Nga Hamid Gjylbegaj
Pjesa e pestë
DËSHMI HISTORIKE 1912 – 1925
(Disa kujtime biografike të Hamid Gjylbegaj)
Memorie.al / U linda në Shkodër më 1 mars 1888. Mësimet e para i mora në qytetin e lindjes, në shkollat turke, mejtepe dhe ushtarake. Vitin e fundit të gjimnazit ushtarak, e përfundova në Manastir, prej nga kalova në Akademinë Ushtarake të Turqisë, në Stamboll. Me përfundimin e shkollës, jam emëruar nëntoger në Korparmatën e Pestë të Divizionit të 13 të regjimentit të 38 të Selanikut, ku kam shërbyer deri më tetor të vitit 1912. Gjatë kësaj kohe kam luftuar në Kumanovë, Prelep, Manastir (ku jam plagosur dy herë ) e më në fund në Kalanë e Janinës, në Bizhan, deri më 28 shkurt të vitit 1913. Për veprimet ushtarake gjatë luftës, si oficer i dalluar, jam graduar para kohe me gradën toger. Kam hyrë në historinë ushtarake të Luftës Ballkanike si, i pari oficer në botë që zbulova në bazë të shkencës së balistikës, se topat automatikë fushorë gjermanë 7.50 mm., krahasuar me ata francezë 7.50 mm., ishin inferiorë. Ka qenë një gabim teknik i gjermanëve, që i kanë bërë tytat e topave 25 cm. më të shkurtër se të topave Francezë, gjë e cila më vonë, në Luftën e Parë Botërore, u zbulua edhe prej kryetarit të shtabit, gjeneralit Ludendorf. Raporti im për këtë çështje, gjendet në arkivat ushtarake të Turqisë. Me dorëzimin e Kalasë së Janinës më 6 mars 1913, e gjithë komanda e lartë turke, ku edhe unë bëja pjesë, u zu rob lufte. Si rob lufte, kam qëndruar shtatë muaj e gjysëm në ishullin Zanta (Zaqinthon). Me firmosjen e Traktatit të Paqes, në tetor të vitit 1913, u transferova në Stamboll.
Zgjedhjet e dyta (dhjetor 1923)
Para se të fillonin zgjedhjet, Zogu i shkruan një letër Shefqet Vërlacit, në të cilën i kërkonte të më nxirrte deputet të grupit të tij. Për këtë, Vërlaci më dërgoi Hasan beg Biçakçiun, të më pyeste nëse dëshiroja.
Duke e ditur se nuk mund të dilja deputet, i thashë se nuk mund të kandidoja në një vend të huaj, në mes dy grupeve, Aqif Pashës dhe Vërlacit. Mbasi guri peshonte rëndë në vendin e vet, dhe unë do ta vija kandidaturën në Shkodër.
Po të vija kandidaturën në Elbasan e mos fitoja, Kleri Katolik do të thoshte se po të kisha kandiduar në Shkodër, ai do më kishte nxjerrë deputet.
Mirëpo kur unë nuk dëgjova të dilja deputet në Elbasan, si deputet i Vërlacit, Zogu mendoi se isha lidhur me Klerin Katolik. Por gjykoi gabim, mbasi fakti doli ndryshe. Me rastin e zgjedhjeve, në Elbasan doli dhe grupi i tretë që mori emrin “As i beut, as i pashës”, me Ahmet Daklin dhe Lef Nosin.
Shpërtheu një grindje e madhe në mes të partive, prandaj dhe shteti u shtrëngua të bënte shtetrrethim. Pushuan nga puna prefektin Izet Dibra (Shatku) dhe për të mbajtur rendin dhe neutralitetin, emëruan në vend të tij, Shefqet Frashërin. Rendi kaloi në duart e ushtrisë, dhe u sigurua që votimet të bëheshin të lira. Shefqet Vërlaci fitoi një shumicë të madhe votash.
Ndërhyrja ime krijimin e koalicionin
Duke parë krizën e madhe të krijuar mes partive në gjithë Shqipërinë, i propozova Shefqet Vërlacit që të ndërhyja pranë grupit të Shkodrës, tek i cili kisha influencë, për të lidhur besën për bashkëpunim mes tyre. Për të formuar një kabinet koalicioni edhe me përbërjen e Kishës Katolike.
Për këtë qëllim shkova në Shkodër dhe bisedova me Monsinjor Lazër Mjedën, i cili më shtroi disa kushte: “Ne Katolikët, deri në kohën që Shqipëria doli në vete, ishim raja. Tani na kena të drejta të barabarta me myslimanët. Por, me kenë se elementi mysliman shqiptar përban shumicën, sundimi i takonte atyne. Na do ta pranojmë si ata ta dëshirojë formën e shtetit. Në daç Monarki, në daç Republikë, por në formën europiane. Jo me than nji send e me ba nji tjetër.
Myslimanët duhet të bajnë konkordatën me Papën, siç e kanë të gjitha shtetet e tjera të botës, por me kusht qi mos të hijn kapitulacioni fetar i Romës siç ka kenë në kohën e turkut.
Çdo kryenënpunës qi të emnohet në Shqipni, duhet t’i çmohet autobiografia e tij qysh në kohën e turkut e deri në ditën e emnimit dhe ky emnim të bahet me vendim të Këshillit Ministruer, e jo simbas deshirës të secilit ministër për vedi.
Edhe shpenzimet e mshefta duhet të përdoren me anë të Këshillit Ministruer e, jo vetëm me anë të individit të vetëm, ministrit. Ministria e Drejtësisë të jetë e pamvarun nga shteti. Të mos na lehet ne për me zgjidh problemin e fesë në mes të katolikëve dhe ortodoksëve se, jemi të ndamë tash 1650 vjet e nuk mund t’i zgjidhim na. As të mos të na imponohet me ndjek nji politikë sllave, se kombi shqiptar asht tash 400 vjet me ta.
Liria e mësimit fetar vetëm në shkollat fillore, se pa fe krejt bahet bollshevizëm, se nji moll e kalbët kalb tanë koshin. Kjo formë shteti asht forma e qytetnueme e kulturës demokristiane. Kush do ta vejë në praktikë kët vijë nuk dihet”.
Këto pika unë ja parashtrova Vërlacit. Ai i pranoi, por, kur erdhi për t’i zbatuar ndeshi në kontradikta të mëdha. Mbasi Shkodra, si prefektura më e madhe, kërkonte dy ministra, të Financave dhe të Ushtrisë, mirëpo këtë kusht Ahmet Zogu nuk e pranonte, dhe çështja mbeti pezull.
Meqenëse Shefqet Vërlaci nuk qe i zoti të realizonte marrëveshjen e lidhur me Shkodrën, mbasi nuk e linte Zogu, unë, më në fund e njoftova Shkodrën.
Pragu i Kryengritjes së Qershorit 1924
Mbas plagosjes së Zogut më 23 shkurt 1923 dhe vrasjes së Avni Rustemit (20 prill 1924), ngjarjet precipituan. Kur Vërlaci, Zogu e Mufit Libohova e panë se gjendja po shkonte drejt lëvizjes, më dërguan në Shkodër për t’i propozuar edhe njëherë Luigj Gurakuqit me shokë, për ta formuar kabinetin, si ta donin ata. Por, Shkodra nuk pranoi, duke thënë se tashmë ishte lidhur me Vlorën.
Unë u ktheva në Tiranë, njoftova Vërlacin se lëvizjen tashmë nuk e ndalte gjë dhe se unë po shkoja në Elbasan, për të shpëtuar veten. Mirëpo, me këtë rast Bajram Fevziu intrigoi, duke i thënë Zogut se, Hamidi u nis në Elbasan për të marrë batalionin e për t’ju zënë rrugën e Homeshtit, për të penguar largimin tënd për Jugosllavi.
Zogu duke i besur fjalëve të Bajram Fevziut, më vuri pritën në Qafë Krrabë, të cilës me shumë vështirësi e zotësi, munda t’i shpëtoj gjallë.
Mbas kthimit të Ahmet Zogut nga Jugosllavia, ky mblodhi parinë e maleve të veriut për të lidhur besë e për të bashkëpunuar me ta. Në mes tyre ishte prej parisë të Pukës edhe Dash Ago Dizdari, njëkohësisht mik i ngushtë i imi. Para se të shkonte në Tiranë, ai erdhi e u takua me mua.
Me këtë rast i thashë ta pyeste Zogun prej meje pse ma vuri pritën në Krrabë. Zogu ishte impresionuar fort prej kësaj pyetje dhe kish thënë se këtë gjë e kish intriguar Bajram Fevziu dhe ai do ta qiste në shesh më vonë. Kur u takuam më vonë, Dash Aga më tha se, po ta kishte ditur se Zogu do të prekej aq fort, kurrë nuk do t’ia kish bërë atë pyetje.
Qershori 1924
Para se të bëhej Kryengritja e Qershorit, komandantët e batalioneve të gjithë Shqipërisë u mblodhën në Tiranë, pranë komandës së përgjithshme. Bajram Fevziu deshi të siguronte nga oficerët, bashkëpunim me Ministrinë e Luftës, gjë për të cilën i morën dhe firmat. Qëllimi i Bajramit ishte të përkrahte Zogun.
Por, mbasi u diktua kjo punë, oficerët, në mes të cilëve isha dhe unë, vepruan secili sipas dëshirës, duke e diskutuar çështjen e Lëvizjes në formë private.
Në këtë mbledhje, unë në veçanti pyeta se cili ishte ai që e kryesonte këtë lëvizje. Më thanë Fan Noli. Atëherë unë kundërshtova, duke bërë vërejtjen se Noli ishte moskovit e lëvizja që donin të bënin, kishte për të dështuar pasi shtetet e Perëndimit dhe të Ballkanit, nuk do të lejonin një shtet bolshevik në Ballkan.
Për këtë arsye, i thashë shokëve se nuk mund të merrja pjesë në lëvizje, por, megjithatë, kundra tyre nuk kisha për të luftuar. Ju thashë se detyra e ushtrisë ishte të mbante shtetin në këmbë, ndërsa e ngjarjet që ndodhën (vrasja e Avni Rustemit) të ndiqej me rrugë ligjore, nëpërmjet të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas meje, të mos të bëhej një lëvizje spontane e cila, i bënte dëm kombit e atdheut. I thashë se fjalët e mija kishin për t’i dalë.
Të gjithë oficerët, me përjashtim timin, u kthyen në batalionet e tyre dhe morën pjesë në lëvizje. Kështu, e vërteta është se Lëvizja e Qershorit, u bë drejtpërsëdrejti nga dhjetë batalione shqiptare. As Fan Noli, e as Luigj Gurakuqi me partinë e tyre, nuk ishin të zot të dilnin në pazar, e jo të bënin Kryengritjen e Qershorit.
Ardhja në fuqi e Nolit dhe opozitës së veriut
Mbas fitores se kryengritjes erdhi ne fuqi qeveria e Fan Noli. I bëra një lutje Ministrisë së Luftës dhe i kërkova të dilja në pension. Kjo nuk u pranua.
Në këtë kohë më dërguan në Elbasan, kapiten Qamil Bakiun, për t’i dorëzuar komandën e batalionit. Mbasi i dorëzova llogarinë dhe komandën, me kasën private pagova të gjitha borxhet që kish batalioni, mora dokumentet për dorëzimin në rregull të detyrës dhe mbeta në dispozicion të shtetit, deri me ardhjen e Zogut në fuqi.
Ardhja në fuqi e Zogut në 1925
Me kthimin e Zogut në fuqi, për mosbesim politik, ai nxori në pension 13 oficerë nga të vjetrit, një prej tyre qesh edhe unë që kisha dhënë dorëheqjen qysh në fillim të Lëvizjes së Qershorit.
Ditën që hyri Zogu në Tiranë, duke shkuar në shtëpi i përcjellë prej Gjergj Gurakuqit, hoqa spaletat ushtarake dhe i hodha, duke thënë që mbas kësaj dite, nuk do t’i shërbej kurrë më shtetit shqiptar si oficer.
Kështu i dhashë fund karrierës ushtarake. Mbas 2 – 3 ditësh në shtëpinë time erdhi Sali Vuçiterna së bashku me Shefqet Mukën, për të më propozuar detyrën e kryetarit në Këshillin e Komitetit Mysliman, për të punuar edhe në revistën “Zani i Naltë i Dritës”.
Qëllimi i këtij propozimi ishte që unë të isha në Tiranë dhe të bëja një farë kompromisi me Ahmet Zogun. Ju thashë që vija në Tiranë me kusht, që Zogu të mos përzihej as në organizimin e shfrytëzimin e pasurive të vakëfit në Shqipëri, as në emërimin e këshillit të “Zanit të Naltë të Dritës”.
Meqenëse këtë kusht Sali Vuçiterna nuk e pranoi, atëherë as un nuk e pranova propozimin e tij, vetëm sa për të marrë atje një rrogë. Mbas tyre u paraqit edhe Muharrem Bajraktari i cili, më propozoi që të shkonim së bashku për të bashkëpunuar me Zogun. Ju përgjigja se kisha hequr dorë, njëherë e përgjithmonë nga puna zyrtare, e nuk do të merrja më pjesë kurrë në punë shtetërore.
Si u kthye Ahmet Zogu në Shqipëri?
Në vitin 1919, Ahmet Zogu u bë anëtar i “Krahut Kombëtar” dhe së bashku me Hoxha Kadrinë, u vunë në vijë me lozhën e Inteligjent Servisit të Anglisë, që kish pas themeluar në Shkodër gjenerali Filips.
Në atë kohë, në parlamentin shqiptar u diskutua çështja e vajgurit. U bënë dy propozime, njëri prej anglezëve e tjetri prej amerikanëve. Propozimi amerikan qe më i favorshëm, për arsye se ata paguanin 12.8 % , duke filluar menjëherë shfrytëzimin, duke bërë dhe një fabrikë filtracioni, si dhe duke punësuar 100 mijë shqiptarë.
Luigj Gurakuqi mendonte që me të ardhurat e vajgurit, 50 milion franga ari dhe me një hua te brendshme 50 milion franga ari, të themelonte Bankën Kombëtare të Shtetit Shqiptar. Me anë të saj të shfrytëzonte gjithë minierat e Shqipërisë, e më pas të zhvillonte kulturën e kombit në çdo pikëpamje.
Kurse, oferta angleze jepte rreth 11.5 % dhe donte t’i izolonte puset e vajgurit dhe t’i mbante rezervë për t’i shfrytëzuar kur të kish nevojë ajo vetë. Kjo mënyrë veprimi pengonte zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Megjithatë, për hir të karriges së vet, Zogu mbrojti këtë tezë. Kështu që parlamenti u nda në dy grupe dhe shkoi në vëllavrasje dhe në Lëvizjen e Qershorit të 1924.
Zogu u përkrah prej anglezëve, të cilët i paguan 10 mijë napolona ari, për të ardhur në fuqi. Pashiqi e ndihmoi me Korparmatën e VI-të të Shkupit, i përkrahur dhe nga forca e ndryshme popullore shqiptare në anën jugosllave dhe me divizionin e Vrangjelistave, Ahmet Zogu u rikthye në Shqipëri ku në fillim shpalli Republikën Shqiptare dhe më vonë dha dorëheqjen dhe shpalli Monarkinë. Memorie.al (Përgatiti, Dr. Shefqet Deliallisi)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016