• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, June 7, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Me një kënaqësi kanibaleske, ushtarët qëllonin mbi çdo të dënuar dhe iu gëzoheshin dekoratave, fletëve të nderit dhe lejes 15-ditore, që i aplikonin si stimul komanda…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik

“Policët që na sollën në Reps, i’ hipën auto-burgut dhe na përshëndetën në mënyrën më të kobshme; Zi e ma zi, mos e qitçit ma kryet dhe lënçit ashta e lëkurë, njitu…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të dënuarit politik
“Policët që na sollën në Reps, i’ hipën auto-burgut dhe na përshëndetën në mënyrën më të kobshme; Zi e ma zi, mos e qitçit ma kryet dhe lënçit ashta e lëkurë, njitu…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të dënuarit politik
“Ju tregoj misterin e vdekjes në burg të Ali Menës, një nga intelektualët më të spikatur nacionalist, që u jepte mësime anglishte bashkëvuajtësve dhe…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik
“Në ’82-in në Spaç, më kërkuan të shkoja te zyra Operativit dhe u befasova, se bashkë me të, ishte dhe shoku im i fëmijërisë, Kujtimi nga Durrësi, i cili…”/ Dëshmia e rrallë, e ish-oficerit të Marinës
“Halim Xhelo më tha; kjo që bëhet në Shqipëri, ndodh vetëm me zezakët në SHBA-ës. Më vrisni, varmëni, ashtu siç keni varur të tjerët, dhe thoni se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-gardianit
Memorie.al

Nga Shkëlqim Abazi

Pjesa e pesëdhjetetre

Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetë vjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

                Autori

        SHKËLQIM ABAZI

                                                              Vijon nga numri kaluar

                                                                      R E P S I

                                                       (Kampi i punës së detyruar)

                                                                 Memuaristikë

        Takimi i parë

 (Varka e mbytur në stere)

Pa po, i mbyllnë dhe sinoret me junanin! E t’iu çuan me bejlerë dhe agallarë, e zër e vrit dhe kap e pritë, e çuan gjaknë gjer në gju të kalit! Në fillim neve s’na nganë, vërtetë më mornë nja dy tufa, ama më lanë të tjerat! Unë gjene çelik se çelik mbeçë; kisha bagëti më shumë se gjitonët. Por nuku zgjati shumë kjo mesele, se na duallnë ca vllako nga tanët, pa plangë e pa prokopi, tipa batakçinjë dhe qelepirxhinjë e, të na propozojnë të bashkonin bagëtinë. Do na kthenin në kooperativa blektorale, po ata vetë ama, s’të kishin asnjë bisht dele të zgjebosur, për të dorëzuar, domethënë dolën bedel në emrin tënë. Këtu nisi e tatëpjeta ime, xhano!

Po gjene unë s’u dorëzova, se kisha ca miq të fortë atje lartë, që në fillim më qenë gjendur. Ata, gjatë Luftës kishin ngrënë e pirë në stanet e mia, më prapa sa herë donin ndonjë sheleg, dërgonin njeri dhe ua nepja. Kështu që ta ngas llafnë, vura qylafnë e ri, shajaknë e doraknë dhe dreq e në Tiranë; pyet këtejza e pyet andejza, ua gjeta limernë. Ishin gjeneralë me tuja ata, or djalkë, e khenin ujët havadan! Njëri për ushtrinë, Petrit Dumja dhe tjetri për xhandarmërinë, Nevzat Haznedari. Do ti, po, t’i kishim edhe nga anët tëna! I kisha pritur dhe përcjellë si djemtë mi!

Kështu, i poqa dhe u qava hallë. Ata më dëgjuan, po më këshilluan të dorëzonja tufat, se helbete nashti, na u përgjigjka Partia për të gjitha dhe duhej të mundonesha për të siguruar kullotë e zahire, jo për dimër, jo për behar. “Or t’u mbylltë,- më këshilluan, – po shtyj mo, rehat, vitet e pleqërisë”! “Po ç’është kjo hata bre, ku rronjë dot unë pa dhënë?! Lanet qofshi,  u dhaçë për vetulla, më nxuarrtë sytë”! – ua ktheva. Kur e kuptuaç, se s’kish më shpresë, iu shfryva edhe njëherë ‘jazëk’ e, t’u kthyeç në Kolonjë, te të mitë.

Më gjeti si ai prifti i përrallës që hedh valle nga belaja; hajd thashë, po dorëzojë dy tufa dhe mbaj njërën. Kështu bëra, po edhe djemtë dhe nipërit, i paçë kundra, më këshilluan t’i dorëzoja të gjitha ose, t’i shisja dhe linim fshanë. Po ku e lija dot vatanë unë, bre! Isha si ai kërcuri me gdhënçka që zë vend e s’luan më! Unë e kisha nisur jallanen me dhentë dhe doja ta byllja me to! Po t’i kisha dëgjuar, mbase sot do isha me plakën, po ku ha kërçelja pyka, o të keqen Miçua!

Kështu, mora më qafë veten, djemtë e nipërit. Jemi nja dhjetë Marko në burg sot, medemek armiq të rrezikshëm të Partisë dhe popullit që, gjasme paskërkemi dashur të përmbyskemi pushtenë dhe të prukemi greknë këtuzë! Edhe kush pa! Ne, çobenët që s’dimë as shkrim, as këndim, me ca çamër pa poture, të Teme Sejkos! O Jezu Krisht! Ç’janë këto mysybete për ibret!? Për atë Perëndi, në paça njohur ndonjë nga çamët, as surranë ua kisha arë, as au kisha dëgjuar nomnë, para se të na sillnin këtuzë.

Po jezitët që më hëngrën bukën dhe më përmbysnë kupën, e kishin mirë sallatën përshesh, e kishin ngatërruar aq keq lëmshin, sa s’ja gjeje dot fillnë. Ama, i kishin bërë hesapet sagllam ata! Edhe bagëtitë m’i konfiskonin pa asnjë napolonkë, edhe djemtë e nipërit m’i fusnin në burgje, të ndërtonin fambrika pa para. Pa, po edhe vllakove, iu fusnin dërrmën keq; ‘kur futnë çeliknë, jo më ne që ça jemi’! Një ditë pazari, në të hyrë të Korçës, më vunë byzylyqet e, të më çuan në hapsanë. Ma kish ngritur kurthë, ai korroziu që e kisha mbajtur me bukë dhe jajak, si djalnë tim.

Pa po, pyet e bot, na griu me dajak, bre! – ‘Ah Nevzatkë të vraftë Zoti, ma nxive paçavuren, ma bëre katran’! – e mallkova me shpirt. – ‘Miço, vet e krruajte, mbaje nashti! Ç’tu desh politika’? – dhe bamb huri. – ‘Ku di pulitikë unë, o i paudhë’?! – u mbrojta. – ‘Di tinë, di’! – dhe gjene huri. Pas ca muajësh, si na bashkoi nja njëzet krerë, dreq e ne kadiu. Pa të mblodhnë atje tërë nahijen, s’lanë kuç e maç pa prurë dhe të hapnë llafnë, se medemek po dënonin një grup të rrezikshëm armiqësor, që s’kishin lënë gur e kusur bashkë. Kështu o bir, pa bërë gjë prej gjëje, na shpunë në gjykat’hane, të rrethuar nga një tufë zaptije e civilë, që na ruanin si qentë tufën.

Pa t’na u ngrinë prokurori, me ca çirakë të tij e, s’lanë mender pa nxjerrë! Njëri bot e tjetri kot, flisnin çapraz or tungjatjeta, pa lidhje fare. Po do tinë, pa të më kishin vënë edhe në krye të grupit mua! Epo, të më numëruan njëqindenjë mysybete dhe më cysnin: ‘ç’ke për të thënë’? Po ç’të theshja, bre? Ato që më kapnë veshët atyza, në atë mexhlis burrash, s’më kishin shkuar as ndër mend, as ndë fiqir, jo më t’i bënja! Por meqë s’para po i kuptoja mirë çpo theshnin, e ndërpreva prokurornë: – ‘Or prokuror, pa shiko mo, se si lartë e ke ngritur pazarnë! Avash bre, avash, me këtë të madh revan që ke marrë zotrote, kështu pa fre dhe yzengji, do thyeçë qafën’!

– ‘Pusho kriminel, armik, i poshtër! Qafnë e theve tinë, bashkë me këtë skotë tradhtarësh që ke me vete’! – më kërcënoi ai. – ‘Pse bre, syleshë na pandeve zotërote, t’na e hedhën neve? Jo bre, jo, s’na bën dot për qorra tinë! Partia jonë syshqiponjë, nëpërmjet Sigurimit të Shtetit, ju mbante nën vëzhgim, ju survejonte parreshtur dhe ndiqte ç’do takim e bisedë tuajën, me armiqtë e jashtëm e të brendshëm’! – ‘Po ku i paskemi bërë gjithë këto, bre’?! – ‘Në mal mo, kur delnit me dhentë e shvendoseshit kullotë më kullotë, tkoheshit më grekërit’?

– ‘Unë me grekët’!? – e ndërpreva i çuditur. – ‘Ti bre, me tërë këta të tjerët! Pa po, iu jepnit edhe informacione sekrete vendndodhjen e reparteve ushtarake, për forcat tona të armatosura, fortifikimet tona, për magazinat e kooperativave bujqësore, për…’! – ‘Ore prokuror, ç’po çaprashit ashtu, mo? Mblidhi dhitë bre, ce të janë shpërndarë rripave’! – e ndërpreva i shastisur nga ato që po dëgjoja. Mandej ktheva kokën, pashë edhe njëherë ata që ishin ulur në bankë mua. Veç ca çobenëve vllehë, që njihnin vetëm dhëntë, edhe ca qyqarë, që pa kuptuar gjë prej gjëje, gojë hapur ndiqnin ato që fliteshin aty, s’dallova tjetër. Të habitur nga të papriturat që po iu plasnin mbi shpinë, prisnin me ankth fundin.

– ‘A pika tynë, me gjithë zaptiet e tu’! – ju shkreha prokurorit. – ‘Po ato që akuzon zotërote, s’duan kallauz more, shihen me sy që nga maja e Limozit, bre’! – ‘Duken, or duken, po hartat sekrete ua ke dhënë tinë, ama’! – ‘Unë’? Po unë s’di gramë, or qyq? Veç krrabës dhe shtrungës, as që di gjëkafshë tjetër’! – ‘Di tinë, di, po ashtu hiqesh! Po për ata diversantët dhe andartët grekë, i strehoje në stan, dije ti? Po ata qentë që i’u turreshin ushtarëve tanë, dilnin nga kullotat tuaja dhe iu tundin bishtin tradhtarëve, kush ësonte, unë? Po ato çobankat e tua, që s’na kthenin asnjë llaf shqip, me grekët llafoseshin grekçe, kush na i paska mësuar, unë? Po ata lamaqtë që zinin shtigjet dhe sa shihnin një prej nesh, vinin te zotërote; lajmëronin që të fshihje radion marrëse-dhënëse, unë i mësova?! Po letrat që ke këmbyer si korrier me Asfalinë, kush i ka bërë, unë’?

– ‘Ç’po llafos, bre? Unë në stanet e mia, kam pritur dhe përcjellë ç’do njeri, pa e pyetur kush ishte. I kam ujdisur dhe i kam sajdisur sipas sërës, si tynë të kam pritur! Ce bre, unë i paskam mësuar qentë t’iu lehin të panjohurve, po qentë për këtë i ushqejmë, bre! Ce bre, unë i paskam mësuar gratë të mos iu kthejnë llaf të huajve, po ato s’dinë asnjë fjalë shqip, veç vllehçes që u ka mësuar e ëma dhe grekçes që kanë mësuar në shkollë! Ku njoh unë bre, radio marrëse-dhënëse? Veç kërrabës, gavetës, kazanëve dhe bidonave të qumështit, s’njoh alet tjetër! Or, po si paskam par dhe marrë karta unë, kur s’di as shkrim as këndim!? Si mo, m’i ngjite tër këto palavira, o t’u ngjitshin këpushët’?!

‘Di tinë, di, po ashtu bën të na i hedhësh neve’? – ‘Ah mo prokuror, lënçë leshtë në këtë mera, po na more më qafë, bre?! Kështu si po çaprashit zotrote s’dihet ku dalim, po zbrit bre, ulu në tokë e flasim si burri me burrnë’! – ‘Me tynë dhe këta kriminelët e tu, do flasë vetëm me gjuhën e ligjit! Do t’ju shpije të tërëve në plumb dhe në litar’! – kërcënoi ai sërish. – ‘Ce mo, ç’paskemi bërë ne? Po ne barinj të thjeshtë, jemi bre’! – ‘Ç’donit të bënit më shumë, keni shitur interesat e Atdheut te greku, keni bashkëpunuar me armiqtë, keni dekonspiruar vend-mbrojtjet; me një llaf, keni bërë tradhëti të lartë ndaj Partisë dhe popullit shqiptar’! – ‘E kush na i faktoka, tërë këto paudhësira’?

– ‘Janë një varg dëshmitarësh, që e pohojnë krimin tuaj’! – dhe thirri me radhë, nja njëzet-tridhjetë vetë, çobenë e çamë e tjerë të panjohur, pa, po ngriti në këmbë edhe ca qyqarë, që gjindeshin me ne në bangon e sallës dhe t’i urdhëroj të përsëritnin ato që kish thënë vet ai më parë. Shahitët, duket këndonin avazin që u kishin mësuar, ca serbes si këndezët majë plehut, ca me belbëzima, si foshnjet kur fillojnë të flasin. – ‘Pse ore, këta edepsëzët besoke tinë’! – ua ndërpreva llafnë shahitëve, i inatosur në kulm. – ‘Po, këta me spiunllëqe e kanë shtyrë gjithë jetën, bre’! – dhe pështyta drejt jallanë-shahitëve. Pështymat dhe llafet e mia, e bënë të shkumonte. Kaq deshi ai dhe mori zjarrë. Dhe nxorri e ç’nuk nxorri, dokrra pa lidhje. Jo, po bjeri gozhdës, jo, po bjeri patkoit e, kur vamë mbanë, më dënuan me vdekje. Pranova unë, s’pranova unë, ma kishin prerë kostumnë”.

Në këtë pikë të rrëfimit, plaku heshti. Shkundi mbi dërrasën e shkallares llullën dhe si e mbushi sërish, e ndezi me çakmakun prej gëzhoje, e thithi dhe shfryu disa herë, mandej vazhdoi:

– “Po s’qe e thënë të më vrisnin, or birkë, se ashtu do qe mbyllur kjo mesele! Fundja, do kisha shpëtuar njëherë e mirë, me vetë, me ata që po rrobëtohen pas meje! Ma kthyen dënimnë njëzetepesë, kam bërë tetë, kam edhe shtatëmbëdhjetë! Po se gomari, se i zoti, Perëndia e di fundin! Kështu o bir, ti tregova që t’i dish, se elbete po bën shkollë e, do flasësh një ditë! Mbase ke kismet të dalësh i gjallë, se je gjene i ri; pa ne të tjerët”! – thithi çibukun, shfryu tymin që i rrotullohej rreth kokës së thinjur, e shfreu:

– “Ehu-uu, këtuzë, në këtë drizë kemi për ta lënë leshtë”! – pastaj heshti, i fshehur pas resë së dendur të tymit. Gjatë tërë kohës që fliste, mbushte çibukun, e thithte me eks, kur mbaronte e përplaste dhe e shkundëte te dërrasa e shkallares dhe e nbushte sërish e sërish. S’i numërova dot sa mbushi dhe zbrazi, po i përhumbur, kqyrja tymin e zbadhëllemë që i mpleksej me flokët e thinjur, duke përvijuar rreth kokës një gjeratore si aureolë shenjtori.

– “Xha Miço, më vjen keq për hatanë që ju paska rënë mbi krye”! – u reka ta ngushëlloja. – “Ç’të bëjmë or bir, ja dha drurit e blumoi, ja dha gurit e coptoi, ja dha robit e duroi! Ky paska qenë kismeti ynë! Do Zoti, mbase në dynjanë tjetër, do ketë edhe për ne selamet”! – e mbylli plaku dhe shkundi sakaq çibukun. Xha Miçua ishte i veçantë; plak mjaft inteligjent, si me thënë një siamez i xha Esherefit, veçse ndryshonin në dialekt, njëri lëvronte dibrançen e larmishme, tjetri shprehte përsosmërinë figurative, të frashërllinjve të famshëm.

Vetëm për të dëgjuar këto xhevaire të gurrës popullore, ia vlente ta provokoje xha Miçon. Rrallë më ka pjekur rasti, të has në jetë tipa me shprehi kaq elekuente. U ndjeva me të vërtetë i përkëdhelur i fatit, shansi më përplasi nga shkolla popullore veriore, në shkollën jugore. Kështu e shtyta në këtë kapanon, ku rezidencova për gati katër muaj, deri sa një ditë vjeshte, më nisën “turist” për trajnim më të avancuar, në burgun e Burrelit. Gjatë periudhës që jetova në kapanonin e “rrozhgove” pranë këtij plaku inteligjent, përfitova shumë; së pari m’u dha shansi të pasuroja fjalorin me shprehjet më tipike të zonës Korçë-Kolonjë-Leskovik-Përmet. Por nëpërmjet miqësisë me plakun, pata edhe një përfitim të dytë; tërhoqa dashamirësinë e grupit të çobenëve, kryetar i pashpallur i të cilit, konsiderohej xha Miçoja.

Mbasi sistemimit atje, edhe brigadjeri korrozi, ciniku Nasho Gërxho, si dhe disa vllehë negativë, s’më provokuan si më parë. Ndoshta ndikimi i çelikut, ish i padiskutueshëm edhe në burg, ku iu mungonin delet! Ata i ulën tonet dhe më pas, i ndërprenë fare sulmet ndaj meje. Mund të them pa e tepruar, se m’u krijua një mjedis paqësor për kushtet e burgut, madje një pjesë e tyre, më ndihmonin në mbarëvajtjen në mësime. Por në rezidencën e “rrozhgove”, gjeta gjuhën e mirëkuptimit edhe me gjitonët e tjerë, krijova afirmitet dhe shkuarje të mirë e mjaftë korrekte. Falë mirëkuptimit të tyre dhe mirësjelljes sime, do gëzoja mbështetjen e pothuaj gjithë klerikëve, pavarësisht nga fetë që përfaqësonin.

Më vonë kur do më largonin nga Repsi, qoftë në Burrel, qoftë në Spaç, do t’i shijoja frutet e kësaj përkrahjeje. Sidomos kulmin e hairin ja kam ndjerë mbas viteve nëntëdhjetë, kur xha Miçua dhe mjaftë pleqë të tjerë s’rronin më, po feja u legjitimua, emri iu reabilitua dhe idealet e tyre po viheshin në jetë. Por ndoshta, kjo do jetë lëndë për një temë të veçantë, në një kapitull më vete.

Vdekja e parë

(O Zot! Atje të këpusnin në kryqe, me një levë hekuri!)

Atje ku jeta s’ngjizet, ekzistenca shuhet! Në ndryshim nga tërë ambientet natyrorë, ku frymojnë qenie të gjalla, në burgje e kampe nuk ngjizej jetë, po vetëm vdekje. Ajo të bashkëshoqëronte njëzet e katër orë non stop, me javë, me muaj, me vite, me dekada. Gati-gati të ngjitej pas kurrizit e, s’të shqitej më, deri sa vinte një moment e mësoheshe me atë barrë, si me peshën e një setre të vjetër; s’ndjeje më as frikë, as tmerr, përkundrazi e dëshiroje, e ftoje të të rrëmbente sa më parë në mbretërinë e saj, si një mënyrë shpëtimi nga hallet e kësaj bote.

Porse ajo, edhe kur të dëgjonte, s’vinte vetiu si rrjedhojë e shkaqeve natyrale, si fundi i pritshëm për çdo gjallesë, po stimulohej, shtyhej, shkaktohej. Ndonëse ustallarët e Sigurimit rrekeshin ta minimizonin numrin, gjithsesi vdekjet ndodhnin me shumicë, siç ishin me shumicë edhe shkaqet që e shkaktonin. Me gjithë manipulimet shkresore, për të fshehur arsyet e vërteta të humbjes së jetës, që i paraqisnin rastet si fenomene normalë, jo përherë ia mbërrinin të fshihnin realitetin. Ato mbeteshin të diskutueshme në veçantinë, format dhe pasojat. Lajmet nga “Mbretëria e Hadit” s’para ja mbërrinin të çanin portën që’ ruante “Cerberi”, gjithsesi tinëz ia dilnin të depërtonin muret e memecërisë dhe shurdhërinë e regjimit, kapërcenin gjerdhet me tela gjembaçë e merrnin dhenë.

Në proces-verbale, mjeshtërit rendisnin arsyet dhe mandej sipas rastit, i ndanin në: vdekje natyrale, aksidentale, vetëvrasje, etj. Në të parën klasifikonin: vdekjet për shkak të moshës që ndodhte kur një individ i lodhur nga rruga e gjatë, i shkallmuar dhe dërrmuar nga sëmundjet e fituara ndër vite, shuhej avash-avash, si kandili kur i soset vaji. Po këtu gruponin edhe sëmundjet e pashërueshme, si infarktet e miokardit, kanceret e avancuar, etj., që komanda pretendonte se kish bërë gjithë ç’mundej, për të shpëtuar fatkeqin por, edhe pse nën kujdesin spitalor, qyqari s’kish gjetur derman.

Në këso rastesh, bashkëvuajtësit që i dinin më mirë se kushdo shkaqet e vërteta, e ndjenin humbjen më thellë e, me zor gjenin fjalë të ngushëllonin të afërmit dhe miqtë, kur kish të tillë në burg apo, edhe familjarët jashtë, nëse do gjenin rastin. Me kaq, për fatziun mbyllej defteri, historia e tij futej në analet e harresës, groposej diku skërkave dhe ngulej në kujtesën e bashkëvuajtësve, si gjithë të tjerët që për të njëjtat shkaqe, shuheshin në mengenenë e diktaturës. Çështja komplikohej disi kur vinte radha të ndanin vdekjet natyrale nga të veçantat, ngaqë brenda këtij grupimi, fshihnin shpesh rastet e vakive për mungesë mjekimi, apo nga mjekimi i pakujdesshëm.

Kish ndodhur, qoftë edhe nga një toksikim banal, nga apendesiti apo një ngatërrim zorrësh, fatziu të binte në gjendje shoku dhe, edhe pse mund ta çonin në klinikë, të kish përfunduar kufomë me kohë. Por kish bërë vaki në mjaft raste, kur një person që kish nevojë për ndihmë s’ia ofronin fare apo, më keq ende, i jepnin ilaçe të skaduara apo të ndryshme nga ato që nevojiteshin për sëmundjen nga vuante dhe për pasojë, në zend që t’a rikthenin të shëruar, e nisnin drejt morgut! Këto raste, s’i pasqyronin askurrkund. Edhe vdekjet aksidentale në punë, i përfshinin në këtë grupim.

Pothuaj gjithë aksidentet ndodhnin për mungesë të kushteve në punë, ndonëse ata çirreshin për rregulla sigurimi teknik që, s’i plotësuan ndonjëherë. Nëpër letra, çdo detaj e kishin kopsitur, ndërsa në terren rezultonte krejt e kundërta, mungonte çdo mjet për sigurinë e jetës. Shtohu këtyre edhe dhunën psikike e fizike që ushtonin ndaj të dënuarve autoritetet e kampit, për t’i detyruar përdhunshëm të punonin edhe atje ku s’kish asnjë garanci; kjo përbënte një shkak më tepër në shtimin e numrit të aksidenteve. Me forma të ndryshme presioni, nën ankthin e të panjohurës që të priste nëse s’arrije të kapje normën, shumë fatzinj lanë eshtrat nën masivet e gurëve dhe tonelatat e dherave, sidomos në vrimat e Spaçit.

Po këtu, renditeshin edhe vdekjet e dhunshme që ndonëse shkak ishin mënyrat e kamufluara, përherë mjeti primar mbetej dhuna. Kjo mund të ishte edhe fizike, edhe psikike. Këtë gërshetim dhune, e aplikonin sidomos gjatë proceseve hetimore, ku të arrestuarve iu kërkonin të pohonin krime të pabëra, fjalë të pathëna asnjëherë apo, të depononin për individë, shpesh edhe të panjohur që të zmadhonin grupet, për të zgjeruar rrethin e bashkëfajtorëve në krim, që mandej të bënin skupe mediatike, me gjyqe publikë.

Për të rrëmbyer pohimin, nisnin dajakun. Mbasi e rrihnin shtazërisht, deri në humbje ndjenjash, në fund kujtoheshin ta verifikonin, nëse fatziu merrte ende frymë, po kur e kuptonin se iu kish mbetur në dorë dhe kishin shtuar viktimën e radhës, përpilonin një proces-verbal, gjoja se kish pësuar atak kardiak. Me këtë justifikonin krimin, po më shumë bënin adetin dhe mbyllnin meselenë, për të vazhduar kësisoj, me të tjera e të tjera. Këtë metodë e praktikonin shpesh edhe në kampe. Por në këso rastesh, jo për të marr pohime, po thjeshtë për t’i ulur hundën ndonjë “kokë shkëmbi”, që i “tekej” t’iu dilte skiç dhe mund të bëhej shkas të injektonte edhe te të tjerët, kokëfortësinë e tij.

Atëherë hynte në valle skuadra ndëshkimore që ish mbushur me ca sadistë të pashpirt. E rrëmbenin hundaçin si skifteri pëllumbin, e zhvishnin dadac dhe ashtu lakuriq, e shtrinin sipër një banke druri, ku mbasi e lidhnin paq me litarë, i hynin në hu. Dyer dhe dritare i linin apostafat hapur, që britmat e qyqarit të përndaheshin tej e ndanë hapësirës së kampit. Ulërimat merrnin tatëpjetë luginës së Fanit dhe të përpjetën e shpateve të Oroshit, deri sa shuheshin. Kështu hundaçit i jepej një mësim shembullor, po edhe të tjerëve iu futej terrori deri në inde. Mirëpo ndodhte që i ndëshkuari të qëllonte nga ata “kokëkrisurit”, që s’ishin të paktë në burgje, t’i kundërpërgjigjej dhunës së shtuar me reagim maksimal, dhe vallja e dajakut zgjaste e zgjaste, deri në ekstrem. Kur atij i binte zali, ndëshkuesit e ndalnin yryshin, po tashmë ishte shumë vonë… fatziu kish përfunduar kufomë!

Atëherë sajonin shpejt e shpejt një diagnozë çfarëdo, me kushtin e vetëm, që të përfshihej në grupin e sëmundjeve pa shërim, për të mbyllur proces-verbalin. Por ndodhte edhe më keq; dikë që e kishin piketuar për ta eliminuar, për një mori arsyesh që gjithsesi të gjitha konvergonin me politikën; sajonin skena horrori tejet ordinere, ku viktimën e priste i njëjti fund, vdekja! Po tashmë me dinjitet të sfumuar. I piketuari eliminohej mizorisht, nga bashkëvuajtësi i vet. Kjo metodë djallëzore që e përsosën deri në perfeksion, linte pas një vazhdë të pafund hakmarrjesh.

Ishte ndër format më të preferuara të Sigurimit. Kështu edhe mishi piqej, edhe helli s’digjej; pra, kundërshtari politik zhdukej dhe hasmëria mbetej e hapur, si grykë kuçedre e panginjur me gjak. Vdekjet mbi telat me gjemba të rrethimit, nga pushka e rojeve, ishte një mënyrë tjetër e dhunshme. Tashmë, këtë metodë demode, e praktikonin rast pas rasti kundër personave të panënshtruar, që i konsideronin mjaftë të rrezikshëm, jo më për shoqërinë e lirë, po edhe për mjedisin e atyshëm.

E nisnin fat kobin për punë, posaçërisht pranë telave të rrethimit dhe atje ushtari pa dhënë asnjë sinjal, shtinte mbi viktimën. Ata qëllonin me kënaqësi kanibaleske mbi çdo të dënuar, pa i brerë ndërgjegjja aspak, iu gëzoheshin dekoratave, fletëve të nderit dhe lejes pesëmbëdhjetë ditore, që i aplikonin si stimul komanda. Memorie.al

                                                               Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari Historik 10 Gusht 2024

Next Post

“Nga aktorët, këngëtarët, instrumentistët, letrarët e piktorët, te futbollistët, basketbollistët, mundësit dhe qitësit të cilët...”/ Kush ishin ata që gjallëruan jetën e qytetit të Laçit për tre dekada?    

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
“Nga aktorët, këngëtarët, instrumentistët, letrarët e piktorët, te futbollistët, basketbollistët, mundësit dhe qitësit të cilët…”/ Kush ishin ata që gjallëruan jetën e qytetit të Laçit për tre dekada?     

“Nga aktorët, këngëtarët, instrumentistët, letrarët e piktorët, te futbollistët, basketbollistët, mundësit dhe qitësit të cilët...”/ Kush ishin ata që gjallëruan jetën e qytetit të Laçit për tre dekada?    

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!