Adnan Muka
Pjesa e njëmbëdhjetë
(103 letra nga burgjet komuniste)
Letra nga burgu i Burrelit 1953 – 1965
Memorie.al/E diel 29.01.1967, ende pa ague dita, e errësina ishte drejt largimit, kur s’u shifte njeri i gjallë në rrugë, trokita fort në derën e Kuvendit Françeskan, në lagjen “Arra e Madhe” të qytetit. Duel roja (apo portjeri).
– Kërkoj Padër Frano Kirin.
– Asht fjetë, – m’u përgjegj.
– Çojeni, due me e lajmue për vdekjen e nji miku e shoku!
Mbas pak kohe dera u rihap e u përballa me Padër Franon. Sapo më pa, i ndrroj fëtyra, sikur u mpi, u mendue mirë e s’foli për nji çast, e së fundi pa më ngushllue, më tha: “Bir, ju ka lanë të pasun!”. Rrugës me biçikletë për kthim në shtëpi, ku më priste nji mal me punë e probleme, fare pak mendova për fjalët që ndigjova. Ashtu shpejt e shpejt e pyeta vehten: Ç’pasuni na la? Na asht konfiskue pasunija e luejtshme dhe e paluejtshme, na u konfiskue…kishim mbetun vetëm na, familja e tij: halla, e motra, grueja me tre djelm e dy varza.
Trashigimni e mirë e e lakmueshme…, po mbi të gjitha na la emën të mirë: punë të lavdueshme në dobi të Atdheut, arsimit kombëtar, kulturës e fees islame. La vepra konkrete, shkrime të botueme, dorëshkrime…po, po, na la edhe letrat nga burgjet komuniste me atë shkrim të bukur, tue shprehë dashnin ndaj familjes në mënyrë të përkryeme artistikisht.
Këto 103 letra u ruejtën si gja e shtrejtë, si relike, si thesari ma i madh i lamun prej tij. Kur mbrrita në shtëpi, në lagjen Parrucë, isha i qetësuem e i gjallnuem. U mbusha plotë me energji për me përballue atë ditë mortore, që njiherit ishte edhe ditë fitoreje, sepse na: baba dhe familja, mbrritme me triumfue mbi 7000 ditë vuejtjesh me privim lirije, në kampe pune të detyrueshme e burgje, dhe për afro 500 ditë (mbas daljes gjallë nga burgu) bashkëjetuem shumë gëzueshëm në shtëpinë mbi 200 vjeçare të Mukejve, në Shkodër.
Në vitin 1997, prof. Vehbi Hoti, pedagog i Psikologjisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, letrat nga burgjet i ka përkufizue në këtë mënyrë: “Letër-këmbimi me familjen … janë shprehje e personalitetit të tij të gjithanshëm. Janë prozë me frymëzime poetike, shumë emocionuese dhe edukative. Me plot të drejtë ato mund të quhen si një “doracak” për edukimin në përgjithësi dhe edukatën familjare në veçanti. Përfaqësojnë një bashkëbisedim intim me familjen, veçanërisht me fëmijët e vet. I këshillon dhe i udhëzon, u kërkon dhe i nxit për të ecur gjithnjë përpara. “108 Letrat nga burgjet, janë nji prej mënyrave që i burgosuni kishte mundësi me komunikue kryesisht me familjen. Për me dalë në “liri” ato duhet të plotësonin kërkesat e rregullores: t’ishin të shkurtra, rreth 1 faqe letre fletoreje shkrimi, të shkruheshin qartë e të kuptueshme, për çështje që kishin të bajnë me shëndetin e nevojat e të burgosunit; 1 letër në muej lejohej. Letra mbasi u kontrollonte, fati i sajë për t’i shkue familjes ose jo mbetej në gjykimin e operativit… Shumë herë letrat s’kanë ardhë, sepse në situata të caktueme, sidomos
kur të burgosunit ishin në kampet e punës, ose kur i burgosuni dënohej për “thymje të rregullores”, ndërpritej komunikimi dhe marrjet e letrave dhe ushqimeve. (Kjo ka ndodhë shpesh në burgun e Burrelit), prandaj dhe letrat s’janë rregullisht krye çdo muaji. Gjatë kohës që Sheuqet Muka ka vuejt dënimin në Shkodër, ka dërgue pak letra. kjo sepse bajshim takim mbas 1 palë hekurash të trashë në distancë 1 metër larg. Nga burgu i Shkodrës në këtë libër paraqiten 12 letrat e para (20.IX.1951- 15. III. 1953), ndërsa 91 letrat e tjera janë nga burgu I Burrelit (1953 – 1965).
Letërkëmbimi nga burgu i Burrelit, që ishte mbi 100 km larg Shkodrës, ka qenë më i shpeshtë. Për afër 19 vite burg, familja e tij ka muejt me ruejt 103 prej tyne. Mungesat si rrjedhim: s’janë lejue me u dërgue (janë ndalue) ose s’kanë muejt me u ruejt nga ana e jonë. Këto që janë ruejt, po botohen të gjitha, pa asnji ndryshim e nji pjesë e tyne (ato të lexueshmet, që s’janë shkrue me lapsë plumi), të skanueme. Qëllimi me kuptue disa aspekte të kushteve, po dhe me tregue si arritme me komunikue, pandërpremje, me babën në burgje, tue mbajtë të lidhun me ne, tue i dërgue në vitet e fundit të burgimit çdo javë (të hanen) nji letër dhe çdo mes muaji nji telegram me përgjigje. Komunikimi e mbajti gjallë dhe mirënjohja e këtij të burgosuni politik të ndërgjegjes, asht e pakufi, siç do të lexohet e përshkruhet me fjalë prekëse të bukura në këto letra. Këjo rregullsi me letra, telegrame komunikimi të thjeshtë familjar, u ba objekt vlerësimi nga komanda e burgut dhe i’u rekomandohej të burgosunve si shembull për t’u ndjekë.
Derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit, Shkodër
Dërg. nga Rep 321, Burrel
Letrat nga burgjet, që fillojnë në vitin 1951 dhe mbyllen me letrën 1 gusht 1965, janë të rralla në llojin e vet e ndoshta dhe të vetmet, që janë ruejt e po botohen. Vlerësimi i tyne i takon lexuesit.
Me zarfin derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit) Shkodër me siglen në krye të çdo letre V.F.L.P. (Vdekje –Fashizmi, Liri-Populli). Dërgue nga Rep 321 Burrel (adresa e këtij burgu A.M.)
Letra Nr. 76
Me. 01. 10. 1962
Meserret!
“Nga thalbi i zemërs buron e ngufon ngazëllimi, me të cilin ju sjelli urimet e ditëlindjes, o Gëzimi i familjes e i gjith far’e fisit t’onë. Edhe emnin e bukur m’a gëzofshi përherë e ma hieshëm, tue i ngja dy gjyshavet t’uej: prindvet të prindvet e, na u bafshi njiqind vjeç. Ashtu qoftë”! Dita e takimit me motrën t’eme fort të dashtun, për të cilën me ka pasë marrë malli tepër e me dorëartin djalin t’em, të cilin e due mjaft e barás si ju tjerët, më gazmoj shum, sa m’u duk vedi se po fluturojshe prej gëzimi. Tjetër janë letrat qi më kënaqin e më freskojnë java javës e, tjetër âsht të pamunit qi me e hjek çdo marak. Uroj të ju kemë edhe ju për kah shndeti, ashtu siç kishe Feten e Uranin. Prej ditës së takimit e deri sa mora letrën e shërimit t’Adnanit, me ju thánë të drejtën, kam qenë i shqetësue për së tepërit. Shyqyr qi e kish kalue. Edhe prej Zijas kam marrë letrën, gazetën. Libri e dy kartolinat, ndër të cilat, këjo e fundit, më gëzoj pa masë. M’a falnderoni e m’a përshndetni përzemërsisht. Deri mbas festës së madhe të pamvarësis e të 18
vjetorit të çlirimit, s’âsht nevoja qi të vini, por mundsisht më çoni pak lek. Për nevojët tjera, kam me ju shkrue në letrën e mojit tjetër. Dorëartes Tije i lumshin e i u prarofshin duert për amëlcinen qi më kish gatue për rastin e ditëlindjes s’eme. Ditëlindjen t’uej e kremtofshi shendeverë e me gëzime gjith si ju dishroftë zemra. Për me ju bâ me gojë urimet e rastit, kësaj herë po ngarkoj halla Xhevan t’onë e cila për mue, Feten e Zijan âsht përnjiherë edhe si nana e jonë, për Symen si vjehrra e sajë e, për ju me vëllazen e motra si gjyshja e juej. Edhe për të më ka marrë malli shum, pse po bâhen gati katër vjet pa e pa e pa muejtë me bisedue e m’u kënaqë me shoqishojnë. Mbase me rastin e 50 vjetorit të vetsundimit, kam fatin me qenë i lirë, për m’i ardhë në shpi e me më pasë pranë vedit. Hakan t’onë si e kemi? M’a përshndetni fort e fort, ashtu djelmët e varzat e sajë, dy dhanduert e rejat edhe nipat e mesat emën për emën. Edhe Zaden me varza e nipa e mesa e Rasimit, shum të fala. Ragipit, Myhsinit, Domnorvet dhe familjevet të tyne, i u sjellë të falat e mija e Jahit veçanarisht i uroj edhe fejesën e së bijës. Kojshit, ilakat, miqt e shokët qi pvesin për mue të m’i përshndetni e në mënyrë të veçantë Nezirin, Danin, Hamidin, Qazimin e Reufin me Sheuqetin si edhe Nebin e Zihnijen, së cilës po i sjelli edhe urimet e lirimit të Sabahyddinit. Ju përqafon me dashuni të gjithvet e në veçanti lirijen e Tijen.
Baba i juej:
Me, 1 Tetuer 1962
Sheuqet Muka
Letra Nr. 77
Me, 1 Fruer 1963
I dashtuni Meserret!
Uroj të ju kemë pasë gjithnji mirë. Kam marrë letrën datë 7.1.1963 dhe telegramin. U gëzova për
mirëshndetin t’uej. Edhe vetë jam krejt mirë e mos të keni kurrfarë maraku për mue. Besoj qi edhe ju do t’I keni marrë si letrën t’eme ashtu telegramin, me anë të cilit ju këshillojshe mos me ardhë deri sa të hapet koha mirë. Uroj qi halla Xhevja e Hakja, Fetja e Symja e gjith ju tjerët t’a keni përballue të ftoftin e këtij dimni pa pësue gja prej gjaje. Un deri tash, i a dola m’i rezistue. Le të shpresojmë qi mojin Fruer, t’a kemi ma të butë. Të m’a falnderoni Ragipin, për urimet qi më bani me rastin e vitit të ri dhe të m’a përshndetni me gjith Lahin e Danishin. Gjithashtu të më i u siellni falnderimet e mija Rushdis e Qamilit, Reufit e Sheuqetit e gjith tjervet qi m’uruen me anë t’uej e të m’i përshndetni. Nazmin të m’a puthni prej mejet e të m’i thoni qi i kam pritë me gëzim urimet qi na binte e po i uroj të jetë gjithnji i pare në klasën e vet. Zijas, Begteshit, Myhsinit, Vishos, Domnorvet e familjevet të tyne e gjith shokvet, kojshivet e ilakavet qi më kujtojnë, të fala të përzemërta. Hafis Abdullahit e familjes së tij shum e shum të fala Danit, Hamidit e Qazimit po ashtu. Ragipit të Muhas, Zenelit dhe Elez Gerbetit gjithashtu. Me vëllazën e motra, me Zijan e halla Xhevan, me Feten e Symen ju përqafon përzemërsisht baba i juej.
Sheuqet Muka
Letra Nr. 78
Me, 1 Mars 1963
I dashtuni Meserret!
Kam qenë e vazhdoj gjithnji me qenë mirë me shndet. Këtë dishroj edhe për ju të gjithvet, qi të ju kemë përherë mirë e sa ma mirë. Kam marrë të gjitha letrat. U gëzova tepër si për mirëshëndetin t’uej ashtu edhe për fitoren lavdiplote qi kishi pasë në provimin e bimestrit të parë. Veçanarisht me Tijen përgëzohem, qi ka mbajtë gjithnji rekordin ndër mësime. M’a gëzoftë pallton e bukur. Keni ba shum mirë qi i a keni ba qejfin. Edhe Lirijes të m’i dhuroni për mue nji send, qi të dishrojë ajo vetë. M’i rrokni fort e fort që të dyja. Orrlit Adnan, po ashtu, po i sjelli urimet e mija për suksesin në provim. Të ketë kujdes me ruejtë shndetin që të mos pësojë sikur vjet. Gjumi asht si ushqimi, për trupin e njeriut. Që të trevet po ju puthi vetë, tue ju urue qi të gëzoni shndet të plotë e na u bafshi njiqind vjeça. U gëzova shum edhe për punen q’i âsht dhanë Zijas. Urimet e mija e të ma përshndetni familjarisht. Edhe për Gjylfirozën u shendova shum. Shyqyr qi ka pështue e vajzën m’a pastë me jetë. M’i bani edhe të fala, ashtû prindvet, hallavet e shoqit të sajë. Falnderimet e mija Reufit për urimet qi më solli e të m’a pershndetni me prindt e vëllaznit. Edhe Ragip Metës shum të fala. Lekët i kam marrë. Kur të keni rastin me ardhë, të më siellni qymyr. Për groshë, krypë e sapun s’kam nevojë. Ushqime kam, kështu qi, edhe mos me ardhë në këtë muej, s’ka kurrgja. Nji gja ju lutem shum: për mot të lig kurr mos të vini për takim. Nji javë, dhet ditë a mâ tepër, po të vini me vonesë s’bahet ndo’i send. Si i kam halla Xhevan, Hakan, Feten e Symen? Sigurisht dimni i rrebtë do t’i ketë lodhë mjaft. M’I përqafoni e m’i përshndetni fort e fort. Selam nji nga nji gjith t’onvet e gjith shokve e miqve qi pvesin për mue e mbarë kojshivet. Gati harrova: Tijes po i sjelli edhe urimet e ditëlindjes. Kam nevojë për dy kllëfa jesteku.
Sheuqet Muka
Letra Nr. 79
Me, 01.04. 1963
Fort i dashtuni Meserret!
Vajzës s’onë të mirë e t’urtë, Lirijes, tue I sjellë urimet e ditëlindjes, baba po i puthë me afsh edhe të dyja faqet. Prej dimnit të rrebtë qi na pat shti mneren, shyqyr pështuem. Ne përballimin e të ftohtit të madh, nji ndihem të madhe më dhanë teshat qi më patët prue. Urimet qi ju kam ba orë e ças, s’po hi m’i përshkrue, mbasi ju mjaftoni m’u gëzue e m’u kënaqë, kur të mësoni prej letërs s’eme qi më keni pasë e më keni gjithnji mirë me shndet. Me 27 të këtij moji, më mbushen plot pesë vjet qi u pata operue në Tiranë. Un, qi s’e numrojshe vehten se do t’u sheroshe, sod e kam për detyrë t’a kujtoj me mirënjohje të panderpreme Spitalin e Përgjithshëm qi më pështoj jetën. Kam marrë letren 18 Mars dhe telegramin e Nexhatijes. U gëzova shum qi kishi qenë mirë. U shendova tepër edhe për Verën q’i kish lemun djalë. E pastë me jetë e të m’i bâni të fala si asajë, si të shoqit. Urimet e mija Zades q’i ka pështue Vera Perteves. Zijas me motra e Hyrijes me të shoqin shum të fala. Me marë tresh në provimet me korispondencë, âsht gadi si me pasë fitue nji katërsh. M’e gatue mësimin vetë âsht mâ vështirë se m’e mësue prej gojës profesorit. Prandej edhe njiheri po i drejtoj Adnanit, përgëzimet e mija. Halla Xhevas e Fetes, Hakas e Symes, juve me vëllazën e motra përqafime mbas përqafimesh, ashtu edhe Ragipit. Ilakave tjerë, kojshivet, miqvet e shokvet qi pvesin për mue, shum të fala, veçanarisht atyne qi më kujtojnë e nuk më harrojnë. Xhemës po i uroj edhe fejesën e Feridit.
Baba i juej:
Burrel, me, 1 Prill 1963
Sheuqet Muka
Letra Nr. 80
Me, 01.05. 1963
Adnan!
Me këtë letër, po ju uroj ditëlindjen qi keni me gjashtë të këtij moji. Kjo ditë gazmore, s’ka si mbetet pa u kujtue. M’u bafshi njiqind vjeç e, tue ju sjellë këtë urim plot gojë e zemër, po ju uroj edhe qi të korrni fitore të plotë në tre provimet qi do t’epni në Qershuer. Të njëjtat fitore pres qi të korrin në provimet edhe Meserreti, Urani e Nexhatija, tue e mbyellë vitin mësimuer n’udhëtim, me nota të mira, siç patën fitue në bimestrin e parë. Kam marrë letrat qi më keni çue edhe telegramin e falnderimit të Lirijes, ditëlindja e saktë e së cilës asht dita 21 Prill. U gëzova shum qi ju kishe pasë mirë me shndet. Edhe vetë shyqyr kam qenë e jam gjithnji mirë. Vera me të shoqin, kishin dalë mirë në fotografi. Këjo, më kujtonte ma tepër Perteven, kur ishte e re. Gëzofshin shoqishojnë! Për Xhevatin, u gëzuem të gjith qi kishte pështue. M’i siellni urimet, përgëzimet e përshndetjet e mija, ashtu edhe vëllaut të tij. Halla Xhevas, motërs Fete e Hakas me Symen shum e shum të fala të përzemërta e po i u uroj edhe Bajramin qi të m’i ketë gjetë e t’a kenë kalue mirë. Urimet e përshndetjet e mija, të më ja u sillni edhe Rgipit, Zijas, Myhsinit, Vishos, Domnorvet e familjevet të tyne. Edhe Reufit, Smajlit, Sheuqetit e gjith ilakavet, kojshivet, shokve e miqvet qi pvesin për mue. Po mbyll letren tue ju rrokë e puthë fort e fort, prej Meserretit deri në Tijen.
Baba i juej:
Më, 1 Maj 1963
Sheuqet Muka
Letra Nr. 81
Me, 01.07. 1963
Babushi i jonë Meserret;
Ende të freskët e kam në shpirtin t’em takimin e amël me kunatin Sami, ndonse pra, ka ma se nji muej qi ka kalue e, s’ka si mos të mbetet i gjallë, pse lidhet me nji të shkueme plot dyzet vjeçare, kur ky, hala s’kishte mbushë pesë vjetat e m’erdh për të parën herë për urime bajrami në vitin 1923 qi ishe I fejuem. Moji i kaluem, për mue ka qenë gjith kujtime, pse letrat qi mora, kanë qenë të shoqnueme me fotografina, të cilat më kanë shmallue së tepërmi e më kanë gëzue më së miri. Përpara fotografis së Hallës e të Hakas, pa bâ çik me gojë, herë siellshe sŷt kah njena, herë këqyrshe tjetren, tue m’u dukë herë herë edhe vedi si hijet e përmallshme të tyne, po mos t’u timosshe me timin e cingares qi mbajshe në gojë, tue e thithë pa ndërpremje. Por para fotografis së dytë, me Shuajbin e Myhsinin në mes, njiher përnjiherë mbeta shtang në vend, pse për mue qe nji aspekt I ri, krejt i papritun. Ofshe. Së treti edhe fotografija e familjes së djalit të dajës e të hallës më përmalloj sa s’ka, pse më kujtoj gjith jetën e rinis s’eme të kalueme pranë sajë. Së mbrami, fotografija e Aishes e i mesës Verë, me djelmt e tyne të bukur, të mbajtun nder duer, më banë edhe mue të fluturojshe prej gëzimi. Ju paça të gjithvet mirë e përherë ma shend e verë. Me 2 Qershor 1963, me anë të Gjykatës Ushtarake, Tiranë i paraqita Presidiumit të Kuvendit Popullor lutjen për faljen e dënimit të mbetun. Do të bajshi mire m’e vue në dijeni z. Haritin. Të gjithvet të fala emën për emën. Fetes, Lirijes e Tijes i u puthi edhe faqet nxehtësisht. Motërs I lutem mos të vijë me më pá, pse s’due t’udhtojë pa nevojë në këtë vapë të madhe. Më çoni pak lek.
Me, 1 Korrik 1963
Sheuqet Muka
Letra Nr. 82
Me, 01.08. 1963
Fort i dashtuni Urani i jonë;
“Baba, pehlivanit të shpis, po i uron me gjith shpirtë ditëlindjen e na u bafshi njiqind vjeç, tue gëzue emnin e bukur qi keni, përherë me të mira të pandërpreme siç ju dishroftë zemra e bardhë e juej.” Meserreti më gjeti mirë, tue u ndá prej meje, shend e verë. U gëzuesh tepër qi ishe ma së miri me shndet. Uroj qi, edhe gjith ju tjerve, të ju kemë gjithashtu. Të gjitha letrat e telegramet i kam marrë. Myhsini, kësaj herë, kishte dalë në fotografi, mâ mirë se heren tjetër. M’u ba qejfi shum e, po e rroki përzemërsisht. Uroj qi edhe të birin e të shoqen e gjith motër –vëllaznin t’i ketë mirë e të më i u bajë të fala. Nazmiu, më kish kujtue me fotografinë e vet në të cilën kish dalë bukur-mirë. Për fitoren qi kish korrë në shkollë, po i sjelli përgzimet e mija e të m’a puthni fort e fort këtë pllum të bukur; ashtu edhe Shyhreten e Ilirin, me të cilin kënaqem shpesh, sa herë qi marr në dorë fotografin e vogjlis së tij. Po edhe Ridvanin e Petritin qi i doni e ju duen, të m’i puthni nga ana e jeme. Hakas nderimet e mija; ka pasë plot të drejtë qi asht ankue n’Adnanin qi mungon me e vizitue shpesh, kurse vetë s’kam mungue kurr, tue i shkue sidomos nder urime ma i pari. Të m’a përshndetni nxehtësisht, ashtu djelmt e sajë e varzat, dhanduert e rejat, nipat dhe mbesat. Ardhja e Samis në takim, qe motivi kryesuer qi më shtyeni me e përmendë vitin e fejeses s’eme, pse lidhej ngusht me të, vizita e parë e tij e jo aspak rikujtimi i sajë; në sa, në letrën e Korrikut, e përsërita vetëm e vetëm, për me korrigjue vitin e sajë, të cilin në letren e Qershorit, gabimisht e kishe shenue 1921, kurse viti ekzakt ka qenë 1923. Por ani, prap se prap mirë âsht bâ qi e kam nxánë në gojë. Oh, sa amël e amël do të tingllonte për veshët e mi e zemren t’eme fjala fejesë, sikur të më njoftohej se bani kambë me him në shpin t’onë. Më besoni se, sa herë qi marr telegram, përpara se me këndue, me njiherë më shkon mendja, se mos po m’ipet nji sihariq i tillë. Po të më shkojë në vend edhe ky dishirë, ashtu siç m’u plotësu aj qi kishe me ju pam të pajuem me arsim e kulturë, sakt qi do t’a ndijshe vedin ma lehtë, tue nisë m’u zhgarkue prej nji barre morale qi randon mbi supat e mi, pse më vjen sikur qenja e jeme në burg, âsht shkaku i mos realizimit të sajë e pengesë për mos me na lanë m’e shijue gëzimin e madh qi kishte me na falë. Le të shpresojmë. Xhevatit e vëllaut të tij, urime e përshndetje. Ragipit, Zijas, Domnorvet e familjevet të tyne, zonjë Zihnijes e vajzës së sajë, shum të fala. Êmën për emën edhe gjith atyne qi më kujtojnë. Hallës së dashtun, motërs të përzemërt e Symes qi nuk më ka shkrue makare nji letër sado të fala, janë pak. Juve me vëllazën e motra të rrokuna e njimi urime. Edhe njiherë: m’u bafshi njiqind vjeç!
1 Gusht 1963
Baba i juej: Sheuqet Muka
Letra Nr. 83
Me, 01.09. 1963
Të dashtunvet të mi e varzavet, Hallës, motërs e bashkshortes;
Me 13 të këtij moji, keni ditëlindjen t’eme, me të cilen m’agon përnjiheri edhe fillimi i moshës 77 vjeçare. Me shndet jam shum mirë. Pra kurrnji mërzitje s’duhet të keni për mue, por të jeni krejtsisht të qetë sikur me më pasë pranë vedit. Ju paça përherë të rrethuem me gëzime e të mira. Letra e Gushtit qi ju çova, ka qenë nji letër spontane, kështu qi as vetë s’dij si u rrëmbyesh me çekë nji pikë aq delikate siç âsht fejesa, për të cilën ju kam pasë dhanë pëlqimin që me kohë, tue ju thanë se s’âsht ma nevoja të më pvetni rreth sajë, mjaft qi ju, gjith së bashkut t’a keni pëlqye. Bile njiherë në nji letrën t’uej shifej mërzija qi kishi, pse s’po troket fejesa në derën t’onë e un, ju paç përgjegjë se s’lypset me qenë të mërzitun, mbasi koha priste. Pra në këtë mes, asnjeni jush s’ka faj. Po, asht detyrë e madhe m’u këshillue mirë njeni me tjetrin e me qenë të gadshëm, për mos me lane me kalue pa e shfrytzue rastin e mirë e të volitshëm kur të paraqitet. Le të shpresojmë qi vonesa, të dale shumë mâ mirë se t’ishte bâ mâ parë. Tue mendue se Vishja mund t’a ketë shtye synetllekun e djelmvet, u reservuesh me i ba urimet telegrafisht. Në rast se i ka bâ, m’i siellni urimet e mija mâ të përzemërta për pështimin e jetëgjatësín e djelmvet e të m’a përshndetni gjith familjen e tij. Adnanit po i uroj edhe njiherë qi të ketë sukses në provimin qi ka me dhanë në këtë muej e, ju tjerve, qi t’a mbyellni me fitore të plotë vitin e fundit të shkollës së mesme. Pa ju kërkue vetë, mos më siellni asgja të re rreth veshmbathjes, vetëm nji fandelë pamuku, po patët mundësi. Kur të vini, pak nisheste, salcë e kumbulla të thata edhe tri kutija cingare Labinot ose Dajti mos harroni me më sjellë. Ju uroj shndet e po ju rroki përzemërsisht, tue përfundue letren me shum të fala të gjithvet dhe atyne qi pvesin për mue e sidomos Hoxh Nezirit e të shoqes Zihnijes me të bín.
Me, 1 Shtatuer 1963
Sheuqet Muka
Letra Nr. 84
Me, 01.10. 1963
Meserret;
“Tue ju urue përzemërsisht ditëlindjen ndij në vedi përnjiheri nji kënaqësi të madhe, kah ju shof të pajuem me të gjitha tiparet qi karakterizojshin të ndjerin gjyshin t’uej, êmnin e të cilit, ju paç njitë në krye të javës. Na u bafshi prá, njiqind vjeç, o Babush Muka i jonë!” Edhe shtatori qe për mue nji muej gëzimi, jo vetëm pse gëzojshe shndet të plotë jo pse kishe edhe ditëlindjen, por për ma tepër freskina qi lëshuen letrat e jueja, telegram urimi e kartpostale, përshkoj an’ e kand mbarë trupin t’em. Veçanarisht rasti i bukur qi pat Adnani ditën e takimit me më përshndetë e me m’urue edhe gojarisht, njiherë e përnjiheri më bani me kujtue se ndollem pranë jush. Ju paça gjithnji mirë. U gëzova tepër qi njofta për s’afërmi pllumin e bukur e atletin e ardhshëm Nazmin, i cili do t’I ngjajë krejt gjyshit të vet. Le të më besojë Hakja se ardhja e tij me më pa, më ka gëzue ma tepër se me pasë ardhë Vishja vetë. M’a puthni ndër të dyja faqet ashtu edhe Ilirin, të motrat e fëmit e Samis. Fitorja e Adnanit në provimin e fundit të vitit të dytë të Fakuletit Ekonomik a ju tjervet në shkollën e mesme, s’ka se si mos të bâjnë me fluturue zemren t’ême prej gëzimit. Të gjithvet ju uroj me pasë gjithnji sukses. M’a falnderoni Reufin shum e shum e së shpejti i urojsha fejesën, babës së tij e motërvëllaznis u sjelli të fala të përzemërta. Të fala prej meje të i u epni Ragipit, Zijas, Domnorvet dhe familjevet të tyne. Si e kam halla Xhevan? Edhe mu më ka marrë malli mjaft për të. M’i thoni se me nesër, më mbesin edhe njëzet e tre muej për me krye dënimin; mbase mund të lirohem mâ parë me rastin e njizetvjetorit të çlirimit. Po Feten, Symen, Lirijen e Tijen si i kam? Edhe këtyne u lutem mos të mërziten e të m’i apin gajret halla Xhevas. Ju, me Uranin e Adnanin, të m’I doni fort e të m’i hatroni. Un jam i bindun se këtë porosí do të m’a plotësoni mâ së miri. Të fala gjith atyne qi pvesin e më kujtojnë. Gjith jú tjervet, po ju rroki përmallshëm dhe ditëlindjen e festofshi haréshëm.
Me, 1.X. 1963
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 85
Me, 01.01. 1964
Fort i dashtuni Meserret;
“Urimet e Vitit të Ri gjith juve e gjith t’onve!” Viti i ri për shumë mot! Pastë fillue mbarë e mirë e sa ma mbarë e mirë vazhdoftë e përfundoftë. Uroj të ju ketë gjetë mirë e me shëndet të plotë e t’a keni pritë gëzueshëm. Mue më gjeti mirë me shndet, prandej edhe vetë e prita hareshëm tue i thane mirëse paç ardhë! Takimi me ju, më freskoj shum, kah ju kishe pasë të gjithve me shndet mirë. Letrat e telegramin e Symes i mora e i prita me evari. Përparimi i juej ndër mësime e, në veçanti aj i Nexhatijes më gëzuen pa masë. Sidomos fitorja e Adnanit në provim qe kulmi i gëzimit. Temat e hartimit s’janë si problemet e matematikës as edhe si ata të fizikës e të kimis. Nji temë hartimi nuk zhvillohet kambë e në dorë, si landët e mësimevet qi mësohen në klasë. Me krijue asht punë e vështirë e s’i përngjet aspak kopjimit e imitimit. Nji student a studente qi kryen shkollën e mesme me sukses, s’ka me vonue me qenë i zoti e zonja me shprehë për bukuri mendimet e veta lirisht e saktë mbasi materjalin qi nevojitet e ka të fituem e të siguruem për këtë lamë. Nexhatija e jonë për këtë duhet të jetë ma se e sigurtë. Ju puthi që të pesve përmallshëm. I ndjeri hafis A. Neziri m’u dhimt shum e vdekja e tij më tronditi në shpirtë sa s’kam muejtë m’e ndalë vedin pa qa. Nji mik i ngushtë e nji shoq besnik prej ma se gjysë shekulli, tue u nda përjetë prej si s’ka se si mos të pikllojë. Ngushllimet e mija familjes së tij. Me rastin e Vitit të Ri, përqafimet e mija halla Xhevas e motërs Fete, Hakas e Symes, Ragipit e Zijas, dajavet, Myhsinit e Domnorvet e gjith tjervet që pvesin për mue. Shndet e të mira sa ju dishroftë zemra. Falnderimet e mija P. Donat Kurtit për urimet qi më suell dhe Reufit e Sheuqetit qi s’më harrojnë.
Me, 1 Kallnuer 1964
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 86
Me, 01.02. 1964
Fort i dashtun Meserret;
“Nexhatijes i uroj ditëlindjen e me këtë rast, po i puthi edhe të dyja faqet.” Kallndori si kryemuej i vitit të ri ka fitue të drejtën m’u numrue si muej urimesh. Pra edhe vetë, urimet që më suellt me këtë rast, si me letra si me telegrame, i prita me evari e me mirënjohje, sidomos telegramin e motërs Fete e prita ma me duer të hapta. Më keni gëzue së tepërmi e po ju falemnderës si juve të gjithve ashtu Xhelës, Qemalit e Sheuqetit edhe Reufit e Donatit qi më kishin kujtue. Adnani ishte ba pak prishaqejf, pse kësaj radhe kishte marrë tresh në provimin qi kishte dhanë. Ndër provime, jo njiherë, por shpesh, nxehen e s’fitojnë studenta të dalluem me gisht. Pra, s’ka aspak vend disprimi. Treshi i fituem me korispondence asht gadi si katershi a pesa qi merr student i rregullshëm nder mësimet e përditshme. Edhe un bashkohem me fjalën e halla Xhevas, të cilën po e rroki, tue e pershndetë me plot respekt. Jam në pritmëni të notave qi keni fitue ju me Uranin e Tijen në bimestrin e parë. Siç ju kam thanë në takim, ju pres me ardhë disa dit mbas bajramit. Salcë, miell, qepë, kumblla e sapun s’kam nevojë, bile as makarone as sazerm jo, mbasi kam. Pak patate e groshë. Kosi e gurabijat më kanë kënaqë. Lekët i kam marë. Tash për tash për asgja tjetër s’kam nevojë. Me shndet jam faret mirë. Uroj të ju kemë pasë gjithnji edhe juve mirë. Të fala të gjithvet êmën për emën ashtu edhe atyne qi pvesin për mue. Bajramin e pritshi e festofshi me zemër të mirë. Edhe Lirijes po i puthi gushë e faqe.
Me, 1 Fruer 1964
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 87
Me, 01.03. 1964
Meserreti i jonë;
Sod plot dhet dit, na ndajnë nga takimi qi bame me Adnanin. U gëzova tepër qi ju kishe pasë mirë të gjithve. Edhe vetë shyqyr vazhdoj me qenë gjithnji mirë. Dimnin, të cilin e drojshe shum qi mos të bajë si aj i vjeçmi, e kaluem mirë. Më bahet se jemi në stinën e zakonshme të prendverës së bardhë. Le të shpresojmë qi, edhe ato ditët e pakta q’i kanë mbetë, t’i kalojmë të buta, si këto qi jemi tue gëzue sod. Un, halla Xhevja e Hakja qi jemi plakë, kemi ma tepër të drejtë me e përcjellë me fjalë miradije e m’i thanë udhë e mbarë e motin qi vjen na u këthefsh edhe ma i amël. Letra e fundit me 10 fruer, më gëzoj pa masë, mbasi m’epte sihariqin e fitores s’uej në provimet e bimestrit të parë. M’erdh keq për Tijen qi s’kish muejtë me marrë pesë edhe në kimi. Edhe Adnanit përgëzimet e mija për fitoren e korrun. Ju uroj qi të katërve qi vitin mësimuer t’a mbyellni, tue e kunorzue me fitore të plotë e sidomos për ju të treve, dishroj t’i merrni diftesat e maturës me nota të shkëlqyeshme. Telegram urimin e Fetes do t’a kujtoj gjithnji, mbasi zëvendsoj boshllekun e letërs 20 kallnduer. Të m’a doni shum e të m’a rrokni fort. Symes po I sjelli njimi të fala. Edhe telegrami i sajë më përmalloj së tepërmi. Mos të qeshi Urani. Për Lirijen e Tijen qi i kam mirë, nuk gjejë fjalë me shprehë gëzimin e madh qi ndij për to, se edhe për flladin e amël qi më falin. Tijes po i sjelli urimet e ditëlindjes, tue ndreqë kështu gabimin e bamun prej habije në letrën tjetër. Na u baftë njiqind vjeçe! Lirijen t’onë qi ka ma tepër kohë të lirë, kjo letër do t’a gjejë sigurisht tue punue me kopshtin modeluer. Sa do t’u kënaqshe, sikur t’a shifshe kah punon! Me këtë rast, mos harroni me pvetë halla Xhevan për pemët qi ka pasë kopështi i shpis, kur ajo ka qenë e vogël si edhe rreth shpis si ka pasë qenë e emnat e odavet. Të fala të gjithvet emën për emën, ashtu edhe atyne qi pvesin për mue. Reufin veçanarisht edhe të m’a falnderoni për urimet qi më suell.
Me 1 Mars 1964
Sheuqet Muka
Letra Nr. 88
Me, 01. 04. 1964
Meserret;
Uroj të ju kemë pasë gjithnji mirë. Edhe vetë kam qenë si përherë pa asnji ankim. Kam marrë edhe letrën e fundit e cila m’epte sihariqin e kërkesës së Tijes e t’Uranit për të vazhdue studimet matematikë-fizikë. U gëzuesh tepër e, me plot gojë I u tham: i u lumtë! Vajzës s’onë shum të dashtun e puntores së dallueme Lirijes, i uroj ditëlindjen me jetëgjatësi e lumtuni, siç dishroftë zemra e sajë ashtu edhe ajo e jona. E kujtoj shpesh. Me këtë rast, po i puthi mallëngjyeshëm edhe të dyja faqet. Si e kam të dashtunen halla Xheva? Nji ditë mbasdite, m’u ba se më çoj prej gjumi. Po e rroki me shum mallë. Me të marrmen këtë letër, i lutem të më telegrafojë mirëshëndetin. Hakas, motërs Fete e Symes shum e shumë të fala, ashtu edhe gjith tjerve. Ushqime kam; pra gjatë mojit prill, edhe sikur mos të vini, s’më mbetet gja mangut. Meqi jemi përpara stinës së verës, kësajë herë të kufizoheni me më sjellë sa po ju shkruej. Sheqer, tlynë, voj, djathë e qymyr ma pak se heren tjetër; voe, reçel e duhan si përherë; pak presh e hudra të njoma dhe pak sallada. Artikuj të tjerë si sazërm, oris, patate, groshë, makarone, miell, nisheste, ullij, kumbulla, fiq, qepë, hudra e krypë mos më siellni faret. Po patët mundësi kos të kulluem, qumësht kutijash ose terhan hallvasi, gurabija e ndonji gjellë të gatshme. Haka Hajrija m’u dhimbt shum. Ngushllimet e mija familjes Reçi, zonjë Fatimes ashtu edhe Symes me vëllazën e motra. Për nji kanatijer e nji palë ndalla kam nevojë. Kllefin e stilolapsit s’asht nevoja me m’a prue. Gja tjetër nuk due. Ju paça përherë mirë e sa ma mirë. Përmallshëm ju përqafoj të gjithve, tue ju urue edhe Bajramin. Urime e të fala edhe atyne qi pvesin, veçanarisht Reufit e Sheuqetit e Xhelës.
Me, 1 Prill 1964
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 89
Me, 01. 05. 1964
Babushi i jonë i dytë, Shum i dashtuni Meserret;
“Me rastin e ditëlindjen, kësaj herë orrlit Adnan, zgjodha m’i çue si peshqesh urimi stolit me perla e xhevahirate, të fitueme me plot meritë gjatë tre vjeçarit të fakultetit ekonomik. I gëzoftë me të mira e na u baftë njiqind vjeç.” Dje mora përnjiherë urimet telegrafike rreth fejesës së ndollun në familjen t’onë. Jo, s’ka decimar të peshojë, peshën e gëzimit të përmallshëm qi ngufoj nga thellësit e zemërs s’eme, kur mësova pikë së pari prej gojëamlit e fytyrëqeshunit Uran, sihariqin e fejesës së Lirijes për Xhevadin! Më besoni se kjo fejesë ka çue në vend dishirin e madh qi kishe që prej tri vjetve, për m’e pa të fejueme për të, aq sa shpeshherë u matshe me ju a nxane në gojë ndër ditët e takimit, por u tërhiqshe, vetëm e vetëm, pse më dukej si me dashtë me i u ba të dy palve nji farë imponimi. Pastë ndollë edhe sahati i hajrit, ashtu qoftë! Gëzimi që më përshkoj mue, patjetër ka ndezë flakë e mbush me gëzim edhe zemrat t’ueja, të cilat orë e çast e pritshin këtë ditë. Pra reciprokisht pritni edhe ju urimet e përgëzimet e mija. Tue ba bajram gojarisht me pehlivanin Uran, m’u ba se bana me të gjith juve së bashku, aq në qejf erdha e u bana. U gëzova shum qi ishte mirë edhe me shndet. Telegram urimin e përbashkët të familjes së Zukut e mora mbas takimit qi pata me të. Falnderime. Jemi në mojin e fundit të vitit mësimuer. Uroj qi edhe në landen e provimevet të Shtetit, të delni faqebardhë e, dëftesat e maturës t’i merrni me at meritë, me të cilën keni qenë të dalluem në klasë rrokull vitevet të shkollës. Më i u thuej halla Xhevas e motërs Fete dhe Hakas e Symes: tashti qi, fejesa e bardhë bani kambë shyqyr me hi në shpin t’onë- për të cilën vjet Adnani m’ankohej me plot të drejtë se s’don me hipres prej tyne qi kur të lirohem, due qi edhe ju, o Meserreti i jonë, së pakut të ju gjejë të fejuem! Në rast se kam me pasë fatin me m’u dhanë edhe nji sihariq i tillë, sakt qi do t’u përtrishe disi edhe njiherë e do të fluturojshe prej gëzimi. Xhevadit e prindvet të tij do të iu urojshe vetë fejesën, por e gjeta ma t’udhëshme të iu a sjellë Rushdiu urimet. Gjth atyne qi më kanë urue, falnderimet emën për emën. Po mbyll letrën, tue ju përshndetë të gjithve përzemërsisht.
Me, 1 Maj 1964
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 90
Me, 31.05.1964
Met Muka i dytë, Shum i dashtuni Meserret;
Gjith moji i majit, thuejse më ka shkue pranë jush të gjithëve e me Lirijen. Rasti i lumtun i fejesës së bardhë, këtë anë suell, pse asht nji gja e natyrshme. E shifshe vedin si me qenë në mes t’uej, urimet e vizituesvet e të vizituesevet, bashkë me ju, i pritshe me evari e i perciellshe me falnderime. Porsa u lirojshim nga vizitat, më kandej me ndejë vetëm për vetëm me Lirijen, për me bisedue me të e m’u shmallue njiherë e mirë, pse kur u ndava prej sajë, e laçë pa mbushë moshën shkollore e nesër kur të lirohem do t’a gjejë të rritun si sokoleshë e në fatin e mirë të sajë. Ju paça përherë mirë e me jetë të gjatë. Kam marrë dy letra rreth këtij moji: atë të datës njimbëdhetë e at të tetmbëdhetës. U gëzova shum qi ju kishe pasë mirë e përsa më shkrueshi. Për letrën e majit, më lajmoshi se e keni marrë, ndërsa për të prillit, në të cilën kishe ba sa porosina, s’bajshi fjalë faret: as se po, as se jo. As për telegramin e fejesës, me të cilin ju bajshe me dijtë se si e kam pritë, nuk më shkruejshi gja. Në letrën e prillit, ju kam pasë kërkue qi të më siellni nji pale ndalla e nji kanatjer e për çë farë ushqimesh kam nevojë. Me qi jemi në stinën e verës, ushqime të thata mos më siellni. Sazerm, kësajë herë s’due hiç, as krypë e sallada, përveç pak pazija e spinak e pak hudra. Me shndet jam mirë. Të fala të gjithvet êmën për emën veçanarisht Hakis e Hasanit, Jahit me të vëllan edhe Rushdis e Reufit me Sheuqetin. Lirijes e Tijes i u puthi faqet. Ju uroj sukses në provimet e pres me padurim lajmimin e përfundimit të maturës dhe fotografin e Xhevadit. Ju pres nga java e fundit e qershorit. /Memorie.al
Me 31 Maj 1964
Baba i juej:
Sheuqet Muka
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016