Nga Hysen Selmani
Pjesa e njëzete katër
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonëshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Stamboll, 1 janar 1941
Madhëria e Tij, Mbreti Zog i I-rë, dërgon një telegram urgjent kolonel Husein Selmanit, si përgjigje e raportit, ku e këshillon kështu në këtë kohë:
“Kam marrë raportin, bashkë me kopjen e notës. Më erdhi shumë keq, mbi veprimet jo miqësore. Por, ju lipset me shpejtësi, të dërgoni lajmëtarët brenda, stop. Mos të tronditen aspak për ngjarjet e ndodhura, se këto, do të rregullohen, stop. Të rijnë të gatshëm, që kur të marrin udhëzimet, të hyjnë menjëherë në veprim, stop. Asnjë veprim kundër ushtrisë greke, mos të bëhet, se një veprim kështu, do na pengojë gjitha marrëveshjet, që jam duke zhvilluar me Qeverinë Britanike dhe me atë greke, stop. Nota, mos të jepet deri sa do të merrni udhëzimet prej këtu, stop. Gjithë forcat, brenda e jashtë Atdheut, të rrini të gatshëm e morali ynë, është i lartë, të presin urdhrin, stop. Sot për sot, të rrinë krejt të qetë e, asnjë veprim të mos bëhet, as kundër grekëve dhe as kundër invadorit. Po të presin kohën, që po afrohet, stop”.
“Ric – Hotel” London, – 1 Janar 1941, ZOG I-rë
Kolonel Husein Selmani, menjëherë urgjent ju dërgoi kopjen e telegramit të Mbretit Zog, si edhe udhëzimet e tjera, të gjithë grupeve në Jugosllavi. Qëllimi, ishte që menjëherë, të dërgojnë lajmëtarët bashkë me këto udhëzime, brenda në Shqipëri.
“Ku të marrin kontakte me të gjithë elementin tonë, – thotë për këtë ditë adjutanti – duke ua dorëzuar këto udhëzime, si edhe të marrin përgjigjet që ata do ju japin. Veçanërisht, lajme të tjera të reja, si mbi frontin italo-grek, gjithashtu mbi qendrat tona të përgatitura dhe komunikacionet e vendit, kanë ardhur. Gjithashtu, vepron si propaganda armike, si edhe ajo greke, brenda në popull. Natyrisht, këto u dërguan me anën e shërbimit turk, për në Ambasadën Turke në Beograd. Në këtë mënyrë, këshilluam edhe këto të Jugosllavisë, që mos të kenë asnjë dyshim, mbi sa flitet se: Grekët do të aneksojnë Korçën e Gjirokastrën. Sepse, këto më tepër, janë propagandat armike që të armiqësohemi me grekët. Po, ne me grekët, do të arrijmë një marrëveshje të sinqertë, me të drejta të barabarta, se këtu është Britania e Madhe që lufton, si për grekët, ashtu për në shqiptarët. Dhe, Shqipëria do të çlirohet nga fashizmi.
Tani, forcat në Jugosllavi, kanë arritur 542 oficerë dhe 1765 oficerë e ushtarë. Po ashtu, janë 454 civilë. Për ditë shtohen njerëzit, që dalin nga Shqipëria, megjithëse i kemi urdhëruar që mos të dalin jashtë vendit, se atje duhen në kohën e volitshme. Por, të gjithë Qendrat në Jugosllavi, mbahen moralisht fare mire, si dhe janë shumë aktive në veprimet, saqë nuk i tund asgjë. Në vuajtjet e tmerrshme, që u pësuan, për asnjë minutë, nuk është lanë mbrapa shërbimi programor, që kishin përsipër, po ata e kryejnë me kryelartësi”, kujton adjutanti.
Prapavija e Italisë, ku janë ushtarët shqiptarë, në territorin e Shqipërisë, kanë filluar dezertimet. Por, mbreti Zog, mundohet që të disiplinojë këtë lëvizje. “Asnjë veprim nuk do të bëjmë kundër ushtrisë greke, por as për ta ndihmuar, siç e patëm ndihmuar”, u thotë ai shqiptarëve. Ndërkohë, Jugosllavia, nënshkron paktin tri Palësh, me 2 shkurt 1941. Kjo tregoi, se ajo hyri definitivisht në gjininë e Nazi-fashizmit.
Adjutanti Hysein Selmani, vë në dijeni zyrën turke në Stamboll, që të ndërmjetësojë sa më parë pranë Ankarasë, që Ambasada Turke në Beograd, të ndihmojë shqiptarët. “Në rast se jugosllavët marrin masa, kundër oficerëve e personelit tonë që ndodhet në Jugosllavi, të ndërhyjë Ambasada dhe t’i tërheqim këtu në Turqi”. Por, ashtu si pritej, ndodh një grusht shteti në Jugosllavi.
Pushtetin jugosllav, e merr gjeneral Simoviç, i cili formon Qeverinë Jugosllave dhe Madhëria e Tij, Mbreti Pietër II-të, hipën në Fron. Betohet para Parlamentit, gjeneral Nedel Koviç, që u emërua Ministri i Luftës Jugosllave, Qeveria më tepër me gjeneralë. Ndërkohë, Princin Paul, Stojadinoviçin, Markoviçin me gjithë Qeverinë e tij, i kanë arrestuar në Jugosllavi. Kjo është për pak kohë, se vendin e pushton Gjermania, që mësyn njëherazi Jugosllavinë dhe Greqinë.
Jugosllavia, nuk bën asnjë rezistencë, dhe vetëm në Kaçanik, bëhen dy orë luftimi të parregullt. “Jugosllavia, brenda 24 orëve, u dorëzua krejtësisht, se u sulmua edhe nga italianët, në pjesën e Fiumes”, kujton adjutanti. Nga ana tjetër, Greqia, me një divizion në afërsi të Edrenes, u dorëzua pa kundërshtim tek turqit. Po ashtu edhe Armata në Selanik, uli armët pa luftë. Gjithandej, grekët u dorëzuan pa luftë, kundër Gjermanisë dhe kjo e fundit, brenda 3 ditëve okupoi Athinën.
Stamboll, 5 maj 1941
Morëm një raport mbi Pëllumb Lleshin, prej Dibrës së Madhe. Ai na lajmëroi, se: “Jemi të gjithë mirë dhe gjallë. Mos u bëni aspak merak se, të gjithë shokët, kanë kaluar kufirin e kanë hyrë brenda në Shqipëri. Ata janë bashkuar me të tjerët. Më vonë, do t’ju shkruajmë mbi të gjitha. Dhe, mos u bëni aspak merak se jemi në kontakt me të gjithë”.
Dibër, 3 maj 1941, Pëllumb Lleshi
Kjo letër, vijon Selmani – na gëzoi dhe menjëherë, iu paraqit Madhërisë së Tij, Mbretit Zog, një telegram shifër në Londër. Në këtë telegram, thuhet se i gjithë personeli ynë, që ishte në Jugosllavi, hyri në Shqipëri fare mirë. Ata janë bashkuar me të tjerët dhe tani u vumë në kontakt. Presim një raport të gjerë prej tyre, ku menjëherë, do ua parashtrojmë. Në këtë mënyrë, lajmërova edhe Shtatmadhorinë Turke në Stamboll. Kolonel Emin Akyni, u gëzua shumë që kanë kaluar e janë mirë dhe për më tepër, që ishin gjithmonë në shërbim e me moral të lartë. “Vetëm tani, kujton për atë moment adjutanti – jemi duke i lidhur me personin, që ruan Legatën Turke në Tiranë. Që ka të drejtë të impustojë letra, sikur janë diplomatike. Për këtë punë, u ngarkua Gafur Dibra, që ishte nënshtetas turk”.
Kolonel Emin Akyni, me kënaqësi, e pranoi që Gafurri, të marrë përsipër këtë shërbim të rëndë dhe i tha kolonel Selmanit: “Nesër, do të niset një person për t’ju dërguar personelit në Tiranë, që ruajnë arshivat e Legatës, disa instruksione. Po ashtu edhe shpenzimet mujore. Do t’i jepni letrat si për Gafurrin dhe për të tjerët. Ky, do t’ja dorëzojë Gafurrit”. Kështu e falënderova, kujton adjutanti – dhe shkova e përgatita 10 letra, për të gjithë ata që ishin në Jugosllavi, e të tjerët. Me anën e kapiten Avni Derrallës, ja dorëzova këtë personit, që Avniu ma solli tek shtëpia. Aty e porosita edhe për shumë gjëra të tjera, për Gafurrin. Pas kësaj, ai u nis për Tiranë me aeroplan.
Stamboll, 25 maj 1941
“Në këtë datë, në orën 9.30 të mëngjesit, më telefonon në shtëpi kolonel Emin Akyni, thotë adjutanti. Ai më thotë se: Kam një lajm të mirë për juve. Po, a po vini këtu? A të vijë unë atje. Iu përgjigja se: Tani po vijmë. Dhe bashkë me ministrin, Asaf Xhaxhulin dhe Avni Derrallën, shkuam. Atje, ai na priste dhe sa hymë në zyrë, na ka dhënë letrat prej Gafurr Dibrës”.
Në këto letra, ai më lajmëronte:
“Kanë ardhur të gjithë shokët shëndoshë e mirë. Ata janë të bashkuar me të tjerët, por unë ende nuk jam takuar me të gjithë, vetëm me Jusuf Begun, major Murat Bashën e Haxhi Lleshin e Profesor Mustafa Gjinishin, në listë. Brenda javës, do të marr kontakte me të gjithë, se siç më thoje, për këtë qëllim e bleva një pyll në Mat. Me Rahman Hysën, jam përditë me ta. Kjo, sepse ai është në lidhje me të gjithë. Mos u bëni merak, se tani, ata janë shumë më mire, se në Jugosllavi, si me punë, e të gjitha. Vetëm se presin udhëzime. Ju kam gjetur dy radio ushtarake, për të marrë lajmet e jashtme”.
Tiranë, 21 Maj 1941, Nderime të larta, Gafuri
Menjëherë, kolonel Husein Selmani, këtë letër e fotokopjoi dhe me një raport të gjerë, ja parashtroi Mbretit Zog në Londër. Po ashtu, edhe një kopje të përkthyer turqisht, ja dorëzuam kolonel Emin Akynit. “Ai u kënaq se tepërmi, kujton adjutanti – dhe na tha duke qeshur, se: Ju edhe njerëzit tanë, i paskeni vënë në shërbimet tuaja. Pastaj, më tha, se: “Ai personi, Gafurr Dibra, qenka shumë i aftë dhe krejt i juaji. Madje, ka thënë se edhe shpirtin e jap për Husein Selmanin”.
“Po,- i thashë, kujton adjutanti,- është e vërtetë se kanë qenë gjithmonë të mitë. Ka këtu dy vëllezër në Sekerci dhe ata janë shumë pasanikë”.
Stamboll 28 maj 1941
Gjermania sot mësyu Kretën, duke lëshuar parashutistë me aviacion shumë të fuqishëm dhe ka shkarkuar një forcë të madhe parashutistësh. Ata, kanë okupuar një pjesë të madhe të Kretës dhe Flota Britanike, Detare dhe Ajrore, nuk ka patur mundësi t’i pengojnë shkarkimet parashutiste. Luftimet, bëhen në shumë vende, nga ushtria greke dhe angleze. Por, gjermanët përparojnë me shpejtësi. Thuhet se, brenda dy ditëve, do të okupohet i gjithë Ishulli i Kretës, prej gjermanëve.
Me datën 3 Qershor 1941, Ishulli i Kretës, u okupua krejtësisht nga ushtria gjermane. Thuhet se, me zor të madh ka mundur të shpëtojë pa u kapur nga gjermanët, Madhëria e Tij, Mbreti George i II-tw i Greqisë. Arsyeja ishte se, gjermanët kishin shkarkuar gjithkund. Për këtë arsye, Mbreti George II-tw me gjithë Qeverinë Greke, shkuan në Aleksandri të Egjiptit.
Rënia e Kretës, ka shkaktuar një bujë të madhe. Arsyeja ishte se, nuk besohej që Kreta të okupohej. Kjo ishte baza më kryesore e Flotës Britanike në Mediterranë, thuhet në kujtimet mbretërore. Dhe, për më tepër, me ato male shkretëtira, kjo nuk ishte menduar kurrë, se do të okupohej. Ky pushtim, thuhet se lëshon edhe brigjet egjiptiane, si edhe vështirëson lundrimin për Afrikë dhe Azi. Edhe Ballkani, sot për sot, mbaroi, shkruan në kujtimet e tij Mbreti. Të shohim të ardhmen. Është e vërtetë që Anglo-Sanksonët, luftën, qind për qind e kanë të fituar, por kjo mund të zgjasë 2-3 vjet dhe Gjermania, si në luftën e parë, do të lëshojë armët. Dhe fitorja është e demokracisë.
Tani, si Mbreti Pietër II-tw i Jugosllavisë, me Qeverinë e tij Jugosllave dhe Mbreti George II-te i Greqisë, me Qeverinë Greke, ndodhen në Aleksandri të Egjiptit. Thuhet se të dy mbretërit, kanë mundësi që të shkojnë në Londër. Kjo, për arsye sepse ushtritë, si jugosllave dhe ajo greke, u dorëzuan tek gjermanët.
E gjithë shpresa, varet tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo akoma, nuk ka hyrë në luftë, por pritet ditë në ditë dhe po përgatitet në masë të gjerë. Sigurisht, në atë kohë, edhe Rusia ka për ta prishur paktin e mossulmimit me Gjermaninë dhe ajo do të jetë në luftë, kundër gjermanëve. Dhe, kjo humbje, e kësaj lufte, do të jetë shumë më e rëndë, që do të pësojë populli trim gjerman, se ajo e 1918-ës.
Në Londër dhe shumë vende të Britanisë së Madhe, bëhen bombardime të rënda dhe me dëme. Por, populli anglez, gjakftohtë aspak nuk tundet. Ai është i sigurt në fitoren e fundit e po përgatitet në masa të gjëra. Se rezervat anglo-saksone, janë aq të mëdha, sa për çdo vit, vijnë duke u zmadhuar e, jo duke u pakësuar, si ajo gjermane.
Stamboll 16 qershor 1941
Me këtë datë, kolonel Husein Selmani, merr një letër nga Gafur Dibra ku ky i fundit e lajmëron: “Kam qenë në Viqe, ku takova Jusuf Begun, Haxhi Lleshin, Profesor Mustafa Gjinishin, Major Murat Bashën, Sul Kurtin, kapiten Hamza Drinin, Ibrahim Farkën e shumë oficerë të tjerë. Dy ditë kam ndenjur me ta në Viqe. Ata më thanë me ju vu në dijeni:
“Të gjithë kemi ardhur mirë. Vetëm N/kolonel Kuçuk Ullogaj nuk deshi të vijë. Ky duket se u bashkua me gjermanët. Po bisedojmë për një organizim më të gjerë, natyrisht në lidhje me kohërat e sotme, për të qenë të gatshëm, për t’u ndërlidhur me britanikët. Kur do të na jepni udhëzime ju, do veprojmë sepse pa urdhër asnjë veprim nuk bëjmë.
Me ne, patën ardhur edhe major Oklli Hill, englez. Por, ky kaloi me Qazim Kokoshin dhe Gani Kryezinë e Abas Kupin, nga Shala. Ata flitet se i kanë marrë 8000 napolona ari, po nuk dihet. Ai tani qëndron me Gani Kryezinë dhe nuk jemi në kontakt me ta. Abaz Kupi ka ardhur në Krujë, po nuk jemi gjithashtu akoma në lidhje me ta.
Profesor Mustafa Gjinishin dhe Ibrahim Farkën, do t’i dërgojnë për t’u takuar me Myslim Pezën, në Pezë të Tiranës. Pasi, të bisedojnë dhe me Mysliman do të fillojnë një organizim më të gjerë. Pastaj, gjithë së bashku, do t’ju paraqesin një raport me të gjithë detajet.
Të gjithë janë të bashkuar siç kanë qenë në Jugosllavi dhe pjesa më e madhe, janë këtu në Mat. Sepse ky është vendi më i sigurt, për çdo mbledhje dhe ushqime. Prapë, ma përsëritën që nuk na luante asgjë, sepse si Greqia dhe Jugosllavia, janë të okupuar, e për veprimet tonat, nuk na pengon asgjë. Ne do të organizohemi më së miri, ku tani na u bënë shokë dhe Greqia e Jugosllavia, e kur Mbreti ynë i dashur, ta shohë kohën oportune, ne jemi të gatshëm më mirë se kurdoherë.
Rroftë Mbreti, sa malet e Shqipërisë, e jemi kryelartë.
Mbetemi gjithmonë në udhëzimet e ndritshme, pasi dhe posta u rregullua me anën e miqve të mëdhenj turq. Kjo edhe me anën e Gafurr Dibrës, i cili është personi më i besueshëm dhe ka të drejtat e valixhes diplomatike turke. Të gjithë, me shpirt, ju urojmë shëndet të plotë e ju përqafojmë me shumë nderime: Jusuf Selmani, Haxhi Lleshi, Mustafa Gjinishi, Sul Kurti, major Murat Basha, Hamza Drini, Ibrahim Farka, Rahman Hysa, Abdullah Ymeri e të tjerë.
Ju lutem merrni edhe nderimet e mia më të përmalluara. Na ka marrë malli saqë, nuk mund të përshkruhet e ju plotësoftë Perëndia të gjitha dëshirat. Jemi gjithmonë në dispozicionin tuaj dhe popullin e madh e të vogël e keni me vete. Më pyesin gjithandej”.
Tiranë, 12 Qershor 1941
I Zotërisë Suaj, Gafuri
“Po ashtu, të përkthyer në turqisht dhe Shtatmadhorisë Turke, në Beyogllu dhe pikërisht kolonel Emin Akynit, për shërbimet e Gafurrit. Më vonë i prezantova vëllanë e Gafurrit, Abdyl Vehapin në Sekerci. Ky kishte të gjitha magazinat e të gjitha hejve toptanxhi dhe e urdhërova, që kur të më sillte mua ushqimet mujore, ato t’ja dërgonte edhe kolonel Emin Akynin, për respekt”.
Stamboll, 26 korrik 1941
Gjermania, sot, mësyu Rusinë me një furi të madhe. Thuhet se ka përparuar në shumë vende, brenda kufirit Rus-Ukrainas. Por, sidoqoftë, tani u ndryshua krejtësisht gjendja e luftës. Madje, edhe Wiston Churchill, tani, e pi cigaren me qejf dhe e sheh fitoren qind për qind. Edhe, nuk “i bëhet më vonë”, për bombardimet gjermane, në Londër, që kanë vrarë gra, fëmijë e pleq, nëpër rrugët e Londrës.
Ushtria gjermane, përparon me një shpejtësi shumë të madhe, kundër Rusisë dhe flitet se Armata e Tretë ruse, në Bas-arabia, Mareshall Boudini, me gjithë armët, i është dorëzuar gjermanëve. Ai është rrethuar prej motorizës gjermane dhe thuhet se edhe ushtria rumune, ka marrë pjesë në ndihmën gjermane.
Stamboll 28 korrik 1941
Madhëria e Tij, Mbreti Zog, ju dërgon një telegram nga Londra kolonel Husein Selmanit dhe ministrit Asaf Xhaxhulit, në Legatën Shqiptare Stamboll. Ky është telegrami:
“Kam marrë raportet e juaja, stop. Duhet të jeni të bashkuar me shokët, ashtu si me shkruani, stop. Ju kam shkruar edhe atyre, stop. Koha kërkon punë, e jo grindje, stop. Pres sa më parë bashkëpunimin, siç me shkruani, stop. Kam shpresë se për së shpejti, t’ju dërgoj udhëzimet, stop. Sa më të ngushta lidhjet, stop. Kam për t’ju dërguar udhëzimet edhe për ata në Shqipëri, stop. Pres një raport të përbashkët e, siç më thoni, stop. Të fala”.
Stamboll 15 gusht 1941
Më këtë datë, mora një raport nga Shqipëria, ku na lajmërojnë kështu:
“Bëmë një mbledhje në Mat, ku merrnin pjesë gjithë në mbledhje: Sul Kurti, Abas Kupi, Jusuf Selmani, Profesor Mustafa Gjinishi, major Murat Basha, major Jahja Çaçi, Dyleman Çela, Dyle Beg Allamani, Jusuf Beg Çela, Hafus Hasa, Hamza Drini, Rahman Hysa, Ibrahim Farka, Kros Ali Xheka, Bilal Kola, Halil Keta, Selman Mema, e shumë delegatë të tjerë, prej të gjitha vendeve.
Në këtë mbledhje, u morën në bisedime mbi mbledhjen që po bëhej në Pezë të Tiranës, në qendrën e Myslim Pezës. Kjo mbledhje, ka marrë emrin “Nacional-çlirimtare” dhe me këtë emër, e ka pagëzuar Profesor, Mustafa Gjinishi.
Tani, na lajmëruan se edhe pjesa e Jugut, me Mit’hat Frashërin në krye, kanë deklaruar një parti, me emrin “Balli Kombëtar”. Kështu, edhe nga ne, u pa e arsyeshme që, të dërgojmë një përfaqësi tonën në këtë mbledhje, ku aty kanë për t’u diskutuar gjithë sa u përket problemeve, të një bashkimi kombëtar, kundër okupatorit fashist, si edhe ndërlidhësit në mes veprimeve.
Si delegat tonët, për të marrë pjesë në këtë mbledhje në Pezë, ne kemi caktuar: Sul Kurtin, Abas Kupin, Jusuf Selmanin, Dyle Çelen, major Murat Bashen, Hafus Hasen, Major Jahja Çaçin. Nga ana monarkiste dhe nga “Balli Kombëtar”, janë: Mit’hat Frashëri, me 5 shokët e tij. Nga komunistët, janë: Omer Nishani, Liri Gega, Enver Hoxha, Mendar Shtylla, Hysni Kapua e Frederik Nosi. Nga Nacionalçlirimtarja: Myslim Peza, Mustafa Gjinishi, Spiro Moisiu, Baba Faja dhe Shefqet Beja.
Siç na kanë lajmëruar, në bisedimet që do të zhvillohen në këtë mbledhje, ne është se nuk do të mbeten dakord, në një parti të përbashkët kombëtare, atëhere ne do të jemi në kontakt, me shumë persona që nuk janë në male, me anën e Gaqo Gogës. Ndërsa në Tiranë, janë Sali Vuçiterna, Rauf Fico, Teki Selenica dhe Omer Beshiri, ndërsa në Shkodër, janë Xhemal Naipi, Tef Curani, Salih Mytija dhe të tjerë. Kurse në Jug, janë: Javer Rushiti, Bilal Nivica, Sadik Shaska, Selim Damani, Neshat Kolonja, Teki Xhindi, e të tjerë. Po ashtu, me anën e Qemal Shtinos, jemi të ndërlidhur me këto të Jugut.
Me të gjithë këta, jemi në bisedime të përditshme. Që të studiohen në interesin tonë të përgjithshëm: se a është më e nevojshme që dhe ne, të kemi një emër partie, ose jo?! Këto bisedime vazhdojnë, por pritet përfundimi i Pezës. Atëherë, do të vendoset prej këtij Këshilli përgjegjës. Dhe, natyrisht përveç oficerëve, që janë përgjithësisht Monarkistë të Mbretit Zog I-rë, por edhe populli mbarë, pothuajse 70 përqind, janë Mbretëror, për Zogun e I-rë. Të bashkuar me ne.
Nga italianët, nuk bëhet ndonjë ndjekje e madhe. Sidomos në malësi, kundërshtarët e Italisë, rijnë lirisht pa asnjë pengesë. Dhe, për të jetuar, jemi fare mirë. Po merremi me organizimin e gjerë, sepse ne, kemi elementin më të vlefshmin dhe shumicën. Më e organizuara sot, është Nacional-çlirimtarja, që e ka organizuar Profesor Mustafa Gjinishi e, tani edhe Haxhi Lleshi e Mustafa Kaçaçi e Faik Shehu, janë vënë në partinë Nacional-Çlirimtare. Por, si Mustafa Gjinishi dhe Haxhi Lleshi, rrinë më tepër tek Jusuf Selmani.
Pasi të kthehen nga mbledhja e Pezës, shokët do t’ju paraqesin një raport, me të gjitha hollësirat, se si u bisedua dhe qysh u përfundua. Si edhe pretendimet e Mit’hat Frashërit, si edhe ata të Omer Nishanit, që janë dy tendenca të ndryshme me ne. E sa i përket Myslim Pezës e, Mustafa Gjinishit e Haxhi Lleshit, edhe këta, janë në atë parti, por janë në harmoni me ne, e jo të shkëputur. Për sot, ndalohemi, duke pritur udhëzimet tuaja.
Ju përqafojmë me shumë respekt: Rroftë Mbreti.
Sul Kurti, Murat Basha, Mustafa Gjinishi, Haxhi Lleshi, Jusuf Selmani, Sali Llani, Dyle Allamani, Dyle Cela, Jusuf Cela, Hamza Drini, Ibrahim Farka, Qemal Shtina, Rahman Hysa, Bilal Kola, Halil Keta e të tjerë.
Ju lutem, merrni si gjithmonë nderimet e mia më të mira, gjithmonë i Zotërisë Suaj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016