Nga Ekrem Spahiu
Me rastin e 81 vjetorit të lindjes
NMT Mbreti Leka I – Mbret i Shqiptarëve, ka patur një jetë të vështirë, por pavarësisht nga ky fat nuk reshti në asnjë çast duke punuar me përkushtim e vendosmëri për kombin shqiptar. Në memorjen tonë kombëtare, kanë mbetur të gjalla përpjekjet dhe roli aktiv i Mbretit Leka për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe rrëzimin e diktaturës komuniste. Sot, me rastin e 81 vjetorit të lindjes, po përcjell shkurtimisht jetën e tij 72 vjeçare.
Mbreti Leka ka lindur në Tiranë më 5 prill 1939. Duke shfrytëzuar edhe këtë moment delikat shëndetësor e njerëzor të MS Mbretëreshës Geraldinë dhe foshnjës së sapo lindur, pas dy ditësh Italia Fashiste nisi agresionin për të pushtuar Shqipërinë. Në këto rrethana, Familja Mbretërore Shqiptare detyrohet të largohet nga vendi.
Në të zbardhur të datës 7 prill, Mbretëresha Geraldinë me Princin dy ditësh niset në drejtim të kufirit me shtetin grek. Një ditë më pas, më 8 prill, do të vinte edhe Mbreti Zog, për t’iu bashkuar familjes dhe grupit të njerëzve që e shoqëronin në këtë mërgim të detyruar. Në shtetin helen Familja Mbretërore ka qëndruar gati një muaj dhe më 2 maj 1939 është nisur në drejtim të Turqisë. Prej saj, në fund të muajit qershor, janë larguar drejt veriut, për të përshkuar një itinerar të gjatë e të rrezikshëm duke udhëtuar pandalim përmes Rumanisë, Polonisë, vendeve baltike, Suedisë, Norvegjisë e për të mbërritur në Francë në muajin korrik 1939.
Pas fillimit të sulmit gjerman në 10 maj 1940, Familja Mbretërore shqiptare shpërngulet për në Britaninë e Madhe. Mbreti George IV i Anglisë do t’i ofronte mbrojtje dhe siguri gjatë gjithë përiudhës së Luftës II Botërore. Me përfundimin e luftës, Familja Mbretërore zhvendoset përsëri kësaj radhe në Egjipt, pas ftesës së marrë prej Mbretit Faruk, i cili ishte pasardhës i shqiptarit themelues të dinastisë mbretërore egjiptiane Mehmet Ali Pasha. Fillimisht në Kajro e më pas në Aleksandri, Familja Mbretërore shqiptare do të vijonte jetën e përpjekjet e saj për çështjen kombëtare.
Në Aleksandri, Mbreti Leka do të fillonte mësimet e para të shkollës në Victoria College dhe British Boys School, por këto studime do të ndërpriteshin pas grushtit të shtetit dhe ardhjes në fuqi të republikanëve në vitin 1952. Ndryshimet politike në Egjipt sollën si rezultat, zhvendosjen e radhës për Familjen Mbretërore, e cila në korrik 1955 u vendos në Cannes të Francës.
Gjatë kësaj kohe Mbreti Leka, regjistrohet në Shkollën e shqiponjave të Villars-sur-Ollon në Zvicër ku do të marrë diplomën “Matriculation of Oksford”. Në vitet 1956-1959 ka studiuar në akademinë ushtarake të Sandhurst prej së cilës do të gradohet si toger. Në këtë akademi, ndër më të famshmet në Botë, studionin pothuajse të gjithë bijtë e mbretërve të globit, por Princ Leka lidhi miqësi të ngushte me dy nga studentët më të shquar, që ishin Mbreti i ardhshëm Baudouin i Belgjikës dhe Mbreti i ardhshëm Husein i Jordanisë. Kur Princ Leka arriti për herë të parë në Sandhurst, Sir Julian Amery, në atë kohë ministër në qeverinë e Madherisë së Saj, Mbretëreshës Elisabeta, organizoi një pritje madhështore protokollare për nder të Princ Lekës në aeroport, ku Princi parakaloi në revistë para radhëve të Gardës Mbretërore britanike, i veshur me granduniformën Mbretërore të Mbretërisë Shqiptare.
Më 5 Prill 1957, kur Princi Leka mbush plot 18 vjeç, Mbreti Zog e shpall atë trashëgimtar të kurorës mbretërore, në një ceremoni të zhvilluar në prani të figurave më të shquara të emigracionit politik shqiptar në Francë dhe të shumë miqve të shquar të Familjes Mbretërore dhe të Shqipërisë, të ftuar enkas.
Pas ndërrimit jetë të Mbretit Zog në spitalin Foch të Parisit më 9 prill 1961, në përputhje me statutin e Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928, vendin e Mbretit Zog e zuri Mbreti Leka I, i cili bëri edhe betimin para një Asambleje të shqiptarëve në mërgim, të përbërë prej dinjitarësh të lartë të Mbretërisë, ish deputetë, ministra e funksianorë të lartë si dhe delegacione e përfaqësi të shqiptarëve të ardhura nga të katër anët e botës. Kështu ai u bë sipas kushtetutës së vitit 1928, Mbret i Shqiptarëve. Në ceremoninë mbretërore të kurorëzimit, të datës 15 Prill 1961, para Këshillit të Kurorës Mbretërore, ai shqiptoi formulën statutore: “Unë Leka I – Mbret i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh, se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”.
Në shtator 1962, ai la Francën për t’u vendosur në Spanjë ku vendosi kontaktet me Mbretin Juan Carlos të Spanjës dhe Mbretin Simeon II të Bullgarisë. Gjatë kësaj periudhe aktiviteti i tij politik merr një kurbë ngjitëse që kulmon me thirrjen e Konferencës së Madridit më 2-3 korrik 1972, ku marrin pjesë të gjithë faktorët politikë të diasporës antikomuniste. Në këtë takim të organizuar nën ndrejtimin e Mbretit Leka, arrihet krijimi i një fronti të përbashkët nacionalist kundër regjimit të Tiranës dhe aprovohet ideja që të luftohet për një Shqipëri Etnike dhe për përmbysjen e regjimit antikombëtar komunist të instaluar dhunshëm në Shqipëri.
Me 23 korrik 1975 me rastin e fillimit të Konferencës së Helsinkit – KSBE, Mbreti Leka i dërgon një telegram këtij organizmi ku midis të tjerash thotë se, “nuk do të ketë kurrë paqe e mirëkuptim në Ballkan, po nuk u njoh integriteti territorial i Shqipërisë Etnike”.
Më 8 tetor 1975, Mbreti Leka kryen ceremoninë civile të martesës në Biarritz të Francës me një fisnike të re australiane, Susan Cullen-Ward, në prani në një numri të madh shqiptarësh, ndërsa në 10 tetor, në Toledo të Spanjës, përfaqësuesit e klerit musliman shqiptar, të kishës ortodokse dhe katolike si dhe nje prift anglikan, bekojnë martesën e çiftit mbretëror.
Në vitin 1976 Mbreti Leka themeloi Këshillin për Çlirimin e Shqipërisë Etnike, dhe njëherësh zgjidhet edhe Komandat i Ushtrisë Kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë Etnike. Gjatë vitit 1977 ai i intensifikon aksionet dhe demarshet politike kundër regjimit komunist të Tiranës. Por ky aktivitet do të bëhej shkak që Spanja (një aplikante e zjarrtë për t’u anëtarësuar në Europën e Bashkuar), të tërhiqej përballë trysnisë së disa vendeve që ankoheshin se rrëzimi i qeverisë komuniste në Shqipëri, do të sillte si efekt edhe destabilizimin e Jugosllavisë. Prandaj, qeveria spanjolle kërkoi ndërprerjen e aktivitetit të Mbretit Leka duke e detyruar të largohej në janar të vitit 1979 drej Rodezisë e më pas në Afrikën e Jugut.
Në Johanesburg, më 26 mars 1982, do të vijë në jetë trashëgimtari i Kurorës Mbretërore – Princ Leka. Kjo ngjarje është shënuar edhe nga një gjest i rëndësishëm siç është akordimi i ekstraterritorialitetit për familjen mbretërore, dhe për pasojë, vendi ku Princi Leka ka lindur, është konsideruar si tokë shqiptare.
Pavarësisht distancës, Mbreti Leka do të vazhdonte përpjekjet e tija me qëllim që të arrijë çlirimin e vendit nga diktatura komuniste. Ai do të deklarojë në një intervistë se “Një mbret i mërguar ka veçse një dëshirë – të kthehet në vatër. Unë jam shqiptar dhe dëshiroj të jetoj në tokën e të parëve. Kam veçse një shpresë, që një ditë populli im të mundë të zgjedhë lirisht të ardhmen e vet. E nëse për këtë do të duhet të luftoj, unë do ta bëja!”
Edhe ngjarjet e dyfishta të korrikut 1990 do ta gjenin Mbretin Leka I në krye të detyrës. Ai do të ndjekë nga afër të gjitha hallet e shqetësimet e emigracionit të ri shqiptar të dyndur në ambasadat e huaja në Tiranë, dhe do të vijojë interesimin e tij të përhershëm ndaj çështjes së Kosovës që kishte avancuar ndjeshëm me ngjarjet e Trepçës, formimit të LDK dhe kushtetutës së Kaçanikut.
Ai u gjend pranë emigrantëve shqiptare që emigruan në mars 1991 në Itali dhe i bëri thirrje popullit shqiptar të bojkotonte zgjedhjet e 31 marsit 1991, të cilat i parashikonte se do të manipuloheshin nga PPSH-ja siç edhe rezultoi. Në nëntor të vitit 1993, Mbreti Leka I mbërrin në Tiranë, por fatkeqsisht nuk shkoi sipas planit dhe përfundoi në një vizitë të shkurtër, se autoritetet shqiptare e larguan pa mbushur 24 orë në atdhe për shkak “të dokumenteve të udhëtimit dhe armatimeve personale”.
Synimi i vazhdueshëm i Mbretit Leka ishte mbajtja e një referendumi për formën e regjimit. Në një moment shumë të vështirë për vendin dhe në zbatim të marrëveshjes së partive politike, më 12 prill 1997 Mbreti Leka vjen në atdhe me devizen “Paqë, Bashkim, Vllaznim”.
Më 29 qershor 1997 do të zhvillohej referendumi dhe Mbreti Leka I në mbarë vendin zhvilloi një fushate shumë dinjitoze. Pas votimit, filloi proçesi i numërimit të fletëve të votmit dhe fitorja e monarkisë po dukej qartë. Përballë kësaj fitore të Mbretit, komisionerët e majtë urdhërohen nga drejtuesit e tyre që herë pas here të deklaronin se Monarkia është në kufijtë e 20% të votave. Këtë e bënë për dy arsye: e para, uljen e entuziazmit të mbretërorëve për fitoren dhe e dyta, zvarritjen e numërimit të fletëve të votimit deri në përgatitjen e fletëve të reja për të manipuluar rezultatin. Sipas të dhënave nga komisionerët e monarkisë, kjo e fundit kishte fituar me të paktën 54% në rang kombëtar.
Përballë dinamikës dhe realitetit të atyre ditëve, ku: procesi numërimit zgjatej, KQZ-ja nuk shpallte rezultatin, mbretërorët protestonin në sheshin “Skënderbej” dhe përgjatë bulevardit, Policia ishte e dhunshme ndaj protestuesëve duke vrarë njërin prej tyre dhe plagosur shumë të tjerë, etj, Mbreti Leka për të evituar një përplasje civile nga konfliktet dhe provokacionet, më 12 korrik 1997 largohet, plot 3 muaj pasi kishte vënë këmbën në atdheun e tij me premtimin se ishte i gatshëm të kthehej në momentin që do ta kërkonte populli shqiptar.
Një ditë pas largimit të Mbretit, më 13 korrik, nën urdhërat politik KQZ shpall rezultatin (mbas dy javëve) me 33.26 % (450 478 vota) pro monarkisë. Vendimi i KQZ u apelua në Gjykatë të Lartë ku u dokumentua zhdukja e rreth 300 mijë fletëve të votimit pro monarkisë. Gjykata dha një vendim korrigjues ndaj atij të KQZ, por nuk ndryshoi rezultatin përfundimtar në disfavor të monarkisë. Me rezultatin e arritur, Mbreti Leka I është personi më i votuar në historinë politike të Shqipërisë.
Me nismën e grupit parlamentar të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe mbështetjen e 76 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, më 28 qershor 2002, Familja Mbretërore pas 63 vitesh në emigrim të detyrueshëm kthehet përgjithmonë në Atdhe. Mbërritja e Mbretit Leka në Rinas do të shënohet në librat e historisë si pritja më entuziaste që i është bërë ndonjëherë ndonjë personaliteti të popullit shqiptar.
Kthimi përfundimtar në Shqipëri, sikur ishte një ngjarje e shumëpritur, rezultoi edhe e dhimbshme, se në harkun e dy viteve ndërrojnë jetë njëra pas tjetrës Nëna Mbretëreshë Geraldinë dhe Mbretëresha Suzan. Këto do ta pikëllonin së tepërmi Sovranin tonë, por megjithatë ai nuk do të shkëputej nga jeta publike.
Rezidenca e Familjes Mbretërore u kthye një vend pelegrinazhi, ku shqiptarët nga të gjitha trevat shkonin për ta parë e për ta nderuar Mbretin Leka, sepse vetëm te ai kishin besim dhe shihnin shpresën e të ardhmen e tyre.
Mbreti Leka ndërroi jetë më 30 Nentor 2011. Shteti Shqiptar organizoi një ceremoni mortore zyrtare duke shpallur ditë zie kombëtare dhe ulur flamurin në gjysëm shtize në të gjithë institucionet. Kjo ceremoni e organizuar në sallën e parlamentit shqiptar, mirëpriti për homazhe të gjithë drejtuesit më të lartë të shtetit nga Shqipëria e Kosova, krerët e të gjitha besimeve fetare, drejtuesit e gjithë spektrit politik shqiptarë dhe dhjetra mijëra qytetarë, të cilët erdhën nga të katër anët e kombit për ti dhënë lamtumirën Mbretit të tyre.
*Ish-Deputet & Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit