Nga UVIL ZAJMI
Memorie.al / Llotaria, një fenomen, i njohur në Shqipëri, i praktikuar, e preferuar, dhe me fatin pas: “Nëse ishe fitues, mund të merrje deri edhe një apartament, biçikletë, motorë, etj.”. Gjithçka e organizuar nga shteti, nga shitja, propaganda, shorti, numrat fitues, që do të shpalleshin, publikoheshin deri në gazetat e vetme politike të kohës, “Zëri Popullit”, “Bashkimi”, etj. Ato tregtoheshin në kinkaleri, cigareshitës, dyqane, por edhe nga një person i njohur në Tiranë, tejet popullor, me bllokun e biletave në dorë, duke ecur gjatë ditës në qendër të Tiranës bërtiste: “Lotaria provoni fatin, me 5 leke blini pallatin”.
E kujtoj mjaft mirë atë njeri, gjithmonë me një kapelë ne kokë, shtatshkurtër, i shëndoshë dhe me një çantë që i varej nga pas. I shiste dhe merrte paratë nga blerësit. Biletat ishin të disa tipave, llojeve, me një vlerë modeste, dhe të lira ishin ato 5, 10 dhe 50 lekëshe (të vjetra).
Po kështu llotaritë sportive zyrtare me ndeshjet e kampionatit kombëtar, rezultatet e sakta, nëse shpalleshe fitues ndryshe nga ajo popullore, merrje si shpërblim jo para, por dhurata. Veçanërisht në takimet ndërkombëtare të ekipit përfaqësues, kur ai luante në Tiranë. Gjithçka publikohej, ne faqet e gazetës “Sporti Popullor”. Të paktën nga fundvitet ’60-të, kur më pas u ndaluan me ligj. Dënoheshin ata që i aplikonin, propagandonin, luanin fshehurazi, deri dhe me burgje janë dënuar.
Për të ardhur tek ajo lotari, ndonëse e tillë është njohur, por krejt ndryshe për nga formati, mënyra si funksiononte, organizimi, përhapja, masiviteti, e njohur si “Lotaria klandestine popullore”, më të cilën shqiptarët kanë bashkëjetuar në vite, të cilën po e sjellim për lexuesit, si një tjetër rrëfim nga cikli i nostalgjisë.
LOTARIA KLANDESTINE-POPULLORE “MADE IN ALBANIA”
Gjithçka do të nisë pas viteve ’70-të. Një model lotarie, ishte, quhej, por me një karakteristikë të veçantë, unikale për kohën, sistemin: Klandestine, e ndaluar, por edhe e lejuar në heshtje nga shteti. Një mekanizëm që shpërtheu nga nevoja minimale financiare e popullsisë, dhe pamundësisë, marrje-dhënia kredie për individë. Ndërkohë, në skenë del e do të shfaqej një lotari tjetër tipike shqiptare, që shumë shpejt, në një kohë të shkurtër, do të transformohej në një instrument tejet i përhapur e popullor.
Një mënyrë marrje kredie, por, ndryshe e sofistikuar. Nuk dihet, nga erdhi ideja, ku u aplikua për herë të parë, ishte apo jo e huazuar, por me një adaptim në perfeksion e me shtrirje të gjerë në vendin tonë, për nga mënyra me të cilën u aplikua dhe famën e popullaritetin që mori?! E thjeshtë, praktike, jo e zhurmshme, shumë ndihmëse, aq sa masive për hovin që mori, shtrirjen, aq edhe e ndaluar me ligj. Pas viteve ’70-të e në vijim, një Shqipëri nën “diktatin” e lotarisë jo zyrtare, jo e deklaruar, ku të gjithë merrnin pjesë. Fitimi varej edhe nga numri i pjesëmarrësve, dhe me të ardhura nga kjo lotari mund të blije diçka me vlerë të konsiderueshme, që për një familje ishte e pamundur.
Nuk ka shqiptar, që të mos ketë qenë pjesë edhe për një herë të vetme në të tilla lotari të një stili specifik për një vend socialist, me të cilën janë veshur, kanë kompletuar shtëpinë, në ato kohë, kur rrogat ishin modeste, dhe një televizor, lavatriçe, frigorifer, të domosdoshme për një familje, nuk e merrje me kursimet e pagat mujore apo 15-ditore që merrnin shqiptarët, në vendet ku punonin. Kjo ishte edhe një ndër arsyet që lindën lotaritë klandestine-popullore.
TË GJITHË NË LOTARINË KLANDESTINE
Lotaria aplikohej në qendra pune, nga intelektualë, institucione, spitale ndërmjet mjekëve, infermierë, miniera, sistemin shkollor, ciklin e ulët, të mesëm e të lartë, shtëpi botuese, Kinostudio “Shqipëria e Re”, Radio-Televizioni Shqiptar, deri edhe në reparte ushtarake midis oficerëve, ushtarëve, etj. Veçanërisht në ndërmarrje të mëdha, rrobaqepësitë, veshmbathjet, rroba të gatshme, punëtori ushtarake, uzina, fabrika, stabilimente, kombinate, si ai i “Autotraktorëve”, ai Ushqimor “Ali Kelmendi”, “Misto Mame”, “Fabrika e Bukës”, porte, thuajse në të gjithë Shqipërinë.
Deri edhe qendra kulturore, artistike ndërmjet artistëve, këngëtarëve. Të tilla dhe të atij formati kanë vazhduar deri në mes-vitet, 2010-2020-të, tregon një ish-arsimtare e një shkollë të mesme, (duke ruajtur anonimitetin) por, gjithmonë e më shumë e kufizuar, deri në zhdukjen e saj. Kishin lindur dhe po aplikoheshin kreditë, të tjera mundësi për të marrë e blerë sende me vlerë, për një udhëtim, për pushime, shtëpi, apartamente, biznes privat, shkollim, etj. Sidoqoftë për kohën, ai tip lotarie mbete unikale, si asnjë model tjetër, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve.
Si të tillë e kujtojnë sot, ata breza, ku të gjithë, kanë qenë, kanë marrë pjesë, në atë aplikim të frikshëm, të rrezikshëm e me pasoja, por të sigurtë, pa zhurmë, të preferuar si një mundësi për zgjidhje të situatave ekonomike për një familje. Mjaft prindër futeshin në këto llotari, për të mundësuar shkollimin e fëmijëve në Tiranë, fejesën, dasmën e djalit, vajzës kur këto nuk ishin në marrëdhënie pune, student, etj. Sigurisht, nuk ishte e lehtë, një sakrificë më shumë.
SI ORGANIZOHEJ?
Fillimisht, përcaktohej grupi, që nuk kishte të preferuar, apo të përzgjedhur. Nga punëtori, zyrtari, nën-punësi më i thjeshtë te titullarët, drejtuesit kryesorë mund të merrnin pjesë, nuk kishte kufizime, përkundrazi, sa më i madh numri, ai reflektohej te shuma, ndonëse, zgjaste për një kohë të gjatë. Vlera monetare përcaktohej nga dëshira e njerëzve, mundësia, duke arritur një akord midis të gjithëve, varionte nga 500, 1 mijë, deri në 2 mijë lekë (të vjetra).
Ajo niste me hedhjen e shortit, por kishte raste që dikush duhet t’i merrte në fillim, kjo e lidhur me arsye të ndryshme, si gratë shtatzëna, ata që fejoheshin apo martoheshin, kërkonin, bisedonin t’i bëhej ky favor. Dhe që me mirëkuptim, ashtu veprohej. Në fund mund të liheshin ata që nuk pretendonin për të qenë parët, si dhe të rinjtë, të rejat. Të tjerët me short. Shorti kuptonte një letër me numër, dhe që hidhej kur të pranishëm ishin të gjithë. Pasi merrte letrën, secili informohej për datën.
Nuk mbahej asnjë proces-verbal, asnjë dokument zyrtar, edhe për të mos patur një dëshmi të tillë, si provë për çdo rast denoncimi, ndonëse askush nuk e mohonte një proçes të tillë. Pasi personi merrte pagën, rrogën (kështu ka funksionuar asokohe, me 15-ditsha), që niste nga data 1 e 16, për institucionet, e më pas për ndërmarrje, shkolla, etj., dorëzonte sasinë e caktuar te organizatori, që mbante një listë me datat, emrat e që mblidhte paratë. Ai ishte dhe zgjidhej njeri korrekt.
Por, askush nuk abuzonte, përkundrazi, korrektësia ishte primare. Njerëzit i bënin llogaritë vetë dhe e dinin se e kujt ishte radha. Një tjetër mënyrë fitimi, varej edhe nga numri i pjesëmarrësve që përfshinte një cikël dhe kur në raste kur një person futej me nga dy deri në tri herë. Pranohej nga të gjithë, pasi numri i madh korrespondonte me një shumë të tillë. Rroga nga ato minimale, rreth 2.500 lekë të vjetra, varionte te ato mesatare 580, 600, për specialistë, inxhinierë, mësues, mjekë, shoferë, diçka më shumë për profesorë, drejtorë, apo ata që punonin në punë të rënda, miniera, burgje, që shkonte rreth 8 mijë lekë, etj.
Për të gjithë ishte një vlerë me rëndësi të merrje një sasi të tillë dhe ta dërgoje në shtëpi, për t’i ardhur në ndihmë familjes. Kur mbaronte cikli, nën zë flitej që do të fillonte menjëherë tjetri, duke pyetur se kush do të marrë pjesë. Deri në 20-30 persona mund të arrinte numri. Me vite, kështu ka funksionuar ky mekanizëm. Jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë. Ajo që e bën krejt të veçantë atë mënyrë, atë formë lotarie sa të ndaluar, aq edhe të praktikuar, mbetet fakti se në atë merrnin pjesë të gjithë, nga një anëtar partie, drejtues institucioni, brigadier, te punëtori i thjeshtë, nga mësuesi te pedagogu, nga infermieri te mjeku, profesori, etj.
Qeveria dhe shteti me një sy e vesh të mbyllur!
Ndonëse nuk lejohej nga shteti, edhe pse ky ishte në dijeni, ajo lotari ka funksionuar normalisht e rregullisht, me një masivitet të habitshëm, edhe pse teorikisht përbënte dhe ishte një rrezik evident. Mjaftonte ndëshkimi i një rasti, i një personi, për t’u bërë shembull, gjithçka do të rrëzohej, dhe frika do të mbizotëronte kudo. Por, jo. Vetëm në raste sporadike kërcënimet nuk kanë munguar, edhe për justifikim, por nuk ka patur, nuk ka ndodhur të ketë fajtorë dhe persekutorë.
Një fakt që të befason, që shoqërohet me qëndrimin shtetëror, dhe kur ky ishte informuar mirë më këtë lotari, e ka lejuar, mbyllur një sy e një vesh, ndonëse klandestine dhe që ishte e ndaluar me ligj. Një heshtje aprovuese, në kundërshtim të hapur me ligjin e hartuar dhe që duhej zbatuar nga vetë shtetarët. Ajo që e bën krejt të veçantë atë mënyrë, atë forme lotarie sa të ndaluar, aq edhe të praktikuar, mbetet fakti se në shumë raste ata vetë, familjarët, të afërmit e tyre, miq, shokë, ishin pjesëmarrës në këtë lotari të një formati unikal. Lotaria ishte transformuar, kthyer në një proces, i një qetësie, funksionimi natyral, normale dhe e tillë vazhdoi ndër vite.
NJË LETËR ME SHENJË PËR SEKRETARIN E PARTISË
Nga sekretaret, ato gra, sekretarët e organizatës së partisë së një institucionit, sektorëve, reparteve në fabrika, uzina, kudo, nuk kanë munguar, madje duke qenë pjesëmarrës të rregullt dhe me pretendime në ato llotari klandestine. “Sekretarët e partisë, përgjegjësit, kërkonin t’i merrnin të parët. Në mjaft raste, i bëja letrat me shenjë, duke e njoftuar, që ai ta njihte, pastaj ta tërhiqte. Tek unë kishte besim. Drejtuesit e ndërmarrjeve, kur nuk donin të dilnin hapur, fusnin një punëtor o dikë tjetër, ndonëse përfliteshin. Po kështu vepronin edhe anëtarë të tjerë partie, të Bashkimeve Profesionale, ato të Rinisë”, rrëfen Benun Drini, kur në ndërmarrjen e tij në Tiranë, ishte personi që organizonte llotarinë.
Ka funksionuar edhe kështu, pra, kur vetë ata, sekretarët, përfaqësues të vijës, moralit demagogjisë partiake, në formë presioni, kërcënonin se duhet të ishin të privilegjuar, përndryshe, ai mekanizëm edhe mund të mos funksiononte normalisht, kur në vigjilje të tij, të gjithë ishin përgatitur që ai të niste, të rrezikonte gjithçka. “Një frikë edhe për ne organizatorët. Një kusht, i kondicionuar, por jo e deklaruar, sidoqoftë një tolerim duhej bërë për ta”, kujton Drini në rrëfimin e tij.
PËRSE KA SHËRBYER AJO LOTARI, ÇFARË MUND TË BLIJE?
Ka shërbyer më shumë, për ata që fejoheshin për të blerë dhuratat në shkëmbim të “nishaneve” të njohura që përgatisnin familjet e dy të fejuarve. Nga orët “Darvil”, “Atlanatik” që kushtonin deri më 15 mijë lek (të vjetra), një detyrim i vajzës për djalin, bashkë me pajën. Pastaj për ata në prag të martesës, një sasi e tillë financiare, ishte ndihmë e madhe nga blerja e dhomës së gjumit, divanet klasikë, kolltuqet, që tregtoheshin në dyqanet e mobilieve, prodhim i “Misto Mame”-s, si dhe dasma: Nga kostumi i dhëndrit që kushtonte afro 10 mijë lekë, (të vjetra) fustani i nuses, tek orkestra, këngëtari, taksia, darka, ndonëse ajo i nxirrte shpenzimet nga të ardhurat e dasmorëve.
Gjithashtu, për të kaluar “muajin e mjaltit” në hotelet modeste të kohës, apo kampet e pushimit, duhej një sasi me para për çiftin e ri. Por, më klasikja, për të cilat lotaria ka qenë një domosdoshmëri, ishte blerja e një televizori, lavatriçeje dhe frigoriferi. Ndonëse ishin me autorizim deri në një farë kohe, dhe më pas, për të siguruar aparate shtëpiake, kryesisht një televizor bardhezi 24 polesh të UEM-it, të markave “Iliria”, “Adriatik”, “Butrinti”, “Lura”, që kushtoni 45 mijë lekë, (të vjetra) bashkë me stabilizatorin, ishte e pamundur me të ardhurat nga rrogat, kursimet, për blerë e të pasur një të tillë.
E vetmja mënyrë, mundësi që të servirej dhe ofrohej ishte llotaria e ndërmarrjes si alternativë, me garancinë që ta jepte sasia në para prej saj. Për të vijuar me një frigorifer “Obodin”, shumë i preferuar që vinin nga Jugosllavia, ato italianë “Ignis”, po aq 45 mijë lekë. Si dhe lavatriçet, prodhime jugosllave, rumune e çeke. Një shumë e tillë modeste financiare e ardhur nga llotaria, shërbente për të kompletuar shtëpinë. Por, paratë e marra mund t’i fusje në Arkën e Kursimeve, që pas depozitimit të jepnin një librezë. Ku askush në çastin e dorëzimit të vlerës monetare, nuk të pyeste se ku e ke gjetur atë shumë. E dinin, por nuk reagonin.
I sigurt ishte fakti, se pas marrjes së lotarisë, kur shikonin dhe dëgjonin që fëmija kompletohej me një televizor apo frigorifer, nuk kalonte pa komente nga lagjja, shoqëria, shokët e kolegët e punës, të afërm e komshinj, pasi lajmi përhapej me shpejtësi të madhe. Duke qenë se të ardhurat financiare të një familjeje diheshin nga të gjithë, dhe një lëvizje e tillë jashtë normales, binte në sy, por kuptohej dhe në skenë dilte e shfaqej lotaria.
Edhe për t’u justifikuar në opinion, familjarët e bënin të qartë për të ardhurat e parave. Në një pallat ku kishte vetëm një frigorifer, komshinj sillnin aty për t’i mbajtur të freskëta, mish., djathë, sallam etj., nga ato çfarë blinin me tallon. Po kështu edhe për të parë një film, një ndeshje, kush nuk kishte televizor, zbriste, trokiste te komshiu që kishte një të tillë. Në mjaft raste, disa familje i ruanin, mbanin në shtëpi paratë e lotarisë.
FESTA NË FAMILJE
Pritja, kënaqësia e personit që kishte radhën për të tërhequr llotarinë, ishte e madhe. Pas marrjes së shumës, ajo përcillej, si të ishte një festë në familje, te prindërit, fëmijët, etj. Një ndihmë që mbështeste familjet me probleme, por që ajo formë, ato lotari, u kthyen e u shndërruan si një mënyrë apo shpresë për të patur një sasi me para në dorë, një ëndërr për kohën, të cilat mund të shfrytëzoheshin e përdoreshin për gjithçka. Kishte raste, kur nga një familje merrnin pjesë në lotari disa anëtarë të saj, në qendrat e punës ku punonin. Me rëndësi ishte marrja e lotarsië në fund të vitit, që shërbenin për të festuar pak më ndryshe Vitin e Ri, për të prenotuar një restorant luksi për kohën.
Po kështu edhe në periudhë vere, kur familja apo çifti shkonin në plazh, një shumë e tillë kishte mjaft vlerë. Por edhe për ata që kishin probleme shëndetësore, ishte një ndihmë e konsiderueshme. Për blerje apo veshje jo shumë, pasi dyqanet tregtonin veshje thuajse të njëjta, po kështu këpucë, etj., që mund të bliheshin nga të ardhurat normale mujore.
NEXHMIJE HIDI: EDHE NË AMBASADA APLIKOHEJ LOTARIA E NDALUAR
Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga një ish-punonjëse e vjetër, Nexhmie Hidi, një grua e mbajtur edhe pse ka kaluar të 90-at, e cila tregon: “E bënim fshehurazi, midis punonjëseve, nga një ambasadë në tjetrën. Por, më thirrën dhe me kritikuan”, – tregon ajo.
Znj. Nexhmije, çfarë mund të kujtosh, lidhur me lotarinë, për të cilën po flasim?
E kujtoj shumë mirë, pasi ajo ishte e përhapur kudo, në të gjithë vendin. Deri dhe në personelin shqiptar të ambasadave, ku pjesa më e madhe ishin gra. E organizonim, si një ndihmë për të blerë atë që me të ardhurat mujore që kishim, nuk mund t’i blinim dot.
Si funksiononte?
Në ditën që merrnim rrogat, komunikonim, takoheshim me njëra-tjetrën, duke dorëzuar shumën e parave, njërës nga koleget, e caktuar për këtë punë. Ajo ia jepte, asaj që kishte radhën për ta marrë, që ne e dinim. Kështu vazhdonte, me radhë. Sigurisht pa zhurmë, në heshtje, fshehurazi.
Ishte një kontingjent me gra të përzgjedhura?
Po patjetër. Unë punoja në një ndër ambasadat perëndimore të akredituara në Tiranë, ku aty kishin zyrat, por edhe apartamentet e tyre. Sigurisht, që një pjesë e tyre ishin të organizuara në parti, apo familje që sigurisht jepnin garanci. Dhe diçka e tillë nuk mund të mbahej fshehurazi, përkundrazi, ato ishin të parat të interesuara për të bërë lotarinë, edhe pse e ndaluar. Ishte si një formë kredie për kohën.
Po nga personeli i ambasadës, kishte kureshtje, si jetohej në shtëpitë tuaja, çfarë të ardhurash kishit?
Jo shumë. Nga në nuk kishte asnjë moment që mundësi, apo diçka që ata kuptonin diçka të tillë. Lagjja, po, si dhe të afërm. Veçanërisht, kur e shihte që një punonjëse si ne, merrte një frigorifer, apo televizor. Mund të mendonin se na i kanë dhënë në ambasadë, që për ne ishte e ndaluar të merrnim apo pranonim dhurata. Diheshin mundësitë tona, dhe vetëm me një formë të tillë, si lotaria, ishte e mundur siguroje një sasi me para, për të blerë një diçka ndryshe. Tentonim ta kalonim pa koment, duke këshilluar edhe fëmijët të mos flisnin. Ndonëse ata e dinin mirë, kishin informacion edhe për këtë llotari.
Kishte raste mosmarrëveshje?
Jo. Kryesisht ishim gra dhe një personel që dallohej për korrektësi e sjellje në punë, në të gjitha marrëdhëniet tona, ato me trupin diplomatik, personelin e ambasadës, zyrtarët, drejtuesit tanë, etj.
Mundet që dikush edhe të reagonte?
Po, kishte raste dhe një gjë e tillë ka ndodhur me mua. Ishte një moment që më shqetësoi, se gjithçka mund të ndodhte. Më thirri një drejtues partie, duke diskutuar çështje pune, më flet edhe për lotarinë, që; “çfarë është kjo, si mundet, jeni gra të zgjedhura dhe këto forma nuk duhet të aplikohen në të tilla vende pune”!
Çfarë ndodhi me jua pas kësaj, ju bënë problem?
Jo nuk ndodhi asgjë dhe nuk më bënë problem. U la me aq, pra me një këshillë, apo vërejtje, kun ë fun më tha; “bëj kujdes”. Pra, ishte një sinjal. Nuk i thashë askujt, vetëm bashkëshortit, por m’u krijua një situate frike e ankthi. Ndoshta ai mund të kishte thirrur edhe të tjerat, por që nuk bisedohej midis nesh.
Dhe si vijoi…?
Nuk mundet ta ndërpritnim, vazhduam, por më të kufizuara, në lëvizje, komunikime. Gjykoj që edhe ata ishin familjarë e kuptonin situatën, dhe që për ne, një e ardhur e tillë, ndihmese ishte gjë e madhe. Heshtnin, jo se nuk e dinin, por duke qenë vigjilentë që të mos përfliteshim, krijoheshin situata jo të pëlqyera në një sektor delikat, si ai i ambasadave, ku punonin gra shqiptare. Deri sa u ndava me punën, ato lotari kanë vazhduar, edhe pse shumë drejtorë janë ndryshuar. Memorie.al
















