Nga ARMAND PLAKA
Pjesa e parë
Vështrim historik mbi kontaktet dhe shkëmbimet shumëplanëshe shqiptaro-gjermane në rrjedhën e viteve
Memorie.al / “Boni, nëpërmjet eksporteve me Shqipërinë, me siguri nuk korr dot ndonjë përfitim të madh. Por në aspektin politik, në rastin e Shqipërisë, qysh prej tërheqjes së kinezëve, është lënë pa shfrytëzuar një hapësirë e madhe. Rendi shoqëror e politik i Shqipërisë, sigurisht që nuk u përgjigjet përfytyrimeve Perëndimore. Ky rend, megjithatë, nuk ndryshon shumë nga ai i vendeve të tjera socialiste, me të cilët Boni me kohë ka ndërtuar marrëdhënie e kontakte të mira. Në politikën e tij për të ruajtur sa mundet ‘statusquo’ -në në Ballkan dhe të kufizojë kësisoj sa më shumë ndikimin e Moskës, Boni në radhë të parë mbështetet te Jugosllavia. Por nuk mund të ngremë asnjë dyshim, se një Shqipëri tërësisht e pavarur nga Moska, kontribuon në stabilitetin e Ballkanit, po aq sa dhe një Jugosllavi e paangazhuar. Do të kishte qenë një gabim i rëndë politik ta neglizhonim edhe më tej për një kohë të gjatë këtë fakt”.
Kështu shkruante një gazetar gjermano-perëndimor dhe njohës i mirë i Ballkanit, Heiko Flottau, në një shkrim për “Sueddeutsche Zeitung” të datës 12.02.1982. Duket se kjo ishte dhe sinteza më e mirë e asaj çka gjermanët prisnin nga vendosja e marrëdhënieve me një vend si Shqipëria, asokohe, “njolla e zezë” e Europës.
Duke marrë shkas nga interesi i rizgjuar ditët e fundit në mediat e opinionit publik shqiptar për kohën, e cila nga shumëkush në Shqipëri cilësohet (me të drejtë) rëndom si “shansi i humbur”, pra (ri)vendosjen e vonuar të marrëdhënieve diplomatike mes Republikës Federale të Gjermanisë e, Shqipërisë, në vjeshtën e vitit 1987, mora shtysën të sjell një përmbledhje materialesh e faktesh të botuara në Gjermani, pikërisht në momentin e vendosjes së këtyre marrëdhënieve.
Ato përbëjnë në vetvete konstatime, fakte, komente, analiza e dëshmi mbi stadin e këtyre marrëdhënieve në këndvështrim historik dhe përpiqen gjithashtu të gjejnë edhe shkaqet se përse këto u realizuan kaq vonë!
Duke u zhvendosur në kohë, pikërisht rreth 20 vjet më parë, shumica e materialeve të rrëmuara në rreshtat e shtypit gjerman (shumë nga të cilat po botohen për herë të parë në shtypin shqiptar), çdo gjë duket të jetë më se interesante, duke pasur parasysh faktin se tashmë Gjermania është jo vetëm lokomotiva ekonomike në Europë, por edhe në politikë, pasi pikërisht këtë vit ajo aktualisht mban edhe presidencën e BE-së.
Ndërkohë edhe Shqipëria ka ndryshuar shumë qysh prej asaj kohe dhe shumëçka rreth pikave të errëta në lidhje me vendosjen e tyre, janë zbardhur falë prezencës në shtyp të protagonistëve të saj.
Në fakt, ky studim nuk tenton të merret shumë me analizën e fakteve apo arsyet që çuan në këto marrëdhënie, apo mënyrën se si u realizuan ato, aq më tepër të ndalet në vizitat e famshme të Shtrausit në Shqipëri, të cilat ishin gjithsesi kulmi i përpjekjeve (jo thjesht individuale të këtij personaliteti të madh politik gjerman), por më shumë dëshiron të hedhë dritë mbi marrëdhëniet shqiptaro-gjermane ndër shekuj në shumë fusha dhe kjo e parë nën dritën e fakteve që gjenden në dokumentet e studimet gjermane, pas një hulumtimi relativisht të gjatë.
Kështu, në ndihmë na vijnë materiale që janë marrë në Bibliotekën e Bundestagut, Institutin Federal Gjerman për “Studime Ndërkombëtare e Lindore” në Bon, Ministrinë e Jashtme Gjermane, atë shqiptare, shtypin dhe mediat gjermane dhe ato gjermano-folëse etj.
Qysh në fillim të një studimi kushtuar vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, autori Wolf Oschlies, thekson ndër të tjera:”…Qëllimi i studimit tim është të prezantojë partnerin më të ri diplomatik të Bonit, Shqipërinë – vendin më të izoluar, më kryeneçin, më të prapambeturin, më totalitarin dhe njëkohësisht edhe më të pavarurin në Europë”, duke iu referuar në fakt një tjetër studiuesi, Hennig von Loewis.
Më poshtë ai shtron tri pyetje: Çfarë vendi është Shqipëria? Si është formësuar rruga e saj politike në historinë moderne e post-moderne? Çfarë tradite marrëdhëniesh gjermano-shqiptare mund të dëshmohen? Njëkohësisht duken interesante edhe pikëpyetjet shumë logjike që ngrihen prej tij. “Përse marrëdhëniet diplomatike u vendosën kaq vonë, 15 vjet më vonë se sa me shtetet e tjera të Lindjes”? – konstaton ai.
Sa i informuar ka qenë ndërkohë lexuesi gjerman (i gazetave në veçanti), mbi rajone kaq të mbetura në hije të Europës Lindore, sa kanë parapëlqyer autorët gjermanë të trajtojnë problemet e këtij rajoni në mënyrë eksplicite, duke ofruar njohuri themelore për një lexues thuajse fare të painformuar e, ndoshta edhe të pa interesuar?
Këto dhe shumëçka tjetër do të marrin përgjigje në vazhdën e shkrimit të mëposhtëm, që siç e theksuam tenton më shumë të paraqesë rrjedhën historike të këtyre marrëdhënieve, për të kuptuar më mirë se si arritëm deri në vendosjen e tyre. Por në vijim, sigurisht që do u rezervojmë vend edhe shkaqeve e analizave politike, që marrin në lupë sidomos periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.
Edhe në kohët kur Gjermania ishte bërë ura e lidhjeve kulturore mes Europës Lindore e asaj Perëndimore, Shqipëria mbeti për gjermanët sërish e huaj dhe e panjohur! Megjithëse, në fakt, prej shekujsh kishte pasur lidhje të shumanshme. Nga kronikat e vjetra, për shembull, na është bërë e ditur se ndër trupat që ndihmuan Skënderbeun, shpeshherë ishte prezente dhe një njësi (domethënë repart ushtarak), me luftëtarë gjermanë.
Mbi rolin e ndikimin e tyre, në kohët e sotme janë hedhur edhe hije dyshimi, por është një fakt i pamohueshëm që në Shqipëri ekzistojnë familje me mbiemër Allamani e Gjermeni. Në fakt, ky konstatim i bërë nga studiuesit gjermanë, përkon me të vërtetë me format e mbiemrave relativisht të njohur në vendin tonë, që në dialekt hasen ndoshta edhe në formën Gjermëni.
Madje edhe mbiemri Valteri (le të kujtojmë këtu atentatorin e Zogut I-rë, Beqir Valteri) është me origjinë gjermane, pasi nuk gjendet asnjë shpjegim tjetër për prejardhjen e tij dhe specialistët e etimologët, e miratojnë plotësisht këtë tezë. Në shekullin e 17-të, princërit gjermanë, ndër të cilët edhe Valenshtajn, nxisnin shqiptarët të hidheshin në kryengritje, në mënyrë që të arrinin sa më parë në kurorën e Bizantit.
Njëqind vjet me radhë, nga 1638-a deri në 1737, krerë e prijës të ushtrive gjermane kanë luftuar së bashku me shqiptarët dhe kanë (ri)pushtuar sërish pjesë të tëra të territorit të vendit të marra nga turqit e venecianët.
INTERESI PËR GJUHËN SHQIPE
Përveç interesave politiko-ushtarake për Shqipërinë, ka pasur edhe interesa shkencore. Për gjuhën shqipe sidomos, ia vlen të përmenden kontributet e Lajbnic dhe të shkencëtarit nga Lajpcigu, Thunmann, i cili në vitin 1774, u përpoq të botonte një studim të detajuar mbi gjuhën shqipe.
Thuajse në të njëjtën kohë gjeografi gjerman A.F. Byshing (i mbiquajtur edhe Straboni i Gjermanisë), botoi dy harta të “Mbretërisë së Shqipërisë”, që ai i paraqiste si një të tërë, me zona që shtriheshin që nga Mali i Zi i sotëm, deri në Thesali, duke zënë thuajse të gjithë hapësirën jugperëndimore të Ballkanit.
Duket se në këtë rast kemi pasur të bëjmë me një dashamirës të “vendit të shqipeve”, pasi asokohe në fakt nuk ekzistonte ndonjë “Mbretëri e Shqipërisë”, e kjo përmendet në fund të fletëve në një shpjegim të veçantë.
Në vitin 1835, filologu gjerman Ritter von Xylander, përpunoi gramatikën e parë të gjuhës shqipe në mënyrë shkencore. Në të njëjtën kohë, konsulli austriak i lindur në Frankfurt, Johann von Hahn (1811-1869) ndërmori një sërë udhëtimesh nëpër Shqipëri. Si rezultat i kësaj, në vitin 1853-’54, panë dritën e botimit edhe të famshmet “Albanesische Studien”, që për shekuj me radhë vlerësohen si një vepër ku bazohen shumë punime të tjera pasardhëse.
Në mënyrë të ngjashme ka punuar edhe Gustav Mayer, nga Silezia e Sipërme, Weigand nga Lajpcigu dhe gjithashtu të famshmit albanologë vjenezë, Norbert Jockl dhe Maximilian Lambert, veprat e shumta të të cilëve hedhin dritë mbi problemet e folklorit e gjuhës shqipe, duke u bërë tribunë e përcjelljes së imazhit të shqiptarëve në kontinent.
Gjeografë e arkeologë gjermanë në Shqipëri
Filologëve nuk u qëndruan pas as gjeografët e arkeologët. Kështu, në vitin 1844, Joseph Myler, një mjek gjerman nga Praga, që kishte qëndruar për disa vjet me radhë në Shqipërinë e Jugut, botoi një vepër të detajuar me përshkrime mbi gjeografinë e këtij vendi. Punime në këtë lëm shkencor u botuan relativisht shumë, deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore, ndër të cilat ia vlen të përmendim veprën e shkëlqyer të inxhinierit Karl Shtajnmec.
Mbështetur në punimet shkencore të von Hahn, më pas Hajnrih Kieperet në vitin 1867 në Berlin, botoi një hartë të Shqipërisë, që u bë e njohur si shumë e saktë. Sidomos gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, gjermanë e austriakë punuan së bashku për ta paraqitur terrenin gjeografik të Shqipërisë në hartografi, duke u bazuar në matje sa më të sakta. Në këtë aspekt, pra me matjet në terren, shquhej sidomos kontributi i kolonelit von Mylius, i pasuar edhe nga gjeografi berlinez, Herbert Louis.
Punë të vlefshme për t‘u marrë si shembull në sektorin e statistikave rreth Shqipërisë, publikoi edhe gjeografi Franc Zajner. Zhvillimet gjeologjike në truallin shqiptar i studiuan H. Vetter dhe Ernst Novak, punë e cila u dokumentua më pas në një hartë speciale të vitit 1928.
GJERMANËT DHE HISTORIA E SHQIPËRISË
Relativisht herët ka nisur edhe interesimi gjerman për historinë e Shqipërisë. Kështu, Philip Fallmerayer (1790-1861), ndërmori kërkime mbi historinë e Shqipërisë, ku në fokus solli periudhën e mesjetës; me antikitetin ndërkohë u mor G. Zippel dhe me kohën e Skënderbeut në veçanti, u shqua kontributi i Julius Pisko. Georg Veith studioi në Shqipëri ndikimin e mbetjet e periudhës romake nga koha e Çezarit.
Studime arkeologjike ndërkohë në Shqipëri ndërmorën para së gjithash shkencëtarët austriakë, si Carl Patsch, Theodor von Ippen, C. Prashniker dhe A. Shober, veprat e të cilëve bazoheshin në kërkime që kishin kushtuar shumë kohë dhe në përshkrimet e udhëtimeve të shpeshta të tyre në Shqipëri.
FLORA JONË U STUDIUA NGA BIOLOGËT GJERMANË
Pikërisht, si themelues i trajtimit shkencor të Shqipërisë e shqiptarëve, nuk mund të rrimë dot pa përmendur edhe kontributin e biologut August Griesbach, i cili në vitin 1841, publikoi një libër me informacione të detajuara mbi florën e natyrën shqiptare.
LETËRSIA DHE PUBLICISTIKA MBI SHQIPËRINË
Përveç veprimtarisë shkencore, pati gjithashtu edhe një veprimtari të ethsme letraro-publicistike, ku në fokus ishin pikërisht shqiptarët dhe vendi i tyre.
Ndikim të madh në imazhin e Shqipërisë për gjermanët kanë dhënë sidomos edhe Karl May me veprën e tij “Udhëtim në vendin e shqiptarëve”, (Durch das Land der Skipetaren), e cila në fakt përcjell një imazh të stisur e të stilizuar rreth shqiptarëve e Shqipërisë, që në fakt ka hasur shpesh në kundërshtitë e kritikëve.
Porse ai, siç thekson edhe një studiues e njohës i mirë i veprës së tij, kishte meritën kryesore në bërjen të njohur të nocionit “shqiptar”, në mbarë botën letrare, studimore e kulturore europiano-perëndimore, atë veriore e më gjerë.
Në krahasim me të, një kontribut më profesional e realist dha përkundrazi baronesha nga Mynihu, von Godin, që për shkak të udhëtimeve të shumta të ndërmarra në Shqipëri, solli në mënyrë të detajuar e realiste përshkrime të vlefshme mbi njerëzit, vendin e gjuhën e “bijve të shqipes”.
Gjatë Luftës së Parë, interesi gjerman rreth Shqipërisë u shumëfishua dhe qysh në vitin 1913 Egon Ervin Kish publikoi veprën e tij “Eilige Balkanfaht” (“Udhëtim i shpejtë nëpër Ballkan”), e cila deri më sot vlerësohet si reportazhi më realist e më i thellë që i është bërë ndonjëherë Shqipërisë.
Dhjetë vjet pas Luftës së Parë (1927-1928) ishin dy autorë të tjerë gjermano-folës, që nxorën në botim vepra letrare dhe reportazhe mbi Shqipërinë: austriaku Adolf Bernatzik dhe Joseph Roth. Në këtë kohë mund të flisnim fare lirshëm për një të ashtuquajtur “bashkëpunim shqiptaro-gjerman”.
INTERESI POLITIK PËR SHQIPTARËT
Austria, në vitin 1615 kishte shpallur një protektorat mbi katolikët shqiptarë dhe ky rol para së gjithash u dëshmua në themelimin e mbështetjen e shkollave konfesionale, ku për herë të parë mësohej dhe shqipja (ndërkohë sigurisht jepej edhe gjermanishtja), në zonat veriore të vendit. Duhet theksuar se në asnjë zonë tjetër të vendit, kjo gjë nuk lejohej nga turqit.
Ndërkohë, duke u zhvendosur në kohë e duke kaluar në periudhën e lidershipit (në fakt shumë të respektuar, por edhe të debatuar në Gjermani), të kancelarit të Rajhut, Otto von Bismarck, duket se interesi gjerman për Shqipërinë ishte shumë i zbehtë dhe kësisoj ai edhe vetë ndikoi negativisht në përcaktimin e fatit të saj në ato momente të vështira për shqiptarët në fund të shekullit të XIX-të.
Pas konstituimit të shtetit shqiptar në vitin 1912, numri i shqiptarëve që shkonin për të studiuar në Gjermani, pësoi një rritje graduale dhe ky zhvillim madje fare pak u ndërpre gjatë Luftës së Parë. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria po hidhte sytë për ndihma të domosdoshme ekonomike.
Në fakt, konstatojnë gjermanët, ishte Italia e cila i dha asaj shpesh një ndihmë të konsiderueshme ekonomike, por ndaj kësaj të fundit, Shqipëria gjithmonë ruante një ndjenjë mosbesimi për shkak të ambicieve të saj koloniale. Kështu që para së gjithash mbetej kontributi i Gjermanisë ai, i cili mund të ishte më domethënës në këtë aspekt.
Ndërkohë, nga materialet e botuara në revistat e gazetat gjermane të kohës, del në pah se; “mbështetja për bujqësinë, pajisja me një nivel minimal infrastrukture e rrjeti rrugor i një vendi, deri në ato kohë shumë të prapambetur, si dhe puna për përcaktimin e shfrytëzimin e burimeve minerare të vendit, ishin dhe fushat ku më së shumti u shquan gjermanët”.
Ata, thotë në një koment të tijin Wolf Oschlies, në një studim të botuar në vitin 1987, i morën përsipër këto detyra dhe i kryen me sukses. Ata u desh të konkurronin edhe me rivalë të tjerë me të cilët Shqipëria kishte filluar të bashkëpunonte, duke iu nënshtruar një ere të re liberalizmi ekonomiko-politik, ku ftoheshin kësisoj të kontribuonin e garonin të gjitha shtetet potente europiane e më gjerë.
ZOGU THIRRI NË NDIHMË GJERMANËT PËR NAFTËN
Ndërkohë hasim në një fakt ndoshta të panjohur për publikun e gjerë, kur vlerësohet lart kontributi i gjeologëve gjermanë që Zogu i thirri për të zbuluar resurset e naftës, së pari në vitin 1921, duke kryer këtë punë me sukses e ndonjëherë këto punë të tyret, nuk sollën vetëm suksesin në aspektin ekonomik, por edhe në atë shkencor, si për shembull, në atë të hartimit të hartave shkencore të sakta gjeologjike.
Në shtypin gjerman ndërkohë, në periudhën mes dy luftërave botërore, përmendej shpesh një farë “Profesor N”, që në këtë pikëpamje besohet se paskësh realizuar projekte thuajse mitike. E në këtë rast besohet se mund të jetë bërë fjalë ndoshta vetëm për Franz Baron Nopca, i cili përgjatë 12 viteve mori fame, si gjeolog e gjeograf i përkryer, që përcolli shumëçka rreth Shqipërisë së asaj kohe në Europë.
GJERMANËT, DEPËRTIM NË EKONOMINË SHQIPTARE
Me një fjalë: mund të themi se në Shqipëri gjermanët kishin depërtuar ndjeshëm dhe kjo u pa të zbatohej sidomos në planin ekonomik, duke ia nisur që nga ndriçimi i rrugëve të Tiranës (nga firma e mirënjohur “Siemens-Schuckert”) deri në themelimin e aviacionit civil shqiptar (me linjat që ofronte shoqëria e njohur gjermane “Aero Lloyd”) në vitin 1925, duke bërë të mbesin gjurmë konkrete të aktivitetit gjerman në Shqipëri.
Duke anashkaluar një periudhë, e cila në marrëdhëniet mes dy vendeve shpesh kalohet në heshtje, pra ajo gjatë Luftës së Dytë Botërore (megjithëse për shumë arsye ajo meriton plotësisht vëmendje të veçantë), ia vlen të kalojmë në një stad tjetër, duke u përqendruar direkt me periudhën që erdhi më pas dhe të shohim se çfarë rezervoi koha pas realiteteve të reja politiko-ekonomiko-ideologjike për të dyja (e madje duke ia nisur që nga tani e tutje, për të treja) vendet.
TIRANA – BERLINI LINDOR DHE BONI
Secili në mënyrën e vet, të dyja shtetet gjermane ishin më se të bindur se Shqipëria ishte vendi më i izoluar, më kryeneçi, më i prapambeturi dhe njëkohësisht edhe më i pavaruri në Evropë (duket se ky përfundim i gjermanëve i referohet në fakt pikërisht fundviteve ’70-të e atyre ’80-të, pasi Shqipëria tashmë kishte lënë pas krahëve edhe lidhjet e ngushta me Kinën dhe tanimë po ecte me forcat e veta).
Në fillim u duk se ishte Republika Demokratike Gjermane, ajo që u pozicionua më mirë në marrëdhëniet me shqiptarët, tashmë në një epokë të re, në pozicionimin e tyre të qartë ideologjik, në njërin krah të perdes së hekurt që ra mbi Evropë pas Luftës së Dytë.
Kështu, më 2 dhjetor 1949, vetëm tetë javë pas themelimit të Republikës Demokratike Gjermane, ata vendosën marrëdhënie diplomatike në nivel të dërguarish, që u kthyen në ambasada vetëm atëherë kur Kuvendi i Republikës (asokohe) Popullore të Shqipërisë, më 18 mars të vitit 1955 shpalli se “gjendja e luftës me Gjermaninë” kishte përfunduar./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm