Nga Elsa Demo
Memorie.al / Në vitin 1985 Ismail Kadare shkruante “Vdekja e gruas ruse”, një histori për fatin e grave të ish-Bllokut komunist, që u martuan me burra shqiptarë dhe që shteti shqiptar i tradhtoi. Njëzet vjet më vonë, shkrimtari deklaron publikisht: Të kërkohet falje për gratë e huaja të burgosura. Në janar 2008, në Qendrën Kombëtare Kinematografike, kryetari i saj, Xhevdet Ferri, na konfirmoi prurjen e një projekti për zhvillim, skenari i shkruar nga Ismail Kadare. Për këtë skenar është shfrytëzuar, me miratimin e ministrit Bujar Nishani, arkivi i Ministrisë së Rendit dhe u studiuan nga produksioni mbi 3000 faqe të dosjeve hetimore të grave ruse dhe të huaja të martuara në Shqipëri, viktima të totalitarizmit shqiptar.
Pikërisht mbi këtë lëndë shkrimtari ka mbështetur skenarin për film artistik me metrazh të gjatë me titull “Sorkadhet e trembura”, të cilin ka të ngjarë ta marrë përsipër një regjisor i huaj. Të paktën kështu pohojnë burime brenda Këshillit Miratues të Projekteve të Filmit Artistik pranë QKK të cilat, e kanë marrë në dorë projektin që mendohet të realizohet si një bashkëprodhim ruso-franko-shqiptar, i shtëpive filmike “Albimage” (Shqipëri), “Ton” (Rusi) dhe “8-et plus” (Francë).
Kur dy shtete përplasen, shumë fate njerëzish të gjendur midis, përmbysen. Por, kur përplasja ndodh midis dy shtetesh komuniste, gjithçka është dyfish dramatike. Kjo është historia e grave të huaja të Kampit Socialist, që u martuan me burra shqiptarë, dhe ashtu si sorkadhet e trembura, u gjendën befas midis kacafytjes së dy shteteve të Bllokut Komunist. Ky është thelbi i filmit-rekuiem për këto gra. Skenari në shqip është gati 150 faqe, është përkthyer tashmë në frëngjisht nga Artan Katro, rezident në Paris, përkthyes i veprës së Kadaresë për botimet ‘Fayard’ si dhe në rusisht, nga përkthyesi i Kadaresë në Rusi, Vasili Tyhin.
Ngjarjet vendosen fillimisht në Bashkimin Sovjetik në fund të viteve ’50-të, më saktë në Moskë, e cila ishte zemra e Bllokut Komunist të vendeve të Lindjes. Aty pikërisht mblidhet rinia e këtyre vendeve për t’u kualifikuar, formuar, shkolluar dhe për t’u dashuruar. Nuk përjashtohej nga ky fat kolektiv studenti shqiptar, i dërguar në universitetet sovjetike me qëllim rikthimin në atdhe, ku mungonin profesionistët.
Një nga dy linjat kryesore e ajo e individëve është ndërtuar mbi fatin e një çifti, vajza ruse, djali shqiptar. Se çfarë do ndodhte më pas, lexuesi ynë e merr me mend, ka dëgjuar, ka lexuar në ciklet e të përditshmeve për krimet e komunizmit, dhe e ka parë pjesërisht të trajtuar në filmin “Kolonel Bunker” (1996) të regjisorit Kujtim Çashku.
Tek “Trishtimi i zonjës Shnajder” (2007) i Piro Milkanit, kemi vetëm njërën faqe, atë të dashurisë në vendet e Bllokut të djemve shqiptare, me vajza të huaja, kjo trajtuar me një lloj lirizmi dhe romantizmi, ndërsa drama e asaj që mendohet se do të vijë, është e deklamuar më shumë se jetuar kinematografikisht.
Po në vitin 2007, një regjisore bullgare, Adela Peeva, artiste që punon mbi gjetje dhe ide provokuese, përfundoi dokumentarin e saj të radhës për martesat e përziera në kohën e luftës së ftohtë, ku lënda shqiptare, zë pjesën kryesore të filmit.
Me sa arritëm të mësojmë nga anëtarë të bordit për projektin “Sorkadhet e trembura” i shkruar nga Kadare, ajo dramë do të jepet që nga ngjizja deri në kulmin e saj, sepse qëllimi është që “të rrëfehet krimi”, që të jepet sakrifikimi i grave ruse, që bashkë me dashurinë për burrat shqiptarë, po sillnin sharm, kulture, profesionalizëm dhe në fund edhe modele të vuajtjes, siç do të shkruante njëherë Pëllumb Kulla, për njërën nga ato, Maria Rafaeli.
I penguan të merrnin dokumentet për t’u kthyer në vendin e tyre, i penguan të çonin dhe të merrnin letra me familjet e tyre (letrat që s’u dërguan dhe që s’u morën kurrë që sot ndodhen në arkivin e Ministrisë së Rendit, janë shfrytëzuar posaçërisht për projektin “Sorkadhet e trembura), u përpoqën t’i rekrutonin si agjente sekrete dhe t’i spiunonin nga “shoqet” shqiptare, informatorët pranë tyre.
Kështu, gratë ruse u ndjenë të tradhtuara nga të dy vendet, nga atdheu që lanë si dhe ai që gjetën, në momentin që miqësia mes popujve, u provua që është edhe një sistem “i krijuar nga diktaturat”.
Historia e shkruar nga Kadare, është një histori dramatike e jetës së një çifti intelektual i mbikëqyrur nga Sigurimi i Shtetit. Në këtë mes, gratë ruse, peng i dashurisë në një krah dhe në tjetrin, peng i idealit të Kampit Socialist. Për këtë skenar është shfrytëzuar, me miratimin e ministrit Bujar Nishani, arkivi i Ministrisë të Rendit dhe u studiuan nga produksioni mbi 3000 faqe të dosjeve hetimore të grave ruse dhe të huaja të martuara në Shqipëri, viktima të totalitarizmit shqiptar.
“Të rrëfehet krimi”, që të jepet sakrifikimi i grave ruse që bashkë me dashurinë për burrat shqiptarë, po sillnin sharm kulture, profesionalizëm dhe në fund edhe modele të vuajtjes
Deklarata
“Ka krime për të cilat përgjigjet regjimi, ka krime që duhet të përgjigjet shteti. Dhe unë mendoj se shteti shqiptar duhet t’iu kërkojë ndjesë atyre shteteve, prej nga vinin gratë e huaja që u dënuan në Shqipëri. Sigurisht ky është një krim i vogël në raport me krimet e komunizmit në Shqipëri, por është nga më të shëmtuarit, është hakmarrje e pastër ndaj atyre grave që i cilësuan spiune”, pat thënë shkrimtari i njohur Kadare.
“Ka qenë një nga shëmtitë më të mëdha të shtetit shqiptar, nuk po them më të regjimit por të shtetit shqiptar, që gratë e gjora të huaja, të mbetura në Shqipëri, pas prishjes, pas shkëputjes së Shqipërisë nga kampi socialist, u futën në burg njëra pas tjetrës, ka qenë një hakmarrje burracake.
Shteti shqiptar nuk kapte dot spiunët e KGB-së, nuk kapte spiunët e Gjermanisë Lindore, Hungarisë, dhe në mënyrë burracake, kapi gratë e tyre, i futi në burg, iu la fëmijët rrugëve. Ishin krime të regjimit, por ka disa krime që shteti merr përgjegjësi në vazhdimësi historike.”
Listë e grave ruse të burgosura në Shqipëri
Tre gratë që u arrestuan të parat:
– Nadjezhda Sidorova (me mbiemër Kabashi nga burri). E dënuar me 20 vjet burg politik. Aktualisht banon në Shën-Peterburg.
– Anufrjeva Smirnova (me mbiemër Gulina nga burri). E dënuar me 15 vjet burg politik. Jeton në Nikollajev, Ukrainë.
– Nina Pumo. E dënuar me 15 vjet burg. Jeton në Moskë.
Grupi i dytë i arrestuar
Natalja (Natasha) Pengili. E dënuar me 18 vjet burg politik. Jeton në Moskë.
Taisija Pisha. E dënuar me 16 vjet burg politik. Jeton në Izrael.
Volja Vasiljevna Sharonova (me mbiemër Hoxha nga burri). E dënuar me 15 vjet burg politik. Jeton në Moskë.
Vilgelmina Veshi. E dënuar me 15 vjet burg politik. Jeton në Durrës. I shoqi, Miço Veshi, ka qenë i dënuar politik, me 20 vjet heqje lirie.
Inna Shahe. E dënuar me 8 vjet burg politik. Jeton në Moskë.
Elena Çami. E dënuar me 8 vjet burg politik. I shoqi, Minella Çami, i dënuar me 20 vjet heqje lirie. Jeton në Korçë.
Inga Vitaljevna Tarasova (Dyrzi). E dënuar me 8 vjet heqje lirie. (I biri, Valer Dyrzi, i dënuar me 13 vjet burg politik). Jeton në Moskë.
Ludmilla Denisova. E dënuar me 8 vjet burg politik. Nga Shën Petërburgu. Ka ndërruar jetë.
Galina Dani. E dënuar me 5 vjet heqje lirie.
Valentina Keli. E dënuar me 10 vjet burg politik. Jeton në Kanada, në një azil pleqsh.
Këto janë disa nga gratë ruse, që kanë bërë burg në Shqipëri. Në fakt, është një listë me e gjatë, me ato që janë internuar së bashku me familjet. Memorie.al