ranë dakord që t’i jepnin asaj një kamera TV për të shkuar në Kosovë e filmuar atje gjendjen ekonomike të shqiptarëve dhe të merrte në intervistë shqiptarët e ndryshëm. Kjo punë shkoi deri atje sa ajo arriti deri në Beograd, por bënte punën që ne mendonim, pasi e kuptuan qëllimin e saj”.
Agimi, duke gjykuar për punën që po bën me propagandimin e filmit tonë në Amerikë, shprehu mendimin se për vajzën e tij Vjosa, 3 vjeçare, do të ishte mirë që të vinte në Shqipëri për të jetuar disa kohë, qoftë duke e çuar në kopsht ose mbajtur ndonjë familje. Këtë gjë e shpjegon me arsyen se ajo këtu është e sigurt, pasi unë atje nga presionet e shumta që kam nga jugosllavët për të hequr dorë nga puna që bëj, mundet që ndonjë ditë të më zhdukin fare dhe ajo do të ngelet jetime. Nga ana tjetër Agimi shpjegon se për këtë gjë mund të gjejë zgjidhje duke e dërguar dhe në Strugë tek njerëzit e mi, pasi jugosllavët dhe mund ta pranojnë, por një gjë të tillë nuk e dëshiron pasi dhe atje ajo do të ketë pasoja ose nëpërmjet saj mund të më bëjnë presion që të heq dorë nga puna ose së fundi dhe mund ta eliminojnë duke e helmuar dhe nuk kam mundësi si të kërkoj të drejtën tek ata që nuk më bashkon asgjë.
Aktualisht klubi ”Isuf Gërvalla” është në shtëpinë e Rrok Nikshit. Ai funksionon, por jo ashtu siç duhet e jo mirë, pasi dhe pjesëmarrja në të është e vogël deri në 15 ose 20 vetë. Më mirë do të ishte që të ishte në degën e Shoqërisë “Naim Frashëri” për nga emri që i kanë vënë njerëzit që marrin pjesë në të, kanë probleme që krijohen vetë nga jugosllavët apo njerëzit e tyre. Kështu jugosllavët ju thonë njerëzve që marrin pjesë: ‘pse shkoni në këtë klub patriotik’ dhe në të njëjtën kohë ju nxjerrin pengesa për të vajtuar në Kosovë e për të parë njerëzit e tyre. Këto gjëra kanë bërë që një pjesë e mirë e njerëzve të largohen nga klubi. Aktualisht po bëhen përpjekje që të gjendet një lokal i ri për klubin “Isuf Gërvalla”, pasi ai aktuali është i keq. Janë zgjedhur në kryesi të tij njerëz të mire, si kryetar është Ramiz Llapatinca, nënkryetar Gjeto Sinishtaj dhe arkëtar i tij Shyqo Selimaj, të cilët punojnë mirë dhe premtojnë se në të ardhmen puna do të shkoj më mirë.
Për kohën e qëndrimit në vendin tone, Agim Zibës ju përgatit një program i veçantë i cili nuk u realizua plotësisht pasi ai qytetet kryesore i kishte parë gjatë vizitës që ka bërë në vendin tonë në vitin 1984 dhe se dëshironte të bënte një kurs për perfeksionimin e klarinetës, të cilin e bëri për kohën që qëndroi këtu. Nga ana jonë ju përgatit një program me vizonim filmash e programesh artistike në TV e Kinostudio, si dhe disa takime në ndërmarrjen e librit, ndërmarrjet e tregtisë së jashtme, etj. Agimi i dhuroi këtij Komiteti, rreth 140 video-kaseta, ndërsa TV një album për aparaturat për video-kaseta dhe në sasi kablli televizorësh.
Me ardhjen në vendin tone, Agimi dëshironte të merrte sa më shumë filma dhe programe muzikore nga vendi ynë, por nga ana jonë ju dhanë rreth 16 orë programe televizive të hedhura në video-kasetat që solli dhe konkretisht ju dhanë filmat ”Operacioni Zjarri”, ”Gjenerali Ushtrisë së Vdekur”, komedia “Prefekti”, dokumentar “Vështrim mbi një ekspozitë” dhe “Kur lind një këngë rinie”, disa filma vizatimor, ndeshja ndërkombëtare e futbollit ndërmjet “Dinamos” dhe “Sporting” Portugali si dhe programet muzikore nga festivali i 24 i këngës në Radio TV, koncert i grupit popullor, Tropjan, koncertin “Vallzojnë Shqipet” pjesa e I dhe e III, koncert me këngë nga Anita Take, Xhevdet Hafizi, Bajram Spahia e valle shqiptare. Filmin “Ballë për ballë” të cilin e kërkoi me cilësi të lartë për ta shfaqur në TV Amerikan, nuk e mori pasi nuk dispononim kopje të mirë të subtitruar në anglisht, të cilin sa ta përgatisim do t’ja nisim. Për këtë film Agimi ka biseduar në TV Amerikan për ta shfaqur dhe ata tashmë kanë rënë dakort, por kërkojnë që të jetë i cilësisë së mirë. Me ndërmarrjen e librit Agimi u interesu lidhur me shpërndarjen e revistave e gazetave nga vendi ynë në Amerikë. Kur mësoi se nga Detroiti nuk kishte asnjë abonim tha se do të interesohej që jo vetëm, nga ai qytet, por të ketë dhe nga qytete të tjera në të ardhmen. Për këtë tha se: “dëshira e kosovarëve e shqiptarëve në Amerikë për t’u abonuar në revistat e ndryshme të vendit tonë është e madhe, por ata nuk dinë mënyrën e zgjidhjes së këtij problem”. Këtë gjë e mori përsipër vetë Agimi duke thënë se: “unë do t’ja u përgatis dhe së bashku me çekun me dollar ose dollarët vetë, ta dërgojnë në Shqipëri. Këtë gjë unë do ta bëj si ndërmjetës për të ndihmuar shqiptarët për tu abonuar dhe ju vetë do ta shikoni se sa do të abonohen, unë tani nuk mund të them për numrin e tyre. Lidhur me problemin e abonimeve në libra, Agimi ngriti problemin se këtë gjë tani po e bën shumë mirë Kack Shulman dhe unë mund ta bëj, por nuk do të jetë mirë për mua. Në të ardhmen nëqoftëse Jack Shulman do ta lërë këtë për arsye të moshës mund ta marr unë dhe të vazhdoj punën e tij, ashtu sikundër dhe ai.
Agim Ziba u largua mjaft i kënaqur nga vizita që bëri në vendin tonë. Në vizitën që bëri në varrin e sh. Enver, shprehu ngushëllimet e tij për këtë humbje të madhe dhe tha se: “Unë nuk duhet të kisha ardhur kështu dhe ta shikoja sh. Enver këtu, se kjo ka qenë dëshira e të gjithë kosovarëve jashtë”, por neve tani duhet të vazhdojmë rrugën që na ka treguar Enveri dhe të punojmë sa më shumë për të plotësuar dëshirat e tij. Në takimin në TV ai u njoh me aparaturat që përdoren nga ana jonë për shumëfishin e kasetave që i dërgohen atij. Ai premtoi se do të shikonte mundësinë që të dërgonte një aparat Sony U-matic professional, për të cilin tha se do ta dërgonte shumë shpejt, një apparat VHS dhe ndonjë apparat tjetër të thjeshtë, të cilët do të ndihmojnë për rritjen e cilësisë së materialeve që ai ka marrë nga ana jonë./Memorie.al
Shoqëruesi
I.A.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016