Nga Dr. Ledia Dushku
Pjesa e parë
Memorie.al / Marrëdhëniet e regjimeve totalitare me intelektualin, janë bërë shpesh objekt diskutimesh në rrethet e studiuesve. Duket si kur ky raport përvijohet në dy kahe të kundërta, ku intelektuali duhet të zgjedhë midis të qenit “njeri i oborrit” ose, “disident”, pa pasur rrugë të mesme. Por në diktaturat komuniste ekziston koncepti i “artit të të mbijetuarit”, i cili nuk është gjë tjetër veçse një kombinim i nënshtrimit të kalkuluar, kritikës së vetë-kontrolluar, mbajtjes taktike të një profili të ulur dhe përdorimit me inteligjencë e pa zhurmë, të mundësive që mund të të krijohen. Në këtë mënyrë, pranimi i kontratës sociale të regjimit komunist, jo gjithmonë e bën intelektualin “njeri të oborrit”.
Artikulli “Armik i pushtetit popullor” që shkencërisht “punon për ne”: shteti komunist dhe studiuesi Eqrem Çabej (1944-1954), fokusohet në marrëdhëniet e regjimit komunist me gjuhëtarin Eqrem Çabej, duke synuar t’i japë përgjigje pyetjes: Si mundi një intelektual i edukuar në Perëndim, i konsideruar “armik i pushtetit popullor”, të mbijetonte dhe më tej të vlerësohej në një regjim ku indoktrinimi marksist leninist ishte në themel të gjithçkaje? Nga pikëpamja metodike, artikulli është konceptuar në një qasje kronologjike-tematike. Analiza ka si pikënisje formimin e hershëm intelektual të studiuesit Çabej, për të kuptuar në vijim, sjelljen e regjimit komunist ndaj tij.
Prezantimi në disa këndvështrime i personazhit, gërshetuar me ekspozenë e tipareve që fitoi “shkenca” dhe “punonjësi i mendjes” në Shqipërinë e viteve 1945-1954, janë në funksion të zbulimit të sjelljes së regjimit ndaj tipologjisë së intelektualit, të përfaqësuar nga Eqerem Çabej; për të kuptuar se deri në çfarë mase qëndrimi i shtetit kushtëzohej, nga është përqendruar kryesisht në dokumentacionin arkivor. Janë qëmtuar me imtësi dokumentet e Arkivit Qendror të Republikës së Shqipërisë, pjesë e fondeve të Ministrisë së Arsimit, Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, fondeve të Partisë së Punës (Strukturat dhe Organet Udhëheqëse) dhe Kryeministrisë.
Mbështetje metodologjike mjaft të rëndësishme përbëjnë hulumtimet në dosjen formulare të Sigurimit të Shtetit për Eqerem Çabejn, konsultuar pranë AIDSSH-së. Me anën e tyre është analizuar dinamika e vëzhgimit, spiunimit, impaktin që këto kanë pasur në jetën dhe veprimtarinë e Eqrem Çabejt. Një qasje më favorizuese ndaj studiuesit e legjislacionit për konsultimin e arkivit të AIDSSH-së, do të shërbente për të realizuar plotësisht atë që në gjuhën shkencore njihet si kërkim i tërthortë, në saje të të cilit do të zbuloheshin të dhëna plotësuese për Eqerem Çabejn, nga dosjet e personazheve të survejuara, pjesë e rrethit të tij familjar e shoqëror.
Realizimi i plotë i këtij kërkimi, do ta pasuronte profilin e përgatitur dhe do të shërbente për të kuptuar më gjerë dhe më thellë anën e errët të regjimit komunist në marrëdhënie me individin / studiuesin në përgjithësi dhe Eqerem Çabejn në veçanti. Duke synuar trajtimin e marrëdhënies së studiuesit me regjimin komunist në shumë plane, u konsiderua e rëndësishme edhe historia orale, e përcjellë në sajë të kujtimeve të së bijës së profesorit, Brikena Çabejt, e cila u tregua tejet bashkëpunuese.
Kush ishte dhe çfarë përfaqësonte Eqrem Çabej?
Eqrem Çabej u lind më 6 gusht 1908 në Eskishehir, qytet në afërsi të Ankarasë (Turqi). Sipas së bijës, Brikena Çabejt, gjashtë muaj pas lindjes së tij familja u vendos në Gjirokastër, por; “babait nuk i pëlqente të thoshte që kishte lindur andej. Në dëftesat e shkollës vendlindja është Eskishehir, por në çdo biografi ai quante, edhe psikologjikisht besoj, Gjirokastrën si vendlindjen e tij. Kurrë nuk e shkroi që kam lindur në Eskishehir”. I ati, Hyseni, me profesion gjyqtar, kishte lënë gjurmë në formimin e të birit, duke i dhënë një edukatë, sikurse vetë Çabej shprehej, “me drejtim nga ndershmëria qytetare dhe nga dashuria për vendin”.
Shkollën fillore dhe qytetëse djaloshi i Çabejve e përfundoi në Gjirokastër. Pasi fitoi një bursë nga shteti shqiptar, më 1920 vijoi shkollimin në Austri, fillimisht në St. Polten, më tej në Graz dhe maturën në Klagenfurt. Studimet e larta i përfundoi po në Austri, përkatësisht tre semestra në Universitetin e Grazit dhe pesë semestra në Universitetin e Vjenës, duke u specializuar në linguistikë të përgjithshme e indoevropiane dhe në albanistikë, në klasat e profesor Nobert Jokli-t, një nga albanologët më të njohur të kohës, si dhe në histori të Ballkanit. Gjatë gjithë periudhës së shkollimit, Çabej tregoi vullnet e këmbëngulje dhe u dallua si i ri që premtonte mjaft. Formësimi me tiparet solide të shkencëtarit merr pikënisje në këtë periudhë.
Profesor Jokli, duke çmuar talentin e tij, e mbajti afër. Marrëdhënia mes tyre ndikoi në mbrujtjen e Çabejt me dashurinë për kërkimin shkencor dhe shërbeu si shtysë për vijimin e studimeve të thelluara për gjuhën shqipe, tashmë me tezën e doktoraturës ‘Italoalbanische Studien’ (‘Studime italo-shqiptare’). Disertacioni u mbrojt më 7 tetor 1933 dhe Eqrem Çabejt, iu dha diploma për gradën Doktor, nga Universiteti i Vjenës, me rezultatin Shkëlqyer.
Për sa më sipër, autoritetet drejtuese të universitetit i propozuan të qëndronte aty, si asistent pranë Joklit. Por Çabej e refuzoi propozimin, u kthye në Shqipëri, duke përmbushur kështu angazhimin që kishte marrë më 19 gusht 1927, karshi shtetit shqiptar me të cilin “detyrohej që, mbasi të ketë kryer mësimet, t’i shërbejë Shtetit për 7 vjet, në çdo vend që dërgohet ose, t’i kthejë të hollat e marruna si bursë”.
Me t’u kthyer në Shqipëri, Eqerem Çabej punoi si profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe, fillimisht në Gjimnazin Shtetëror të Shkodrës dhe më pas në ‘Normalen’ e Elbasanit, Gjimnazin Shtetëror të Gjirokastrës dhe Liceun e Tiranës. Njëkohësisht, ai mbajti edhe poste administrative, si atë të nën-drejtorit të konviktit “Malet tona”, në Shkodër dhe shefit të seksionit të arsimit të mesëm, në Ministrinë e Arsimit.
Sipas relacionit të drejtorisë së Gjimnazit të Shkodrës, profesori i letërsisë shqipe, shfaqte prirje liberale në marrëdhënie me nxënësit dhe respektonte mendimin e tyre. Vendosja e një marrëdhënieje besimi, konsiderohej e rëndësishme dhe në këtë aspekt gënjeshtra nuk përtypej lehtë prej tij. Ndonëse drejtoria e gjimnazit konstatonte se për shkak të moshës së re, i mungonte shpirti i sakrificës, evidentonte faktin se Çabej “përmban në vedi elementë përmirësimi dhe bindjeje”.
Ai spikaste për korrektësinë, përgatitjen profesionale dhe ndjenjat kombëtare: “Asht shumë i zoti dhe përpiqet gjithnjë tue studjue, me dalë kurdoherë faqe bardhë. Nuk ka mungue në shkollë. Ka ndjenja të mira kombësije”.
Sakaq, vrullshëm nisi edhe konsolidimi i Eqrem Çabejt si studiues i letërsisë e gjuhës shqipe nga njëra anë dhe folklorit nga ana tjetër. Spikasin botimet e një sërë artikujve te ‘Hylli i Dritës’ dhe në revista të ndryshme ndërkombëtare, pa anashkaluar edhe librin ‘Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe’, me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme, botuar nga Ministria e Arsimit në vitin 1936. Kjo veprimtari e klasifikonte Çabejn, si një nga intelektualët dhe edukatorët më në zë, në Shqipërinë e fundviteve ’30-të.
Lufta e Dytë Botërore e gjeti Eqerem Çabejn drejtor të Liceut të Tiranës, post që nuk e mbajti gjatë. Arsyen e zbulon raporti i datës 27 korrik 1940, i Federatës së Fashios së Tiranës, në të cilin Çabej konsiderohej “i vetmi person përgjegjës për veprimet e këqija të kryera nga studentët e Liceut, në demonstratat e njohura të 28 nëntorit 1939. Deri më sot nuk ka treguar asnjë shenjë afrimi me politikën fashiste. Prandaj duhet konsideruar i rrezikshëm dhe duhen marrë masa për ta shkarkuar nga detyra që kryen në këtë moment”. Në janar të vitit 1942, ai u dërgua “si gjysmë internimi” në Itali, ku qëndroi i mbikëqyrur deri në qershor të vitit 1944, duke punuar për Atlantit (Atlasit) Gjuhësor Shqip, në Akademinë e Shkencave në Romë.
Ndërkohë, në vlerësim të punës së tij shkencore, Eqrem Çabej që prej prillit të 1940-ës, ishte anëtari më i ri në moshë “i rëndshëm” [i rregullt] dhe pjesë e Këshillit Drejtues të Institutit të Studimeve Shqiptare, i riorganizuar në gusht të vitit 1942, si Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare dhe në prill të 1944-ës, si Instituti Shqiptar për Studime e Arte. Në mbledhjen e dytë të Këshillit Drejtues, më 14 prill 1940, kur u diskutua përgatitja e shpejtë e një përmbledhjeje për gjendjen e studimeve të realizuara nga autorë shqiptarë dhe të vendeve të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët, Eqrem Çabej u caktua një nga dy redaktorët e pjesës së gjuhës shqipe, së bashku me studiuesin italian, Carlo Tagliavini.
Por marrëdhënia e tij me Institutin nuk rezultoi lineare. Ajo pësoi thyerje në vitin 1942, kohë kur u bë riorganizimi i komisioneve dhe nën-komisioneve të punës. Krahas emërimit në Nën-komisionin e Gjuhësisë, Terminologjisë, Folklorit, Çabej u caktua anëtar edhe në Nën-komisionin e Fjalorit, pjesë e të cilit ishte edhe At Fulvio Cordignano. Më 27 shtator 1942, ai i dërgoi një letër të shkurtër, por të guximshme, kryetarit të Institutit, Ernest Koliqit, me anën e së cilës kërkoi; “të më shlyeni nga lista e anëtarëve të Institutit të Studimeve Shqiptare”, se; “si mis [anëtar] i këtij Instituti, figuron At Fulvio Cordignano, të cilin unë vërtet as nuk e njoh personalisht, veçse njihet botërisht si armik i rreptë i racës shqiptare”. Dorëheqja nuk u pranua, nën arsyetimin; “se emnimi i tij, asht i përjetshëm si mbas Statutit”.
Në kohën e qëndrimit në Romë, fillimisht autoritetet italiane më 1942 dhe më pas ato gjermane më 1943, i propozuan postin e ministrit të Arsimit, në qeverinë e Tiranës. Në të dyja rastet, përgjigjja ishte refuzuese. Vetë Çabej është shprehur se; “i kam hedhur poshtë dy propozimet për bashkëpunim me të huajt, si gjë që nuk pajtohej me nderin tim shqiptar dhe me të mirën e vendit dhe të popullit tim”. Pa e shmangur një arsye të tillë, mendoj se kishte edhe dy arsye që ndikuan në përgjigjen refuzuese. Arsyeja e parë lidhet me faktin, se Çabej nuk e konsideronte të rëndësishëm, angazhimin në politikë.
Në telegramin që përfaqësia diplomatike gjermane në Romë, i dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme, evidentohet se; Çabej e kishte refuzuar postin e ministrit të Arsimit, nën arsyetimin se; “nuk e ndien veten të zot për postin e ministrit dhe nuk dëshiron gjithashtu të angazhohet politikisht”. Krahas kulturës së marrë në familje, për t’i qëndruar larg politikës, në mbrujtjen e tij, duhet të ketë ndikuar edhe fakti se në periudhën e Ahmet Zogut, nëpunësit dhe arsimtarët e kishin të ndaluar me ligj, përfshirjen në veprimtari politike.
Arsyeja e dytë, që duhet ta ketë çuar Çabejn në refuzimin e postit të propozuar tanimë nga gjermanët, mendoj se lidhet me fundin tragjik që gjermanët i dhanë profesorit të tij të dashur, Nobert Jokli, i cili u vra prej tyre, ndërkohë që zhdukën edhe bibliotekën e tij personale. Ky mendim përforcohet edhe nga Brikena Çabej, e cila me bindje thotë se i ati; “nuk mund të pranonte të bëhej ministër i gjermanëve, që i patën vrarë babanë shpirtëror, Joklin”.
Lajmi për vrasjen e të vëllait, Selahudinit, me detyrë nënprefekt i Tropojës, ishte, sipas familjarëve, arsyeja e kthimit në Shqipëri të Çabejt. Me të mbërritur, në korrik 1944, ai filloi punë provizore në Ministrinë e Arsimit, në Komisionin e Teksteve Shkollore (Inspektoria Eprore). Ndërkohë, Çabej vijoi të përmbushte angazhimin e tij, në Institutin e Studimeve Shqiptare dhe të Artit, duke marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit të Gjuhës e të Letërsisë.
Kjo marrëdhënie vazhdoi deri në maj të vitit 1945, kur Qeveria e Përkohshme Demokratike, mori në dorë drejtimin e Institutit të Studimeve dhe vendosi si përgjegjës të tij, Selahudin Toton. Tanimë Çabej u emërua nëpunës teknik dhe përgjatë viteve 1945-1946, drejtoi punën e grupit, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës, pjesë e të cilit ishin, Sabiha Kasimati dhe Gjergj Komnino.
Tipare të shkencës dhe “punonjësit të mendjes” në vitet e para të Shqipërisë komuniste
Pas Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së regjimit komunist, Shqipëria hyri në një fazë të re të zhvillimit politik, shoqëror dhe ekonomik. Struktura shtetërore dhe shoqëria shqiptare, do të duhej të zhvilloheshin mbi baza krejt të reja, të cilat nuk kishin asnjë pikë takimi, me atë çka kishte ndodhur në Shqipëri më herët. Përjashtim nga e tëra, nuk do të bënte as fusha studimore dhe “punonjësit e mendjes”. Që në mbledhjen e dytë të Frontit Demokratik, më 7 tetor 1946, Enver Hoxha i konsideroi çështjet e arsimimit, kulturës dhe shkencës, problemet më me rëndësi të Frontit dhe të Shtetit.
Tashmë në atë që në terminologjinë e kohës konsiderohej si “Shqipëri e Re”, rrugën e së cilës e kishte shënjuar Lufta Nacionalçlirimtare, zhvillimi i arsimit, kulturës dhe shkencës, do të merrte tipare thellësisht të ndryshme nga më parë. Ato diktoheshin nga modeli i ri, që shteti dhe shoqëria shqiptare do të duhej të ndiqnin. Sa i përket kulturës / shkencës, Hoxha shprehej se; në përgjithësi, duhej të zhvillohej në baza shkencore, të pastrohej nga “të gjitha ideologjitë reaksionare që gjenden në kundërshtim flagrant, me principet e mëdha që dualën nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare”. Në të kundërt, ajo konsiderohej “antihistorike, anti-njerëzore, shërbëtore e ulët dhe armë e poshtër në duart e klikave reaksionare”.
Sikurse edhe në fusha të tjera, modeli mbi të cilin do të ngrihej shkenca shqiptare, ishte ai sovjetik, i konsideruar si pararojë. Shkenca shqiptare, sikurse ajo sovjetike, duhej të kishte në themel një botëkuptim unik: materializmin dialektik që përbënte bazën filozofike të doktrinës së Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit. Ajo duhej të ishte; “në shërbim të masave punonjëse” dhe e mbrujtur me frymë partie. Në funksion të kësaj fryme, ngjyresa politike që kultura / shkenca duhej të merrte, ishte komponenti bazë i saj. Shkenca nuk mund të mos kishte përmbajtje ideologjike dhe për këtë, sikurse shprehej Manol Konomi, kryetar i Institutit të Studimeve, studiuesit nuk duhej të kishin as më të voglin dyshim.
Tiparet e mësipërme ishin përcaktuese edhe për veçoritë që duhej të kishte studiuesi dhe puna e tij. Së pari, “punonjësit e mendjes”, duhej të njihnin realitetin e ri shoqëror dhe të ndërpritnin çdo lidhje “të pashkëputur me botën e vjetër” dhe “shkencën borgjeze”. Metoda e punës së tyre do të duhej të ishte ajo marksiste-leniniste, pa të cilën nuk mund të përfitonte nga shkenca dhe kultura e popujve të Bashkimit Sovjetik. Përvetësimi i kësaj metode, ishte i lidhur me njohjen e “botëkuptimit të ri”, të materializmit filozofik dhe dialektik.
Njerëzit e shkencës duhej të dilnin nga sferat e idealizmit, ku i kishin shtyrë “regjime reaksionare të së kaluarës” dhe të zbrisnin në sferën e realitetit. Ata duhej të ishin të lidhur me popullin / masat e gjera. Tashmë liria për studiuesin (për) kufizohej vetëm tek e drejta e njohjes së aspiratave, nevojave dhe problemeve të popullit, duke u shmangur hapur liria e mendimit dhe e gjykimit.
Gjithë sa më sipër, do të ishin edhe linjat mbi të cilat do të duhej të zhvillohej puna në Institutin e Studimeve, i krijuar rishtazi nga qeveria e Enver Hoxhës, më 28 janar 1947, me emër të ndryshuar në Institut të Shkencave, një vit më pas. Një ndër 23 anëtarët e Institutit, ishte edhe Eqrem Çabej. Tashmë qëndrimet ndaj Institutit Mbretnor të Studimeve Shqiptare dhe veprimtarisë së tij, do të fillojnë të bëhen më të politizuara dhe më mohuese. Përpjekjet për ta stigmatizuar këtë institut si një organizëm i krijuar nga pushtuesit fashistë italianë, në shërbim të politikës së tyre për italianizimin e shoqërisë shqiptare, sa vijnë e përforcohen.
Shteti komunist dhe studiuesi Eqrem Çabej
10 vitet e para pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, do të ishin të vështira për shqiptarët dhe intelektualët në veçanti. Regjimi do të kërkonte të konsolidohej dhe si rrjedhojë, do të zhvillonte një propagandë dhe terror totalitar. Sikurse edhe në regjimet e tjera totalitare, terrori do të realizohej përmes një aparati policor të bindur deri në verbëri dhe të mirë-disiplinuar.
Nuk ekzistonte parti tjetër, përveç partisë-shtet dhe çdo kundërshtim apo mendim kundër linjës ideologjike të partisë, dënohej rëndë. Krahas etjes për pushtet, terrori ushtrohej edhe nga tendenca për të krijuar “njeriun e ri”, që duhej të ishte i denjë për shoqërinë komuniste, e konsideruar si e përsosur. Në këtë kuadër, rëndësi mori puna me elitën / intelektualin.
Përqendrimi i vëmendjes në procesin e formësimit të një elite të re, e konsideruar e tillë jo për shkak të moshës, por ideologjisë, mori rëndësi të posaçme edhe për komunistët në Shqipëri. Elita e re, krahas pjesës që do të krijohej rishtazi dhe do të shkollohej në Bashkimin Sovjetik dhe vendet e demokracive popullore, nënkuptonte reformimin e elitës/ kuadrove të vjetër dhe brumosjen me idetë e marksizëm-leninizmit. Në terminologjinë e kohës, “kuadro të vjetër” konsideroheshin ata që kishin studiuar në shkollat e Perëndimit, të cilët nga pikëpamja kulturore ishin nën influencën e asaj shkolle dhe nën zotërimin e “ideologjisë borgjeze”.
Ata ishin pa parti dhe si të tillë, kishin probleme ideopolitike. Elita e vjetër që nuk dakordësohej me formën e regjimit që po vendosej, konsiderohej nga Enver Hoxha dhe drejtuesit më në zë komunistë shqiptarë si rrezik potencial. Si e tillë, ajo duhej “reformuar” që të bashkëpunonte me regjimin, në të kundërt konsiderohej tepër e rrezikshme dhe duhej margjinalizuar. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm