Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon për herë të parë dokumentet e bujshme arkivore me “dosjen e zezë” të marrëdhënieve shqiptaro-kineze të fillimit të viteve ’60-të, ku ambasadori shqiptar Reiz Malile ka informuar rregullisht Komitetin Qendror të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhën, Hysni Kapon, etj, lidhur me sjelljet imorale e shtazarake të dhjetra ushtarakëve, kursantëve dhe specialistëve shqiptarë që ishin në qytete dhe provinca të ndryshme të Kinës, të cilët kryenin akte rrugaçërie duke kapur me forcë e duke përdhunuar vajza kineze, kudo që ato ndodheshin, në ara, fabrika, autobus, mbrëmje vallëzimi etj. Dhe kur pala shqiptare donte që t’i procedonte ata për gjyq, pala kineze nuk ishte dakord dhe kërkonte që ata “të bënin autokritikë të thellë dhe të edukoheshin nëpërmjet punës….”?!
Pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare të Tiranës me Kremlinin në fundin e vitit 1961 dhe fillimin e ’62-it, Enver Hoxha dhe regjimi komunist i Tiranës u lëshuan “në prehrin” e Mao Ce Dunit, duke lidhur një aleancë të fortë me vendin e madh komunist aziatik, me të cilin kishin filluar “flirtet” ,që nga fillimi i viteve ’50-të, kur kryetari Mao, konsolidoi pushtetin e tij. Kështu që nga fillimi i viteve ’60-të dhe deri në mesin e viteve ’70-të, kur Enver Hoxha do të fillonte ftohjen me “vëllezërit kinezë” pas vizitës së Richard Nixonit në Kinë, Pekini zyrtar do të ishte një nga mbështetësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, jo vetëm në aspektin politik, por dhe në atë ekonomik e ushtarak, duke i akorduar vendit të vogël e të varfër ballkanik, disa dhjetëra milion dollarë ndihma dhe kredi, ku shumica e tyre ishin falas apo me afat të gjatë shlyerje….!
Në ato dy dekada, qeveria shqiptare i mbështeste të gjitha planet e saj pesëvjeçare, vetëm në saj të ndihmave dhe kredive që jepte qeveria kineze dhe në këtë kuadër, përveç industrisë ushtarake si: Uzina e Artilerisë në Tiranë, Kombinati i Armatimeve në Poliçan të Skraparit, aeroportet ushtarake të Gjadrit e Kuçovës, bazave ushtarake detare të Porto-Palermos, Shëngjinit etj., në ato vite u ndërtuan dhe u vunë në shfrytëzim pothuaj të gjitha veprat industriale në Shqipëri, si: Uzina e Naftës dhe e Gazit në Ballsh, Hidrocentralet e Vaut të Dejës, Fierzës dhe Komanit, Kombinati Kimiko Metalurgjik i Laçit, Radio-Televizioni Shqiptar, fabrika e Letrës në Lezhë, Uzina e Telit në Shkodër, etj, uzina e fabrika të vogla në të gjithë Shqipërinë, në të cilat punuan specialistët dhe inxhinierët kinezë me përkushtim dhe korrektesën më të madhe.
Po kështu, për vënien në funksionim të këtyre veprave të mëdha industriale Republika Popullore e Kinës, morri përsipër edhe shkollimin e specializimin e qindra kuadrove shqiptarë, civile dhe ushtarak, në Republikën Popullor të Kinës. Këto tashmë janë të njohura nga brezi që e ka jetuar në atë kohë dhe ato janë të pasqyruara edhe në mjetet e informimit publik dhe propagandës të asaj kohe. Por e gjitha ajo “miqësi e pathyeshme” dhe e ngushtë midis dy “partive motra”, ka pasur edhe anën të errët të saj, e cila është mbajtur e fshehtë dhe nuk është bërë publike në ato vite. Bëhet fjalë për sjelljen imorale dhe qëndrimin e ushtarakëve, kursantëve e specialistëve shqiptarë, kuadro inxhiniero-teknik që asokohe, ishin në Republikën Popullore të Kinës, ku disa prej tyre, janë sjellë në mënyrën më të shëmtuar, duke bërë përdhunime të vajzave dhe grave kineze, kudo ku ato ndodheshin fabrika, kantiere, autobus, stalla lopësh, mbrëmje vallëzimi, ekskursione etj, aq sa një pjesë e tyre, sipas raporteve të “shokëve kinezë” ishin bërë “tmerri i rajoneve…”?!. Të gjitha këto janë të pasqyruara me detaje në dhjetëra raporte e informacione që ambasada shqiptare në Pekin, ia ka dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, me anë të ambasadorit Reiz Malile dhe ato janë parë e firmosur me shënimet përkatëse nga vetë Enver Hoxha, Hysni Kapo etj. Në këtë “dosje të zezë” të marrëdhënieve shqiptaro kineze, e cila ka siglën “Tepër sekret” dhe përmban një korrespodencë të gjatë me raport-informacione të firmosura, nga ambasadori shqiptar në Pekin, Reiz Malile, atasheu ushtarak Elami Hado, drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të PPSH-së, Pirro Bita, etj, Ku sipas raporteve në fjalë, “vajzat kineze kur përdhunoheshin, nuk bërtisnin, pasi nuk donin që të prishej miqësia shqiptaro-kineze” dhe kur pala shqiptare insistonte, që ata që kishin kryer këto akte të shëmtuara, të procedoheshin penalisht e t’i jepeshin gjyqit, “shokët kinezë” nuk ishin dakord me këtë masë të rëndë, por insistonin që ata “të bënin një autokritikë të thellë dhe të edukoheshin nëpërmjet punës”…?! Lidhur me këtë dhe të tjera nga kjo “dosje e zezë”, na njohin disa prej dokumenteve arkivore sekretet, që po publikojmë.
I n f o r m a c i o n
PËR KURSANTIN JANI. P. I
Jani P.I. anëtar i BRPSH-së që ishte dërguar si kursant për specializim në R. P të Kinës është sjellë shumë keq atje. Që në fillim kur u nis me avion me shokët, qëlloj me grusht një nga shokët. Në një ekskursion në qytetin Cun Cin, u zhvesh lakuriq dhe bëri banjo në lumë. Po gjatë këtij ekskursioni ofendoi në mënyrë brutale, disa vajza kineze. Kur u thirr nga sekretari i organizatës për këto sjellje, ai e ofendoi atë me fjalë të ulta dhe tentoi ta qëllonte me grusht. Po ashtu me fjalë brutale ofendoi dhe përgjegjësin e grupit, kur e thirri për ta këshilluar. Mbas këtyre Jani I. desh ta mbyste në lumë shokun Hajri Zh. Nuk e bëri dot, pasi atje u ndodhën shokët e tjerë.
Gjatë udhëtimit me autobus, ofendonte nga dritarja çdo vajzë që shikonte, në autobus kishte dhe kineze. Kur u kthyen nga ekskursioni, atë e thirri përgjegjësi i grupit, sekretari i org. bazë të Partisë, zv/sekretari i org. së Partisë, dhe sekretari i org. së Rinisë, por ai nuk pranonte asnjë gabim. U bë mbledhja e kolektivit për të shqyrtuar çështjen e tij, por ai nuk pranoi të marrë pjesë. Mbas kësaj e thirrën në mbledhje të org. bazë të Partisë, por dhe këtu nuk pranoi asnjë gabim dhe dy tre herë tentoj të largohej, duke ju thënë se nuk ju dëgjoj dot.
Për këto sjellje org. bazë e Partisë, propozoi kthimin e tij në Shqipëri. Këto propozim e aprovoj dhe Ministria e Mbrojtjes Popullore, por e pezulloj ambasadori shoku Reiz Malile, për arsye se ky bëri autokritikë për përgjegjësitë e tij, se do të përmirësohet dhe nuk do të përsërit gabimet.
Edhe Ministria e mbrojtjes ishte dakord që ai të mos kthehej në Shqipëri.
Për këtë çështje, Drejtoria Administrative bisedoi edhe njëherë me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministria e Mbrojtjes ja la në kompetencë, atasheut ushtarak që të vendosë nëse ai meriton që të kthehet në Shqipëri apo të qëndrojë atje.
Meqenëse sjelljet e tija janë shumë të këqija dhe duke marrë parasysh gjërat e shëmtuara që po ndodhin atje siç ishte rasti i Hysen B., që t’ju pritet rruga këtyre dhe meqenëse Jani. P. I vuan nga…..e nuk është i përshtatshëm për specialitetin që është dërguar, propozojmë që të kthehet në Shqipëri. Edhe Drejtoria Administrative, është e mendimit që të kthehet në Shqipëri.
Të kthehet me vapor
Hysni Kapo
……………………………………………………………………………………………………………………………………………
I N F O R M A C I O N
Në mbledhjen e saj dt. 3.1.1962 organizata bazë e Partisë e kursantëve dhe ushtarakëve në qytetin Cun Cin, mori në shqyrtim sjelljet imorale dhe aktin e poshtër të Hysni. H.B. dhe vendosi përjashtimin e tij nga Partia. Për këtë i ishte paraqitur projekt-vendim, Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së.
Por në këtë mbledhje org. bazë e Partisë, shqyrtoi edhe sjelljet imorale të Hajdar D.Sh. Dhe vendosi të propozoj kthimin e tij në Shqipëri.
Hajdar Sh. ka pasur sjellje imorale, ka ndjekur vajzat kineze nga mbrapa, u ka kërkuar atyre që të venë në takim dhe megjithëse ato kanë refuzuar, ai ka vazhduar prapë të kërkojë, që të venë në takim me të duke përdorur presionin dhe mashtrimin dhe në këtë mënyrë, një vajzë i ka vajtur disa herë në takim, ose e ka zënë në rrugë dhe e ka marrë në shëtitje për qëllime të këqija. Kësaj vajze njëherë i mori unazën dhe i tha se do t’ja jepte përsëri, po të vinte në takim me të. Në takim iu premtoi asaj, që do ta merrte në Shqipëri dhe ja dha unazën, vetëm pasi ajo pranoi që ky ta puthte atë dhe e puthi. Në një takim tjetër, këtë vajzë ka dashur që ta ç’nderonte me forcë (e nxori dhe prezervativin), por nuk mundi, pasi ajo u largua. Kur u kthye në fabrikë e puthi me forcë dhe pastaj me qëllim që ta gënjente dhe që t’i nënshtrohej atij, i ra në gjunjë duke qarë. I ka dhënë dhe dhuratë një shami dhe një sapun, megjithëse ajo ka refuzuar t’ja pranojë.
Një vajze tjetër kineze, duke dancuar në një mbrëmje i afron faqen e tij pranë faqes së saj dhe megjithëse ajo përpiqej të largohej, ai e shtrëngonte fort në mes. Mbas mbarimit të mbrëmjes e ndoqi pas në rrugë, i kërkoi t’i linte takim, por ajo s’pranoi, i puthi dy herë dorën dhe i bënte lajka. Po këtë vajzë, në një mbrëmje tjetër e morri përsëri të danconte po me atë mënyrë, si herën e parë dhe kur ajo përpiqej të largohej, ai e cimbiste. Këtë gjë ia bëri dhe një vajze tjetër. Njëherë kur e takoj vajzën që përmendëm më lart dhe e pa se po bisedonte me shqiptarë të tjerë, i tha se ata janë të liq dhe se kanë nga 4-5 vajza dhe mos bisedo me ta. Të gjitha këto vërtetohen nga deklarata që kanë lëshuar dy vajza.
Për sjelljet e tij imorale, Hajdar Sh. është kritikuar nga përgjegjësi dhe sekretari i org, bazë të Partisë, por ai duke gënjyer nuk i pranonte. Vetëm kur iu faktuan ai pranoi gabimet e tija dhe bëri një deklaratë ku kërkonte që me një autokritikë, të mbyllej çështja e tij.
Ambasada e R.P. të Shqipërisë, nuk e aprovoi vendimin e organizatës bazë të Partisë për kthimin e tij në Shqipëri, duke argumentuar se mbasi u verifikua në vend nga atasheu ushtarak Elami Hado, rezultoi se Hajdar Sh. Nuk ka kryer akte imoraliteti dhe për gjestet e tij jo korrekte e kritikoi rendë dhe e paralajmëroj.
Ne propozojmë se Hajdar Sh. Të kthehet menjëherë në Shqipëri, për shkak se sjelljet e tij janë imorale, të këqija dhe të ulta dhe se nuk ka kryer akte imoraliteti vetëm se nuk ka mundur ta bëjë, duke përdorur forcën, presionin dhe mashtrimin.
Për sjelljet e Hysen B. dhe Hajdar Sh. Shokët kinezë të Uzinës, kanë thirrur përgjegjësin e grupit dhe i kanë vënë në dukje, duke theksuar se këto gjëra kanë ngjallur tmerrin në popullin e rajonit.
Gjithashtu po në këtë mbledhje, organizata vendosi që Fiqri. T. t’i hiqet vërejtje e rëndë para kolektivit, për arsye se ai kishte dijeni mbi sjelljen e poshtër të Hysni B. dhe jo vetëm që nuk e denoncoi, por edhe kur u pyet, nuk tregonte.
Vetëm kur u thirr për të katërtën herë dhe kur ja faktuan se ka dijeni, tregoi. Për këtë propozojmë që t’i hiqet vërejtje e rëndë (me shënim në dokumenta) nga Ministria e Mbrojtjes Popullore.
31.3.1962 DREJTORI I DREJTORISË SE JASHTME
Pirro Bita
……………………………………………………………………………………………………………………………
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRIE TIRANË MË 27/4/1962
KOMITETI QENDROR
DREJTORIA E JASHTME
I N F O R M A C I O N
MBI DISA SHFAQJE TE HUAJA TE KURSANTEVE DHE USHTARAKEVE QE STUDIOJNË NE REPUBLIKËN POPULLORE TE KINËS
Në Republikën Popullore të Kinës kemi 64 komunistë, kursantë dhe ushtarakë të cilët bëjnë pjesë në 4 organizata bazë të PPSH-së dhe dy grupe të rini-partisë. Nga mbledhjet e këtyre organizatave bazë të Partisë deri tani na kanë ardhur 11 protokolle. Nga këto protokolle, rezulton se deri tani në jetën, qëndrimet dhe sjelljet e ushtarakëve dhe kursantëve ka mjaft sjellje të huaja shumë të dëmshme dhe dobësi në punën e organizatave bazë të Partisë. Shfaqjet e huaja janë në këto drejtime:
- Në qëndrimet dhe sjelljen imorale të disa kursantëve dhe ushtarakëve deri në akte të shëmtuara, siç është rasti i anëtarit të partisë, ushtarakut Hysni B. i cili me anë të mashtrimit dhe forcës, ç’nderoj një vajzë kineze, ose Hajdar Sh, i cili në të njëjtën mënyrë si Hysni B, tentoi që të ç’nderonte një vajzë kineze, si dhe sjelljet jo të mira me vajzat kineze, në kundërshtim me zakonet e vendit, të disa të tjerëve si Kristaq P. etj.
- Qëndrime jo të drejta, në punë dhe thyerje disipline, duke ngritur problemin se në Shqipëri na kanë gënjyer për specialitetin. Kështu anëtari i Partisë, Rexhep H. nuk shkoi në punë, për disa ditë për arsye se nuk pranonte specialitetin që i kishin caktua, duke dhe e konsideronte se i kishin ulur autoritetin, duke e caktuar si punëtor dhe jo teknik. Ndoni Gj. Nuk pranonte të punonte në meletrixhe. Anëtari i Partisë, Kostandin B. pranon të punojë në laborator, por jo në poligon, duke thënë se nuk e bën dot.
- Anëtari i Partisë, Theodhoraq S. thotë se po ta dija për këtë specialitet, nuk do vija fare këtu.
- Pakënaqësira në lidhje me ushqimin dhe pagesën atje e familjeve të tyre në Shqipëri dhe ngritjen e këtyre problemeve në rrugë të shtrembër. Kështu p.sh. anëtari i Partisë, Kostandin B. i cili ngrihet në mensë, para 35 vetave dhe bën alarm për ushqimin dhe u thotë të tjerëve, se ti mund ta hash këtë, por unë nuk e ha, ose një tjetër që thotë, ose më jep gjellë tjetër, ose unë nuk luaj nga vendi. Anëtarët e Partisë, Theodhori S. dhe Pandeli M. në rrugë të shtrembër, në mes të tërë kolektivit ngrenë çështjen e pagesave, akuzojnë përgjegjësin e i bën kërkesat e buta, etj., ose oficerët që janë në Guo-Mi, për çështjen e pagesave i bënë një letër atasheut ushtarak, me përmbajtje shumë të ulët dhe në formë proteste.
- Sjellje jo të mira me kolektivin dhe shokët kinezë, si p.sh. Jani I. që sillet keq më shokët kinezë.
- Keq është sjellë edhe anëtari i Partisë, Ramadan Sh. i cili është zënë me shokët dhe ka ofenduar një mjek kinez. Anëtari i Partisë, Hiqmet L. sillet keq me shokët dhe anëtari i Partisë, Hamit R. është zënë…
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016