Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument të panjohur të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së i cili është shkëputur nga një dosje, që i përket vitit 1962 dhe bën fjalë mbi një korrespondencë në mes Bankës së Shtetit Shqiptar (Drejtoria e Përgjithshme), me Drejtorinë e Tregti-Financë pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, ku jepet një raport-informacion me detaje dhe hollësira për puna e bërë prej Shoqërisë, Komisionari në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, lidhur me të ardhurat e nxjerra nga shitja e pasurive të tundshme dhe të patundshme e të depozitave bankare, të emigrantëve politikë shqiptarë, në shtete të ndryshme të botës, si në Itali, Turqi, Egjipt, Kongo, etj. Si i’u morri Ministria e Punëve të Brendshme, prokurat disa prej familjeve të pasura shqiptare, që kishin pronat dhe depozitat bankare, në shtete të ndryshme të botës, duke u’a marrë firmat trashëgimtarëve të tyre në Shqipëri, si: Vangjel Manushi, Mediha Libohova, Enver Libohova, Ihsan Libohova, Vllazën Gurashi, Vllazën Dabërdaku, Ismail Tartari, Behire Vila, Vllazën Leka, Ali Hasho, Emine Shaska, etj. Shënimi i Enver Hoxhës me sugjerimet përkatëse, se si duheshin marrë ato prona dhe pasuria që kishte në Kongo, shtetasi shqiptar nga Gjirokastra, Theofanis Fotolalos, si dhe përpjekjet e “organeve kompetente” për të hyrë në bisedime dhe për t’i ftuar në Shqipëri, tregtarin Mynir Topulli (me origjinë nga Gjirokastra dhe nënshtetësi libaneze), për ta ngarkuar me shitjen e pronave në Egjipt e Turqi dhe Rrok Prenushin nga Shkodra, që jetonte në Trieste, që ai të lidhej me tregtarët italianë që merreshin me shitblerje pronash.
Relacioni i Drejtorisë së Tregti-Financë pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, për sekuestrimin e depozitave bankare dhe pronave e pasurive të disa shqiptarëve në shtete të ndryshme të botës
R E L A C I O N
MBI
Zbatimin e disa detyrave të vendimit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Nr.311 datë 11/IX/1961 “Mbi mundësitë për rritjen e të ardhurave dhe shkurtimin e shpenzimeve në valutë”
Ta shoh shoku Enver
Është zbuluar një trashëgimi me një vlerë të konsiderueshme e Spiro Kallços në Libi, në qytetin Tripoli, e cila përbëhet prej dy shtëpish të mëdha, një magazinë, aksione dhe një kopsht i madh i mbjell me portokalle dhe vlera e tyre është për një shumë të konsiderueshme. Për zgjidhjen e kësaj praktike do të dërgohet së shpejti në Libri i interesuari bashkë me një shok të Shoqërisë Komisionaria, të cilët do të marrin në dorëzim këtë pasuri, arkëtimin e qerave dhe shitjen.
Në Turqi, përveç 71 praktikave që ndiqen nga Shoqëria Komisionaria, kohët e fundit janë zbuluar edhe këto praktika:
Pasuria e trashëgimtarëve të Zhapave. Si mbas njoftimeve të avokatëve në Stamboll (tani Ministri i Mbrojtjes së Turqisë), kjo pasuri është mjaft e madhe dhe përbëhej prej një lagje të tërë, shtëpi, dyqane, depo etj. Trashëgimtari Noli Konomi, i cili sipas të dhënave të avokatit vlerësohet në 1.000.000 lira turke, baras me 120.000 dollarë. Për këtë të fundit është përgatitur edhe prokura e shitjes, etj.
Një interes të veçantë paraqesin pasuritë e shtetasve shqiptar në Greqi. Nga puna e bërë deri tani, ka rezultuar se në Greqi kanë pasuri 137 persona të ndryshëm dhe vlera e tyre është e konsiderueshme. Në këtë drejtim janë bërë përpjekje për realizimin e vleftës së tyre, pronarët në përgjithësi japin prokura për shitje dhe nuk ngurojnë. Duke marrë parasysh se vendi ynë nuk i ka marrëdhëniet diplomatike me Greqinë dhe për zgjidhjen e këtyre çështjeve po bëjmë përpjekje me anë të një firme zvicerane, e cila ka marrë përsipër realizimin e tyre për llogari tonë, kundrejt pagesës së një komisioni. Në këtë drejtim janë marrë nga pronarët tre prokura për këto pasuri që ndodhen në Greqi, të cilat sipas një vlerësimi që janë bërë nga një shoqëri greke, kapin shumën e 150.000 sterlina arë ose baras me 1.300.000 dollarë. Është për t’u vënë në dukje se, përveç vleftës së pasurisë, janë për t’u arkëtuar të ardhurat nga qeratë e këtyre pasurive, të cilat janë depozituar në emër të pronarëve në bankat Greke. Përsa i përket nxjerrjes së prekurave të tjera për shitje pasurish në Greqi, këto po plotësohen. Natyrisht duhet pasur parasysh se për arkëtimin e vleftës së këtyre pasurive do të hasen vështirësi.
Një punë më e mirë është bërë edhe për rritjen e të ardhurave në valutë nga shitja e pullave. Vitin e kaluar u përfundua një marrëveshje me një firmë Zvicerane për shitje pullash me një vlerë prej 400.000 dollar. Nga kjo shumë 200.000 dollarë do të arkëtohej këtë vit, ndërsa 200.000 dollarë vitin që vjen. Deri tani janë arkëtuar 22.000 dollarë. Për të pasur rezultate të mira, Këshilli i Ministrave, vendosi të forcojë punën në sektorin e Tregtisë së Jashtme (u krijua dega e veçantë për këtë) si dhe të PTT-së që merret me sektorin e pullave. Me këto masa janë mundësitë për të realizuar të ardhura të mëdha në valutë të lirë nga shitja e pullave.
- DETYRAT PËR RRITJEN E MËTEJSHME TË TË ARDHURAVE NË VALUTË
Puna e bërë deri tani nga Banka dhe Shoqëria Komisionare si dhe ndihma e dhënë nga ana e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, puna e bërë deri tani nga organet e Tregtisë për shitjen e pullave, krijojnë mundësinë që në të ardhmen të rriten të ardhurat në valutë. Me gjithë këtë, për të shtuar sa më shumë këto të ardhura, është e domosdoshme që t’i vihet kujdesi i duhur këtij problemi të rëndësishëm. Ne mendojmë se për shtimin e të ardhurave në valutë, del e nevojshme që të kihen parasysh këto çështje:
- Të tregohet kujdes dhe interes i madh për përfundimin e praktikave të pasurive jashtë shtetit.
Banka e Shtetit dhe Shoqëria Komisionare duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për të çuar deri në fund praktikat që tani kanë marrë një rrugë zgjidhje dhe që pronarët kanë dhënë prokurat për shitjen e tyre. Të bashkëpunojmë akoma më tepër me komitetet e partisë si dhe me organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të marrë prokurat nga personat që nuk i kanë dhënë deri tani, për pasuritë dhe depozitat jashtë shtetit.
Për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me jashtë shtetit, është e nevojshme të aktivizohen shokët e Bankës dhe të Shoqërisë Komisionaria, të cilët duhet të dërgohen herë pas here jashtë shtetit, sikundër është vepruar deri tani, për zgjidhjen e disa problemeve që kemi pasur në Itali dhe gjetkë. Nga ana tjetër duhet që Shoqëria Komisionare, e ndihmuar nga Banka dhe organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të bëjnë një punë më të madhe për zbulimin e pasurive të tjera që shtetasit shqiptarë kanë jashtë shtetit. Njëkohësisht duhet të bëhet një punë e mirë për sjelljen e depozitave që shtetasit shqiptar kanë jashtë.
- Të punohet për arkëtimin e policave të jetës:
Para çlirimit disa shtetas shqiptar kanë siguruar jetën e tyre në shoqëri të ndryshme Italiane. Për realizimin e këtyre jemi interesuar vazhdimisht, por shoqëritë e huaja kanë refuzuar pagimin e tyre, Kohët e fundit është ndërmjetësuar në mënyrë indirekte dhe kjo për një rast ka dhënë rezultate pozitive. Banka dhe Shoqëria Komisionere po nxjerrin nga arkivi i shtetit dokumente që disponojnë për këtë çështje. Ata duhet të punojnë për të arkëtuar të ardhurat në valutë nga ky burim.
Ministria e Tregtisë, duhet të ndjek më afër problemin e tregtimit të pullës jashtë shtetit. Në mënyrë të veçantë të merren masa për zbatimin e kontratës së përfunduar me firmën Zvicerane për shitjen e pullave për një vleftë prej 400.000 dollarë si dhe të gjenden firmat e tjera që mund të blejnë nga ne pulla dhe me çmime të favorshme për ne.
- Të bëhen përpjekje për të mbajtur nivelin e t’ardhurave në valutë nga emigracioni.
Sikundër dihet t’ardhurat nga emigracioni sa vijnë e pakësohen, mbasi të emigruarit një pjesë e tyre riatdhesohet dhe një pjesë tjetër duke qenë në emigracion për mjaft kohë, kanë shkëputur lidhjet me të afërmit e tyre që kanë në Shqipëri. Prandaj i del si detyrë Bankës dhe Shoqërisë Komisionare që të ndiqet ardhja e valutës nga emigracioni, të gjendet masa lehtësonjëse për transferimin e kursimeve të tyre, sidomos për ato shtete ku ka kufizime të forta valutore.
Legatat tona duhet të ndihmojnë më shumë për këto problem. Mirë kanë punuar në këtë drejtim Legata e jonë n’Itali. Por ka pasur edhe raste që Legata si ajo Turqisë dhe Egjiptit këto problem kanë nuk i kanë ndjekur si duhet, bile dhe i kanë zvarritë.
Ne mendojmë se duke u mbështetë në punën e bërë deri tani dhe në masat që që mendohet të merren, krijohen mundësit për rritjen e të ardhurave në valutë nga pasuritë jashtë shtetit, nga shitja e pullave, emigracioni për të përdorë sipas nevojave të shtetit tonë si dhe për të rritë rezervën e valutës sonë në dollar.
Në gjendjen e tanishme, dhe në mbështetje të vendimit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Banka e Shtetit dhe Shoqëria Komisionare duhet të marrin masa për forcimin e punës në të ardhmen. Në krahasim me të kaluarën puna për shtimin e të ardhurave në valutë nga këto organe ka shënuar një përmirësim të mëtejshëm: por detyrat që shtrohen tani janë të mëdha dhe nuk mund të plotësohen si duhet nga Shoqëria Komisionare. Kryetari i tanishëm i kësaj shoqërie, Esat Dëshnica, nuk ka ushtruar kontroll sa duhet mbi vartësit dhe kjo ka bërë që disa çështje të mos zgjidhen në mënyrë të shpejtë. Ne dhe Banka e Shtetit po përgatisim projektin për forcimin e punës së shoqërisë komisionaria.
Një çështje me rëndësi është problem i ndjekjes jashtë shtetit të praktikave për arkëtimin e vleftës së tyre. Në vitin e kaluar dhe në fillimin e këtij viti, ka filluar të bëhet një punë e këtillë. Por, kjo punë, duhet të intensifikohet. Kjo formë pune nuk rëndon shtetin me shpenzime, sepse këto bëhen për llogari të pronarëve. Në të njëjtën kohë shpejton realizimin e praktikave dhe si rrjedhim ndikon në shtimin e të ardhurave në valutë. Nga ana e pronarëve të këtyre pasurive ka pasur disa kërkesa, në kohën kur ju është marrë prokura e shitjes. Kështu, Vangjel Manushi ka kërkuar pasaportizim në Tiranë, mbasi ka ndërtuar një shtëpi, si dhe në kohën e shitjes së pasurisë t’i jepet një shumë prej lireta 100.000 baras me dollar 200 për blerjen e disa sendeve shtëpiake. Felatun Villa, me banim në Kavajë, ka kërkuar ardhjen e tij në Tiranë. Ne mendojmë se këto kërkesa mund të studiohen dhe të pranohen nga organet kompetente./Memorie.al
DREJTORI I DREJTORISË TREGTI-FINANCË SEKRETARI I K.Q.TË P.P.SH.
Pjetër Kosta Haki Toska
Tiranë, më 3/IV/1962
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016