Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1979 dhe janë pjesë e një dosje ku ndodhet një korrespodencë e gjatë me letra, raporte, relacione, informacione, udhëzime, shënime, porosi, etj., ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, aparatit të Këshillit të Ministrave dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, (përkatësisht Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë), ku titullari i atij sektori, Piro Bita, informon sekretarët e Komitetit Qendror, Hysni Kapon dhe Ramiz Alinë, kryeministrin Mehmet Shehu, ministrin e Punëve të Jashtme, Nesti Nase dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, lidhur me problemin që kishte dalë në ambasadën shqiptare në Beograd, midis dy titullarëve kryesor të saj, ambasadorit Sokrat Plaka dhe sekretarit të parë të asaj ambasade, Perlat Çaushi, (që ishte shefi i Zbulimit me Jashtë pranë asaj përfaqësie diplomatike), të cilët prej kohësh ishin të përfshirë në një konflikt të ashpër me njëri tjetrin, duke ndarë dhe personelin e asaj ambasade në dy grupe, ku stafi teknik, mbështeste ambasadorin Plaka, kurse ai diplomatik, mbështesin Çaushin! Raport-informacioni i plotë i hartuar nga shefi i Sektorit të Jashtëm, të aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së,
Dokumenti tepër sekret me raport-informacionin e përgatitur nga shefi i sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSh-së, Piro Bita, për kryeministrin Mehmet Shehu, lidhur me konfliktin ndërmjet dy titullarëve kryesorë të ambasadës shqiptare në Beograd, Sokrat Plaka dhe Perlat Çaushi
Shoku Mehmet
Shoku Hysni, më porositi t’ju përgatis këtë informacion për ju. Kam përmbledhur nga materialet që janë në Komitetin Qendror ato çështje që kanë njëfarë rëndësie.
Pirro Bita
Tiranë 21.7.1977
Tepër Sekret
Mbi mosmarrëveshjet midis shokëve Sokrat Plaka dhe Perlat Çaushi.
Disa muaj më parë shoku Sokrat Plaka ambasador në Beograd, njoftoi shokun Nesti Nase, se midis tij dhe shokut Perlat Çaushi i cili është Sekretar i Parë dhe përgjegjës për rezidenturën në atë ambasadë, kishin lindur mosmarrëveshje serioze. Shoku Hysni e shoku Ramiz, ngarkuan shokët Kadri Hazbiu e Nesti Nase, për t’u marrë me këtë çështje.
U thirr në Tiranë dhe Perlat Çaushi. Shoku Kadri dhe shoku Nesti, raportuan në Komitetin Qendror se këta të dy, grindeshin kryesisht për shkak të punës, por këto grindje kishin marrë një karakter të thellë personal dhe po dëmtonin shumë punën e ambasadës.
Shoku Sokrat Plaka dyshonte se mos shoku Perlat Çaushi “po i bënte gjëmën”. Ai, kishte maninë e persekutimit politik si dhe dyshonte se mos qendra nuk i besonte më. Ai theksoi se “Nuk e di se çfarë ka raportuar Perlati në qendër për punët e brendshme të ambasadës”.
Ndërsa shoku Perlat Çaushi thoshte se: “Qendra, nuk informohet mirë nga Sokrati, i cili kërkon lavdi”. Midis të tjerave ai shton se: “Sokrati, i shikon të sakta dhe ja dërgon qendrës, informatat që merr nga persona jo të mirë jugosllavë. Ai, përvetëson punën e të tjerëve”.
U pa se ata nuk e besonin, madje e përçmonin njëri tjetrin. Metoda e punës së tyre në ambasadë, sidomos ajo e Sokratit kishte shfaqje të burokratizmit të cilat, vëreheshin në mbledhjet e shumta e të gjata, në krijimin dhe mbajtjen e dosjeve të panevojshme, në humbjen e kohës për probleme anësore, në studime të kota, etj.
Raport për analizën vjetore të përfaqësisë, nuk u përgatit kolegjialisht. Perlatit i vinte mirë që ky raport i dobët, t’i kalonte ashtu mbledhjes së punonjësve. Shoku Kadri dhe shoku Nesti vunë në dukje se ata të dy, nuk kanë koncepte të drejta për rolin e organizatës bazë dhe për normat e partisë.
Sokrat Plaka, është i cekët nga ana ideologjike, ka shfaqje të theksuara të burokratizmit dhe intelektualizmit, nuk i ndihmon siç duhet shokët, sidomos ata të zbulimit. “Keni hije të rëndë ju të Sigurimit të Shtetit”, ka thënë ai. Ndërsa nuk i beson Perlatit ai, është familjarizuar me personelin teknik.
Edhe Perlati, ka cektësi ideologjike, është mendjemadh dhe me vështirësi i pranon kritikat. Ai, ka rënë në familjaritet jo të shëndoshë me shokët e sektorit të Zbulimit. Në analizën vjetore të përfaqësisë, ka mbajtur qëndrim ironik, ka pranuar akuza të padrejta për Sokratin, dyshimet e tij për Sokratin janë me doza të forta dyshimi dhe hakmarrjeje, nuk ka gjykuar me partishmëri.
U vendos që puna e tyre të gjykohej dhe nga organizata bazë, me qëllim që ata të thellonin autokritikën që filluan në Tiranë. Për këtë qëllim, u dërguan në Beograd shokët Bato Karafili dhe Peçi Orgocka të cilët, arritën në përfundimin se këto që përmenden më lart, janë plotësisht të vërtetuara.
Këta shokë vunë re gjithashtu, që janë bërë përpjekje serioze që në këtë ambasadë, të gjejnë zbatim vendimet e Kongresit të VII të PPSH-së, janë zbatuar drejt orientimet e Partisë për marrëdhëniet tona me Jugosllavinë dhe Kosovën, ka rezultate në fushën e informacionit, tregtisë, propagandës, etj.
Nga ana tjetër jo të gjitha problemet dhe shokët, iu janë nënshtruar kontrollit të organizatës bazë. Ka shkelje të normave të partisë dhe liberalizëm në kritikë. Organizata bazë, ishte ndarë në dy pjesë, në njërën anë Sokrati me stafin teknik, dhe në anën tjetër Perlati me diplomatët.
U vërejtën mjaft të meta në metodën e punës së ambasadës. Nuk zbërthehen si duhet, detyrat që merren nga qendra, planet mujore nuk ishin studiuar mirë, qëndrohet më tepër nga sa duhet në zyra, kjo gjë më e theksuar është tek Sokrati, shpesh diplomatët i rrëmben puna e përditshme, e ka shkelje të ruajtjes së sekretit.
Në këtë ambasadë, ka shfaqje të dikasteriakizmit dhe ky është një nga shkaqet e mosmarrëveshjeve. Shokët atje, kritikuan dikasteret përkatëse, se në kërkesat e tyre për Naton, Traktatin e Varshavës, Kosovën, kërkohen afërsisht të njëjtat studime dhe informacione, si nga Ministria e Punëve të Jashtme, ashtu edhe nga Drejtoria e Zbulimit Politik.
Ata, kritikuan Ministrinë e Jashtme dhe Ministrinë e Tregtisë, për ndihmën e dobët që po u japin ambasadave. Lidhur me grindjet e tyre, Sokrat Plaka e Perlat Çaushi, thanë se pas kthimit nga Tirana, ishin në rregull dhe se kishin përfituar nga kritikat atje. Por në fakt, ata të dy e shikon me mospërfillje, njëri tjetrin.
Analiza e punës tregon se Sokrati është njeri aktiv. Ai, e pranon që është mendjemadh, që ka merita pasi ka mbaruar shkollën e Diplomacisë, që monopolizon punën, që nuk ushtron kontroll sa duhet mbi shokët e sektorit të Zbulimit, etj.
Këto shfaqje burokratizmi dhe intelektualizmi të tij, u kritikuan dhe në mbledhjen e organizatës bazë, por autokritika e tij nuk ishte e thellë.
Edhe Perlati punon e ndihmon për zgjidhjen e problemeve, sidomos ato të rezidenturës. Por edhe ai, është mendjemadh e i rrëmbyer, si dhe insiston tek idetë e tij edhe kur e di që ato janë gabim. Ai, nuk kritikon shokët e sektorit të tij dhe me vështirësi i pranon kritikat ndaj tij.
Nuk shkon mirë me titullarin si dhe ka cektësi ideologjike pasi, e koncepton ngushtë rolin e organizatës bazë të partisë. Për këto arsye, shoku Hysni e Shoku Ramiz, porositën që të merren këto masa:
- Sokrat Plaka, Perlat Çaushi, dhe Halit Çoku, të kthehen në atdhe. Pas 3-4 muaj të vijë Sokrati, në vijim Perlati, e më pas Haliti, për të përfunduar me Këshilltarin Tregtar, dhe Sekretarin e Organizatës Bazë.
- Të kthehen e të zëvendësohen gradualisht të gjithë ata kuadro e punonjës që kanë shumë vite shërbim jashtë shtetit (Bido Mehmetaj ka 8 vjet, Selim Malaj, Idajet Gurra, Ramadan Mici, dhe Hysni Luga, kanë 4-5 vjet) për pakujdesi të dikastereve përkatëse.
- U ngarkua Aparati i K.Q. të PPSH-së, dhe dikasteret përkatëse që të bëjnë propozime mbi forcimin e kësaj përfaqësie me kuadro të përgatitur, dhe të merren masat e nevojshme për stabilizimin e mëtejshëm të punës së ambasadës në Beograd. Memorie.al
Shefi i Sektorit të Jashtëm të K.Q. të PPSH
Pirro Bita
14.7.1977
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016