Dashnor Kaloçi
Para dy javësh, miku im, Prof. Dr. Albert Frashëri (rezident në Itali nga viti 1990), më njoftoi për botimin e romanit të tij “La Quinta”. Ky roman, botuar në italisht në Romë në vitin 2018, u përkthye në spanjisht nga Alberto Asero, profesor i Filozofisë në Universitetin Shtetëror, në Mexico. Përkthimi dhe botimi i tij u mbështetën nga një institucion kulturor ndërkombëtar, “Orizzonte Atlantico”, që shtrihet me veprimtarinë e tij në vendet e gjuhës franceze, spanjolle dhe italiane, në të gjitha kontinentet.
Dalja në dritë e romanit edhe në spanjisht, në ditët e para të tetorit, përkon me përhapjen e këtij romani dhe interesit që është treguar ndaj tij. Interesi ndaj kësaj vepre, shpjegohet me problemin që trajton, nivelin gjuhësor e letrar me të cilat autori ka arritur të japë një kuadër realist të periudhës së totalitarizmit komunist, në vendin ku ai lindi dhe jetoi 45 vite të jetës së tij. Ai u riatdhesua në Itali, në vendin e nënës dhe ky vendim i tij, do të meritonte një meditim të veçantë e, mund të na ndihmonte të kuptojmë jo vetëm periudhën e diktaturës enveriane, por edhe kohën tonë.
Nisur nga fakti se Prof. Dr. Albert Frashëri nuk është shumë i njohur në Shqipëri, pasi ai sikurse thamë pak më lart, është rezident në Itali që nga viti 1990 dhe po kështu edhe krijimtaria e tij është e njohur më shumë në Itali (dhe disa vënde të tjera të botës ku janë përkthyer librat e tij), se sa në Shqipëri, vlen të përmëndim disa të dhëna të jetës së tij. Kështu mbas studimeve universitare, Albert Frashëri ka punuar si mësues i matematikës nw disa shkolla të kryeqytetit dhe më pas si bashkëpuntor shkencor, duke drejtuar në periudhën e fundit, sektorin e matematikës në Institutin Pedagogjik të Tiranës.
Nga kjo detyrë, me gradën e doktorit të shkencave, ai dha dorëheqjen me rastin e largimit në Itali në tetor 1990. Nga katalogët, rezulton që në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, gjenden mbi 120 punime të Frashërit: kryesisht libra matematike si autor ose bashkeautor, letërsi e publicistikë si dhe dy libra mbi Rilindjen Kombëtare Shqiptare, nga të cilët njëri është botuar edhe në Toronto në vitin 2016, me titull “The Magic of National Renaissance” (TLAC publisher, Toronto). Prof. Dr. Frashëri, është i pari, e ndoshta i vetmi, që me studimet e tij, duke analizuar Humanizmin shqiptar dhe Rilindjen Kombëtare, ka treguar që edhe kombi shqiptar ka një Univers Filozofik e Kulturor të pasur dhe origjinal.
Shumë probleme të kohës, pas viteve ’90, Frashëri i ka analizuar në mjaft persiatje në shqip apo italisht, e të botuara në të dyja vendet. P.sh., në nëntor të vitit 2016, ai botoi në Itali përsiatjen “Il mito di Scanderbeg nell’Universo Culturale della sua Nazione”, me të cilën ai tregon që epopeja e Skënderbeut, nuk është një rrufe në qiell të kthiellët, sikundër shprehet ai, por një vepër krejt e natyrëshme për botën shqiptare. Këtë essè, autori e përktheu në shqip dhe e botoi në vitin 2017. Në Itali, ndër të tjera, ai ka botuar në essè të veçanta, studime mbi spiritualitetin në hapësirën mes shkencës dhe artit, mbi kuptimin e krijimtarisë njerëzore, mbi probleme të formimit shkencor në shkollën italiane, etj.
Ai ka qënë lektor për kualifikimin e mësuesve të matematikës dhe fizikës, si dhe autor i disa studimeve dhe ekperimenteve interesante në Liceun Shkencor italian. Një prej tyre është laboratori mbi studimin e aspekteve fiziko matematike të muzikës, gjatë të cilave ai, krahas aspekteve shkencore, analizonte edhe argumente specifike të muzikës, si “Soul, blues, jazz e country si burime të rock’and roll-it”, “Pse është hyjnore muzika klasike”, “Matja e masës së Tokës”, me aplikimin e fizikës, matematikës dhe informatikës, duke kryer edhe konkretisht matjet dhe llogaritjet përkatëse.
Përkthimi dhe botimi në gjuhën spanjolle i romanit “La Quinta” (Orizzonte Atlantico, 2020), për të cilën jemi ndalur dhe kemi shkruar edhe disa muaj më parë, më bëri të çfletoj e të kujtoj disa aspekte të veçanta të studimeve të Frashërit. Para disa viteve, e pata pyetur, ‘pse nuk i boton në shqip librat e fundit’?!. Ai më shpjegoi që ka shkruar në gjuhën e vendit ku jeton, për të bërë të mundur njohjen e realitetit që Shqipëria ka vuajtur nen pushtetin totalitar të Enver Hoxhës. Pyetjes sime, ‘përse nuk i përkthen në shqip’, ai i’u pergjigj: asnjë editor nuk është interesuar në këtë drejtim. Këto fakte të krijojnë një farë boshllëku, pasi kujtoj dy essè të Frashërit, (janar 2019 dhe mars 2020), të dyja të botuara në shtypin tonë.
E para është “Urtësia e Kadaresë në rrëfimin e fëminisë së tij” dhe e dyta: “Ata që patën frikë nga e ardhmja”. Kjo e fundit u shkrua me rastin e vdekjes së gruas së diktatorit shqiptar, Nexhmije Hoxhës. Të dyja këto essè trajtojnë probleme të kalvarit gjysëm shekullor të shqiptarëve nën trysninë e një diktature të egër. Por, dhe kjo mendoj se është e rëndësishme, pasi të dyja këto essè hedhin dritë edhe mbi kohën tonë. Pra mendoj që ato janë të çmuara për të kuptuar raportin që ne kemi, ose duhet të kemi me të vërtetat historike të ekzistencës sonë, sepse ato, siç shprehet Frashëri, lidhen me dinjitetin e kombit dhe të qytetarit në veçanti.
Por le të kthehemi te romani “La Quinta”, përkthyer dhe i porsabotuar në gjuhën spanjolle. Në kopertinë, editori shkruan atë që përbën një nga idetë kryesore të librit: “Nëse duam tё kuptojmё historinё, duhet tё pёrqёndrohemi te individi e tё rrёfejmё gёzimin dhe vuajtjet e tij”. Ndëresa nё paskopertinё, gjejmё njё aspekt tipik tё krijimtarisё sё autorit: “Albert Frashёri ёshtё njё matematicien dhe njё interpretues shumё i ndjeshёm i totalitarizmave tё sё majtёs dhe i zhgёnjimeve qё kanё karakterizuar periudhёn pas viteve ’90. Si matematicien i ka kushtuar gjithё jetёn kёrkimit shkencor dhe mёsimdhёnies. Duke filluar nga vitet ’90, vizioni i tij pёr artin si oaz i stinёve tё errёta tё jetёs, nё nivel individual dhe historik, shndrrohet nё njё leitmotiv tё meditimeve tё tij”.
Romani rrëfen jetën e një grupi artistësh nga Shkodra në Tiranë. Janë personazhe të krijuara, por që të sjellin ndër mend artistë që brezi ynë ka njohur në ato kohë të vështira. Autori, në essenë “Vdekja e artistit dhe hipokrizia e pafund e kohës sonë”, shkruar me rastin e vdekjes së aktorit të njohur Bujar Lako dhe botuar në janar 2017, ndër të tjera thotë: “Ai brez aktorёsh e artistёsh themeloi shkollёn kombёtare tё artit dramatik, tё filmit, tё muzikёs sё kultivuar e tё arteve figurative. Ngriheshin nё 4 apo 5 tё mёngjezit, pёr tё blerё njё litёr qumёsht pёr fёmijёt e tyre. Ata e jetuan me dinjitet kёtё poshtёrim. Shprehem kёshtu, sepse te kafsha uria pёrbёn njё dhimbje fizike. Pёrkundrazi, te Njeriu ajo sjell njё dhimbje shpirtёnore tё pamasё, pikёrisht sepse fyen dinjitetin njerёzor pёr padrejtёsinё qё pёson. Ai brez do tё mbetet nё historinё e artit kombёtar, si njё kometё qё e ndriçoi universin e kulturës shqiptare, edhe pse diktatura e kufizoi ndjeshёm lirinё e krijimtarisё artistike.”
Duket qartë që Frashëri ka një ndjeshmëri të veçantë për botën e artit dhe, pikërisht këtë, ai e shpreh në mënyrë të hapur me romanin “La Quinta”. Ky titull ka të bëjë më rolin që ka sinfonia n.5 e Beethoven-it në ngjarjet e romanit. Me sa duket, me atë roman, ai jo vetëm rrëfen konfliktin e përjetshëm ndërmjet krijimtarisë njerzore dhe formave të devijuara të pushtetit, por edhe konfirmon atë konsideratë originale të tijën mbi brezin e artistëve shqiptarë, sikundër citova pak më lart.
Në vitin 2018 u botuan në Itali romani “La Quinta” dhe libri “L’Italia nella parabola di Berlusconi”. Me këtë të fundit, Frashëri analizon realitetin italian të kohës sonë, jo thjesht krizën ekonomike, por sidomos pamjet kulturore të saj. Si edhe për botime të tjera të tij, këto dy librat e fundit, kanë gjetur përhapje të konsiderueshme. E dëshmon fakti që ato gjenden në biblioteka të rëndësishme shtetërore dhe universitare, si Californian Berkeley University, Columbia University Library, Princeton University Library, Harvard University Library, Yale, Neë York, etj. Jep kënaqësi të veçantë përfshirja e tyre në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, në Fondacionet Jefferson dhe Adams. Nga katalogët e biblotekës në Computense Universidad de Madrid, secili nga 6 botime të Frashërit, ka shënimin “Disponible en otras bibliotecas en todo el mundo”, d.m.th., “I disponueshëm në biblioteka të tjera në të gjithë botën”.
Më kanë bërë pështypje kopertinat e të dyja botimeve të romanit “La Quinta”. Në botimin italian, me pëlqimin e skulptorit të kësaj vepre, Skënder Kraja, autori ka vendosur basorelievin e Rozafës, që mëkon fëmijën e porsalindur të saj. Në botimin spanjisht, kopertina ka një pamje të kështjellës së Rozafës. Me sa duket kjo zgjedhje e autorit, shpjegohet me rolin që kanë flijimi i Rozafës dhe sinfonia e pestë e Beethoven-it; këto janë dy leitmotivet kryesore që shoqërojnë ngjarjet e romanit dhe përbëjnë fillin konceptual të ideve të tij. Duke medituar rreth figurës së Rozafës, në faqet e romanit, Frashëri e konsideron këtë bijë të Shkodrës si maksimumin absolut të shpirtit krijues të njeriut: dëshira për të kujdesur krijesën e vet edhe pas vdekjes. Ky interpretim i legjendës në romanin “La Quinta”, për mendimin tim, është shumë origjinal dhe dëshmon pasurinë dhe origjinaitetin e universit kulturor të kombit tonë.
Albert Frashëri, pati botuar romanin “L’amara favola albanese”, që së bashku me këtë librin e fundit, përbëjnë një vlerë të konsiderueshme artistike në fushën e letrave. Vlerësimet nuk kanë munguar në këtë kuptim, gjë e cila është konkretizuar edhe me qënien e tij disa herë si finalist në konkurse të ndryshme kombëtare ose ndërkombëtare. Ai ka fituar edhe çmime të rëndësishme, si p.sh., çmim të dytë në Konkursin Ndërkombëtar Indipendent (Torino), 2018, me rreth 1100 autorë të gjuhës franceze, italiane dhe spanjolle, çmimin e kritikës në Biennalen “Museo del ‘900 – Arte Moderna a Milano”, 2018/2019, çmimin e kritikës në Biennalen e Arteve dhe Letërsisë, “Impavi d’arte”, 2018/2019 në Siçeli me 820 autorё. Në motivacionin e këtij vlerësimi të fundit, shkruhet: “Ekzaltimi i artit si një bimë që lulëzon edhe në mes të gërmadhave të çensurës e të represionit, përshkon këtë roman që lexohet i tëri me një frymë. Autori, si një Tacito modern, e vë theksin pikërisht në këtë nyje që harmonizon kulturën me lirinë e Njeriut”. Janë interessante shumë komente dhe reçensione, mes të cilave, me lejen e autorit, kemi zgjedhur disa fragmente për t’i cituar.
Vlersime për krijimtarinë e autorit, Albert Frashëri, nga të huaj dhe shqiptarë
Tatjana Gjergo, (bashkëshortja e piktorit Edison Gjergo, Trieste, gusht 2018): “Admirova punën tuaj në romanin “La Quinta”, u befasova me kulturën në kampin e muzikës edhe pse kini studjuar për matematikë! Libri është një deshmi e trishtë dhe rënqethëse e viteve të dhunëshme të diktaturës, e cila ishte futur si metastazë në shpirtrat dhe kulturën, traditat, besimet fetare në popull. Libri juaj është dëshmi e viteve të errëta, prej të cilave shqiptarët dolën të gjymtuar nga të gjitha aspektet, ekonomike, psikologjike e kulturore. U familjarizova pothuajse me të gjitha personazhet, Fran, Rudina, Naim, Anila, Marin, Donika, në të cilët shikoj rezistencën për ruajtur shpirtin nga metastazat e të keqes”.
Anna Portoghese, (gazetare e revistës dyjavore “La Rocca”, Assisi, nëntor 2018): “Sot përfundova leximin e romanit “La Quinta”, mjaft origjinal jo vetëm në përmbajtje, por edhe në stilin e një proze të freskët në të gjithë rrëfimin e vet. Sipas mendimit tim, ky libër meriton nje përhapje të gjerë. Italishtja e prozës suaj është e rjedhëshme, dhe shumë e pasur me sfumatura. Ritmi i rrëfimit e mban lexuesin në ankth, deri në faqen e fundit dhe me emocione të vazhdueshme. Të paharrueshme janë personazhet që keni krijuar”.
Chiara Bertoglio, (pianiste dhe muzikologe, Torino, korrik 2018): “Porsa mora vesh për botimin e romanit “La Quinta”, e porosita menjëherë dhe e lexova në dy ditë me kënaqësi të madhe, sepse janë argumente që më interesojnë për jetën dhe për veprimtarinë time. Thellësisht e bindur, dëshiroj t’ju përgëzoj për tramën bindëse, tematikat e trishtuara por themelore, sensibilitetin tuaj ndaj muzikës, gjuhës dhe përmbajtjes së saj. E çmoj stilin tuaj si shumë të pasur dhe elastik për mënyrën si u përshtatet aspekteve spirituale të ngjarjeve. Në mënyrë të veçantë më ka befasuar një fakt: duke lexuar librin tuaj, për herë të parë kuptova që edhe fjala ka një muzikalitet të vetën”.
Fatbardha Demi, (gjuhëtare dhe studjuese e historisë kombëtare, Tiranë, tetor 2018): “E lexova me vëmendje dhe shumë interes hyrjen e romanit. Ishte nje paraqitje e nivelit të lartë për mënyrën e thjeshtë dhe të mënçur të parashtrimit të ideve historike dhe filozofike që sot ndikojnë fatet e njeriut të shekullit XXI. Vetë hyrja sintetizon ide të autorit mbi probleme të kohës sonë, e që duhet të vihen në qendër të punimeve të intelektualëve të fushave të ndryshme. Ajo hyrje meriton të botohet edhe si artikull më vete”.
Francesco De Sio Lazzari, (professor i filozofisë në Universitetin Oriental të Napolit, korrik 2018): “Dje lexova dhe e përpiva në një ditë librin tёnd. Ke shkruar njё roman tё madh: pёr sensibilitetin, kulturёn qё shpreh dhe nostalgjinё. Lexova “aventurat” e protagonistёve dhe nuk arrij t’i nёnshtrohem idesё qё Shqipёria tё ketё vuajtur aq shumё nёn thundrën e Enver Hoxhёs. Melankolia dominon librin tёnd dhe e pushton tёrёsisht lexuesin. E pёrfundova leximin e librit me kёnaqёsi (pёr bukurinё e tij) dhe me njё melankoli tё thellё (pёr ato qё ti rrёfen). Libri yt ështё njё homazh i shkёlqyer pёr atё brez tё vuajtur dhe i domosdoshëm për të rinjtë, njё dёshmi intensive dhe shumё e ndjerё nga ana jote. Janё shumё ata qё do tё tё jenё mirёnjohёs”.
Idolo Hoxhvogli, (Doktor i shkencave filosofike, Milano, luglio 2018): “I ndikuar nga romani “L’amara favola albanese”, që pata lexuar disa vite më parё, e lexova me ëndje dhe përqëndrim të madh librin e fundit të autorit Alberto Frashëri, “La Quinta”. I pari ishte shkruar si njё dёshmi e trasformimeve degraduese nё Shqipёri gjatё diktaturёs komuniste dhe, kjo, përmes ngjarjeve me personazhe shumë interesantë. Ai roman ishte njё rrёfim me mёndje tё kthjellёt e me urtёsi e, nё tё njёjtёn kohё, i shkruar me njё stil origjinal e me intensitet. Megjithatё, nё rrёfimin e realitetit tё mjerё e absurd, autori nuk kufizohej vetёm me tragjedinё qё ai ka njohur e jetuar nga afёr. Ai shprehte konsiderata e meditime tё vyera mbi totalitarizmin nё pёrgjithёsi si, fjala vjen, humbja e lirisё dhe e aftёsisё krijuese, çrrёnjosja e traditave, uniformizimi i ideve dhe i mёnyrёs sё tё jetuarit, çensurimi i artit nga ana e propagandёs dhe ideologjisё, e shumё tё tjera. Pavarёsisht nga tragjiciteti i ngjarjeve qё rrёfen në atë roman, Frashëri nuk e braktis veten dhe as e ndrydh mendimin nё grackёn e pesimizmit, pёrkundrazi: bukuria e botёs qё na rrethon nuk mund tё venitet nga tragjeditё me tё cilat historia padrejtёsisht na dёnon. Puna e tij, e jo vetёm ky libёr, me plot tё drejtё tashmё pёrbëjnё njё vepёr klasike qё i ka tё gjitha cilёsitё letrare dhe spirituale. Prova e mirëfilltë e vlerës së atij romani, ështe fakti editorial: ai u botua në kolanën e filozofit Dario Antiseri, të Qëndrës së Metodologjisë së Shkencave Sociale të Universitetit LUISS në Romë.
Me këto bindje e fillova me kuriozitet leximin e romanit “La Quinta”. Ky botim shënon një fazë të re duke na ofruar përmbajtje të një vlere universale, sikundër autori e konsideron konfliktin e përjetshëm mes formave të devijuara të pushtetit dhe krijimtarisë njerëzore. Mendoj që pasuria e këtij libri të fundit, nga pikëpamja letrare, është ndërthurja e ngjarjeve me meditimin, pikërisht si në romanin “L’amara favola albanese”. Rreziku i librave që duan të rrëfejnë regjimet totalitare, është reduktimi i të vërtetës thelbësore në një kronikë ngjarjesh. Pena e Frashërit, përkundrazi, i’a del të bëjë atë që arti duhet të realizojë: të orientojë të veçantën në një drejtim universal; të trajtojë faktin real në një kuadër konceptual; të kuptojë horizontin që fshihet në një ngjarje.
“La Quinta” e Albert Frashërit mund të konsiderohet me të drejtë një vepër klasike: i ka të gjitha cilësitë letrare dhe spirituale. Pjesët e titulluara “Fluturimi i bombit”, “Vallëzimi nën yje”, “Poema e Paqes” dhe “Epilogu” janë të një bukurie të rallë , të denja për një filozofi të vërtetë të historisë. Cilido që interesohet për historinë e Shqipërisë dhe, sidomos, për totalitarizmat në përgjithësi, nuk mund të mos e lexojë këtë libër”.
Bebi Kristidhi Milkani, (pianiste, Tiranë, qershor 2016: “Leximi i librit tuaj, edhe pse i dhimbshëm, ishte për mua një rikthim në të kaluarën e largët plot trishtime dhe vuajtje, por shkruar me një elegancë dhe delikatesë të admirueshme. Veç kësaj do të donja të theksoja që asnjëherë askush nuk ka mundur të shkruajë për të këqijat e padëgjuara të atyre kohëve, pa një fije mllefi a zemërimi. Në librin tuaj ka aq dashuri dhe poezi në të gjitha rrëfimet e të kaluarës. Pergëzime dhe falenderime nga zemra”.
Interesi për keto dy libra të Frashërit, mund të përmblidhet me sa shkruan në reçensionin e tij historiani roman i kohës moderne, Luca Pignataro, (korrik 2018): “Duket paradoksale, por një nga vlerat e shumta të romanit “La Quinta”, është fakti që ngjarjet e kalojnë cakun e kontingjencës lokale e historike dhe shndrrohen në një të vërtetë universale, dua të them, për çdo vënd dhe për çfarëdo epoke. Si historian, dua tё theksoj kujdesin me tё cilin autori, duke filluar nga hyrja e romanit, shtjellon bindjen e tij, fisnike dhe origjinale, sipas tё cilёs kuptimi i historisё duhet kёrkuar nё jetёn e individit. Kёtё mendim ai e ka pёrpunuar me përsiatjet personale qё pёrbёjnё limfёn e librit”.
Pёrfitoj nga rasti pёr tё sintetizuar shumё shkurt disa ide tё autorit, sikundёr ai i shtjellon nё hyrjen e romanit “La Quinta” dhe nё referatin e tij nё Konferencёn Ndërkombёtare tё Letёrsisё (Orizzonte Atlantico, Torino, dhjetor 2018), me titull “Letёrsia dhe konflikti mes shoqёrisё dhe formave tё devijuara tё pushtetit”.
Pa artin kombi nuk ka tё ardhme dhe zbeh ndjeshёm profilin njerёzor tё ekzistencёs sё tij. Historia ёshtё njё nga fushat e dijes njerёzore. Ajo pёrpiqet tё dokumentojё e tё shpjegojё tё shkuarёn dhe kjo na ndihmon tё kuptojmё mё mirё tё sotmen. Pa kёtё ne ecim kuturu, kah e ardhmja, me ide tё paqarta e jo tё pajtueshme me universin kulturor e filozofik tё kombit. Por njohja e historisё nuk ёshtё e mjaftueshme pёr tё kuptuar rolin dhe vendin e Njeriut nё evolucionin, formimin e idealeve e tё traditave kombёtare. Ajo e para është një histori formale që e anashkalon jetën e Njeriut.
Atё rrëfim e bёn arti dhe letёrsia dhe asgjё nuk mund t’i zёvendёsojё ato dhe as njerёzit e saj. Ne e njohim thelbin e tё kaluarёs sonё, pёrmes vargjeve tё Naimit e tё Migjenit, tё Fishtёs e tё Mjedёs, sepse nё veprёn e tyre kemi njohur vuajtjen dhe pёrpjekjen titanike tё Njeriut, gjatё ekzistencёs sё tij. Mendoni se si Migjeni nё prani tё mjerimit dhe ligёshtimit tё shpirtit, i lutet Perёndisё t’i japi njё sinfoni. Shёrimin e vuajtjes njerёzore ai e kёrkon te muzika, te arti. Asnjё poet nё historinё e letrave tё tё gjitha kohrave, nuk e ka shprehur me kaq art shpirtin e madh tё poetit. Kёto janё vargje monumentale qё shprehin njё tё vёrtetё themelore tё jetёs sonё: e Bukura si thelb i qёnies njerёzore. Ky ёshtё arti qё shndёrron nё urtёsi tё vёrtetat themelore tё historisё njerёzore. Pa vetёdijen e tё Bukurёs si formё dhe ideal tё ekzistencёs sonё, tё shumtёn do tё mbushnim barkun me bukё.
Vёshtirёsitё e artistit burojnё nga liria dhe pavarёsia e tij. Qytetari e formon mendimin e pavarur sipas pёrvojave personale e tё grupit, sipas nivelit tё njohurive tё tij dhe me ndikimin e artit, nё kuptimin e gjёrё tё fjalёs. Por në këtë proçes ndikon negativisht propaganda. Pёr kёtё arsye tё gjitha format e totalitarizmit, dhe jo vetёm ato, pёrpiqen ta zaptojnë hapësirën midis shoqёrisё dhe pushtetit duke pretenduar ta trasformojnë artin në një megafon të klasës politike, sikundër bëri diktatura e çiftit Hoxha në Shqipëri. Për këtë arsye format e devijuara të pushtetit e kanë halë në sy artin dhe njerëzit e tij. Këta janë të parët që survejohen e dënohen, sepse ata lindin dhe rriten me prirjen për të rrëfyer të Keqen dhe vuajtjen e Njeriut.
Kёtё profil, qё karakterizon raportin e vёshtirё ndёrmjet krijimtarisё njerёzore dhe pushtetit, Albert Frashёri e ka vёnё nё themel, jo vetёm tё dy romaneve tё tija, por edhe tё essève qё ka botuar pas viteve ’90 nё Shqipёri dhe Itali. Sikundër shprehet kritika, ai ka ditur të harmonizojë aventurat e një grupi artistësh, me faktin historik si themel të përmbajtjes dhe me rolin e artit e të së bukurës në ekzistencën e njeriut. Arti si një kënd i parajsës në mes të ferrit.
Ky është një udhëkryq që herë pas here kthehet në momentet më të vështira të ekzistencës individuale dhe kolektive gjatë historisë. Të kultivosh të Bukurën edhe në një realitet absurd, është sot më e nevojshme se kurrë. Romanet “La Quinta” dhe “L’amara favola albanese” shprehin këtë vizion të autorit mbi individin dhe shoqërinë. Njё vizion nga njё intelektual qё ka dhёnё kontribute tё rёndёsishme edhe nё kulturёn e vendlindjes sё tij. Kush ka lexuar librat e tij mbi Universin Filozofik e Kulturor tё kombit tonё dhe tё gjithё publicistikёn qё ai ka shkruar e botuar, ka perceptuar me qartёsi konsideratёn e lartё dhe mallin qё ai shpreh pa fjalë pёr vendin ku lindi dhe u formua si njeri. “Shqiptarёt’, shkruan ai, ‘nuk janё tё vetёdijshёm pёr fisnikёrinё, origjinalitetin dhe as pёr potencialet njerёzore qё prehen nё gjirin e tyre”. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016