Nga Beqir Sina
Memorie.al /“Isha shumë i ri, dhe, as që më shkonte ndërmend për një arratisje nga Shqipëria, por ishte vëllai im, rreth 13 vjet më i madh, i cili dinte me tepër rreth ngjarjeve që kishin ndodhur me familjen tonë të madhe. Familja jonë Previzi, në Zerqan, qarku Dibër, ishte mjaftë e njohur në atë zonë të Grykës së Madhe të Dibrës, siç quhej dhe thirret ajo. Kjo familje dibrane, ishte e shquar për bujarinë e mikpritjen, po ashtu edhe për burrëri e trimëri, si dhe e përfshirë në veprimtari politike, të të gjitha kohërave”, kështu shprehet në mes të tjerash, z. Hysen Previzi, me origjinë nga rrethi i Dibrës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1963, kur familja e tij prej shumë anëtarësh, u arratisën nga Shqipëria, për t’i shpëtuar represionit të egër dhe persekutimit që kishte ushtruar deri në atë kohë regjimi komunist i Tiranës, ndaj familjes Previzi. Për më shumë rreth kësaj dhe punës e veprimtarisë së z. Hysen Previzi, si gazetar në Radion “Zani Atdheut”, na njeh intervista ekskluzive me të, që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim.
Z. Previzi, cila është e kaluara e familjes suaj?
Babai im Mahmud Previzi, ishte nën-komandant i forcave të xhandarmërisë të nën-Prefekturës së Zerqanit, kurse, xhaxhai Bajazit Previzi, ishte nën-perfekt i nën-prefekturës së Zerqanit, gjatë qeverisjes së Mbretërisë Shqiptare të Zogut. Kur vendi u pushtua nga klika komuniste, babai im si dhe e gjithë familja jonë e madhe, nuk u pajtua me atë regjim. Babai im me një grusht xhandarësh, që i kishin mbetur, në atë kohë u përpoq të mbronte Zerqanin nga forcat komuniste, të udhëhequra nga Dali Ndreu, por, i tradhtuar nga disa gjoja nacionalistë, të përbërë prej më tepër se 300 vetë, u mposhtë.
Zerqani, u muar nga komunistët, shtëpia jonë e madhe u dogjë në flakë. E gjithë pasuria jonë përfshirë tokë e bagëti u konfiskua. Si rrjedhoje, familja u internua në fillim në Berat, kur unë isha vetëm foshnje. Në kampin e internimit në Berat, familja jonë pati kontakte edhe me familje të tjera nacionaliste, nga e gjithë Shqipëria, dhe Kosova. Aty ishin edhe familjet dibrane, si; Kaloshi, Ndreu, Kaziu, Lita, Dema, Tonuzi, e familja e Beqir Sina i parë, me të cilët ishim miq prej kohësh, si dhe shumë e shumë të tjerë.
Përse dhe si u arratisët nga Shqipëria….?
Babai im, pas një qëndrimi prej afro katër vitesh nëpër malet e Dibrës, duke mos u pajtuar, siç thash edhe më lart, me klikën komuniste, vazhdonte të shpresonte, se mund t’u vinte ndihmë nga forcat anglo-amerikane. Ai u vra heroikisht në përpjekje me forcat komuniste, po, edhe këtë radhë i tradhtuar nga byrazeri i tij më 1949 (emrin e të cilit nuk është e nevojshme ta përmend). Mbas vrasjes së babës, familja u lirua nga internimi dhe erdhi përsëri në Zerqan. Sipas tregimit të nënës time, shtëpia e djegur, toka e konfiskuar dhe e shpërndarë në “reforma agrare”, u vendosëm në një shtëpi të vjetër dhe të rrënuar.
Të cilësuar kulak, pa të drejt shkolle të mesme, e gjithmonë nën mbikëqyrje të Sigurimit të Shtetit, kaluam disa vjet. Vëllai im Fiqiriu, i bindur se nuk mund t’i përballonte me atij regjimi gjakatar, mori guximin dhe në tetor të vitit 1963, vendosi që së bashku me dy kushërinjtë tonë, Sami dhe Basri Alliu, si dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, të arratisemi. Vlen të vë në dukje, se më shumë se gjysma e familjes, nuk arriti të kalonte kufirin, për në ish-Jugosllavi. Nëna ime si dhe bashkëshortja e vëllait tim, Fiqiriut, me 5 fëmijë, si dhe bashkëshortja dhe nëna e Samiut, u kapën nga forcat kufitare në kufi. Ato sërish u internuan nëpër kampet famëkeqe, si ai Shtyllas të Fierit, kur u liruan vetëm me ardhjen e demokracisë në vitin 1991.
Kur filloi lidhja e juaj me patriotët dhe grupet anti-komuniste, dhe çfarë roli kishit ju në ato?
Duhet pranuar, se: “Në raste të ndryshme emigracioni në ish- Jugosllavi, është trajtuar sipas oreksit të jugosllavëve”. Kjo vetëkuptohet dhe nuk do shtjellim, sepse ashtu ishin dhe rrethanat e asaj kohe – “ishe mes dy zjarreve”. Në disa raste, emigracioni përkrahej dhe herë të tjera, përbuzej nga regjimi Jugosllav…! Gjatë emigracionit në Jugosllavi, nuk mund të thoshe se je antikomunist, ose patriot dhe as që mund të aktivizoheshe si i tillë. Ish-Jugosllavia, ndonëse luante një politikë më të “butë”, me emigrantët, për interesat e saj ekonomike dhe politike, por ishte komuniste, dhe diktaturë e kamufluar.
Jugosllavia e atëhershme në shumë raste, emigracionin politik shqiptarë, e përdori si mish për top, ashtu si përdori edhe disa shqiptarë të tjerë. Mirëpo, gjatë emigracionit në ish –Jugosllavi, ne patëm rastin që përsëri të bashkoheshim më shumë nacionaliste të arratisur në atë vend më parë dhe të gjenim shqiptarët e vërtet patriot. Vlen të përmend, si e ceka më lart, miqtë e familjes tonë, me disa prej tyre ku kemi qëndruar edhe në kampin e internimit në Berat, si; vëllezërit Rasim, Hashim e Besim Sina , Abdulla Kaloshi, Qazim Lusha, Mane Dumani, Sefer Lleshi e, shumë të tjerë. Roli ynë politik, ishte vetëm e vetëm të largoheshim për në Perëndim, ku dhe mund të na krijohej mundësia për të ndihmuar familjet, që i kishim lënë pas, por edhe Shqipërinë dhe Kosovën, të gjithë trojet shqiptare të okupuara nga Serbia.
Kështu që në vitin 1965, shumë prej nesh morëm rrugën e arratisë nga Jugosllavia, dhe shkuam për në Itali. Atje u u takuam dhe u lidhëm me shumë të arratisur të tjerë, antikomunist dhe figura patriote të njohur, të çështjes kombëtare.
Ju keni qenë pjesë e Partisë Lëvizja e Legalitetit në mërgim – çfarë ishte ky organizim, si vepronte dhe cili ishte roli juaj?
Pas një qëndrimi të shkurtër në kampin e refugjatëve në Itali, përfunduam në botën e lirë dhe më demokratike në botë, siç është Amerika. Porsa erdhëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikë, iu përveshëm punës, për të arritur atë që kurrë nuk e patëm të lehtë ta bëjmë, as mirëqenien dhe as politikën. Duke kujtuar të parët tanë, që ranë heroikisht për të mirën e vendit, për ta mbrojtur atë vend që do ta kaplonte komunizmi gjakatar i Enver Hoxhës me shokë, iu bashkëngjitëm edhe një here, Organizatës Lëvizja Kombëtare e Legalitetit, sot Partia Lëvizja e Legalitetit. Isha vetëm në moshën njëzetvjeçare, kur u radhita në radhët O.K.L.L.-së. Merrja pjesë nëpër mbledhje e manifestime të ndryshme.
Organizonim demonstrata kundër regjimit totalitar të Enver Hoxhës, por në të njëjtin kohë, nuk linim jashtë as ato demonstrate, kundër Titistëve e Rankoviçëve jugosllavë, që shtypnin popullin e pa mbrojtur të Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare, nën ish-Jugosllavi. Unë personalisht, u zgjodha disa herë edhe anëtarë i Komitetit Qendror i OKLL-së, ku së bashku me disa patriotë të tjerë, kemi dhënë kontributin tonë. Kam punuar ngushtë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKLL-së, Zotin Fuat Myftia, si dhe të tjerë anëtarë të denjë e të ndershëm, si Kolonel Xhemal Laçi, z. Rasim Sina, z. Hysen Mulosmanaj, z. Abedin Mulosmanaj, z. Bardhok Ndreu, Z. Nrec Gjergji, z. Dr. Guri Durollari, e shumë të tjerë.
Çfarë do të veçosh nga ajo periudhë?
Vitet kalonin, patriotizmi e trimëria kishte një far rënie, një far rënie debulese në shoqëri, pleqëria po bënte të veten. Shpresat, për një kthim të shpejtë në Shqipëri, dita ditës po veniteshin. Duhesh një punë më e madhe. Nevojiteshe një organizim më i fortë, për t’i rindezur edhe një herë motorët e ndjenjës politike. Kundërshtarët tanë politikë, po bëheshin edhe më të fortë. Ishte emigracioni ekonomik i shqiptarëve të Kosovës, ku disa prej tyre, të financuar nga Qeveria Jugosllave, gjoja kishin ardhur për biznes.
Po në New York, u hap edhe një Radio tjetër, at’here e quajtur “Zëri i Malësisë” e financuar krejtësisht nga Qeveria komuniste shqiptare, si dhe nga emigrantët kosovarë dhe ata nga Mali i Zi e Maqedonia, që ishin me Enverin. Në mos gaboj ishte fillimi i vitit 1981 – kur në Kosovë, shpërthyen trazira të organizuara nga studentët shqiptarë, dhe që po shtypeshin e burgoseshin nga makina shoviniste Jugosllave. Nga ana jonë ,kërkohesh një mobilizim – për të informuar sa më mirë dhe saktë emigracionin rreth ngjarjeve në Kosovë. kështu që në pranverë të vitit 1981 lindi ideja për hapjen e një Radio-transmetimi nga Nju Jorku.
Pra, kishit themeluar radion shqip Zani i Atdheut në Nju Jork, si staf i kësaj radio çfarë ju kujton ajo sot? Si lindi ideja për krijimin e kësaj radio?
Siç përmenda edhe më lart, ishte pranvera e 81-shit, kur me iniciativën e Lart Madhërisë së tij, Leka i Parë – Mbret i Shqiptarëve, në bashkëpunim me një rreth të ngushtë të anëtarëve të OKLL-së, kërkoi që në New York, të bëhet e mundur një transmetim radiofonik, për të ringjallur ndjenjat patriotike të emigracionit politik shqiptarë. Ai angazhoi Kolonel Xhemal Laçin, për realizimin e Radios. Kol. Laçi, njeri me shumë kulturë dhe i shkolluar në Perëndim, emëroi zotin Rasim Sina, si drejtues i këtij Radiostacioni dhe zotin Hysen Mulosmani kryeredaktor dhe që të dy folës, kryesorë.
Pas kësaj nisjative u vendos që Radio të jetë organ i Oborrit Mbretëror dhe të quhet “ZANI i ATDHEUT”. Radio “Zani Atdheut” bëri jehonë në radhët e emigracionit. Zani Atdheut u përkrah nga shumë emigrantë, si moralisht ashtu dhe financiarisht. Radio informonte bashkatdhetarët me lajmet nga ngjarjet në vendin tonë, Kosovë, shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës, si edhe gjetkë, nëpër diasporë. Vlen të theksohet se edhe pse luftoheshim nga individ të ndryshëm, qofshin ata Enverist apo, të drejtimeve tjera politike, “Zani Atdheut”, bëri punën që i takonte. Drejtori i Radios “Zani Atdheut”, Z. Rasim Sina, i ndihmuar edhe nga kryeredaktori dhe editori i saj Z. Hysen Mulosmanaj, si dhe unë (Hysen Previzi), por edhe bashkëpunëtor të tjerë, kontribuuam deri ne fund, deri kur në Shqipëri, në vitin 1992 – na “rilindi një far-demokracie”. Themë një “far-demokracie”, sepse kurrë, nuk iu afrue kohës më demokratike perëndimore, të paktën asaj që mban mend populli jonë, gjatë Mbretërisë së Mbretit Zog i I-rë.
Si do t’i përshkruanit bashkëpunëtorët e tu – të kësaj radio?
Ishte një kënaqësi e veçantë, sidomos kur punoja me këta njerëz të përkushtuar dhe të pasionuar pas radios. Vinte, dita dhe ora e transmetimit në air, koha për të transmetuar në Radio “Zani Atdheut”, sikur të ishim duke pritur një shpresë të madhe, se çfarë të rejash kishim për të thënë nga Shqipëria dhe, nga Kosova dhe viset shqiptare nën ish-Jugosllavi. Radio e niste programin e saj, me himnin tonë kombëtarë, origjinal, që fillonte dhe pasohesh më zërin e folësve: Ju flet “Zani Atdheut, zani i Lirisë, zani i Monarkisë Shqiptare, në Mërgim”.
Ishim gati të informonim dëgjuesit tanë të shumtë në atë kohë, me lajmet e brendshme e të jashtme, që kishim arritur të marrim si nga Shqipëria, nëpërmjet agjencive të huaja, dhe gazetave amerikane, ashtu dhe me ato se çfarë po ndodhte në Kosovë e trojet shqiptare, kryesisht nga njerëzit tanë, që kishim atje. Kishim lajme të ndryshme nga komuniteti jonë në Amerikë, e gjetkë. Plotësonim dëshirat e dëgjuesve tanë, me këngë të ndryshme, me urime festive e dasmore, etj., lajmëronim vdekje e hidhërime në komunitetet e tjera.
Dy bashkëpunëtorët e mi të radios, Rasimi e Hyseni, ishin të mrekullueshëm, ndonëse unë isha shumë më i ri se ata, gjithmonë merrja këshillat më të mira prej tyre. Nga kjo radio unë mësova shumë edhe nga gazetaria, aq sa në vitin 1988, deri në vitin 1990, punova si gazetar me Radion “Zëri i Amerikës” nga Uashingtoni. Por vlen të theksohet se atëhere, ngaqë ende frikësoheshin se regjimi i Tiranës, do hakmerrej ndaj punonjësve të kësaj radio të qeverisë Amerikane, nuk u jepeshin shpesh herë emrat, njëri prej tyre, isha edhe unë, që fola disa herë në programet informative.
Si i keni përcjellë ngjarjet e asaj kohe? Mbasi ju i nxirrnit informacionet, thuhet se duke iu referuar New York Times, dhe agjencive perëndimore. Radio “Zani i Atdheut”, dha lajmin e para, se u vra Mehmet Shehu, cili ka qenë reagimi i shtypit vendas dhe atij shqiptar në atë kohë?
Po vërtet, ashtu është, ishte se Radio “Zani i Atdheut”, në shqip, nga Nju Jorku, e dha e para lajmin më 19 dhjetor 1981, një ditë më pas, që e botoi gazeta ‘New York Times’, në një shkrim të gazetarit të saj në Beograd, Wolfgang Saksonë. Kjo ishte koha kur ne merrnim lajmet se në Kosovë, kishin ndodhur lëvizjet e mëdha shqiptare, ato që thirreshin atëhere me parullën kryesore; “Kosova Republikë”, pra për ato demonstratat e mëdha shqiptare të viti 1981, që tundën nga themelet Jugosllavinë titiste, të atëhershme.
Si mbas arshivës suaj: “Zani Atdheut”, tha se: “New York Times, shkruan sot, se Mehmet Shehu, kryeministri i Shqipërisë, bëri vetëvrasje, në fillim të ditës së sotme”, apo jo?!
Po më se e vërtet! Radio “Zani i Atdheut”, citoi edhe një buletin të lajmeve të Radios nga Tirana; “Për Shqiptarët jashtë Atdheut”, kryeqyteti i Shqipërisë, ku thuhej në atë kohë se; udhëheqësi komunistë 68-vjeçar, në detyrë që nga viti 1954 dhe njeriu që konsiderohej gjerësisht, një pasues i udhëheqësit të Shqipërisë, sekretarit të parë të partisë, Enver Hoxha, kishte bërë “vetëvrasje”” në një moment ankthi nervor”! Por, duke mos dhënë asnjë hollësi dhe fill mbas asaj, vazhdoi programi me muzikë”! Ne menjëherë, thamë se; “kjo lë shumë për të dyshuar dhe situata do të përkeqësohet në Shqipëri”, çka edhe ashtu ndodhi, ajo u shoqërua me arrestime dhe pushkatime të tjera, të Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut.
Si e keni pritur vdekjen e Enver Hoxhës, çfarë impakti pati në komunitet?
Vdekjen e Enverit, ne të gjithë patriotët në diasporë, e pritëm me brohoritje e më të shtëna në ajër (në shtëpitë e atyre që ishin larg qendrave të banimit). Nisën pas lajmit telefonata, që “plasën” nga të katër anët, mbasi u ngjallë edhe një herë shpresa; se Shqipëria do të ndryshonte dhe do të hapej, regjimi komunist do të binte dhe ne do të takoheshim me të afërmit tanë, në Shqipëri. Vdekja e Enverit, të nesërmen u pasqyrua si ngjarja më e madhe e asaj dite, nga gazeta “The New York Times” një rast i veçantë dhe i rrallë për gazetën më të madhe në botë New York Times .
Kjo gazetë, madje përgatiti specialen për ndarjen nga jeta të diktatori Enver Hoxha, një ditë mbasi ai vdiq, pra të nesërmen më 12 prill 1985, duke shkruar mbi karrierën e diktatorit shqiptar, që nga fillimet e tij, deri në ditët e fundit të jetës së tij (çka ishte diçka e rrallë për nji gazetë kaq të madhe amerikane, t’i kushtonte kaq shumë vend, vdekjes së një diktatori) Por, në komunitet, natyrisht, që kishte edhe nga ata që e pritën me lot në sy….! Radio “Zani Atdheut”, përgatiti një editorial të vetin, ku vuri në dukje se “Shqipëria, tani do të marrë frymë lirisht dhe se Ramiz Alia, do të jetë ai që do të udhëheqë Shqipërinë, drejt një hapje me Perëndimin” .
Po përmbysja e regjimit komunist në Shqipëri, si u prit tek shqiptarët e Amerikës?
Tek shqiptarët e Amerikës, u prit me dy mënyra; njëra i gëzojë deri në qiell, rënies së komunizmit, hapjes së Shqipërisë, kurse pala tjetër, e priti si në “zi”, me kokë ulur. Kjo sigurisht, ngaqë pati të atillë, që u erdhi keq, por, nga mendimi se diçka do të përfitonin, se kishin qenë të lidhur me Tiranën, u ra “zija”, jo se e donin komunizmin në komunitet. Dhe si për ironi, një pjesë e tyre, ma vonë, na u bënë edhe më patriotë dhe demokratë, se ne, që vuajtëm të zitë e ullirit, për afro 50 vjet. Ashtu si dhe tregova për Radion “Zani i Atdheut”, e cila ishte e vetmja radio anti-komuniste dhe që luftonte për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, një Shqipëri me sytë nga Amerika dhe Perëndimi e, jo nga Rusia dhe Kina, u pritë me lajme të mira që jepnin shpresë.
Gjatë punës suaj – ju dhe kolegëve a u kanë “sulmuar” ndonjëherë për shkak të qëndrimeve të Radios? Të cilat thuhet se ishin patriotike dhe anti-komuniste, për një Shqipëri Etnike?
Në të vërtet, unë personalisht nuk kam përjetuar ndonjë kërcënim nga askush, dhe as që më ka ra ndërmend ndonjë herë të kujdesohem për atë çështje, dhe këtë nuk e them për mburrje. Por kërcënime dhe përplasje verbale nuk kishte, por kërcënime anonime dhe sharje, mbasi përfundonin lajmet, kishte nga ndonjë shqiptar, natyrisht që nuk i pëlqente, kur ne sulmonim qeverinë e Tiranës. Atyre, as sot nuk e kuptoj, se çfarë u dukej regjimi i Tiranës?!
A ka qenë e vështirë në kohën e sundimit komunist të mbaje një radio të tillë?
Sigurisht, se çdo gjë që nuk paguhet dhe duhet të paguash nga xhepi yt, ka vështirësitë e saj. Si për shembull; “A do të shkosh në punë, për të ruajtur familjen, si dhe kohën e mbetur, do t’ja dhurosh familjes apo Radios”?! Mirëpo, kur u mbyll Radio “Zani i Atdheut”, dëgjuesit e saj të rregullt, ata që kontribuonin financiarisht, dhe, që ishin nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia dhe Çamëria, dhe disa lider fetar, e të tjerë, reaguan me njëherë për mbylljen e radios, duke shprehur keqardhjen e tyre. Mbasi, kur u mbyll Radio “Zani i Atdheut”, kishte ende nevojë, për një radio-program popullor, shqip, që me gjithë vështirësitë e ekzistencës, i mbajti me shpresë, deri ditën që erdhi demokracia dhe ish-Jugosllavia u shpërbë, dhe në trojet shqiptare, filloi të fryjë era e lirisë.
Ne kemi pranuar edhe vërejtjet e asaj kohe, që na vinin paraprakisht nga dëgjuesit, në lidhje me profesionalizmin, që natyrisht ishin të pranueshme, mbasi nuk ishte në atë kohë, kjo teknologji që është sot. Pra, nuk ishte e lehtë të gjejë lajmin, dhe t’a bëje lajmin, që i duhej komunitetit, mbasi Shqipëria, ishte e mbyllur hermetikisht, ndërsa Kosova dhe viset shqiptare, ishin në censurimin dhe shtypjen e egër të policisë serbo-sllave dhe UDB-së, e cila i përndiqte shqiptarët, ngado që lëviznin ata.
Por, e them me bindje edhe sot, se ne deri ditën që e mbyllëm radion: “Ne ishim e vetmja radio shqip në Amerikë, tek e cila besonte dëgjuesi i asaj kohe, sepse kishim raportimin e saktë, dhe, gjithmonë duke i u referuar burimeve të sigurta, agjencive më prestigjioze perëndimore, që nxirrnin ndonjë lajm nga trojet shqiptare dhe Shqipëria, dhe që ishte për interesat tona të përbashkëta, me dëgjuesit”, çka na i lehtësonte dhe vështirësitë e kohës.
Cili ka qenë roli i radios “Zani Atdheut” në Nju Jork, në çlirimin e Kosovës, luftën për të drejtat e shqiptarëve nën sundimin sllavo-komunist nën ish Jugosllavi dhe çështjen e Çamërisë?
Radio “Zani Atdheut”, gjithmonë e ka ngritur zërin e saj për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Bujanovc, Medevegje, dhe në Çamëri. Radio “Zani Atdheut” hidhte poshtë kategorikisht zërat e qeverisë së atëhershme shqiptare, në propagandën e saj – për një Kosovë nën federatën Jugosllave, siç ishte qëndrimi atëhere, i Tiranës. “Zani Atdheut”, ka qenë; është dhe do të jetë tek bindjet tona – për një Kosovë, dhe të gjitha trojeve etnike shqiptare të bashkuar me nënën Shqipëri. Mbasi, Radio “Zani i Atdheut”, në Nju Jork, është themeluar qysh në kohën, kur shqiptarët në tokat e tyre, shtypeshin dhe keqtrajtoheshin shqiptarët, edhe pse ishin në shtëpitë e tokat e tyre, dëboheshin me forcë, dhe ishin drejt spastrimit etnik, çfarë e tregojë edhe koha, se si rrodhën ngjarjet më vonë. Shqipëria, asokohe ishte nën diktaturën më të egër komuniste në botë, dhe ne kërkonim lirinë e demokracinë, hapjen e Shqipërisë.
Radio u krijua në kohën kur propaganda e Tiranës, ishte në kulmin e saj jashtë shtetit, dhe shpenzonte me miliona dollar në diasporë, për të propaganduar “Shqipërinë e lulëzuar”, në SHBA-ës, me shpërndarjen dhe shitjen e revistave, librat dhe videot, dhe veprat e Enver Hoxhës, atëhere. Ne u krijuam në kohën që kishte edhe radio e gazeta të tjera, shqip në diasporë, dhe thoshin se edhe ata, luftonin për çështjen shqiptare! Por, duhet pranuar se mjetet e informimit, që ishin me drejtues nga Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, në atë kohë, kishin frikë të bënin punën tonë, dhe të jepnin lajmet, që jepnim ne për shqiptarët dhe çfarë po ndodhte me shqiptarët, në trojet e tyre.
Kjo vinte ngaqë, drejtuesit e radiove dhe gazetave, të tjera në diasporë, “frikësoheshin”, mbasi, kishin lënë në vendlindjen, të afërmit dhe familjet e tyre, si në Kosovë, apo viset e tjera shqiptare.
Dhe, UDB-ja në mërgim, ishte shumë e rrezikshme, në atë kohë, ishte shumë e futur, pra kishte depërtuar kudo në komunitet, duke i ndjekur çdo lëvizje të shqiptarëve, që donin Kosovën, Shqipërinë dhe trojet tona etnike. Kishte prej tyre, që prej se kur ishin larguar nga shtëpia e tyre, nuk guxonin të ktheheshin e të vizitonin prindërit e tyre, në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni, nga frika, se i keqtrajtonin dhe i fusnin edhe në burg, për veprimtarinë e tyre anti-jugosllave. Sepse, çdo gjë çfarë ndodhte në diasporë, filmohej dhe regjistrohej nga agjentët serb, në Amerikë, prej misionit Jugosllav, në Manhattan, apo qytetet e tjera në Amerikë. Dhe filmimet e fotografit e tyre, dërgoheshin menjëherë në Beograd.
Jo një herë por disa herë ka ndodhur, që kur shkonin atje shqiptarët, e diasporës, i arrestonin ose i keq trajtonin – qysh në aeroport të Beogradit, ose u shkonte policia në shtëpitë e tyre, dhe i thërriste në të ashtuquajturat; “biseda informative”, siç quheshin në atë kohë. Apo siç ishte dhe rasti Ivezaj, të cilin ne ishim radio e vetme, që e dhamë atëhere, mbasi ishte një ngjarje, ku u përfshi edhe qeveria amerikane, dhe shtypi më prestigjioz amerikan dhe “Zëri i Amerikës”.
A mendon se është realizuar sot, ideali i cili ushqeu Radio “Zëri i Atdheut”, për 15 vjet, në diasporë!
Sigurisht se po! Dhe, natyrisht, që mund të thuhet se ka ende shumë për të bërë, por sot, më shumë se 99 përqind e Diasporës, janë të vetëdijshëm se rruga që nisëm ne, ishte në të drejtën e kombit dhe ata që na u kundërvunë, ishin në të shtrembër. Puna që ne bëmë në Radion “Zani Atdheut”, ishte një punë e madhe fisnike dhe patriotike. Ishte një punë vullnetare, ishte një punë me përgjegjësi kombëtare. Radio “Zani Atdheut”, ngriti lartë zërin e Mbretërisë Shqiptare, me postulatin e saj; “Shqipëria e bashkuar – Shqipëria Etnike”. Sado honorifike të jetë një Mbretëri, sot, shiko vet shtetet më të zhvilluara dhe më të pasura të botës, i kanë dhe i mbajnë Mbretërit e tyre. Andaj mendojë se edhe ne shqiptarët: “Pa mbretëri, nuk do të këtë Shqipëri të bashkuar, Shqipëri Etnike”! Memorie.al