Nga Engjëll Angoni
Memorie.al / Prof. Dr. Selman Riza, zotërues i 12 gjuhëve, studiues i përkushtuar dhe i pasionuar i gjuhës amtare, zë vend ndërmjet gjuhëtarëve shqiptarë më në zë, si një ndër themeluesit e gjuhësisë së re shqiptare. Bir i denjë i Kosovës kreshnike, i rezistoi haptazi e me vendosmëri pushtimit fashist, punoi e luftoi me të gjitha forcat për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, për lirinë e mendimit dhe demokratizimin e jetës në vendin tonë. Bash për këto, u përndoq gjatë gjithë jetës, u internua e u burgos disa herë nga tri prej regjimeve më totalitare: regjimi fashist italian, regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe regjimi komunist i Josif Broz Titos.
Nxënës dhe student i shkëlqyer, antifashist i vendosur
Selman Riza lindi më 21.12.1909, në qytetin e Gjakovës. U rrit në një familje të thjeshtë qytetare. Që i vogël dallohej për zgjuarsi dhe interes të veçantë për dije, të cilën nuk mund ta merrte në shkollat serbe, prandaj në vitin 1922, pa mbushur 13 vjeç, bashkë me një grup të rinjsh kosovarë, kalon fshehurazi kufirin shqiptaro-jugosllav dhe vjen më këmbë në Tiranë. Me bursë shtetërore, mbaron shkëlqyeshëm shkollën 6-vjeçare “Naim Frashëri”, në Tiranë në tre vjet dhe nëntë klasat e Liceut Kombëtar të Korçës, në 6 vjet. Me përfundimet unikale në mësime dhe sjelljen shembullore, meritoi vlerësimet më të larta nga kolektivi i shkollës.
Drejtori teknik i saj, Leon Perre, më 25.06.1931, në përfundim të provimeve të pjekurisë, ku u diplomua shkëlqyeshëm për matematikë, do t’i shkruante ministrit të Arsimit: “Selman Riza është një i ri tepër i talentuar, shumë serioz, i cili do të mundë me të njëjtën lehtësi, të kryejë çdo degë të studimeve universitare dhe unë nuk dyshoj që ai, të mos i bëjë më vonë nder atdheut me emrin e tij”. Jeta dhe vepra e Selman Rizës ia vërtetuan parashikimin. Po me bursë shteti, ai ndjek studimet e larta në Francë, në Universitetin e Tuluzës. Në tre vjet, 1933-1935, mbaron shkëlqyeshëm dy fakultete, të Letërsisë dhe të Drejtësisë, dhe kryen po me atë sukses specializimin në gjuhën gjermane, në qytetin Hajdelberg, të Gjermanisë. Emërohet mësues i frëngjishtes dhe i shqipes, më vonë dhe i latinishtes dhe i gjermanishtes, në Liceun Kombëtar të Korçës.
Pa dyshim, pushtimi i atdheut tonë nga fashizmi italian, më 7 prill 1939, ishte një ngjarje e hidhur, ashtu si për gjithë popullin shqiptar, edhe për Selman Rizën. Ndërmjet profesorëve të Liceut, ai ka qenë njëri nga demonstruesit më të ekspozuar dhe qëndrestarët më konsekuentë, kundër pushtuesit. Jo rastësisht, në mbledhjen që u organizua ato ditë në Bashkinë e qytetit, Selman Riza, u zgjodh sekretar i Komitetit të Shpëtimit Publik për Korçën, me kryetar Fazlli Frashërin, me qëllim që të regjistroheshin dhe të dërgoheshin vullnetarë në Durrës, ku do të organizohej qëndresa e armatosur kundër pushtuesit Italian, edhe në Korçë. Ja si vlerësohet qëndrimi antifashist i Selman Rizës, brenda e jashtë shkolle, nga organet e policisë: “Selman Riza, është kundërshtar i vendosur kundër politikës italiane. Propagandist i zoti ndërmjet elementit studentor. I rrezikshëm” (Arkivi Qendror i Shtetit, Dosja 312, f. 408).
Sipas Prof. Abaz Ermenjit, “Në demonstratën e madhe antifashiste të 28 nëntorit 1939, Selman Riza ishte në rreshtin e parë bashkë me organizatorë të tjerë të saj”. Natën e asaj dite, karabinierët e arrestuan Selman Rizën. Do të ishte takimi dhe njohja e tij e parë me burgun, fillimi i përndjekjeve politike të shumëllojshme, që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës. Më 08.12.l939, Selman Riza, transferohet në gjimnazin e Tiranës nga prefekti i Korçës, Anton Kosmaçi “në marrëveshje të plotë me Komandën e Grupit të Karabinierëve në Korçë” dhe duke njoftuar njëherazi me shkresë nr. 235 XVII rez. 07.12.1939, Ministrinë e Punëve të Brendshme (AQSh, fondi nr. 252/2, dosja nr. 2, 1939, f. 897). Pa kaluar dy muaj, ndëshkohet përsëri: e arrestojnë dhe internojnë në ishullin Ventotene të Italisë, bashkë me antifashistë të tjerë “duke marrë parasysh personalitetin dhe të kaluarën e tyre politike, veprimtarinë e zhvilluar dhe rrezikshmërinë e tyre”, Komisioni i Internimeve, i internon 3 vjet, për t’i vuajtur në Itali (AQSh, fondi nr. 253, dosja nr. 312, 1943, f.408).
Më 4 tetor 1941, Selman Riza lirohet nga internimi, por qysh një muaj më parë, më 3 shtator 1941, Mëkombësia e Përgjithshme në Shqipëri, i kërkon Komandës së Lartë të Karabinierisë “gjurmim dhe vigjilencë për Selman Rizën”. Gjendja e Selman Rizës në vitin 1942, u vështirësua shumë, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe të përndjekjeve të vijueshme nga të gjitha kuesturat e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë (AQSh, fondi nr. 2253, dosja nr. 275, 1942, f.58).
Truri i vërtetë i lëvizjes irredentiste antifashiste
Në këto rrethana të vështira, por i shqetësuar edhe për gjendjen dhe të ardhmen e Kosovës, Selman Riza, vendoset familjarisht në Prizren, ku punon si avokat, por në radhë të pare, merret me veprimtari politike. Shquhet si një nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Irredentiste Antifashiste. Majori Piter Kemp, njëri nga përfaqësuesit kryesorë të misioneve angleze në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e quan Selman Rizën “truri i vërtetë i Partisë së Irredentistëve”. Veprimtarët e kësaj lëvizjeje, kërkonin që synimi i drejtpërdrejtë dhe i ngutshëm i luftës për çlirim nga fashizmi, të lidhej pandërmjetshëm me moskthimin e sundimit jugosllav në Kosovë, me luftën e mëtejshme për bashkimin e shqiptarëve të Kosovës, me popullin dhe shtetin shqiptar. Selman Riza, ishte kundër bashkëpunimit me Partitë Komuniste në Shqipëri dhe në Jugosllavi, si dhe me Lëvizjet Nacionalçlirimtare në to. Ai nuk u bashkua as me forca të tjera politike.
Ndërkaq, ka përshëndetur çdo përpjekje a kërkesë të rëndësishme të cilësdo force politike shqiptare, për lirinë dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve, siç ishte, ndër të tjera, pika 2 e “Dekalogut”, programi 10 pikash i organizatës së Ballit Kombëtar, ku thuhet shkurt, por qartë: “Luftojmë për një Shqipëri të lirë, etnike, demokratike, me bazë shoqërore moderne”, çka përkonte me synimet themelore të Lëvizjes Irredentiste Antifashiste. Për të njëjtën çështje, është mbajtur i njëjti qëndrim vlerësues edhe ndaj një dokumenti tjetër të rëndësishëm dhe pikërisht ndaj rezolutës së Konferencës së Bujanit, 31.12.1943 – 02.0l.1944, ku, ndër të tjera, theksohej: “Në Kosovë e Metohi, shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët që kanë dëshirue e dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë”.
Duke ndjekur nga afër platformën dhe veprimtarinë e Lëvizjes Irredentiste Antifashiste dhe peshën e Selman Rizës si udhëheqës politik i saj, komunistët jugosllavë, sidomos, u rrekën shumë që ta afronin dhe ta bënin për vete, për të arritur synimet e tyre. Ja si e informon Komiteti Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, më 31.01.1944, Pavle Javiçeviç, sekretar i Komitetit Krahinor të P.K. Jugosllave: “Lëvizja Irredentiste, është më pozitivja nga të gjitha rrymat e tjera, por për ne, më e rrezikshmja, sepse në krye të saj, është avokati Selman Riza, i cili nuk ka bashkëpunuar me pushtuesit…! Ne disa herë kemi mundësuar kontakte me të, por pa bereqet, ngase po i shtruam çështjet mbi bazën e ‘Kartës së Atlantikut’, nuk kemi mundësi të arrijmë gjë.
Ai është kundër bashkëpunimit me Luftën Nacionalçlirimtare Jugosllave dhe P.K. Jugosllave, dhe gjithashtu thotë se nuk dëshiron të lidhet as me PK Shqiptare dhe LNÇL të Shqipërisë. Ai dëshiron njëfarë pavarësie qysh sot, që Kosmeti të shkëputet nga Jugosllavia, megjithëkëtë qëndrim të tij dhe bisedim pa fryt, ne vazhdojmë të mbajmë lidhje me të, ngase ka ndikim të madh” (Arkivi i IRPS, nr. Regj. 4319). Siç pohon vetë Selman Riza, nuk kanë munguar as kërcënimet. Sipas tij, “Udhëheqësit shqiptarë të LNÇL të Kosovës, si Xhavit Nimani etj., e njoftojnë se LNÇL Jugosllave, do të luftonte si armike çdo organizatë jashtë saj, qoftë edhe sikur të luftonte në mënyrë konsekuente kundër okupatorit” (Arkivi i Ministrisë së Brendshme, “Dosje përpunimi” Tiranë, 07.12.1955, f. 16).
I burgosur nga dy regjime komuniste
Më 12.01.1945, vetëm disa ditë pas kthimit të tij në Shqipëri, përkatësisht më 12 dhjetor 1944, për t’iu shmangur rrezikut të xhelatëve titistë “si kosovar anti jugosllav”, burgoset nga forcat e Sigurimit të Shtetit Shqiptar, me urdhër të Koçi Xoxes, me kërkesën e jugosllavëve, të cilët e akuzuan si: “udhëheqës të Lëvizjes Irredentiste Antifashiste”. Pas tre vjetësh burg, pa u gjykuar, më 11 janar 1948, Selman Rizën ua dorëzuan autoriteteve jugosllave, që e mbajtën të burgosur në Prizren, më se tre vjet e gjysmë, deri në gusht 1951, përsëri pa u gjykuar. E internojnë në Sarajevë, përkohësisht i papunë. Në vitet 1952-1953, shërben si lektor i frëngjishtes në universitetin e këtij qyteti. Shquhet si një nga profesorët më të mirë në tërë trupën mësimore.
Në tetor 1954-1955, me interesimin e autoriteteve shkencore kosovare, shërbeu si punonjës shkencor dhe shef i seksionit gjuhësor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Selman Riza, iu rivu me sukses të plotë punës studimore, që e kishte filluar qysh në vitin 1944 me botimin në Tiranë, të veprës “Tri monografinë albanologjike”, ku me të dhëna e me ndihmesa të shumta vetjake, trajton probleme të rëndësishme të gjuhës letrare shqipe. Brenda 5 vjetësh, shkroi përveç disa artikujve edhe disa vepra të rëndësishme (“Gramatikë e serbo-kroatishtes”, 1952; “Fillimet e gjuhësisë shqiptare”, 1952; “Diftorët e shqipes dhe historiati i tyne”, 1953 etj.), me të cilat dha një ndihmesë të çmuar që studimet albanologjike të marrin një zhvillim të mbarë në Kosovë. Ja pse, gjuhëtarët kosovarë e vlerësuan Selman Rizën, si: “mbjellës i farës së albanologjisë në Kosovë” (Hilmi Agani, Besim Bokshi, Rexhep Ismajli, Parathënie, f. VII, Prof. Selman Riza, “Studime Albanistike”, “Rilindja”, Prishtinë, 1979).
Selman Riza, ndonëse edhe i kërcënuar, nuk pranoi të mohonte nënshtetësinë shqiptare, në këmbim të nënshtetësisë jugosllave. Si rrjedhim, organet e UDB-së më 12.12.1955, e rikthejnë në Shqipëri, si i padëshiruar nga regjimi i tyre. Në janar të vitit 1956, Selman Riza, emërohet punonjës shkencor në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë në Tiranë. Këtij emërimi, i prin letra që ish-ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i dërgon Enver Hoxhës, në të cilën, ndër të tjera, e informon se, nga hetimet që kanë bërë organet e Sigurimit, “arrijmë në konkluzionin se, Selman Riza është njeri me kulturë të lartë, i dhënë shumë pas studimeve shkencore, veçanërisht në fushën e gjuhësisë, është shovinist, luftëtar i rreptë kundër Jugosllavisë, e urren komunizmin, por gjatë luftës nuk rezulton të ketë punuar me okupacionin. Mendojmë të lejohet me banim në qytetin e Tiranës dhe t’i jepet mundësia të punojë në Institutin e Shkencave, siç ka deklaruar dhe kërkuar”.
Gjithnjë duke qenë punonjës shkencor në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, ai dha disa vjet radhazi, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, lëndën e Morfologjisë, një kurs special për gjuhën e autorëve të vjetër të shqipes, si dhe lëndën “Histori e gjuhës së shkruar shqipe”.
Ndihmesat kryesore në fusha të ndryshme të shkencës
Në një periudhë të shkurtër 11-vjeçare, 1956-1967, si punonjës shkencor dhe pedagog, Selman Riza, zhvilloi veprimtarinë shkencore më të gjerë e më të suksesshme, përfundimet e së cilës i siguruan një vend nderi në gjuhësinë shqiptare. Duke rrokur veprimtarinë shkencore të Selman Rizës, në tërësinë e saj, të bie në sy jo vetëm puna këmbëngulëse dhe kultura e gjerë, përkushtimi i jashtëzakonshëm shkencor dhe logjika e argumentimit, forca krijuese dhe origjinaliteti i spikatur, qëndrimi kritik e parimor, gjerësia e thellësia e të menduarit, mprehtësia dhe aftësia për të depërtuar në thellësinë e problemeve, por edhe shtrirja e interesave shkencore në shumë fusha të rëndësishme, siç janë gramatika, historia e gjuhës, gjuhësia e përgjithshme, tekstologjia, kritika gjuhësore, terminologjia, gjuha letrare etj. Por fushat kryesore, ku ka dhënë ndihmesat më të çmueshme dhe ka lënë gjurmë të pashlyera janë: 1. Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe dhe morfologjia historike e saj, 2. Gjuha e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë dhe arbëreshë.
Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë shkencore të Selman Rizës zë edhe studimi i gjuhës së shkrimtarëve tanë të vjetër shqiptarë dhe arbëreshë: Gjon Buzukut, Pjetër Budit, Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit, Lek Matrëngës.
Në gjithë veprimtarinë shkencore, Selman Riza është shquar edhe si gjuhëtar kritik. Shkolla shqiptare e kritikës shkencore, po të flitet për një të tillë te ne, pa dyshim fillon me Selman Rizën, si themelues i saj. Ai kritikon me ashpërsi të pashembullt diletantizmin, mediokritetin, përshkrimin e thjeshtë e të pa thelluar, konformizmin, vetëkënaqësinë e tepruar e të pambështetur në studimet për gjuhën shqipe. Në themel të kritikës së tij gjuhësore, qëndron zbulimi i së vërtetës shkencore.
Thirrja e Komitetit Partisë: “T’i pritet koka Selman Rizës”
Gjatë periudhës njëmbëdhjetëvjeçare, 1956-1967, Selman Riza nuk u shqua vetëm për veprimtarinë e tij aq të gjerë, të larmishme e të frytshme në fushën e shkencës dhe të kulturës. Ai u shqua po në atë shkallë edhe si njeri me karakter të pastër e të fortë, me guxim qytetar e ideale demokratike. Në çdo rrethanë, ai nuk hoqi dorë nga bindjet dhe qëndrimet e tij parimore, nga përpjekjet këmbëngulëse, për një shkencë e kulturë plotësisht të lirë e të pa politizuar.
Edhe në vitin 1967, kur në vendin tonë flitej me të madhe për të ashtuquajturin “Revolucioni kulturor kinez i 100 shkollave dhe i 100 luleve” dhe gjoja nxitej kritika e hapur dhe pa druajtje, Selman Riza, u tregua njeri me karakter. Qëndrimet e tij kritike, në opozitë me stilin dhe metodat thellësisht politike e klasore në Institut, ishin të hapta e të drejtpërdrejta, parimore dhe për të mirën e punës edhe në letrën e dërguar gazetës “Zëri i Popullit”, në fillim të vitit 1967. Në të ai kritikonte dobësitë e theksuara, që vëreheshin në punën e përditshme në Institut, shumë nga të cilat, përfshirë edhe ato për drejtuesit, ai i kishte shfaqur edhe më parë në mbledhjet e ndryshme në qendrën e punës, bashkë me mënyrën e zgjidhjes, por kurrë nuk ishin marrë parasysh.
Meqë gazeta nuk ia botoi letrën, Selman Riza, pati guximin dhe vendosmërinë që ta vendoste në “Këndin e fletë-rrufeve”, që ishte ngritur, sipas shembullit kinez, edhe në Institut, si kudo në vendin tonë. Por, përsëri, menjëherë dhe me forcë të llahtarshme, u shfaq atmosfera mbytëse për mendimin e lirë dhe të pavarur. Sipas shembullit kinez, vërshuan fletë-rrufetë, strumbullari i të cilave ishte fletë-rrufeja zyrtare, vënë e para me mbështetjen e sekretarit të Komitetit të Partisë së Rrethit, në të cilën u lëshua thirrja makabre: “T’i pritet koka Selman Rizës”, e zëvendësuar pas pak, me thirrjen “T’i çirret maska Selman Rizës”.
Po sipas shembullit kinez, u organizuan pa vonesë mbledhje “demaskuese” para kolektivit, në të vërtetë gjyqe politike inkuizicionale, që zgjatën dy ditë, deri në orët e vona të natës, të përgatitura në hollësi.Dy ishin konceptet kryesore që kishte guxuar të shprehte Selman Riza, me shkrim e me gojë, rreth të cilave u kërkua që; punonjësit e Institutit të shfaqnin “lirisht” mendimet:
- Nuk ishte e drejtë dhe e volitshme që, drejtuesit e institucioneve shtetërore, të visheshin me disa funksione zyrtare, madje edhe partie, duke qenë, si rregull, anëtarë të byrosë së organizatës-bazë të partisë, sepse qëndrimi i tyre në një dorë të vetme, siç ndodhte në të vërtetë edhe në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, dëmtonte punën dhe krijonte mundësi për shpërdorime. Për të njëjtat arsye, ai nuk e shikonte me vend që drejtuesit e organizatës-bazë të partisë, të zinin doemos edhe vende drejtuese në institucion.
- Filozofia marksiste nuk mund të zbatohej në gjuhësi. Në përfundimet që dha sekretari i Komitetit të Partisë të rrethit, njëherazi i deleguar i Komitetit Qendror të Partisë, si dhe drejtuesit shtetërorë e partiakë të Institutit, Selman Riza u godit, ndër të tjera, për “shfaqje të huaja e armiqësore dhe për pikëpamje të papranueshme”. Ndëshkimi nuk vonoi. Më 22.4.1967, e syrgjynosën në Berat, ku u detyrua të punonte ciceron në Muzeun lokal, dhe aty nga fundi, në Bibliotekën e qytetit. Pas një vetmie të rëndë, në kushte të vështira jetese dhe i mbikëqyrur si gjithmonë në çdo hap nga agjentura e Sigurimit të Shtetit, rikthehet si pensionist, pranë familjes në Tiranë.
Ndonëse në gjendje pune, me arritje të mëdha në fushën e shkencës, me gradat dhe titujt më të lartë shkencorë e pedagogjikë, nxituan ta nxirrnin në pension jo të plotë dhe ia mbyllën të gjitha rrugët, për veprimtari shkencore e pedagogjike. Punimet e përgatitura për botim, u lanë në harresë, si vepra të ndaluara. Nuk u lejua të merrte pjesë në asnjë kuvend a tubim shkencor, brenda e jashtë vendit, madje as në Kongresin e Drejtshkrimit (Tiranë, 20-25 nëntor 1972), ku do të mund të jepte, si gjithmonë, ndihmesat e tij të çmuara.
Me gjithë vështirësitë dhe pengesat që iu krijuan, vuajtjet e përndjekjet që s’iu ndanë gjatë gjithë jetës, vetminë e plotë, moshën e thyer dhe sëmundjet, Selman Riza, nuk e ndërpreu veprimtarinë krijuese dhe nuk hoqi dorë nga bindjet dhe qëndrimet e tij parimore, nga idealet demokratike dhe atdhetare, çka të bën ta duash, ta çmosh e nderosh edhe më shumë.
Pas një veprimtarie më se 50-vjeçare, tejet të lodhshme, të dendur e me peshë të madhe për të ndriçuar çështje nga më të rëndësishmet e më të vështirat të gjuhës shqipe dhe të gjuhësisë së përgjithshme, por edhe si atdhetar, sidomos për lirinë e Kosovës dhe bashkimin mbarëkombëtar të shqiptarëve, Selman Riza, u nda përgjithmonë prej nesh, më 16.12.1988. Vdekja u dha fund vuajtjeve të tij fizike e shpirtërore dhe njëherazi përndjekjeve që e shoqëruan gjatë gjithë jetës.
Vazhdimisht “nën kontrollin agjentural”
Që të kuptohet dhe të vlerësohet drejt jeta dhe vepra e profesorit tonë të nderuar, rrethanat tejet të vështira në të cilat ka jetuar e punuar, po ndalemi, sadopak, edhe në përndjekjet që i janë bërë nga organet e Sigurimit të Shtetit, kryesisht në periudhën pas rikthimit në Shqipëri nga Jugosllavia, përkatësisht që nga 12 dhjetori i vitit 1955. Për periudhën 1945-1948, kur ai mbahej i burgosur në Tiranë, nuk kemi mundur të gjejmë materiale për ndonjë veprimtari nga agjentura e Sigurimit të Shtetit. Ndërkaq, për periudhën e pushtimit fashist, duke u mbështetur në dokumentacionin që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, përndjekjet ndaj tij janë pasqyruar për aq sa kemi mundur dhe e lejojnë caqet e këtij shkrimi.
Përndjekjet e para, të dokumentuara, i gjejmë pa kaluar mirë java pranë familjes së tij. Qysh më 20.12.1955, kryetari i Degës së II-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme, nënkolonel P. Sh., kërkon zyrtarisht që, Selman Riza, “element mjaft i dyshimtë, duhet të mbahet nën kontroll agjentural” (Dosje përpunimi, më tej Dp, 20.12.1955, f.9).
Pa dyshim këto përndjekje, me kalimin e kohës bëhen më të studiuara, më të sofistikuara, me forma e mjete të larmishme, sidomos pas datës 22.04.1957, kur nënkolonel Feçor Shehu, (në ato kohë drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, në Ministrinë e Punëve të Brendshme), miraton të mbahej një “Dosje përpunimi” për prof. Selman Rizën dhe të regjistrohej në kartotekë, si element kundërshtar në kategorinë 2/B, me qëllim që: “Agjentura të drejtohet për të vërtetuar e zbuluar çdo aktivitet të tij armiqësor, meqenëse është element me shumë flamurë dhe që ka dyshime të mëdha që, jo vetëm mund të jetë agjent i mundshëm i zbulimit jugosllav, i rekrutuar gjatë kohës që ishte i burgosur, por që mund të jetë edhe i zbulimeve të tjera, italiane e franceze” (Dp, f. 31 – 32).
Sikurse raportojnë oficerët e Sigurimit, punëtorët operativë përkatës (më tej, P.Op.), tani përpjekjet “janë drejtuar nga agjenturë e mirë dhe e kualifikuar” (P.Op., kapiten M. Ç., D.P.B., Tiranë 2.2. 1961), e cila, shpesh, e ka ndjekur këmba-këmbës, gjatë gjithë ditës, “nga ora 6-22” (P.Op., toger, K. N., D.P.B. Tiranë, 3.11.1959), madje ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, me qëllim që: “nga të gjashta shtëpitë që rrethojnë shtëpinë e të përmendurit, si majtas edhe djathtas, të mund të shikohet shtëpia e tij, se nga kush frekuentohet dhe kush hyn e del” (P.Op., nëntoger H. Ç., Tiranë, 5.8.1957). Jo vetëm kaq, por, ndër të tjera, është kërkuar që “të vihet në kontroll korrespondenca e tij jashtë dhe brenda vendit, dhe të studiohet mundësia e përgjimit me anën e T.O. – si në shtëpi ashtu dhe në qendrën e punës”, madje, edhe “në hotelin ku fle” (P.Op., B. L., Berat, 9. 6. 1967, f. 70 dhe f, 71, 2.6.1969).
E pra, me gjithë përpjekje të tilla kaq intensive dhe plot zell, me forma e mjete nga më të ndryshmet dhe për një kohë të gjatë mbi 30-vjeçare, kryer nga një agjenturë e përzgjedhur, që i shtriu tentakulat e saj, kudo që punoi e jetoi Selman Riza, edhe brenda sektorit të tij të gjuhës pranë Institutit, duke marrë në hetim edhe mjaft dëshmitarë nga rrethi familjar e shoqëror, pa dallim gjinie e moshe dhe të çdo detyre e përgjegjësie, partie a shtetërore, civile a ushtarake, në asnjë rast nuk ka qenë e mundur të zbulohet e vërtetohet, përveç vlerësimeve dashamirëse, ndonjë veprimtari armiqësore si agjent i mundshëm i zbulimit jugosllav a i zbulimeve të tjera, italiane a franceze.
Dhe këtë, e pohon vetë agjentura e Sigurimit të Shtetit në raporte, relacione e materiale të tjera gjegjëse. E gjejmë të pohuar që; më 02.02.1961, nga po kapiten M.Ç. dhe të miratuar nga kryetari i Degës së I-rë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit kol. Z.S. Sipas tyre, “Selman Rizës, deri më sot nuk i është konstatuar ndonjë aktivitet qoftë edhe i vogël kundër pushtetit, është person shumë i mbyllur në shoqëri dhe i dhënë shumë pas punës (profesionit), (Dosja Operative, Tiranë).
Gjykime e pohime të tilla ,i ndeshim edhe në vijim në materiale të agjenturës pranë Drejtorisë së P. të Brendshme të Tiranës (P.Op. B.D., Tiranë, 19.05.1967, f. 67) të Degës së Punëve të brendshme të Beratit (Po B.L. dhe Zv.Kryetari i Degës së P. të Brendshme, K.H., Berat, 02.12.l969, f. 72) dhe, më në fund, edhe në “Vendimin për arkivimin e Dosjes 2/B, me nr. 2282, në ngarkim të Selman Rizës”, përgatitur nga P.Op., B.Z. dhe shefi i seksionit K.H., miratuar nga zv. drejtori i P. të Brendshme të Tiranës, P.K., më 22.02.l989, vetëm dy muaj pas vdekjes së prof. Selman Rizës. Në të, ndër të tjera, vihet në dukje se: “Gjatë kohës që është mbajtur në kontroll operativ 2/B, në drejtim të tij, nuk kanë dalë materiale me rëndësi deri sa doli në pension” (Dosja Operative, f. 85).
Pa dyshim që, nuk mund të ndodhte ndryshe: Prof. Dr. Selman Riza ishte dhe mbetet përgjithmonë gjuhëtar dhe atdhetar i shquar.
Sa qe gjallë, nuk u bë asnjë shkrim vlerësues për Selman Rizën, as si gjuhëtar, pale si atdhetar. Regjimi komunist, u përpoq t’ia shuajë emrin dhe ta varrosë përgjithmonë jetën dhe veprën e të pavdekshmit Selman Riza. Regjimi demokratik, e zhvarrosi dhe e ngriti në piedestal, që ai me jetën dhe veprën e tij, të vijojë edhe më tej, t’i shërbejë shkencës dhe kulturës shqiptare. Dhe sa më shumë shkon koha, aq më shumë rritet vlera e veprës së tij, aq më tepër do t’i drejtohen e do t’i jenë mirënjohës studiuesit, sot e në të ardhmen. Memorie.al