Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së) të cilat i përkasin vitit 1970-të, ku ndodhet një korrespodencë midis ambasadorit shqiptar në Paris, Javer Malo dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, e personalisht shefit të sektorit të Jashtëm pranë atij aparati, Behar Shtylla, lidhur me emigrantin kosovar, Rexhep Dashi, me origjinë nga fshati Stagovë afër Kaçanikut, i cili në muajin gusht të vitit 1969, së bashku me emigrantin tjetër kosovar, Adem Butrika, kishte shkuar disa herë pranë përfaqësisë diplomatike shqiptare në Paris, ku pas shumë takimesh dhe bisedash me titullarët e saj, si Stiliano Sallabanda, (që mbulonte problemet konsullore) Skënder Backa, (sekretari i parë i asaj ambasade, që mbulonte Shërbimin Sekret të Zbulimit me Jashtë), Harrilla Kola, etj., Rexhepi ishte konfliktuar me ta dhe më pas, u kishte dorëzuar atyre një letër të gjatë drejtuar Enver Hoxhës.
Dokumentin e emigrantit kosovar Rexhep Dashi, drejtuar sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha, ku ai pasi bën një biografi të shkurtër të jetës së tij, duke filluar që nga viti 1953, ai së bashku me bashkëshorten, në tentativë për t’u arratisur nga Jugosllavia në Shqipëri, ishte arrestuar nga rojet kufitare jugosllave, në zonën e liqenit të Shkodrës, Rexhepi kishte qëlluar me armë ndaj tyre, duke plagosur spiunin e UDB-së, Martin Debrikeviç, dhe si rezultat, ishte dënuar me dy vjet burg.
Në vijim të letrës së tij drejtuar Enver Hoxhës, emigrant kosovar, Rexhep Dashi, tregon se si u arrestua herën e dytë, në gusht të vitit 1958, nga organet e UDB-së, pasi ai ishte duke shpërndarë disa afishe me përmbajtje patriotike në Kosovë, si dhe po mundohej që të zbulonte një bazë ushtarake jugosllavo-ruse, në territorin maqedonase, ku dhe u prangos nga organet përkatëse të Punëve të Brendshme maqedonase, në zonën e quajtur, “Arapska Kala”, në Shkup, duke u dënuar me tre vjet burg, pasi ishte mbajtur në hetuesi, ku dhe e kishin torturuar.
Pasi i bën një rezyme të shkurtër të aktivitetit të tij si patriot, emigranti kosovar, Rexhep Dashi, në vijim të letrës së drejtuar Enver Hoxhës, ai përshkruan me detaje dhe hollësira takimet që kishte pasur pranë ambasadës shqiptare në Paris që nga viti 1969, kur ai kishte mbërritur për herë të parë në Francë pasi kishte mundur të arratisej nga Jugosllavia, ku titullarët e saj, jo vetëm që nuk e ndihmuan për kërkesat që ai u parashtroj, por u sollën shumë keq me të, duke e denigruar dhe nuk i plotësuan asnjë nga ato që ai kërkoj, duke filluar që nga dhënia e pasaportave atij dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes, për të ardhur përgjithmonë në Shqipëri, etj.
Letra me raport-informacionin e ambasadorit shqiptar në Francë, Javer Malo, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së dhe personalisht shefit të sektorit të Jashtëm, Behar Shtylla, lidhur me kosovarin Rexhep Dashi, i cili kishte shkuar disa herë në përfaqësinë diplomatike shqiptare në Paris dhe i kishte akuzuar titullarët e saj, si tradhtar!
Ambassade de la Republique Popolaire d Albanie en France
131 Rue de la Pompe Paris 16
Tel 553-51-32
Nr. 7
Paris më 4.3.1970
KOMITETIT QENDROR të PPSH
(Shokut Behar Shtylla)
Tiranë
Në gushtin e vitit të kaluar kosovari Rexhep Dashi, erdhi në ambasadë së bashku me kosovarin Adem Butrika, me të cilin shokët këtu, kanë pasur disa kontakte duke e njohur si person me qëndrim të mirë.
Ata u pritën nga shoku Stiliano Sallabanda që merret me çështjet konsullore. Në këtë rast Rexhepi, kërkoi pasaportë për të ardhur përgjithmonë në Shqipëri, së bashku me familjen e tij.
Familjen ai, e kishte në Jugosllavi dhe donte ta tërhiqte ilegalisht që atje. Gjithashtu ai kërkoi që t’i jepeshin menjëherë para për veten e tij, për të jetuar, si dhe për t’i hequr shpenzimet e udhëtimit për të dhe për familjen e tij.
Shoku Stiliano, mbajti qëndrimin që mbajmë zakonisht kur kosovarët bëjnë kërkesa të tilla. Në ditët e para të Nëntorit Rexhepi, erdhi përsëri në ambasadë ku i dorëzoi shokut Stiliano në një zarf të hapur e të pashkruar, një letër për titullarin. Kur iku Rexhepi shoku Stiliano, në vend që ta dorëzonte letrën, e hapi dhe e lexoi.
Në të vërtetë ajo, nuk i adresohej titullarit por shokut Enver. Duke parë se në letër, kishte shpifje kundër tij (Stilianos), i revoltuar nga kjo dhe ngaqë nuk i dinte mirë rregullat për rastet e tilla, bëri nënvizime e shënime në letër. Më pas pa vënë në dijeni titullarin, ja dorëzoi shokut Skënder Backa.
Serveti, i vuri në dukje shokut Stiliano se, kishte vepruar gabim që kishte bërë shënime në letër dhe e sqaroi që të mos bëhej merak nga shpifjet, por as ky i fundit nuk e vuri në dijeni titullarin. Ai, e informoi atë vetëm në ditët e fundit të Dhjetorit, kur u kthye nga Shqipëria, ku kishte shkuar me shërbim.
Kurse vetë letra, i’u dorëzua titullarit në momentin që shoku Kleanth Andoni, mori në dorëzim punët. Nga fundi i Dhjetorit të vitit 1969, Rexhep Dashi, erdhi prapë në ambasadë ku i pritur nga shoku Harilla Kola, jo vetëm që përsëriti shpifjet që kishte shkruar në letër, por shkoi edhe më tej, duke akuzuar për tradhti, shokun Stiliano dhe ambasadorin tonë në Romë.
Shoku Harrilla, mbajti qëndrim ndaj tij dhe informoi menjëherë titullarin. Titullari, e urdhëroi atë dhe shokët e tjerë të ambasadës, që të mos e prisnin më në ambasadë Rexhep Dashin. Ky erdhi dhe njëherë por, u përzu nga shoku Stiliano.
Pas kësaj ky person, nuk është paraqitur më tek ne por, nga të dhënat që kemi nga dy burime, na rezulton se shpifjet e sipërpërmendura, i ka përhapur dhe tek kosovarët e tjerë që gjenden këtu. Kohët e fundit, është larguar për në Jugosllavi.
Mesa flitet ky person, është i çmendur por, nga ana tjetër nuk përjashtohet që të jetë ndonjë provokator që shpif në këtë mënyrë, duke përhapur tek kosovarët naivë, mosbesim ndaj kuadrove tona.
Këto shënime që u bënë sipas shpjegimeve që dhanë vetë shokët, kanë për qëllim që të shpjegojnë se përse është vonuar kjo letër.
Do të kishte qenë punë e thjeshtë që letra menjëherë t’i dorëzohej titullarit dhe prej tij, të dërgohej në destinacion, me një shënim të shkurtër që, të tregojë se kishim të bënim me një provokacion.
Mendimi ynë është se letra u mbajt nga shoku Servet Backa dhe u lexua nga shoku Stiliano Sallabanda nga ngurrimi dhe mendimi i gabuar i tyre se mos shpifjet e një provokatori, mund të dëmtonin Stilianon.
Për këtë çështje u mbajt qëndrim dhe u sqaruan shokët që të mos shqetësohen nga shpifjet e armiqve. Atyre, ju vu në dukje se veprimi i tyre ishte i gabuar dhe se rruga që ndoqën me letrën, ishte e shtrembër.
Ambasadori
(Javer Malo)
Letra e emigrantit kosovar në Francë, Rexhep Dashi, dërguar sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha, ku i bën me dije për të kaluarën e tij si patriot, dhe konfliktet e tij me ambasadën shqiptare në Paris, që nuk e ndihmonte që ai të vinte në Shqipëri!
Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror
Enver Hoxha
Tiranë
Tronditje e thellë
Vëlla Enver, po detyrohem patjetër t’ju drejtohem drejtpërsëdrejti juve.
Unë, kam qenë në burg dy herë. Herën e parë jam kapur në 13 Dhjetor të vitit 1953, duke kaluar kufirin jugosllavo-shqiptar së bashku me bashkëshorten time, pikërisht pranë liqenit të Shkodrës.
Në këtë moment, unë kam shtënë me armë drejt spiunit jugosllav, Martin Debrikeviç, pasi ky i fundit më arrestoi duke më çuar në burgun jugosllav.
Po kështu, kam tentuar që të qëlloj dhe një ushtar tjetër por, m’u bllokua pistoleta. Për këtë, më kanë mbajtur 6 muaj në hetuesi sa në Ferizaj e, më pas në Titograd, duke përdorur lloj lloj metodash ndaj meje, por unë nuk kam pranuar gjë. Pas kësaj, më dënuan me 1 vit burg, ndërsa bashkëshorten time, me dy muaj.
Ndërsa herën e dytë, jam arrestuar në Gusht të vitit 1958, nga organet e UDB-së, pasi unë, po shpërndaja afishet patriotike në Kosovë, si dhe po mundohesha që të zbuloja një bazë ushtarake jugosllavo-ruse në territorin maqedonas. Arrestimi im, u bë në zonën e quajtur, “Arapska Kala”, në Shkup. Për këtë më dënuan me 3 vjet burg.
Unë jam patriot i flaktë dhe kam duruar për ditë me radhë torturat e UDB-së. Sa e sa herë ata më kanë provokuar, duke përmendur emrin tuaj tek mua. Më kanë bërë shtypje ekonomike, pasi më kanë lënë pa punë, sa kanë arritur deri aty sa, më kanë çuar buzë greminës së vdekjes, mua dhe familjen time.
Vendosa që të marr arratinë dhe të dal në Francë, për të shkuar më pas në ambasadën tuaj. Porsa arrita në Paris më 24.7.1969, u paraqita në ambasadë tre herë me radhë në datat 26 dhe 29 Korrik dhe në 5 Gusht të po atij viti. Një përfaqësues i juaj, i quajtur Stilian, më tha që jam Sekretar i Legatës.
Atëherë rashë dakord që të bisedoja me të, duke i shpjeguar që jam i arratisur por, legalisht me pasaportë jugosllave dhe sipas ligjit ndërkombëtar, kërkoj që të marr të drejtën e azilit politik në Shqipëri. Stiliani më pyeti: “Si quheni ju”?! Unë i thashë që, quhem Rexhep Dashi, lindur në Stagovë afër Kaçanikut dhe prej 8 vitesh banoj në Ferizaj.
Atëherë ai, pasi u mendua njëherë më tha: “Pse ti qenka Rexhep Dashi, ju që keni qenë në spital”?! Unë, nuk dëshirova që t’ja tregoj menjëherë dhe i them që: “Mos e keni gabim”?! Ai më tha: “Jo mor burrë nuk e kam gabim pasi, ti je ai që ke qenë në spital”.
Atëherë unë, u gjallërova dhe i tregova të vërtetën, duke menduar se, vendi amë, nuk më ka harruar. U ngrita menjëherë në këmbë, duke u përqafuar me mall me të, dhe sytë mu mbushëm me lot prej mallëngjimit. Besova se mua, më ndihmoi fati që u takova me një trim të Shqipërisë së re.
Por Stiliani, më befasoi pasi, më çoi në një rrugë pa krye, me përmasa të tilla. Ai, më tha që unë duhet të kthehesha prapë në Jugosllavi dhe se ne, nuk mund të të pranojmë dot në Shqipëri, për shkak të ligjeve standarde.
Unë, ju kundërpërgjigja me një revoltë të madhe, duke i thënë se: “Si të kthehem në Jugosllavi, që të vdes urie atje”?! Stiliani më tha: “Po mos vdis, atdheu nuk lëshohet në këtë mënyrë”.
Unë ju përgjigja: “Ore vëlla, më duket se shqip jam duke folur, a po më kupton apo jo?! Unë po të them që autoritetet jugosllave, më kanë dënuar me vdekje me uri, mua dhe familjen time!
Ata që kur isha në burg, më propozuan që të bëhesha bashkëpunëtor i tyre, nëse doja të punoja dhe të haja, përndryshe unë dhe familja ime do të vdisnim urie.
Dhe tani pas gjithë ato viteve burg, mendon se unë si patriot i madh i çështjes shqiptare, të vihem në shërbim të tyre, për të dëmtuar vëllezërit e mi?! Jo, kjo s’ka për të ndodhur kurrë.
Nuk e kisha menduar kurrë që, vendi im, do të më lejë që të vdes urie atje, pasi besoja se atdheu do të më merrte dhe strehonte, deri në momentin që do të vdisja me armë në dorë, kundër armikut”.
Por Stilianit, nuk i zbutej zemra dhe mbante po të njëjtin qëndrim. Por qëndrimi i tij, nuk më befason vetëm mua, por të gjithë patriotët e Kosovës pasi mua, më njohin një rreth i gjerë patriotësh dhe me marrëveshjen e tyre, e bëra këtë hap. Stiliani, më caktoi radhën e dytë për t’u takuar në një kafe, në datën 29 Korrik.
Shkova ne takim, por përsëri asnjë gjë e re. Stiliani, mbante po të njëjtin qëndrim, dhe më tha po të njëjtat fjalë. Prapë më caktoi takim në datën 5 Gusht. Pas këtij takimi unë, ngurova që me atë person të takohesha më.
Stiliani mbante një qëndrim këmbëngulës dhe përpiqej që, të më qetësonte mua. Rashë dhe njëherë dakord që të takohesha me të në kafe, për herë të fundit. Por po prapë e njëjta bisedë u përsërit.
U ndava me të thellësisht i dëshpëruar, dhe me sy të përlotura, por edhe ata nuk janë interesuar më për mua. Stiliani, më la që të vdes urie parqeve të Parisit dhe familja ime, të vdes në Ferizaj.
Në momentin e ndarjes me njëri tjetrin, Stiliani më tha: “Po çfarë keni bërë juve, asgjë. Keni mbajtur lidhje me ne, kurrkush nga ju”?!
Në këtë moment, mua m’u drodh i gjithë trupi dhe mendova që, të shkoj në një vend të izoluar dhe të bërtas me të madhe. Në fund të bisedës me të, unë i thashë këto fjalë: “Po pse m’i thua mua këto gjëra të rënda, pse vallë vetëm ata që kanë mbajtur lidhjet me ju, qenkan patriotë?!
Pse ata që dergjen burgjeve të Jugosllavisë nuk qenkan patriotë?! Të gjithë kanë dashur që të mbajnë lidhje me ju, por nuk kanë mundur”.
Unë i kisha thënë gruas që, sa të shkoj në ambasadën shqiptare, me siguri që ata do të më ndihmojnë që, të më heqin shpenzimet e rrugës për në Shqipëri, e për t’i tërhequr familjen nga Jugosllavia.
Por, çdo gjë më doli ters. Çfarë të bëj unë tani?! Ku të shkoj e nga t’ja mbaj?! Fëmijët i kam lënë pa bukë dhe unë mbeta rrugëve. Doemos, vendosa që të lyp kafeneve të Parisit, aq sa e mori vesh gjithë Kosova që, Rexhep Dashi po lyp në Paris.
Nuk është e lehtë që të lesh familjen, pra gruan dhe fëmijët që të vdesin urie atje. Mendova se Stiliani do të njihej me autobiografinë dhe të kaluarën time, në një bisedë dyminutëshe, atë që mua më është dashur që ta formuloj për afro 2 muaj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016