Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e dymbëdhjetë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
– “Kët që m’bone sot do ta mbaj për tonë jetën vath n’vesh, o shoku Xhelol”! – Xhafës i kërceu damari, sa iu drejtua mikut me fjalor komunistësh. Xhelali shtangu, shkundi kryet si të bindej se ato fjalë qenë thënë përnjëmend, frymoi, bëri ca hapa i hallakatur dhe iu kthye Xhafës:
– “S’para m’i zuri veshi mirë”? – vuri dorën hinkë në llapën e veshit. – “Thashë atë që thashë, o shoku Xhelol…”, – po s’e çoi në fund frazën e mëparshme. Xhelalit iu skuqën edhe rrëzat e mustaqeve: – “Xhelali i sat ëme dhe i tyt eti, o gjidi edepsëzi, qenke më zi se komunistët! Paske qenë thëngjill i mbuluar bre, më shite për një shishe raki”! – shpërtheu dhe u vrenjt: – “Jam miku yt, po jo sëra jote”! – dridhej e shkumëzonte si t’i kishte rënë epilepsia.
Situata mund të dilte jashtë kontrollit, ndaj kaptova ledhin dhe u gjenda pranë gëmushës, mora botilen dhe ia tunda Xhafës para syve. Ai u ngrit vrik dhe m’u sul, sa mendova se po më mësynte, por rrëmbeu shishen dhe e puthi i marrosur. Asnjëherë s’kisha parë të përkëdhelej dhe të puthej një njeri, me aq afsh, sa ajo botile e “uruar”.
– “Oh, të bekoftë Perëndia se më ke pështu”! – e ledhatoi si fëmijë. – “M’bone me krahë or çun, si me kën njëzet vjeç! Xhelol bej, hajt o i trum”! – iu drejtua si të mos qe grindur para do çastesh. – “Qasu presor-o, merri nj’çikë erë mër jahu! Pasha t’Modhin, m’ke nderu or çun! O Zot”! – ofshau, puthi shishen dhe e ktheu me eks. Piu një, dy, tri gllënjka, e hoqi, fshiu buzët me të pasmen e shputës, i mori erë si parfumit firmato dhe i gëzohej si fëmija, thesit të babagjyshit.
Mbeta shtang, kurrë s’kisha ndeshur një skenë të tillë, madje s’e imagjinoja Xhafën melankolik, që gëzonte dhe hidhej përpjetë, ledhatonte shishen, i merrte erë, lëshohej në një krahë, pastaj kërcente në tjetrin, si të kish marrë haberin e lirimit nga burgu; pushtoi Xhelalin, përqafoi Agimin, më falënderoi edhe mua, shkaktarin e zallamahisë dhe nuhaste vetë, na vuri grykën në hundë, të nuhasnim edhe ne.
– “Ktheje Xhelolo, ktheje presoro, ktheje çuno, po kah nji çik, se na duhet brend”! – dhe e kthente sa e hiqte nga buzët tona. – “Osht e bekueme çuno, ani pse o kumbullet, e ka pjek për merok qerratoja! Osht usta i mbaruet”!… – lëvdonte baxhoxhiun e panjohur. Drangu i çangës ja preu turrin e lëvdatave. Dorëzuam veglat dhe u mblodhëm në “Golgotë”.
Atje Xhafa u shmang me botilen poshtë peliçes, për nga laboratori, “do ta siguroj, mendova”, por isha gabuar, sepse priti sa zunë vend policët dhe u fut në krahun e kapter Jakut.
Kjo manovër më befasoi, me sebepin se do t’i lehtësoja barrën e druve një shoku, bëra prapakthehu dhe u rreshtova pas tij. Bash kur Xhafa bëri sikur hapi krahët dhe polici sikur e kontrolloi, pikasa marrëveshjen e heshtur.
Kur më erdhi radha mua, Jaku ulëriu:
– “Ç’i ke k’to, or tëj”?
– “Bujashka”! – ia ktheva.
– “Janë landë, i d’nuem”!
– “Mbeturina, ama”! – ngulmova unë.
– “Don m’e gdhi natën n’hotel, a”? – më kërcënoi.
– “Jo”!
– “Hudhi njitu”! – shënjoi një pirg kërçelesh shqope dhe mbeturinash zdrukthi.
– “Flaki se kanë mbetur keq”! – më pëshpëriti miku që m’i dha.
– “Pusho or tëj, n’daç me fjet n’shtroje”! – iu trys guximtarit.
I shuka mbi vandak, sepse ata bëheshin bisha, kur mbeteshin pa dru, na sekuestronin çdo cipalë, për të furnizuar kuzhinën e tyre. Me tasin në dorë, mora lëtyrën te kazani dhe po kthehesha ta gjerbja diku.
– “Çimo, eja se jena tuj t’prit”! – më ftoi Met Kazazi, miku i të gjithëve.
U ktheva në Sallën e Kulturës ku “prisnin” Xhafer Dema, Xhelal Canko (beu), Agim Musta (profesori) dhe Met Kazazi. Pra, veç Metit, “pritësit”, ishin në dijeni të gastares.
– “Po e djegke, o Xhaf Dema”! – iu drejtova duke lënë tasin në cepin e vandakut.
– “Kena sebep t’modh, cun-o, i kom fal Xhelolit pasuninë e Dibrës Modhe, me ton rrethina! Hajt i gzum, pra”! – dhe nxori nga nën syprina një sapllak.
– “Gëzuar”! – uroi edhe Xhelali. – “Sa për atë pasurinë që thua zotërote, ma gëzofsh ti me Agimin, ajo s’iu del ju dibrano-gjirokastritëve, jo të mbetet për të tjerët! Pastaj mos i mbaruam tonat ne”? – fërkoi mustaqet dhe u kapardis si maçoku në thekër.
U kujtova për bukën e lugën dhe bëra të ngrihem, po më preu vrullin Meti:
– “Ku e ke mashtrapën”, or çun?
– “S’e mendova….”!
– “Hajt se nga nji çapë, po ta napim na, po kët langun, ku ke m’e shti”? – dhe nxori shishen nga nën tavolina, përfund saj kishte mbetur, jo më se një gisht.
– “S’ka problem, unë s’e pi”! – mblodha kafshatat që më hodhën dhe i kullufita.
– “Or çun, pa ty, teku kish ngelë për na”!
Xhafa i harroi andrallat që i shkaktova dhe më përgëzoi si të kisha bërë ndonjë hyner, i rrëmbeu shishen Metit dhe e tundi, duke iu gëzuar zinxhirit të rruazave.
– “Pasha Zotin, e ka zier për marak qerratoja”!
– “Atij që do më rrëfej, si arriti shishja këtu, ia kam falur pjesën time”! – pa e përcaktuar kujt.
– “Dakord! – u hodh Xhelali. – Po cilit bre”?!
– “O e jëmja! – kërceu Xhafa dhe e ktheu në sapllak. – Tash po ta rrëfej n’apelin e mromjes”! – shtoi mbasi shurbi një gllënjkë. E mbaruan dhe u ndamë.
Isha me pleqtë në “pjacë”, kur fishkëllyen gjarpërinjtë. Xhafa më bëri shenjë që nga fundi i sheshit, t’i avitesha. U ndava me një sebep koti dhe përfunduam në kuzhinën private, mbas numërimit, ku ai poqi një kafe dhe hyri drejt e në thelb:
– “Doje me dit si e kom shti rakinë”?
– “Po”.
– “S’osht kurgja he burrë; kur kom mujt, kom bo pazar, kur s’kom mujt, kom pi alkool, siç e ke pa”!
– “Fundja, alkoolin e kanë në dorë Naimi me Dilon, po me rakinë si ja bën”? – e ndërpreva.
– “S’osht e lehtë m’e gjet alkoolin, or mik! Ai Dilua o kurnac gjinokastre, amo parja ngre ujin përpjetë, jo ma robin! I jap duhon e, ka nji defter letra, më jep atë që due. Me Naimin, s’bohet pazar, krutan ma”!
– “Po me rakinë si ja bën”? – u shpejtova sërish.
– “Raki bohet ene mrenë, por jon bo batokxhi milet, e në vend të rrushit safi, o nonji fruti t’omël, e bonë me marmolat mollet e figut dhe i hudhin alkool. T’bjen ma qari me u mor vesh me Dilon e, m’e mor puro, se me e ble t’përzime”!
– “Më fal se po të ndërpres, ku e gjete rakinë”?!
– “Avosh, qonke qokë fare o çun! Ça s’bon parja mëj jahu, don t’lyn, ta bjen, don mjoltë, ta bjen, don zeher, ta bjen, boll m’i gjet onën”!
– “Si ja gjete anën xhanëm, këtu s ka as mall, as para”? – e ndërpreva, i çuditur nga ajo që dëgjoja tavolinës.
– “Mos u vjas, çun-o! Policët janë rob, ene inxhinierët, rob zoti janë! S’osht nevoja për pare, ka t’tjera gjona! Ene moll ka, po s’pati mren ka jashtë, nepi kët, të bjen qetrën, boll me ra n’ujdi”!
– “Me kë e bëre pazarin, o Xhaf”?
– “Me Jakun, mër jahu”!
E njihja për shpirt tregtari, po s’e imagjinoja dot, si i kandiste të lirët apo policët, t’i sillnin sende të ndaluara, kur do përballnin pasojat.
– “Ai është egërsirë, zor t’ia gjesh telat”!
– “O i egr me ty! Aj dojshe një unazë, me fejue t’vllanë, ja kom gjet! Une florin, aj rakinë”! – dhe bëri shenjë drejt vetes e, drejt meje, për të hënë kumtin e një shkëmbimi reciprok.
– “Një unazë floriri, me një shishe raki”?! – bëra të habiturin.
– “Kush t’tha veç nji gastore, mër jahu? Ka ene gjona t’qera, në mes”!
– “A u mërzite kur s’e gjete shishen? E bëra për humor, më fal”, – ndërrova temë.
– “Jo, mër jahu! Shyqyr që e bone ti, se je çun për s’morit! Amo, bo me i pas ro n’dorë Xhelolit, zhuli kish met për t’qerët”!
– “U trembe kur s’e gjete atje ku e kishe fshehur”? – e pyeta për t’i dhënë fund.
– “Jom frigue, besa! Bo me pas dit, se e bone ti, kish m’u ndi, si aj që ndryn paret n’nji bong Zvicret” – shtoi dhe biseda u mbyll.
Gjithë natën, m’u fanepsën pasazhe me zë e figure, nga kjo bisedë. M’u dukën abstrakte sendet dhe veprimet e ndaluara, që i përkisnin botës jashtë rrethimit.
Por ndodhia e pazakontë dhe të tjera më pas, do më bindnin se sa më shumë ta shtrëngoje litarin, më shpejt do këputej. Mbi bazën e atij shembulli, shpjegova spiunazhet dhe kundërspiunazhet që qysh nga ajo ditë, s’më dukeshin më fantazi shkrimtarësh, por një realitet i prekshëm.
Referuar faktit kuptova si shiteshin dhe bliheshin karakteret e disponueshëm për pazare, kuptova pse ishin humbur betejat që mendoheshin të fituara, pse ishin shembur Mbretëri dhe Perandori, pa shkrehur një pushkë dhe pa derdhur pikë gjak, pse ishin ndërruar pushtete me grushte shteti, kryesuar nga të besuarit e atij që përmbysej.
Arrita të shpjegoja habinë e Cezarit dhe thikën e Brutit. Kuptova Judën që shiti Krishtin, për pesë aspra, po edhe funksionarët e Drejtorisë së Katërt me dezinformimet e qëllimta apo “Radio- Burgun”, që mblidhte dhe përndante lajme të rreme, me valët “infra të shkurtra”.
Nën vizionin e shembullit të pashembullt, iu përgjigja dhjetëra pyetjeve. Në rrjedhën e viteve, do më rezultonte se Jakët ekzistonin në çdo mjedis, Xhaferrët ishin prezent në çdo celulë, por që të dilnin në pah, duhej të përputheshin kushtet me mundësitë reale.
Vetë s’u ngatërrova në këtë valle, për mungesë dëshire, po mbi të gjitha, s’isha i prirë për pazare. Në m’u paraqit rasti, do flas edhe për “Distilerinë”, e Met Karakashit, që shndërrohej në Kantinë, në sezonin e rrushit, por edhe për “kazanin” e Milto Feshtit dhe Fiqiri Muhos, në ofiçinën e Spaçit.
Makthi i lirimit dhe teshat “për së mbari”
26.07.1973, më thirri kartelisti i burgosur dhe më njoftoi se të nesërmen, s’do dilja në punë:
“Bëhu gati, mund të lirojnë”! Lirimin e prisja me ankth.
Pas 21 majit 1973, familjarët më erdhën në takim edhe dy herë, i fundit duhet të ketë qenë në dhjetëditëshin e parë të korrikut. Më pyetën për datën e përafërt të lirimit, iu thashë nga fundi i korrikut, ndaj prisja një nga vëllezërit, të më sillte teshat dhe të më shoqëronte në “botën e lirë”.
Pas Revoltës, askush s’e kishte të sigurt lirimin. Në kampin skëterrë, na nxinë jetën, sa të dukej mjaltë plumbi, mbi telat gjembaçë.
Mua më mungonte informacioni edhe për ditë-zbritjet, sepse nga llogaritë e mia dhe të miqve, na rezultonte aty nga 29 apo 30 korriku, nëse do isha fatlum, të mos më ri-arrestonin.
Pra, i binte të kisha fituar njëmbëdhjetë, deri në dymbëdhjetë ditë, për pesë vjet. Fare pak për mundin në miniera, por t’i shpëtoje skëterrës, një sahat më herët, ishte sadisfaksion. Kështu njoftimi na zuri gafil.
Them “na zuri”, sepse në këtë kurth, ngecën miqtë që u preokupuan të më kompletonin me veshje, ngaqë s’dëshironin t’iu jepnin kënaqësinë policëve, apo të tjerëve që do këmbehesha në rrugë, të më shihnin si “qepë të rrjepur”, për “mos të lënë përshtypjen e një të braktisuri, që s’dinte ku do fuste kokën, jashtë portës me hekura”!
Në pikun e verës, një palë pantallona, një këmishë dhe një palë këpucë, ishin të mjaftueshme, por unë s’i disponoja, as aq.
Në thes kisha ruajtur një kostum burgu dhe një këmishë puplini të ashpër për relikte, por shokëve s’u bënte zemra, të më shihnin me atë veshje mjerane. Tomor Balliu, Zef Ashta, Astrit Delvina, Qani Çollaku, Myslim Fuatllari, Pavllo Lako, Esat Kala dhe miq të tjerë, u vunë në siklet dhe kërkuan petka “për së mbari”, sipas fjalëve të tyre.
Mbas përpjekjeve, u paraqitën “vullnetarët” e parë, pantallonat m’i dhuroi Kujtim Murati nga Kanina, këmishën, Shuaip Seiti, nga Shkodra, valixhen, Tomor Balliu nga Çekini i Gramshit, çantën e dorës, Fiqret Islami nga Shkodra, të brendshmet (mbathjet), Dhimitër Bifsha nga Dhërmiu dhe kanotierën, Fiqiri Ballolli nga Devolli. Këpucët s’m’u përshtatën, ishin o të mëdha o, më të vogla, po edhe ato që më vajtën, qenë tharë e rrudhosur nga qëndrimi nëpër thasë.
Për miqtë kjo u kthye në makth, sado që iu thashë me shaka: “Jam kail të dal me opinga llastiku, apo zbathur, veç t’ia mbërrij orës”, sepse s’besoja se do lirohesha. Jehona e Revoltës, kishte prekur amplitudën dhe ri-arrestimet s’kursenin kënd, madje iu rivinin sërish prangat; “në emër të popullit” edhe atyre që nxirnim nga dera me hekura të kryqëzuara, sikur të mos i kishin pasur brenda, dy minuta më parë.
E përsëris, ndihesha i pasigurt. Por miqtë s’i stepi parandjenja e trishtë dhe nisnin pazaret me matrapazët, të cilët kërkonin, dikush njëmijë lekë, tjetri, njëmijë e pesëqind, një i tretë ofronte nëntëqind, e me radhë.
Tregtarët erdhën, pyetën për numrin e këmbës dhe me bindje se do ta fitonin tenderin e fshehtë, që u kthye në pazar të hapur, u nisën në kërkim të mallit.
Në mbrëmje shpresat pothuaj u venitën, kur ja behu Esat Kala, me një kuti kartoni, brenda të cilit dergjeshin një palë këpucë, fringo të reja.
– “Provoi, po s’të bënë, m’i kthe të marrim të tjera”!
Më vajtën si të kisha bërë disa prova, para se të m’i sillnin.
– “Nesër, kur të dalësh, do t’i japësh Mark ‘mustakuqit’, nëntëqind lekë. U morëm vesh besoj”?
– “Dakord”.
– “Mos ikën pa e larë, se na e mbylle derën, për herë tjetër”! – më porositi.
E falënderova, ndonëse s’e mora vesh kush kishte qenë tregtari shpirtmirë. Të nesërmen, financieri i kampit, më mbajti një lek nga llogaria.
Ta mbyllim dhe të kthehemi në temën që ndërpremë për këtë intermexo të paplanifikuar.
“Antidotat” merrnin vlera të veçanta për individë të ndryshëm, për dike, ishin një ushqim plus, për të tjerë, burim për sendet e munguara.
Trajtimi me ca rroba shtesë dhe do thërrime më shumë, nuk solli çudinë; përditë hasje njerëz të keq-ushqyer, do këmbeheshe me thatanikë të rreckosur, për ibret. Të dënuarit jetonin amullinë e urisë, sadizmin dhe dhunën shtazarake, ndërsa krejt populli, vegjetonte në Republikën e Mjerimit, të Tmerrit dhe Terrorit.
Veshmbathjet, ishin o të papërshtatshme, për jashtë minierave o, nëse arrije t’i modifikoje, mbeteshin ashtu të pavolitshme, për përdorim të përditshëm. Kur shihnim njëri-tjetrin veshur me kostum peliçe, në piskun e vapës, mbi to mushamanë, në këmbë çizme llastiku, që s’i hoqëm as dimër, as verë dhe në kokë kaskat prej kartoni të presuar, na bëhej se kishim para, aktorë filmash fantastiko-shkencor, në rolin e astronautëve.
Por teksa atyre iu vishnin rroba amianti, t’i mbronin nga rrezatimet, duke i shndërruar kësisoj në qenie jashtëtokësore, neve na kthyen në zvarranikë shpellash. Aktorët-astronautë, zhvendosen në espasë vakumi, ku s’ndjejnë as barrën e tyre, sepse nocioni peshë, që i japin vdekatarët tokësorë, humb në hapësirën kozmike; ne dordolecët, hynim e dilnim në vrimat e lagështa, duke tërhequr si breshka zhguallin, veç vagonëve mbi dy tonët, edhe peshën e dyfishuar të teshave. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016