• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Wednesday, March 4, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Mbreti Zog, i këshilluar nga Dr. Jani Basho, fillojë të ftojë profesorë e mjekë, që largoheshin nga Gjermania dhe Austria, të cilët…”/ Historia e panjohur e mjekëve hebrenj në Shqipëri në vitet ’30-të

“Dr. Bajram Emiri, la Francën dhe erdhi në atdhe për të prodhuar vaksinën kundër sëmundjes së tërbimit, themeloi të parin Laborator Bakteriologjik…”/ Historia e panjohur e mjekut të famshëm nga Shkupi
“Nën udhëzimin e Mbretit Zog, personat që do të zgjidhen nga partitë, për komitetin politik, duhet të jenë kompetent, përveç Mit’hat Frashërit, që është…”/ Kujtimet e kolonel Hysen Selmanit
“Babai im, kuronte të bijën e Enverit, Pranverën dhe Spiro Kolekën nga një sëmundje infektive që…”/ Dëshmia e të birit, për mjekun e njohur infeksionist
Fotot e panjohura / Godinat, klinikat dhe mjekët e spitaleve, nga Monarkia e Zogut, në Shqipërinë Socialiste: Tirana, Durrësi, Shkodra, Korça, Vlora, Elbasani, Gjirokastra, Berati, Peqini, Lezha…
Momente nga puna për ndërtimin e Spitalit Civil në Tiranë, viti 1941
Momente nga puna për ndërtimin e Spitalit Civil në Tiranë, viti 1941

Nga Prof. Dr. Mentor Petrela

Memorie.al / Ambiciet e Mbretit Zog për reformimin e sistemit shëndetësor me inaugurimin e spitalit në 1932 dhe me shkollën e infermierëve dhe të mamive, këshilluar këto nga Dr. Jani Basho, bënë që ai të fillojë të ftojë aty profesorë e mjekë hebrenj, që largoheshin nga Gjermania dhe Austria. Fëmijë i rritur shfletoja me pasion ilustrimet e Gustave Dore të “Komedisë Hyjnore”, një nga librat e preferuar të tim eti. Duke më vëzhguar, ai nisi të më shpjegojë përmbajtjen e tyre, duke recituar vargjet treshe, të atit, birit e shpirtit të shenjtë që Dante Aligeri kishte zgjedhur si stil. U ndal gjatë pasi më recitoi hyrjen në Ferr:

“Në mes të shtegëtisë së kësaj jete.

U gjeta në një pyll krejt errësi,

Gjithashtu mund të lexoni

“Mësuesi Janko Ll. Pali, mbetet përjetë si një monument i kulturës dhe i diturisë, pasi për gati gjysëm shekulli, luftoi për…”/ Historia e panjohur e poetit, muzikantit, valltarit e poliglotit të famshëm nga Himara

“Në vjeshtën e 1941-it, kur shërbente si drejtues i shkollave në Himarë, arrestohet nga grekët dhe dërgohet në komandën e Divizionit në Kudhës, i akuzuar…”/ Historia e panjohur e atdhetarit Janko Ll. Pali

Se kishe humbë unë rrugën e vërtetë

Do ta kuptosh më vonë, më tha im atë”.

Në një bisedë tjetër, sapo isha diplomuar në Mjekësi, më tregoi aktivitetin e doktorëve hebrenj, që shërbyen në periudhën e Mbretit Zog. Me sa duket, informacionet mbi ta vinin nga Dr. Ludwig Kalmari dhe Dr. Frederik Shiroka, të dy mjekë dhe miq të familjes. Në rrethin e parë të Ferrit, kënga e katërt, shkruhet për paganët:

“Nga këto fjalë, fort zemra m’u gandue,

Njerz njohta, aty që gzuen t’madh vlersimin,

E pezull tash n’atë Limb janë tue qëndrue”,

(Përkthim i Pashko Gjecit).

Të parët poetë, Homeri me shpatë dallohet për “Iliadën”, Horaci, Ovidi, filozofët; Sokrati, Platoni, Aristoteli e më pas shkencëtarët; Avicena, Averroe e të tjerë, gjithë monarkia universale e shprehur me trinitetin e shenjtë dantesk, prisnin në Limb si jo kristianë. Pas rënies së komunizmit u shtyva të kërkoj gjurmët e profesorëve, doktorëve hebrenj në Shqipëri dhe fatin e tyre më pas.

Në funksionin e drejtorit të QSUT-së në vitin 1993, zbulova se në bodrumin e godinës historike të spitalit (foto e inaugurimit 1932) ekzistonin një mamuth kartelash e dokumentesh të asaj kohe, që bashkëjetonin me protokollet e mbledhjeve të organizatave të PPSH-së. Mora kartelat e para. Shfletosja e tyre më jepte një ndjesi respekti ngaqë prekja me duar ato fletë ku ishte ADN-ja e profesorëve Lehmann e Schlesinger, me kaligrafinë e tyre të bukur dhe me përshkrime klinike, që nuk i gjen as sot në mjekësinë shqiptare.

Kishte të drejtë në një raport, drejtori i asaj kohe i shëndetësisë kur thoshte se me ardhjen e profesorëve nga Vjena e Berlini, niveli i shërbimit u rrit cilësisht, përfshirë këtu stafet dhe diskutimin. Një ‘Nota Bene’ e tij tregon se disa mjekë shqiptarë e lanë spitalin dhe u instaluan në praktikë private pas ardhjes së tyre. Kuptohet se testosteroni i hierarkisë funksiononte shumë më mirë në atë kohë. Pas vitit 2000, vazhdova kërkimet e dokumenteve dhe kartelave të pacientëve pranë Arkivit Qendror të Shtetit.

Në bazë të raportit të xhandarmërisë për leje-qëndrimet e hebrenjve, Lehmann, vetë i tretë, rezultonte në 1933 (faksimile AQSH). Duke mos pasur datat ekzakte të hyrjes në Shqipëri nuk gjeta gjurmët e duhura të Lehmannit në ato vite, 1933-1935. Për ironi, të pranishmit që konsultonin në sallën e AQSH-së me pyesnin shpesh: “Hë, a gjete gjë doktor”? E kishin fjalën për pronat.

Walter Max Ludwig Lehmann lindi në 17 nëntor 1888 në Frankfurt.

Ai studioi mjekësinë e më pas specializohet në kirurgji. Në SHBA neurokirurgjia ishte ndarë si specialitet i veçantë me Harvey Cushing në Boston. Sipas raportit vjetor të Bent Brigham (Harvard), Walter Lehmann kaloi rreth një vit pranë Cushing-ut duke mësuar anestezinë me eter, pambukun, muskujt për mbrojtjen e trurit dhe hemostazës si dhe përdorimin e kapëseve të argjendit për mbylljen e enëve të gjakut.

Më vonë, ai hasi vështirësi për t’u instaluar në Berlin për arsye se kirurgët e përgjithshëm, që kryenin aty edhe operacionet e trurit, në kontradiktat e xhelozive mes tyre, nuk mund ta pranonin profesor Lehmann-in që kishte ardhur me përvojën e përparuar amerikane. Në një letër drejtuar Harvey Cushingut, ai i shpreh keqardhjen për këtë fakt dhe i thotë se nuk ka ardhur koha, prandaj po kthehem në Frankfurt. Ndërkohë, ai kishte publikuar 61 artikuj shkencorë dhe librin “Bazat e Neurokirurgjisë” sipas modelit amerikan, i pari tekst në këtë fushë në Gjermani.

Ai martohet me pediatren Wera von Kuczkowski, nga familje fabrikantësh çokollate. Ardhja e Hitlerit në pushtet me frymën antisemite, megjithëse Walter Lehmann ishte pagëzuar familjarisht katolik shumë kohë më parë, krijoi miazme për ushtrimin e profesionit dhe jetës normale në Gjermani.

Pas 1933, ai filloi përpjekjet për t’u vendosur në SHBA, pranë Cushing-ut dhe institucioneve të tjera, por edhe atje gjeti një frymë jomikpritëse. Çifti lindi dy fëmijë, Klaus dhe Hans, ndërkohë që furia e nazistëve po rritej, duke shkaktuar largimin e hebrenjve.

Një diferencë jo e vogël me totalitarizmin komunist. Ndërkohë, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Herman Bernstein me origjinë hebre po negocionte me Mbretin Zog për krijimin e një enklave hebrenjsh në Shqipëri. Ambiciet e Mbretit Zog për reformimin e sistemit shëndetësor me inaugurimin e spitalit në 1932 dhe me shkollën e infermierëve dhe të mamive, këshilluar këto nga Dr. Jani Basho, bënë që ai të fillojë të ftojë aty profesorë e mjekë hebrenj, që largoheshin nga Gjermania dhe Austria.

Një ftesë e tillë i mbërriti dhe Lehmann-it, i cili ndërkohë familjen e kishte transferuar tek i vëllai Julius në Zyrih. Në dhjetor 1935 ai arrin në Tiranë me avion nga Roma, i shoqëruar nga vëllai i vogël Artur. Takohet me Drejtorin e Përgjithshëm të Shëndetësisë, i cili i propozon një kontratë si kryekirurg në Spitalin Ushtarak të Tiranës (sot kirurgjia QSUT).

U morën vesh për një kontribut në organizimin e shëndetësisë shqiptare dhe si konsulent personal i Mbretit Zog. Nga prilli 1936 prof. Lehmann u vendos në Vlorë në një ndërtesë të administratës lokale, pasi burokracia e atëhershme detyronte firmosjen e kontratës së tij nga organet ushtarake dhe jo nga drejtori i Shëndetësisë civile. Iu deshën katër javë që të instalohen me mobiliet e ardhura nga Gjermania në një mjedis disi të egër, në raport me jetën që ata ishin mësuar në Frankfurt.

Spitali i Vlorës, i ndërtuar nga italianët gjatë Luftës së I-rë Botërore, me fasadë nga deti Adriatik kishte kushte jo të mira dhe, për më tepër, një koleg shqiptar nxiste personelin e pacientet kundër tij. Me mungesat e materialeve, ai përdorte fijet e mëndafshit, që kishte sjellë e shoqja Wera për rrobat. Ajo shërbente si asistente, me durim në shumë ndërhyrje. “Zelli me të cilin shërbenin që të dy, shpesh i bënte të harronin lodhjen nga stresi i punës kirurgjikale”, dëshmonte edukatorja e fëmijëve, Ingmar.

Në ndryshim nga Gjermania, ai u përball me sëmundje të ndryshme, që nuk i kishte parë më parë, e që mjekoheshin me duhan e gjethe bimësh, pasi pacientët stigmatizonin spitalin dhe më shumë kishin besim te nuskat e hoxhallarëve. Ai ushtroi aktivitetin kirurgjikal, kryesisht në traumatologji, sidomos si shkak i hakmarrjeve dhe konflikteve religjioze. Shumë shpejt shqiptarët e fituan besimin te prof. Lehmann dhe i ishin mirënjohës atij. Edhe pse të varfër, ata i ofronin atij prodhimet e tyre si; mjaltë, zogj pule, qëndisma e dhurata të tjera.

Në 1936, prof. Lehmann transferohet në Tiranë si krye-kirurg për të dy spitalet, atë civil dhe atë ushtarak. Wera kreu me kujdes transferimin së bashku me fëmijët në Tiranë. Sipas referencave, ai kreu operacione në kirurgjinë e përgjithshme dhe në neurokirurgjinë, me instrumentet që kishte sjellë nga Gjermania. Profesor Xhelal Kurti, që hapi Klinikën e Neurokirurgjisë në 1964, filloi operacionet me kompletin e neurokirurgjisë së Prof. Lehmannit që mbetën në Shqipëri, sipas letrës drejtuar drejtorit të spitalit, Dr. Sabri Tefikut në 1939.

Relacionet e shkëlqyera që krijoi Dr. Tefiku me profesorët hebrenj tregojnë kompetencën dhe autoritetin e tij. Sipas dokumenteve, profesor Schlesinger kishte në dispozicion një veturë me shofer që paguhej nga shteti, ndërkohë që dy ministra të qeverisë së asaj kohe kishin një veturë e një shofer. Dëshmi kemi operimin në kolonë vertebrale të babait të humanistit Sami Repishti (kushëriri im) dhe operacionet në rastet e absceseve në tru me dr. Besim Zymën e në vazhdimësi i tumoreve në tru.

Vështirësitë që haste me biopsitë, kur kishte dyshime, i zgjidhte, duke i dërguar në Zyrih. Dr. Frederik Shiroka, asistent i tij, ka qenë pjesëmarrës kryesor i aktivitetit neurokirurgjikal të Prof. Lehmann-it. Ndërkohë, Wera Lehmann i siguronte materialet qepëse dhe të kujdesit të plagëve në ecejaket e saj Tiranë-Zyrih. Në shtëpinë e tyre në Tiranë organizoheshin party. Duke qenë se profesor Lehmann ishte edhe një muzikant i mrekullueshëm, ai luante vetë në piano.

Të ftuar të rregullt të mbrëmjeve festive në shtëpinë e tij ishin kolegët, nëpunës të shtetit, ambasadorët, ku çaji dhe brixh nuk mungonin asnjëherë. Preokupimi kryesor i tij u bë kur Mbretëresha Geraldinë mbeti shtatzënë. Sipas të dhënave të Ingmar, ai thoshte se “pasuesi i fronit duhet të vijë në jetë më se i sigurt si fëmijë dhe pa probleme shëndetësore”. Nga presioni i Italisë, siç e kishte parashikuar pesë vite më parë, në një artikull në “New York Times” ambasadori Bernstein, situata në Shqipëri po përkeqësohej.

Lehmanni, sipas shërbimeve sekrete italiane, përndiqej në aktivitetin e tij dhe ai filloi përpjekjet për të siguruar një vizë në Konsullatën Italiane. Në mënyrë konspirative, çifti Lehmann bashkë me fëmijët ishin asistuar nga Ambasada Amerikane për emigrim në SHBA-ës. Në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia, prof. Lehmann asiston në lindjen e Lekës së I-rë dhe udhëton me anijen e fundit nga Durrësi në Bari, më 5 prill 1939. Më pas, instalohet në SHBA-ës. Ai ndërron jetë aty, në 20 korrik 1960 në Carmel Kaliforni. Fëmijët e tij në një letër në 2013 shkruajnë se një herë, ati i tyre u kishte thënë se vitet në Shqipëri kishin qenë vitet më të mbushura të jetës së tij.

Memoriali i Walter Lehmann-it ndodhet në Shërbimin Universitar të Neurokirurgjisë, blloku i sallave të operacionit mban emrin Lehmann së bashku me parafernalian. Në kongresin vjetor të Shoqatës Amerikane të Neurokirurgjisë AANS në Neë Orleans, në 2 maj 2018, në seancën e historisë së neurokirurgjisë u prezantua dhe punimi “Walter Lehmann, që filloi neurokirurgjinë në Shqipëri”. Prezantimi i tij tërhoqi vëmendjen dhe u propozua për botim në formë artikulli në prestigjiozet: “Journal of Neurosurgery” dhe “World Neurosurgery”.

Ka pasur një heshtje të gjatë për ta, në histori duhen të vërtetat, jo pasionet, duke menduar me empati jetën e Lehmannit, kuptoj guximin e matur e vështirësitë e tij. Prof. Fejzi Hoxha, më seriozi, në librin e Historisë se Mjekësisë në Shqipëri 1962, i përmend shkarazi mjekët hebrenj, më pas ata mbetën sërish në Limb. Mjekët hebrenj mbetën të harruar, të syrgjynosur e të tradhtuar, siç më shkruan edhe kolegia Ulrike Eisenberg.

“Shoqëritë totalitare, nazizmi, komunizmi, i kanë rrënjët e thella dhe nuk shkulen me lehtësi”, fliste Konica mbi “Theory of Mind”, kush e lejoi për pesë dekada?!” Sot e përdorin si stoli figurën e Faik Beut, siç i drejtohej atij, me respekt Noli. Nuk po irritohen brezat me mendjet e tyre. Kultura e nderit te shoqëria shqiptare e para komunizmit nuk është e mjaftueshme për çrrënjosjen e ideologjisë totalitare, duhet strategji kombëtare e edukim moral vazhdimisht në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Shënimet e profesor Schlesinger-it, presin në bodrumin e spitalit me interpretimet e para të elektro-kardiogramave të doktor Quastler-it, me imazheritë e irrigoskopitë të dr. Nobel e të tjerëve me shkrimet e tyre në gjermanisht ose frëngjisht, në kartela me nivel mjekësie europiane, akte këto të kryera shumë më përpara se ato që janë të shkruara si Histori e Mjekësisë Shqiptare për studentët nga nostalgjikët e komunizmit.

Hapjen e Fakultetit të Mjekësisë, profesorët e nderuar hebrenj ia propozuan Mbretit Zog në 1937, sipas shënimeve të profesor Xhavit Gjatës. Ndokush nga romantikët e shumtë të komunizmit, nga injoranca, duke lexuar këto rreshta do të ndiejë “zemërimin në ajër” ose në avion, të përshkruar në librin “Behave” (Sjellja) të Robert Sapolskit. Harresa e gjatë e profesorëve hebrenj në Shqipëri është danteske, ashtu siç është detyrimi historik i nxjerrjes së tyre nga Limbi i Ferrit për në Parajsë./ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 17 Janar 2026

Next Post

Ish-ministri Rahman Hanku, përkujtim i një personaliteti të ndërtimit, në 100-vjetorin e lindjes

Artikuj të ngjashëm

“Mësuesi Janko Ll. Pali, mbetet përjetë si një monument i kulturës dhe i diturisë, pasi për gati gjysëm shekulli, luftoi për…”/ Historia e panjohur e poetit, muzikantit, valltarit e poliglotit të famshëm nga Himara
Personazh

“Mësuesi Janko Ll. Pali, mbetet përjetë si një monument i kulturës dhe i diturisë, pasi për gati gjysëm shekulli, luftoi për…”/ Historia e panjohur e poetit, muzikantit, valltarit e poliglotit të famshëm nga Himara

March 3, 2026
“Në vjeshtën e 1941-it, kur shërbente si drejtues i shkollave në Himarë, arrestohet nga grekët dhe dërgohet në komandën e Divizionit në Kudhës, i akuzuar…”/ Historia e panjohur e atdhetarit Janko Ll. Pali
Personazh

“Në vjeshtën e 1941-it, kur shërbente si drejtues i shkollave në Himarë, arrestohet nga grekët dhe dërgohet në komandën e Divizionit në Kudhës, i akuzuar…”/ Historia e panjohur e atdhetarit Janko Ll. Pali

March 2, 2026
“Kur i thashë Profesor Ramadan Sokolit, se; pse nuk e citon udhëheqësin kryesor të Partisë në hyrje të librit, siç ta ka kërkuar redaktori, ai më…”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit dhe studiuesit të njohur
Personazh

“Profesor Ramadan Sokoli më tregoi, se kënga e grupit çam të Rrogozhinës për Çelo Mezanin, ishte në plan për t’u futur që në Festivalin Folklorik të ’73-it, por …”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit të njohur

March 1, 2026
“Në shtator 1944, Abaz Ermenji u takua me tre oficerët britanikë, Maclein, Smajli e Amery dhe u ra dakord që të formohej një grup i përbashkët, për të luftuar…”/ Ana e panjohur e ish-kreut të Ballit Kombëtar
Personazh

“Në shtator 1944, Abaz Ermenji u takua me tre oficerët britanikë, Maclein, Smajli e Amery dhe u ra dakord që të formohej një grup i përbashkët, për të luftuar…”/ Ana e panjohur e ish-kreut të Ballit Kombëtar

March 1, 2026
“Në mbledhjen e zhvilluar në bashkinë e Korçës, u formua Komiteti i ‘Shpëtimit Publik’ me kryetar Fazlli Frashëri, sekretar Selman Riza dhe Masar Shehu…”/ Historia e panjohur e profesorit nga Kosova
Personazh

“Në mbledhjen e zhvilluar në bashkinë e Korçës, u formua Komiteti i ‘Shpëtimit Publik’ me kryetar Fazlli Frashëri, sekretar Selman Riza dhe Masar Shehu…”/ Historia e panjohur e profesorit nga Kosova

February 28, 2026
“Aziz Biçaku u detyrua ta vriste Rexhep H., pasi ai u lidh me Forcat e Ndjekjes dhe Sigurimin, ndiqte grupet anti-komuniste, prandaj e shpallën ‘Dëshmor i Atdheut’ dhe…”/ Refleksionet e studiuesit Ali Buzra
Personazh

“Gjatë arratisjes, mbeti i vrarë shoku ynë Esat Dine, kurse udhëheqësi i grupit tonë, Selim Haxhija, u dorëzua, sepse ai ishte i futur nga Sigurimi i Shtetit…”/ Dëshmia e rrallë e Jonuz Ndreut, nga SHBA-ës

February 27, 2026
Next Post
Ish-ministri Rahman Hanku, përkujtim i një personaliteti të ndërtimit, në 100-vjetorin e lindjes

Ish-ministri Rahman Hanku, përkujtim i një personaliteti të ndërtimit, në 100-vjetorin e lindjes

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme