Nga Lek Pervizi
Memorie.al / E kishin dënuar pa pas bë asgjë dhe duke qenё e internueme. Vetёm si vajzё e Gjon Markagjonit, Kapidanit tё Mirditёs. Pesë vjet burg. Asaj iu desh me durue çdo lloj torture nga oficerët e Sigurimit. E kishin mbyllur për disa muaj në një qeli të ngushtë, t’errtë dhe krejt lagështi, në mëshirë të të ftohtit e të urisë, e keqtrajtueme vazhdimisht. Kushrina ime Marta, e re, e bukur, krenare, dale nga një nga familjet ma të mira fisnike të vendit, siç ishte ajo e Gjomarkajve të Mirditës, ishte e pajisur me një karakter të pathyeshëm. Britmat, ankimet e të burgosurve në ato net të tmerrshme, nuk ia kishin dobësur qëndresën ndaj së keqes.
Drejtori i burgut ishte një njeri shpirtzi. I shkurt, fytyrë ngrysur, ai kënaqej duke i pa të burgosurit e shkretë të katandisur në skelete, që nuk kishin fuqi me qëndrue në këmbë. Një nga hetuesit i kishte tregue për krenarinë dhe qëndrmin e pamposhtur të Martës.
Njё ditё prej ditёsh ai e kishte sjellë në zyrën e tij. Kur ajo e pa drejtorin iu krijue përshtypja se gjendej përballë një kafshe të egër. Ajo kishte dëgjue për egërsinë e tij dhe krimet që kishte krye. Marta i dha kurajo vetës për t’i ba ballë. Ajo kishte besim në vetvete. Në krahasim me shtatin e hedhur të saj, ai i dukej si një mi. Kishte dëgjue se me dalë shëndosh prej zyrës tij, ishte një fat.
– Ti, armike e popullit, kujton se do të qëndrosh e pathyeshme? Dëgjo e dashur, ti kërkon të qëndrosh krenare dhe e pamposhtur? Ta marrёsh vesh mirё moj e shkretë, ne qoftë se nuk e di akoma, se armiqtë tonë do t’i zhdukim, pasi t’i kemi shtrydhur mirë e mirë. Plumbi të pret, ty dhe gjithë të tjerët si ti. A e kupton se ç’po të them?
Drejtori quhej Strati Papa, përbindëshi i Beratit, siç e thirrnin. Gjatë viteve të terrorit, ai, bashkë me Gjin Markun e Reis Malilën, torturuan e eliminuan me qindra të pafajshëm me procese të rremë, fallco.
Në dorën e djathtë ai mbante një shufër metalike ose vizore. Mbasi e kërcënoi Martën me fjalë, duken pa se ajo s’ia varte fare dhe e vështronte si me çudi, befasisht u inatos e tërbue. Sytë e çakarrisun, në kulm të mërisë, jashtë vetës, ishte shndërrue në një mostër të skëterrës. Marta, duart e lidhura, ishte mbështetë mbi tavolinën për të mos u rrëzue, aq ishte dobësue.
Ajo e vështronte me përbuzje atë xhuxh të xhindosur, duke e kuptue se gjithë ai inat vinte nga se nuk kishte pas njohur kurrë në jetën e tij një të tillë vajzë, të bukur, fisnike e krenare. Sytë e tyre u kryqëzuan. Duke mos mundur me durue shikimin e qetë e trimëror të Martës, e nga frika se po mposhtej, ai i goditi egërsisht duart e Martës me tefin e asaj vizorë metalike. Dhimbja ishte aq e padurueshme, sa vajzës i ra të fikët dhe u rrëzua mbi dyshemenë.
Kur erdhi në vete, ajo e kuptoi që e kishin çue në infermierinë e burgut. Një dhomë e vogël, me dy krevate metalike, të mbuluem me batanije të grisura e të pista. Ndonjë mjek vinte aty rrallë e përmallë, me vizitue të burgosurit fatkeq në gradën e fundit, ku xhelatët prisnin me padurim dënimin e tyre. I mbanin ashtu të gjallë për të përballue seancat e gjyqit. Një femёn tjetër e burgosur ishte shtruar aty e cila, mundoje me i dhanë kurajo Martës. Edhe ajo kishte kaluar disa muaj e mbyllur në qelitë e torturave.
– Jam Neti Fuga nga Berati. Mё kanë arrestuar para një viti. Gjithë kohën e kam kaluar në birucë. Mё kanë sjellë këtu nga ethet e forta që më kishin kapë, sa që menduan se m’erdhi fundi. Shpresojmë të na lenë bashkën do kohë.
Kaluan disa ditë dhe askush nuk erdhi aty me i pa, si zakonisht.
Plaga në gishtin e madh të Martës ishte infektuar e i dhimbte shumë. Neti mundohej me e qetësue, me gjithë se vuante vetë nga torturat, ethet, krejt kockë e lëkurë. E kishin rrahun vazhdimisht. Ne mes të dimrit, pasi e lidhnin këmbë e duar, e futnin disa orë në një vozë të mbushur me ujë. Pastaj e nxirrnin dhe e varnin për krahësh para një dritareje të hapur, në mëshirë të erës dimërore. Me trupin të nxim nga acari e hidhnin në qelinë ashtu gjysmë të vdekur. Një terror i tillë mbretëronte në gjithë Shqipërinë, nga jeta e lirë deri n’errësinën qelive të burgjeve.
Plaga kaloi në gangrenë dhe Marta pësoi prerjen e gishtit. Njëkohësisht hetuesia ndaj saj mori fund. Ajo u caktua në një qeli të izolueme me dysheme me dërrasa. Në mes çamjes se dërrasave, ajo kishte dalluar në dhomën poshtë saj, një burrë flokëthinjur dhe një mjekër të gjatë deri në brez, të shtrimë mbi tokë, pse dhoma nuk kishte dysheme.
Shfryrjet e ankimet e tij ishin të padurueshëm. Martën e kishte zanë ankthi. Si me e ndihmue atë njeri? Ç’me bë? Policët vinin me e kërkue, dhe e kapnin për këmbës dhe t’i hiqnin zvarrë nëpër korridor e shkallë deri në dhomën e torturave. Ai quhej Hekuran Zhiti. E kishte marrë vesh emrin e tij, nga thirrjet e policëve. Xhelatët bёrtisnin, shanin e lehnin si qen :
– Qen bir qeni, ballist i ndyrё, Hekuran Zhiti, do ta nxjerrim shpirtin nga prapanica. Ose flet, ose do të përfundosh i pjekur në hell.
Ai, përgjigjej me një zë që sikur vinte nga toka:
– Mjeranë, ju nuk mund t’i bëni asgjë shpirti tim. Perëndia ma ka dhёnë dhe ёshtё ai që vendos.
Me trupin tim bёni ç’të doni. Unë s’kam ç’t’ju them. Jam e do të jem gjithmonë armik i juaj. E ndjej veten qё jam ballist.
Më tepër se etja dhe uria, Hekuranin e mundonte pamundësia për të thith një cigare. Një ditë, Marta, e dëgjoi kur i kërkoi oficerit hetues një cigare. Ai e dinte se familja i binte ushqime e cigare, që nuk ia jepnin dhe mbanin për vete, oficerët e rojet. Hetuesi i dha një shqelm:
– Pa shiko shiko na dashke dhe duhan. A nuk të mjaftojnë përkëdheljet tona?
Marta vendosi me ia kërkue një cigare policit roje. Polici e shikoj si me çudi, sepse nuk e kishte pa kurrë duke pi cigare. Bani si bani dhe i’a zgjati një cigare, pa thanë një fjalë. Kur polici u largue, ajo nxori nga një xhep një shkrepëse që e kishte ruajt ashtu kot. E ndezi cigaren dhe nga një e çarë ia hodhi Hekuranit.
– Zoti Hekuran, merre këtë cigare – i tha.
Hekurani u çudit nga ai zë qё vinte nga tavani. Por ashtu siç ishte me duar të lidhura ai u rrotullua për tokë dhe e zuri cigaren.
U mbështet pas murit, dhe nisi me e thithë me kënaqësi. Kur i dha fund që po i digjeshin buzët, nisi të flasë me një zë të dobët.
– Nga zani e kuptova se një vajzë e re. Të falënderoi për gjestin tënd fisnik. Nga vjen dhe e kujt familje je?
Marta i’u përgjigj që ajo ishte e bija e Gjon Markagjonit. Quhej Marta. E kishin internue me familjen në Berat. Pastaj e kishin arrestuar e dënuar me pesë vjet burg.
– Qëndro me kokën lart, e dashur. Të jesh e denjë dhe krenare për emrin e nderuar të familjes. E di se është shumë e vështirë. Por më mirë të vdesësh me nder, se sa të jetosh me turp. Hekuranin e hoqën dhe e çuan diku. Dhoma mbeti bosh për do kohë. Një ditë, vijnë disa police dhe e mbushën me gurë stralli. Dy ushtarë i thyen gurët duke i vendosur me anët e mprehta nga lart. Marta ishte kureshtarr me ditë se ç’far kishin shpikur.
Ç’përversitet i shtynte njeriun me sajue tortura të tilla përbindshme? Asaj i shkoi mendja për një shpikje djallëzore. Si mbaroj puna, ushtarët u larguan dhe e mbyllën derën. Dyshemeja ishte gjithë thepa të mprehta stralli. Pak kohë ma vonë, u ndien disa hapa, potere dhe britma si ulërima, thuhej se nuk ishin njerëz por, ujq të uritur. Dera u hap me përplasje. Hynë disa oficerë të Sigurimit, me huj druni në dorë. Ata e hodhën të burgosurin që mbanin mbi gurët e thepisur, lakuriq deri te brezi, duke e goditë me drunj. Pastaj hipën mbi trupin e tij, duke hedhë valle si të çmendur.
– Sa bukur të hedhësh valle mbi trupin e Hajri Karagjozit! Hop, hop…hop hop! Te ura në Drashovicë, te ura, te ura…!
Me këtë këngë e kishin qejfin të hidhnin valle këto kriminelë që e mbanin veten me të madhe se ishin komunistë. Horra, po! Mbasi e banë qejfin e tyre, ato u larguan. Trupi i martirizuar i të mjerit mbeti aty krejt gjakosur i bamë fërtele. Tashmë i vdekur. Kjo skenë e llahtarshme do ta ndiqte gjithë jetën. Ajo kishte qenë dëshmitare e një masakre të papërfytyrueshme. Mirё qё xhelatёve s’u kishte shkuar mendja se ajo shikonte nёpёr tё çarat e dёrrasave sё ç’bahej aty poshtё. Pas gjyqit dhe dënimit me pesë vjet burg, Martën e hoqёn prej aty dhe e transferuan në burgun e qytetit, ku ajo takoi e njohu të tjera femra. Secila prej tyre kishte një histori të tmerrshme. Berataset e njihnin Martёn se, e kujt familje tё nderuar ishte, dhe bënin besim pёr çdo gjë. Ndёr ato, ajo u miqësua me një vajzë, Dituri Protopapa, e cila i rrëfeu mundimet e pësueme në burg.
Ajo e quante veten te mrekullueshme që ishte akoma gjallë. Trupi i saj ishte krejt i mavijosur, nga rrahjet me dru që i kishin bë hetuesit. Ma krimineli ndër ta ishte drejtori Strati Papa, i cili pasi e kishte mbërthye pas murit e kishte rrah pa mëshirë. E re, trup atleteje, pse kishte studiua në Institutin e Edukatës Fizike në Itali, dhe kishte arrit të durojë atë trajtim shtazor. Duke e pa vendosmërinë e saj dhe natyrën e saj të pabindur, ata vendosën me bë prove mbi të me një mënyrë barbare që ta poshtëronin. Duke e lidh si një mumje, e kishin zhyt në një grope fekalesh.
– Vetë e kërkove! Tani shko e gjejë atë krenarinë e trimërinë tënde!
Mesi i janarit, të ftohtë acar. Çdo oficer që kalonte aty i jepte një shqelm, duke ia zhyt kokën në hale duke e sha me fjalët të ndyta. Ajo u përgjigje po ashtu. Dituria ishte përgatitë me vdekë. Së pakut nuk do të vuante ma gjatë. Por, pse ka gjithmonë një por…! Dituria i tregoi se si në burg, ndodhi një ngjarje e rëndë. Një vajzë e burgosur, Nani Mici, ishte vetëvra, duke u hedh nga dritarja e një zyre të Degës së Brendshme.
Edhe atë e kishin torturuar egërsisht. Dituria rrëfente se ajo i kishte pas me sytё e saj se si xhelatët, i’a kishin ça mishin e trupit në disa vende, duke ia mbushë plagët me kripë. Dhimbje të padurueshme. Një torture mizore. Pastaj plagët kishin zanë qelb e, ishin mbush me krimba. Një tmerr. Nani në kulm të dëshpërimit, duke përfitue nga një pakujdesi e çastit të rojeve, ishte hedhë nga dritarja, me i dhanë fund jetës.
– Ç’të tregosh ma përpara. Kush të beson? Thoshte ajo, Asnjë mendje njeriu, as me gojë as me penë, nuk mundet me përshkruar tmerret e krimet e diktaturës komuniste në Shqipni. Të vetë atij diktatori, Enver Hoxha, krye xhelati që lëshonte urdhrat që zbatonin katilët e Sigurimit, arma e pamëshirshme e një terrorit total. Prandaj quhej diktaturë totalitare. Tregimet e Diturisë e kishin trondit Martën. Ajo kishte përjetuar nga afër mynxyrat e burgut.
I kujtohej i shkreti Tafil Hasnedari, të cilit ia kishin shkul me pinca thonjtë e gishtave, me gjithë mish. Kishte pa trupin e tij, duke u dridh e hedhë nën elektroshokun. I cili duke mos i durue ato tortura, edhe ai ishte hedhë nga një dritare për t’i dhanë fund jetës. Në të tilla raste, vdekja ishte e preferueshme dhe shpëtim për ato të mjerë. Kur vdes me nder, vuajtjet nuk kanë asnjë vlerë.
Me këto dëshmi, Marta, tregonte e ua njihte të drejtën femrave shqiptare, për vuajtjet e sakrificat e tyre nën një sistem politik nga ma t’egrit t’Europës komuniste. Gra e vajza shqiptare, plaka e nana me fëmijë, pa dallim moshe e shtrese, e ndienin mbi kokat e tyre peshën e çekanit të diktaturës, që nuk kursente t’i godiste me tërbim. Ato jo vetëm që humbën jetën nën tortura mizore, por ato që patën fatin me dalë gjallë prej atij ferri, kishin humbë rininë e tyre, e mbetën qyqare pa familje e pa fëmijë, të vdekura për së gjalli.
Marta, e arrëstueme në moshën ma të bukur të rinisë dhe burgosur, prej ku doli 29 vjeçe, e internueme gjithë jetën, e fitoi lirinë në moshën 75 vjeçe, për të dhanë dëshmi që nuk mund të jepeshin kurrë në ato kondita të terrorit. Ajo arriti moshën 87 vjeçe mё 2007, kur u shkëput nga kjo jetë. Por dёshmitё e saj, janё aq tё vёrteta e tronditёse sa qё patjetёr duhet tё zëjnё vend nё faqet e librave tё krimёve ç’njerëzore qё zbatoi nё Shqipёri diktatura komuniste. Kujtimi i saj mbetët në këtë faqe libri, për të mos u harruar kurrë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016