Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Sabri Qukut me origjinë nga familja e njohur shkodrane, i cili në vitin 1937-të u diplomua në fakultetin e Drejtësisë së Torinos, ku dhe mbrojti gradën shkencore Doktor i Shkencave, me një punim mbi “Kanunin e Lekë Dukagjinit” (“La Consuetudini delle montagne albanesi nelle legislazione di Lek Dukagjini”), ku u vlerësua me pikët maksimale nga profesorët italianë të atij universiteti. Kthimi i Qukut në atdhe, ku pasi morri liçensën e avokatit, ai punoi fillimisht si asistent i avokatit të njohur, Ferid Nepravishtës, në qytetin e Beratit dhe më pas i detyruar nga gjendja e vështirë ekonomike, pranoi të shërbente si Sekretar Federal Fashist në qytetin e Durrësit, nga ku e larguan pas pak muajsh si “element i padëshirueshëm”. Puna e Dr. Qukut si ndihmës gjyqtar paqtues në disa rrethe të vendit, si: Krujë, Ulqin dhe Shkodër, ku e zuri dhe mbarimi i Luftës, për të ardhur në vitin 1946-të ku ai pranoi që të merrte në mbrojtje si avokat, disa nga klerikët që u akuzuan si krerët e organizatës së fshehtë “Bashkimi Shqiptar”, si: Dom Giovanni Fausti, Padër Daniel Dajani, Padër Gjon Shllaku, Dom Luigj Kçira, seminaristët, Mark Çuni, Gjovalin Zezaj, etj., gjë e cila u bë shkak që ai të futej në “rreth të kuq” nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke përfunduar më pas i internuar fshatrave të Myzeqesë dhe të Vlorës, duke bërë punët më të rënda në bujqësi.
Sabriu dhe familja Quku?
Sabri Quku u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1915-të, në një nga familjet e njohura të atij qyteti, që banonte në lagjen Rus i Vogël. Ajo shtëpi në qytetin e lashtë dhe me tradita të Shkodrës, njihej më shumë si familje intelektualësh dhe një prej tyre ishte Faik Quku (vëllai më i madh i Sabriut), i cili pasi mbaroi Akademinë Ushtarake në Modena të Italisë, u kthye në Shqipëri dhe që në prillin e vitit 1939-të, pas agresionit fashist ndaj Shqipërisë, së bashku me Mit’hat Frashërin, Hasan Dostin, Thoma Orollogain dhe Fuat Dibrën (Xhaferrin), krijuan një organizatë të fshehtë që kishte si qëllim organizimin e rezistencës antifashiste, ndaj pushtuesve italianë. (Atë organizatë, në vitin 1942 e shpallën legalisht me emrin “Balli Kombëtar”). Si shumë nga pinjollët e asaj familje që ishin shkolluar nëpër universitetet e ndryshme të Europës, ashtu dhe Sabriu, pas mësimeve të para në qytetin e tij të lindjes dhe mbarimit të gjimnazit në qytetin e Tiranës në vitin 1933, fitoi një bursë për të studiuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Torinos në Itali. Ideja për të vazhduar studimet në atë universitet, Sabriut i lindi që në vitin 1931, kur ai arriti që të mbaronte dy vitet e para në një nga kolegjet e Torinos, për tu kthyer më pas në Tiranë, ku përfundoi dy vitet e fundit të gjimnazit. Gjatë katër viteve të studimit në fakultetin juridik të Torinos, Sabriu ishte një nga studentët më të mire, gjë e cila vërtetohet dhe nga librezat e notave të cilat ruhen ende në familjen e tij.
Mbrojtja e Doktoraturës në Torino
Pas mbarimit të studimeve në vitin 1937-të, Sabriu vendosi që për mbrojtjen e diplomës, të zgjidhte veprën madhore të së drejtës zakonore shqiptare “Kanuni i Lek Dukagjinit”, të cilën vite më parë e kishte mbledhur dhe botuar kleriku françeskan, At Shtjefën Gjeçovi. Idenë e tij për të mbrojtur diplomën me atë vepër, Sabriu j’a bëri të ditur disa muaj përpara, njëri prej pedagogëve të tij italianë, prof. Eugenio Florian, i cili jo vetëm e mirëpriti zgjedhjen që kishte bërë studenti shqiptar, por edhe e inkurajojë atë duke i afruar mbështetjen e tij si udhëheqës shkencor, në mbrojtjen e diplomës. Pas kësaj, Sabriu, filloi studimin e veprës “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, duke nxjerrë vlerat dhe profilin juridik të saj dhe më pas bëri seleksionimin e materialeve të shumta, të autorëve të huaj dhe atyre shqiptarë, të cilët në studimet e tyre i referoheshin asaj vepre të njohur, ndryshe edhe si e ‘drejta zakonore shqiptare’. Temën e punimit të tij, Sabriu e titulloi “La Consuetudini delle montagne albanesi nelle legislazione di Lek Dukagjini” (Doket e maleve shqiptare në Kanunin e Lek Dukagjinit), punim i cili u trajtua në 52 faqe të daktilografuara. Pasi e mbaroi studimin e tij, Sabriu ja paraqiti atë komisionit të mbrojtjes së diplomave të Fakultetit Juridik, i cili bëri vlerësimin e tij, duke i dhënë pikët maksimale (njëqind e dhjetë) dhe njohjen e doktoraturës në Drejtësi. Në vendimin e atij komisioni të regjistruar me Nr.5332, datë 16.02.1938 shkruhet:
”Në emër të Madhërisë së tij Viktor Emanueli i Tretë.
Për hir të Zotit dhe vullnet të Kombit, Mbreti i Italisë dhe Perandor i Etiopisë.
Ne profesorët Azze Azzi, Rektor i Universitetit Mbretëror të Torinos.
Si pamë vërtetesat e studimeve të kryera prej zotni Quku Sabri, i biri i Shaqirit, lindur në Shkodër më 15 nëntor 1915.
Si pamë rezultatin e provimeve të përgjithshme të kryera prej tij në këtë Universitet më 18 shtator 1937, në vetacionin njëqind e dhjetë (pikë):
I konfirmojmë laurën e Doktorit në Jurisprudencë.
Lëshuar në Torino më 15 dhjetor 1937, nga:
Drejtori Administrativ Paule Gerule
Rektori Azze Azzi,
Presidenti i Fakultetit, Cailio Gress
Pas mbrojtjes së doktoraturës. Sabriu mori një letër përshëndetëse nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Romë, i cili midis të tjerash i shkruante:
”I dashur Dr. Quku, jam i kënaqur nga rasti që më jepet për t’ju thënë se sa i lumtur u ndjeva, si Konsull shqiptar, tek dëgjoja lëvdatat, që trupi akademik i atribuoi si të kaluarës suaj studentore, ashtu dhe shpirtit patriotik që përshkonte gjithë temën tuaj të diplomës.
Ju në fakt i keni kurorëzuar me meritë studimet tuaja dhe jam shumë i kënaqur t’ju them se gjatë katër viteve të kaluara në familjen e madhe të studentëve shqiptar të Torinos, duke ndjekur gjurmët e vëllait tuaj Taro, keni qenë gjithmonë një shembull i sjelljes së mirë, në të gjitha raportet”.
Kthimi në Shqipëri
Pas marrjes së diplomës dhe doktoraturës në Drejtësi në Universitetin e Torinos, Sabriu u kthye në Shqipëri, duke menduar që të shërbente në organet e Drejtësisë. Pasi qëndroi për një kohë të gjatë pa punë, ai mundi që të stabilizohet si asistent i avokatit të njohur, Ferid Nepravishta, i cili ushtronte aktivitetin e tij në rrethin e Beratit. Kjo periudhë i shërbeu atij dhe për plotësimin e stazhit, që duhej të kryenin diplomantët e rinj para se tu jepej leja e ushtrimit të profesionit të avokatit. Pas kësaj, aty nga viti 1939-të, Sabriu i’u dha liçensa e ushtrimit të profesionit të avokatit dhe morri pjesë në një konkurs të Ministrisë së Drejtësisë, ku fitoi të drejtën për të punuar, si ndihmës gjyqtar pajtues në gjykatën e Libohovës. Por kjo gjë nuk u bë e mundur, për shkak të pushtimit fashist të Shqipërisë. Në qershorin e vitit 1939-të, i ndodhur në gjendje ekonomike të vajtueshme, ai pranoi jashtë bindjeve të tij politike, detyrën si Sekretar Federal në qytetin e Durrësit, ku punoi deri në shkurtin e vitit 1940-të. Largimi i tij nga kjo detyrë u bë sepse ai u cilësua si “element i padëshirueshëm” nga regjimi fashist, pasi ishte deklaruar haptazi si antifashist. Pas largimit nga kjo detyrë, ai mundi që të rregullohej si ndihmës gjyqtar pajtues në Shkodër, ku pas tre muajsh e transferuan për në qytetin e Krujës, për ta rikthyer përsëri në Shkodër. Në fillimin e vitit 1941, Sabriu u transferua në qytetin e Ulqinit. po si ndihmës gjyqtar pajtues, ku punoi më shumë se dy vite dhe në 1943-in ai rikthehet sërish në Shkodër, ku punoi si anëtar i Gjykatës së Shkodrës, deri në mbarimin e Luftës në vitin 1944.
Avokat i klerikëve antikomunistë
Pas mbarimit të Luftës, Sabriu e la vendlindjen e tij Shkodrën dhe erdhi në Tiranë, ku për disa kohë ushtroi profesionin e avokatit. Ai u detyrua që të kthehej përsëri në Shkodër, pasi në vitin 1946-të, vendosi që të mbronte si avokat, një grup klerikësh katolikë, që akuzoheshin për formimin e organizatës “Bashkimi Shqiptar”. Në atë grup të akuzuarish bënin pjesë: Dom Giovanni Fausti, Padër Daniel Dajani, Padër Gjon Shllaku, Dom Luigj Kçira, seminaristët, Mark Çuni, Gjovalin Zezaj, etj. Lidhur me këtë gjyq, Gjovalin Zezaj, njëri nga të akuzuarit, midis të tjerash ka dëshmuar: “Padër Gjon Shllaku, Dom Luigj Kçira dhe unë, kishim avokat mbrojtës, Myzafer Pipën, i cili gjatë Gjyqit Special, që u zhvillua në marsin e vitit 1945-së në Tiranë, kundër të ashtuquajturve “kriminelëve të luftës”, kishte mbrojtur disa nga të pandehurit e atij gjyqi. Në një nga ato seanca, Pipa, iu drejtua Koçi Xoxes dhe Bedri Spahiut, se ata nuk ishin të denjë, që të dënonin të akuzuarit, pasi ata nuk kishin as arsimimin minimal, që të merrni pjesë në atë trup gjykues, sepse ishin vetëm disa teneqexhi dhe kafexhi. Mjerisht dëshira jonë për të na mbrojtur Pipa nuk u plotësua, pasi ai u arrestua, gjoja si i implikuar në grupin tonë. Atë na e zëvendësuan me avokatin Sabri Quku, një njeri i mirë dhe kompetent, i cili u mundua me mish e me shpirt, që t’i bënte një mbrojtje të shkëlqyer klientit të vet, Padër Gjon Shllakut, duke i kërkuar gjykatës pafajësinë dhe lirimin e tij, nga salla e gjyqit për mungesë provash. Por edhe Quku mori të njëjtat fyerje në sallë, si dhe avokat Kolë Dhimitri. Pas kësaj, trupi gjykues ushtarak, nuk e mori fare parasysh kërkesën e tij për lirimin e tre klerikëve, ndonëse edhe ata vetë ishin të bindur për pafajësinë e tyre”. Lidhur me zhvillimet e këtij gjyqi, Dom Luigj Kçira ka dëshmuar: “Në janarin e vitit 1946-të, u zhvillua gjyqi ushtarak me kryetar toger Mustafa Elmazi dhe prokuror kapiten Aranit Çelën, kundra organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, në të cilën bëja pjesë dhe unë. Në ato seanca gjyqësore kam pasur si avokat mbrojtës, zotin Sabri Quku, i cili u përpoq me të gjithë aftësitë e veta profesionale dhe juridike, që të na e lehtësonte akuzën”.
Në kampet e internimit
Pas mbrojtjes si avokat, që Sabri Quku, u bëri klerikëve katolikë antikomunistë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, ai u cilësua si i padëshirueshëm, nga regjimi komunist, nisur dhe nga pozicioni i të vëllait, Faikut, eksponent i lartë i Ballit Kombëtar, që ishte arratisur nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944, së bashku me Mit’hat Frashërin dhe eksponentë të tjerë të lartë të asaj organizate nacionaliste dhe kësisoj regjimi komunist në fuqi e kishte futur në listën e “kriminelëve të luftës”. Nisur nga kjo, në vitin 1947-të kur u bë riorganizimi i sistemit të avokatisë, Sabriut nuk i’u dha e drejta, që të ushtronte më profesionin e avokatit. Pas kësaj, ai mundi që të rregullohet me punë në administratën e Sigurimeve Shoqërore të Shkodrës, ku punoi deri në vitin 1948-të. Më pas e larguan edhe nga kjo punë dhe ai u detyrua, që të punoi si llogaritar në Lezhë dhe më pas si sekretar në Drejtorinë e Avokatëve të Shkodrës, deri në vitin 1954. Po në këtë vit, atë e pushuan nga puna dhe për arsye politike e internuan, për 6 vite në kampet e Shtyllasit në Fier, Kuçit në Vlorë dhe Gradishtës në Lushnje. Në këto kampe ai punoi në punët më të rënda në bujqësi, duke mos pasur mundësinë, që të shkruante dot asnjë rresht nga studimet që kishte nisur në lidhje me Jurisprudencën, në të cilën ai ishte doktoruar në Torino në vitin 1937. Gjatë asaj periudhe kohe, që ai ishte I internuar në ato fshatra, ai shoqërohej më shumë me Hamdi Bushatin, pinjoll I familjes së famshme të Bushatllinjve, që konsiderohej si një nga zotnilerët e atij qyteti, të cilit ai i kushtoi veprën voluminoze studimore-historike me disa volume, “Shkodra dhe motet”. Sabriu u lirua nga internimi më 2 prill të vitit 1960-të dhe pasi qëndroi disa kohë pa punë, ai filloi si avokat në qytetin e Rrëshenit, ku punoi deri në vitin 1966-të, kur regjimi komunist e suprimoi shërbimin e Avokatisë në Shqipëri. Sabri Quku ndërroi jetë në vitin 1981, në moshën 66 vjeçare, në spitalin e Pukës, teksa kishte shkuar tek djali i tij Agroni, që punonte si mësues në fshatrat e largëta, i cilësuar nga regjimi, si pinjoll i një familjeje reaksionare.
Vlerësimi i studimit
Vetëm pas viteve ’90-të, studimi i Sabri Qukut për “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, mbi të cilin ai kishte mbrojtur doktoraturën në Torino, mundi që të shikojë dritën e botimit. Kjo u bë e mundur, falë dashamirësisë së studiuesit dhe pedagogut Ardian Doka, i cili e përktheu atë nga italishtja dhe e botoi atë si libër. Lidhur me këtë vepër të Qukut, studiuesi Doka, ndërmjet të tjerash ka shkruar: “Doket e maleve shqiptare në Kanunin e Lekë Dukagjinit, përfaqësojnë një qasje ndaj bazës dhe vlerës juridike të këtij kanuni”. Siç pohon edhe vetë autori, në hyrje të studimit, ai është mbështetur në kanunin e mbledhur nga Gjeçovi, por nuk mungojnë edhe ndihmesat vetjake, siç janë ato, që lidhen me kanunin Xhibal, i cili gjithmonë sipas autorit, përfaqëson një shmangie qoftë edhe të pjesshme nga ai, që Quku e quan kanunin origjinal. Duke e ditur se një nga aspektet më të atakueshme të kanunit, ishte gjakmarrja, autori përpiqet të përligjë ekzistencën e saj, duke përjashtuar çdo lidhje mes saj dhe gjenit shqiptar. Pra për Qukun, gjakmarrja është favorizuar nga rrethanat e jashtme, të cilat janë të huaja për konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve. Lidhur me këtë fakt ai shprehet: Shqiptarët nuk janë popull i egër nga natyra”. Mbi studimin e Sabri Qukut, janë ndalur dhe kanë dhënë vlerësimet e tyre dhe disa profesorë të tjerë shqiptarë. Një prej tyre është dhe Dr. Mark Tirta, i cili ndërmjet të tjerash ka shkruar: “Avokat Sabri Quku, ishte një nga ata student të dalluar, që u diplomua në nivel shumë të lartë, në nivel ndërkombëtar në universitetet e shquara të Europës. Tema e diplomës së tij, përbën një dëshmi të çmueshme të zellit dhe seriozitetit me të cilat shqiptarët i kanë hyrë kurdoherë dijes e kërkimit shkencor, për të nxjerrë në dritë vlerat e kulturës së vetë kombëtare”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016