Nga Ahmet Bushati
Pjesa e njëzeteshtatë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Lëvizja antikomuniste e gjimnazit të Shkodrës
“S’ka ndodhë asgja”, “Asht turp të na ndigjojnë kojshitë”, etj. Kur ktheva në odë të vogël, tim atë e gjeta të terun krejt në fytyrë, që po nxirrte tym mbas tymi të trashë duhani prej gojet e hundëve e natyrisht, pa mundë ma me shgiptue, qoftë edhe formalisht, asnji fjalë. Fjalë e forcë i kishte pasë sosë atje buzë votret me mue, nji orë ma parë. Dy-tri herë tentova t’i flitsha sa për të folë, por pa dobi. Po me qëllim inkurajimi për të, unë shfletojsha pa vëmendje nji libër. Nji “zi”, ndonëse pa të vdekun, kishte mbulue shtëpinë tonë.
Qëndrimi i matëjshëm në atë odë të vogël shumë shpejt u ba i padurueshëm për të gjithë, e mandej me radhë njena mbas tjetrës, si edhe baba, u çuen e shkuen në heshtje gjoja për të fjet në odën e madhe, ku në vetminë e dysheqeve të tyne – si vite mbrapa do të më tregojshin – s’kishin pasë pushue nji herë së qami, tue pasë nxjerrë secila ma shumë lot e dënesë se tjetra.
Kur mbas shtatë vjetësh burg, unë t’u kthejsha në shtëpi, sidomos nana dhe hallat, po edhe ndonji motër që në atë kohë kishte kenë ma e rritun, do të më tregojshin se si baba, mbasi kishte krye me mue atë mbramje detyrën e tij si qytetar, qysh të nesërmen që unë t’isha burgosë, kishte qenë ligështue shumë. Si duket, ai gur i vumë prej tij në vend të zemrës, nji natë ma parë në takimin me mue, ishte rrëzue menjiherë e ba që te ai burrë të kishte nisë me folë vetëm prindi, e porositë e guximshme që më kishte dhanë nji natë ma parë, ndoshta kishin nisë me iu dukë disi të ashpra e, me e friksue për fatin e të birit.
“Pa mashkull tjetër në shtëpi e i rrethuem prej nantë femnash, pa asnji të ardhun e me ty në burg, Eminit ishte në short me i luejtë mendja prej nji ditet në tjetrën”, do të më thojshin ato e do të më tregojshin se si ai, gjatë muajit të parë të burgosjes time, natë për natë, mbas nja nji ore që u shtrinte për me fjet, do t’u çonte e për orë e orë, të merrte oborrin poshtë e përpjetë tue thithë duhan pa pushim dhe “uf-uf-et” e ofshamjeve të tij të ishin aq të papërmbajtura, sa t’u ndigjojshin edhe nalt prej njerëzve të shtëpisë.
Tue vazhdue të më flitshin për atë kohë, do të falënderojshin me shpirt e mirënjohje të madhe nji katundar të vorfën prej katundit Shirq të Bregut të Bunës, njifarë Zef Ndocit, mik e besnik i babës, i cili gjatë asaj periudhë të parë prej nji mueji, si të thuash, ishte pasë ba “nji” me tim atë, tue ngrënë me të, fjet bri tij e çue përnjëherë me të, për ta shoqnue edhe në xhirot e tij të përnatshme nëpër oborr.
“Zefi që ba sebep që nuk i pat luajtë mendja Eminit”, – do të më tregojshin nana e hallat e mia. Ishte e tillë ajo kohë e zezë kur çdo burgosje e re do të shënonte nji plagë ma shumë në shpirtin e ndjeshëm e të vramë të shumicës së qytetarëve shkodranë, e nji dhimbje e trishtim i vërtetë do të mbulonte sidomos rrethin e gjanë të farefisnisë e miqve që të kishte pasë shtëpia e të arrestuarit. Lidhun me sa ma sipër, do të dishrojsha që s’pakut të kujtojsha dhimbjen ma të thellë që kishte pasë vuejtë nji nanëdaje e ime e mbetun e vejë qysh shumë e re, e cila gjatë viteve të mi të burgut, ishte pasë lutë ditë-natë për mue, e si edhe nji nanë e saj, për aq kohë sa të kishte vazhdue me kenë në jetë, ditë për ditë i ishte pasë drejtue së bijës me dhimbje e si me çudi, tue i pasë thanë: “Kush na e mori moj djalin!”, “Po kush na e mori djalin”?!
Kur ra Muri i Berlinit, pata ndigjue ne radio nji stacion italian që intervistonte nji qytetar nga Gjermania Lindore, i cili ndër të tjera, do të pohonte: “Policia sekrete e ish shtetit tonë komunist, më vue para alternativës që; ose t’i hapsha rrugë të ardhmes së birit tim te vetëm, tue pranue të nënshkruejsha deklaratën me anë të së cilës t’u visha në shërbim të saj, ose, tue mos e nënshkrua, për të mbet nji gjerman i mirë, siç duhet ta kisha për detyrë, po ama që djalit tim t’ i mohohej e ardhmja. Preferova të ardhmen e tim biri, tue poshtnue veten si gjerman e nënshkrova deklaratën”!
Megjithëse nji rast i tillë nuk mund të përgjithësohet, por veç ma edhe konstitucioni moral i rrënjosura aq thellë ndër qytetarët shqiptarë të asaj kohe, meriton të zejë në histori vendin që i takon. Brezat që vijnë mbas nesh, do të vazhdojnë t’u mësojnë fëmijëve ndër shkolla se ç’qenë ilirët, spartanët e Termopilja e tyne, romakët e organizimi shtetnor i tyne; do t’u flasin për Skënderbeun e rilindësit tonë e për të tjerë e të tjerë, po për këta burra, për prindët tonë që luftën e banë pa armë, që vuajtën aq shumë e pa u ndie, që sakrifikuan gjithçka të vetën për ne, bijtë e tyne nëpër burgje, si edhe për familjet që i mbajtën gjallë me njëmijë vështirësi.
Për ata që mbi gjithçka patën vue nderin e emnin e mirë, ata që si të thuash, edhe historisë i rrëshqitën anonimë, se ishin ma se të shumtë, po edhe se nuk do të dojshin me u dukë për asnji gja dhe në asnji rast; për ata njerëz të vendosun e tepër të urtë, që në qëndresën e gjatë antikomuniste të nji populli, në nji mënyre a në nji tjetër, shërbyen si pika të imta, por të forta, mbështetjet e referimi, historia duhet ta ketë për detyrë që në shenj nderimi, t’u mësojë fëmijëve të ardhshëm, si qenë ata, gjyshat e tyne.
Si e pa shmangshme që do te ishte burgosja e ime, kishte ba që ditët e fundit të kishin kenë të mërzitshme për mue, e vetë rryma e jetës të më dukej se kalonte mjaft e zymtë. Trishtimi dhe mbijetesa tepër e vështirë që lejsha përmbrapa në familje, si dhe prova që më priste para, ishte ai shqetësim që s’do të ma kuptojshin asnjiherë njerëzit e shtëpisë e askush, ndonëse ditën kur do të kapercejsha pragun e burgut, si për çudi, do të më dukej se isha çlirue prej nji ankthi që me kishte pasë mundue gjatë asaj kohe të fundit.
Kur unë të hyjsha në burg, Shkodrën, këtë “mater dolorosa” tonë, do ta lejsha të mjerë e të trishtueshme, që mezi po shtynte ditët e nji jete të vrame me të pabesë prej komunizmit. Deri në atë ditë kishin kalue tre vjet e dy muej qẽ Shkodra kishte humbë buzëqeshjen e saj të përhershme e që qytetarët ngushëlloheshin mes tyne vetëm me fjalët: “Zoti asht i madh e, do të mendojë edhe për ne”, e të gjejshin disi qetësim të çastit edhe kur të zbrazshin mallkime si; “Tretju Zot farën këtyne”! etj., etj., si këto.
Shkodra, hije e vetvetes
Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrori të egër që të mundet me u përfytyrue. Burgjet ishin plot, aq sa në popull u fliste: “shpi e burg”, ose; “s’po mbet kurrkush përjashta”?! Mjerimi gjithashtu i thellë. Njerëzit s’kishin ç’të hajshin. Jeta sikur kishte ndalue. Regjimi komunist kishte grabitë gjithçka: lirinë, të drejtën e mirëqenien e nji populli të tanë. Prona s’kishte ma e për rrjedhim as veprimtari private. Enver Hoxha, në shenj solidariteti me Tito-Stalinin, do të ishte ndër të parët nga të kampit komunist, që të refuzonte ndihmën e Planit Marshall, shans ai plan që do të përtërinte mjaft shpejt ekonomitë e mëdha por të shkatërrueme nga lufta të shumë vendeve të Europës.
Reforma agrare kishte ba që pronarët e vegjël, të cilët Shkodra i kishte pasë me shumicë, të kishin këpute çdo lidhje me katundin e t’mos kishin me se të sigurojshin bukën e ditës. Edhe vetë fshatarëve që u ishte dhurue toka e huaj, nuk u lejonte që të mbajshin për vete asnji gram mbi sasinë e llogaritun si mbas frymëve që kishin, tue qenë të detyruem të dorëzojshin në shtet pjesën tjetër të prodhimit. Po të ndodhte që dikush të shkonte për mik diku – raste shumë të rralla në atë kohë – me vete do të merrte copën e vogël të bukës së misrit të mbështjellë në nji letër.
Përpjekjet e sakrificat që do të bajshin kryefamiljarët për të sigurue mbijetesën e njerëzve të tyne, nuk kanë të përshkruem. Deri në ditën e burgosjes time, kishte muaj që në shtëpinë tonë u hante në çdo drekë vetëm groshë qorre, groshë qe im atë e kishte sigurue me mundim e jo pa rrezik. Ishte tretë e harrue çdo ushqim për të qenë. Nji mik i shtëpisë tonë, kushedi sa e sa herë, tue çue vetullat përpjete, do të na pyeste si me mallëngjim: “A thue don Zoti e vjen edhe nji herë ajo kohë, që të hamë prapë mish e pilaf”?!
Gjatë pushimeve verore të atij vjeti, nji shok i imi m’ ishte lutë disa herë: “Aman, Ahmet, më qit nji ditë në katund të ndonjë mik i juaj, që të thom se e ngopa barkun nji herë”. Mbi të gjitha, këto ndodhshin jo si periudhe e parë e mbas luftës, meqë mbas luftës, tue përjashtue vështirësitë e komunikacionit rrugor, për mungesë urash të shkatrueme nga gjermanët në fund të qëndrimit të tyne në Shqipni, për të tjerat, ekonomia shqiptare përgjithësisht kishte dalë prej luftet ma e shëndoshe nga ç’kishte kenë para se me fillue ajo, porse ishte regjimi, që në vorfni e mjerim, kishte mbështetë suksesin e tij politik e ideologjik.
Pazari madhështor i Shkodrës, që dikur kishte zie nga gjallnia e punës sẽ dymijepesëqind dyqaneve të tij, ishte shndërrue pa nevojë në gërmadhe e varrezë. Edhe brenda në qytet, me dhjeta e dhjeta dyqane tjerë, si sy të verbuem, kishin ulë, si mbas rastit ruletat a tarabat e tyne, si dëshmi e vdekjes së tyne të detyrueshme. Shkodra, me siguri që komunizmit po i paguante ma shumë se të tjerët për jetën e saj të shkrueme qysh njëzetetre shekuj ma parë, tue pase fillue ç’prei atëhere kur ajo kishte qenë kryeqendra e nji Ilirie që u zgjaste qysh prej kreut të Dalmacisë, e poshtë deri thellë në Artë të Greqisë.
Se Shkodra ishte ai qytet që shekuj ma parë, përmes tregtarëve të saj të zotë, kishte pasë rrahë rrugët e deteve Adriatik, Mesdhe e te Egjeut; e që nen sundimin e shtëpisë se Bushatlijve, kishte qenë gjithashtu kryeqendra e nji vilajeti ma të madh se gjysa e Shqipnisë; që u vetëqeveriset me ligje vendi edhe pse nën kërcënimin e vazhdueshëm të Stambollit; Shkodra që në kohë të Lidhjes së Prizrenit numëronte 50.000 banorë e që deri para pushtimit të vendit prej Italisë, numëronte me qindra njësi të ndryshme tregtarë, me banka në qytet e pazar të vjetër, me hotele e shoqni elektrike, agjensina autobusësh, fabrika duhani, mielli, makaronash, alkooli, akulli, sapuni, pëlhurash, zyra për këmbim monedhash etj., etj., e që kishte pasë gjithashtu edhe nji sistem fiskal të respektuem nga të gjithë.
Shkodra ku dilshin rregullisht disa gazeta të përkohshme, ku kishte prej shumë dekadash, e madje qysh prej nji shekulli, muze, biblioteka, teatër, kinema e ku të gjitha sa ma sipër, ishin shtue e modernizue edhe ma shumë gjatë kohës së pushtimit, ndërsa në kohën kur unë po hyjsha në burg, kjo Shkodër e jonë, anmike për vdekje e regjimit në fuqi, s’kishte të hante, as ku të punonte! Të kremtet që kishin qenë festue me aq madhështi në Shkodër, vetëm sa u kujtojshin në mënyrë simbolike.
Njerëzit natyrisht, vazhdojshin me u martue, po dasma nuk kishte ma. Edhe gjatë verës së fundit, lumenjtë Dri, Bunë, ose edhe Kir, e me ta edhe liqeni “andërrtar” i Migjenit, aty ku si ma parë, prap do t’ ishin, po kujt i pat ra ndërmend për ta gjatë asaj vere të fundit?! Kalaja Rozafat, krenaria e jonë, nuk qe ndigjue që për Shëngjergjin e fundit të kishte pritë, – si ma parë – vizitorë.
Njerëzit me gaz të ngrimë ndër buzë, nuk i qenë gëzue as pranverës, e cila nuk kishte lulëzue ma për ta. Nuk kishte ndodhë që deri edhe mandat, të cilët si mbas traditës, në jetë të jetës, ishin mbledhë me kojshi e nda ndër ta e miq, për shëmtim të kohës, atë verë të fundit kishte pasë raste që t’ ishin tregtue si frutat e tjerë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016