Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat i përkasin vitit 1966, ku ndodhet një raport-informacion i sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, Manush Myftiut, dërguar anëtarit të Byrosë Politike dhe sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia, lidhur me proceduarat se si do internoheshin nga kryeqyteti rreth 272 familje, nga “elementët e deklasuara”, duke i dërguar ata në fshatrat dhe zonat më thella anë e mbanë Shqipërisë. Si dhe letra e sekretarit të parë të të Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit, Sofokli Papavasili, drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me qëndrimin armiqësor që mbanin Nafiz Bezhani, Vlash Gjergji dhe Dhimitër Miçaço, të cilët ishin të internuar në atë rreth, etj.
Relacioni “Tepër sekret” i sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, Manush Myftiut, dërguar Ramiz Alisë në vitin 1966
PARTIA E PUNËS SE SHQIPERISE Tepër sekret
KOMITETI I PARTISË QYTETIT Ekzemplar. Nr 1
TIRANE
Prot. Nr.852 Tiranë, më 14.7.1966
Lënda: Dërgohet relacioni mbi disa masa që duhet të ndërmerren ndaj disa elementëve armiq dhe të deklasuar.
KOMITETIT QENDROR TE P.P SHQIPERISE
Shokut Ramiz Alia
Tiranë
Bashkëngjitur ju dërgojmë një relacion “Mbi disa masa për transferimin nga Tirana të disa elementëve armiq dhe të deklasuar
Përsa më sipër jemi në pritje
Sekretari i I-rë i K. P. të Qytetit Tiranës
(Manush Myftiu) 22.12.1966
MBI DISA MASA PËR TRANSFERIMIN NGA TIRANA TE DISA ELEMENTEVE ARMIQ DHE TE DEKLASUAR
R E L A C I O N
Në qytetin e Tiranës dhe në periferi të qytetit banojnë mjaft element të deklasuar, ish kulakë, ish krerë të reaksionit dhe ish të burgosur politikë. Nga një studim që kemi bërë kemi arritur në këto konkluzione:
- Një pjesë e tyre janë banues të vjetër të Tiranës, këta janë kryesisht ish funksionarë të lartë të Zogut, të pushtuesve fashistë dhe të organizatave tradhtare: një pjesë tjetër (dhe këta përbëjnë shumicën) janë të ardhur nga rrethe të tjera, të cilët kanë ikur për të fshehur gjurmët. Mënyrat se si kanë ardhur janë të ndryshme, me një mijë dallavere, duke përfituar nga ligjet tona për strehimin, nga përkrahjet, hatëret, ryshfetet etj. Disa prej tyre nuk punojnë pasi janë pleq, por këta kanë fëmijët në punëra të ndryshme. Një pjesë tjetër, janë kryesisht ish – kulakë, kanë ndërtuar shtëpi për rreth qytetit dhe punojnë si bujq në fermat, ose si punëtorë krahu në ndërtim etj. Ka edhe një pjesë tjetër që punojnë në zyra dhe sektorë të ndërmarrjeve shtetërore.
- Një pjesë e tyre zhvillojnë aktivitet armiqësor dhe përbëjnë një rrezikshmëri për kryeqytetin, jo vetëm se janë një bazë për elementët armiq, por dhe se janë kthyer në të vërtetë në qendra të përhapjes së parullave politike armiqësore, të infektimit me ideologjinë borgjeze e shfaqjeve të huaja, të organizimit të vjedhjeve, aktiviteteve të vagabondazhit, imoralitetit dhe korrupsionit. Po thuaj në të gjitha rastet, fijet të çojnë në këto qendra infektive. Si armiq klase, ato përbëjnë bazën sociale të këtyre fenomeneve negative që në qytetin e Tiranës janë bërë me të vërtetë një fenomen shqetësues.
- Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e tyre, vendet prej nga kanë ardhur dhe kohën kur kanë ardhur në Tiranë, duke patur si kriter bazë të kaluarën e tyre dhe aktivitetin që zhvillojnë aktualisht, ne mendojmë se një pjesë e tyre, rreth 272 familje, të largohen nga Tirana dhe të shkojnë në rrethet e tjera. Konkretisht:
- Në Shkodër 16
- Në Kukës 2
- Në Pukë 2
- Në Peshkopi 3
- Në Krujë 4
- Në Burrel 2
- Në Durrës 2
- Në Elbasan 6
- Në Lushnje 1
- Në Fier 16
- Në Berat 13
- Në Skrapar 11
- Në Pogradec 13
- Në Korçë 21
- Në Ersekë 15
- Në Vlorë 27
- Në Tepelënë 7
- Në Përmet 25
- Në Gjirokastër 36
- Në Sarandë 20
Gjithsej 244
Përveç këtyre janë edhe 28 specialistë dhe nëpunës të ndryshëm, që duhen të transferohen nga dikasteret në rrethet e tjera.
Ne e kuptojmë se ky është një problem i vështirë: E para sepse janë 272 familje, rreth 2000 njerëz dhe nuk është e lehtë për t’i lëvizur, e dyta: krijohet një problem politik sepse këto njerëz kanë të afërt, lidhje gjinie etj., dhe në fakt preken më shumë se 2000 vetë. Por sidoqoftë, mendojmë se kjo është një masë e drejtë që duhet marrë.
Për të zbatuar këtë plan ne mendojmë kështu:
- Një pjesë të largohen në fshatrat e tyre prej nga kanë ardhur. Këto përbëjnë shumicën dhe punojnë në fermë ose ndërtim. Këtyre do t’u themi të shkojnë në fshatrat e tyre prej nga kanë ardhur. Atyre që kanë ndërtuar shtëpi këtu, shteti do t’u bëjë shtëpitë. Fshati duhet t’u japë një farë baze ekonomike, shtëpitë e tyre dhe tokë.
- Një pjesë tjetër, për arsye se janë në zonat kufitare, nuk do të shkojnë në fshatrat e tyre, por do të largohen në zonat fushore. Me një fjalë, këta dëbohen nga Tirana për në zona të tjera. Sigurisht këtyre u duhet krijuar ndonjë bazë jetese ose punë atje ku do të shkojnë.
- Një pjesë, këta janë disa nëpunës dhe specialistë, do të transferohen nga dikasteret dhe do të largohen nga Tirana.
Ne e kemi parasysh se rretheve të tjera këto kontingjente u shkaktojnë telashe, por në këtë rast nuk po bëhet gjë tjetër veçse po u kthejmë kontingjentet e tyre. Nga ana tjetër mendojmë se atje në rrethe ka mundësi që atje të jenë nën mbikëqyrje më të fortë.
Në qoftë se Komiteti Qendror do të jetë dakord, pasi të njoftohen rrethet, mendojmë të ngarkojmë Komitetin Ekzekutiv të K.P. dhe Degën e Punëve të Brendshme të Qytetit të Tiranës, që në marrëveshje me Kryeministrinë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, të dërgojnë njerëz nëpër rrethe për t’u marrë vesh konkretisht dhe të fillojmë nga puna menjëherë.
Nga ana tjetër, përveç kësaj mase administrative për likuidimin e disa qendrave infektive, Komiteti i Partisë ka menduar që të marrë disa masa të tjera politike për izolimin e qendrave të tjera të kësaj natyre, të cilat mbeten si dhe të disa elementëve të tjerë të kësaj kategorie.
- Çdo qendër pune, si drejtori (Zyrat e Kuadrit) dhe disa organizata bazë, duhet të jenë në dijeni të plotë për njerëzit e këtyre kategorive që kanë në qendrat e tyre të punës. Ne na rezulton se në shumë ndërmarrje, si p.sh. në Kombinatin “Josif Pashko” ku ka shumë elementë të tillë, as drejtoria dhe as organizata bazë nuk di gjë për ata, disave u kanë ngarkuar edhe detyra në vende drejtuese, dhe si pasojë, lufta e klasave atje është përtokë. Kjo gjendje duhet dhe do të marrë fund.
- Organizata bazë e Partisë duhet të ketë kujdes për këta njerëz, t’i kontrollojnë dhe të jetë në dijeni për veprimtarinë e tyre, t’i izolojë dhe t’i demaskojë hapur kur ata veprojnë. Mendojmë se disa prej tyre nuk duhet të jenë anëtarë të Bashkimeve Profesionale. Në asnjë mënyrë nuk duhet t’u besohen punëra me përgjegjësi. Të ndiqet, jo vetëm aktiviteti politik i tyre, por edhe ai moral etj.
- Organizatat bazë të Partisë të përgjigjen për këta njerëz, jo vetëm për aktivitetin e tyre në qendrën e punës, por edhe në lagje dhe në jetën e tyre private, duhet të bëjnë që ata të jenë të padëmshëm.
- Me këtë rast shtrojmë edhe çështjen e disa të përjashtuarve nga partia. Në qytetin tonë ka 726 të tillë, një pjesë e të cilëve, rreth 221 veta janë përjashtuar për çështje politike. Kemi vërejtur se organizatat bazë nuk janë përherë në dijeni për këta njerëz dhe nuk ndjekin veprimtarinë e tyre. Kjo gjendje duhet të ndryshojë, organizatat bazë duhet të trajtojnë edhe këtë çështje me frymën që u tha më lart me gjithë vëmendjen e mprehtësinë e luftës kundra elementëve armiq të partisë.
- Këto masa duhet të ndihmojnë përgjithësisht punën që kemi filluar për të përmirësuar gjendjen e brendshme në kryeqytet, për të forcuar luftën klasore dhe vigjilencën e organizatave bazë të partisë, për t’u mbyllur rrugën fenomeneve negative që vërehet në jetën e disa njerëzve në qytetin tonë, si vagabondazhi, imoraliteti, degjenerime të llojeve të ndryshme.
Këto masa do të përmirësojnë gjendjen dhe luftën e partisë. Ne jemi të vendosur që t’i çojmë ato deri në fund prandaj e ngremë këtë çështje para Komitetit Qendror dhe kërkojmë ndihmën e tij.
SEKRETARI i I-rë K.P. të QYTETIT TE TIRANES
(Manush Myftiu)
Shënim: U bisedua me shokun Sofokli Papavasili, që t’a zgjidhi këtë çështje me Gjykatën e Lartë sipas rregullave dhe konform ligjeve. 9.12.1966
Lefteri (Goga)
Relacioni nga Fieri për dëbimin e avokat Nafiz Bezhanit, që ishte I internuar në fshatrat e atij rrethi
Por gjatë periudhës së regjimit komunist, në drejtim të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Komisionit të Internim Dëbimeve që kryesohej nga Manysh Myftiu, vinin edhe mjaft propozime nga të gjitha rrethet e vendit. Një prej tyre është dhe ky relacion që po botojmë në këtë shkrim, ku sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit, njofton Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi çështjen e tre të internuarve që ndodheshin në atë rreth, duke i propozuar që t’i largonin që andej, pasi konsideroheshin persona me të kaluar armiqësore që vinin nga familje reaksionare dhe vazhdonin të mbanin qëndrim të keq edhe aty në internim. Një prej tyre, është Nafiz Bezhani, avokati dhe jurist i njohur që në vitet 1998 kryesoi për disa vjet Komisionin Shtetëror për Pastërtinë e Figurave të zyrtarëve të lartë dhe deputetëve.
PARTIA E PUNËS SHQIPERISE “SEKRET”
KOMITETI I PARTISË SE RRETHIT Fier, më 4. X. 1966
Nr. Prot. 594 Ekzemplar. Nr 1
KOMITETIT QENDROR TE P.P. SHQIPERISE
(Sektorit të kuadrit)
TIRANE
Në rrethin tonë ekziston një grup avokatësh, shumica e të cilëve janë me përbërje të keqe politike. Plus atyre që kishim, kohët e fundit, kanë ardhur dhe dy të tjerë, të cilët janë akoma dhe më të këqij, konkretisht:
- Vlashi Gjergji, i dënuar me burgim të përjetshëm me ‘grupin e deputetëve’ dhe liruar para afatit. Kohët e fundit erdhi në Fier i transferuar nga rrethi i Përmetit. Mesa kemi dëgjuar, dhe në burg dhe në Përmet, ai nuk ka mbajtur qëndrim të mirë.
- Nafiz Bezhani, ka ardhur nga Tirana këtë vit, me sa dimë (sepse nuk kemi asnjë dokument për ta), është element i përjashtuar nga partia. Gjatë kohës këtu ka pëshpëritur “më zuri plumbi i burokracisë”. Mban qëndrim shumë kë keq në gjyq, duke luftuar që me fraza të bukura dhe me pasion, të fitoj klientë. Në një gjyq të hapët në Libofshë, lidhur me një vrasje, me qëllim që të fitonte nam gjatë mbrojtjes se kriminelit, u mundua që ta diskreditonte viktimën, duke arritur në banalitete dhe absurditete në sy të masës. Bile bëri çmos që të diskreditonte dhe trupin gjykues dhe mjekët e ekspertizës.
- I tillë element i keq është dhe avokat Dhimitër Miçaço (ka qenë që më parë), sepse asnjë mbrojtje të ligjës nuk mund të pritet prej tyre. Me këtë rast dëshirojmë të shprehim mendimin tonë se na duket e padrejtë që këta pa pyetur dhe pa marrë pëlqimin nga asnjë organ i partisë apo pushtetit në rreth.(Për dy të parët që kanë ardhur këtë vit, nuk na ka vënë asnjë në dijeni). /Memorie.al
SEKRETARI I KOMITETIT PARTISE SE RRETHIT
(Sofokli Papavasili)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016